Pika të lehta shiu e kishin përcjellur Lorikun përgjatë rrugës së tij nga pjesa e vjetër e qytetit për në qendër, ku ishte mbajtur shfaqja. Rrugicat prej kalldrëmi ishin të lagura e të errëta, uji rridhte nëpër kanalet e ujit, duke u grumbulluar qosheve të rrugëve.
Lorikut iu desh ta duronte shiun edhe për disa blloqe, ndonëse e dinte se do të mund të përfundonte i bërë qull dhe do t’i duhej t’i ndërronte rrobat që të mos ftohej. Megjithatë, nuk e vriste mendjen, i ngazëllyer, mendja i rrinte vetëm te ideja se sa herë do të ngrinte dolli sonte.
Shiu njëmend e bëri qull, por mezi e vërente. Ishte fillimi i qershorit dhe moti i ngrohtë bënte që ky rrebesh i papritur shiu të ndihej si freski. Trupi i tij i hollë, me pak bark birre, përshkonte nxitimthi rrugët.
Strukur në një rrugicë të qetë, afër një sokaku të gjallë e me tarraca të mbushura përplot, një perlë e fshehur rri e vendosur në zemër të qytetit: Orchid Pub. Ndërtesa, që dikur përdorej si stallë lopësh, ishte shndërruar në një strehë plot jetë për komunitetin LGBTQ+. Mbrapa saj, një tarracë e ngrohtë, rrethuar nga shkurre të gjelbra dhe pemë orkideje, ftonte mysafirët të shoqëroheshin.
Shiu u rrallua e dalëngadalë u ndal krejt e tarraca të mbushej plot. Muzika që depërtonte nga altoparlantët e fshehur këndeve të lokalit i shtynte vizitorët/et të flisnin me zë të lartë që të mund ta dëgjonin njëri-tjetrin. Dritat e varura, të vendosura me përpikëri, krijonin një dritë të zbehtë mbi skenë, ku disa të rinj e të reja që po argëtoheshin, tashmë kishin filluar të kërcenin në hapësirën e ngushtë, që ishte liruar prej tavolinave të shtyra qosheve. Ajri bëhej bashkë me ngrohtësinë e energjisë së turmës.
Erisi, një shok i Lorikut, veç sa kishte performuar në një shfaqje dhe me gjithë ekipin ishin mbledhur në lokal për ta festuar e arritur.
U ktheva!
Në mes të zhurmës së zërave që kërkonin vëmendje, Loriku nuk mundi t’i rezistonte dot dëshirës të bashkohej sërish te terraca me shoqërinë e tij. Lëvizjet e kërcimit filluan të sinkronizoheshin me ritmin e muzikës, kur, me krah, preku shpatullën e Zanës.
“Lorik, a je ti?”
“Po, vetë unë”.
“O Zot, qe sa nuk të kam pa! Ej, përqafe çikën tënde, o pis!”
Loriku buzëqeshi, teksa hapi krahët për ta përqafuar, me sytë që i shkëlqenin. “A është ky gjoks prej silikoni? Më duket se të janë rritur që prej herës së fundit kur u pamë”.
Zana qeshi, me zërin e saj të butë e lozonjar. “Jam e tëra natyrale, për çka po flet? Prekma gjoksin, s’ke pse frikësohesh, ti bishë biseksuale!”
“E kam seriozisht, a janë të vërteta?” këmbënguli Loriku, me vetullat e ngritura plot kureshtje.
“Po, thjesht dhjami im, i ngrehur pak prej poshtë t’iu dhënë një formë më femërore, derisa hormonet t’ia nisin të kenë efekt”, u përgjigj Zana. “Mos u shqetëso, edhe po t’i kapësh e t’i shtrëngosh vajzat e mia, nuk pëlcasin”.
Pa hezituar, Zana ua shpjegoi situatën edhe të tjerëve përreth: “Kemi vite që njihemi. E kemi duruar njëri-tjetrin gjatë gjithë këtyre viteve. Lorik, po e zë një tavolinë jashtë dhe shihemi atje!”
Befasi apo jo, erdha!
Erisi doli në tarracë për ta ndezur një cigare me Rronin, një tjetër anëtar i ekipit të shfaqjes. Vetëm dy ditë më parë, Erisi ishte takuar me Lorikun për ta parë një tjetër shfaqje. Erisi nuk ia kishte përmendur ndejën e sotme, thjesht e kishte inkurajuar të vinte në shfaqje. E dinte që nuk ishte ide e mirë t’ia përmendte Lorikut një ndejë në Orchid.
