U detalje | Kosova

Prej vëllezërve të vegjël, në ëndrra Olimpike

Piše - 01.03.2015

Luftëtarja e xhudos nuk i lë pengesat t’ia thyejnë shpresat për medalje të artë.

Për një çështje familjare, Nora Gjakova pothuajse e braktisi xhudon: kjo kishte të bënte me vëllain e saj të vogël, Akilin. Nora është tash shpresa Olimpike e Kosovës, por ajo ende e kujton veten kur ishte 10 vjeçe, me lotë në sy, duke luftuar për vëllain e vogël. 

„Pothuajse hoqa dorë,” tha Gjakova teksa e ndante tregimin e saj të parë me xhudo. „Ai është katër vjet më i ri se unë. Ne shkonim në xhudo bashkë, dhe ai ishte më i mirë. Ai mua më gjuante, dhe mua kjo nuk më pëlqente.”

“Sigurisht që shumë shpejt më kaloi dhe dorëheqja nuk ishte më në pyetje. Ai nuk kishte shans me mua, derisa mbushi 15 vjet dhe u bë më i rëndë se unë,“ tha Gjakova, duke i kujtuar fillimet e saja si atlete me buzëqeshje. Luftimet me të vëllain ishin motivim afatshkurtër që Gjakova të mirëmbante frymën garuese në këtë sport. Nxitësit e tjerë së shpejti u futën në lojë, si psh: udhëtimet, takimi i njerëzve nga e tërë bota, mundësia e suksesit dhe në veçanti arritjet e Majlinda Kelmendit, e cila u bë kampione botërore e juniorëve gjatë kohës sa stërvitej Gjakova dhe që e inspiroi atë që të vazhdonte tutje. Pesë vite djersitje, lotë dhe mundje me vëllain, e bënë Gjakovën – vajzën e mësuesit të edukatës fizike në shkollën e artit të Pejës – një garuese serioze. 

„Kosova nuk të ofron diçka më shumë pos shkollës. Peja e ka xhudon që mund të të çojë në maje të botës. Të tjerat nuk janë të zhvilluara mjaftueshëm, madje as nëse krahasohen me shtetet fqinje,“ tha Gjakova. 

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Në turnirin e kampionatit botëror në Zagreb, më 2008, ajo u shpall e para në kategorinë e peshës së saj, dhe më 2010, ajo u rendit në vendin e shtatë. Gjatë kësaj kohe, ajo vizitoi qytete në tri kontinente, përfshirë Algjerinë, Turqinë, Hungarinë, Gjermaninë, Austrinë, Kroacinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën. Për dallim nga kundërshtarët e saj, ajo ka udhëtuar me njërin nga pasaportat më pak të njohura botërisht: me pasaportën kosovare. Me këtë pasaportë, njeriu mund t’i vizitojë vetëm pesë shtete pa vizë. 

„Ne familjarisht merremi me sport,” tha Gjakova. “Prindërit më mbështesin dhe më motivojnë plotësisht. Për këtë jam me fat.“ 

Ka kaluar shumë kohë prej kur Gjakova dhe vëllai i saj i morën mësimet e para në xhudo. Tani, në moshën 22 vjeçare, ajo mban medalje të njohura nga Grand Prix, Grand Slams dhe Kupa Botërore, disa prej tyre në emër të Kosovës, e disa në emër të Shqipërisë, para se Kosova të njihej nga Federate Ndërkombëtare e Xhudos më 2012. Në nëntor 2014, ajo u bë Kampione Evropiane nën moshën 23 vjeçare, duke e përfaqësuar Kosovën. “Në këtë kategori ka xhudoka të cilat në ndonjë ditë më të mirë, nuk do të mund t’i mundja,” tha Gjakova. 

„Me Majlindën kemi qenë në kategori të njëjtë me vite të tëra. Ne garonim kundër njëra tjetrës, dhe kjo na ka ndihmuar shumë,“ tha Gjakova. „Ajo nuk është e lehtë ndaj meje dhe kjo është gjë e mirë sepse më përgatit për garë të vërtetë. Mendoj se me një strategji të mirë të lojës, do ta mund cilëndo kundërshtare.” 

