Miradije Gashi Sheremeti e themeloi OJQ-në Venera në vitin 2013, me mision ofrimin e shërbimeve ligjore pa pagesë si dhe përfaqësimin e grave kosovare të cilat përballen me vështirësi gjatë kërkimit të punës. Kur ajo u takua me K2.0 në zyrën e kësaj organizate në Pejë, me krenari i tregoi fotografitë e grave të cilat kanë punuar me organizatën, qoftë si avokate apo si kliente, dhe i ndau tregimet e sukseseve të tyre.
Por pasi që mbesin të padëgjuara shumë ankesa të cilat bëhen në emër të disa klienteve të saj, e qartë është se Sheremeti është shumë e zemëruar. “I kanë humbur të gjitha shpresat. Gjithçka është thyer. Ka mbet vetëm të ikin”, thotë ajo.
Gratë kosovare përballen me nivelin më të ulët të punësimit në Europë, vetëm 12.7 për qind. Edhe më shokues është fakti që vetëm 20 për qind e grave janë aktive në fuqinë punëtore, që do të thotë se 4/5 e grave në Kosovë nuk janë të punësuara, por as nuk janë duke kërkuar punë. Këto shifra janë edhe më të ulëta për gratë më të reja, më pak të arsimuara dhe të cilat jetojnë në zona rurale.
Duke i diskutuar këto trende shqetësuese me Luljeta Demollin, drejtoreshën ekzekutive të Institutit Kosovar për Studime Gjinore, ajo thotë se niveli i ulët i punësimit të grave ka qenë problem tash e disa vite, dhe se ngadalë situata po bëhet më e keqe se që ishte para luftës së vitit 1999. Pjesëmarrja në vitin 2002 ishte 35 për qind, ndërsa tash është 20 për qind.
Për këto shifra shpeshherë shihet si shkaktar fakti se niveli i papunësisë në Kosovë është përgjithësisht i lartë – në vitin 2017, 30.6 për qind e personave që janë ekonomikisht aktivë janë edhe të papunë – në mesin e niveleve më të larta në Europë. Megjithatë, nuk është më e mundur ta mohojmë atë se gratë përballen me dekurajim të veçantë kur kërkojnë punë, dhe se një reagim nëpërmjet politikave është i domosdoshëm.
Problemi i pasivitetit
Raporti i Bankës Botërore i vitit 2017 për trendet e tregut të punës në rajon tregoi se Kosova e kishte nivelin më të lartë të pabarazisë sa i përket përfshirjes së burrave dhe grave në tregun e punës. Duke përdorur të dhënat nga viti 2015, Banka Botërore raportoi se dallimi ishte 38.6 për qind në Kosovë, ndërsa Maqedonia doli e dyta me 25.5 për qind. Deri në vitin 2017, kjo pabarazi në Kosovë u rrit në 45.7 për qind.
Arsyet për ‘pasivitet ekonomik’ nuk janë aq të thjeshta, si për shembull që gratë nuk e shohin veten si ‘të aftë’ për të punuar, apo nuk kanë dëshirë të punojnë. Një studim që u zhvillua së fundmi nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale gjeti se gratë shprehin dëshirë për të punuar pothuajse poaq sa burrat, por kanë dyshime dhe ngurrime në lidhje me mundësitë e tyre.
Barra e punëve të papaguara, si ato të kujdesit, si dhe përgjegjësia e vazhdueshme që e ndiejnë gratë kosovare ndaj detyrave familjare, vazhdimisht janë cituar si pengesa kryesore për pjesëmarrjen ekonomike të grave në sondazhe të zhvilluara nga qeveria dhe organizatat ndërkombëtare të cilat e analizojnë këtë problem në rajon.
Miradije Gashi Sheremeti (majtë) ofron shërbime ligjore për gra të cilat duan të gjejnë punë, si për klienten e saj Fize Berishën (djathtë), e cila beson se gratë përballen me shumë diskriminim kur kërkojnë punë. Foto: Agan Kosumi / K2.0.
Të dhënat e grumbulluara në Sondazhin për Fuqinë Punëtore në Kosovë, që u zhvillua në vitin 2014, treguan se detyrat familjare ishin arsyeja më e theksuar – dhe mjaft përpara arsyeve tjera – për pasivitetin ekonomik të grave. Gratë e anketuara të cilat e përmendën këtë arsye vlerësohet se përbëjnë rreth 38 për qind të popullsisë femërore që janë në moshë të punës, në krahasim me 2.2 për qind të burrave që janë në moshë të punës dhe që e përmendën këtë arsye si pengesë.
