Çikat që ngjiten në skele - Kosovo 2.0

Çikat që ngjiten në skele

Një përvojë që nisi me skepticizëm e përfundoi në frymëzim.

Nga Endrina Luzha | 6 korrik 2024

Në vitin 2020, ndërsa bota përballej me sfida të reja dhe të paparashikuara që vinin si rezultat i pandemisë COVID-19, unë vendosa të filloja një udhëtim transformues në jetën time personale. Si dikush me një natyrë introverte dhe shpesh e tërhequr nga grupet shoqërore, ndieva një dëshirë të thellë për të ndryshuar dhe për t’u hapur më shumë ndaj botës përreth meje. Ishte momenti për të dalë nga zona ime e rehatisë dhe për të zbuluar dimensione të reja të vetes. 

Ky udhëtim më dërgoi në një përvojë të jashtëzakonshme, ku pasioni im për artin gjeti një shteg të ri dhe të papritur. Gjeti një shteg për t’u zhvilluar tutje e për të ndikuar pozitivisht, jo vetëm në jetën time, por në atë të komunitetit tim. 

Gjithçka nisi kur organizata që synon të promovojë rininë dhe grupet tjera të margjinalizuara përmes artit në mur, MuralFest, hapi një thirrje përmes së cilës po kërkonte vullnetarë/e për t’iu bashkuar ekipit të tyre. E pashë thirrjen, por vija nga një profil krejt ndryshe nga ç’kërkohej. Në ato kohë isha nxënëse në gjimnaz, drejtimin për shkenca natyrore dhe aty arti përgjithësisht nuk cilësohej si lëndë me rëndësi. Të paktën, nuk trajtohej me rëndësinë që unë mendoja se duhej trajtuar arti, për të cilin kisha talent që e vogël. 

Kështu, pjesëmarrja në programin e MuralFest m’u duk mundësi e mirë për ta gjetur një vend ku arti çmohet siç e meriton. Ky angazhim m’u duk edhe si një portë drejt zhvillimit të mëtejmë të dashurisë, pasionit dhe talentit që kisha për art, kryesisht pikturë. Përkundër skepticizmit rreth asaj se sa do të përshtatej profili im me atë që kërkohej në thirrje, aplikova. Dhe, për befasinë time, u pranova. 

Më erdhi ftesa për takimin e parë njoftues. Isha shumë e emocionuar e edhe me drojë se si do të shkonte. Prapë, gjithçka shkoi më mirë nga ç’e prisja. Gjatë ditëve vijuese, mbajtëm takime ku njoftoheshim për punët dhe detyrat që ne si të rinj e të reja do t’i bënim gjatë edicionit të atij viti. 

Ishte edicioni “CHANGE” (Ndryshim). Kjo ishte vetëm një prej temave të ndryshme që MuralFest ka trajtuar ndër vite e përmes së cilave është përpjekur të sjellë në vëmendje kolektive çështje të rëndësishme shoqërore si lëvizja e lirë, ambienti, korrupsioni, nocioni i shtëpisë, drejtësia gjinore e të tjera. Këtë e bën duke lyer hapësirën publike me ngjyra të bukura e imazhe që thërrasin për reflektim. 

Për edicionin ku nisa unë punën, artistë/e muralistë/e nga vende të ndryshme të Evropës, me një bagazh të pasur në karrierën e tyre do të vinin në qytetin e Ferizajit për dy javë, për të bërë murale, në qytetin që tashmë, falë kësaj pune, njihet si qyteti i muraleve. 

Roli ynë si vullnetare/ë ishte që t’u ndihmonim këtyre artistëve/eve ta realizonin punën e tyre. Puna filloi, të gjithë/a ishim të shpërndarë/a nëpër pika të ndryshme, me artistë/e të ndryshëm/me, bashkë me radhën e detyrave dhe përgjegjësive që duhej përmbushur gjatë procesit. Këto detyra përfshinin kryesisht t’u qëndronim afër artistëve/eve në rast se kishin nevojë për ndonjë gjë si ngjyra, brusha, mjete të punës. Me raste, përfshiheshim edhe në pjesën artistike e ndihmonim edhe në pikturimin e ndonjë pjese të muraleve. Për ta bërë këtë, nevojitej të ngjiteshim në skele.

Një ndryshim i dyfishtë

Pavarësisht se ekipi i MuralFest na kishte përgatitur për përvojën tonë si vullnetarë/e, ajo ishte prapëseprapë krejt e re për mua, gjë që nxiste pasiguri se a do të mund t’ia dilja. Na kishin treguar për sfidat me të cilat ishin përballur në edicionet e kaluara — kryesisht rreth paragjykimeve dhe reagimeve të njerëzve. Më kishin paralajmëruar se në qytet nuk ishte lehtësisht e pranuar që një vajzë të ngjitej në skele për të pikturuar. Megjithatë ishte ndryshe kur e përjetova vetë. 

Mbaj mend herën time të parë kur u ngjita në skele dhe fillova të ndihmoja artistin. Njerëzit që kalonin aty lëshonin një vështrim shumë të çuditshëm dhe fjalë të ndryshme si “me hypë në skele është për burra dhe djem, jo për vajza”. Thuheshin edhe fjalë tjera fyese. 

