“Paramendoje…”, thotë Senadi* ndërsa m’i ngul sytë pasi rikujton një ditë vere tejet të rëndësishme para 21 vjetësh. Pastaj hesht.
Ishim takuar para një ore në oborrin e kushëririt të tij, me të cilin janë fqinj në mëhallën rome brenda një fshati me shumicë serbe. Senadi sakaq ma kërkoi letërnjoftimin. Besimi nuk vjen lehtë kur diskriminimi, persekutimi dhe shfrytëzimi janë bërë thuajse pjesë e ADN-së stërgjyshore.
Episodet e frikësimit dhe keqtrajtimit nga policia serbe deri në fund të luftës në 1999 ende nuk i ndahen familjes, ashtu si trauma e periudhës menjëherë pas luftës. As realiteti i ri gjatë dy dekadave të fundit nuk ka qenë as afërsisht i kënaqshëm.
Kushëriri, i njohuri ynë i përbashkët, lehtësoi prezantimin e ndërsjellë dhe Senadi mbushi një orë të tërë duke kallëzuar rrëfimin fill e për pe. Pasi e kreu, ai theksoi seriozitetin e asaj çfarë kishte thënë përmes një ilustrimi.
“Paramendo veten tash duke dalë nga shtëpia dhe dikush të rrëmben në rrugë,” thotë ai. “Je në punë, kryen detyrat e tua dhe rrëmbehesh. Pastaj të vrasin”.
– – –
Në një mëngjes korriku të vitit 1999, katër burra romë — Senadi në të njëzetat, vëllai i vogël dhe dy kushërinj — nisen nga fshati për të shkuar në Prishtinë për punë. Kushtet e rënda të jetesës — të ngjashme me ato sot — i detyronin të merreshin me punë fizike afatshkurtër dhe të atypëratyshme. Atë ditë, një serb i Kosovës i kishte marrë që ta ndihmonin të zhvendosej nga banesa e tij në qendër të Prishtinës.
Senadi kujton që teksa bartnin poshtë orenditë nga kati i epërm, një grup burrash shqiptarë ishin mbledhur para ndërtesës dhe talleshin me ta, duke thënë se po punonin me një serb.
Ushtarët e KFOR-it arrijnë në vendin e ngjarjes. Burri serb i kishte thirrur trupat paqeruajtëse të NATO-s për t’i ofruar siguri gjatë daljes nga Prishtina.
Lufta kishte mbaruar zyrtarisht dhe deri në 900,000 shqiptarë të dëbuar vazhdonin të ktheheshin në shtëpitë e çliruara. Por ndërsa bënin rrugën e kthimit, kishte nisur të shfaqej një realitet i ri plot ndërlikime e zymtësi.
Shumica shqiptare kishte duruar vite të shumta shtypjeje dhe aparthejdi, së bashku me një fushatë sistematike — të orkestruar nga nivelet më të larta të qeverisë serbe dhe asaj jugosllave që kishin pushtet atëkohë — për t’i terrorizuar, për t’i vrarë dhe për t’i dëbuar.
Të gjithë u nisën drejt zonës me shumicë serbe — përveç katër burrave romë.
Në vakumin e pushtetit që ishte krijuar pas tërheqjes së makinerisë serbe të luftës, serbët u druheshin sulmeve hakmarrëse dhe kështu shumë prej tyre ikën drejt veriut. Identifikimi i shumë civilëve serbë si pjesëmarrës në mizoritë e njësiteve paramilitare vetëm e rëndonte atmosferën e tendosur.
Në ndërkohë, profecia e sulmeve hakmarrëse kishte nisur të përmbushej. Vetëm disa javë pas çlirimit të Kosovës, aktivistët në terren kishin regjistruar sulme të dhunshme ndaj komuniteteve minoritare — sidomos serbëve dhe romëve — dhe kundërshtarëve politikë nga individë dhe grupe kriminale hakmarrëse, por edhe nga individë që identifikoheshin ose ishin të lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Që nga ardhja e tyre në Kosovë në qershor të vitit 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s ishin ngarkuar me mbrojtjen e jetëve të atyre që qenë të cenueshëm pas përfundimit të luftës. Me detyrën për t’i mbrojtur të gjithë ata që u nënshtroheshin kërcënimeve dhe ngacmimeve, KFOR-i rrethoi kamionin plot me orendi që i takonin banorit serb që po e linte Prishtinën një herë e mirë. Të gjithë u nisën drejt zonës me shumicë serbe — përveç katër burrave romë.
“Na thanë se s’ka hapësirë për ne në kamion”, thotë Senadi.
