Valbona Feraj jeton në një lagje në periferi të Tiranës. Në banesën e saj modeste në Tiranë ajo flet për Albin, djalin e saj shtatë-vjeçar i cili është në klasë të parë, por që sikurse fëmijët e tjerë në vend, prej fillimit të pandemisë nuk ka shkuar në shkollë.
Valbona thotë se askush në familjen e saj nuk ka telefon e as ndonjë pajisje tjetër për t’i ndihmuar djalit të saj të ndjekë klasat online, dhe me pasigurinë që ende po e përcjellë vitin e ri shkollor, ajo frikësohet se djali i saj nuk do të jetë në gjendje ta vazhdojë shkollimin në shtator.
Ajo është nënë e tre fëmijëve dhe nuk ka punë, ndërsa burri i saj punon herë pas here. Shtëpia e tyre ka një dhomë dhe një kopsht të vogël, që është burimi kryesor i ushqimit të tyre.
“Ishte i zemëruar [djali] sepse donte të shkonte në shkollë”, thotë Valbona derisa shpjegon rrethanat e vështira ekonomike të familjes së saj të cilat nuk i lejojnë të kenë kushtet e nevojshme për shkollimin e djalit të tyre.
Ajo thotë se asnjë institucion nuk është interesuar për kushtet e familjes së saj gjatë periudhës së pandemisë.
Nga 2,034 të intervistuar, 61% thanë se fëmijët e tyre nuk kishin qasje në internet.
Në mars të këtij viti, kur COVID-19 mbërriti në Shqipëri, qeveria vendosi masën e izolimit që përfshinte edhe mbylljen e shkollave. Qeveria njoftoi se viti shkollor do të vazhdonte online, me procesin e mësimit që do të zhvillohej përmes grupeve në Whatsapp, klasave të Google, Skype-it dhe Facebook-ut.
Megjithatë, shumë familje nuk ishin në gjendje të siguronin pajisje apo qasje në internet për fëmijët e tyre.
Sipas publikimit të fundit nga Instituti i Statistikave, rreth 153,000 familje në Shqipëri nuk kanë qasje në internet.
Në veçanti familjet rome dhe egjiptase si ajo e Valbonës priren të mos kenë lidhje interneti. Të dhënat e mbledhura nga TREJA, një organizatë që merret me të drejtat e komuniteteve rome dhe egjiptase, treguan se nga 2,034 të intervistuar në prill dhe në maj, 61% thanë se fëmijët e tyre nuk kishin qasje në internet.
Sipas Ola Tares, drejtueses së TREJA-s, arsyeja kryesore pse shumë fëmijë u detyruan të heqin dorë nga shkollimi këtë vit ishin kushtet e vështira ekonomike dhe sociale, të cilat veçanërisht u rënduan për shkak të pandemisë ngase shumë familje në këtë kategori i sigurojnë të hyrat e tyre përmes punës “joformale” si riciklimi i letrës së vjetër, metalit apo materialeve të tjera. Shpesh, fëmijët i shoqërojnë prindërit e tyre duke mbledhur materiale për riciklim.
Katastrofë e pariparueshme
Për familjet që kanë vështirësi financiare, posaçërisht për ato nga grupet minoritare, pandemia dhe kalimi në mësimin online ka shtuar pasiguritë rreth arsimimit të fëmijëve të tyre.
Familja Feraj është vetëm një nga shumë prindër romë dhe egjiptas fëmijët e të cilëve nuk ishin në gjendje ta ndiqnin mësimin nga distanca. Valbona gjithashtu thotë se ajo nuk mundi t’i ndihmonte djalit të saj të mësonte vet, sepse siç thotë ajo, nuk ka shkollim të mjaftueshëm.
“Unë kam zero shkollim, edhe burri im zero. A mund të paktën ndonjë organizatë të na ndihmojë?” pyet ajo.
"As Ministria e as Qeveria nuk e shpenzuan një cent të vetëm për të blerë pajisje për fëmijët që nuk kishin qasje në to."
Altin Hazizaj, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri
“I vogli brengoset për shkollë. ‘Më çoni në shkollë’ thotë gjatë gjithë kohës. Atij i pëlqen shkolla shumë. Unë nuk kam telefon. Me çfarë do ta blija?”
Njëjtë si Valbona, familja e Xhemile Sulës jeton në Shkozë, në periferi të Tiranës. Mbesa e saj, Jasmina, është në klasë të katërt, por ajo nuk kishte mundësi t’i ndiqte klasat online gjatë pandemisë.
