Qeveria Kurti po hyn në vitin e katërt dhe të fundit të këtij mandati. Me një fitore prej 50.28% në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit 2021, qeveria, e udhëhequr nga Albin Kurti, premtoi reforma rrënjësore dhe krijoi pritshmëri të larta.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ideologjikisht e majtë, në programin qeverisës prioritizonte mirëqenien sociale përmes uljes së varfërisë dhe rritjes së mbrojtjes sociale të qytetarëve të Kosovës. Reforma u premtuan në sektoret e shëndetësisë, arsimit dhe drejtësisë. “Një shtet i drejtë dhe i barabartë për të gjithë”, thoshte tog-fjalëshi fitues i LVV. Duke lënë dialogun me Serbinë jashtë prioriteteve, programi qeverisës parashihte së pari forcimin e shtetit së brendshmi.
Tani, 1,096 ditë më pas, rezultatet e punës së qeverisë Kurti duket se nuk përputhen mjaftueshëm me programin qeverisës në letër. Përkundër zotimeve e aspiratave për adresim të problemeve të brendshme, ato u lanë në hije kryesisht nga ngjarjet e ndërlidhura me marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe dialogun.
Me zgjedhjet e reja të përgjithshme që pritet të ndodhin në muajt e parë të vitit 2025, K2.0, si në dy vitet paraprake, analizon nivelin e arritshmërisë së programit qeverisës dhe zhvillimet, me vëmendje te dialogu, ekonomia, gjyqësori dhe të drejtat e njeriut.
K2.0 shqyrton: çka nuk shkoi mirë në periudhën mars 2023–mars 2024.
Viti i tretë i qeverisë Kurti nisi me bujën që shkaktoi Plani Evropian (Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë) dhe Plani për Zbatim, njohur shpesh si Marrëveshja e Ohrit e marsit 2023. Këtë marrëveshje, ndërmjetësuesi Bashkimi Evropian (BE), me përkrahje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), e panë si hap të rëndësishëm për përparim në dialog.
Neni 7 i Marrëveshjes u bë më i diskutuari. Ai parasheh krijimin e kushteve [në plan: arrangements] dhe garancive për të siguruar një nivel të përshtatshëm [në plan: appropriate level] të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.
Pas Ohrit, sfida kryesore e qeverisë Kurti ishte t’i bindtte qytetarët e Kosovës se vetëmenaxhimi i komunave me shumicë serbe sipas Planit Evropian nuk ishte i njëjtë me “Zajednicën”, fjalë në serbisht për “bashkësi, asociacion” dhe emri që LVV e përdori për ta përshkruar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, që parashihte formimin e tij. Kundërshtia ndaj Asociacionit ose “Zajednicës” siç e quante LVV, ishte prej çështjeve që formësoi me të madhe kritikën e LVV ndaj politikëbërjes së asaj kohe në Kosovë. Ata e konsideronin marrëveshjen për Asociacionin si një që do të ndante Kosovën a do ta “bosnjëzonte” atë.
Megjithkëtë, Plani për Zbatim e bën të qartë se ky nivel vetëmenaxhimi duhet të jetë në përputhje me marrëveshjet e mëparshme, pra të zbatohet edhe sipas marrëveshjes së Brukselit.
Përkundër hovit që Ohri mori në diskutim publik, zhvillimet në komunat me shumicë serbe përgjatë tërë vitit 2023 dhe fillimit të këtij viti e ndërruan temën. Kështu, prej thirrjeve për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, BE kaloi në thirrje për deeskalim.
Zgjedhjet në komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposavić dhe Zvečan, më 23 prill 2023 ishin një prej këtyre zhvillimeve. Këto zgjedhje u organizuan pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm në nëntor të vitit 2022, të cilët iu bashkuan nismës së partisë së tyre, Listës Serbe për largim të përgjithshëm të serbëve nga institucionet e Kosovës.
Mospjesëmarrja në zgjedhje e partisë më të madhe serbe Lista Serbe dhe bojkotimi i zgjedhjeve nga shumica e votuesve serbë rezultuan në fitore të kandidatëve nga partitë shqiptare, gjë që, bashkë me pjesëmarrjen e ulët në votim (pak mbi 3% e votuesve të regjistruar), vuri në pikëpyetje legjitimitetin e vetë zgjedhjeve.
