Zotimet e partive për sistemin e mbrojtjes sociale
K2.0 analizon programet zgjedhore.
Sistemi i skemave sociale në Kosovë është një mish-mash që është arnuar ndër vite. Nga viti 2001, kur filloi ridizajnimi i skemave sociale, fillimisht ai pensional, ndër vite, sistemi është zgjeruar me rregullore e dokumente të reja ligjore ku janë përfshirë skema të veçanta, që përmbajnë kritere të ndryshme për përfitim të mbështetjes financiare nga buxheti shtetëror.
Sot, ky sistem përmban 22 skema të veçanta, që përfshijnë, ndër tjera, prej skemës së ndihmës sociale, asaj për veteranë e familje të dëshmorëve të luftës, deri te ato për personat paraplegjikë e tetraplegjikë e viktimat e dhunës seksuale të luftës.
Në thelb, sistemi i mbrojtjes sociale do duhej të adresonte: lehtësimin e varfërisë, përmirësimin e aftësive dhe mundësive të qytetarëve për t’u integruar në tregun e punës, si dhe përmirësimin e produktivitetit ekonomik. Andaj, mbrojtja sociale zakonisht përqendrohet rreth katër shtyllave: ndihmës sociale, shërbimeve sociale, sigurimit social dhe programeve të tregut të punës. Por në Kosovë, mbrojtja sociale përqëndrohet kryesisht te mbështetja (transferet) financiare dhe mungojnë gjerësisht sigurimet sociale e programet e tregut të punës.
Në Kosovë, mbështetjet financiare brenda 22 skemave të ndryshme targetojnë grupe të ndryshme shoqërore. Për shembull, skema e ndihmës sociale targeton specifikisht varfërinë dhe do të duhej të shërbente si masë e përkohshme për t’u mundësuar qytetarëve përfitues mobilitet social, krahas programeve tjera të ofruara nga shteti, si trajnimet dhe subvencionimi i pagës në punë. Skema për persona me aftësi të kufizuara, ndërkohë, targeton qytetarët me ndonjë aftësi të kufizuar, që mund t’ua vështirësojë punësimin. Por këto skema, ngjashëm me disa skema tjera të veçanta, ofrohen vetëm deri në momentin kur përfituesi/përfituesja punësohet.
Kriterit i punësimit, i lidhur ngushtë me qasjen në disa skema, ndër vite ka qenë një ndër arsyet për mirëmbajtjen e tregut joformal të punës, me ç’rast qytetarët që përfitojnë nga skemat me këtë kriter, kanë punuar pa kontrata pune, që të mos e humbin mbështetjen financiare nga shteti. Përveç kësaj, kriter tjetër që është diskutuar është edhe pamundësia për të përfituar nga dy skema, kryesisht skema e pensionit bazik dhe një skeme tjetër, për shembull edhe atë të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.
Andaj, siç është dizajnuar tash, mbështetja financiare që ofrohet brenda skemave, më shumë mund të shihet si “mjet mbijetese” sesa si mbështetje për mbrojtje sociale në përgjithësi, si dhe për mobilitet social, në veçanti.
Mosadresimi i problemeve të sistemit krahas nxjerrjes së vazhdueshme të skemave të veçanta nga qeveritë e njëpasnjëshme shpeshherë është cilësuar “blerje e paqes sociale”, ku për të akomoduar grupe të ndryshme, sistemi ka përfunduar duke qenë i një bashkësi skemash të arnuara. Derisa nuk ka pasur ndonjë nismë për reformimin e sistemit të mbrojtjes sociale në tërësi, kanë ekzistuar disa nisma për reformimin e skemës së ndihmës sociale — një nga 22 skemat — nga qeveri të ndryshme.
Kjo skemë është e vetmja që targeton specifikisht varfërinë dhe synon zbutjen e saj, e është ndër skemat që më së paku mbulon ata që i targeton. Kritika kryesore nga BB për këtë skemë është se ajo nuk i përfshin të gjithë qytetarët që kanë nevojë për të, shkurajon punësimin meqë familjet largohen nga skema kur një anëtar punësohet dhe se shumat e dedikuara në kuadër të skemës nuk i mbulojnë as për së afërmi nevojat e përfituesve.