Ai kujton se si kishin filluar të ecnin nëpër qytet kur papritmas u ndalën dy makina. Senadi pretendon se burrat ishin shqiptarë me veshje civile dhe që po mbanin armë. Ai dhe njëri kushëri ia kishin dalë të iknin shpejt dhe të vraponin larg tyre, por vëllain dhe kushëririn tjetër i kishin futur në makinë.
Vite më vonë, zyrtarët do t’ia dërgonin familjes mbetjet mortore të dy burrave.
– – –
I ati i Senadit, i cili deri në këtë çast nuk bëzante fare ndërsa fliste i biri, tymosi grimën e fundit të cigares dhe shfreu me zemërim.
“Ishte vetëm [adoleshent]! Dhe kishte shkuar për të punuar vetëm sepse kishte dy foshnja të vogla në shtëpi që duheshin ushqyer”, thotë ai me zë të lartë. “Ai nuk ishte pjesë e APJ-së [Armata Popullore Jugosllave] apo e ndonjë grupi tjetër ushtarak serb”.
Pohimi i tij i vendosur se i biri nuk ishte anëtar i forcave serbe nuk është rastësi. Romët e Kosovës ende stigmatizohen nga shumica e publikut të gjerë si bashkëpunëtorë të vullnetshëm në abuzimet serbe.
Narrativa e bashkëfajësisë së romëve në mizoritë serbe ndaj shqiptarëve është quajtur e pabazë nga Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve (ERRC) qysh nga koha menjëherë pas luftës.
Ç’është e vërteta, të dhëna të shumta të mbledhura nga ERRC-ja sugjerojnë se, edhe pse një numër individësh romë mund të kenë shërbyer në ushtrinë dhe policinë jugosllave, në shumicën e rasteve, ata janë detyruar të punojnë për ushtrinë dhe njësitet paramilitare serbe. Për më shumë, paramilitarët serbë shfrytëzonin rregullisht pozitën e cenueshme të romëve, duke i nxitur të kryejnë veprime sikur mbartja e trupave të shqiptarëve të Kosovës dhe groposja e tyre në varreza masive.
Hulumtuesja dhe aktivistja e ERRC-së Dimitrina Petrova kishte thënë në 1999 se përsëritja e deklaratave që paraqesin romët si bashkëpunëtorë i jepte krah përgjithësimit të romëve në Kosovë si pjesëmarrës në spastrimin etnik në anën e serbëve. Ajo e quante “shpifje raciste” që përdorej si përpjekje për ta përligjur dhunën e pasluftës ndaj komuniteteve të romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve.
“Nëse romët janë parë si besnikë kundrejt serbëve, përse atëherë kishte mijëra romë që iu bashkuan ikjes së refugjatëve shqiptarë gjatë bombardimeve të NATO-s?”, kishte shkruar Petrova. “Ka dëshmi të shumta të mbledhura nga disa organizata në vende të ndryshme se romët janë dëbuar nga shtëpitë e tyre në të njëjtën kohë dhe gjatë të njëjtave operacione si shqiptarët”.
Është shfaqur një narrativë e përgjithshme në Kosovë që romët kanë bashkëpunuar vullnetarisht me krahun serb gjatë luftës, por të dhënat tregojnë se kjo është e pabazë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Lagjet e komuniteteve rome, ashkalie dhe egjiptiane në qytete dhe fshatra të ndryshme të vizituara nga K2.0 ruajnë kujtime të forta të përndjekjes nga forcat serbe. Por, të zënë mes dy anëve në një kohë kur nuk tolerohej asnjanësia, liria u erdhi më vonë sesa popullatës shumicë.
Mbase shtypja e rrëfimeve të përvojave të rënda shpjegohet më së miri përmes fjalëve të një burri rom në të pesëdhjetat.
“Kujtoj që gjatë të 90-tave, paramilitarët serbë më thonin shpesh: ‘Së pari duhet ta kryejmë me shqiptarët dhe pastaj do ta kryejmë me ju’. Njëherë më rrahën keq”, thotë ai. “Kur erdhën shqiptarët, ata na quanin bashkëpunëtorë. Askush s’donte ta dinte se çfarë na kishin bërë serbët”.
Sian Jones është ish-hulumtuese e Amnesty International që ka monitoruar shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë për një kohë të gjatë dhe ka qenë autore e raporteve kryesore të organizatës për Kosovën gjatë dy dekadave të fundit. Ajo nënvizon që Human Rights ٌWatch (HRW) dhe ERRC kanë mbërritur në terren menjëherë pas luftës dhe se të dy organizatat kanë vërejtur një motiv të qartë frikësimi ndaj komuniteteve minoritare.