Çka u kundërshtua në veçanti ishte nisja e punës së kryetarëve të zgjedhur në objektet zyrtare komunale. Kjo kundërshti u përcoll me protesta nga serbët lokalë, të cilat përshkallëzuan në dhunë. Në situatën e krijuar, përfaqësues të ambasadave e strukturave ndërkombëtare thirrën që kryetarët ta kryenin punën nga vende tjera e jo në objektet e komunave, si dhe që të organizoheshin zgjedhjet e reja.
BE dhe shtetet e QUINT (ShBA, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe) përgjegjësinë për tensionet në veri përgjithësisht ia atribuuan qeverisë së Kosovës. Për herë të parë, BE edhe sanksionoi Kosovën për moskoordinim të vendimeve politike me ta.
Për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, qeveria Kurti njëherë kërkoi dënimin e “bandave në veri” e pastaj heqjen e sanksioneve nga BE, por asnjëra s’ndodhi. Teksa kryetarët vazhduan ta ushtronin detyrën, qeveria nisi përgatitjet për zgjedhjet e reja.
Mundësimi i zgjedhjeve të reja mbeti pezull për shkak të mosgjetjes së një mënyre për largimin e kryetarëve pa i obliguar të japin dorëheqje. Dorëheqja ishte opsion që nuk u pranua nga qeveria e Kosovës, prandaj u vendos të mbahet një peticion fillimisht ku qytetarët serbë do të votojnë pro ose kundër shkarkimit të kryetarëve aktualë. Qytetarët në komunat me shumicë serbe do të votojnë me 21 prill nëse janë pro shkarkimit ose jo të kryetarëve aktualë.
Në shtator 2023 përpjekjet për rikthim në dialogun e ndërmjetësuar nga BE u materializuan me një takim pa rezultat midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić në Bruksel. Por, sulmi në Banjskë, ku një grup i armatosur serb vrau një rreshter të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun, e lidhi edhe më shumë lëmshin e problemeve midis Kosovës dhe Serbisë.
Sulmi në Banjskë u pa si një moment kthese për Kosovën, ku qeveria përfundimisht mund ta shfaqte rolin destruktiv të Serbisë në dialog, sidomos marrë për bazë që sulmi u udhëhoq nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Rajdojčić, që konsiderohet njeri me lidhje të afërta me presidentin serb Vučić. Kryeministri Kurti refuzoi të kthehej në dialog pa u sanksionuar qeveria e Serbisë për rolin në sulmin në Banjskë, për çka bëri thirrje në takime e medie ndërkombëtare. Përkundër kësaj, BE nuk ka ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim.
Megjithatë, Kurti u kthye në kornizat e dialogut pas një muaji, në 21 tetor 2023, kur BE dhe ShBA ia dorëzuan një model për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ndonëse ky draft nuk u bë publik, kryeministri Kurti tha se drafti respektonte Kushtetutën e Kosovës. Disa ditë pasi ky model iu dorëzua të dy qeverive, më 26 tetor, Kurti dhe Vučić patën takime të ndara në Bruksel me krerët e qeverive të Francës, Italisë dhe Gjermanisë, si dhe me përfaqësuesin e lartë të BE, Josep Borell dhe ndërmjetësuesin e BE në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajčák. Takimi nuk solli ndonjë rezultat pasi, sipas BE, asnjëra palë nuk u pajtua me parakushtet e palës tjetër.
Ndonëse kryeministri Kurti në tetor kishte thënë se drafti për Asociacionin ishte në përputhje me Kushtetutën, në një intervistë më 19 mars, tha se kishte vërejtje për draftin, pra nuk e kishte pranuar, por megjithatë ishte i gatshëm ta nënshkruante në takimin e 26 tetorit.
Derisa shumëçka mbeti e pazgjidhur në vitin 2023, edhe viti 2024 nisi me telashe. Më 1 shkurt 2024, hyri në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e vendos Euron si valutën e vetme të vlefshme për kryerjen e pagesave me para të gatshme dhe në sistemin kombëtar të pagesave në Republikën e Kosovës. Kjo rregullore pamundëson përdorimin e dinarit në komunat me shumicë serbe, ku dhe përdoret. Komuniteti ndërkombëtar, respektivisht BE e ambasadorët e QUINT, nuk u pajtua me këtë vendim; kërkoi me këmbëngulje një fazë tranzicioni para së rregullorja të zbatohej dhe kërkoi që kjo çështje të adresohej në dialog.
