Qëndresa Krelani, gazetare sportive me karrierë dy-dekadëshe, u gjend në qendër të një debati të madh publik në vitin 2021.
Krelani kishte qenë në emisionin sportiv të KTV, të quajtur “Sporti Total”, në një panel që përbëhej edhe nga trajneri i Klubit Futbollistik “Llapi”, Tahir Batatinën, ish-trajneri i Drenicës Bekim Shotani dhe analisti Erdin Hashani. Emisioni kishte të bënte me disa duele sportive dhe Ligën e Parë. Aty ajo kishte kritikuar Batatinën, duke thënë se përkrahësit e kishin humbur besimin në të si trajner. Ky i fundit i iu kishte kundërpërgjigjur, duke i thënë “99% unë me konë menaxher i yti veç gazeta të kisha lonë me palu se për futboll s’je’”; dhe shtoi “niveli yt nuk është i një gazetareje, duke fillu nga pamja jote”.
Gjuha seksiste e Batatinës nxiti reagime të shumta e të ndryshme. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagoi duke kërkuar nga Federata e Futbollit e Kosovës që të marrë masa ndaj Batatinës për gjuhën e përdorur, e cila u dënua edhe nga Shoqata e Gazetarëve Sportivë. Po ashtu Komiteti Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës hapi procedurë disiplinore ndaj trajnerit.
Por në rrjete sociale, komente të ngjashme si të Batatinës u shumëfishuan. Qasja e Batatinës dhe komentet pasuese shpërfaqën paragjykimet që ekzistojnë në shoqëri për gra që merren me fushat që tradicionalisht dominohen nga burrat.
Megjithatë, ky dominim po sfidohet nga gratë. Pos Krelanit, një shembull është edhe Elvira Dushku, ish-basketbolliste, gazetare e sportit e tash Sekretare e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit në Kosovë. Po ashtu, lënda “Gazetari Sportive’” në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës është duke tërhequr shumë më shumë studente gra se sa burra.
Por përtej përparimeve të tilla, paragjykimet dhe sfidat për këto gra mbesin të shumta dhe të dukshme.
Jo veç profesion
Krelani, e njohur si Qeqa, është ndër gazetaret e para të sportit në Kosovë. Ajo e dinte që gazetaria sportive do të ishte profesioni i saj qysh në fëmijëri, teksa profesionin e filloi që kur ishte 16 vjeç. Të qenit e bija e ish-futbollistit të njohur në kohën e ish-Jugosllavisë, Fatlik Krelani, i cili luajti për ekipet e “Vëllaznimit” e “Flamurtarit”, bëri që Qeqa të rritet duke luajtur me pajisje të futbollit dhe pjesën më të madhe të jetës ta kalojë në stadiume.
Vetë babai i saj e kishte shtyrë në këtë profesion.
”Babi e ka pa atë karakterin tem luftarak, se prindi të njeh më shumë se krejt, edhe e ka pa guximin tem”, thotë Krelani. “Unë fëmijë kam qenë kur më thoshte ‘ti duhesh me u bo gazetare e futbollit’”.
Qëndresa Krelani, e njohur si Qeqa, është ndër gazetaret e para të sportit në Kosovë. Fotografia: Majlinda Hoxha/K2.0
Punën si gazetare në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) e filloi menjëherë pas luftës, si 16-vjeçare, në vitin 2000, kohë kjo kur, si pasojë e dëmeve të luftës, gazetarëve nuk u mundësohej të profesionalizoheshin, të paguheshin, të kishin kontrata apo mbrojtje ligjore.
Këtë kohë Krelani e kujton si ndër më sfidueset të jetës së saj. Për të, ishte e vështirë ta mbulonte shumën e transportit në atë kohë, nga Gjakova në Prishtinë, andaj shumë herë detyrohej të flinte në zyrat e redaksisë. Ajo kujton se asokohe, kolegët dhe udhëheqësit e institucioneve shpesh e shpërfillnin, gjë që sipas saj ka ndodhur edhe për shkak që ajo ishte ndër gratë e vetme në rreth profesional të dominuar nga burrat.
”Unë thom qetash në këtë moshë, me qeto mend nuk e di a kisha vazhdu”, thotë Krelani. “Kur i mendoj shumë sakrifica them ‘Cili ka qenë motivi që unë me vazhdu për mos me u dorëzu asnjëherë?’ Me m’pyet tash nuk e di”.
