Shtëpinë dykatëshe në qytetin e Lipjanit, Marigona Buja nuk ngurron ta quajë adresë të gabuar. Në atë shtëpi ajo kishte qëndruar për më shumë se një vit pas një martese të ndërmjetësuar ndërmjet familjeve në tetor të vitit 2014.
Vetëm disa ditë pas martesës, ajo e kuptoi se roli i saj në familjen e bashkëshortit ishte vetëm të shërbejë. Kurse, banjoja e katit të dytë të shtëpisë ishte vendi i vetëm ku ajo gjente sado pak privatësi.
“Qaty kam qajtë, qaty kam shajtë, qaty kam mallku”, thotë 29-vjeçarja nga fshati Bujan i Komunës së Lipjanit.
Marigona ngutet të sqarojë se dhoma e fjetjes nuk ka mundur t’i ofrojë privatësi pasi vjehrri ishte përkujdesur që dera e saj të modifikohet në atë formë që të mund të hapej nga jashtë edhe nëse ishte e mbyllur me çelës.
Ajo thotë që ky kontroll dhe mbikqyrje nga ish-vjehrri i saj shfaqej në mungesë të bashkësortit të saj, i cili jetonte ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, ku familja kishin një aktivitet biznesor. Por edhe kur ajo i tregonte bashkëshortit të saj për sjelljet e babait të tij, e vetmja përgjigje që thotë se merrte ishte “baba është zot në këtë shtëpi, unë i tutna babës edhe Zotit”.
Bashkëjetesa e vështirë e Marigonës me vjehrrin kishte filluar të përkeqësohej në fillim të vitit 2015, kur ajo kishte mbetur shtatzënë. Ajo thotë që ish-vjehrri filloi të sillej edhe më ashpër pasi mësoi se fëmija që ajo po priste ishte vajzë.
“Thoshte ‘unë jam zot në këtë shtëpi, ju jeni robët e mi’. Prej kësaj arsyes u nisë”,
tregon Marigona për ish-vjehrrin e saj
Marigona detyrohej që çdo ditë të qëndronte me orë të tëra në këmbë, duke u kujdesur për punët e shtëpisë ku jetonin pesë anëtarë — vjehërrit, Marigona me bashkëshortin, dhe kunati. Pastrimin e mureve të brendshme të oborrit dhe qëndrimet e gjata në këmbë pas darkës, ajo i përshkruan si momentet më të vështira të një 24-orëshi brenda asaj shtëpie.
“Ai [ish-vjehrri] nuk e lejke kurrkond me shku me fjetë pa shku ai, edhe u dashke me ndejtë non-stop në këmbë me i qitë çaj deri sa iu bojke boll atij; shumë shpesh ka ndodhë deri në orën katër apo pesë në mëngjes me ndejtë në këmbë qaty — krejt familja kemi ndejtë”, thotë Marigona. “Thoshte ‘unë jam zot në këtë shtëpi, ju jeni robët e mi’. Prej kësaj arsyes u nisë”.
Ajo thotë që ia kishin pamundësuar edhe vazhdimin e shkollimit si studente porsa e regjistruar në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës, me pretekstin se ‘‘Nuk ke nevojë për shkollë, se këtu nuk të mungon asgjë’’. Edhe në vizita te prindërit e saj thotë që nuk e lejonin të shkonte e vetme, por duhej ta shoqëronte dikush i familjes së ish-bashkëshortit.
Shtëpinë asnjëherë nuk e kishte ndier si të saj, pasi çdo veprim dhe sjellje ishte e urdhëruar apo e kontrolluar nga patriarku.
Marigona Buja është shkurorëzuar pas një viti bashkëjetese të dhunshme me vjehërri, teksa ballafaqimi me ish-bashkëshortin dhe familjen e tij ka vazhduar në gjyqësor. Foto: Agan Kosumi.
Një ndër përjetimet më të rënda që kujton ajo ishte nënshtrimi nëpërmjet zakonit të “marrjes së dorës” — një ritual arkaik që ende bëhet me raste nëpër familje kosovare. Aty nusja e porsardhur, përveç që duhet t’u qëndrojë në këmbë e t’u shërbejë familjarëve të bashkëshortit, po ashtu detyrohet që prindërve të tij dhe mysafirëve, kryesisht grave, t’ua kapë dorën e t’ua lëvizë me lehtësi nga poshtë-lart afër fytyrës së vet, një veprim që shoqërohet edhe me një përkulje të lehtë me sy të kthyer te poshtë.
“U dashke me ua marrë edhe dorën çdo ditë vjehërrive”, thotë ajo, derisa kujton që kjo zgjati me javë pas martesës. Ajo i dorëzohej këtij nënshtrimi për të evituar ndonjë konflikt të mundshëm. ‘‘Qysh kryhen punët te na tani me burra, e unë nuk dojsha me iu bo telashe familjes”.
Mirëpo, pas lindjes së vajzës, situata kishte filluar të përkeqësohej edhe më tutje, kur Marigona ishte rekomanduar nga mjeku që të qëndronte dhjetëra ditë e shtrirë. Kjo nevojë shëndetësore hasi në mospërfilljen e ish-vjehrrit, i cili vetëm tri ditë pas lindjes e detyroi të vazhdonte me punët e përditshme të shtëpisë.
Ishte gjatë asaj kohe që familja e Marigonës — nëna, babai dhe vëllai — kishin shkuar për urime në shtëpinë e miqve të tyre. Mirëpo, me të parë gjendjen e rëndë të vajzës së tyre, e cila edhe si lehonë përkujdesej për mysafirët, situata u acarua dhe u përshkallëzua në konflikt verbal dhe më pas edhe fizik mes ish-bashkëshortit — i cili pas lindjes së vajzës ishte kthyer nga Gjermania — dhe ish-vjehrrit me familjarët e saj.
