Rom do të thotë njeri - Kosovo 2.0

Rom do të thotë njeri

Amara mule na merna. Të vdekurit tanë nuk vdesin.

Nga Denis Galushi | 6 Korrik, 2024

Kur vjen 1 gushti, dua që e nesërmja të mos ekzistojë ose të kalojmë në 3 gusht. Jo që nuk dua ta kujtoj ditën më të dhimbshme dhe turpin më të madh të njerëzimit, por është e vështirë edhe vetëm të paramendosh vuajtjet e rreth 500,000 viktimave, burra, gra, pleq e fëmijë romë — njerëz, të vrarë deri në maj 1945, në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Evropë, nga regjimi nazist. Romët ishin ndër etnitë me numrin më të lartë të të vrarëve nga nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre. 

Gjatë natës së 2 gushtit dhe në mëngjesin e hershëm të 3 gushtit 1944, mijëra romë dhe sinti u vranë në dhomat e gazit në Auschwitz II-Birkenau. Për shkak të kësaj ngjarjeje, zyrtarisht, 2 gushti është përkujtuar dhe pranuar nga Parlamenti Evropian si Dita e Gjenocidit ndaj Romëve, në romisht “samudaripen” (vrasje masive).

Edhe po të mos dua ta kujtoj atë që ndodhi, malet, kodrat, detet e oqeanet nuk do të lejonin, sepse ata ishin dëshmitarë të çnjerëzisë së nazistëve në kampet e vdekjes në Poloni dhe jo vetëm.

Midis frustrimit, dhimbjes dhe hidhërimit, për një moment ka edhe krenari sepse në këtë hapësirë, ku provuan të na shfarosin, sot ecin ata e ato që ishin në listën e zhdukjes përgjithmonë para 80 viteve. 

Ka krenari sepse miliona romë anembanë botës kujtojnë këtë ditë me romishten e tyre të pasur, me fjalët: Amara mule na merna (Të vdekurit tanë nuk vdesin). Gjuhë kjo e lënduar, e copëtuar, e torturuar, e përbuzur, e nënçmuar, e përulur, e tallur, e djegur, e shkelur, por – e gjallë, ashtu siç kishte thonë poeti ynë i ndjerë, Kujtim Paçaku.

2 gushti i vitit 1944

Në kampin e asgjësimit Auschwitz II–Birkenau, seksioni BIIe u quajt “Zigeunerlager” — në kuptim përçmues, e barasvlefshme me “Kampi i Ciganëve/Maxhupëve” — ku ishin vendosur romët, që ishin transferuan për në Auschwitz II-Birkenau pas vendimit, pak mbas fillimit të luftës në vitin 1939, që të gjithë romët të largohen nga territori i Rajhut të Tretë. Blle ishte një kamp i përzier ku fëmijë, burra dhe gra u burgosën së bashku. Të burgosurit romë u skllavëruan dhe u detyruan t’u nënshtrohen eksperimenteve torturuese nga doktori nazist Josef Mengele, që njihej me pseudonimin “Engjëlli i vdekjes”. 

Më 15 maj 1944, romët në Blle u paralajmëruan që nazistët planifikonin t’i ekzekutonin. Të nesërmen, në mëngjesin e 16 majit, të burgosurit romë nuk u paraqitën për thirrjen e zakonshme në mëngjes dhe kundërshtuan rojet e Schutzstaffel (SS), organizata paramilitare e nazistëve. Romët ishin “armatosur” me çekiçë, sëpata e lopata, duke i ndarë seksionet e krevetëve nga druri që flinin, për t’i shndërruar në pajisje luftarake e fëmijët mblodhën gurë. Kur rojet e SS hynë në kamp në mbrëmjen e vonë për t’i dërguar romët në dhomat e gazit, ata rezistuan. 

Romët luftuan me vdekjen. Fëmijët, burrat dhe gratë, të gjithë luftuan. Asnjë rom nuk vdiq në dhomat e gazit atë ditë. Prandaj, 16 maji njihet si “Dita e rezistencës rome”. Dita e romëve që e shtynë vdekjen, shumë prej tyre të paktën për disa muaj më vonë — më 2 gusht kur u vranë masivisht. 

