Kosovo 2.0 është organizatë e pavarur mediale. Kjo do të thotë se gjithçka që prodhojmë — artikujt, podkastet apo videot tona, qoftë në faqen tonë të internetit apo në mediat sociale — janë të lira prej çfarëdo ndikimi politik apo korporativ, konflikti të interesit apo ndonjë presioni të çfarëdoshëm nga jashtë. Në K2.0 ne udhëhiqemi nga ndërgjegjja jonë, standardet etike të profesionit tonë dhe përgjegjësia ndaj lexuesve tanë. Kësisoj ne sigurohemi që ne dhe kontribuuesit tanë ndihen të fuqizuar për ta thënë saktësisht atë që duhet thënë — pa asnjë përjashtim.
Si e bëjmë këtë?
Së pari, kemi procedura të rrepta të brendshme, përmes së cilave sigurohemi që përmbajtja jonë redaktoriale i përmbahet standardeve më të larta profesionale. Për ne, kjo çështje është shumë serioze; gazetaria nuk është thjesht një punë — është një detyrë qytetare.
Së dyti, për shkak se nuk mbështetemi nga fondet shtetërore dhe refuzojmë partneritetet e korporatave që do të kërcënonin pavarësinë tonë, ne jemi në gjendje të sigurohemi që asnjë ndikim politik apo korporativ të mos i përcaktojë zgjedhjet tona editoriale. Kjo është një zgjedhje e rrallë në mjedisin medial në Kosovë dhe rajon.
Pra, si e mbajmë funksionale K2.0?
Mbase e keni vënë re se jo vetëm në Kosovë, por në mbarë botën, situata e mediave po përkeqësohet. Mbërritja e mediave sociale dhe ardhja e shoqërisë globale digjitale i kanë dhënë goditje të paprecedentë qëndrueshmërisë së medias. Shumë publikime të pavarura janë mbyllur. Shumë të tjerë e kanë dobësuar cilësinë e punës dhe kanë filluar të prodhojnë përmbajtje që tërheq klikime apo të punojnë në shërbim të interesave të ngushta. Në Kosovë, mundësia që një publikim të mbahet nga mbështetja e lexuesve është e vogël.
Ne ia dalim ta bëjmë atë që e bëjmë falë mbështetësve tanë — të cilët mbulojnë pothuajse 100% të buxhetit tonë. Mbështetësit tanë — qofshin ata OJQ, agjenci zhvillimore, ambasada apo fondacione — e njohin rolin tonë si një zë i pavarur në shoqëri dhe e mbështesin misionin tonë për të krijuar gazetari të fuqishme dhe të pa kompromis, që i dëgjon përvojat e njerëzve, shpjegon realitetet komplekse, ofron kontekst dhe provokon diskutime në Kosovë, rajon dhe më gjerë. Mbështetësit tanë e respektojnë pavarësinë tonë, gjë që na lejon ta ruajmë zërin kritik që lexuesit tanë e presin prej nesh.
Duke qenë një entitet jofitimprurës, i gjithë financimi ynë shkon drejtpërdrejt në punën tonë. Ne kemi mbështetje institucionale, e cila mbështet gjerësisht funksionet tona në vazhdimësi si dhe mbështetje për projekte specifike.
CRD është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që fokusohet në mbrojtjen e të drejtave civile dhe politike të njerëzve. Duke mbështetur K2.0 që nga viti 2011, CRD tani mbështet prodhimin tonë të vazhdueshëm editorial, i cili na lejon që nëpërmjet gazetarisë sonë unike, ta promovojmë vizionin tonë për një shoqëri më të mirë.
Mbështetja aktuale: Shkurt 2024 — Dhjetor 2024
Kjo është hera e parë që bashkëpunojmë me Agjencinë për Bashkëpunim Zhvillimor të Luksemburgut (LuxDev). LuxDev mbështet projektin “Forcimi i integritetit të informacionit në epokën digjitale dhe AI”, i cili synon të kontribuojë në përmirësimin e integritetit të informacionit në peizazhin medial dhe publikun në përgjithësi në Kosovë, përmes fuqizimit të teknologjisë, prodhimeve gazetareske dhe mbështetjes financiare, si dhe mentorimit të medieve lokale. Projekti realizohet në kuadër të projektit “Mbështetja për Shoqërinë Civile në Kosovë”, financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe zbatuar nga LuxDev, Agjencia për Bashkëpunim Zhvillimor e Luksemburgut.