Gjithashtu, shumë më shumë gra se burra thanë se janë ekonomikisht pasive për shkak se besojnë se nuk ka vende pune për to, dhe për këtë nuk është se nuk kanë të drejtë. Demolli thekson se mundësitë e grave për punësim janë aq të skajshme dhe rrogat aq të ulëta (shpeshherë 120-160 euro në muaj), sa që në shumë raste është më logjike nëse e shohim nga aspekti ekonomik që gratë të qëndrojnë në shtëpi.
Fize Berisha, e cila jeton në Pejë dhe ende është duke kërkuar punë stabile në fushën e saj – inxhinieri bujqësore – beson se “gratë janë diskriminuar shumë, veçanërisht në sektorin privat. Ato shtyhen në një pozitë ku as nuk aplikojnë për punë, sepse kushtet janë aq të papërshtatshme sa që më mirë e kanë të rrinë në shtëpi me fëmijët e tyre, se të humbin kohë nga 10-12 orë në ditë, e të mos paguhen për punë jashtë orarit”.
Ruajtja e situatës së ndarjes së profesioneve
Nocionet tradicionale të llojeve të punës profesionale që janë ‘të përshtatshme’ për burra dhe gra nuk janë vetëm përbërës të mendësisë popullore, por kanë ndikime konkrete te mundësitë e grave për punësim.
Gratë në Kosovë vazhdojnë të jenë të mbipërfaqësuara në sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe veshjeve. Më shumë gra punojnë në pozita të nivelit më të ulët dhe paguhen më pak. Pjesa më e madhe e punës që gratë e bëjnë formalisht është vazhdimësi e punëve të shtëpisë dhe kujdesit të cilat shoqëria i mëson t’i bëjnë nga mosha shumë e re.
A.D., e cila jeton në Pejë dhe është duke kërkuar pa sukses punë stabile tash e dy vjet, thotë se ekziston një ndarje në bazë të gjinisë që kërkohet nga punëdhënësit. “Për shembull, ka shumë thirrje për punësim të cilat nuk e specifikojnë se a është punë për burra apo për gra, dhe kur shkon në intervistë, të thotë se në fakt janë duke kërkuar burrë”, thotë ajo.
Një studim që u zhvillua së fundmi nga Instituti GAP gjeti se në shumë raste përdoret gjuhë që specifikon gjininë nëpër njoftime për punë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për pozita të nivelit të lartë, meqë gratë në këtë mënyrë dekurajohen të mos aplikojnë, edhe nëse janë më të kualifikuara se që kërkohet në njoftim.
Ndonëse pozitat e nivelit të lartë në institucione publiek shpeshherë i paraqesin titujt në formë mashkullore, pozitat e nivelit të ulët paraqiten në formën femërore. Ky problem është edhe më i theksuar në sektorin privat, ku gjuha për njoftime të punës shpeshherë haptas e specifikon gjininë që kërkohet për pozitë.
Jeton Mehmeti, Drejtor i Hulumtimit në Institutin GAP, tregon për K2.0 se pavarësisht ndikimeve të qarta që ka gjuha e kodifikuar në proceset e punësimit, ajo vazhdon të mos konsiderohet si shkelje e Ligjit për Barazi Gjinore nga autoritetet relevante.
Jeton Mehmeti i Institutit GAP beson se mungesa e ruajtjes së standardeve të rrepta në tregun e punës në Kosovë ka ndikim të veçantë te gratë. Foto: Agan Kosumi / K2.0.
Sektori privat nuk është e vetmja fushë në të cilën Ligji për Barazi Gjinore me sa duket zbatohet në mënyrë të dobët. Pavarësisht faktit se ky ligj urdhëron përfaqësim të barabartë në të gjitha organet ligjvënëse, ekzekutive dhe ato të drejtësisë brenda qeverisë, një raport që u publikua në muajin maj tregoi se 94 për qind e pozitave të nivelit të lartë në qeveri janë të mbuluara nga burrat.
Një raport i publikuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore në vitin 2017 gjeti se një prej pengesave më të mëdha që nuk i lejojnë gratë të punësohen në pozita vendimmarrëse është mendësia – ende besohet se burrat janë liderë më të mirë dhe tërheqin më shumë mbështetje politike.