Nga skema e ndihmës sociale përfitojnë rreth 18,000 familje. Por, nga 500 milionë euro nga buxheti shtetëror që u dedikohen të gjitha 22 skemave, skemës së ndihmës sociale i shkojnë vetëm rreth 40 milionë euro (para rritjes së tetorit 2024). Anipse ky numër i familjeve përfituese shënon ulje për 10% në krahasim me vitin 2023, skema e tanishme e ndihmës sociale nuk i mbulon të gjitha familjet e varfëra. Sipas raportit të BB për Kosovën për vitin 2022, teksa rreth 7% e popullsisë së përgjithshme përfiton nga skema e ndihmave sociale, shkalla zyrtare e varfërisë është rreth 20%. Kjo i bie që vetëm një në tre persona në shtresën e ulët marrin ndihmë sociale.
Familjet me një anëtar marrin 60, ndërkohë familjet me 15 anëtarë marrin 180 euro. Familjet që përfitojnë nga kjo skemë, marrin pesë euro në formë të shtesës për fëmijë deri në 18 vjeç.
Praktika konsistente e të gjitha qeverive, që prej pasluftës deri tash, ka qenë rritja e shumës së përfitimit që qytetarët marrin në këto skema. Por, në mënyrë të vazhdueshme, qeveritë, njëra pas tjetrës, kanë dështuar t’i adresojnë problemet rrënjësore në këtë sistem. Adresimi i këtyre problemeve do të mundësonte mbulueshmëri më të gjerë të të gjithë qytetarëve në nevojë duke e përmirësuar targetimin, krijimin e politikave të qëndrueshme me qëllim rritjen e mobilitetit social, ku mbështetja financiare nga shteti nuk do të ishte e menduar vetëm si mjet mbijetese.
Ligji për skemën e ndihmës sociale
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, fondet e papunësisë shërbejnë si rrjete sigurie sociale. Këto fonde zakonisht financohen dhe mirëmbahen përmes kontributeve të ndaluara nga të ardhurat e punëtorëve dhe punëdhënësve. Përfitimi i papunësisë (PP) ofrohet për ata që kanë humbur punën në sektorin formal, për të kompensuar humbjen e përkohshme të të ardhurave gjatë kërkimit të një pune tjetër.
Kriteret e kualifikimit për përfitimin e papunësisë ndryshojnë sipas vendit. Në Mal të Zi, individi duhet të ketë qenë i punësuar formalisht për të paktën 9 muaj të pandërprerë ose me ndërprerje gjatë 18 muajve të fundit. Në Shqipëri dhe Serbi, kërkohet një periudhë kontributi prej të paktën 12 muajsh. Kohëzgjatja e përfitimit gjithashtu varion; në Bosnjë dhe Hercegovinë, individi mund të përfitojë deri në 24 muaj, ndërsa në vendet e tjera të rajonit, periudha maksimale është 12 muaj, bazuar në periudhën e kontributit. Metodat e llogaritjes së përfitimit përfshijnë një raport të pagës minimale ose një përqindje të të ardhurave të individit nga muajt e fundit.
Asnjëra nga partitë kandiduese për këto zgjedhje nuk ka treguar vizion për reformimin e sistemit në tërësi, i cili do të ofronte mbrojtje më të qasshme sociale për grupe të ndryshme shoqërore. Programet zgjedhore përmbajnë premtime e zotime për disa skema të veçanta të shpërndara aty-këtu, teksa disa tjera prezantojnë skema të reja, por mirëmbajnë kryesisht skemat ekzistuese.
Një propozim i ri që vihet re në këto programe zgjedhore të tri partive më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK), e cila garon në koalicion me Nisma Socialdemokrate — është fondi i papunësisë apo sigurimi në rast papunësie. Kjo skemë e re do të ishte diçka e re në Kosovë, ndonëse e pranishme në të gjitha vendet e rajonit.
Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme 2025, K2.0 analizoi planet e këtyre tri partive politike.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk e ka publikuar ende programin zgjedhor, andaj, K2.0 do të shqyrtojë hapat që ka marrë gjatë qeverisjes së vendit në katër vitet e fundit dhe të shohë se çka na thotë kjo për qeverisjen deri sot dhe çka ka gjasa të bëjnë nëse marrin një mandat tjetër.