Mbështetja aktuale: Janar 2025 — Qershor 2026
“Diversifikimi i zërave në gazetari” është projekt që financohet nga Bashkimi Evropian, që synon promovimin e pluralizmin medial në Kosovë, kundërshtimin e dezinformimit dhe të ndërtojë kapacitetet e organeve mediale dhe gazetarëve të rinj e të reja apo atyre që aspirojnë të prodhojnë përmbajtje gazetareske, që i përmbahen standardeve më të larta profesionale.
Nëpërmjet këtij projekti ne ofrojmë mbështetje financiare dhe trajnime për mediet dhe organizatat e lidhura me to, duke u ndihmuar t’i realizojnë projektet e tyre inovative dhe me cilësi të lartë mediale.
Po ashtu, po e rrisim kapacitetin dhe interesimin e të rinjve e të rejave dhe studentëve e studenteve, si dhe profesionistëve e profesionisteve të gazetarisë që të prodhojnë gazetari të mirëfilltë, duke i përfshirë, ndër të tjera, në punën redaktoriale të K2.0 dhe duke prodhuar dokumentarë të shkurtër që hulumtojnë tema të pa-raportuara dhe keqraportuara, që kanë rëndësi të madhe shoqërore.
Mbështetja aktuale: Janar 2023 – Dhjetor 2025
“Mbështetje lirisë së medieve dhe pluralizmit në Ballkanin Perëndimor” është projekt me mandat të Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). Ky projekt zbatohet nga GIZ (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit), në bashkëpunim me Internews dhe DW Akademie. Përmes këtij projekti, ne marrim mbështetje posaçërisht për ta përmirësuar qëndrueshmërinë tonë financiare dhe përfshirjen e publikut, në përputhje me prioritetet kyçe strategjike 2021-2025.
Mbështetja aktuale: Mars 2023 — Gusht 2025
RBF është një fondacion filantrop që avancon ndryshimet shoqërore që kontribuojnë në drejtësi, qëndrueshmëri dhe paqe. Që nga viti 2020, RBF ka qenë një mbështetës institucional i K2.0, duke financuar disa nga produktet tona më inovative — siç është karnavali dhe revista “Shpresë” (HOPE) në 2020. Ndër të tjera, RBF mbështet prodhimin tonë të vazhdueshëm redaktorial.
Mbështetja aktuale: Janar 2024 — Dhjetor 2026
I financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe zbatuar nga Këshilli Britanik në partneritet me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), Fondacionin Thomson (TF) dhe INTRAC (Qendrën Ndërkombëtare për Trajnim dhe Hulumtim të OJQ), projekti “Media e Ballkanit Perëndimor për Ndryshim” mbështet mediet, gazetarët/et dhe nismat mediale në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në përpjekjet e tyre për ta përmirësuar kapacitetin e tyre operacional, qëndrueshmërinë e biznesit, potencialin e inovacionit dhe prodhimin e përmbajtjeve cilësore, gjithëpërfshirëse, me ndjeshmëri ndaj gjinisë, të cilat arrijnë dhe angazhojnë audienca të ndryshme, përfshirë gratë, të rinjtë, personat e moshës mbi 65 vjeç, dhe komunitete të tjera që janë të nënpërfaqësuara. Ky grant na ndihmon ta forcojmë qëndrueshmërinë tonë financiare duke rritur angazhimin e lexuesve/eve, teksa zgjerojmë dhe sjellim inovacion në përmbajtjet tona redaktoriale multimediale.
