Në Kosovë, çdo ditë e më shumë po vihet theksi te të drejtat dhe liritë e individëve për t’u shprehur në mënyrë origjinale. Derisa njerëzit, që janë pjesë e komuniteteve të margjinalizuara gjithmonë kanë sfiduar institucionet dhe normat përjashtuese, ditëve të sotme avokimi i hapur për vlerat e gjithëpërfshirjes është më i pranishëm se kurrë. Vëmendja në individualitetin shprehës është e dukshme në aspekte të ndryshme, duke nisur nga pranimi i identiteteve të ndryshme gjinore dhe orientimeve seksuale deri te pranimi i besimeve unike personale.
Individualiteti shprehës është një koncept filozofik që thekson rëndësinë e vetë-shprehjes, autonominë personale dhe përmbushjen individuale. Ideja qenësore është që çdo person ka tipare, dëshira dhe synime unike që duhet të përqafohen dhe të pranohen. Kjo ideologji ka pasur ndikim të thellë në vlerat shoqërore, duke formësuar mënyrën se si individët e perceptojnë veten dhe ndërveprojnë me shoqërinë.
Për shumë njerëz LGBTQ+, individualizmi shprehës luan rol të rëndësishëm në vlerat shoqërore. Kjo ka fuqizuar shumë individë LGBTQ+ që identitetin e tyre ta shprehin me këmbëngulje dhe në mënyrë të pakompromis, duke sfiduar kështu normat shoqërore dhe duke avokuar për të drejta dhe pranim të barabartë. Megjithatë, është e rëndësishme të nënvizohet se derisa individualizmi shprehës ka sjellë ndryshime pozitive për shumë njerëz, ai gjithashtu ndërthuret me struktura dhe pabarazi më të gjera shoqërore. Jo të gjithë kanë mundësi të barabarta për t’u shprehur lirshëm, pa përjetuar diskriminim dhe margjinalizim në bazë të identitetit të tyre. Prandaj, derisa individualizmi shprehës ka kontribuuar në përparimin e të drejtave dhe dukshmërisë LGBTQ+, nevojiten përpjekje të vazhdueshme për t’i adresuar pengesat sistemike dhe për të siguruar barazi dhe pranim të plotë për të gjithë anëtarët e komunitetit.
Pengesat sistemike vazhdojnë në Kosovë. Një prej njerëzve që është shembull i këtyre pengesave është Duda Balje, deputete e Kuvendit të Kosovës dhe kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, e cila është përballur me thirrje për dorëheqje nga posti për shkak të gjuhës së saj përjashtuese dhe homofobike. Pavarësisht presionit në rritje nga avokuesit/et për të drejta të njeriut dhe grupet e shoqërisë civile, Balje i ka shpërfillur këto thirrje, duke vënë në pah paragjykimet e rrënjosura në strukturat politike dhe administrative të Kosovës.
Balje ka histori të gjatë me gjuhë të pandjeshme ndaj komunitetit LGBTQ+. Fjalët e saj nënçmuese i bëjnë shumë qytetarë/e të mos ndihen rehat. Megjithatë, në të njëjtën kohë, deklaratat e saj publike kanë frymëzuar përpjekje për t’i sfiduar keqkonceptimet dhe për ta theksuar tutje imperativin moral se diskriminimi është padyshim gabim dhe nuk i përket shoqërisë sonë.
Në demokracinë tonë funksionale, ku pranimi dhe barazia përmenden si vlera themelore, është dëshpëruese të shohësh që një person publik përjetëson diskriminimin dhe hipokrizinë. Pavarësisht se vetë i takon një minoriteti — anëtare e komunitetit boshnjak të Kosovës — komentet e zëshme të Baljes, që kundërshtojnë vlerat LGBTQ+, përçojnë mesazh të dëmshëm për komunitetin LGBTQ+, duke përforcuar nocionin se identitetet tona nuk janë vetëm të padëshirueshme, por edhe të shfrytëzueshme për përfitime personale.