Marigona thotë se kishte arritur që me forcë fizike ta marrë vajzën dhe bashkë me prindërit e saj të largohet.
Drejtësia në ballafaqim me patriarkinë
Ishte muaji shtator i vitit 2015 kur Marigona u kthye te shtëpia e prindërve të saj në Bujan, ku jeton edhe sot. Atë muaj, ajo kishte denoncuar në polici ish-vjehrrin për dhunë psikike dhe kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje ndaj tij, i cili iu aprovua. Ajo po ashtu e kishte paditur atë për vepër penale të ngacmimit.
Kodi Penal i Kosovës ngacmimin e definon si kushdo që “komunikon me qëllim të ngacmimit, frikësimit, lëndimit, dëmtimit të pasurisë apo vrasjes së personit […] ose kushdo që vë tjetrin nën vëzhgim me qëllim të ngacmimit, frikësimit, lëndimit, dëmtimit të pasurisë apo vrasjes së personit tjetër ose fëmijëve të tij […] “.
Me të gjitha këto forma të dhunës — për të cilat Marigona është ballafaquar që pesë vite në Gjykatën Themelore në Lipjan me ish-vjehrrin e saj — ajo thotë se është përballur në baza të përditshme përgjatë një viti të bashkëjetesës. Mirëpo ajo shprehet e indinjuar me zvarritjen e rastit të saj, e për të cilin thotë që shpesh pala tjetër është trajtuar si viktimë, përkundër që ish-vjehrri i saj kishte vazhduar ta kërcënonte, posaçërisht me anë të vajzës së saj.
Sipas të dhënave që K2.0 ka siguruar përmes Këshillit Gjyqësor të Kosovës, përgjatë vitit 2019 janë gjithsej 450 lëndë të kontesteve martesore dhe familjare, nga to 369 të pazgjidhura. Kurse nga 553 shkorurëzime përgjatë vitit të kaluar, 345 lëndë ende janë ta sypazgjidhura.
“Gjaku deri n’gu ka me u bo e mesën nuk ia lo,” Marigona pohon të ketë thënë ish-vjehrri i saj në gjykatë, e për më tepër, sipas saj, gjykatësi vetëm kishte qeshur. “A nuk është kërcënim qiky?”, pyet ajo.
Megjithatë, më 21 shtator të këtij viti dhe pesë vjet pas largimit të Marigonës nga ajo shtëpi, Gjykata në Lipjan e dënoi me gjashtë muaj burgim ish-vjehrrin Q.S., i cili akuzohej për veprën penale të ngacmimit. Sipas raportimeve në media, në aktakuzën që ishte ngritur nga Prokuroria e Prishtinës thuhej se nga muaji tetor i vitit 2014 deri në gusht të vitit 2015, Q.S. në mënyrë të vazhdueshme kishte komunikuar me të dëmtuarën me qëllim ngacmimi, duke e sharë dhe fyer me emra ofendues.
Mirëpo, me pajtimin edhe të të pandehurit, gjykatësi kishte njoftuar se ky dënim i shqiptuar do t’i zëvëndësohej me gjobë në vlerë prej 2,000 eurosh, që liroi ish-vjehrrin e saj nga vuajtja e burgimit.
Por përvoja e dhunshme me ish-vjehrrin ishte vetëm një nga shumë ballafaqime të tjera ligjore nëpër të cilat do të kalonte Marigona, e që ngjajshëm ndodh edhe për gra tjera në situata të tilla. Finalizimi i shkurorëzimeve, përfshirë kontestet e ndarjes së pasurisë, është zakonisht ajo që pason. E pa marrë parasysh natyrën apo specifikat e këtyre rasteve, sistemi i drejtësisë në të shumtën e rasteve aplikon qasje selektive, e shpesh herë edhe diskriminuese, që shpërfill përvojat e grave.
Kjo është diçka që organizatat për të drejtat e grave si dhe shumë aktivistë kanë kritikuar ndër vite. Sipas Luljeta Demollit, drejtore e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj), sistemi i drejtësisë aplikon shumë shpesh qasje të tillë mospërfillëse edhe në raste divorci, ku i ruan burrat e pasur dhe kujdeset që pasuria të mos shkojë te gratë.
“Dhuna, trashëgimia, pozita vendimmarrëse, janë të ndërlidhura, se edhe gjykatësi ka normë tradicionale brenda tij — se patriarkati e suporton burrin shumë, e mban në pushtet, edhe në institucion”, thotë Demolli.
Pavarësisht që Kosova ka legjislacion të avancuar që garanton liritë dhe të drejtat e barabarta mes burrave dhe grave — përfshirë Kushtetutën e vendit që parasheh aplikimin e instrumenteve ndërkombëtare siç është Konventa e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave — sjellja institucionale shpesh udhëhiqet nga vlera kulturore të rrënjosura në sistem patriarkal.
Sipas Demollit, organizimi i jetesës rreth shtëpisë, edhe pse jo me ashpërsinë e dikurshme, është i ngulitur në sistemin e dikurshëm të vlerave patriarkale të rregulluara me Kanunin e Lekë Dukagjinit, i cili autoritetin dhe pushtetin e burrit e vendoste gjithnjë mbi gruan duke e deprivuar atë prej çfarëdo zgjedhjeje apo të drejte individuale.
Luljeta Demolli, Drejtore e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, thotë që normat e zakonet tradicionale formësojnë idetë dhe praktikat përjashtuese ndaj grave dhe të drejtës së tyre në pronë. Foto: Agan Kosumi.