Fajin për mungesën e dukshmërisë së grave në industrinë e gazetarisë sportive ajo ua hedh redaksive të sportit që udhëheqen nga burrat dhe, sipas saj, faktit që në të shumtën e rasteve gruaja përdoret vetëm si estetikë apo ekzistencë për fitimin e ndonjë projekti: ”Po e kemi një grua sa për sy e faqe”, thotë Krelani. Kur ajo është munduar ta luftojë diskriminimin që i bëhet në profesion të saj veç pse është grua, duke e ngritur zërin publikisht për fyerjet dhe gjuhën e urrejtjes që e pranon dhe duke u siguruar që këto çështje të fliten dhe trajtohen, është quajtur me emra të ndryshëm si ”konfliktuoze” e ”problematike”.
Mungesën e grave në gazetarinë e sportit e dëshmon edhe Elvira Dushku, një tjetër ndër të parat gazetare sportive në Kosovë.
Ish-basketbollistja Dushku e filloi punën si gazetare sportive në vitin 2004 në gazetën e atëhershme “Bota Sot”. Ndonëse aty qëndroi vetëm disa muaj, kujton se periudha e kalimit prej profesionit të basketbollistes në gazetare sportive ishte e rëndë. Dushku filloi të luante për Klubin e Basketbollit “Prishtina” në mes të viteve të 90-ta ku qëndroi deri në vitin 2007. Si njëra nga basketbollistet më të njohura në Kosovë, ajo la pas basketbollin aktiv dhe filloi të punonte në një zyre me pesë burra.
Pasiviteti fizik në krahasim me basketbollin ishte ai që e bënte Dushkun të përjetojë më keq këtë transformim dhe të jetë në hamendje nëse do të vazhdojë të jetë gazetare apo të bëhet trajnere. Por, në atë kohë, kushtet nuk ishin qenë aq të favorshme siç janë sot — nuk kishte pagesa për trajnere dhe mundësi edukimi në Kosovë e jashtë saj. Kështu, në vitin 2007, Dushku hoqi dorë nga dyshimet dhe ndërtoi karrierën e saj si gazetare sportive për 10 vjet të tjera.
Po atë vit, përderisa Dushku po studionte për Komunikim Masiv në Kolegjin “AAB”, gazeta ”Kosova Sot” hapi një konkurs për gazetar në rubrikën e sportit. Dushku vendosi të aplikojë pasi për të ishte një mundësi e mirë që të kyçej sërish në gazetari.
Në konkurs, Dushku u përball me afër 13 konkurrentë burra. Pas intervistimit, ajo u pranua në punë dhe mbuloi basketbollin e grave.
Në atë kohë, Dushku ishte e vetmja grua që punonte në atë zyrë. Kur luheshin ndeshjet e Ligës së Kampionëve në mbrëmje, fillonte kujdestaria e gazetarëve. Nëse ndeshja fillonte në orën 21.00, gazetarët sportivë rrinin deri në orën 23.00 për ta përcjellë ndeshjen e më pas për ta shkruar lajmin për gazetën që do të dilte në shitje të nesërmen në mëngjes.
Dushku kërkoi nga kolegët e saj që të trajtohej barabartë dhe që edhe asaj t’i ndaheshin ditët e kujdestarisë. Ajo tregon se u kishte thënë se donte të trajtohej në mënyrë të njëjtë si ta dhe jo t’i thonin se meqë ishte grua nuk duhej t’i përcillte ndeshjet mbrëmjeve e të qëndronte në zyrë deri pas mesnates.
Kundër rrymës patriarkale në sport
Gjatë viteve sa punoi në “Kosova Sot”, prej 2007 deri në 2017, Dushku thotë se gjuha seksiste ndaj gazetareve sportive nuk ka qenë e përhapur në nivelin që është sot, megjithëse paragjykimet kanë qenë të pranishme. Si Sekretare e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit në Kosovë, që ka nën përgjegjësi menaxhimin e federatës dhe mbarëvajtjen e sportit në baza ditore, Dushku tregon se sot përballet me komente fyese të tipit ”Kjo nuk e zhvillon basketbollin, por e ka shkatërru basketbollin, jo veç të grave, por edhe të burrave” dhe komente të tjera përçmuese që vijnë edhe nga zyrtarë të federatave të ndryshme.