Orientimi i LVV në katër vitet e fundit
Gjatë katër viteve të fundit, qeveria e udhëhequr nga LVV nuk është marrë me reformimin e sistemit në tërësi. Ajo ka targetuar vetëm njërën skemë, atë të ndihmës sociale, derisa veprimet që ka ndërmarrë në disa skema tjera kanë qenë vetëm rritje të shumës që qytetarët/et nga përfitojnë to.
Sa i përket skemës së ndihmës sociale, në mbështetje të BB, LVV nisi pilotimin e reformës të kësaj skeme e që nënkupton një testim fillestar në shkallë të vogël për të vlerësuar efektivitetin dhe për të identifikuar përmirësime para zbatimit të plotë.
Ky pilotim do të bëjë testimin e varfërisë te 1,824 familje për të parë nëse gjendja e tyre ekonomike përkon me atë të deklaruar — jo rrallë ka ndodhur që gjendja e deklaruar të mos përkojë me gjendjen faktike. Pilotimi i kësaj reforme parasheh mbështetjen e këtyre familjeve që të integrohen në tregun e punës.
Ky pilotim po ashtu largon dy kriteret e vëna nga ligji i vitit 2003 për Ndihmë Sociale, që përjashtonin nga skema familjet që nuk kanë më fëmijë nën pesë vjeç, si dhe ata që kanë një anëtar të familjes të punësuar. Këto dy kritere shpeshherë kanë lënë jashtë kësaj skeme qindra familje të varfëra. Pilotimi parasheh që kriter kryesor për qasje në skemë të jetë varfëria e familjeve, pavarësisht a kanë ndonjë të punësuar.
Ndryshimet që i sjellë kjo fazë pilotimi do të përjetohen vetëm prej 1,824 familjeve, teksa nga kjo skemë, në nëntor 2024, përfituan 18,226 familje. Përmes pilotimit të kësaj reforme, qeveria po ashtu do të subvencionojë 70% të pagës bruto deri në 350 euro në muaj për gjashtë muaj për anëtarin e punësuar nga familjet pjesëmarrëse në këtë pilotim. Për punëdhënësit që vazhdojnë angazhimin e punëtorëve edhe për gjashtë muaj të tjerë, ofrohet një shpërblim i njëhershëm prej 20% të mesatares së pagave të punëtorit gjatë gjashtë-mujorit të dytë.
Gjithsesi, rruga për te reformimi i plotë i skemës së ndihmës sociale është e gjatë, siç dëshmoi edhe vetë procesi i finalizimit të marrëveshjes për pilotim. LVV kishte nënshkruar një kredi prej 47 milionë eurosh me BB qysh në tetor 2021, pasi kishte kërkuar mbështetje financiare dhe ekspertizë nga BB për të reformuar këtë skemë. U deshën edhe tri vjet tjera që marrëveshja të ratifikohej në Kuvend, pasi partitë opozitare e kishin kundërshtuar për shkak që LVV do të përdorte 43 milion të kredisë për të mbuluar pagesa direkte për përfituesit. Instituti GAP, atëbotë, tërhiqte vëmendjen se marrja e kredisë për qëllime të tilla mund të krijojë një precedent të dëmshëm për menaxhimin e financave publike në të ardhmen.
Ndërkohë, sa i përket reformimit të skemës, kredia e dhënë nga BB, mbulon vetëm fazën e pilotimit teksa për ta shtrirë te të gjitha familjet në nevojë e për reformë të plotë duhet buxhet shtesë. LVV nuk ka publikuar ndonjë plan për fazën përtej pilotimit, që do të arrinte njëmend reformë të plotë të kësaj skeme.
Një tjetër nismë e qeverisë së udhëhequr nga LVV që ka targetuar specifikisht familjet pa asnjë të punësuar, ka qenë “Qeveria për familjet”, e cila u lansua së pari në vitin 2022, si pjesë e pakos së Ringjalljes Ekonomike. Përmes kësaj nisme u mbulua 70% e pagës bruto deri në 300 euro, për 6 muaj, për një anëtar të punësuar të familjes. Sipas qeverisë, 4,100 familje kanë përfituar nga kjo masë. Kjo mund të jetë një nga arsyet pse numri i familjeve që përfitojnë nga skema e ndihmës sociale ka rënë për 10% nga viti 2023, pasi familjet me një të punësuar nuk mund të përfitojnë nga skema e ndihmës sociale.