Vetëbesimi i Gjakovës është rritur prej kur ajo e fitoi medaljen e fundit, që i erdh pasi kaloi pothuajse një vit të tërë larg garave të xhudos. Më 2013, në turnirin Grand Prix në Rijekëtë Kroacisë, ajo e lëndoi gjurin gjatë luftës së parë. Nuk ishte shumë e sigurtë se çka mund t’i ketë ndodhur këmbës së saj, por ishte e sigurtë që ajo donte të vazhdonte me garën. “Kur je aty, dëshiron të vazhdosh dhe të luftosh për medalje; nuk të shkon mendja për lëndime,” tha ajo.

"Kur lëndohesh, aksidenti të mbetet në mendje. Edhe pse e di që ka kaluar, kujtimi mbetet dhe asnjëherë nuk mund ta dish se a je gati për t’u kthyer pa u provuar me kundërshtarë,” shpjegon Gjakova.

Gjakova vazhdoi luftimet në Grand Prix pavarësisht lëndimit. Ajo tregon se si vazhdimisht ishte në lëvizje gjatë pauzave të luftimeve, për ta mbajtur trupin e ngrohtë dhe qarkullimin e gjakut në nivel. E dinte se po të ndalej, gjuri do t’i enjtej, dhe do të duhej ta ndërprente garën. E motivuar nga rezultatet e mira të bashkatdhetarës së saj, Kelmendit, ajo vazhdoi të luftojë, dhe e fitoi medaljen e bronztë.

“Luftimi me një ligament të shqyer e komplikoi lëndimin dhe shkaktoi MCL,” tha Gjakova. “Por mendoj se do ta bëja prapë. Kur je në garë, e do medaljen.” 

Prej kur ishte “poshtëruar” nga vëllai i saj në moshën 10 vjeçare, Gjakova asnjëherë nuk kishte menduar ta braktisë xhudon. Pas operimit në gju, ajo filloi të punojë shumë për t’u kthyer. Fillimisht mori pushim, dhe pastaj e nisi rehabilitimin fizik për t’u rikthyer në formë, por sigurisht që gjëja më e vështirë ishte shërimi psikologjik. 

„Kur lëndohesh, aksidenti të mbetet në mendje. Edhe pse e di që ka kaluar, kujtimi mbetet dhe asnjëherë nuk mund ta dish se a je gati për t’u kthyer pa u provuar me kundërshtarë,” shpjegon Gjakova. 

Paraqitja e saj e parë pas lëndimit ishte për ekipin e xhudos Galatasaray, të Turqisë. Ajo u vlerësua si anëtarë e mirë dhe u ndihmoi me medalje të bronztë në një prej garave më të mëdha të xhudos për ekipin e Turqisë. Ajo vazhdoi të luftonte edhe me dy paraqitje, por nuk i mblodhi pikët e nevojitura për t’u kualifikuar për lojërat Olimpike. 

„Edhe unë edhe Majlinda luftojmë për Galatasaray; është një mundësi e mirë pjesëmarrjeje në ekip, dhe kjo është aranzhuar nga trajneri ynë që është edhe menaxheri ynë,” tha Gjakova. “Aty kemi një frymë të mirë ekipore, dhe kemi bërë shumë miq.” 

Rezultatet e saj të para të mira pas lëndimit erdhën me fitoren e titullit European U-23, dhe tani edhe Gjakova, edhe trajneri i saj ndihen të sigurtë që ajo do të kualifikohet për Olimpiadën e vitit 2016. 

“Ka luftuar mirë,“ tha Driton Kuka, trajneri i saj. “Megjithatë, ajo duhet ta përmirësojë strategjinë e vet dhe të punojë me mua në këtë drejtim. Ajo nuk është si Majlinda, që dëgjon me vëmendje. Nora ndonjëherë është kokëfortë dhe kjo shpesh i kushton. Por mendoj se kemi përmirësime edhe në këtë aspekt.“ 

Gjakova pajtohet. “Duhet të ushtroj shumë, duhet t’i analizoj strategjitë e mira të luftimeve dhe të punoj më shumë me trajnerin tim,” tha ajo. “Shpresoj të marr pjesë në lojëra Olimpike dhe të luftoj për medalje.” K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Ky artikull fillimisht është publikuar në edicionin për Sport të revistës sonë. Na kontaktoni këtu për ta blerë një kopje.