Mehmeti thotë për K2.0 se dështimi i shërbimit civil sa i përket veprimit rrënjësor kundër problemeve të shkaktuara nga mungesa e formalitetit në tregun e punës në Kosovë ka ndikim të veçantë te gratë, dhe e pakëson pjesëmarrjen e tyre në fuqinë punëtore. Meqë inspektorët e punës janë të paktë, gratë mbesin të prekura nga diskriminimi i përhapur gjinor në të gjitha fazat e procesit të punësimit, si dhe nga ngacmimi dhe shfrytëzimi në vende të punës – e të gjitha këto ndodhin pa llogaridhënie.
E Berisha beson se në sektorin privat nuk ia vlen as të aplikojnë. “Nuk punon 8 orë, por zakonisht 10 ose 12”, thotë ajo për K2.0. “Mund të ta ndërrojnë vendin e punës e të të çojnë diku krejt tjetër, ka shumë pak ditë pushimi dhe gratë e kanë shumë të shkurtër pushimin e lehonisë. Nuk të lënë as ta ndryshosh ndërrimin nëse ke nevojë”.
Sheremeti, e cila i ka parë shumë prej klientet e saj duke u përballur me problemet e njëjta të informalitetit, beson se ky moszbatim i të drejtave të punës të grave në sektorin privat është problem i madh. “Shpeshherë as nuk të ofrojnë kontratë pune, e edhe nëse ta ofrojnë, nuk i përmbahen dhe nuk të paguajnë në mënyrë të drejtë”, thotë ajo. “I krijojnë kushtet për të të mbajtur në një pozitë ku ti punon për çfarëdo rroge që duan ata, në çfarëdo mënyre që duan ata, duke bërë çfarëdo që duan ata”.
A.D. thotë se një kohë punoi për pesë vjet në një zyrë, e tri vitet e para punoi pa kontratë pune. “Kur ma bënë kontratën, u çlirova. Më në fund isha e regjistruar si punëtore, por deri më sot ende nuk i kanë paguar kontributet e mia të pensionit. Unë isha punëtore e regjistruar për ato dy vite dhe për dy vite nuk i paguan kontributet e mia”.
“Institucionet ekzistojnë dhe ka inspektorë”, thotë Sheremeti, “por janë shumë jofunksionalë. Kemi shkuar dhe jemi ankuar, por nuk funksionojnë. Mund t’u shkosh me ligj në dorë dhe prap nuk bëjnë gjë”.
Mehmeti thotë se këto çështje mund të trajtohen me zbatim më të madh. “Kemi nevojë për kuota. Dhe jo vetëm kuota që i punësojnë gratë në punë të nivelit të ulët dhe pa perspektivë për ta zhvilluar karierën dhe për t’u avancuar në pozita më të larta që paguhen më shumë, por kuota që garantojnë përfaqësimin e grave në pozita të vendimmarrjes. Kur të punësohen gratë, punëdhënësit shpeshherë janë të kënaqur me performancat e tyre, dhe i punësojnë përsëri pa nevojë për kuota. Por është thelbësore që t’i krijojmë këto rrethana për gratë, që t’u jepet fillimisht nga një mundësi”.
Ndarja në arsim
Qendra për Studime të Tregut të Punës thekson se në krahasim me shtete tjera që janë në zhvillim e sipër, gratë në Kosovë janë në veçanti më të pafavorizuara se burrat sa i përket arsimmit dhe mundësive për punësim.
Sondazhi për Fuqinë Punëtore në Kosovë, i zhvilluar në vitin 2016, zbuloi një pabarazi shumë të theksuar ndërmjet mundësive të punësimit që i kanë burrat dhe gratë në bazë të nivelit të arsimit. Ndonëse nivelet e punësimit për gratë që e kanë kryer vetëm arsimin fillor u vlerësuan të jenë në 5 për qind, niveli për burrat me po këto kualifikime arsimore u vlerësua të jetë 30.2 për qind.
Prej grave që janë ekonomikisht aktive, ato që kanë arsim të nivelit universitar kanë nivel të punësimit në vlerën 48 për qind, ndërsa burrat me këtë nivel të arsimimit kishin nivel të punësimit në vlerë 68.7 për qind. Pra burrat me sa duket kanë shumë më shumë gjasa se gratë për t’u punësuar, pa marrë parasysh statusin e arsimimit të tyre, ndërsa për gratë që kanë kryer vetëm arsimin fillor, punësimi është pothuajse i pamundur.