“Disa nga burrat që kishin intervistuar u kishin thënë se UÇK-ja ose shqiptarët u kishin thënë drejtpërdrejt të ikin, kishte të tjerë që ishin rrëmbyer e ndonjëherë edhe ishin torturuar dhe ishin kthyer në familje me porosinë e qartë se duhet të ikin”, thotë ajo. “Sidoqoftë, një numër i konsiderueshëm romësh — kryesisht burra që në të shumtën e rasteve janë akuzuar se kanë bashkëpunuar me serbët — janë rrëmbyer dhe nuk janë parë qysh atëherë”.
Human Rights Watch vuri re se pas përfundimit të luftës “ishin më pak se një grusht policë të OKB-së, duke ua lënë trupave paqeruajtëse të NATO-s të kryejnë funksionet e policisë, për të cilat ishin të papërgatitur”, dhe se bashkë me OKB-në, ata “kanë dështuar të bëjnë veprime vendimtare prej fillimit për t’i frenuar vrasjet ndaj popullatës joshqiptare, gjë që vendosi precendent për periudhën e pasluftës”.
Jones pajtohet me deklaratën e HRW-së dhe beson që rrëmbimi dhe vrasja e minoritarëve pas përfundimit të luftës në Kosovë në qershor 1999 ishin të parandalueshme.
“Mendoj që një nga ironitë më të mëdha të intervenimit të komuniteteve ndërkombëtare është se shumica e vrasjeve dhe rrëmbimeve të romëve — si dhe të serbëve — të cilat ndodhën menjëherë pas luftës janë bërë para syve të KFOR-it, i cili nuk e kuptonte drejt situatën në terren dhe dështoi t’i mbronte pjesëtarët e grupeve të cenueshme minoritare në verën e vitit 1999”, thotë ajo.
Njohja e munguar
Atmosfera frikësuese gjendej po ashtu brenda shtëpisë së familjes Berisha në lagjen Janina të periferisë së Prizrenit, vetëm disa kilometra larg një kazerme të APJ-së. Në ato ditë amorfe të pranverës së vitit 1999, si të rinjve ashtu edhe të moshuarve u kishte humbur filli se kur duhet fjetur e kur duhet zgjuar, ashtu siç u kishte humbur filli për numrin e njerëzve të dëbuar nga shtëpitë që hynin e dilnin nga shtëpia e tyre në rrugëtimin për të gjetur strehë tjera të sigurta.
Kujtimi dhe Nehati, kushërinj të parë ndërmjet vete, kujtojnë se si frikësoheshin që etnia e tyre mund t’u shkaktonte rreziqe të shtuara. Ata identifikohen si ashkalinj dhe rrëfimet e rrëmbimit të romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve nga forcat serbe nën kërcënim me armë kishin mbërritur në pragun e shtëpisë së tyre.
“Kishte shumë paramilitarë që patrullonin në lagje”, thotë Kujtimi. “Dëgjuam nga fqinjët se si na merrnin burrat për të bërë punë fizike, sikur gërmimi i llogoreve ku pozicionoheshin forcat serbe”.
Më 1 maj 1999, sikur edhe në shumë ditë para saj, ata po fshiheshin në shtëpi. Nga dreka, ata kujtojnë si i shurdhoi diçka që u ngjau si shpërthim, duke e lëkundur tokën ku qëndronin.
“Nuk mund të dalim ta fajësojmë NATO-n. Edhe ne e donim ndihmën e tyre që të çliroheshim."
Kujtim Berisha, familjar i viktimave civile të luftës
Mendimi i parë që u erdhi ishte “me siguri NATO-ja bombardoi kazermën”, dhe të gjithë morën vrull drejt dritares me kërshëri.
Disa sekonda më pas nisi një skenë e kiametshme: errësirë, dhimbje dhe britma. Shtëpia e tyre u shkatërrua, me trupa që u zunë nën rrënoja të çimentos. NATO-ja kishte bombarduar gabimisht shtëpinë e Berishëve dhe rrethinën, duke vrarë shtatë njerëz, përfshirë birin 11 vjeçar të Nehatit.
“Askush nuk na vizitoi. Partitë politike kurrë nuk u ndalën këtu. Por të vdekurit i përmendën vetëm para zgjedhjeve”, thotë Kujtimi. “Nuk mund të dalim ta fajësojmë NATO-n. Edhe ne e donim ndihmën e tyre që të çliroheshim, sikur shqiptarët”.
“Ne jemi sikur jetimë,” shton Nehati. “Pa prindër, të harruar dhe të lënë në mjerim”.