Gjersa ata rezistuan atëherë në luftë, ne sot duhet të rezistojmë në paqe kundër çdo racizmi e kundër çdo mohimi të asaj që ka ndodhur. Duhet të rezistojmë kundër harresës. Për Porajmos, term që i bie “shkatërrim”, po ashtu i përdorur për t’iu referuar gjenocidit ndaj romëve, ose Samudaripen flitet pak. Ka vetëm disa libra e pak hulumtime historike rreth kësaj tragjedie. Me nënpërfaqësimin politik dhe shkeljen e të drejtave të romëve kudo, mosdokumentimi i përvojave të tyre bëhet edhe më i rrezikshëm.  

Për këtë arsye, ata që vizituan vendin ku mijëra romë u vranë, duhet ta ngrisin zërin duke treguar së çfarë kanë parë, bisedat me të mbijetuarit e holokaustit e shumëçka tjetër, me arsye që një gjë e tillë të mos përsëritet kurrë. 

Në vitin 2017, në një vizitë të organizuar, një grup nga Kosova, vizituam Auschwitzin. Biseduam me të mbijetuarit, dëgjuam tek ndanin rrëfimet e tyre, bashkë me thirrjen që ta vazhdojmë tregimin e historisë sonë, përgjithmonë.

Raymond Gurême 

Njëri nga ta ishte 95-vjeçari francez, Raymond Gurême, i cili plot 11 herë ka shpëtuar nga nazistët. I mbijetuari i holokaustit rom, Raymond Gurême, u lind në vitin 1925, në Francë dhe në moshën 95-vjeçare, vdiq.

Në vizitën tonë, pata rastin të takoja Gurêmen dhe ta pyesja për përjetimet e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. Edhe pse kishin kaluar më shumë se 70 vjet nga Lufta II Botërore, ai ende kishte kujtime të freskëta për atë që ndodhi në atë kohë. Më tregoi se prindërit e tij kishin një cirk dhe një kinema udhëtimi. Ai ishte fëmija i tretë nga tetë fëmijët e familjes. 

tetor 1940, familja e tij ishte arrestuar prej xhandarmërisë franceze dhe ishte dërguar në kampin e internimit Linas-Montlhéry. Gureme kishte ikur prej kampit në vitin 1941, familja e tij ishin deportuar në kampin Muslane dhe Montreuil-Bellay ku mbaheshin romët apo siç quheshin “nomadët”, që konsideroheshin jo-banorë në Francë dhe të largoheshin nga territori i Francës. Ai arriti të shpëtonte nga kampi francez, por prindërit e tij mbetën të bllokuar atje deri në fund të luftës. Në gusht 1943, Gurêmen e arrestuan dhe e kishin dërguar në një kamp përqendrimi në Heddernheim Hesse, Gjermani. Aty u detyrua të bënte punë për regjimin nazist.

“Falë rezistencës së duarve akrobatike, kam arritur të shpëtoj nga prangat e nazistëve”, tha Gureme. Ai më tregoi se gjatë arratisjes, kishte qëndruar në një pyll për më shumë se një muaj dhe kishte fjetur në degët e lisave sepse nazistët kontrollonin pyjet.

Më tregoi se kishte mbijetuar duke ngrënë gjethe. “Luftoni për të drejtat tuaja. Mos hesht. Ngritni zërin. Mos u dorëzo. Edhe pse u përballëm me vdekjen, nuk ndalëm kurrë të rezistonim. Kanë kaluar shumë kohë që nga Holokausti, për fat të keq, edhe sot romët në të gjithë botën po përballen me racizëm. Kjo është e tmerrshme. Sepse racizmi mund t’ju dërgojë në një gjenocid tjetër. Për këtë arsye, ju lutemi mos heshtni”, ishte mesazhi u Guerremes ndaj rinisë rome, në intervistën time, që e kisha realizuar atëherë për Radion Kosova.

Peter Höllenreiner

Peter Höllenreiner u lind në Mynih më 17 mars 1939 dhe vdiq moshen 81-vjeçare në vitin 2020.