Luljeta Demolli nga Instituti Kosovar për Studime Gjinore mendon se kur kërkon punë duhet ta kesh një stil shumë më ndryshe të jetesës nga realiteti që e jetojnë shumë gra kosovare. Foto: Agan Kosumi / K2.0.
Meqë arsimi është tregues i rëndësishëm për mundësitë e një gruaje për të gjetur punësim formal në Kosovë, ai pasqyron një ndarje të madhe ndërmjet grave që kanë qasje në punësim dhe grave që kanë pak shpresa për të gjetur punë. Demolli thekson dallimin më të madh e bën fakti se disa gra e zhvillojnë një lloj krejt tjetër të jetesës.
“Për të gjetur punë në ditë të sotit, duhet të kesh para, duhet të jesh e trajnuar, duhet të kesh jetë publike – të dalësh, të shoqërohesh, të kesh telefon”, thotë Demolli. “Të jesh e punësuar dhe të jesh e aftë të kërkosh punë është mënyrë e jetesës e cila është ndryshe nga ajo që e jeton një segment i madh i grave kosovare, dhe e vështirë është ta jetosh, sepse gratë këtu hynë në jetë dhe menjëherë janë në një situatë të pafavorshme në krahasim me burrat. Trashëgojnë vetëm 6 për qind të kapitalit të prindërve dhe përbëjnë vetëm 9 për qind të personave që kanë prona. Niveli i ulët i trashëgimisë e bën të qartë se pasuria, kapitali dhe paratë janë për burra”.
Përveç grave të shumta të cilat nuk kanë qasje në arsimim dhe nuk kanë shpresa për të hyrë në tregun formal të punës, në vitin 2015, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale raportoi se gratë të cilat kërkojnë punë janë mesatarisht më të kualifikuara se burrat në bazë të nivelit arsimor, dhe prapëseprapë kanë më pak gjasa për të gjetur punë.
Nëse gratë të cilat kërkojnë punë janë më të kualifikuara se kolegët e tyre meshkuj, kjo do të thotë se gratë e punësuara gjithashtu kanë mesatarisht arritje më të mira në arsim se burrat e punësuar, sepse kanë shumë më pak gjasa për të gjetur punë nëse nuk e kanë kryer nivelin e lartë të arsimit.
Kjo pabarazi është aq e theksuar saqë e përjashton dallimin e pagave ndërmjet gjinive në Kosovë, duke e bërë pothuajse joekzistues. Në vend se të shërbejë si dëshmi për barazi gjinore, ky dallim joekzistues i pagave ndërmjet gjinive tregon sa pak gra që nuk kanë kryer asimin e lartë kanë mundësi për punësim formal në krahasim me burrat, dhe nuk e shpjegon dallimin e madh në nivelin e pasurisë ndërmjet grave dhe burrave në Kosovë.
Në kërkim të politikave gjithëpërfshirëse
Një prej çështjeve më të diskutueshme sa i përket akomodimit për pjesëmarrje të grave në tregun e punës është pushimi i lehonisë. Iliriana Banjska, e cila punon si analiste gjinore në Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), thotë se në fund të vitit 2015, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ishte duke e rregulluar Ligjin për Barazi Gjinore, kur edhe kërkoi ndihmën e organizatës së saj.
RrGGK-ja i befasoi të gjithë duke propozuar shkurtimin e pushimit të lehonisë, sepse sipas përfaqësuesve të tij, ishte një prej arsyeve pse gratë janë ekonomikisht pasive. Meqë në tre muajt e parë kërkohej nga punëdhënësi që t’i paguante 70 për qind të rrogës së gruas, u krijua një barrë e madhe për sektorin publik, dhe kjo shkaktoi diskriminim gjinor.
Iliriana Banjska e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës ndihmoi me formimin e propozimeve të organizatës së saj për ta shkurtuar pushimin e lehonisë, duke argumentuar se do të ndihmonte në luftën kundër diskriminimit gjinor. Foto: Agan Kosumi / K2.0.
“E kemi parë se sa më gjatë qëndrojnë gratë në shtëpi gjatë pushimit të lehonisë, aq më të ulëta janë gjasat që ato të kthehen në punë, dhe aq më të larta që ato të vendosen në pozita më të ulëta se para shtatzënisë”, shpjegon Banjska. “Ose përballen me diskriminime tjera, si mosrespektimi i dispozitave për ushqim me gji apo orarit fleksibil të punës”.