Por, megjithëse kjo politikë prezantoi një ndër elementet bazë të mbrojtjes sociale, është e vështirë të kuptohet qëndrueshmëria e kësaj politike në sistemin e tërësishëm të mbrojtjes sociale përderisa nuk adresohen edhe elementet tjera si reformimi i tërësishëm i ndihmës sociale, shërbimet sociale e sigurimet sociale.
Pos kësaj politike dhe pilotimit të reformës së skemës së ndihmës sociale, veprimet tjera të LVV kanë qenë në rritjen e shumës që përfitojnë qytetarët/et nga skemat e financuara nga buxheti shtetëror. Në këtë drejtim, gjatë mandatit qeverisës, LVV intervenoi dy herë.
Së pari, në vitin 2022, kur vendosi që të gjitha pensionet që janë nën 100 euro të rriten në 100. Kjo rritje preku katër skema në tërësi — pensionin bazik, që ishte 90 euro edhe tri skema tjera: pensionet e aftësisë së kufizuar që ishin 74 euro, pensioni familjar dhe ai invalidor i punës që ishte 90 euro.
Hera e dytë ishte në tetor 2024, kur qeveria mori vendim që ta rrisë mbështetjen financiare për 20% në të 22 skemat e sistemit të mbrojtjes sociale. Kjo bëri që buxheti që mbulon këto skema të rritet nga 500 në 600 milionë euro. Këto intervenime nuk e prekën skemën e ndihmës sociale.
Pos këtyre, LVV po ashtu ka ndarë asistenca të njëhershme prej 100 eurosh për pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale disa herë gjatë mandatit qeverisës.
E për reformën e sistemit të skemave të financuara nga shteti, kryeministri aktual dhe kandidati i LVV edhe për një mandat, Albin Kurti ka premtuar se do ta bëjë gjatë mandatit të ardhshëm potencial, por pa dhënë detaje.
Veprimet e LVV si parti në pushtet gjatë katër viteve të fundit mund sinjalizojnë në dy drejtime se si mund të duket një mandat i dytë në këtë fushë: drejtimi i parë konsiston në intervenime ad-hoc në rritjen e mbështetjes financiare që marrin qytetarët/et nga skemat e financuara nga shteti dhe i dyti, reformim të pjesshëm të sistemit të mbrojtjes sociale por jo edhe një reformë tërësore të këtij sistemi.
Programi zgjedhor i LDK
As LDK nuk parasheh reformimin e sistemit të mbrojtjes sociale aktuale në tërësi, por propozon masa për skemat ekzistuese dhe prezanton skema të reja të mbrojtjes sociale. LDK propozon riorganizimin e mbrojtjes sociale, më shumë për nga aspekti i kategorizimit të saj në katër shtylla, në ata e quajnë “reforma e arkitekturës pensionale”. Por, nga dizajni i shtyllave, vihet re që nuk parasheh ndonjë reformim rrënjësor i skemave të financuara nga buxheti shtetëror.
Për shembull, në shtyllën e parë “Shtyllën A” vazhdojnë të mbulohen të gjitha ato skema që financohen nga buxheti i shtetit, të cilat janë të rregulluara me ligje të veçanta — përkatësisht, 22 skemat e tanishme (përveç pensionit bazik, për të cilin LDK parasheh reformë, të elaboruar më poshtë). Teksa shtylla A, C dhe D do t’i mbajnë shtyllat e tanishme të sistemit pensional: tek shtylla C do të hynin kontributet obligative pensionale), teksa te shtylla D do të përfshiheshin sigurimet vullnetare pensionale dhe shëndetësore në treg.
Ndryshimet kryesore parashihen në shtyllën B.