Biri 11 vjeç i Nehatit është vrarë në maj të vitit 1999 gjatë një sulmi ajror të NATO-s që ua mori jetën shtatë civilëve. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, 10,093 civilë kanë vdekur ose janë zhdukur gjatë luftës, përfshirë 8,645 shqiptarë, 1,013 serbë, 262 romë, ashkalinj dhe egjiptianë si dhe 84 boshnjakë.
Por rrëfimet dhe përvojat e viktimave joshqiptare, sidomos të romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve, rrallëherë gjenden në diskutimin publik.
Agimi*, aktivist për të drejtat e njeriut, thotë se ngërthimi i njerëzve joshqiptarë dhe joserbë në narrativën e luftës është thuajse joekzistent në Kosovën e sotme.
“Për shembull, shumica e gjërave që do t’i lexoni dhe do t’i dëgjoni nga lufta është ‘kaq shqiptarë’, ‘kaq serbë’ dhe pastaj ‘të tjerët’”, thotë ai. “Dhe do të duhet kohë e gjatë që të nisë një diskutim i njëmendtë për atë që kanë përjetuar romët, sidomos për rrëfimin e historive të tyre”.
Sivjet pati reagime të ashpra lidhur me një memorial në Mitrovicë, pasi u theksua se viktimat e luftës nga komunitetet rome, ashkalie dhe egjiptiane shpeshherë mungojnë në përkujtimet e njerëzve që kanë humbur jetën.
Emri i 5 vjeçes Elizabeta Hasani është shtuar në memorialin e viktimave të masakrës ku është vrarë vetëm pas reagimeve të ashpra publike. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Historiani dhe publicisti Shkëlzen Gashi po punonte në një projekt në kuadër të organizatës së tij ADMOVERE për dokumentimin objektiv të masakrave që janë kryer në Kosovë mes viteve 1998 dhe 2000, kur zbuloi mospërfshirjen e emrit të një vajze rome në një pllakë përkujtimore të viktimave të luftës. Duke hulumtuar për Masakrën e Tregut të Gjelbër në Mitrovicë, ai ndeshi disa mospërputhje të të dhënave dhe gjeti që pllaka përkujtimore në qendër të qytetit, e ngritur nga Komuna e Mitrovicës, përmbante vetëm emrat e gjashtë shqiptarëve të vrarë dhe nuk përmendte 5 vjeçen Elizabeta Hasani.
Kur Gashi dënoi publikisht Komunën e Mitrovicës në gusht, pasoi një rrymë mbështetjeje për kritikën e tij nga gazetarë, publicistë, aktivistë dhe shumë qytetarë të tjerë. Disa ditë më vonë, Komuna e Mitrovicës shtoi emrin e Elizabeta Hasanit në memorial.
“Deri më tani, unë di për tri masakra të kryera nga forcat policore e ushtarake sërbe e jugosllave në të cilat në mesin e të masakruarve ka pasur edhe pjesëtarë të minoriteteve etnike, konkretisht romë, dhe asnjëri prej tyre nuk përmendet në memorialet për këto masakra”, thotë Gashi. “Kuptohet, duke e përjashtuar Elizabeta Hasanin, emri i të cilës u përfshi tek tani pas 20 vitesh”.
Në mungesë të zërit
Përkujtimi nuk është sfera e vetme ku romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët mungojnë nga proceset zyrtare lidhur me luftën, pavarësisht nga fakti që në letër kanë të drejtat e njëjta sikur qytetarët e tjerë.
Në dhjetor të vitit 2011, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës, Viktimave Civile dhe Familjet e Tyre. Me këtë ligj, familjarëve të të zhdukurve — të cilët përkufizohen si individë që janë zhdukur në periudhën mes 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 — u takojnë të drejta dhe përfitime të caktuara, përfshirë asistencën sociale dhe kujdesin shëndetësor falas. Nëse familjet kanë vështirësi ekonomike, atyre u takon e drejta për përfitime të tjera me këtë ligj.
Jones shpjegon se në rastet ku mbetjet mortore gjenden dhe identifikohen, familjet fitojnë të drejtën për të marrë asistencë sociale për viktimat civile të luftës. Një kompensim i tillë jo vetëm që do të sillte sadopak dinjitet dhe do t’ua kthente disa të drejta si familjarë të të vrarëve ose të të zhdukurve, por edhe do t’i ndihmonte familjarët që detyrohen të jetojnë në kushte të dëshpëruara të jetesës.
“Serbët e fshatit më ngacmojnë duke më thënë, ‘Si mund të punosh për një shqiptar kur ata ta kanë rrëmbyer birin.’”