Elvira Dushku, gazetare e sportit për 10 vjet, sot është Sekretare e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit në Kosovë. Fotografia: Federata e Basketbollit në Kosovë.
Ajo thotë që komentet negative vijnë më së shumti dhe më së shpeshti nga burrat, të cilët nuk mund të shohin gra në pozita udhëheqëse pasi, sipas saj, jetojmë në një vend patriarkal ku konsiderohet se çdo herë burri ka të drejtë.
Ndërkohë Bardh Rugovën, ligjërues i lëndës “Gazetaria Sportive” në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, e gëzon fakti që ka gazetare sportive sepse, sipas tij, ajo që është nisur para më shumë se 20 viteve nuk po shkon dëm edhe pse me hapa të ngadalshëm në krahasim me fushat e tjera.
Përmes lëndës zgjedhore “Gazetari Sportive”, Rugova synon t’u ofrojë studentëve/eve njohuri themelore për nocionet e kësaj fushe të gazetarisë, t’i aftësojë për mbledhjen e informacioneve sportive dhe për shkrimin e lajmeve që kanë të bëjnë me sportin.
Duke konsideruar se gazetaria sportive përçmohet, ai përpiqet ta përçojë te studentët/et mesazhin se gazetaria sportive, së pari është gazetari, prandaj vetëm pse është argëtuese, nuk do të thotë se nuk duhet të jetë objektive dhe profesionale. Ai problematizon faktin se, në Kosovë, shumica e gazetarëve që raportojnë rreth sportit janë më shumë adhurues dhe komentues, sesa gazetarë.
Kur bëhet fjalë për gazetaret sportive, sipas Rugovës, prania e gjuhës seksiste drejtuar atyre mbetet shqetësuese. Ai thotë që për një kohë të gjatë ka ekzistuar një mendësi sipas të cilës “Meqenëse audienca [e sportit] dominohet nga burrat, le të flasin në gjuhën dominuese burrërore” ose ”Shiko, ajo është në televizion dhe unë kam të drejtë t’i them çkadoqoftë”, thotë Rugova. Ai shton se në këtë fushë, burrat veprojnë si të ishte pronë e tyre dhe, në njëfarë forme, u thonë grave që tentojnë të inkuadrohen “Qe ju luni me kuklla, qe ju kqyrne serialin latino-amerikan, na e kemi sportin”.
Sipas tij, një pjesë e madhe e gjuhës së urrejtjes vjen për faktin që është grua, kurse pjesa tjetër, si rezultat i objektivizimit të gazetareve sportive. Edhe Dushku thekson objektivizimin e gazetareve sportive si problem të vazhdueshëm.
“Unë e vlerësoj moderatoren për pyetjen”, thotë Dushku. “Në Kosovë ende është futbolli veç për meshkuj, e për këtë arsye dominon kjo mendësia që nuk ka çka me komentu Qëndresa për futboll, nuk ka çka me komentu Arba ose ajo tjetra”.
E këto paragjykime për gazetaret sportive, të cilat kanë qenë edhe më të rënda në kohën e Dushkut, ajo beson se me angazhimin e saj i ka thyer dhe u ka hapur rrugë vajzave tjera.
“Në atë kohë kanë mendu që veç burrat duhet me përcjellë ngjarje sportive, duhet me dalë në terren, duhet me përcjellë Champions League, duhet me nejtë deri në 12 të natës”, thotë Dushku. “I kam thy paragjykimet dhe besoj që pastaj kanë ardhë vajza tjera që nuk e kanë pa të pamundur të merren me gazetari sportive”.
Sipas saj, rolin kryesor në përmirësimin e gjendjes, kur është fjala për mungesën e gazetareve sportive, e luajnë redaksitë dhe zyrtarët e federatave, të cilët, siç thotë ajo, nuk i ftojnë gratë gazetare në tryezat sportive që organizohen.
Dushku thotë se institucionet dhe organizatat sportive mund të kontribuojnë në përmirësimin e kësaj situate duke vendosur vajza e gra në pozita udhëheqëse, siç është vetë ajo.
Feature image: Majlinda Hoxha / K2.0.