“Unë dua që fëmijët të shkojnë në shkollë, jo si unë. Unë nuk mund as të shkruaj e as të lexoj”, thotë Xhemilja. “Pendohem që nuk kam shkuar në shkollë kur isha e vogël”.
Altin Hazizaj, udhëheqës i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, thotë se sistemi i shkollimit para-universitar ishte i papërgatitur për sfidat që kanë ardhur bashkë me ofrimin e klasave online.
“As Ministria [e Arsimit] e as Qeveria nuk e shpenzuan një cent të vetëm për të blerë pajisje për fëmijët që nuk kishin qasje në to”, thotë Hazizaj. “Fakti që kjo nuk ndodhi edhe pse qeveria kishte fonde të mjaftueshme tregon se sa pak e vlerësojnë të drejtën për shkollim të fëmijëve në Shqipëri”.
Hazizaj thotë se kjo përbën “shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijëve” dhe se Kuvendi duhet të themelojë një komision të veçantë hetimor për hetimin e shkaqeve që çuan te kjo “katastrofë e pariparueshme” për fëmijët.
Ndihma nga shoqëria civile
Në përpjekje për të adresuar situatën, TREJA dhe OJQ të tjera zhvilluan një projekt që ka për qëllim të ndihmojë rreth 900 romë, egjiptas dhe fëmijë të tjerë në kushte të vështira ekonomike të kenë qasje në arsimin online duke filluar nga shtatori, në rast se ka nevojë për izolim sërish. Projekti ndihmon fëmijët jo vetëm të kenë qasje në arsimin online, por gjithashtu të përdorin arkivat në mënyrë që të zënë hapin me mësimet e humbura.
“Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Shqipëri ka bërë të qasshme mjetet elektronike për t’ua mundësuar fëmijëve ndjekjen e kurrikulës sipas klasave përkatëse, përmes një platforme që ofron mësim online duke përdorur videot e animuara”, thotë Tare.
“Disa fëmijë të cilët nuk kanë qasje në internet dhe pajisje elektronike do të jenë në gjendje të ndjekin klasat me organizata, me ndihmën e mentorëve dhe aktivistëve. Ndërkohë, ata të cilët kanë pajise elektronike dhe qasje në internet do të mund ta përdorin platformën falas nga shtëpia”.
Aktualisht nxënësit pritet të kthehen në shkollë më 14 shtator.
Tare shpjegon se fëmijët të cilët janë pjesë e programit janë identifikuar në bashkëpunim me shkollat në zonat përkatëse.
Edhe pse ky është projekt i shoqërisë civile, ata shpresojnë se do të inkurajojë Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të sigurojë qëndrueshmërinë e një modeli të tillë në qytetet tjera, dhe qasjen në arsim për të gjithë fëmijët.
Të mërkurën (19 gusht), kryeministri Edi Rama postoi në faqen e tij në Facebook se viti i ri shkollor do të fillojë në muajin tjetër me fëmijët në klasa. Në bazë të numrit të fëmijëve në shkolla vitin e kaluar, aktualisht rreth 380,000 nxënës pritet të kthehen në shkollë më 14 shtator.
Ministrja e Arsimit Besa Shahini thotë se ky vendim u bazua në dëshirat e prindërve, duke iu referuar një sondazhi që tregon se 87% e prindërve pajtohen me rihapjen e shkollave.
Ministria e Arsimit gjithashtu njoftoi se viti i ri shkollor do të fillojë prej 31 gushtit për fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën të cilët nuk mundën ta ndjekin shkollën më herët në pranverë. Ministria e quan këtë “program shtesë” që do të zgjasë për rreth dy muaj, duke u fokusuar në gjuhë shqipe dhe matematikë.
Megjithatë ende nuk është e qartë nëse kanë një plan në rast të një izolimi të ri. I pyetur nëse Ministria ka një plan për sigurimin e pajisjeve elektronike për fëmijët që kanë nevojë, nëse shfaqet nevoja për rikthim te klasat online, zëdhënësi Eridon Kotrri tha se kjo nuk do të paraqiste problem, por nuk mundi të jepte detaje.
Me pak zgjidhje tjera të mundshme, Valbona dhe Xhemilja besojnë se hapja e shkollave është e vetmja shpresë që fëmijët e tyre të marrin arsimimin që aq shumë e dëshirojnë.K
Imazhi i ballinës nga Isa Myzyraj.