Për shembull, martesa sipas Kanunit duhej të bëhej me dakordim të burrave apo me ndërmjetësues — ngjashëm si në rastin e Marigonës — dhe për martesën e vajzës duhej të vendoste babai, vëllezërit apo kushërinjtë. Gruaja në përgjithësi shihej vetëm për punë krahu dhe lindje të fëmijëve. “M’u martue me kanun do’me thanë m’u ba shpi, me ia shtue shpis nji rob ma teper, sa për krah të punve, sa për të shtuem të fmive”, thuhet në Kanun.
Demolli merr shembullin e Kanunit për të ilustruar se si këto norma e zakone, disa prej të cilave janë bartur nëpër gjenerata, gruan brenda shtëpisë e vendosin në qoshe, dhe brenda atyre mureve gjithçka mbetet pronë e burrit.
E në fakt, diçka e tillë i kishte ndodhur Marigonës. Ndonëse Ligji për Familjen i Kosovës e konsideron pasuri të veçantë edhe pasurinë e fituar në kohëzgjatjen e martesës përmes trashëgimit, dhurimit apo ndonjë formë tjetër ligjore të fitimit të pasurisë, kur u larga nga ajo shtëpi, Marigonës nuk iu lejua të merrte asgjë nga gjësendet të cilat i takonin.
“Dhuratat e familjes që kanë qenë shumica stoli, ari, teshat e mia e disa gjëra tjera nuk m’i kanë dhanë”, thotë ajo. “Atëherë me urdhër mbrojtje kam ba kërkesë me i marrë por nuk m’u ka aprovu kërkesa, m’u ka refuzu”.
Përvojë të ngjashme me ndarje të pasurisë ka pasur edhe Arjeta Gashi nga Prishtina. Asaj i ishte mohuar çdo kontribut nga shtëpitë ku kishte jetuar gjatë martesës, përfshirë shtatë vjet me vjehërritë në shtëpinë e tyre dhe pastaj tri vjet në banesën e regjistruar në emër të bashkëshortit. Arjeta, e cila ishte martuar në vitin 2003, u divorcua pas 10 viteve bashkëjetesë me burrin e saj.
“Shtëpia ku kemi jetu për shtatë vite fillimisht ka qenë e prindërve të tij, por masi jam martu, të nesërmen unë veç i kam gju senet e vjetra edhe i kam ble të rejat. Prej lugëve të çajit deri te llusterat, krejt unë i kam ble, krejt. Me dhomë të fjetjes me krejt”, tregon Arjeta. “Unë kur jam martuar prindërit e mi më kanë ble shumë dhurata: enë, dhomë të fjetjes, makinë larëse, makinë të enëve, dhomën e djalit e plot tjera. Shumica çka kanë qenë brenda janë kanë të miat”.
“Jam dalë prej banesës veç me tesha të trupit edhe me djalin”,
thotë Arjeta
Për shkak se nuk iu kompensua vlera e kontributit të saj, në vitin 2016 ajo e paditi ish-bashkëshortin L.Rr. për mohimin e kontributit. Edhe pse Ligji për Familje e parasheh pasurinë e fituar përgjatë martesës si pasuri të përbashkët bashkëshortore, gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur ta refuzojë kërkesëpadinë e Arjeta Gashit pas 11 seancash të mbajtura nga viti 2016 deri në 2018.
Madje ajo thotë që përveç kontributit në shtëpinë e prindërve të ish-burrit, kishte ofruar dëshmi në gjykatë edhe për marrjen e një kredie për arsye të mobilimit të banesës në të cilën jetoi me ish-bashkëshortin dhe djalin e tyre në tri vitet e fundit të martesës. Sipas saj, nga kjo kredi i kishte investuar 7,000 euro, por kjo dëshmi nuk u mor për bazë nga gjykata.
“Jam dalë prej banesës veç me tesha të trupit edhe me djalin”, thotë ajo.
Arjeta kërkoi anulimin e aktgjykimit të shkallës së parë, dhe Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim. Pas rikthimit nga apeli, Gashi ka vazhduar edhe me 11 seanca të tjera deri tani me një tjetër trup gjykues — duke e çuar numrin e sencave që i kishte ndjekur në total në 22 sosh.
“Tre gjykatës janë ndërruar deri tash. Edhe gjykatësja e fundit më ka dëshpëru tepër, ma ka llogaritë 10,000 euro kontributin, u pajtu me ekspertizën e atij [burrit]”, thotë Arjeta. “Tash unë jam lodhë, u bo bajat edhe stres me shku në gjykatë një herë në muaj”.
Pas vlerësimit të fundit ajo ka bërë një tjetër ankesë në Gjykatën e Apelit, në nëntor të vitit të kaluar. Por ende nuk ka një vendim përfundimtar.
“Ata të Gjykatës po mendojnë që jam hy në punë aty”, thotë Arjeta derisa shpjegon kohën e gjatë që e ka kaluar nëpër gjykata.
Përveç punës së përditshme që bëri për dhjetë vjet në Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), edhe Arjeta sikurse Marigona, ishte ajo që kujdesej në baza ditore për punët e shtëpisë si dhe për kujdesin ndaj djalit.
Dhe ky kujdes njihet si kontribut edhe nëpërmjet Ligjit për Familje, i cili thotë që “ndihma e bashkëshortit e ofruar bashkëshortit tjetër, siç është kujdesi për fëmijët, udhëheqja e punëve të shtëpisë, përkujdesja dhe mirëmbajtja e pasurisë, si dhe çfarëdo forme tjetër e punës dhe e bashkëpunimit lidhur me administrimin, mirëmbajtjen dhe shtimin e pasurisë së përbashkët konsiderohet si kontribut”.