Dinjiteti i çdo personi duhet respektuar
Faktorët ekonomikë si rritja e kostos së jetesës dhe paqëndrueshmëria financiare kanë ndikim të rëndësishëm në drejtësinë sociale dhe barazinë për komunitetin LGBTQ+. Derisa presionet ekonomike rriten, komunitetet e margjinalizuara, përfshirë individët LGBTQ+, shpesh mbartin peshën më të rëndë. Diskriminimi i bazuar në orientim seksual dhe identitet gjinor shpesh çon në margjinalizim në tregun e punës dhe vështirësi në sigurimin e mundësive të qëndrueshme për punësim e zhvillim. Siç tha një shoqe së fundmi: “A s’duhet të jetë prioriteti kryesor i zonjës Balje, me doktoraturën e saj në ekonomi, me pozitën dhe ekspertizën që ka, të trajtojë pabarazinë ekonomike dhe të luftojë për një shoqëri më të barabartë ku të gjithë individët, përfshirë dhe unë, të kenë mundësi të barabarta për t’u zhvilluar ekonomikisht?”
Faktorët socio-psikologjikë, stigma e vazhdueshme dhe diskriminimi mund t’i përkeqësojnë ndjenjat e izolimit, frikës dhe turpit të përbrendësuar në mesin e individëve LGBTQ+, duke ndikuar ndjeshëm në shëndetin e tyre mendor dhe cilësinë e përgjithshme të jetës. Qëndrimet në zhvillim ndaj komunitetit LGBTQ+ mund të ndikojnë thellësisht në marrëdhëniet ndërpersonale, me pranimin ose refuzimin nga familja, shoqëria dhe bashkëmoshatarët, që luajnë rol kryesor në formësimin e ndjenjës së përkatësisë dhe të të qenit i/e pranuar. Jo shumë kohë më parë, një shoqe transgjinore më tregoi se duke qenë vetvetja, ajo humbi shumicën anëtarëve të familjes dhe shoqërinë e fëmijërisë, por tani ka ndërtuar familje të re dhe ka shoqëri në të cilët mund të mbështetet.
Ka kufij në nivelin e poshtërimit që njerëzit LGBTQ+ mund ta durojnë. Pa mbrojtje ligjore edhe aktivitete krejt të thjeshta, si shkuarja në një bankë për të marrë një kredi si çift ose kërkimi i kujdesit mjekësor në një spital mund të jenë përvoja jashtëzakonisht të parehatshme. Të drejtat themelore, që shumë i marrin si të mirëqena, bëhen ëndrra të largëta për këto çifte. Frika nga poshtërimi dhe refuzimi bëhet e dukshme në çdo ndërveprim, duke i hedhur hije edhe një aktiviteti që duhet të jetë krejt i zakonshëm. Edhe diçka aq intime, si marrja e vendimeve mjekësore për njëri-tjetrin në kohë sëmundjesh ose planifikimi për të ardhmen duke trashëguar ligjërisht pronën e njëri-tjetrit, mbushet me pasiguri dhe cenueshmëri. Këta individë veprojnë në një peizazh ku të drejtat e tyre nuk mbrohen me ligj, gjë që i lë ata në një situatë që është as këndej, as andej dhe si rrjedhojë, torturuese. Ky realitet s’është asgjë më pak se i neveritshëm.
Të kuptuarit e hipokrizisë nënkupton njohjen e kontradiktës mes besimeve ose parimeve të deklaruara dhe veprimit ose sjelljes së dikujt. Në vend që t’i mbështesë parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit, Balje, si kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, kundërshton nismat që synojnë përparimin e të drejtave LGBTQ+ duke përmendur bindjet personale, që bien ndesh me misionin e institucionit. Ky shembull i përkryer i hipokrizisë është një kujtesë kthjelluese e rreziqeve që paraqesin individët që tradhtojnë besimin që u jepet dhe i japin përparësi paragjykimeve personale mbi të drejtat themelore të të tjerëve.