Apo kishte të atillë që kur më shihnin duke ecur në qytet thjesht ngacmonin për shkak të dukjes — rroba me ngjyra nga puna tërë ditën. Dëgjoja fjali si “paskan dalë këta molerat e qytetit, shih shih bir çka paska veshë”. Apo, kur bartja kovat me ngjyra apo mjete të ndryshme të punës, përballesha me shprehje të ulëta e nënçmuese si “hahaha kqyre more molerin çka koka tu bajt”, “sa e ki metrën katrore me ardhë me ma ly dhomën e gjumit se ka nevojë për pak ngjyra…”. 

Këto sjellje më bënin të dyshoja në veten e të shqyrtoja nëse puna që po bëja ishte gabim. Herë pas here, këto shprehje më bënin edhe të më vinte turp për angazhimin tim. Kur gjithçka mbaronte dhe shkoja në shtëpi, i mendoja gjërat dhe fjalët edhe më gjatë e më thellë. Disa herë kam menduar edhe ta lë në gjysmë përvojën që sapo kisha filluar.

Sfidat me të cilat ballafaqohesha gjatë ditës i diskutoja me prindërit e mi dhe ata më këshillonin dhe më shtynin që mos ta lë sepse e shihnin dhe e kuptonin se me sa pasion dhe qejf unë realisht e kryeja punën time. Këshillat e tyre të vazhdueshme ishin që ta vazhdoj punën sepse dikur, njerëzit do mësoheshin. Ata e dinin qëllimin e mirë që na printe dhe e vërenin lidhjen që kisha krijuar me pjesëtarët/et e grupit. E kishin të qartë edhe se kjo përvojë po ndikonte për të mirë në personalitetin dhe zhvillimin tim. Përpiqeshin të më ofronin kurajon që më duhej për të vazhduar të mësoja teknika të ndryshme artistike. Përçonin te unë guximin që më duhej, duke më bindur se ajo që kisha nisur ishte më e madhe se paragjykimet e fjalët nënçmuese — të më bindin se vajzat mund të ngjiten në skele. Se vajzat nuk heqin dorë.

Dhe unë vazhdova. Çdo vit ishte një edicion i ri, një përvojë e re. Dalëngadalë edhe njerëzit nisën të mësoheshin me ne dhe punën tonë. Paragjykimet dhe fjalët filluan të shndërroheshin në lavdata dhe falënderime për punën që po bënim: “ju lumtë, e keni zbukuruar qytetin”, “ah tash po njihemi si qyteti i muraleve”, “ndërtesave të vjetra iu keni dhënë jetë”. 

Besa, një herë duke bartur disa kova me ngjyra dhe disa djem të rinj, që po kalonin aty afër shprehnin gatishmëri për të më ndihmuar dhe kjo më befasoi shumë, pasi nuk më kishte ndodhur më herët. Aty kuptova që ne me ngjyra po i jepnim jetë qytetit dhe se përpos që po ngrisnim vetëdijen për temat që trajtonim në secilin edicion, po sillnim ndryshim edhe tjetërqysh — duke ekzistuar, pa dallime e të barabarta në hapësira publike, nga ku gratë jo rrallë janë të përjashtuara. Ky përjashtim ndodh shpesh në trajtën që më ndodhi mua — duke i nënçmuar, ngacmuar e përqeshur ato. Ne po ndihmonim ta përjetësonim qëllimin që tri gratë, artistet që e kanë nisur MuralFest, Lebibe Topalli, Pranvera Sylejmani and Antigona Heta e kishin pasur që në fillim — të mbështesin e fuqizojnë gratë artiste në Kosovë. 

Edicioni “CHANGE” në fund të fundit, ndërroi më shumë se veç qytetin. Teksa isha pjesë e këtij ndryshimi, ndryshova edhe unë. Fitova miq të rinj e vetëbesim. Bashkë me shkathtësitë teknike në art, zbulova një forcë të brendshme në vete që më ka shtyrë të përmbush synimet dhe ëndrrat e mia. Mësova të përballoja përgjegjësitë dhe detyrat e mia në mënyrë më efektive. Fillova të jem më e socializuar me njerëzit, më e qasshme dhe e hapur në komunikim. Përmirësova aftësitë e mia të komunikimit dhe fillova të flisja më shumë, duke ndërtuar marrëdhënie më të forta dhe të qëndrueshme me ata përreth meje. 

Edhe sot jam pjesë e MuralFest. Tash, meqë kam filluar studimet për arkitekturë, po përpiqem ta kombinoj ekspertizën teknike me kreativitet, për të krijuar vepra që pasurojnë hapësirat publike dhe japin një kontribut të vlefshëm në komunitet. Me një dashuri të rritur për artin dhe një ndjenjë të përkushtimit ndaj ndryshimit, jam e frymëzuar të vazhdoj rrugën time, duke u përqendruar në të mirën dhe ndryshimet që unë dhe bashkëpunëtorët/et e mi/a mund të sjellim në botën tonë — në botën ku çikat hypin n’skele.

Imazhi i ballinës: K2.0.

Shfletoni zinën e plotë

Hovi ynë rinor – Print

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.