Ndonëse qeveria Kurti refuzoi për disa ditë që çështja e dinarit të bëhej pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE, pasi Rregullorja cilësohet si çështje e brendshme e shtetit të Kosovës, kjo çështje megjithatë po diskutohet në kuadër të dialogut. Me 19 mars në Bruksel u takuan kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petković, ku u edhe diskutua rregullorja e BQK.
Gjatë të gjitha zhvillimeve të vitit 2023, BE dhe ShBA këmbëngulën që Asociacioni të themelohej, duke e parë si hap për zgjidhjen e çështjeve që kanë mbizotëruar në vitin 2023. Kjo periudhë po ashtu u karakterizua me acarim të raporteve të qeverisë me BE dhe ShBA. Përfaqësues të ShBA thanë disa herë se marrëdhëniet me qeverinë e Kosovës janë cenuar për shkak të mungesës së koordinimit në veprimet e tyre dhe shpërfilljes të kërkesave të tyre. ShBA dhe BE thanë se kanë probleme në komunikim me qeverinë Kurti. Ndërkohë, kryeministri Kurti dhe kryenegociatori Besnik Bislimi akuzuan disa herë publikisht ndërmjetësuesin e BE në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajčák, për njëanshmëri në dialog.
Me ritmin e ngadalshëm me të cilin ka ecur i gjithë procesi për formimin e Asociacionit dhe zhvillimet në terren, duket pak e besueshme se qeveria Kurti do ta finalizojë këtë proces brenda këtij mandati. Më e gjasshme është që këto çështje të trashëgohen edhe në mandatin tjetër nga cilado parti që vjen në pushtet pas zgjedhjeve që pritet të mbahen në vitin 2025.
Buxhetet e vitit 2023 dhe 2024 shënuan rritje në krahasim me buxhetet paraprake, gjë që qeveria e prezantoi kryesisht si rezultat të punës së tyre. Por buxheti i Kosovës gjithmonë ka prirje të rritet prej vitit në vit dhe rritja në 2023 nuk pasqyron domosdoshmërisht rritje të zhvillimit ekonomik.
Për më shumë, buxheti i vitit 2023 është rritur edhe për shkak të rritjes së çmimeve si rezultat i inflacionit të lartë nëpër të cilin kaloi Kosova. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni ka qenë më i lartë në një mesatare prej 4.9% në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022.
Rritja e vazhdueshme e çmimeve bëri që shumë qytetarë të Kosovës të jenë më të varfër sesa që ishin në vitin 2021. Një anketë e publikuar nga UNDP në shkurt 2024 doli me të dhëna shqetësuese për ndikimin që inflacioni pati në ekonomitë familjare. 44% e ekonomive familjare raportuan se blejnë më pak produkte derisa shpenzojnë më shumë, teksa u rrit edhe numri i ekonomive familjare që shpenzojnë 200 e më shumë euro për gjëra ushqimore.
Rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore iu shtua edhe kostoja shtesë si rezultat i rritjes së çmimit të energjisë elektrike prej mbi 15% në prill 2023, që iu shtua rritjes së vitit 2022. Qeveria, edhe në vitin 2023, subvencionoi faturat e disa kategorive më të cenueshme të konsumatorëve — për qytetarët që përfitojnë asistencë sociale dhe pensionerët — dhe subvencionoi blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje për konsumatorët në nevojë.
Rritjen ekonomike në vitin 2023, Qeveria ia ka atribuuar rritjes së eksporteve dhe të investimeve të huaja direkte (IHD).
Sa i përket eksporteve, janë dy aspekte të rëndësishme për t’u marrë parasysh. E para, eksportet e mallrave në fakt janë ulur; dhe e dyta, rritja në eksporte ka ndodhur kryesisht në sektorin e shërbimeve dhe kryesisht në kategorinë e udhëtimit, ku përfshihen blerja e shërbimeve nga diaspora apo turistët.