Ai nxitoi ta mbaronte cigaren, me dëshirën që t’i bashkohej Lorikut në tavolinë.
Në një shpërthim lumturie të papërmbajtur, Erisi e përshëndeti shokun e tij të vjetër me stilin e tij plot ngrohtësi: “Hej, gjysma tjetër e imja është këtu! Mwah, mwah!” Ky prezantim, një ndërthurje e dashurisë dhe aktrimit, përshkruante thelbin e lidhjes së tyre — lozonjare, shprehëse dhe karizmën e Erisit.
Loriku ndaloi për një çast, duke parë drejt Rronit, me qëllimin e qartë për ta drejtuar bisedën diku tjetër. “Epo, kush na paska ardhë? Një fytyrë e re?”
“Hej, Lorik!” u përgjigj Rroni, që Lorikun e njihte vetëm prej asaj që ia kishte treguar Erisi.
Erisi, që kurrë nuk i ikën asnjë moment pa treguar diçka personale, shtoi: “Dhe këtu e kemi edhe Zanën, një tjetër shoqe e ngushtë që duhet ta njohësh gjithqysh”, duke u siguruar që Rroni të prezantohej si duhet me gjithë shoqërinë.
“Tung, të gjithëve!” tha Rroni, tashmë duke e përshëndetur të gjithë grupin.
Një rend gotash dollie, porositur pa asnjë hezitim, erdhi në tavolinë me shpejtësi çuditëse, si të kishte qenë e parashikuar nga vetë baristi. Teksa biseda zhvillohej rreth shfaqjes dhe filluan të mësonin më shumë për Rronin, Erisi, gjithmonë kureshtar, iu afrua Lorikut dhe e pyeti:
“Pra, si t’u duk roli im në shfaqje? Bëhu i sinqertë, a isha paksa dramatik?”
“Gëzuar!” thirri Loriku. “Për Erisin, që gjithmonë i pëlqen të jetë dramatik — dhe kjo i përshtatet shumë në skenë”.
Erisit nuk i pëlqeu shumë komenti i Lorikut dhe ishte disi i ndjeshëm ndaj faktit që Loriku po i kushtonte më shumë vëmendje Rronit. I shqetësuar, e tërhoqi mënjanë Zanën, shoqen e tij të besueshme, sikur donte t’i thoshte diçka, por hezitoi. “Do flas me të. Ndoshta nesër. Vetëm ne të dy”.
Zana, e lodhur prej Erisit dhe Lorikut, propozoi: “A ka kuptim të jemi këtu e mos ta shijojmë? Hajde — t’u bashkohemi njerëzve e të kërcejmë deri në agim. Është mirë për shpirtin”.
“Ide e mrekullueshme”, u përgjigj Erisi, hareshëm. “Por vetëm për pak”.
Loriku vazhdoi të ishte i fiksuar pas Rronit. Pas çdo çasti që kalonte, secila bisedë tjetër në tavolinë zhdukej gjithnjë e më shumë nga mendja e tij. Rastësisht, Rroni — i gjatë, i hollë dhe krejtësisht i pavetëdijshëm për interesimin e Lorikut — përfundoi i ulur pranë tij.
Rroni kishte dëgjuar për Lorikun, por nuk ishin takuar asnjëherë. Loriku ndiente një ngazëllim të qetë — me Rronin, e dinte se duhej të sillej me kujdes, sepse e njihte shumë mirë Erisin, dhe të thellohej me Rronin, i cili ishte pjesë e ekipit të Erisit, mund ta bënte Erisin të ndihej i shpërfillur.
Thellë në vetvete, Loriku ndiente mungesë për diçka të vërtetë dhe të qëndrueshme. Ai dëshironte thellësi të sinqertë, diçka përtej takimeve të rastësishme apo bisedave shoqërore. Loriku dëshironte një lidhje që do të zgjaste, një marrëdhënie që do të rritej ngadalë, do të ishte e qëndrueshme dhe e vërtetë.
“Erdhën pijet,” tregoi Loriku, teksa iu shërbyen gotat e tekilës, përcjellur nga një seri pijesh: sex on the beach dhe shumë vodka sour.
“A e sheh atë mrekulli në sytë e tyre kur kërcejnë?” tha papritur Rroni. “I shkon për shtat të qeshurave, pijeve. E mbaj mend herën time të parë këtu — e paimagjinueshme, por çuditërisht çliruese”.
Ai buzëqeshi Lorikut, me fjalët e veta që i pëlqyen, pastaj gëlltiti pijen me një frymë.
“Mirupafshim”, tha, duke buzëqeshur në atë mënyrë që linte të nënkuptonte se ndoshta, herën tjetër, do të kishin më shumë kohë për të biseduar.