Arjeta thotë se në rastin e saj, gjykata nuk e mori parasysh këtë dispozitë ligjore.
“Unë shtatë vite kam jetu në [atë] shtëpi me dy pleq”, thotë ajo. “Punët e shtëpisë i kam bo vetë; dhomat, banjot, kuzhinën, unë i kam bo krejt, ça kam pasë ndihmë pak edhe prej vjehrrës. Por me fshi e me përgatitë i kam bo krejt unë. Nuk e kam pasë mbështetjen e burrit, nuk e kam pasë as për rritjen e djalit”.
Sipas një studimi të Institutit Riinvest, gratë që punojnë në sektorin privat sikurse Arjeta, shpenzojnë edhe tri orë shtesë për kujdes dhe punë të shtëpisë që nuk paguhen. Kështu, në ditë gratë punojnë 10 orë e 30 minuta në mesatare, në atë që njihet si orar i dyfishtë.
Pas 10 vitesh martesë, ish-bashkëshorti e pastaj edhe gjyqësori ia mohuan Arjeta Gashit kontributin e dhënë në shtëpinë dhe banesën ku kishte jetuar. Foto: Agan Kosumi.
Duke qenë vetë nënë vetushqyese dhe nisur nga përvoja në të cilën po kalonte, në vitin 2018 Arjeta kishte vendosur ta hapte Shoqatën për Prindër të Ndarë, e cila mbështet nënat vetushqyese në rrugëtimin e tyre për ta ruajtur pavarësinë, stabilitetin dhe kujdesin e vazhdueshëm për fëmijë. Kjo organizatë ofron ndihmë për mirëqenien e prindërve dhe fëmijëve të cilat janë pjesë e procedurave gjyqësore të divorcit, duke organizuar takime ku shkëmbehen këshilla profesionale juridike.
Arjeta thotë që njëra ndër sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohen këto gra ka të bëjë pikërisht me sigurimin e kulmit mbi kokë, pasi që shumica prej tyre nxirren nga shtëpitë “vetëm me tesha të trupit”.
“Shumë gra ballafaqohen me problemet me strehim, [dhe] plot prej tyre shkojnë ose te prindërit ose te të afërmit e tyre, por ka raste që edhe kthehen [te shtëpia e bashkëshortit] se nuk kanë kah me ia mbajtë”, thotë ajo, e cila që nga viti 2013 jeton me prindërit e saj. “Në Dragash e kemi një rast kur një grua është kthye në shtëpi të burrit, sepse siç thoshte ajo, burri i ka premtuar që do ta rrehë më pak”.
Arjeta thotë se në organizatën që drejton, prej themelimit të saj në vitin 2018 deri më tani është veç një rast kur burri ia ka lënë shtëpinë gruas, nga rreth 100 raste.
“Krejt tjerat i qesin si lecka jashtë”, thotë ajo. “Ka gra në organizatë që më kanë thanë: ‘A muj me shitë veshkën me ble një shpi?’”.
Deri në gusht të këtij viti, nga 164 konteste të ndërlidhura me largimin nga shtëpia apo banesa për vitin 2019, 152 sosh ishin të pazgjidhura sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Nga shtëpia në të cilën kishte jetuar për 33 vite u detyrua të largohej edhe Fatimja*, e cila për po aq vite kishte jetuar me bashkëshortin e saj tashmë të ndjerë. Për dallim nga Arjeta, largimi i saj nga shtëpia nuk ishte si pasojë e ndonjë trysnie apo procesi juridik, por lidhej me faktin se çifti nuk kishte fëmijë, rrjedhimisht as trashëgimtarë. Kjo ndikoi që Fatmija të detyrohej ta braktisë shtëpinë e vendin ku jetoi më shumë se tre dekada.
Pamundësinë për të pasur fëmijë ajo e përshkruan si dhimbje dhe vuajtje — jo nga fakti që ajo nuk ka fëmijë, mirëpo, siç thotë ajo, ngase përballeshin me një lloj presioni të vazhdueshëm nga rrethi i afërt dhe miqtë.
‘‘Diqysh nuk ma ka ndi që nuk kena pas bo fëmi, po kur i shihshe njerëzit tu t’pa si gjynah që s’ki fmi, ose tu ta bo ‘ishalla ju falë zoti naj djalë, qajo u kanë boll e ranë”, thotë ajo. “Bile burri shumë u nervozojke kur e dëgjojke najkan”.
Sa kishte jetuar në shtëpinë e fshatit periferik të komunës së Rahovecit, Fatimja ishte përkujdesur për të gjitha punët e shtëpisë.
“Valla trupi m’u ka rrjepë, dy kat’ e gjysë shpia; laj, fshij, gatuj, mërzitu”, tregon ajo. Përderisa këto punë nuk i kryente me ndonjë detyrim apo trysni nga bashkëshorti, ajo i sheh ato si pjesë të pritjeve shoqërore mbi sjelljet dhe rolet e ndara gjinore, duke thënë, “Po si krejt gratë qysh punojnë”.
Mirëpo pak kohë pasi kishin shënuar 33 vjetorin e martesës, pas një sëmundjeje të rëndë, bashkëshorti i Fatimës kishte ndërruar jetë, duke e lënë atë të vetme në shtëpi disa ditë para se edhe ajo të largohej përfundimisht nga aty.
“Si u kry e pamja e burrit, kanë ardhë dy kunetët [vëllezërit e burrit] edhe m’kanë thanë, ‘Fatime qysh do me ia bo?’”, kujton ajo. “Me demek kur po na lshon shpinë edhe oborrin”.