Në kuadër të Shtyllës B, LDK prezanton sigurimet sociale, ku hyjnë sigurimet sociale si pensioni i moshës, invalidor i punës, familjar, mbrojtja prindërore, mbrojtja nga papunësia e pushimi mjekësor. Për mbulimin e Shtyllës B, LDK parasheh të përcaktojë një kontribut shtesë për secilin të punësuar dhe punëdhënës në Kosovë, që e parashohin të variojë nga 1.5% deri në 2.5%. Por, këtij hapi, sipas LDK, duhet t’i paraprijnë reformat në formalizimin e tregut të punës.
Por, një ndryshim thelbësor është që LDK propozon ta bartë pensionin bazik të moshës në shtyllën B, pra të paguhet përmes kontributeve shtesë nga punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe mos të ofrohet krejtësisht nga buxheti shtetëror. Kjo mund ta rikthejë parimin e njohur pensional që aplikohet më gjerësisht të njohur si Pay As You Go (PAYG). Sipas PAYG, në emër të solidaritetit mes gjeneratave, gjenerata e sotme paguan për pensionet e mos hës së gjeneratës së pensionuar, ndërkaq gjeneratës së sotme pensionet ia paguan gjenerata e ardhshme. Kështu, buxheti shtetëror nuk e ka barrën financiare të mbulimit të pensioneve, sidomos marrë parasysh që popullsia në plakje është në rritje.
Programi zgjedhor i PDK & koalicioni i prirë nga AAK
PDK nuk zotohet për ndonjë reformë të sistemit të skemave sociale. Ndërhyrjet e kësaj partie, së pari, janë ndërhyrje në shumën e përfitimit të skemave ekzistuese, specifikisht pensionit bazik, atë të veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve, si dhe të ndihmës sociale. Te dy të parat parashohin rritje të shumës së përfitimit, teksa te ajo e ndihmës sociale prezantojnë edhe një program përcjellës që, sipas tyre, do ta ulë varësinë nga kjo skemë.
PDK premton rritje të pensionit bazik të moshës nga 120 në 200 euro dhe rritje të pensioneve kontributdhënëse me 30%. Një tjetër prioritet i PDK-së është mbështetja e veteranëve dhe familjeve të tyre. Mbështetjet për kategoritë e luftës, përfshirë familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, sipas PDK, do të rriten me 50%.
Aktualisht, këto kategori të luftës janë të obliguara të zgjedhin që të përfitojnë vetëm nga një skemë. Për shembull, një qytetar/e që ka dalë në moshën e pensionimit, duhet të zgjedhë mes pensionit bazik të moshës ose përfitimit nga skemat tjera. PDK premton që do ta heqë këtë kriter duke ua mundësuar atyre t’i marrin pensione nga dy skema njëkohësisht. Ngjashëm, PDK zotohet t’i largojë kufizimet për veteranët, të cilët, nëse punësohen, nuk mund të përfitojnë nga ndihma financiare. Kjo, sipas PDK, do të mundësonte pjesëmarrjen e tyre të plotë në tregun e punës. Pra, të gjitha këto masa parashohin rritje të shumës përfituese pa vizion të mëtejmë për mbështetjen sociale të këtyre grupeve shoqërore.
Edhe te skema për ndihmë sociale, PDK-ja premton rritje prej 50% të mbështetjes financiare për familjet përfituese. Përmes programit “Dil prej sociali” — kjo shprehje që rrezikon ta përforcojë stigmatizimin për qytetarët që përfitojnë nga kjo skemë — PDK zotohet t’i inkurajojë përfituesit e kësaj skeme të integrohen në tregun e punës.
Në programi synohet të mbulohen shpenzimet e udhëtimit dhe trajnimit, si dhe ofrimi i subvencioneve për punësim. Elementi dallues për të nxitur punësim përmes trajnimit për treg pune në program, do të mund ta adresonte mungesën e përgatitjes të identifikuar në raportin e BB të vitit 2019. Sipas BB, përfituesit e ndihmës sociale përballen me sfida të shumta në integrimin në tregun e punës pasi që sipas të dhënave të BB, 97.5% e tyre nuk kanë përvojë pune, tre të katërtat kanë përfunduar vetëm arsimin fillor ose janë pa arsim, dhe pothuajse 80% janë të papunë për më shumë se katër vjet.
