Në vitin 2013, doli një lajm në të përditshmen suedeze Dagens Nyheter. Policia në Scania (krahina në pjesën më jugore të Suedisë) kishte krijuar një regjistër kundërthënës penal, ku përfshiheshin 4,700 persona, kryesisht me origjinë rome. Kjo bazë e të dhënave përmbante të dhëna personale, duke përfshirë këtu edhe marrëdhëniet familjare, adresat dhe numrat e sigurimit social.
Policia pretendonte se regjistri ishte i bazuar vetëm në luftën kundër krimit, por në regjistër ishin të përfshirë rreth 1,000 fëmijë, persona të vdekur dhe shumë të tjerë të cilët jetojnë në pjesë të ndryshme të Suedisë, e jo në vendin ku fillimisht ishte krijuar regjistri. Shumë prej të regjistruarve asnjëherë nuk kishin qenë të dyshuar për ndonjë krim. E vetmja gjë e përbashkët ishte përkatësia e tyre rome.
Njëri prej tyre ishte Fred Taikon, kryetari i organizatës rome E Romani Glinda (Pasqyra Rome). “I thashë vetes: ‘dreqi ta hajë, fëmijët nuk mund të jenë kriminelë’”, thotë Taikon për K2.0. “Kështu nisëm të hulumtonim gjithnjë e më shumë”.
Të përfaqësuar nga Civil Rights Defenders, Taikon me 10 romë të tjerë, duke përfsirë këtu edhe një familje me fëmijë, e paditën shtetin suedez që çështja e diskriminimit etnik të gjykohej në Gjykatë. Dy gjykata, ajo e Qarkut të Stokholmit dhe ajo e Apelit, gjetën se shteti suedez ishte fajtor për diskriminim etnik për shkak të regjistrimit të disa mijëra individëve romë në këtë bazë të të dhënave për të cilën ishin shprehur shumë kritika. Ato e urdhëruan shtetin t’i paguajë nga 30,000 krona suedeze (rreth 3,000 euro) për secilin individ të dëmtuar.
“Qeveria ka ambicie të mëdha për të krijuar kushte më të mira për romët. Por pastaj një pjesë tjetër e shtetit bën gabime duke i regjistruar romët në këtë mënyrë”, tha Taikon në një konferencë për shtyp pas publikimit të vendimit. “Duhet të nisë një dialog i ri ndërmjet romëve dhe policisë”.
Taikon ua kishte rrëfyer historinë aktivistëve romë të Kosovës dhe audiencës së mbledhur në Samitin Rajonal të Romëve, i cili u organizua nga Civil Rights Defenders muajin e kaluar. “Disi më vinte turp të flisja për problemet tona në Suedi kur e dimë se si janë problemet këtu”, thotë ai.
Pavarësisht faktit se vetë ka qenë viktimë e diskriminimit racor, ai konsideron se jetët e romëve në shtete si Rumania, Bullgaria dhe shtetet e tjera të Ballkanit janë ende në pozitë shumë të cënueshme.
“Situata është shumë e keqe për romët në Rumani, siç ishte në Suedi para 75 viteve”, thotë ai. “Por tani në Suedi diskriminimi mund të kushtojë shtrenjtë”.
Ai kujton një rast që ndodhi para disa viteve kur një familje rome provoi të hynte në një pishinë. Meqë gruaja rome ishte me veshje tradicionale të romëve, atyre iu mohua hyrja.
Promovimin e idesë se diskriminimi duhet të ketë çmim dhe duhet t’i godasë njerëzit në xhepa, Taikon ia atribuon Avokatit të atëhershëm të Popullit të Suedisë. “Pishina u detyrua t’i paguante kompensim familjes”, shpjegon ai. “Ne po jetojmë në një shtet demokratik tash e shumë kohë, dhe ne e kemi shumë më lehtë të punojmë krahasuar me njerëzit në shtete si Rusia, Rumania apo shtetet e tjera të Europës Lindore, ku kishte konflikte dhe luftëra në dekadat e fundit”.
Qëndrime të reja, përfaqësime të reja
Taikon e ka pranuar si mision jetësor përhapjen e përvojave të ndryshme të romëve nëpërmjet rrëfimeve. E Romani Glinda, organizata të cilën ai udhëheq, boton libra të fëmijëve në dy gjuhë, nue gjuhën rome dhe atë suedeze. “E bëjmë këtë sepse kur bibliotekat kërkojnë tituj, gjithmonë kërkojnë tituj suedezë”, thotë ai.
Romët janë minoriteti më i madh në Europë – vlerësohet se deri në 15 milionë romë jetojnë në këtë kontinent – por prania e tyre mungon në tekstet shkollore. Në fakt, shumë kritikë dhe njohës i kanë kritikuar përshkrimet e romëve në rrëfime letrare, të cilat përmbajnë narrativa romantike dhe personazhe të cilat posedojnë fuqi mistike leximi të fallit apo janë endacakë me tendencë kriminale. Ka argumente se përshkrimet e tilla i përforcojnë perceptimet negative për romët.
Për t’i kundërshtuar këto narrativa të vjetra, Taikon ka botuar shumë libra për fëmijë, të cilat janë të bazuara në tregime të vërteta.
Kujtimet e tij nga fëmijëria, Taikon i rrëfen në njërin prej librave. Me t’i shfletuar faqet mund ta shihni Taikon-in si fëmijë duke luajtur poshtë urës me fëmijë të tjerë, apo duke vozitur makinën e tij apo të kushëririt të tij, apo duke e çuar prindërit në spital pasi kushëriri i tij e kishte goditur në kokë.