Anipse Fatimes ia kishte marrë mendja qysh në fillim që do t’i kërkohej një gjë e tillë, largimin nga hapësira ku kishte banuar për plot 33 vite e përjetoi rëndë.
“O ma zi se në luftë kur e kam lshu shpinë. E harrova edhe dhimtën e burrit”, kujton Fatimja. Ajo ishte shoqëruar nga vëllezërit e saj më të vegjël, të cilët po ashtu ndanin mendimin që ajo shtëpi nuk i takonte më asaj.
‘‘Një herë krejt jam kanë në atë katun ku jam kanë e martume, edhe i kam ra shpisë përskaj. Krejt trupi m'u dridhke’’,
thotë Fatmija
Fatimja thotë se sa e kishte gjallë bashkëshortin, i kishte sugjeruar disa herë që ta shesin pasurinë në fshat dhe të blejnë shtëpi e të jetojnë në qytet, sepse, siç thotë ajo, “në qytet do të ishte më e lehtë të ruhej pasuria”. Mirëpo bashkëshorti i saj nuk ishte pajtuar me propozimin.
Edhe pse është martuar përsëri dhe ka krijuar familje të re, Fatimja thotë që e ka të pamundur të mos jetojë me kujtimet e bashkëshortit të ndjerë, të shtëpisë dhe oborrit.
“Një herë krejt jam kanë në atë katun ku jam kanë e martume, edhe i kam ra shpisë përskaj. Krejt trupi m’u dridhke”, thotë ajo. “Për neve grave boll zor, se mos me pasë një burrë je si pa krahë”.
‘Shtëpia’ — objekt i pushtetit dhe nënshtrimit
Idetë dhe pritshmëritë e ngurta e stereotipike të shoqërisë për atë se si duhen ndarë rolet gjinore e kufizojnë tutje gruan brenda shtëpisë e familjes. Teksa baza e aktivizmit është pikërisht sfidimi i këtyre ideve, ngurtësia e tyre mbetet po ashtu një prej sfidave më të mëdha në përpjekjet për drejtësi gjinore.
Adelina Tërshani, aktiviste për barazi gjinore e e cila punon në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), është posaçërisht kritike ndaj konceptit të të kuptuarit të shtëpisë në një shoqëri patriarkale, si në Kosovë.
“Sistemi patriarkal në çdo hap të tij, në secilin moment, mundohet me mbajtë gruan të shkëputur prej konceptit të shpisë — qoftë fizikisht, qoftë emocionalisht”, thotë Tërshani. “Shtëpia është kapitali i fundit që një grua mundet me mendu me zotëru, qoftë edhe si pronë të babës apo të burrit. Shumë natyrshëm u thuhet çikave të reja që ‘nuk është kjo shtëpia jote, shpia jote ka me kanë te burri.’ Por pastaj as shpia te burri nuk është e jotja”.
Sipas saj, punët e shtëpisë dhe mënyra sesi mendohet gruaja brenda shtëpisë në mjediset shqiptare, është posaçërisht një shtyllë e fortë e patriarkatit.
Ngjashëm e komenton edhe Demolli nga QKSGj, e cila thotë që gjithçka rreth mënyrës sesi shtëpitë mirëmbahen në Kosovë, përfshirë ndërtimin e tyre, janë shëmbëlltyrë e përjashtimit që iu bëhet grave nga to.
“Tri kate për tre vëllëzër”, thotë Demolli, teksa shpjegon shtëpitë e zakonshme shqiptare. “Katet janë veç për djem”.
“Në sallon për shembull është njëshi, dyshi i divanëve — njëshi është me u shtre burri, fotelja është me i pritë burri mysafirët, dyshja është për fëmijë. Gratë janë në këmbë, në kuzhinë",
thotë Demolli
Pronësia e burrave mbi shtëpinë është diçka që vërehet edhe nga fasada e jashtme. Arkitektja Arnisa Kryeziu thotë që edhe në stilin e ndërtimit të jashtëm të shtëpive, ka elemente që ndërlidhen me pushtetin e burrave në konstruktet arkitektonike të shtëpive.
“Një fenomen interesant i sociologjisë së banimit, prezent veçanërisht në zonat rurale, është tre ose katërfishimi i një shtëpie identike, duke simbolizuar trashëgiminë mashkullore të familjes”, thotë Kryeziu.
Ajo e sheh këtë pushtet të ngjashëm me organizimin brenda shtëpisë, ku gruaja kufizohet në rol të organizimit familjar dhe të logjistikës shtëpiake përbrenda kuzhinës, hapësirave të pastrimit dhe ato të kujdesit të fëmijëve.
Demolli, po ashtu, e përshkruan përgjatë atyre vijave. Sipas saj, gruaja në shtëpi pritet të jetë ose në këmbë te kuzhina, ose e shtrirë në dhomë të fjetjes, e këtë të fundit ajo e ndërlidh me pritshmëritë rreth rolit riprodhues të gruas. Pra, shumë pak hapësira, apo edhe fare, nuk janë të parapara për rehatinë e gruas në shtëpi.
“Në sallon për shembull është njëshi, dyshi i divanëve — njëshi është me u shtre burri, fotelja është me i pritë burri mysafirët, dyshja është për fëmijë dhe për njerëzit më të vegjël në familje që ulen se zakonisht ai kënd e ka një pamje të TV-së”, thotë ajo. “Gratë, mënyra se qysh i ndërtojmë ne [shtëpitë], janë si në këmbë, në kuzhinë. Tani është një tavolinë ku hahet bukë, edhe dhoma e fjetjes. Praktikisht ose je në këmbë ose je e shtrirë”.
