I inicuar më 1999, publikimi “Joint History Project” (Projekti i Historisë së Përbashkët) kishte për synim të u ofronte mësimdhënësve të historisë në Ballkan materiale që do të sfidonin mësimdhënien etnocentrike të së kaluarës. Publikuar nga OJQ-ja “Center for Democracy and Reconciliation in Southeast Europe” (CDRSEE) me seli në Selanik, projekti synonte të nxiste mendimin kritik e debatin, si pjesë të procesit të pajtimit afatgjatë në Ballkan.
Projekti rezultoi me hartimin e gjashtë vëllimeve, duke nisur me historinë mesjetare të Ballkanit për të ardhë në ditët e sotme.
Kjo seri shkrimesh ofron kritikë të vëllimeve individuale të projektit, duke shqyrtuar se si janë paraqitur ngjarjet e rëndësishme historike të shqiptarëve dhe cilat nga ngjarjet e rëndësishme nuk janë paraqitur fare. Po ashtu, seria e shkrimeve diskuton si është dashur të paraqiteshin, duke marrë për bazë autorë ndërkombëtarë si Noel Malcolm, Oliver Schmitt, Peter Bartl, e të tjerë që trajtojnë zhvillimet dhe ngjarjet në Kosovë në periudha të ndryshme historike.
Një shqyrtim i tillë është posaqërisht i rëndësishëm marrë parasysh se gjatë hartimit të projektit, CDRSEE mbajti marrëdhënie të afërta pune me të gjitha ministritë e arsimit në rajon dhe gëzoi mbështetjen nga gjithsej 25 donatorë ndërkombëtarë, duke përfshirë BE-në. Po ashtu, projekti angazhoi historianë nga i gjithë rajoni, përfshirë Kosova.
Këtu mund të lexoni kritikën për vëllimin e parë që trajton periudhën e Perandorisë Osmane.
Këtu mund të lexoni kritikën për vëllimin e dytë “Kombet dhe shtetet në Evropën Juglindore”.
Këtu mund të lexoni kritikën për vëllimin e tretë “Luftërat Ballkanike”.
Këtu mund të lexoni kritikën për vëllimin e katërt “Lufta e Ftohtë”.
Kritikë Vëllimit “Luftërat, ndarjet, integrimi”
Vëllimi i gjashtë dhe i fundit “Luftërat, ndarjet, integrimi (1990-2008)” nis me fundin e Luftës së Ftohtë, për të vazhduar me themelimin e partive politike, mbajtjen e zgjedhjeve të reja, shpalljet e pavarësive, simbolet, valutat dhe flamujt e rinj në Ballkan. Më tej në vëllim trajtohen konfliktet e armatosura, kryesisht në federatën jugosllave, ndërhyrjet ushtarake ndërkombëtare, negociatat dhe marrëveshjet paqësore, gjykatat e tribunalet për krimet e luftës, si dhe mënyrat e përkujtimit të luftërave. Natyrisht, këtu zënë vend edhe zhvillimet ekonomike, shoqërore, kulturore e të tjera, të vendeve të Europës Juglindore gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar dhe dekadës së parë të këtij shekulli.
Në kapitullin e parë të këtij vëllimi, “Rënia dhe rindërtimi 1990-1992”, të ndarë në katër nënkapituj, Kosova përfshihet vetëm në nënkapitullin e tretë, të titulluar “Shpalljet e pavarësisë”. Këtu, shkurt por korrekt, bashkë me tekstin integral, prezentohet vetëm Deklarata Kushtetuese për Republikën e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, e miratuar më 2 korrik 1990 nga deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, të zgjedhur në dhjetor të vitit 1989. Prej 128 deputetëve shqiptarë, 114 u mblodhën para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës dhe, meqë nuk u lejuan nga organet policore të futen brenda, në hyrje të ndërtesës e shpallën Kosovën entitet të pavarur e të barabartë në kuadër të federatës jugosllave.
