Diku në Hungari në një fushë të gjerë e të mbuluar me borë, mes të ftohtit të madh dhe pas shumë viteve takohen Laco dhe Janko. Që të dy janë të mbijetuar të kampit të përqendrimit nazist. Tashmë të rritur, ata gjenden pikërisht në fushën në të cilën dikur qëndronte kampi ku si fëmijë mbaheshin bashkë me familjet e tyre. “Duke pritur vdekjen”, siç thonë vetë ata.
Përndjekja e tyre ndodhi vetëm për shkak të etnisë së tyre; Janko është rom ndërsa Laco është hebre. Nazistët i cilësonin të dyja këto komunitete si ‘‘raca inferiore” dhe si njerëz që “duhej eliminuar’’.
Në mes të kujtimeve të asaj kohe, përmendjes së emrave të familjarëve dhe vuajtjeve që përjetuan, Laco dhe Janko janë të zemëruar pasi që aty nuk gjendet asnjë shenjë përkujtimore që tregon se aty ishte një kamp përqendrimi ku u vranë shumë njerëz.
Në bashkëbisedimin e tyre, dy burrat e moshuar kujtojnë numrin e të vrarëve. Laco potencon se asnjëherë nuk ka arritur t’i ndajë njerëzit brenda kampit në hebrenj apo romë. ‘‘Të gjithë përjetuan vuajtjen e njëjtë’’, thotë ai.
Kjo është njëra prej sekuencave të filmit dokumentar ‘‘A Hole in the Head’’ (Vrima në kokë), i cili u shfaq me 10 gusht në edicionin e sivjetëm të DokuFestit, ku ekipi i K.20 ishte së bashku me poetin rom nga Prizreni dhe deputetit të legjislaturës së kaluar Kujtim Paçaku.
Dokumentari i regjisorit dhe producentit të pavarur sllovak, Robert Kirchhoff, flet për përndjekjen që nazistët u bënin romëve dhe sintive (romë të Evropës Qendrore) gjatë Luftës së Dytë Botërore në Europë. Numri i të vrarëve nga ky komunitet nuk dihet me saktësi, por shkon në qindra mijëra njerëz. Në përshkrimin zyrtar të dokumentarit thuhet se tragjedia e tyre ka kaluar në heshtje.
Kirchhoff ka vizituar disa vende të Europës në kërkim të romëve të mbijetuar nga Holokausti. Ai i ka quajtur ata ‘‘dëshmitarët e fundit të gjallë të Holokaustit’’.
Në këtë udhëtim, regjisori sllovak ka arritur të takojë disa të mbijetuar të asaj lufte, ku përveç kujtimeve të trajtimeve çnjerëzore që përjetuan, ai ka gjetur tek ata edhe vrima (shenja) në kokë të cilat u janë shkaktuar nga nazistët – qoftë nga eksperimentet mizore të kryera mbi ta, qoftë nga vizatimi i svastikës në kokat e tyre me mjete të mprehta.
Dokumentari është realizuar në Sllovaki, Çeki, Hungari, Serbi e Kroaci, mirëpo regjisori ka refuzuar t’i shkruajë emrat e vendeve gjatë sekuencave të tij. Pas shfaqjes së filmit në DokuFest, ai është shprehur se kjo është bërë qëllimisht. Për të, vendet nuk kanë rëndësi, por është i rëndësishëm përjetimi i këtyre njerëzve.
Romët të cilët ishin protagonistë të dokumentarit, vazhdimisht përsërisin se shumë pak është folur për dhimbjen e tyre, për humbjet e njerëzve të këtij komuniteti, si dhe lënë të kuptohet se ka pasur qëndrim mospërfillës karshi vuajtjeve të tyre.
Gjenocidi ndaj romëve deri vonë nuk ishte pranuar zyrtarisht nga shtetet e Europës. Vetëm në vitin 1979 Parlamenti Federal i Gjermanisë Perëndimore kishte identifikuar se persekutimi kundër romëve ishte i bazuar në motive racore. U desh të kalonin aq shumë vite që Parlamenti Europian, në vitin 2015 të nxjerrë rezolutë që 2 gushti të jetë Dita Përkujtimore e Gjenocidit Nazist ndaj Romëve gjatë Luftë së Dytë Botërore, që njihet ndryshe edhe si Poraimo.
Tema e “Vrimës në kokë” është vuajtje të cilën poeti nga Prizreni, Kujtim Paçaku, e njeh mirë. Paçaku në shkrimet e tij shpesh i ka shtjelluar vuajtjet e komunitetit rom gjatë holokaustit.
