Me shekuj të tërë, muret e qyteteve janë përdorur për të përçuar mesazhe të ndryshme. Një prej shembujve të parë të këti fenomeni daton që nga koha e grekëve antikë, në qytetin modern turk, Efes. Qyteti romak Pompei është i mbuluar me mbishkrime dhe gdhendje që duken sikur i ka bërë dikush në nxitim. Ka gjithçka, prej fyerjeve të vrazhda e deri te thëniet për dashuri dhe kritikat politike.
Këtë kategorinë e fundit, atë të deklaratave politike, e gjejmë kryesisht në Prishtinë. Mesazhet ngjyrosen zakonisht me ngjyrë të zezë: thirrje kundër padrejtësisë, akuza për korrupsion dhe shprehje të frikës për të ardhmen – “Unë votoj, ti voton, ai/ajo voton. Ne votojmë, ju votoni, ata përfitojnë”, “A ofendohesh ti nga papunësia?”, një shenjë e radioaktivitetit, e shoqëruar me fjalët “Zonë Radioaktive”.
Së fundmi është paraqitur silueta e Astrit Deharit nëpër qytetet e Kosovës, duke bërë kështu thirrje për drejtësi për aktivistin i cili vdiq në rrethana misterioze në një burg në Prizren. Pastaj kemi figurën e Ukshin Hotit, i cili u zhduk gjatë luftës në Kosovë, si grafiti i cili kërkon informata për vendndodhjen e tij.
Këto mesazhe shpeshherë i referohen botës së kulturës. Politikanët kosovarë paraqiten si figura të filmave të Hollywood-it: Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, si Tony Montana nga filmi Scarface, ose Veseli me Presidentin Hashim Thaçi dhe ish-Kryeministrin Isa Mustafa si “Inglourious Basterds”. Referencat tjera kulturore janë më ekzistenciale, siç është citati nga filmi “Leon”, i cili është shkruar me llak në një mur në Prishtinë: “A është jeta gjithmonë kaq e vështirë, apo vetëm kur je fëmijë?”
Mesazhet politike janë paraqitur në muret e Prishtinës prej viteve të ‘90-a, kur “Kosova Republikë!” ose “Liri, Pavarësi, Demokraci” shkruheshin rëndom. Këto grafiti janë zhdukur moti prej mureve e qosheve të errëta, por ende ekzistojnë në sirtarin e një burri i cili pa dijeninë e pothuajse askujt, i përkushtuar dhe në heshtje, e përcjelli artin “për të cilin nuk ia ndin askujt, e të cilit askush nuk i jep rëndësi”.
Emrin e ka Skender Boshnjaku. Ka 40 vjet përvojë në një profesion i cili me gjasë ka filluar të ketë ndikim në të: neuropsikiatri. Filloi të joshet nga grafiti kur i pa për herë të parë disa vepra në Paris, në muret rreth lumit Seine. Qysh atëherë, ai ka mbledhur një koleksion të veprave grafiti prej të gjitha vendeve të cilat i ka vizituar, por pjesa më e madhe e 3,000 fotografive të tij janë nga Prishtina.
Përgjatë viteve, Boshnjaku thotë se ka ndryshuar mënyra se si krijohen grafitit, si dhe kanë ndryshuar vendet që zgjedhen për t’i bërë ato, e edhe mesazhet që përçohen. “Në vitet e ‘90-a ishin më të shpejta, më të sikletshme dhe gjendeshin në vende të fshehura, ku mbretëronte errësira”, thotë Boshnjaku për K2.0. “Ishin si vizatime të fëmijëve – spontane, të shpejta, por prapëseprapë arrinin të përçonin një mesazh në kohë shumë të shkurtër”.
Kishte arsye të fortë për këtë nxitim gjatë viteve të ‘90-a. Policia serbe nuk qëndronte fare indiferente ndaj akteve të tilla. Metoda e tyre e vlerësimit ishte zakonisht duke i shpërblyer artistët me shkelma, rrahje dhe arrestime. Boshnjaku i respekton shumë këta piktorë të guximshëm të viteve të ‘90-a. “Kanë lënë një shenjë të pashlyeshme. Secila është histori në vete, e përjetësuar nga fotografia”, thotë Boshnjaku.
Boshnjaku i ka mbledhur të gjitha, prej deklaratave të thjeshta faktike si “S’ka Ujë, S’ka Rrymë, S’ka Problem”, deri te ato që iu kushtuan NATO-s. Madje e ka fotografuar edhe një vepër te vendi ku dikur gjendej shkolla e mesme Xhevdet Doda, një mesazh i shkruar me të kaltërt “F**k off”. Ai e quan këtë thirrje të mllefit dhe zemërimit të akumuluar.