Në mars të vitit 1943, ai dhe familja e tij u internuan në kampin e Auschwitz II-Birkenau, ku ai mbërriti një ditë para ditëlindjes së tij të katërt dhe u regjistrua në regjistrin e kampit të të ashtuquajturit “Zigeunerlager” me numrin Z 3531.

Ai ishte një prej të mbijetuarve. Pas luftës, numrin që ia kishin vendosur si tatuazh në parakrahun e tij e hoqi, për ta hequr nga jeta e tij përjetimin e tmerrshëm gjatë Luftës II Botërore. Por, disa vjet më vonë, ai e vendosi prapë numrin, si një protestë. “Diskriminimi ndaj meje dhe familjes time vazhdonte edhe pas luftës. Duke e shikuar tatuazhin tim me numrin identifikues, ia përkujtoja vetes dhimbjet si fëmijë gjatë kampit të përqendrimit. Por, shikimi i numrit identifikues pas luftës, e shtonte dhimbjen, por edhe forcën se, asnjë forcë nuk ka munudur dhe nuk mund ta zhdukë etninë dhe identitetin tim”, tha ai më 2 gusht 2017, kur foli si si një përfaqësues i të mbijetuarve në përkujtimin ndërkombëtar në Auschwitz II-Birkenau. 

“Ngritni zërin tuaj, luftoni për drejtat e juaja”, na u drejtua.  

Romët nga Kosova pasi vizituan muzeun e Auschwitz-Birkenau

Në Kosovë, vitin 2019 isha organizator i një marshi përkujtimor për viktimat rome të Holokaustit/Samudaripen, i cili është mbajtur në sheshin e Prishtinës. Së bashku me studentë dhe aktivistë romë dhe jo romë, përkujtuam 27 janarin – Ditën Botërore për Kujtim të Holokaustit. Ngritëm zërin tonë për viktimat rome gjatë Luftës II Botërore. Po ashtu, realizuam një performancë artistike tek shkallët e Teatrit Kombëtar me numrin “27”, duke përçuar mesazh të paqes.

Secili që e ndien veten rom duhet të shndërrohet në një “institut edukativ” për të hulumtuar më shumë historinë tonë dhe për të përcjellur së më shumë gojarisht dhe me shkrime. Pak shkruhet për ne.

Dua që fëmijët tanë, nxënësit tanë jo më kokëulur të qëndrojnë në orët e tyre të historisë kur flitet për Luftën II Botërorë. Por, t’i pyesin profesorët/et e tyre se sa ata kanë njohuri për bashkëkombasit e tyre — romët? Dua që fëmijët tanë me krenari të flasin për të kaluarën e tyre, duke kërkuar një të ardhme më të ndritur duke u mos asimiliuar, por duke u integruar më gjuhë e kultur rome, ashtu siç thoshte edhe poeti ynë i ndjerë, Kujtim Paçaku. Dua që fëmijët tanë në klasat e tyre t’i përmirsojnë profesorët kur për romët thonë “dhe të tjerët”. Lë të tregojnë për Raymond Gurême, për Peter Höllenreiner, për të gjithë ata që s’janë. Rezistenca e atyre që mbijetuan dhe kujtimi për ata që nuk janë më, neve romëve sot na bën krenarë. 

Nga ta mësuam si duhet të ruajmë gjuhën, kulturën dhe traditën me xhelozinë më të madhe, kur ajo është tentuar të zhduket nga të tjerët. Mësuam që, anipse nuk jemi së bashku në një shtet, të jemi të bashkuar në një trup, shpirt dhe mendje. Mësuam si të mos hapim luftë dhe urrejtje në mesin e popujve, por brengat dhe hallet tona t’i adresojmë përmes këngës. Sepse çfarë do të thotë të humbasësh jetë, këtë e dimë ne mirë. Mësuam si të ruajmë emrin tonë “rom” kur ai shumë herë neglizhohet me terma pezhorativë si maxhup a cigan nga të tjerët. Mësuam si t’u tregojmë të tjerëve që mbajtës të emrit rom mund të jenë edhe komunitetet tjera. Sepse, emri rom do të thotë “njeri”.

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.

Shfletoni zinën e plotë

Hovi ynë rinor – Print

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.