Mbështetja aktuale: Mars 2024 — Shkurt 2025
Financuar nga BE dhe zbatuar nga K2.0, Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” dhe QIKA, ky projekt synon t’i adresojë sfidat me të cilat përballet peizazhi medial në Kosovë. Projekti vë theksin në fuqizimin e medieve lokale dhe komuniteteve pakicë, promovimin e pluralizmit medial dhe nxitjen e edukimit medial, veçanërisht te të rinjtë, gratë dhe grupet e margjinalizuara. Përmes mbështetjes financiare, nismave për ngritje kapacitetesh dhe trajnimeve praktike, projekti synon t’i përmirësojë standardet e gazetarisë, të inkurajojë gazetarinë investigative dhe t’i fuqizojë zërat e nënpërfaqësuar.
Mbështetja aktuale: Shkurt 2025 — Shkurt 2028
Qëllimi i këtij granti institucional është fuqizimi i K2.0 si medium i pavarur në peizazhin medial, përmes prodhimit të gazetarisë së guximshme, sfiduese dhe me ndikim; duke e bërë revistën tonë një hapësirë që inkurajon një shoqëri më reflektuese, më të vëmendshme dhe më kritike; duke e fuqizuar revistën tonë si hapësirë që informon, angazhon dhe ndikon një numër më të madh qytetarësh; si dhe duke forcuar qëndrueshmërinë dhe pavarësinë tonë financiare.
Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.
Mbështetja aktuale: Janar 2025 — Shkurt 2028
Ky projekt synon ta mbështesë prodhimin e një serie videosh të shkurtra, për ta luftuar dezinformimin, për ta rritur edukimin politik dhe për t’i angazhuar votuesit/et e rinj/eja përmes rrjeteve sociale. Përveç kësaj, Kosovo 2.0 do të prodhojë përmbajtje që ndërlidhen me “Konventën EDI”, që do të mbahet në maj të vitit 2025 në Shkup, Maqedoni e Veriut.
Mbështetja aktuale: Shkurt 2025 — Korrik 2025
Ky projekt bazohet në suksesin e nismës sonë rajonale: “Rrjeti i Raportimit të Diversitetit 2.0“. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe kërkon t’i zgjerojë përpjekjet tona në monitorimin e gjuhës së urrejtjes dhe keqpërdorimeve mediale në të gjithë rajonin. Objektivat tona kryesore përfshijnë rritjen e kapacitetit të medieve dhe gazetarëve për t’i mbështetur standardet profesionale, promovimin e përfaqësimit më të mirë të diversitetit në medie dhe rritjen e ndërgjegjësimit tek qytetarët për rolin jetik, që mediet luajnë në formësimin e shoqërive tona. Projekti është aktiv në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi. Partnerët tanë në këtë projekt janë Instituti i Diversitetit të Medias në Ballkanin Perëndimor (udhëheqës), Albanian Woman in Audiovisual, Fondacioni “Mediacentar”, Qendra për Gazetari Hulumtuese e Malit të Zi dhe Media Innovative.
“Rrjeti i Raportimit të Diversitetit – Agjenda e Re” bashkëfinancohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, si pjesë e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria civile për shoqërinë e përbashkët në Ballkanin Perëndimor” zbatuar nga Qendra për Promovimin e Shoqërisë Civile në partneritet me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe Qendrën për Kërkime dhe Politikëbërje.
Kohëzgjatja e projektit: Mars 2023 — Shkurt 2027
Financuar nga BE dhe zbatuar nga CPCD, Thomson Media, SCIDEV Albania, Kosovo 2.0, CDT Mali i Zi dhe Metamorphosis, ky projekt synon fuqizimin e qëndrueshmërisë dhe pavarësisë së medieve të vogla, përmes granteve, mentorimit, ngritjes së kapaciteteve, avokimit dhe zhvillimit të një platforme burimesh online. I shtrirë në gjashtë shtete dhe i strukturuar në 12 paketa pune, projekti përqendrohet në përmirësimin e qëndrueshmërisë, qeverisjes dhe cilësisë së përmbajtjes mediale, duke nxitur njëkohësisht bashkëpunimin dhe avokimin për një mjedis më përkrahës për mediet.
Kohëzgjatja e projektit: Nëntor 2024 — Nëntor 2027