Nga fundi i hyrjes së kapitullit të dytë “Shpërbërja e Jugosllavisë”, përmendet krejt telegrafikisht se në shkurt të vitit 2008 Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia. Askund tjetër në gjithë vëllimin nuk jepet gjë tjetër lidhur me shpalljen e pavarësisë, madje as vendimi i vitit 2010 i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Më tej, te nënkapitulli i parë “Rruga drejt shpërbërjes” jepet krejt sipërfaqësisht represioni sërb ndaj shqiptarëve të Kosovës duke vënë fokusin vetëm në fillim të viteve ‘90 te përjashtimet e shqiptarëve prej vendeve të tyre të punës dhe duke përmendur shkurtimisht “rritjen e dhunës policore dhe të diskriminimit në shkolla”. Edhe prezentimi i “sistemit paralel” të Kosovës, që funksionoi gjatë viteve ’90 në një mori fushash, fokusohet vetëm te fusha e arsimit.
Nënkapitujt dy, tre dhe katër të këtij kapitulli flasin për luftën në Bosnje e Hercegovinë, ndërsa i pesti, “Luftërat 1998-2001”, ndalet pothuajse kryekëput te lufta e Kosovës. Këtu thuhet se pas krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) filluan të shtoheshin përplasjet, të cilat bashkë me trysninë e bashkësisë ndërkombëtare, sollën negociatat në Rambouillet të Francës më 1999 për një marrëveshje paqeje.
Nuk përmendet askund se njëri prej faktorëve kryesorë që nxiti përleshjet e armatosura, e më pas edhe trysninë e bashkësisë ndërkombëtare për negociatat në Rambouillet, ishin krimet e forcave policore e ushtarake sërbe e jugosllave ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë. Më tutje në këtë nënkapitull thuhet se sulmet e UÇK-së sollën emigrimin e popullsisë sërbe, gjë që pastaj solli përforcime të forcave policore e ushtarake sërbe e jugosllave, e se më pas në Kosovë filluan të vepronin edhe njësi paraushtarake sërbe, prandaj popullata shqiptare u arratis ose u dëbua në masë.
Po të nisemi nga kjo premisë, të gjitha masakrat e kryera nga forcat sërbe e jugosllave dalin kontraverse, sepse autoritetet sërbe e jugosllave e mohojnë secilën masakër të tyren në Kosovë.
Pra, nga mënyra se si është hartuar teksti nënkuptohet se ishin njësitë paraushtarake përgjegjëse për dëbimin e shqiptarëve, e jo forcat policore e ushtarake sërbe e jugosllave. Në këtë nënkapitull thuhet se bombardimi i Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) nga NATO-ja më 1999 u ndërmor meqë pretendohej se forcat e sigurisë sërbe po kryenin spastrim etnik të shqiptarëve të Kosovës. Nuk është se pretendohej, por edhe në atë kohë kishte dëshmi të dokumentueshme se forcat policore e ushtarake sërbe e jugosllave po kryenin spastrime, vrasje, përdhunime, shkatërrime, e me radhë. Për më shumë, këtu përmenden detajisht dëmet materiale të shkaktuara prej bombardimeve të NATO-s, por nuk ka absolutisht asgjë për dëmet materiale të shkaktuara prej forcave policore e ushtarake sërbe e jugosllave. Njëlloj, nuk ka asgjë për përdhunimet në Kosovë.
Kjo periudhë lufte ilustrohet në këtë nënkapitull me gjithsej tri fotografi të vitit 1999: një ku shihen 5-6 traktorë të ngarkuar me refugjatë shqiptarë, e dy të tjera me dëmet nga bombardimet e NATO-s nëpër Serbi. Masakra e Reçakut e datës 15 janar 1999, me 45 të vrarë, është e vetmja që prezentohet në këtë vëllim, por me titullin “Rasti i Reçakut”. Në tekstin hyrës të këtij kapitulli thuhet se “për këtë incident opinionet janë tërësisht të kundërta”, ngaqë institucionet e ndryshme ndërkombëtare e konsiderojnë masakër, kurse autoritetet jugosllave pretendojnë se të gjithë të vrarët ishin pjesëtarë të UÇK-së. Po të nisemi nga kjo premisë, të gjitha masakrat e kryera nga forcat sërbe e jugosllave dalin kontraverse, sepse autoritetet sërbe e jugosllave e mohojnë secilën masakër të tyren në Kosovë.