Por nuk ka vetëm deklarata politike në koleksionin e Boshnjakut. Në të përfshihen edhe ‘etiketat’. Etiketimi u zhvillua në Nju Jork në fund të viteve të ‘60-a dhe në fillim të viteve të ‘70-a, kur artistët grafitit nisën të lënë shenja, shpeshherë vetëm nga një fjalë, e ndonjëherë edhe emrat e tyre.
Shpërtheu konkurrenca ndërmjet artistëve, dhe etiketat u bënë me më shumë ngjyra e hollësi. Kur nisii kultura Hip-Hop në po këtë qytet në fund të viteve të ‘70-a dhe në fillim të viteve të ‘80-a, grafiti u etiketua si një prej katër elementeve kyçe, përkrah repit, miksimit të këngëve (DJ-ing) dhe vallëzimit breakdance. Së shpejti u mbush krejt qyteti me etiketa.
Kultura e etiketimit u përhap shpejt, madje edhe në Prishtinë. Taulant Qerkezi, i njohur me nofkën Taki, nisi etiketimin e qytetit në vitin 2001, fillimisht vet, e më vonë si pjesë e Urban Gorillaz, ekip i të rinjve që janë “betuar t’i dekorojnë muret e Prishtinës me krijimet e tyre”. Taki e përshkruan skenën në atë kohë si të vogël, por me pjesëtarë të përkushtuar ndaj artit të tyre.
Pasi e kreu fakultetin në degën e dizajnit grafik, që inkorporon elemente të tipografisë dhe kaligrafisë, puna e Takit u zhvillua në grafiti dhe murale më komplekse. Një prej veprave më të pëlqyera të tij është një mural në pjesën e jashtme të Galerisë Kombëtare të Arteve, të cilin e pikturoi gjatë këtij viti.
“Në atë mural punuam tre persona, një artist prej grupit London Police, Zeds, një artist i grafitit i cili është një prej pionierëve të botës së grafitit në Holandë, dhe unë mora pjesë me shkrimin sipër”, thotë ai.
Një tjetër vepër favorite e krijoi te fusha e basketbollit në Gërmi. Nëpërmjet saj, Taki e eksploroi konceptin deja vu, meqë kishte ndikuar shumë te ai. “E punova me shumë kënaqësi, dhe më mori mjaft shumë kohë”, shpjegon ai. “Për një kohë shumë të gjatë nuk e preki askush, thjesht e lanë, por me kohë filluan të zbeheshin ngjyrat”. Në fillim të vitit 2017 e lyen edhe atë pjesë.
Evoluimi i Takit si artist e pasqyron edhe rritjen e kulturës së grafitit. Shumëkush i jep meritë artistit të Mbretërisë së Bashkuar, Banksy, për transformimin e grafitit nga një nënkulturë në një formë më të njohur të artit. Punimet e Banksy-t janë të përhapura në gjithë botën dhe shpeshherë ekspozohen në galeri, ndërsa veprat e tij në mure të qytetit janë mbrojtur me xham të papërshkueshëm nga plumbat.
Ndonëse pjesa më e madhe e shteteve ende kanë ligje në fuqi të cilat nuk lejojnë grafiti dhe imponojnë gjoba të rënda, shumë qytete tani e kanë pranuar këtë nënkulturë, duke lejuar që disa pjesë të qytetit të dekorohen me “art të rrugës”. Ky pranim i kulturës grafiti nga rryma qendrore është kritikuar nga disa artistë të grafitit të cilët thonë se kjo kulturë po i ofrohet audiencës së klasës së mesme vetëm për t’u dukur underground e cool.
Takit i pëlqen fakti që punimet i ka të përkohshme dhe nuk është i mbrojtur nga ligji. Ai e pranon që vandalizimi apo zhdukja e punimeve të tij nëpërmjet lyerjes është pjesë e procesit.
“Ruajtja e punimeve nuk është e rëndësishme”, shpjegon ai. “E rëndësishme është ajo adrenalinë, ai moment kur je duke e krijuar, kur je në një gjendje shpirtërore krejt tjetër. Si kur merresh me sporte ekstreme dhe ekziston rreziku për t’u rrëzuar e për t’u lënduar shumë keq, por prapëseprapë të pëlqen”.
