Ka disa muaj prej kur tezja ime, Afërdita vdiq. Ajo nuk e dinte se sa e sëmurë ishte. Familja nuk i tregoi. Prindërit e mi nuk më treguan as mua, pasi nuk donin të shqetësohesha. Gjithashtu frikësoheshin se mos do t’ia përmendja pa qëllim kur flisnim në telefon. Krejt kjo për ta kursyer, që ajo të mos ndihej e pashpresë.
Ëndërronte të bëhej nënë, por fatkeqësisht nuk mund të kishtë fëmijë. Unë dhe dy motrat e mia ishim të bekuar që patëm një nënë të dytë si ajo.
Tezja, e clia ishte arkitekte, më mësoi shumë gjëra, nga vizatimi teknik deri tek të shkruarit në tastaturë. Ishte një makinë shkrimi e modës së vjetër. Dhe edhe tash, pasi ka ndërruar jetë, ajo vazhdon të mësojë. Na mëson përmes artit të saj, pikturave të saj. Përmes mbledhjes së luleve në shtëpinë e fëmijërisë së saj, përpara se ndërrimi i stinëve t’i vyshkë ato.
Një vit, në vend se t’i linte lulet të vyshkeshin, i mblodhi. I vendosi mes faqeve të librave të harruar në raftin e saj. I la nën presionin dhe peshën e librave të tjerë. Lulet u petuan dhe u thanë, sikur librat t’ua thithnin jetën, duke bartur historinë e tyre mes fletëve të letrës, në pritje për t’u hapur sërish e për t’u zbuluar.
Pas shumë ditësh, i shikuam sërish lulet që u lanë të thaheshin. I vendosëm në dyshemenë prej druri, duke përzgjedhur më të bukurat dhe duke i futur në karton të fortë me prapavijë të zezë. I vendosëm një copë xhami sipër, duke i bërë ato hermetike që të ruhen përgjithmonë. Lulet i japin gjallëri mureve edhe sot e kësaj dite, pas shumë vitesh.
Lulet sfidojnë kohën mbrapa mbrojtësit prej xhami dhe zgjojnë kujtimet për tezen time. Prania dhe trashëgimia e saj ndihen ende, të mbështjella në bukurinë e çdo luleje të shtypur, duke siguruar që ajo të mos harrohet kurrë. Është një rikujtim që të dashurit tanë vazhdojnë të na formësojnë përmes mësimeve që lanë pas dhe dashurisë që dhanë, shumë kohë pasi ata/o largohen nga kjo botë. Në këtë mënyrë, tezja ime më dha një mësim të paçmuar për artin e ruajtjes së kujtimeve: aktivizmin e kujtesës në nivelin më bazik njerëzor.
Hera e fundit që e pashë ishte kur e vizitova në spital, dy ditë pasi u ktheva në vendlindje, në Prishtinë. I solla një dhuratë, një gështenjë të egër të pikturuar, që ma dhuroi një plak në Split. Thonë se gështenjat e pikturuara sjellin goxha fat, kështu që gështenjën e pikturuar ia dhashë tezes për t’i ndjellur fati. Mendoja do ta mposhte kancerin. Nëna m’i futi ca para në xhep. Ato para ia dhashë tezes, sepse fati nuk i paguan shpenzimet mjekësore. E kam mësuar qysh herët se ndonëse është gjest i mrekullueshëm të bësh dhurata kuptimplote që sjellin fat të mirë, nganjëherë paratë janë dhurata më e nevojshme.
Ka shumë faza dhimbjeje pasi një person i dashur vdes. Në kulturën time, supozohet të jem i fortë dhe të mos shfaq pikëllim, pasi kjo mund të nxisë një varglotësh. Pritet nga të moshuarit, pasi tradita thotë se ata janë më të mençurit, që të flasin. Megjithatë, kjo traditë nuk u vazhdua në të pamen tonë. Folën të rinjtë e të moshuarit. Secili dëgjoi pa ndërprerje. Nuk e mendova aq shumë. Po e pranoja realitetin; Isha aty, isha pranë familjes sime. Por ishte ende shumë herët që t’i mendoja në hollësi ndryshimet që do vinin.
Tek kur u ktheva në Pragë, mendimet e shtypura gjetën udhën e tyre drejt zemrës sime. Të të kuptuarit se një person i dashur ishte larguar më goditi fort. Një natë, isha duke ecur për në shtëpi nëpër një park të vogël mes pemësh të larta, kur u ndala dhe qëndrova pa lëvizur. Kishte lëvizje rreth meje, njerëzit shkonin nga një vend në tjetrin, siç bëja unë.
Gjersa po ecja, në lëvizje, nuk isha i vëmendshëm ndaj njerëzve të tjerë që po ecnin njëlloj si unë. Lëvizja jonë ishte në një harmoni të tillë, saqë objektet statike — ndërtesat, pemët, rruga me kalldrëm — dukej se po lëviznin dhe ma tërhoqën më shumë vëmendjen. Ndalova së ecuri dhe vura re se njerëzit që ecnin përreth më bënë më vigjilent dhe kjo ma tërhoqi vëmendjen. Nisi një zinxhir mendimesh që më shtyu të shikoja përreth pemëve.
U ndala dhe shikova përreth, duke menduar se vetëm objektet statike shohin çdo lëvizje dhe mund të flasin me vetëdije për të. Mendimet, kur je në lëvizje dhe qëndron në një vend, janë të ndryshme. E ndieva gjakun tek rridhte nëpër zemrën time dhe një ndjenjë ngrohtësie rreth saj. Vura re gjethet e verdha që binin nga pemët, të dorëzuara ndaj vyshkjes.
“Njeriu vdes kur harrohet”, thashë me vete. Gjoksi im, duke u ndier i rënduar, filloi të bëhej më i lehtë dhe vërejta lëvizje prej gjoksit drejt qafës, muskujt e gojës më lëviznin pak, sytë m’u mbushën me lot dhe e lanë zemrën time të shprehej. Barra e një gjoksi të rëndë u hoq, duke i lejuar lotët të rridhnin, për dallim nga situata kur isha në shtëpi dhe isha i detyruar të qëndroja stoik. Teksa lotët filluan të më rridhnin në fytyrë, arritën te mjekra ime.
Ndërsa mbylla dhe hapa sytë, një pikë loti ra në një gjethe që kishte rënë. U përkula dhe mora atë gjethe, e cila tani përfaqësonte ndjenjat e mia. Sikur dëgjova një zë, fillova t’i mblidhja të gjitha gjethet rreth meje. Mblodha gjithçka që munda dhe shkova në shtëpi. Gjeta librat e mi më të rëndë, hapa faqet dhe i futa gjethet brenda për t’i petuar dhe tharë. Gjethen me lot e ruajta për fund. Tani ndodhet në mes të veprës sime artistike. Tezja ime, Afërdita do të mbahet mend përgjithmonë, prania e saj ndihet në muret e shtëpisë sime.
Imazhi i ballinës: Arkivi i Ard Kelmendit.
Shfletoni zinën e plotë
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.