Vëllimi nuk paraqet asnjë masakër tjetër të kryer në Kosovë, madje as Masakrën e Mejës në prill 1999, ku u vranë 376 civilë shqiptarë të pafajshëm, ose Masakrën e Krushës së Madhe në mars 1999, ku u vranë më shumë se 240 civilë shqiptarë të pafajshëm. Për më shumë, fshati Reçak figuron i shkruar vetëm në versionin sërbisht ‘Račak’, sikurse edhe të gjitha toponimet e tjera të Kosovës, e do të duhej të ishin në të dy gjuhët zyrtare në Kosovë
Pse të mos specifikohet se nga kush u dëbuan refugjatët kosovarë gjatë luftës?
Nënkapitulli i gjashtë “Mizoritë dhe spastrimi etnik” ka vetëm një fjali për Kosovën, që citon të dhëna nga organizata joqeveritare e bazuar në Beograd dhe Prishtinë, Fondi për të Drejtën Humanitare. Aty thuhet se gjatë konfliktit në Kosovë në periudhën “janar 1998 – dhjetor 2000 janë vrarë 13,421 njerëz, prej të cilëve 10,533 shqiptarë; 2,238 sërbë; 126 romë dhe 100 boshnjakë”.
Por, nuk thuhet askund se cilat formacione i kanë kryer këto vrasje.
Te nënkapitulli i shtatë “Migrimet e detyruara dhe refugjatët”, lexojmë: “besohet që 862,979 shqiptarë gjithsej, ose mbi 80% e popullsisë në tërësi, u dëbuan nga Kosova gjatë bombardimeve të NATO-s”. Pse duhet thënë “besohet” pas një shifre aq të saktë, e jo të potencohet se këto të dhëna janë marrë prej UNHCR-së? Për krahasim, kur flitet për largimin e sërbëve, shkruhet “sipas shifrave zyrtare të UNHCR-së, pas tërheqjes së policisë sërbe e ushtrisë jugosllave nga Kosova janë larguar mbi 100,000 sërbë”. Po ashtu, pse të mos specifikohet se nga kush u dëbuan refugjatët kosovarë gjatë luftës?
Ky nënkapitull ilustrohet me dy fotografi të refugjatëve shqiptarë në Maqedoni. Në njërën janë rreth 20 refugjatë nga Kosova, të shoqëruar nga një polic që duket shumë miqësor ndaj tyre. Ndërkohë, fotografia që ilustron dëbimin e sërbëve nga Kroacia gjatë operacionit “Stuhia” më 1995, është shumë më përfaqësuese, jo veç për nga përmasat, por sidomos për nga përmbajtja, meqë në të shihet kolona e gjatë prej mijëra refugjatëve sërbë tek largohen nga Kroacia me traktorë e kamionë. Tjetra fotografi pasqyron punonjësit e organizatës humanitare “Mjekët pa Kufij”, duke i ndihmuar refugjatët nga Kosova, të cilët, siç thuhet aty “po iknin prej mizorive dhe bombardimeve ajrore”.
Nënkapitulli i tetë “Fëmijët dhe të rinjtë gjatë luftës”, jep vetëm një informatë të shkurtër të datës 22 mars 1999 mbi ndërprerjen e procesit mësimor në shkollat e Kosovës dhe reduktimin e ligjëratave e të provimeve në Universitetin e Prishtinës. Edhe pse nënkapitulli u kushtohet fëmijëve dhe të rinjve, nuk figuron të paktën shifra e Fondit për të Drejtën Humanitare, prej 1,133 fëmijëve të vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë ose që janë të zhdukur ende.
Nënkapitulli i nëntë “Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore”, duke dhënë madje edhe një hartë, prezenton vetëm shkatërrimin e 39 kishave ortodokse sërbe pas luftës në Kosovë kryesisht më 2004, pa përmendur askund se të njëjtat kisha e manastire u rregulluan më pas me taksat e vetë qytetarëve të Kosovës. Ndërkaq, vetëm në hyrje të këtij nënkapitulli përmenden shkurtimisht 200 xhamitë dhe shtëpitë tradicionale të shkatërruara gjatë luftës në Kosovë nga forcat ushtarake sërbe. Por nuk ka hartë që tregon xhamitë dhe pronat e shkatërruara dhe nuk thuhet askund se u rregulluan pas luftës me ndihmat e organizatave të ndryshme humanitare ndërkombëtare.