Hipokrizia e Baljes vë në pikëpyetje përshtatshmërinë e saj për rolin që i është besuar — mbrojtja e të drejtave të njeriut. Si mund të jetë dikush mbrojtëse e barazisë dhe drejtësisë, duke kontribuuar aktivisht në margjinalizimin e një komuniteti të caktuar? Përparimi i vërtetë drejt barazisë dhe gjithëpërfshirjes kërkon që individët në pozita të pushtetit të ballafaqohen me paragjykimet e veta, të pranojnë privilegjin e tyre dhe të punojnë në mënyrë aktive drejt zhbërjes së sistemeve të shtypjes. Çdo gjë që është më pak se kaq vetëm e përjetëson ciklin e diskriminimit dhe minon vetë parimin e të drejtave të njeriut, që njerëzit e tillë janë të thirrur t’i mbrojnë.
A do të mund shoqëria ime të llogarisë ndonjëherë në ty?
Krejt këto gjëra më shtyn ta pyes veten, zonja Balje, a do të mund shoqëria ime të llogarisë ndonjëherë në ty?
Në rast se nuk e dini, termi LGBTQ+ përfshin një spektër të larmishëm identitetesh, secili/a me përvojat dhe sfidat e veta unike. Nga lezbiket, homoseksualët, biseksualët, transgjinorët dhe individët queer tek ata që identifikohen si jobinarë apo me gjini-queer, komuniteti ynë është i shumëllojshëm sa edhe vetë njerëzimi. Megjithatë, pavarësisht nga ky diversitet, ne të gjithë ndajmë një dëshirë të përbashkët — të trajtohemi me dinjitet.
Në shoqërinë tonë, zonja Balje, termi LGBTQ+ shpesh ndez debate të nxehta, të kanë të bëjnë me orientimin seksual, barazinë martesore dhe identitetin gjinor. Megjithatë, për shumë persona LGBTQ+, ky term nuk është temë për debat. Është një pjesë e brendshme e asaj që jemi: mjekë/e, të papunë/a, mësues/e, artistë/e, bariste/e, aktivistë/e, punonjës/e seksi dhe shumë më shumë, me shpresa, ëndrra dhe synime njësoj si kushdo tjetër. Ne dëshirojmë të shihemi si individë, jo si stereotipe apo karikatura dhe sigurisht jo si pakicë që duhet gjykuar a mësuar. Dhe identitetet tona nuk duhet të bëhen çështje për debat, por të festohen dhe të përqafohen si një komunitet i larmishëm.
Ajo çfarë ne kërkojmë nuk është vërtetim apo miratim, por respekt bazë dhe njohje ligjore nga vendi ynë. Individët LGBTQ+ janë përballur prej kohësh me diskriminim dhe antipati publike, por teksa shoqëria përparon, bashkë me të përparon edhe dukshmëria dhe pranimi i këtij komuniteti të larmishëm. Çdo vit që kalon, më shumë individë LGBTQ+ dalin nga errësira dhe hyjnë në sferën publike, duke sfiduar stereotipet dhe duke riformësuar perceptimet.
Në të vërtetë, një aspekt i dukshëm i këtij evolucioni është rritja e dukshmërisë së individëve transgjinorë. Sot, ka më shumë transgjinorë në sferën publike se kurrë më parë. Kjo dukshmëri e shtuar zhbën stereotipet dhe siguron përfaqësimin shumë të nevojshëm të njerëzve transgjinorë.
Duke u mbështetur në shembuj nga historia, socio-psikologjia, ekonomia dhe ndërgjegjësimi social, komunitetet që ofrojnë strategji praktike për promovimin e gjithëpërfshirjes, kultivojnë ndjenjën e përkatësisë dhe diversitetin e festojnë si burim force e jo si shkak për përçarje, janë më të forta, më të ndërlidhura dhe reciprokisht përfshirëse.
Zonja Balje, është e zakonshme që njerëzit të kenë frikë nga e panjohura, qoftë kjo e lidhur me kombësinë, fenë, apo diçka krejt të thjeshtë si njerëzit LGBTQ+. Megjithatë, e di që ke pasur mjaftueshëm kohë të njihesh me komunitetin tonë të larmishëm.
