Sefedin Osmani u shpall fajtor sot, e hënë, më 12 tetor 2020, për vrasjen e rëndë dhe përdhunimin e 11-vjeçarit Kujtim Veseli, dhe u dënua me 25 vjet burgim, njoftoi Gjykata Themelore e Prishtinës.
Rina Kika, avokatja e familjes Veseli, tha për K2.0 se do ta apelojë vendimin për rritje të dënimit me burg për Osmanin. Gjykata ka theksuar se në bazë të kufizimeve në Kodin Penal nuk ka mundur të shqiptojë dënim të përjetshëm për Osmanin pasi ai ishte nën moshën 21-vjeçare kur i kreu krimet. Por ligji ofron mundësinë për dënim deri në 35 vjet, gjë që sipas Kikës nuk është marrë parasysh.
Kujtimi u gjet i vdekur më 11 korrik të vitit 2019, jashtë një ndërtese në lagjen Xhemajl Mustafa në Fushë Kosovë. Vdekja e tij vitin e kaluar nxiti protestën e parë të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas kundër racizmit institucional në Kosovë, duke kërkuar drejtësi dhe llogaridhënie nga shteti për jetën e djalit ashkali.
Autoritetet kishin qenë të njoftuara se fëmija ishte viktimë e dhunimit sistematik nga Osmani, i cili jetonte në të njëjtën lagje dhe kishte 26 kallëzime penale e 15 padi kundër tij — përfshirë një për vrasje.
Babai i Osmanit i tregoi Policisë së Kosovës se djali i tij e dhunoi Kujtimin më 31 janar 2019, por Policia e intervistoi Kujtimin vetëm muaj më vonë, në prill 2019, kur ai e pranoi se kishte abuzuar seksualisht me viktimën. Përkundër kallëzimeve penale dhe pranimit të fajit, Policia e Kosovës dhe Prokurori i rastit, Ruhan Salihu, e liruan Osmanin.
Salihu u dënua me zvogëlim prej 30% të pagës mujore prej 1,500 eurosh për gjashtë muaj.
“Kjo nënkupton se kur Policia, Prokuroria apo institucionet shtetërore njoftohen për rrezikun që i kanoset një personi nga një person tjetër, atëherë ata duhet të veprojnë për ta mbrojtur jetën e personit që kërcënohet apo i nënshtrohet lëndimit siç është abuzimi seksual apo abuzimi i mëtejshëm fizik”, tha Kika për K2.0 në korrik. “Në rastin e Kujtimit kemi të bëjmë me një seri shkeljesh të mbrojtjes së jetës së Kujtimit, që kanë rezultuar me fatalitet”.
Kika tha se si person ashkali, Kujtimi është dashur të ketë mbrojtje më të madhe nga shteti. Për shkak të kushteteve të tyre të vështira sociale dhe ekonomike, njerëzit që u përkasin grupeve të cenueshme në Kosovë duhet të kenë më shumë mbrojtje.
Raporti i Avokatit të Popullit i vitit 2019 vlerësoi se të drejtat e Kujtimit si fëmijë ishin shkelur nga institucionet e shtetit, dhe e bëri Prokurorinë përgjegjëse për neglizhim.
“Trupat hetues kanë dështuar që të jenë efektivë në arrestimin dhe dënimin e të dyshuarit, në vlerësimin e rastit, si dhe në vendosjen e masave ligjore për të siguruar praninë e të pandehurit në procedurat penale”, thuhet në raport.
Më 30 gusht 2020, Kika dhe aktivistë të tjerë për të drejtat e njeriut dorëzuan një peticion te institucionet shtetërore — të nënshkruar nga më shumë se 1,200 njerëz — i cili kërkonte drejtësi për Kujtimin. Ai u bë publik këtë vit, më 11 korrik, në përvjetorin e vdekjes së Kujtimit. Peticioni kërkon kërkimfalje publike të Prokurorisë dhe Policisë ndaj familjes së Kujtimit për neglizhimin e rastit dhe shkeljen e së drejtës së tij për jetë.
Peticioni po ashtu bën thirrje për fillimin e një hetimi të pavarur penal për prokurorët e zyrtarët policorë përgjegjës për rastin, dhe kompensim për shkeljen e të drejtave të njeriut që ka përjetuar familja e Kujtimit.
Në shtator, Kika dhe aktivistët prapa nismës Drejtësi për Kujtimin pranuan dy përgjigje në lidhje me peticionin. Si përgjigje ndaj kërkesës për kërkimfalje, Policia e Kosovës tha se ka zhvilluar trajnime me zyrtarët policorë për të ngritur kapacitetet e tyre në fushën e të drejtave të njeriut.
Po ashtu, ndërmorën procedura disiplinore ndaj dy zyrtarëve policorë — duke ardhur në përfundim se nuk ka pasur shkelje disiplinore nga zyrtarët. Në një komunikatë për media më 8 tetor, nisma Drejtësi për Kujtimin tha se përgjigjja e policisë është “refuzim në heshtje i kërkesës për kërkimfalje”.
Në ndërkohë, kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi në një përgjigje të shkruar ndaj fushatës, shprehu “keqardhje të sinqertë si Kryeprokurori i Shtetit, si prind dhe në fund të fundit si person, për mënyrën se si një i mitur humbi jetën”.
Megjithatë, nuk mori përgjegjësi për të filluar hetimin e zyrtarëve përgjegjës, dhe Prokuroria nuk kërkoi falje publikisht për neglizhimin e rastit.
Qeveria ende nuk është përgjigjur ndaj kërkesës për kompensim.
Kika dhe aktivistët e nismës Drejtësi për Kujtimin kanë ridërguar të gjitha këto kërkesa në institucionet shtetërore, Polici dhe Prokurori.K
Imazhi i ballinës: Pamje xhirimi nga arkivi i K2.0.