Një libër tjetër (Adriana’s Choice – Zgjedhja e Adrianës) tregon për një vajzë rome me emrin Adriana, gjegjësisht për udhëtimin e saj drejt pavarësisë, nga fëmijëria në moshë madhore. Mundimet e Adrianës gjatë përcaktimit të identitetit të saj si rome dhe suedeze janë të bazuara në ngjarje të vërteta.
“Duhet të fillojmë nga fëmijët. Dal dhe takohem me familje në shtëpitë e tyre dhe marr libra me vete që fëmijët t’i kuptojnë ato që i lexojnë”, thotë ai. “Fëmijët mund të dinë si të lexojnë, por mund të mos i kuptojnë të gjitha personazhet”.
Të gjitha tregimet e botuara nga E Romani Glinda lidhen me histori dhe peripeci të përditshme të cilat pasqyrojnë realitetin e popullit rom dhe ngjarjet që u ndodhën romëve në Suedi dhe Europë gjatë periudhave të ndryshme në histori. Taikon është gjithashtu kryeredaktor i revistës me të njëjtin emër. Ajo ka për synim trajtimin e temave që lidhen me romë dhe kultura të tjera të komuniteteve pakicë, si populli sami i cili, sipas tij, është i padukshëm në mediat kryesore suedeze.
Taikon thotë se ndonëse mediat në Suedi kanë kujdes të mos e përkeqësojnë përfaqësimin negativ të romëve, ato jodomosdoshmërisht ndihmojnë që këtë komunitet ta bëjnë më të dukshëm. Ai e merr si shembull Festivalin Kulturor i cili organizohet çdo vit nga E Romani Glinda. Në këtë festival, i cili mbahet në një park në Stokholm dhe promovon kulturën rome dhe kultura të tjera të komuniteteve pakicë, nuk ka gazetarë të mediave të mëdha.
“Pra, tani diskriminimi është bërë mjaft i shtrenjtë. Prandaj mediat nuk bëjnë gjë sepse është budallaki të paguash për diçka të cilën mund ta shohësh në një mënyrë tjetër”, thotë ai.
Taikon gjithashtu beson se mediat në shtetet e Europës Juglindore kanë dështuar sa i përket përfaqësimit të saktë të diskriminimit kundër romëve, por mund të jenë një prej veglave më të dobishme për luftimin e paragjykimit. “Pa marrë parasysh a janë të krahut të djathtë apo të majtë, mediat e kanë fuqinë më të madhe dhe më të lartë”, thotë ai. “Ato janë më të fuqishishmet”.
Përfaqësime të ngulitura mediale
Megjithatë, kjo fuqi nuk përdoret gjithmonë për t’i ndihmuar kauzës rome. Mediat në Europë shpeshherë janë kritikuar për mënyrën se si i përfaqësojnë romët. Përmbajtjet mediale shpeshherë kufizohen në stërthjeshtëzimin e së vërtetës, mungesë të kontekstit dhe fokus në stereotipe negative. Lajmi i vitit 2013 për një vajzë të re bjonde të quajtur ‘Maria’ është me gjasë një prej shembujve më të spikatur të viteve të fundit në të cilin mediat raportuan në mënyrë nënçmuese dhe fyese për komunitetin rom.
Kur policia greke e pa një vajzë bjonde me sy të kaltër gjatë bastisjes së një vendbanimi të romëve në një kamp në Farsala të Greqisë veriore, nisi një tregim i ushqyer nga stereotipet e kahmotshme: që romët rrëmbejnë fëmijë ‘të bardhë’. Familjes ia morën vajzën dhe i arrestuan prindërit, derisa policia vazhdoi të kërkonte fëmijë të tjerë ‘të bardhë’ të cilët mund të ishin ‘rrëmbyer’ nga romët.
Mediat me shpejtësi nxorën përfundime për këtë rast. “Këtu ishte një vajzë e vogël bjonde, e vetmuar në mesin e ciganëve”, shkruante një tabloid grek, ndërsa raportoi der Spiegel. Daily Mail i Mbretërisë së Bashkuar publikoi spekulime se romët e shitën ‘Marinë’, duke pretenduar se “lëkura e bardhë, flokët pothuajse të bardha dhe sytë e saj të kaltër atë do ta kishin bërë “nuse trofe” të komunitetit të ciganëve’.
Më vonë u zbulua se një grua rome nga Bullgaria ua kishte dhënë vajzën sepse nuk ishte e aftë ta rriste vetë fëmijën, dhe çifti grek u lirua nga akuzat. Si reagim ndaj këtij raportimi, Komisioneri i Këshillit Europian për të Drejtat e Njeriut deklaroi: “demonizimi i një grupi të njerëzve nëpërmjet mediave mund të shkaktojë pasoja armiqësore politike dhe shoqërore. E domosdoshme është që mediat ta përdorin fuqinë e formësimit të opinionit publik në mënyrë më të përgjegjshme kur është fjala te portretizimi i komuniteteve pakicë në përgjithësi, dhe të romëve në veçanti”.
Pa marrë parasysh lirimin e çiftit grek, narrativat e përhapura fillimisht në media mund të vazhdojnë. Siç thotë Taikon, kjo po ndodh edhe më shumë në klimën aktuale mediale: “Ato që shkruhen për romët, njerëzit mendojnë se janë të vërteta”, thotë ai. “Dhe nuk mund të hysh më thellë sepse lexon dhe e lë gazetën dhe nuk analizon nëse kjo është e vërtetë apo jo”.K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.