Ndërsa sa i përket rritjes së investimeve të huaja direkte, ato mbeten më shumë të përqendruara në sektorin e ndërtimit dhe pronës së paluajtshme, që sipas BQK pasqyron kërkesën e diasporës kosovare për patundshmëri në Kosovë. Prej rreth 245 milionë eurosh investimesh në tre-mujorin e tretë të vitit 2023, 152 milionë ishin në sektorin e patundshmërisë. IHD në sektorin e paluajtshmërisë, si për shembull blerjet e banesave, nuk mund të kenë ndikim të madh në rritjen ekonomike (meqë përfshijnë kryesisht transaksione financiare) sa do të kishin investimet në sektorin e prodhimit.
Sipas disa ekonomistëve, përqendrimi i rritjes së eksporteve në kategorinë e shërbimeve dhe të investimeve të huaja direkte në sektorin e paluajtshmërisë nuk flet për ndonjë ndryshim strukturor në politikat qeveritare për zhvillim më rrënjësor ekonomik.
E në kohën e shtrenjtimit të jetesës për qytetarët e Kosovës, nuk ka ndonjë të dhënë se pagat janë rritur. ASK nuk ka ofruar të dhëna të përditësuara për nivelin e pagave për vitin 2022 e as për vitin 2023. Të dhënat e fundit për vitin 2021 tregojnë se paga mesatare neto në Kosovë ishte 432 euro. Ndërkohë, Ligji i pagës minimale, i cili u miratua në Kuvend më 13 korrik 2023 dhe parashihte rritjen e pagës minimale nga 130-170 euro në 264 euro u kundërshtua fuqishëm si i padinjitetshëm e jo gjithpërfshirës. Si rrjedhojë, ai u dërgua në Gjykatën Kushtetuese, ku është ende duke u shqyrtuar.
ASK po ashtu ngecë në përditësimin e të dhënave në punësim. Për shembull, ASK ka publikuar të dhënat për fuqinë punëtore për vitin 2022 në gusht të vitit 2023 teksa të dhënat për tre-mujorin e parë të vitit 2023 i ka publikuar tek në janar të vitit 2024. Kjo krijon vështirësi në përcjelljen e trendeve të papunësisë dhe krijimit të vendeve të reja të punës si dhe në verifikimin e të dhënave të deklaruara nga qeveria.
Sipas qeverisë, gjatë 32 muajve të qeverisjes së tyre — 2021, 2022 dhe 2023 — janë krijuar 60,000 vende të reja pune. Si qeveria, ashtu edhe ASK, kanë theksuar rënien e papunësisë nga 25% në vitin 2021 në 11.8% në vitin 2022. Por këto shifra janë kontestuar. Sipas disa ekonomistëve, ajo rënie e papunësisë më shumë reflekton migrimin e qytetarëve dhe formalizimin e vendeve të punës, sesa që ka të bëjë me punësim të ri.
Për shembull, vetëm gjatë viti 2021, sipas ASK, rreth 43,000 persona kanë migruar. E sa i përket formalizimit të vendeve të punës, formalizimi më shumë kontribuuon në një pasqyrim më të saktë të punësimit aktiv, por edhe i ndihmon buxhetit të shtetit pasi bizneset paguajnë tatimet e detyrueshme dhe punëtorëve u paguhen kontributet në trustin pensional. Formalizimi i vendeve të punës në vetvete nuk i bie punësim i ri.
Formalizimi i vendeve të punës nga qeveria ka vazhduar përgjatë 2023, me anë të subvencionimit të pagës për punësimin e të rinjve, si Superpuna, dhe të grave. Ndërkohë, edhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe Inspektorati i Punës qe një kohë kanë nisur inspektimin e bizneseve, identifikimin e punëtorëve të paregjistruar dhe regjistrimin e tyre.
Por përkundër këtyre masave, fuqia joaktive në tregun e punës ende mbetet e lartë. Prej të gjithë popullsisë në moshë pune, sipas ASK, afër 61% e tyre as nuk janë duke kërkuar punë e as nuk janë të lajmëruar si të papunë. Kjo shifër ka mbetur pothuajse e njëjtë si në vitin para-pandemik 2020 dhe prek më së shumti gratë, që përbëjnë 78% të fuqisë joaktive.
Përkundër deklarimeve të qeverisë për rritje ekonomike e vende të reja të punës, qytetarët vazhduan t’i rendisin varfërinë, papunësinë dhe inflacionin si tri problemet më urgjente me të cilat përballet Kosova aktualisht.