Paçaku potencon se është e domosdoshme hapja e kësaj teme. Realizimin e këtij dokumentari ai e sheh nga kjo perspektivë.
‘‘Edhe vetë pjesëtarët e komunitetit nuk kanë informata të bollshme të asaj periudhe’’, tha ai. ‘‘Duhet të kuptojmë se gjatë asaj periudhe ky popull ka qenë afër shfarosjes’’.
Mungesa e informacioneve rreth këtij gjenocidi, sipas tij, është edhe për shkak të mungesës së trajtimit të kësaj teme nëpër librat e historisë. Ai çuditet se si është e mundur që një popull që ishte në prag të shfarosjes të mos trajtohet në masën e duhur në historinë e shteteve përkatëse.
Paçaku beson se heshtja karshi vuajtjeve të romëve gjatë Holokaustit – apo siç e quan ai ‘’Gjithëvrasjes’’ – si dhe mungesa e saj nëpër libra të historisë është edhe për shkak të mungesës së fuqisë politike të romëve në shoqëritë ku ata jetojnë.
Sipas tij, mungesën e mësimit të Poraimosit nga historia zyrtare romët e kanë zëvendësuar me dëgjimin e historive prej familjarëve të tyre.
Poeti rom, Kujtim Pacarku, thotë se historia traumatike e holokaustit Rom mungon në librat zyrtar të historisë në Kosovë. Foto: Agan Kosumi / K2.0.
‘‘Historinë e kësaj dhimbjeje ne e kemi mësuar nga më të vjetrit tanë, nuk e kemi gjetur nëpër libra. Ajo ishte një histori frike që këtë komunitet e ka përcjellur edhe pas asaj lufte’’, tha ai.
Paçaku kritikon edhe vendet e Ballkanit, ku vrasja e romëve nga nazistët nuk ka pasur vëmendjen e duhur nga shoqëritë ballkanike. ‘‘Në Kosovë mësohet historia e popujve të largët [gjeografikisht] por jo edhe e romëve të Kosovës’’, thotë ai.
Nga Mitrovica, ai veçon historinë e Hajrisë e cila ishte përkujdesur për vajzën Ester, familja hebreje e së cilës ishte zhdukur. Gruaja rome, Hajria e kishte marrë Esterin duke e prezantuar si vajzën e saj, për ta mbrojtur, bile e kishte pagëzuar me emrin Miradije. Pas përfundimit të luftës, në moshën 14-vjeçare, Esteri kishte shkuar në Izrael për t’u bashkuar me të afërmit që i kishin shpëtuar vdekjes.
Çka thonë rrëfimet e përcjellura me gojë?
Në fillim të viteve ’40 familja tetanëtarëshe Berisha jetonte në fshatin Bellaqefc i Madh, deri në momentin kur njëri nga djemtë e tyre, Rifati 13-vjeçar, u vra nga ushtarët nazistë; nazistët okupuan Kosovën përkrah fashistëve italian nga viti 1941 deri më 1943, dhe pastaj vetëm deri në vitin 1944. Ramizi që sot jeton në fshatin Plemetin, afër Obiliqit, në bisedë me K2.0 kujton historinë e vrasjes së xhaxhait të tij Rifatit, të cilën gjyshja ia kishte treguar shumë herë.
Sipas rrëfimit, Rifati ishte bari dhe kishte dalur si zakonisht në fushat e fshatit të bënte punën e tij, së bashku me bashkëfshatarët e tjerë. Atë ditë, ushtarët nazistë ishin po ashtu në fshat dhe i sulmuan personat që gjendeshin te kullota. Nga sulmi mbetën të vrarë disa persona dhe u plagosën disa të tjerë. Në mesin e të plagosurve ishte edhe djali 13-vjeçar i familjes Berisha.
Duke provuar ta tregojë këtë histori me më shumë detaje, Ramizi thotë se familjarët më vonë e kishin kuptuar se sulmi nazist kishte ndodhur kur ishin parë personat që gjendeshin në kullota dhe duke pasur edhe numër të madh të bagëtive me vete ishin cilësuar si bashkëpunëtorë të mundshëm të partizanëve.
Ramiz Berisha thotë se historia e vdekjes së xhaxhait të tij sa ishte fëmijë, nga duart e nazistëve ka qenë një traumë që e ka ndjekur familjen e tij për dekada të tëra. Foto: Agan Kosumi / K2.0.