Babai i një viktime civile të luftës
Sidoqoftë, pas bisedave me shumë familje rome dhe organizata për të drejtat e tyre, K2.0 ka gjetur se familjet rome nuk kanë pasur qasje në kompensimin që u takon nga shteti si familjarë të të zhdukurve ose të viktimave civile.
Senadi dhe i ati thonë se asnjë familjar i tyre nuk merr kompensim për të afërmit e rrëmbyer dhe të vrarë. Ata shpjegojnë se kanë provuar të trokasin në dyert e zyrave lokale të Ministrisë së Punës shumë herë për të aplikuar, porse në çdo rast janë shpërfillur. Sipas aktivistëve të të drejtave të romëve, një arsye për këtë është racizmi sistematik të cilit i nënshtrohen romët dita-ditës kur kanë punë me institucionet.
“Serbët e fshatit më ngacmojnë duke më thënë, ‘Si mund të punosh për një shqiptar kur ata ta kanë rrëmbyer birin’”, thotë i ati i Senadit. “Por ne nuk marrim asistencë dhe unë si plak bëj punë fizike sepse më duhet t’i mbaj fëmijët e birit të vdekur që janë rritur por nuk gjejnë punë. E di se të tjerët marrin para për familjarët e vrarë. Të gjithë serbët që i njoh marrin para”.
Në Prizren, familja Berisha thotë se kanë mësuar për skemën e asistencës sociale rastësisht para disa viteve dhe deri atëherë nuk kanë pasur informata për të drejtat që u takojnë familjarëve të viktimave civile. Pas zbulimit të skemës dhe aplikimit, Nehati, si baba i viktimës, merr një ndihmë mujore prej 170 eurosh.
Njëra anë e problemit është se ka shoqata të forta që përfaqësojnë civilët e zhdukur shqiptarë gjatë luftës dhe shoqata të tjera që përfaqësojnë serbët, por nuk ka ndonjë organizatë që përfaqëson romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët. Pjesa më e madhe e informatave që marrin familjarët e të zhdukurve vjen përmes shoqatave që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me aktorët kyçë që punojnë me çështjen e të zhdukurve, sikur Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Komisioni ka thënë për K2.0 se nuk janë pyetur kurrë nga ndonjë organizatë ose individ për romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët që janë zhdukur gjatë luftës.
Jones thotë se në dy dekadat pas përfundimit të luftës ka ekzistuar edhe një mungesë e përpjekjes institucionale për të komunikuar me romët ose për t’i njohur nevojat e tyre.
“Ekziston një frikë e tillë, se diçka mund të të ndodhë nëse çohesh dhe flet për këto çështje”.
Agimi, aktivist për të drejtat e njeriut
Ajo kujton intervistimin e romëve të dëbuar në kampin e Konikut në Mal të Zi në qershor të vitit 2002. “Askush nuk kishte kontaktuar autoritetet dhe atëkohë nuk donin të ktheheshin në Kosovë për të bërë këtë”, thotë ajo. “Rreth 1,000 prej tyre ende janë në Konik”.
Kur vjen puna te mungesa e përpjekeve nga familjarët e romëve të zhdukur që ta ngrenë zërin për të dashurit e tyre, edhe Jones, edhe Agimi cekin fjalën e njëjtë: frikën.
“Disa prej tyre ende jetojnë me frikë. Me frikë nënkuptoj frikën psikologjike që, në rregull, kemi familjarë që janë zhdukur në Kosovë dhe kthimi këtu u jep kërcënim për jetën e tyre,” thotë Agimi. “Ekziston një frikë e tillë, se diçka mund të të ndodhë nëse çohesh dhe flet për këto çështje”.
Ai shpjegon që edhe ai vetë, duke parë vetveten si aktivist për të drejtat e njeriut e jo vetëm për ato të romëve, ishte i gatshëm të flasë vetëm anonimisht me K2.0 sepse njësoj si të tjerët është i frikësuar se do të sulmohet dhe stigmatizohet nga njerëzit rreth tij për faktin se ngre zërin.
“Kështu është jeta”, thotë ai. “Kështu është të jesh rom në Kosovë”.
Ai thotë se vetëm me brezat e rinj do të ketë mundësi për të diskutuar hapur se çfarë ka ndodhur me romët gjatë luftës.
“Ndoshta në të ardhmen”, thotë ai. “Kur them e ardhmja, mendoj për të ardhmen e largët”.K
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
*Disa emra të individëve janë ndryshuar me kërkesën e tyre për t’ua mbrojtur identitetin.
Kthehu prapa tek Monografia