Një mënyrë se si do të mund të krijoheshin vende të reja pune është nëpërmjet investimeve kapitale, që përfshijnë prej ndërtimit të rrugëve e deri te ndërtimi i shkollave. Për shembull, sipas një hulumtimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar në vitin 2021, secili investim prej një milion eurosh në infrastrukturën publike në vendet në zhvillim krijon deri në 30 vende të reja pune. Për më shumë, investimet kapitale po ashtu kontribuojnë në rritje ekonomike duke krijuar punë për kompanitë që pastaj paguajnë tatime për fitimet e tyre.
Deri në shtator 2023, qeveria Kurti ka realizuar 35% të investimeve kapitale të planifikuara për atë vit. Me projektbuxhetin e vitit 2024, shpenzimet kapitale janë planifikuar të jenë rreth 4.5% më shumë se vitin e kaluar. Nga këto, rreth 83% janë vazhdim i projekteve të mëhershme, teksa 17% janë planifikuar për projekte të reja kapitale. Ndër arsyet për këto zvarritje në kryerjen e investimeve kapitale, sipas një analize të Institutit GAP, mbeten planifikimi i dobët dhe kapacitetet zbatuese të dobëta.
Gjykata Kushtuetuese e Kosovës ka qenë më e zënë se zakonisht gjatë qeverisë Kurti. Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i kanë dërguar disa ligje të iniciuara nga qeveria e të miratuara në Kuvend te kjo gjykatë për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e tyre.
Sipas një raporti të Institutit Kosovar të Drejtësisë (IKD), nga 26 rastet që ndërlidhen me vendime qeveritare e parlamentare e që Gjykata Kushtetuese i ka shpallur antikushtetuese përgjatë së ekzistencës së vet, 10 raste apo 36% i takojnë qeverisë apo legjislaturës aktuale.
Ndërkohë, qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka kritikuar partitë opozitare që me dërgimin e projektligjeve në Gjykatën Kushtetuese po e pengojnë realizimin e programit legjislativ dhe rrjedhimisht “reformën rrënjësore”. Qeveria shpesh ka akuzuar edhe Gjykatën Kushtetuese që me shpalljen antikushtetuse të ligjeve dhe me vonesa në interpretime po e pengon reformën në përgjithësi.
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023 kritikon miratimin me procedurë të përshpejtuar të disa ligjeve thelbësore. Sipas këtij raporti, nga 104 ligje të aprovuara në Kuvendin e Kosovës midis qershorit 2022 dhe qershorit 2023, 21 prej tyre janë miratuar me procedurë të përshpejtuar, pa bërë përpjekje që të ndërtohet konsensus për pjesë kyçe të kornizës ligjore. Sipas tyre, Ligji për Paga dhe ai për Zyrtarët Publikë janë dy nga ligjet që janë aprovuar në këtë mënyrë dhe më pas janë referuar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita.
E reforma në drejtësi, një ndër premtimet kyçe të qeverisë Kurti, po ecën ngadalë. Gjykata Kushtetuese i hapi rrugën vettingut të pjesshëm, që parasheh që vettingut t’i nënshtrohen kryeprokurorët, kryetarët e gjykatave, anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe ata të Këshillit Gjyqësor. Ndryshe nga ç’u premtua nga LVV, nuk do të ketë vetting të plotë dhe edhe ai i pjesshëm nuk duket i realizueshëm brenda këtij mandati.
Ndërkohë, projektligji i ri për KPK që parasheh reformim të këtij organi gjyqësor është miratuar në lexim të parë më 7 mars të këtij viti në Kuvend. Shoqëria civile kishte kritikuar qeverinë se në këtë projektligji nuk i kishte përfshirë gjetjet e Gjykatës Kushtetuese, opinionit të Komisionit të Venecias, e rekomandimet e shoqërisë civile, si çështja e numrit të anëtarëve të KPK dhe çështja e përfshirjes përsëri të Avokatit të Popullit në përzgjedhjen e anëtarëve jo-prokurorë të KPK.
Qeveria Kurti po hyn në vitin e katërt pa asnjë njohje të re për shtetin e Kosovës. Shteti i fundit që ka njohur Kosovën është Izraeli në vitin 2020.