Pas sulmit, barinjtë që kishin shpëtuar, ashtu të plagosur kishin tentuar të largohen por nazistët i kishin kapur. Atëherë e kishin kuptuar se nuk bëhej fjalë për partizanë por për persona të mitur të cilët në fakt ishin barinj. Atyre që kishin mbetur gjallë nga sulmi, nazistët u kishin ofruar ndihmë mjekësore por kjo nuk kishte ndodhur edhe me Rifatin; ai ishte ekzekutuar me plumb në kokë, përskaj lumit të fshatit.
Në atë kohë, familja Berisha ishte familje e vetme e përkatësisë rome që jetonte në fshatin Bellaqefc i Madh (sot Bardh i Madh). Duke kujtuar fjalët e gjyshes dhe duke provuar t’i japë shpjegim kësaj ngjarjeje, Ramizi thekson se pjesa tjetër e barinjve ishin të përkatësisë shqiptare ose malazeze.
Ramizi, i cili kishte lindur rreth dy dekada më vonë, thotë se kjo ngjarje e kishte përcjellur vazhdimisht familjen, sidomos gjyshen e tij, e cila deri më 1988, kur ndërroi jetë, vazhdimisht e përmendte atë. ‘‘Ajo deri në fund të jetës u ankua se po i ushtonte koka’’, shprehet ai, duke e lidhur këtë me plumbin në kokë që ia kishte marrë jetën djalit të saj.
Megjithatë, ngjarje të tilla vazhdojnë të mos dokumentohen si duhet, e shpeshherë nuk dokumentohen fare.
Kujtim Paçaku kujton histori tjera prej kampeve të përqendrimit nazist në Ballkan, ai përmend edhe fjalët e një gruaje të cilën e kishte takuar në Kroaci. Ajo kishte thënë se kur romët vendoseshin në kamp, nazistët i shënonin vetëm vagonët, ‘‘7 vagonë me romë erdhën sot’’ dhe jo sa njerëz kishte brenda tyre.
Nga kjo, Paçaku thotë se duhet ta kuptojmë se ‘‘Romët nuk ishin të denjë as të numëroheshin brenda kampeve të vdekjes’’.
Heshtja karshi kësaj tragjedie sipas Paçakut ndodh edhe si pasojë e rolit që kishin qeveritë kukulla të nazizmit në vrasjen e romëve. Gjatë pushtimeve naziste dihet edhe fenomeni që ata formonin qeveri kukullanë ato vende. Nën direktivat e nazistëve, këto qeveri kanë kryer krime ndaj komunitetit rom dhe atij hebre.
Rasti i ustashëve në Kroaci është shembull tipik; romët ishin ndër komunitetet më të përndjekura prej tyre. Kjo, sipas tij, është një tjetër arsye që qeveritë e pasluftës nuk i dhanë shumë jehonë vrasjes së romeve. ‘‘Askush nuk dëshironte t’i përfshinte elementet e veta kombëtare në këto krime’’, vazhdon Paçaku. Mirëpo, ai thotë se historia e Holokaustit është pjesë e pandashme e komunitetit rom.
Në fillim të viteve ’70 shënohet një rilindje kombëtare rome me organizimin e Kongresit të Parë të Komunitetit Rom, të mbajtur në Londër. Aty, ndër të tjera, vendoset edhe për flamurin rom, për largimin e emërtimeve pezhorative ndaj komunitetit rom, si dhe vendoset edhe himni i tyre. Që atëherë, kënga ‘‘Djelem Djelem’’ është himni i romëve, dhe në fakt, kjo këngë është shkruar në një kamp të përqendrimit në afërsi të Nishit, siç tregon Paçaku.
Romët nga Lufta e Dytë Botërore dolën si një nga komunitetet më të përndjekura, e megjithatë paragjykimet ndaj tyre vazhduan edhe më pas. Edhe shumë vjet pas Holokaustit, romët vazhdojnë të luftojnë për jetë të dinjitetshme, kundër varfërisë dhe, mbi të gjitha, kundër paragjykimeve.K
Foto kryesore nga filmi “A Hole in the Head.”
Pyetje per Ngadhenjime Avdylin, Quhem Nora Ahmetaj dhe jam hulumtuese. Jam duke hulumtuar per shfarosjen dhe vrasjet masive te Romve pas luftes se dyte Boterore ne Kosove. Nese keni mundesi, a mund te me jepni kontaktin e protagonisit te storjes Ramiz Berusha per ta kontaktuar. Ju falnderoj paraprakisht nora