Do ta kuptoja nëse do të hezitoje të porosisje një Sangiovese, Pouilly-Fumé ose një soufflé kulumbrie sepse të frikësojnë emrat e tyre. Por ne s’jemi emra pijesh a ëmbëlsirash për të pasur frikë prej nesh. Jemi qenie njerëzore, ashtu siç je ti ose komshiu yt. Kemi një kafene, dy qendra komunitare, një paradë vjetore dhe një festival queer. Mos u bëj një shpirt i humbur dhe i ngujuar. Ardhja jote në ndonjë nga këto ngjarje ndoshta do të të ndihmonte ta heqësh një shtresë të frikës që mund të kesh rreth nesh dhe komunitetit tonë.
Kur individët i japin përparësi lumturisë dhe përmbushjes personale, ata/o bëhen më të prirur t’i mbrojnë të drejtat dhe liritë e të tjerëve, duke pranuar se aftësia për të jetuar në mënyrë origjinale është qenësore për mirëqenien e përgjithshme.
Sekreti i pavdekësisë, zonja Balje, është të mos e pranosh kurrë mposhtjen. Ne do të jemi gjithmonë njerëz LGBTQ+. Ne kurrë nuk do të zmbrapsemi, edhe kur përballemi me motive të fshehta.
Sa magjepsëse është ta kemi historinë në anën tonë. Ke dëshmi gjithandej. Vende të tjera ia kanë dalë dhe jeta ka vazhduar. Zotrat nuk i mallkuan ata/o e të drejtat e lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve, transgjinorëve dhe njerëzve queer nuk i lanë anash të drejtat heteronormative. Nuk ka asnjë formulë magjike për t’i kthyer njerëzit në homoseksualë — kjo shkon vetëm me të lindur. Nëse kjo s’mjafton, çka ndodhi me mirësjelljen? Respektin për dinjitetin njerëzor?
Zonja Balje, individët LGBTQ+ vazhdojnë të përballen me diskriminim, dhunë dhe pengesa sistemike për të pasur qasje në barazi. Lufta për të drejtat e LGBTQ+ nuk ka përfunduar dhe kërkon mbrojtje të vazhdueshme, edukim dhe aleatë. Është detyrë e të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë që në mënyrë aktive të punojnë drejt krijimit të hapësirave gjithëpërfshirëse ku individët LGBTQ+ mund të jetojnë në mënyrë origjinale dhe pa frikë. Derisa njerëzit LGBTQ+ vazhdojnë t’i mbrojnë të drejtat e tyre dhe të kërkojnë barazi, është qenësore që shoqëria ta përqafojë diversitetin, t’i sfidojë paragjykimet dhe të punojë drejt një të ardhmeje ku të gjitha qeniet njerëzore vlerësohen dhe respektohen, pavarësisht orientimit të tyre seksual ose identitetit gjinor.
Nuk po shpërndaj teori konspirative këtu; Thjesht besoj se është koha që shoqëria ta kuptojë se dashuria nuk njeh kufij. Për njerëzit LGBTQ+, një shkëputje e lehtë nga vetmia ka fuqinë për ta ndriçuar një jetë të jetuar në hijet e margjinalizimit. Përgjithësisht, dashuria shumë shpesh mbart kushte dhe gjykime, por për ne, ato momente lidhjeje kanë një rëndësi të pamatshme.
Pavarësisht a është prekja ledhatuese e dorës së një partneri/eje, e qeshura e përbashkët në një komunitet që na pranon, apo akti i thjeshtë i të ndierit se të tjerët të shohin e të duan për atë që je, këto momente ofrojnë pushim nga vetmia që mund ta karakterizojë jetesën në një botë që jo gjithmonë na pranon plotësisht. Në këto raste të çmuara, pesha e pritshmërive shoqërore dhe e refuzimit mund të largohet për një çast, duke na lejuar të zhytemi në ngrohtësinë e shoqërisë së vërtetë, duke na kujtuar se dashuria jonë është e vlefshme dhe meriton të festohet.
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.
Ky artikull është prodhuar në bazë të monitorimit të medies, i kryer nga Rrjeti i Raportimit të Diversitetit, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
—
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.