Ndërkohë, kur në janar të këtij viti u hoq regjimi i vizave për Kosovën në zonën Schengen, qeveria e shënoi si arritje të tyre. Por, Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave që në vitin 2018, para se t’ia niste mandatin kjo qeveri dhe liberalizimi i vizave kishte mbetur peng i zvarritjes nga BE.
Në janar, qeveria njoftoi se regjimi i vizave për Kosovën ishte hequr edhe nga Emiratet e Bashkuara dhe Izraeli.
Ndërkohë, në maj 2022 qeveria kishte inicuar aplikimin e Kosovës për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës (KiE). Mbetet të shihet nëse kjo do të ketë sukses pas vendimit të këtij muaji të qeverisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit. Zbatimi i këtij vendimi ishte një ndër kërkesat kryesore të raportit të parë të ekspertëve të KiE, e që vlerësonte përputhshmërinë e sistemit ligjor në Kosovë me standardet e KiE.
Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës përmes vendimit të saj konfirmoi të drejtën e pronësisë së Manastirit mbi tokën e kontestuar. Vendimi refuzoi vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan. Gjykata Kushtetuese përcaktoi gjithashtu se vendimi i mëparshëm i Gjykatës së Lartë nga viti 2012, i cili vërtetonte të drejtën e pronësisë së Manastirit mbi tokën në kontest, është “res judicata”, pra aktvendim i plotfuqishëm.
Partia në pushtet, LVV sa ishte parti opozitare e kishte kundërshtuar vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, teksa kryeministri Kurti në shkurt 2022 përsëriti qëndrimin e tij se vendimi ishte i papranueshëm dhe është i bazuar në “politikën diskriminuese të Qeverisë së Serbisë, të vitit 1997”. Më 13 mars kryeministri Kurti njoftoi se qeveria i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Raporti po ashtu thoshte se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe t’i ndalë shpronësimet e pronave në veri kur ato shpronësime nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Shpronësimi i tokave në veri që nisi në gusht të 2022, sipas raportit, nuk përputhej me kornizën legjislative të Kosovës. Raporti kërkon që Qeveria e Kosovës duhet të përmbahet nga çdo shpronësim që nuk është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet ligjore dhe t’i komunikojë arsyet për shpronësimet e nevojshme për publikun e gjerë.
Raporti, po ashtu i kërkon qeverisë ta respektojë pavarësinë e gjyqësorit duke frenuar veten nga deklaratat publike ku kritikohen vendimet e gjykatave pasi kjo mund ta cenojë besimin në gjykata. Ky raport do t’i shërbejë Asamblesë Parlamentare në hartimin e opinionit për Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës kur kërkesa e Kosovës të hidhet në votim në muajin prill.
Duke qenë organizata më e rëndësishme në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, anëtarësimi në KiE do t’u mundësonte qytetarëve të Kosovës t’i adresohen Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, teksa Kosova do të kishte qasje në shumë mekanizma që do ta ndihmonin në luftën kundër korrupsionit dhe në përpjekjen për forcimin e sundimit të ligjit.
Optimizmi për anëtarësim pas vendimit të qeverisë për Manastirin e Deçanit u zbeh kur çështja e themelimit të Asociacionit dhe ajo e shpronësimit të tokave në veri u sollën në vëmendje publike si kushte të mundshme për anëtarësim.
Viti shkollor 2022-2023 nisi një muaj me vonesë për shkak të grevave të mësimdhënësve. Ndërkaq, viti shkollor 2023-2024 nisi pa libra. Ministria e Arsimit i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore që nga viti 2008. Por, disa ditë para se të niste viti i ri shkollor 2023/2024, Ministria njoftoi se negociimi me shtëpinë botuese kishte dështuar dhe si pasojë, nuk do të mund t’i siguronin librat si viteve të kaluara.
Ministria njoftoi se prindërit do të duhej t’i blinin vetë librat dhe më pas të rimbursohen. Platforma për aplikim për rimbursim u hap një javë para se t’ia niste viti shkollor teksa shumë prindër nuk u rimbursuan deri pas 1 shtatorit. Disa prindër me kushte më të vështira ekonomike folën për medie se vendimi i ministrisë ua vështirësoi t’i blinin librat në kohë.