Demolli zgjeron argumentimin e saj edhe në detajet që mund të vërehen rreth organizimit estetik brenda shtëpive.
“E shoh që TV-të e mëdha janë në trend, se janë të shtrenjtë dhe që kryesisht burrat vendosin”, thotë ajo. “E ai TV është ndoshta sa një kerr për një grua. Ajo ndoshta nuk ka një veturë për me shku në punë, por një TV i madh është qaty, që është në favor të burrit, të dominantit, se ai vendos”.
Andaj, sipas Demollit, burrin kosovar e gjejmë githmonë në qendër të dhomës ulur para televizorit duke vendosur se cilat kanale duhen shikuar.
‘Shpia e babës, shpia e burrit’
Edhe pse në të gjitha instancat ligjore grave u garantohet qasje e barabartë mbi të drejtën e tyre në trashëgimi, në Kosovë shpesh dominon norma tradicionale e rregullimit të kësaj çështjeje, e cila u jep burrave të drejtë mbi pronësinë në kapital. E mungesa e njohjes dhe pranimit më të gjerë shoqëror që edhe vajzat e gratë kanë të drejtë në pronë është diçka që po ashtu kultivohet e zhvillohet përgjatë rritjes e edukimit të fëmijëve.
Demolli nga QKSGj e shpjegon përgjatë këso përvojash, ku vajzat në Kosovë rriten brenda familjeve ku djemve u premtohet dhe garantohet se gjithçka që është e prindërve do të mbetet e tyre, kësosoji duke i privuar vajzat nga kjo e drejtë.
“Djemtë mbahen me ninullën edhe me kangët, me storiet që ‘ti flej se qikjo është e jotja’, ose ‘jeto, mbërri, puno e shkollohu se krejt çka kemi është e jotja’”, thotë Demolli. “Sa e dhimbshme është për çikat me i dëgju qato privilegje që po iu premtojnë djemve’’.
Iliriana Gashi, drejtoreshë në Gratë për Gratë – Kosova, organizatë e cila që prej rreth 15 vitesh punon në terren me gra që t’u ndihmojë në pavarësimin ekonomik, thotë që në kontekstin e mentalitetit kosovar, edhe gruaja e sheh veten jashtë mundësisë për të pasur pronë, pasi e ka përbrendësuar normën që prona u takon burrave.
“Unë nuk e kam dëgju në asnjë gjuhë dhe në asnjë kulturë tjetër të shprehur kaq shumë këtë shprehjen ‘shpia e babës, shpia e burrit’”, thotë Gashi, sipas së cilës dorëheqja e vullnetshme nga pasuria e familjes po vazhdon ta mbajë gruan të pafuqishme dhe të nënshtruar ndaj burrit. “[Por] shumë gra detyrohen ta durojnë zullumin e burrit, sepse nuk kanë asgjë [as] te baba”, thotë ajo.
Nga 248,000 objekte banimi në Kosovë, vetëm rreth 7,400 shtëpi janë në pronësi të grave.
Sipas të dhënave nga organizatat që merren me të drejtat e grave dhe barazinë gjinore, por edhe në bazë të Programit për të Drejtat Pronësore nga USAID-i, vetëm 16% të pronave në Kosovë janë të regjistruara në emër të grave, ku përfshihen si pronare të tokave, shtëpive dhe banesave, apo të ndonjë kapitali tjetër. Nëse krahasohet me vendet e rajonit, sipas një studimi të EULEX-it, Kosova ka përqindjen më të ulët sa u përket grave që posedojnë pasuri të paluajtshme, duke u radhitur kështu pas Bosnjës e Hercegovinës që numëron 25% të grave që posedojnë pasuri të paluajtshme, Malit të Zi me afër 30%, Shqipërisë me mbi 30% dhe Serbisë me afër 40%.
Përderisa nuk ka të dhëna konkrete vetëm për numrin e shtëpive në Kosovë që janë në emër të grave, sipas Demollit nga QKSGJ, kjo shifër nuk shkon në më shumë se 3%. Në qoftë se ky numër vihet në kontekst të të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat datojnë në vitin 2011, kur edhe është bërë regjistrimi i fundit i popullsisë, numri i ndërtesave me të paktën një banor në Kosovë për vitin 2011 kapte shifrën e pothuaj 248,000 objekteve të banimit. Duke e përkthyer trepërqindëshin në numra, i bie që vetëm rreth 7,400 shtëpi janë në pronësi të grave.
Një formë tjetër e regjistrimit të pronës është ajo e përbashkët, në emër të të dy bashkëshortëve. E kjo shifër, në bazë të të dhënave të QKSGj-së nuk shkon më shumë se 18%. Nga viti 2016, me iniciativë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), dhe të Agjencisë për Barazi Gjinore, Qeveria e Kosovës vendosi për aprovimin e Udhëzimit Administrativ për masat e Veçanta për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme në emër të të dy bashkëshortëve, sipas të cilit, pronë e përbashkët nënkuptohet pasuria e cila krijohet gjatë një jete martesore ku regjistrohet dhe administrohet nga të dy bashkëshortët dhe ajo pasuri nuk mund te tjetërsohet pa pëlqimin e të dyve.
Por sipas avokatit Asdren Bytyqi, i cili në katër vitet e fundit është angazhuar në raste kontesti të trashëgimisë, ekzistojnë disa procedura në evidentimin e trashëgimlënies të cilat nuk janë në favor të barazisë gjinore. E kjo nuk vërehet vetëm te rastet e shkurorëzimeve por edhe te rastet e ndarjes së trashëgimisë ndërmjet motrave dhe vëllezërve, e që flet për mënyrat e ndryshme se si gratë në përgjithësi privohen prej të drejtës në pronë.