Nënkapitulli i dhjetë “Kundër luftës” paraqet thirrjet, letrat, peticionet, grevat e protestat e personaliteteve dhe organizatave të ndryshme jugosllave kundër luftërave në Jugosllavi. Këtu nuk figuron asnjë thirrje, letër, peticion, grevë a protestë e ndonjë personaliteti a organizate nga Kosova kundër luftës në Kosovë, megjithëse të tilla ka pasur me bollëk.
Te nënkapitulli i njëmbëdhjetë “Lufta e gazetarëve”, jepen vetëm disa momente nga një koment i drejtorit ekzekutiv të Swiss Press Club, gazetarit Guy Mettan, botuar më 24 prill 1999, mbi agresionin e NATO-s dhe propagandën e ShBA-së. Në nënkapitullin e fundit “Reagimet ballkanike dhe ndërkombëtare” publikohen: një letër e intelektualëve bullgarë pro ndërhyrjes së NATO-s; një koncert në Athinë kundër ndërhyrjes së NATO-s, një reportazh nga mediat rumune mbi lehtësirat që Rumania ia kishte ofruar NATO-s për bombardimin e Sërbisë; si dhe disa fragmente prej komenteve të ish-sekretarit të jashtëm të ShBA-së, Henry Kissinger, duke përzgjedhur vetëm rezervat e tij mbi Marrëveshjen e Rambouillet-së dhe ndërhyrjen e NATO-s.
Përfshirja ndërkombetare – shtjellim selektiv
Kapitulli i tretë “Aktorë ndërkombëtarë, çështje lokale”, përmban një nënkapitull mbi ndërhyrjet ushtarake ndërkombëtare që flet edhe për negociatat dhe marrëveshjet paqësore. Këtu paraqiten dy dokumentet më të rëndësishme të vitit 1999 për Kosovën: Marrëveshja e Rambouillet-së dhe Rezoluta 1244 e OKB-së, që autorizoi prezencën civile dhe ushtarake ndërkombëtare.
Sa i takon Marrëveshjes së Rambouillet-së, fragmentet e vetme në këtë kapitull janë tri nene të saj mbi imunitetin, të drejtat dhe privilegjet e pranisë ushtarake të NATO-s në mbarë territorin e RFJ-së. Të trija këto nene qenë përdorë nga politika zyrtare sërbe e asaj kohe për ta kundërshtuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambouillet-së. Njësoj me Rezolutën 1244, momentet në të cilat ndalen autorët e këtij libri janë të njëjtat me ato që i përsërit edhe sot politika zyrtare sërbe: “Rezoluta 1244 garanton integritetin territorial dhe sovranitetin e RFJ-së mbi Kosovën”; “Rezoluta 1244 parasheh autonomi të gjerë për Kosovën në kuadër të RFJ-së”; “Rezoluta 1244 mundëson që një numër i forcave sërbe të sigurisë të kthehen në Kosovë”.
Lidhur me Kosovën përmendet vetëm aktakuza për krime kundër njerëzimit ndaj Presidentit të RFJ-së Slobodan Milošević.
Këtu do të duhej të figuronin inserte nga Rezoluta 1244, të cilat specifikojnë se statusi i ardhshëm politik i Kosovës duhet të përcaktohet duke marrë parasysh Marrëveshjen e Rambouillet-së, e nga kjo marrëveshje do të duhej të përfshihej paragrafi i fundit që thotë se statusi i ardhshëm i Kosovës do të përcaktohet duke marrë parasysh vullnetin e popullit. Për më shumë, kur e prezentojnë këtë rezolutë, autorët e këtij vëllimi Kosovën e quajnë me emërtimin sërb “Kosova e Metohija”, të zyrtarizuar nga regjimi i Slobodan Milošević-it. Është sidomos përdorimi i këtij emërtimi ai që ta përforcon përshtypjen se kapitujve mbi Kosovën në këtë vëllim u mungon objektiviteti.
Nënkapitulli i tretë përmban një nënkapitull mbi “Persekutimet, gjykatat dhe tribunalet”, ku figuron një tabelë me emrat e të gjithë të dënuarve dhe të liruarve nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë. Lidhur me Kosovën përmendet vetëm aktakuza për krime kundër njerëzimit ndaj Presidentit të RFJ-së Slobodan Milošević.