Loriku e sinjalizoi kamarierin dhe kërkoi edhe një radhë tjetër pijesh,
“Pse jo?” tha ai, me ton disi dëshpërues, por me këmbëngulje. “Ndoshta kënaqem më shumë duke parë turmën duke kërcyer, kur jam i dehur, sesa i zhgënjyer”. Fjalët e tij shpërfaqën një ndjenjë dëshpërimi, sikur largimi i Rronit kishte sinjalizuar një dështim.
Një natë për ta mbajtur mend
Vitet e miqësisë mes Lorikut dhe Erisit kishin shpërfaqur si virtytet, ashtu edhe mangësitë e tyre, ku secilën herë, herë pas here, ia vinin në provë durimin njëri-tjetrit. Siç pritej, Loriku e mori me lehtësi kontrollin e atmosferës në tavolinë, edhe pse, në të gjitha aspektet, kjo duhej të ishte nata e Erisit. Megjithatë, Erisi ia kujtoi vetes se Loriku nuk kishte ndonjë qëllim të keq.
Erisi nuk mund ta mohonte të vërtetën: sado i ndjeshëm të ishte ndaj pranisë mbizotëruese të Lorikut, ai e donte me të vërtetë shokun e tij — edhe kur kjo nënkuptonte që duhej ta forconte praninë e vet, për t’u baraspeshuar me Lorikun, i cili ishte qendra e vëmendjes. Duke u kthyer vetëm në tavolinë, e hodhi shikim tek dy fytyra të reja që tashmë ishin ulur aty.
Ata u ngritën sapo iu afrua, me një veprim që përshtatej më shumë për ballo sesa në mbledhi të zakonshme. Erisi, teksa ndiente se kjo ishte mundësi e rrallë, vendosi ta shfrytëzonte momentin.
“A mund të ma thuash emrin përsëri, i dashur?” pyeti Erisi, pasi nuk e kishte mbajtur mend herën e parë.
“Jam Joni, nga Tirana”.
“Më duhet ta them, çfarë kënaqësie të takoj një zotëri nga Tirana!” tha Erisi me entuziazëm. “Më beso, Jon, këto ditë është e vështirë ta gjesh një zotëri këtej pari. Thjesht shiko përreth”.
Loriku e ndërpreu në mes të fjalisë, pa e kuptuar se Erisit i pëlqente Joni. “Më falni! Më duhet vëmendja e të gjithëve. A jemi gati për një tjetër rend tekilash dhe martini klasik?”
“Po!” thirrën të gjithë njëzëri.
Erisi, ende i dëshpëruar nga fakti që Loriku e la nën hije, dëshiroi ta kthente vëmendjen e të gjithëve dhe ta largonte nga Loriku.
Erisi ngriti gotën dhe, me një buzëqeshje të njohur, tha:
“Siç thotë shoku im i shtrenjtë, teksa e shijoj këtë gotë”. Ndaloi për një çast, pastaj e ngriti gotën më lart. “Gëzuar! Për Lorikun, që theu rregullat dhe ia doli me zor të rikthehej në Orchid Pub”.
“Jo, nuk kam bërë asgjë të tillë”, iu përgjigj Loriku. “Jam i ftuar”.
Teksa Erisi përmendi të kaluarën e Lorikut, ai e pa të nevojshme t’u tregonte të gjithëve pse u detyrua të largohej nga Orchid, para disa muajsh, një përvojë që i kishte mbetur në mendje. “Me kërkimfalje të sinqertë, kam menduar se incidenti do të harrohej shpejt. Nuk e kisha kuptuar peshën e fjalëve të mia kur, nga kureshtja e pafajshme, e pyeta një grua transgjinore për emrin e saj, që ia kishin lënë në lindje”, shpjegoi Loriku.
“Dhimbja që pa dashje i shkaktova, e lëndoi atë, duke e shtyrë që të më raportonte te pronari. Para se pronari të fliste me mua, e kuptova çka kisha bërë dhe u largova”. Pas asaj nate, Orchid Pub u kthye në një vend të ndaluar për të, ose, të paktën, kështu mendonte Loriku.
“Dhe, pas përfundimit të shfaqjes tënde”, vazhdoi ai, “po kthehesha në shtëpi kur një grup njerëzish, që po dilnin nga shfaqja, më thanë se po shkonin në Orchid. Njëri prej tyre ishte pronari. ‘Shihemi te festa — Orchid Pub. Jam duke shkuar atje’, ishte pikërisht çfarë më tha. Aty e kuptova — nuk m’u ndalua hyrja kurrë. Nuk më ndaloi pronari, vetë unë vendosa të mos shkoj më, pasi gabova dhe mërzita dikë”, reflektoi Loriku.