“Këtu është problemi, sepse vëllezërit në këto situata shkojnë dhe i deklarojnë si trashëgimtarë vetëm ata që janë dakorduar”, thotë ai. “Për shembull, deklarojnë që jemi veç katër djem dhe nuk i deklarojnë vajzat, sepse tash trashëgimtari veç po e plotëson një formular mekanikisht [se] kënd e ka trashëgimtar edhe komuna nuk e ka mekanizmin e verifikimit se a e ka të dhënën e saktë apo jo. I thotë për shembull, ‘dëshmo nën betim’; ai dëshmon se nuk bart pasoja të rënda”.
Sipas Avokatit Asdren Bytyqi, institucionet e drejtësisë nuk kanë krijuar mekanizma të mirëfilltë ligjorë për t’ua garantuar grave të drejtën në pronë — qoftë fjala për trashëgimi apo për njohje të kontributit në martesë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Sipas Bytyqit, përkundër faktit që deklarimi i rremë i trashëgimtarëve është vepër penale, pasojat shpeshherë janë vetëm gjoba. Ai përmend një rast që e ka përfaqësuar një grua në kontest të pasurisë rreth 7 milionëshe, vëllezërit e së cilës kishin manipuluar dhe e kishin fshehur nga deklarimi i trashëgimtarëve, e që gjykata i kishte dënuar me vetëm 1,000 euro.
“Kjo mendoj tregon më së miri se çfarë kategorie e diskriminuar janë gratë në shoqërinë tonë”, thotë ai.
Bytyqi thotë se institucionet duhet ta digjitalizojnë komplet mekanizmin e regjistrit civil dhe të instalohet një sistem që regjistron në mënyrë automatike të gjithë trashëgimlënësit, pasi kjo procedurë mekanike shfrytëzohet për t’i fshehur gratë dhe vajzat nga trashëgimia.
“Shteti duhet ta mbrojë gruan që nga stadi i parë i ballafaqimit me organet e regjistrit civil, sepse ka krijuar zbrazëti të madhe në organet komunale, përmes mungesës së një sistemi digjital dhe mirë-funksional i cili vetvetiu i verifikon të gjithë trashëgimtarët ligjorë të gjallë ose pasardhësit e trashëgimtarit ligjor të vdekur, të trashëgimlënësit”, thotë ai.
Ngjashëm po ndodh edhe në raste të heqjes dorë nga pasuria, e cila edhe pse është e rregulluar me Ligjin për Trashëgiminë i Kosovës, nuk ekziston mekanizmi i verifikimit se a është vullneti i njëmendtë i heqjes dorë nga pasuria apo i imponuar. E Bytyqi thotë që, “në realitet është më shumë i detyruar e jo i sinqertë”.
Kurse sa i përket kontestimeve pas divorcit, sipas përvojës së tij, vështirësitë më të mëdha janë në ndarjen fizike të pronës dhe gjësendeve të përbashkëta apo kompensimi për to, për arsye se gjykatat nuk ofrojnë alternativa sesi një vlerë pasurore të kompensohet me një vlerë tjetër, dhe janë kryesisht burrat ata që kanë avantazh pasi në shumicën e rasteve prona është e regjistruar ne emër të tyre.
“Kam pasur rast kur gjykata e ka refuzu padinë e paditëses, bashkëshortes, për arsye se e njëjta ka pretenduar që pasuria në shtëpi është rritur gjatë bashkëjetesës për arsye që dytë kanë punu dhe kanë kontribu në renovimin e shtëpisë”, thotë Bytyqi. “Por kur ka ardhur çështja te ndarja e pasurisë, bashkëshorti ka sjellë dokumentacion që kjo pasuri është në emër të babës [së tij] dhe shtëpia është në emër të babës”.
Me një rast të tillë po ballafaqohet edhe Luljeta Aliu — aktiviste dhe drejtore ekzekutive e organizatës joqeveritare Inject – Initiative for Justice and Equality — e cila deri në vitin e tretë të martesës kishte jetuar në Zvicër, para se të zhvendosej në Prishtinë në vitin 2007 me insistimin e ish-bashkëshortit.
Problemet në martesë filluan në vitin 2011, kur ajo kuptoi se shtëpinë prej 600 metrash katrorë të ndërtuar në vitin 2008 — kontributin më të madh për ndërtimin e së cilës thotë ta ketë dhënë vetë — ish-bashkëshorti i saj Bekim Krasniqi e kishte regjistruar si pronë të babait të tij.
Që katër vite, Luljeta Aliu është duke u përballur me sistemin ligjor, duke kërkuar që t’i njihet kontributi dhe e drejta në pronë nga martesa si dhe mbrojtja e duhur institucionale, e cila vazhdon të mungojë. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
“E bëmë shtëpinë, normalisht me marrëveshje që me qenë në emër të të dyve, kurrgjo e nënshkruar por me mirëbesim”, thotë ajo, e cila nga një bisedë e rastësishme në familje e kishte kuptuar që shtëpia nuk ishte në emër të saj dhe të bashkëshortit.
“Në emër të Talit [babait] është, edhe çka”, kujton përgjigjen e ish-bashkëshortit Luljeta, të cilës i ishte premtuar që kjo çështje do të rregullohej, mirëpo një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.