Askund nuk përmendet se Tribunali i Hagës në shkurt 2009 dhe në janar 2014, për krimet e luftës në Kosovë i dënoi këta persona: Nikola Šainović, zëvendës-kryeministër i Jugosllavisë (22 vjet burg), Dragoljub Ojdanić, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë (15 vjet burg), Nebojša Pavković, Komandant i Batalionit të Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë (22 vjet burg), Vladimir Lazarević, Komandant i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë së Jugosllavisë (14 vjet burg), Sreten Lukić, Komandant i policisë sërbe në Kosovë (20 vjet burg). Po kështu, nuk do të duhej anashkaluar fakti se i njëjti tribunal, pas gjykimeve për krimet e luftës ndaj sërbëve në Kosovë i ka liruar komandantët e UÇK-së Ramush Haradinaj, Idriz Balaj, Lahi Ibrahimaj, dhe Fatmir Limaj, Isak Musliu, kurse e ka dënuar ushtarin Haradin Balaj (13 vjet).
Mangësi në dokumentimin e kujtesës kolektive
Te kapitulli i katërt “Ekonomia dhe shoqëria”, asnjëri prej pesë nënkapitujve nuk ka asgjë për Kosovën. Megjithatë do të mund të kishte te secili prej këtyre nënkapitujve, e sidomos te nënkapitujt e titulluar “Demografia dhe migrimi”, për shembull mbi emigrimet e shumta të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’90 si rezultat i regjimit serb; si edhe te nënkapitulli “Privatizimi dhe de-industrializimi”, mbi privatizimin e egër të ndërmarrjeve në pronësi shoqërore e publike që ndodhën në Kosovën e pasluftës.
Pothuajse e njëjta shpërfillje e Kosovës vazhdon edhe në kapitullin e pestë, të titulluar “Kultura”, i cili përbëhet nga tre nënkapituj. Këtu përjashtim përbën vetëm nënkapitulli i parë “Teknologjia e re dhe komunikimi”, ku për Kosovën, në mënyrë korrekte, por fare shkurt, flitet për antenat satelitore të viteve 1992-1999, përmes të cilave shqiptarët e Kosovës mund ta ndiqnin programin dyorësh në gjuhën shqipe, që e transmetonte Televizioni Shqiptar (TVSh) në Tiranë. Nënkapitulli i dytë “Religjioni” dhe i treti “Kinemaja, teatri dhe muzika” nuk kanë absolutisht asgjë për Kosovën.
Kapitulli i gjashtë dhe i fundit “Mënyrat e përkujtimit”, përmban një nënkapitull mbi luftërat e viteve ’90 në Jugosllavi, të titulluar “Përkujtimi i luftërave të fundit”. Krejt çka prezentohet te ky nënkapitull për luftën në Kosovë janë dy monumente për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, të dyja të ngritura në Beograd. Monumenti i parë është për bombardimin e televizionit shtetëror sërb RTS, në të cilin figurojnë emrat e 16 punonjësve të vrarë të këtij televizioni dhe një fotografi e godinës së bombarduar. Monumenti i dytë është për 79 fëmijët e vrarë nga sulmet e NATO-s, në qendër të të cilit gjendet skulptura e vajzës 3-vjeçare Milica Rakić.
Ky nënkapitull nuk ilustrohet me asnjë monument të ngritur për përkujtimin e shqiptarëve të vrarë nga forcat sërbe në Kosovë, e as për sërbët e vrarë nga pjesëtarë të UÇK-së, por përqendrohet vetëm tek të vrarët sërbë nga NATO-ja, madje pa shënuar kund se të vrarët ishin dëme kolaterale. Autorët e këtij publikimi do të duheshin të paktën të citonin prej raportit të organizatës Human Rights Watch (HRW) të titulluar “Vrasjet e civilëve gjatë fushatës ajrore të NATO-s”, që thotë se NATO-ja gjatë bombardimeve kundër RFJ-së ka vrarë 528 civilë të pafajshëm, prej të cilëve 318 ishin shqiptarë të vrarë në Kosovë.
Përmbledhje e përjashtimeve
Në këtë vëllim paraqitet krejt sipërfaqësisht represioni sërb ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’90, duke u fokusuar vetëm te dëbimet e shqiptarëve prej vendeve të tyre të punës. Sa i takon “sistemit paralel” të Kosovës, që gjatë viteve ’90 funksionoi në një mori fushash, jepet vetëm fusha e arsimit.