Kur RrGGK-ja propozoi balancimin ndërmjet pushimit të lehonisë dhe pushimit të atësisë, Banjska tha se kjo nuk u mor seriozisht, pavarësisht faktit se u dëshmua me kalkulime se do të përfitonin financiarisht si familja, ashtu edhe sektori privat.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e refuzoi këtë sugjerim në vitin 2016. Në vitin 2017, ajo e fitoi një projekt të Shoqatës së Projekteve Europiane, që do t’i ndihmonte për t’i futur në fuqi në ligjin vendor direktivat e Bashkimit Europian që kanë të bëjnë me dispozitat e punës, përfshirë këtu dispozitat për pushime të prindërve gjatë shtatzënisë së gruas.
Dispozitat e BE-së për pushime të prindërve gjatë shtatzënisë së gruas kanë për synim minimizimin e diskriminimit gjinor nëpërmjet normalizimit të pushimit të atësisë. Banjska beson se kjo dispozitë është veçanërisht e rëndësishme meqë një prej arsyeve kryesore pse gratë nuk punësohen është për shkak se ato pyeten për planet familjare gjatë intervistimit.
“Dikur punëdhënësit do ta dinë se nuk ka rëndësi a janë duke intervistuar një burrë apo një grua – të dy mund të marrin pushim në qoftë se duan të bëhen prindër”, thotë ajo.
Sipas Sheremetit, këto pyetje për planet familjare shtrohen shumë shpesh gjatë procesit të punësimit, dhe vazhdimisht ndikojnë te mundësitë e grave për punësim. “Shpeshherë kur shkon në intervistë, e kanë si kusht që duhet të jesh 20, 30 apo 35-vjeçare. Por në këtë moshë gratë duan të krijojnë familje, dhe punëdhënësit, nëse e shohin se ajo është në një lidhje apo është duke filluar ta krijojë një familje, i largojnë nga puna. Tani, në moshën tonë, meqë veçse kemi lindur fëmijë, ata na shohin si të moshuara, dhe kështu nuk e paraqesim këtë problem për ta, por nëse na japin punë, na trajtojnë sikur të jemi për një përdorim”.
Këtë pikëpamje e ka edhe A.D., për shkak të përvojave të saj. Ajo është më e re dhe nuk dëshiron të bëjë fëmijë. “Jam duke i ndarë përvojat e mia sepse janë të lidhura ngushtë me realitetin. Nuk është se vetëm mua personalisht më ka ndodhur kjo”, thotë ajo. “Të pyesin: ‘A je e fejuar? A je në lidhje? Duan ta dinë se a do ta lësh punën në një kohë që është e papërshtatshme për ta, por këto janë pyetje personale”.
Ndonëse masat institucionale për garantimin e përfaqësimit të barbartë janë shumë të çmueshme, aktivistët dhe organizatat e grave theksojnë se përpjekjet për shtimin e nivelit të pjesëmarrjes së grave nuk do të jenë të suksesshme nëse nuk merremi me mënyrat në të cilat normat gjinore i formësojnë aftësitë e grave për të punuar në çdo fazë të jetës.
Gratë që janë në moshë të punës në Kosovë kanë katërfish më shumë gjasa për të mos gjetur punë për shkak të detyrave shtëpiake në krahasim me gratë në BE – gati 40 përqind në krahasim me mesataren e BE-së që është 10 për qind. Gratë do të vazhdojnë ta mbajnë pjesën më të madhe të barrës shtëpiake përderisa burrat nuk e ndajnë me to, dhe institucionet të cilat merren me kujdesin për fëmijë dhe për personat e moshuar janë të pakta.
RrGGK-ja deklaron se avancimi domethënës i të drejtave të grave mund të realizohet vetëm atëherë kur njihet vlera e kësaj pune, kur barra mbi gruan zvogëlohet, dhe kur ajo ndahet në mënyrë të drejtë me burrat, me komunitetet dhe me shtetin.K
Foto kryesore: Agan Kosumi / K2.0.
Ky publikim është prodhuar me ndihmën e Bashkimit Europian, si pjesë e një projekti të zbatuar nga Kosovo 2.0 dhe të mbështetur nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Dora Dorës. Përmbajtjet e këtij publikimi janë përgjegjësi e Kosovo 2.0 dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merren si pasqyrim i pikëpamjeve të Bashkimit Europian, Qendrës Kosovare për Studime Gjinore dhe Dora Dorës.