“Dhe… ja ku jam!” tha ai, duke ngritur një dolli.
Më shumë lëvdata e thumbime
Teksa nata kalonte, Erisi shpresonte që Loriku të mos e linte në hije përsëri, pasi vëmendja e tij tashmë po kalonte te dëshirat e pashprehura që kishin zënë të lëshonin rrënjë. Sytë e tij kishin mbetur te zotëria nga Tirana; tani që shfaqja kishte mbaruar, Erisi mund të përqendrohej e të argëtohej pak.
Joni duhej të diku në fund të të dyzetave, bazuar në pamjen e tij. Ishte i gjatë dhe elegant, dhe fliste me hijeshi që shprehte si inteligjencë, ashtu edhe butësi, pikërisht çfarë i kishte rekomanduar mjeku Erisit. Por ishin sytë e tij që me të vërtetë fshihnin fuqinë magjepsëse — një ngjyrë e kaltër si deti, që shkëlqente me një dritë enigmatike, e cila e bënte Erisin të tërhiqej, duke premtuar sekrete dhe aventura të pashprehura.
“A erdhe nga Tirana për ta parë shfaqjen?” pyeti Erisi Jonin.
“Jo, shoku im dhe unë vendosëm të vijmë më herët kësaj here. Nuk e humbasim Paradën e Krenarisë asnjëherë”.
“Ma mori mendja ndryshe” tha Erisi. “Shpresova që do të thuash se e ke lexuar përshkrimin e shfaqjes dhe erdhe për të më parë mua ekskluzivisht, për të më takuar personalisht dhe ndoshta të iknim nga aty”.
“Shumë sarkazëm. Më la përshtypje përgjigja jote”, ia ktheu Joni. “Çfarë planesh ke tani — të më çosh në shtëpi?” Erisi u mahnit nga natyra e qëndrueshme e Jonit, një dallim freskues nga burrat pafjalë vendas me të cilën kishte dalur më parë.
“Ka diçka të veçantë ky djalë, apo jo, Lorik?” pyeti Erisi, me një shprehje që përcillej me urgjencë, sikur vetëm kjo pyetje do të mund t’ia thyente magjinë e ëndrrave të tij që kishte për të.
“Për sa kohë që s’është ndonjë kauboj”, iu përgjigj Loriku, me zërin e tij të mbushur me shqetësim të kujdesshëm dhe instinktin mbrojtës, sikur po kujdesej për partnerin e tij në krim. “Është padyshim më shumë se një aventurë që zgjat një natë”.
Jon iu përgjigj menjëherë, “Qe sa e njeh Erisin, që po i shpreh kaq shumë komplimente — apo thumbime — për mua?” Joni vazhdoi me një ton të pa shqetësuar, duke thënë: “Shoku im dhe unë po shkojmë në një klub; ndoshta deri në mëngjes, atëherë të gjithë do të kemi harruar kush kujt i tha çfarë e për kë, apo jo, djema?”
Erisi e dinte shumë mirë ku mund ta çonin fjalët e mbrehta të Lorikut. Ishte i vendosur të mos lejonte që humori pa krip i Lorikut t’ia humbte mundësitë, sidomos kur bëhej fjalë për një të dashur potencial. Duhej ta merrte një vendim — dhe atë shpejt.
Rasti i fundit
Joni dhe shoku i tij, që po largoheshin drejt njërit nga opsionet e pakta për ahengje të vona të natës, i thanë Erisit t’ju bashkohej. Erisi, për t’ia kthyer, nuk e ftoi Lorikun, duke shpresuar që s’do t’i duhej të garonte më për vëmendjen.
Teksa muzika ngrihej dhe të qeshurat jehonin përgjatë tarracës me ndriçim të zbehtë, Loriku e gjeti veten lehtësisht në festë, me karizmën e tij që i tërhiqte njerëzit — ndoshta përveç Erisit — si magnet. Pavarësisht mundësisë së humbur për t’u lidhur më shumë me Rronin, ai gjeti një ndjenjë përkatësie — një mozaik shoqërish që, për atë natë, e bënë të ndihej se ishte pjesë e diçkaje më të madhe.
“Ta porosisim një tjetër rend pijesh?” tha ai, duke e ditur që nuk do t’iu bashkohej në klub. “Thjesht dua ta ngre edhe një ‘dolli’ të fundit para se të nisem për në shtëpi”.
Imazhi i ballinës: Ezee.