Te lufta e Kosovës dhe ngjarjet që lidhen me të, jo vetëm që nuk përmendet kund se krimet e forcave sërbe ndaj civilëve shqiptarë i nxitën përleshjet e armatosura, por thuhet madje se ishin sulmet e UÇK-së ato që sollën emigrimin e popullsisë sërbe, çka mandej rezultoi me përforcime të forcave sërbe në Kosovë, e se më pas filluan të vepronin edhe njësi paraushtarake sërbe dhe prandaj popullata shqiptare u arratis ose u dëbua në masë. Thuhet edhe se bombardimi i RFJ-së nga NATO-ja u ndërmor meqë pretendohej se forcat e sigurisë sërbe po kryenin spastrim etnik të shqiptarëve të Kosovës.
E vetmja masakër që prezentohet është ajo e Reçakut, madje edhe kjo e cilësuar si kontraverse. Sa u takon deportimeve, lexojmë se besohet që mbi 80% e tërë popullsisë kosovare u dëbua nga Kosova gjatë bombardimeve të NATO-s, por nuk mësojmë se kush i dëbonte refugjatët gjatë luftës. Citohen shifra për të vrarët, por as këtu nuk thuhet se cilat ishin formacionet që i kryenin këto vrasje.
Një hartë prezenton vetëm shkatërrimin e 39 kishave ortodokse sërbe pas luftës në Kosovë. Vetëm në hyrje të të njëjtit nënkapitull përmenden shkurtimisht 200 xhamitë dhe shtëpitë tradicionale të shkatërruara gjatë luftës në Kosovë nga forcat sërbe. Jepen detajisht dëmet materiale të shkaktuara prej sulmeve të NATO-s, por absolutisht asgjë për dëmet materiale të shkaktuara prej forcave sërbe.
Lufta ilustrohet me dy fotografi të dëmeve nga bombardimet e NATO-s nëpër Serbi, si dhe dy të refugjatëve shqiptarë në Maqedoni: në njërën janë rreth 20 refugjatë nga Kosova, e në tjetrën punonjës humanitarë, duke i ndihmuar refugjatët, të cilët, siç shkruhet aty “po iknin prej mizorive dhe bombardimeve ajrore”.
Dy dokumentet më të rëndësishme të vitit 1999 për Kosovën – Marrëveshja e Rambouillet-së dhe Rezoluta 1244 e OKB-së – paraqiten vetëm me nenet që janë përdorur dhe përdoren nga politika zyrtare sërbe. Për më shumë, kur prezentohet rezoluta e OKB-së, autorët i referohen Kosovës me emërtimin sërb “Kosova e Metohija”.
Sa u takon mënyrave të përkujtimit të luftës, prezentohen dy monumente, të dyja të ngritura në Beograd për viktimat sërbe të NATO-s, e asnjë monument për përkujtimin e shqiptarëve të vrarë nga forcat sërbe në Kosovë, e as për sërbët e vrarë nga pjesëtarët e UÇK-së. Nga të dënuarit dhe të liruarit prej Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, përmendet vetëm aktakuza për krime kundër njerëzimit ndaj Presidentit të RFJ-së Milošević, por jo edhe dënimi i udhëheqësve kryesorë politikë, ushtarakë e policorë sërbë, e as lirimi i komandantëve të UÇK-së.
Në këtë vëllim përmendet krejt telegrafikisht se në shkurt të vitit 2008 Kosova shpalli pavarësinë nga Sërbia dhe askund në gjithë vëllimin nuk jepet gjë lidhur me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për këtë shpallje. Madje, në disa kapituj e nënkapituj nuk ka absolutisht asgjë për Kosovën.
Seria e artikujve nga autori janë shkruar në kuadër të projektit “Analizë teksteve mësimore alternative të CDRSEE-së” të organizatës ADMOVERE, me mbështetje financiare nga Departamenti Federal Zviceran i Punëve të Jashtme, që vepron nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë, dhe nuk i pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.
Imazhi i ballinës: Marrë nga libri “Mësimdhënia e historisë moderne të Europës Juglindore” dhe përpunuar nga K2.0.