Pjesët tjera të shoqërisë kosovare e kanë pranuar formën e re të kulturës grafiti. Një organizatë jofitimprurëse, Qart Art Development Center, e formuar në 2014, e ka marrë përsipër adresimin e këtij ‘problemi’ në hapësira publike. Kjo organizaatë i ka krijuar dy festivale të artit të rrugës, Guerilla Art Festival dhe Meeting of Styles. Nëpërmjet këtij të fundit janë transformuar muret anësore të Rrugës B në Prishtinë.
Meeting of Styles është rrjet ndërkombëtar i artistëve të grafitit që shtrihet në 16 shtete, përfshirë këtu edhe Kosovën. Takimet e tyre shpeshherë mbahen në kundërshtim me autoritetet, por në Prishtinë ata u pranuan nga Komuna. Edhe Shpend Ahmeti madje e përdori një sprej me ngjyrë.
Qart synon t’i bëjë të gjitha punimet e tyre në bashkëpunim me autoritetet, me shpresë që ta dekorojnë Prishtinën, qytetin ei hirtë plot beton. Drejtori i Qartit, Agon Xhelili, ka deklaruar se kjo organizatë synon “të përmirësojë jetën socioekonomike të qytetarëve nëpërmjet ndërhyrjeve në hapësira publike”, me fokus kryesor mbi artin e rrugës.
Është mjaft vështirë të marrësh leje për të krijuar grafiti në mënyrë të ligjshme në Prishtinë. Nëse ke dëshirë të pikturosh në ndonjë ndërtesë që i përket ndonjërës prej ministrive, duhet të kërkosh leje prej tyre; nëse dëshiron ta dekorosh një ndërtesë të banimit, duhet t’i mbledhësh nënshkrimet e shumicës së banorëve; për mure dhe rrugë të komunës duhet të kërkosh leje nga Komuna e Prishtinës, e kështu me radhë. Pavarësisht këtyre vështirësive burokratike, Xhelili nuk do të ndalet, meqë ai beson se arti paraqet një përmirësim për të gjithë qytetarët.
Gjatë festivalit Guerilla Art më 2016, Qart arriti të sillte në Prishtinë disa artistë shumë të mirënjohur, përfshirë këtu artistin Matthew May, i cili aktualisht mban rekordin botëror për punimin më të gjatë 3D, dhe artistin italian, Manuel Di Rita, i njohur si Peeta, i cili e krijoi muralin e vendosur në ndërtesën e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
Ndonëse arti i rrugës mund të duket si fenomen modern, në një qytet tjetër të Kosovës nuk pajtohen me këtë ide. Ferizaji së fundmi e ka shpallur veten “Qyteti i Muraleve”. Punimi i parë i artit rrugor në këtë qytet, “Kamarieri”, u krijua në vitin 1967.
Në 2014, një banore e Ferizajit, piktorja Lebibe Topalli, u frymëzua nga ky mural për të vazhduar me dekorimin e qytetit, dhe me pesë artistë tjerë nisën punën për ta krijuar një mural tjetër gjigant. Meqë u mbeti një sasi tepricë e ngjyrave pas përfundimit të muralit në fjalë, e nisën një punim tjetër artistik. Ngadalë u zhvillua ideja për një “festival të muraleve”.
Dy edicione janë mbajtur deri më tani. I pari kishte për temë lirinë e lëvizjes dhe përfshiu rreth 40 artistë, të cilët u mblodhën për të bërë tri murale. I dyti kishte për temë ambientin. “Kamarieri”-t iu bashkua “Balerina që vallëzon në hapësirë”. Murale tjera të cilat e paraqesin një botë si akullore që shkrihet e nën të e ka një qytet i bën muret e Ferizajit të duken të mahnitshëm.
Dalëngadalë, duke krijuar 4-5 murale në vit, Topalli beson se qyteti do ta përvetësojë emrin ‘Qyteti i Muraleve’. Ajo thotë se përveç promovimit të qytetit, festivali e mëson publikun për këtë formë të shprehjes artistike.
Me gjithnjë e më shumë festivale të cilat u kushtohen elementeve të ndryshme të kulturës së grafitit në Kosovë, përfshirë këtu festivalin Guerilla Art që po mbahet aktualisht në Prishtinë, kurrë nuk ka pasur kaq shumë mundësi për t’i përdorur muret si pëlhura. Nëse kurrgjë tjetër, ato i shtohen koleksionit të Skender Boshnjakut, i cili pas shumë vitesh duke dokumentuar veprat grafiti ka ardhur në këtë përfundim: “vetëm të rinjtë janë të vendosur për liri, për t’i thyer kufijtë, dhe vetëm të rinjtë duan ta ndryshojnë botën”.
Foto kryesore: Skender Boshnjaku