As koalicioni i udhëhequr nga AAK nuk parasheh reformim të sistemit ekzistues të skemave sociale, pos rritjes së shumës që e marrin. AAK premton se përmes intervenimeve tjera në ekonomi, do ta rrisë fondin për rritjen e pensioneve dhe transfereve sociale por nuk e shtjellon se si përveç premtimeve.
AAK zotohet për rritjen e pensioneve të moshës baraz me pagën minimale, që zotohet ta rrisë në 500 euro, teksa thotë se kujdes i veçantë do t’u kushtohet kategorive të luftës, të cilat do të trajtohen me ligj të veçantë, duke u mundësuar veteranëve të punojnë pa humbur të drejtën për pension. Ndërkohë, për familjet pa asnjë të punësuar, AAK zotohet se do të sigurohet një mbështetje mujore prej 300 euro, për të ndihmuar stabilitetin ekonomik dhe social të këtyre familjeve.
Si LDK, edhe PDK e AAK kanë paraparë krijimin e Fondit të Papunësisë, apo në rastin e LDK, sigurimin në rast papunësie. PDK dhe LDK parashohin që ai të themelohet me kontributet e punëdhënësve dhe punëtorëve, teksa AAK parasheh që kjo të mbulohet nga buxheti shtetëror.
Përfitimi i papunësisë
Ligji për skemën e ndihmës sociale, i miratuar në vitin 2003, përcakton dy kategori familjesh që mund të aplikojnë për ndihmë sociale. Kategoria e parë përfshin familjet ku të gjithë anëtarët janë të varur dhe nuk janë në gjendje të punojnë. Kategoria e dytë përfshin familjet me një anëtar të aftë për punë, por të papunë, i cili ka nën kujdes të paktën një fëmijë nën pesë vjeç ose një jetim nën 15 vjeç. Kriteri për të qenë i papunë, sipas Bankës Botërore (BB), përpos ekonomisë joformale, ka nxitur që përfituesit e kategorisë së dytë, të kërkojnë të kualifikohen si të paaftë për punë, që të kalojnë në kategorinë dy, vetëm të mos e humbin këtë ndihmë.
Ndonëse sigurimi i papunësisë është një hap i domosdoshëm në mbrojtjen sociale, efektiviteti i saj në Kosovë mund të varet gjerësisht nga zvogëlimi i tregut joformal të punës. Sipas një studimi të fundit të Qendrës Kosovare për Studime Gjinore në vitin 2024, rreth 42% e të punësuarve në vend punojnë pa kontrata. Në rast të zbatimit të sigurimit të papunësisë, vetëm punëtorët/et formalë do të mund të përfitonin nga ajo.
Çka mund të nxjerrim nga këto programe zgjedhore?
Asnjëra nga partitë e mëdha politike që garojnë këto zgjedhje nuk zotohen për reformimin e sistemit të mbrojtjes sociale në tërësi. Teksa LVV ka premtuar reforma të plota të sistemit pensional në mandatin tjetër qeverisës — asaj iu deshën gati tri vjet për ta ratifikuar në Kuvend një marrëveshje për ta nisur pilotimin e reformës të vetëm një skeme. LVV, përpos këtyre premtimeve, nuk ka publikuar ende program zgjedhor.
Ndërkohë, LDK zotohet për ristrukturimin e këtij sistemi duke prezantuar sigurimet sociale dhe duke e larguar varësinë e pensionit bazik në buxhet shtetëror. Megjithatë, nuk sheh reformim të skemave aktuale.
As PDK nuk parasheh ndonjë reformim të sistemit të mbrojtjes sociale në tërësi, ngjashëm me koalicionin AAK – Nisma, që parasheh vetëm rritjen e shumës se përfitimit dhe heqjen e kritereve për disa skema.
Ndërkohë, një lëvizje pozitive në programet e tri partive opozitare është zotimi për themelimin e fondit të papunësisë në rastin e PDK dhe AAK, apo sigurimit të papunësisë në rastin e LDK. Megjithatë, për ta arritur këtë, do të duhet përpjekje e vazhdueshme për ta formalizuar tregun e punës.
Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu/K2.0.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.
- Ky artikull fillimisht është shkruar në shqip.