Rezultatet e testit ndërkombëtar PISA, të mbajtur në 2022, që u publikuan në dhjetor 2023, ranguan nxënësit e Kosovës më keq se në vitin 2018. Nga 80 vendet pjesëmarrëse, nxënësit e Kosovës u radhitën në vendin e 76 në lexim dhe në vendin e 74 në matematikë. Në matematikë dhe në lexim, Kosova pësoi rënie në performancë me 11 pikë më pak, në krahasim me testet e vitit 2018. Në shkencë, Kosova është renditur e 77-ta, me tetë pikë rënie.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ia faturoi rezultatet e dobëta pandemisë COVID-19, por nuk duket se qeveria Kurti ka ndërmarrë ndonjë ndryshim strukturor për t’i përmirësuar këto rezultate.
Për shembull, PISA sugjeron se fëmijët nën pesë vjeç që ndjekin shkollimin e hershëm performojnë dukshëm më mirë në rezultate. Në Kosovë, vetëm rreth 7% e fëmijëve të moshës 0-5 vjeç ndjekin edukimin e hershëm. Një prej arsyeve është edhe mungesa e çerdheve publike. Sipas ASK, në vitin 2022 Kosovë ishin rreth 130,000 fëmijë të kësaj grupmoshe, ndërsa funksionojnë 49 çerdhe publike dhe 177 private.
Një ndër premtimet e qeverisë ishte ndërtimi i 160 çerdheve, gjë që do ta rriste shtrirjen e shkollimit të hershëm nga 7% në 24% për fëmijët e grupmoshës 0-5 vjeç. Brenda tri viteve qeverisje, sipas MAShT, janë ndërtuar katër çerdhe, 26 janë në proces të ndërtimit, gjashtë në proces të adaptimit të shkollave në çerdhe dhe 8 në tenderim.
Ndërkohë, në korrik 2023, u miratua Ligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme që bën edukimin parafillor të fëmijëve nga mosha pesë-vjeçare të obliguar. Deri tash ka qenë i obliguar vetëm edukimi fillor.
Në qershor 2023, Kurti doli në paradën e krenarisë pas mungesave gjatë dy viteve të para të mandatit. Derisa udhëheqësi i tyre doli në paradën me moton “T’du qashtu qysh je”, disa nga deputetët e grupit parlamentar të LVV mbahen ende mend si kundërshtuesit më të zëshëm të projekt-Kodit Civil, i cili do t’i hapte udhë njohjes ligjore të bashkësisë civile midis personave të seksit të njëjtë. Për herë të fundit, Kodi Civil u vu në votim në mars 2022, ku deputetët/et e LVV, Burim Meta, Gramoz Agusholli e Labinotë Demi Murtezi me një gjuhë që shpërfaqte homofobi dhe mungesë së informatave kundërshtuan ligjin, i cili përfundimisht nuk mori shumicën e nevojshme parlamentare për të kaluar.
Në vitin 2023, një projektligj i ri i Kodit Civil nuk u soll në votim, përkundër rëndësisë jetike që ky Kod, në të cilin punohet qysh prej vitit 2014, ka edhe për shumë aspekte tjera të jetës private dhe publike në Kosovë. Kodi Civil do të kontribuonte sidomos në përparimin e të drejtave të grave dhe fëmijëve. Për shembull, Kodi Civil do ta përcaktonte moshën 18-vjeçare si minimalen për lidhje të martesës; e në rastin e dhunës në familje dhe formave të tjera të dhunës në baza gjinore, nuk do të zhvillohej procedura e pajtimit për ruajtjen e martesës.
Ndërkohë, nuk duket se gjërat kanë ndryshuar as në 2024, kur është fjala për të drejtat LGBTQ+. Në një takim më 7 shkurt, deputetja Demi Murtezi përsëriti gjuhë të ngjashme me atë të seancës së marsit 2022, kur tha se marrëdhëniet seksuale midis personave të seksit të njëjtë janë shkaktare të sëmundjeve të rënda.
Pas këtij takimi, më 1 mars 2024, në Ditën Ndërkombëtare për Zero Diskriminim, një grup organizatash që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut dorëzuan padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj Kuvendit të Kosovës dhe deputetes Demi Murtezi për diskriminim dhe cenim të dinjitetit të personave LGBTIQ+. Padia i referohet gjuhës diskriminuese që Demi Murtezi përdori gjatë seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës të marsit 2022. Këto organizata po ashtu dërguan ankesë te Institucioni i Avokatit të Popullit dhe i kërkuan kryeministrit Kurti dhe kryetares së grupit parlamentar të LVV, Mimoza Kusari Lilës shkarkimin e Demi Murtezit nga Komisioni Parlamentar për të Drejtat të Njeriut.