Pasi kishin kaluar disa vite, jetesa me ish-bashkëshortin kishte eskaluar edhe në dhunë fizike, për të cilën Luljeta në vitin 2017 e kishte denoncuar atë në polici. Mirëpo, zyrtarët policorë kishin refuzuar ta regjistrojnë denoncimin e saj. Refuzimi ishte mbështetur edhe nga organet tjera të policisë që kanë për detyrë të adresojnë ankesat, nën arsyetimin se paditësja nuk ishte veshur përshtatshëm në ditën kur ishte paraqitur në polici.
“Unë nuk pranoj me dalë, ajo shtëpi është e imja — është e imja sepse është e jona, është e imja se fëmijët e mi janë rritur aty”,
thotë Luljeta
Për këtë rast, në qershor të këtij viti ajo ka ngritur padi për diskriminim dhe kompensim të dëmit jomaterial prej 100,000 eurosh ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe pesë zyrtarëve policorë. Ky rast ende nuk është përfunduar.
Por Luljeta ka edhe raste të tjera nëpër gjykata — qoftë si paditëse, apo si e paditur. Që nga viti 2017, ajo është në procedura gjyqësore me ish-bashkëshortin për dhunë ekonomike dhe mohimin e ndarjes së pasurisë; ndërsa njëkohësisht është paditur nga ish-vjehrri i saj për ta liruar shtëpinë, meqenëse ajo vazhdon të jetojë bashkë me dy vajzat e saj në po atë shtëpi që ndodhet në kontest.
“Unë nuk pranoj me dalë, ajo shtëpi është e imja — është e imja sepse është e jona, është e imja se fëmijët e mi janë rritur aty”, thotë Luljeta, përderisa rasti ende është i papërfunduar nga gjykata.
Ajo shprehet e pakënaqur me trupat gjykues në rastin e saj dhe për neglizhencën me të cilën sipas saj po trajtohet lënda, dhe e sheh gjyqësorin si një sistem të përbërë prej burrave që udhëhiqen nga relikte të një mendësie qindravjeçare ku shtypet gruaja.
Sikurse ajo mendojnë edhe Tërshani nga RrGK dhe Demolli nga QKSGj. Sipas tyre, një numër i madh i gjykatësve në Kosovë nuk e ndajnë pasurinë mes vajzave dhe djemve. Madje të njëjtët sipas tyre nuk e kanë pasurinë as në bashkëpronësi me bashkëshortet e tyre, që mund të konsiderohet si premisë nga e cila vijnë në aktvendime ku gratë është më lehtë për t’i privuar nga e drejta në pronë.
Argumenti i tyre mbështetet edhe nga një hulumtim i BIRN-it në vitin 2019, ku është konstatuar se asnjë kryetar i gjykatave në Kosovë nuk posedon pronë të përbashkët me bashkëshorte, kurse nga 1,304 gra të përfaqësuesve qeveritarë të Kosovës, vetëm 35 prej tyre ndajnë kapitalin e paluajtshëm me bashkëshortët.
Një ndër rastet më të diskutuara në Kosovë ku një gruaje i është mohuar e drejta për pronë është rasti i të mbijetuarës së Masakrës në Suharekë, Shyhrete Berisha, të cilës oficerë të policisë serbe i kishin vrarë burrin dhe katër fëmijët më 26 mars 1999, duke qenë kështu e vetmja e mbijetuar e asaj familjeje.
Kërkesat e grave për drejtësi shpeshherë përballen me paragjykime apo stigmatizim nga rrethi i afërm dhe shoqëria.
Mirëpo pas luftës Shyhretja u përball me familjarët e ish-burrit të saj, të cilët i mohuan hyrjen dhe trashëgiminë e shtëpisë ku kishte jetuar me bashkëshortin dhe katër fëmijët e tyre deri në luftën e vitit 1999. Procedurat ligjore për këtë rast Shyhretja i kishte filluar që në vitin 2005. Por menjëherë pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit në vitin 2017 që asaj t’i njihet pronësia për gjysmën e shtëpisë, vëllezërit e ish-bashkëshortit të saj u ankuan në Gjykatën e Apelit. Që atëherë rasti mbetet i pazgjidhur.
Përderisa qasja në drejtësi për shumë gra në Kosovë mbetet ende sfidë, të paktën disa kanë filluar të sfidojnë praktikat shoqërore e institucionet e rendit dhe ligjit, dhe përvojat e tyre po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e debatit publik. Por kërkesat e tyre për drejtësi shpeshherë përballen me paragjykime apo stigmatizim nga rrethi i afërm dhe shoqëria.
Me rrethana të tilla po përballet Marigona. Në fshatin ku jeton me prindërit e saj, i cili nuk numëron më shumë se 50 shtëpi dhe prej nga për çdo ditë udhëton për në Prishtinë ku punon në një kompani private, ajo përballet çdo ditë me shikime të bashkëfshatarëve, të cilat i quan “shikime që flasin”.
“Ku më lë autobusi, dalin familja me më marrë, nuk eci në këmbë. Qajo rrugë deri në shpi veç e sheh çfarë shikimi ta bojnë. Dikush me paragjykim, dikush ta bon për gjynah”, thotë Marigona. “Unë jam ndër të parat gra në katun që jam nda, dhe jam e para që e kam marrë fëmijën me vete”.K
Imazhi i ballinës: Agan Kosumi.
*Shënim i redaksisë: Emri Fatime është pseudonim për ta mbrojtur privatësinë e burimit, me kërkesë të saj.
Ky publikim është pjesë e ciklit të tretë të Programit të bursave për gazetari në fushën e të drejtave të njeriut, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Programi bashkëfinancohet nga National Endowment for Democracy. Ky program realizohet nga Kosovo 2.0, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Qendrën për Liri dhe Barazi (CEL). Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e donatorëve.