Ndërkohë, dhuna në bazë gjinore vazhdoi — 2120 gra ishin viktima të dhunës në familje përgjatë vitit 2023. Më 8 mars këtë vit, kryeministri Kurti foli për politikat feministe të qeverisë së tij. Imazhi feminist i Kurtit u kompremetua kur, më vonë atë ditë, gjatë marshit të përvitshëm të 8 marsit, aktivistet e aktivistët nuk u lejuan të futen te shkallët e hyrjes së ndërtesës së qeverisë, ku tradicionalisht lexohet fjalimi i marshit. Në hapësirën jashtë ndërtesës së qeverisë, ku deri në prill të vitit 2020 ishin rrethojat, të cilat qeveria Kurti i hoqi duke thënë se midis qytetarëve e qeverisë s’duhet të ketë barriera, ishte vendosur një kordon i Policisë së Kosovës, përbërë po ashtu prej zyrtarëve policorë të njësitit special. Pati përplasje midis aktivisteve/ëve dhe policisë.
Marshi i këtij viti në qendër kishte trupin dhe autonominë e grave mbi trupat e tyre, që lidhet ngushtë me diskutimet që kanë vazhduar përgjatë gjithë 2023 e deri në 2024 lidhur me Projektligjin për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM), i cili fillimisht u dërgua për votim në Kuvend në mars 2023. Për nenin 15, që si shfrytëzues të së drejtës për FAM i njeh femrat e pa martuara, mbi 18 vjeç, nxiti mospajtime përbrenda vetë grupit parlamentar të LVV.
Projektligji nuk kaloi për shkak të mungesës së kuorumit e u kthye disa herë në Kuvend në fillim të këtij viti, por prapë nuk doli në votim në mungesë të kuorumit. Sidomos të zëshëm kundër këtij ligji e pengues ndaj votimit të tij kanë vazhduar të jenë deputetët e LVV, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica. Ata kërkojnë që FAM të jetë opsion vetëm për çiftet e martuara, pasi thonë se duan ta mbrojnë familjen dhe se fëmijët e lindur me këto procedura, duhet ta kenë të drejtën ta njohin babanë. Sipas aktivisteve të kolektivit feminist “Marshojmë s’festojmë”, kjo qasje e deputetëve dëshmon se ata nuk i konsiderojnë gratë individë me aftësi për të marrë vendime për veten dhe të ardhmen e tyre riprodhuese.
Derisa qeveria Kurti përmbylli vitin e tretë të qeverisjes duke u përqendruar kryesisht në dialogun me Serbinë dhe zhvillimet në veriun e Kosovës, problemet e përditshme të qytetarëve e sidomos komuniteteve të margjinalizuara vazhduan.
Raportimet e K2.0 përgjatë vitit 2023 treguan që komunitetet rom, ashkali dhe egjiptianë vazhdojnë të kenë vështirësi në qasje në tregun e punës e në shërbimet shëndetësore. Qasje të kufizuar në shërbime shëndetësore kanë edhe gratë me aftësi të kufizuara dhe personat me autizëm. Pos sfidave në qasjen në shërbime shëndetësore, personat me autizëm kanë qasje të kufizuar në arsim teksa vështirë mbulojnë shpenzimet me 100 euro në muaj që ua ofron qeveria.
Ndërkohë, qytetarët e moshuar të lënë pa përkujdesje mezi ia dalin t’i mbulojnë shpenzimet e nevojshme me 100 euro pension. Po ashtu, të drejtat e punëtorëve mbesin keq, me Inspektoratin e Punës që disa kategori punëtorësh nuk i ka në radar e përgjithësisht performon dobët në mbrojtjen e të drejtave të punës.
Ndërkohë, qeverisë Kurti i mbetet edhe një vit përpara, që nuk duket kohë e mjaftueshme për ta bërë ndonjë kthesë të rëndësishme për t’i realizuar synimet e premtuara.
Raportim shtesë nga Aulonë Kadriu dhe Uran Haxha.
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.