Librat me zë për komunitetin me shikim të dëmtuar të Kosovës - Kosovo 2.0

Librat me zë për komunitetin me shikim të dëmtuar të Kosovës

E drejta për arsim është e drejtë njerëzore.

Nga Flakrona Rexhepi | 6 korrik 2024

Veç disa shekuj më parë, qasja në arsim ishte në dispozicion vetëm për shtresën e aristokratëve dhe anëtarët e klerit. Tre breza më parë, as shqiptarët/et në Kosovë nuk kishin qasje në arsimim në gjuhën shqipe. Megjithatë, fakti që sot kemi qasje në sasi të konsiderueshme të të dhënave dhe informacionit, të mbledhura ndër shekuj, merret si i mirëqenë.

Kjo njohuri ua mundësoi njerëzve të ndërtojnë rrokaqiej dhe raketa hapësire, të zbulojnë ilaçe që na bëjnë jetën më të gjatë dhe më të shëndetshme, teknologji që na lejon t’i shfrytëzojmë në maksimum aftësitë tona njerëzore dhe të krijojmë art dhe letërsi që na lejon ta imagjinojmë një botë më të mirë. Arsimi është shkëndija e një shoqërie të shëndoshë.

Në sistemin arsimor të Kosovës ka probleme të shumta, siç e dëshmuan së fundmi edhe rezultatet e testit PISA. Dëgjuam tek faji hidhej nga ministria te mësuesit/et, te drejtorët/et, te nxënësit/et e deri tek teknologjia. Me sa duket të gjithë pajtohen se rruga përpara për çdo shoqëri është të ketë një popullsi të arsimuar mirë. Por pavarësisht këshillave të pafundme që dëgjojmë nga prindërit, mësuesit/et dhe politikanët/et tanë/tona, pak, për të mos thënë asgjë, bëhet për t’i krijuar kushtet e nevojshme që nxisin të mësuarit dhe edukimin e mirëfilltë. Këto ndryshime mund të përfshijnë rritjen e pagave për secilin person të përfshirë në sistemin arsimor, krijimin e mjediseve të këndshme të të mësuarit, përditësimin e metodave të mësimdhënies, që përfshijnë përparimet teknologjike dhe përqendrimin tek mendimi kritik, në krahasim me mësimin përmendësh të fakteve sa për ta kaluar një test. Mungesa e këtyre elementeve ndikon nxënësit/et në mbarë Kosovën dhe kjo është veçanërisht e theksuar te grupet më të ndjeshme të shoqërisë tonë, siç janë personat me shikim të dëmtuar dhe të verbërit.

Edhe pse s’ka të dhëna për numrin e saktë të personave të verbër në Kosovë, vlerësohet se nga Ligji për Personat e Verbër përfitojnë rreth 2,200 persona, ndërkaq në Shoqatën e të Verbërve të Kosovës janë rreth 5,000 persona të regjistruar. Në Kosovë ekziston vetëm një shkollë për personat e verbër dhe me shikim të dëmtuar, shkolla speciale “Xheladin Deda” në Pejë, e cila ofron libra që mbulojnë vetëm materialet mësimore për shkollën e mesme. Ndërkaq, Biblioteka Kombëtare në Prishtinë ka rreth 62 libra në alfabetin Braille, 30 libra me zë, por ka vetëm 50 anëtarë/e të regjistruar/e. Biblioteka “Syri Ynë” në Prishtinë është e vetmja që ofron materialet e duhura për personat me shikim të dëmtuar, por ka vetëm rreth 100 anëtarë/e të regjistruar/a. Hapësirat e dedikuara për personat me shikim të dëmtuar në Kosovë dhe qasja në libra ndryshojnë nëpër komuna të ndryshme. Ka pasur disa përpjekje për ta plotësuar këtë boshllëk në sistem, por kryesisht nga organizata joqeveritare (OJQ) dhe nëpërmjet donacioneve të huaja.

Në vitin 2017 një nismë e re filloi nga disa të rinj/reja, e quajtur Libra me zë, e cila synonte të incizonte libra me zë në gjuhën shqipe dhe t’i bënte ato të qasshme në internet. Megjithatë, faqja dhe aplikacioni i tyre “librameze.com” nuk është më aktiv.

Si dikush që ka studiuar letërsi, zor se mund ta imagjinoj një botë pa qasje në libra. Jam rritur në një qytet të vogël që për fat të mirë kishte një bibliotekë, diçka që nuk e patën fatin ta kenë shumica e fshatrave dhe qytezave në Kosovë asokohe. Librat, në të cilët kisha qasje, ishin kryesisht të autorëve/eve rusë/e dhe shqiptarë/e të epokës komuniste, duke shtuar edhe disa libra nga letërsia franceze dhe e lashtë greke. Ndoshta s’ishte shumë, por mjaftoi për ta hapur botën time ndaj ideve dhe mundësive të reja. Pa marrë parasysh qasjen e kufizuar, por fatlume në burimet lokale, arsimin dhe qasjen në arsim të mirë i kam pasur gjithmonë çështje të përzemërta.

Për njerëzit me shikim të dëmtuar ose ata që janë të verbër, librat me zë janë një format i paçmuar që u jep atyre qasje në informacion, njohuri dhe lexim në kohën e lirë.

Në të kaluarën, alfabeti Braille ishte i vetmi format në të cilin njerëzit me shikim të dëmtuar mund t’i përdornin libra. Megjithatë, librat në Braille janë goxha të mëdhenj dhe të rëndë për t’u bartur. Përparimet teknologjike i kanë lehtësuar gjërat për vite me radhë për personat me aftësi të kufizuara. Ne jetojmë në epokën e softuerëve të asistencës me zë, si Siri dhe Alexa, lexuesve të ekranit, zmadhuesve dhe librave me zë.

Për njerëzit me shikim të dëmtuar ose ata që janë të verbër, librat me zë janë një format i paçmuar që u jep atyre qasje në informacion, dije dhe lexim në kohën e lirë. Sidomos në botën anglishtfolëse, ka një prirje në rritje të njerëzve të famshëm, që lexojnë me zë libra dhe literaturë të ndryshme dhe është vlerësuar se ka mbi 70,000 libra me zë që botohen çdo vit në Shtetet e Bashkuara.

Fakti që ky format mezi ekzistonte në Kosovë ishte tronditës, kështu që, secilën herë që ofrohej rasti të ndihmoja, e bëja pa hezitim. Dikush më tregoi për një projekt në të cilin po punonte OJQ “Omcult”. Kjo OJQ kishte nevojë për vullnetarë/e për të ndihmuar në incizimin e 100 librave me zë për personat me shikim të dëmtuar në Kosovë. Tashmë kishin një numër rrëfyesish/esh profesionistë.e me zë, që incizonin dhe kishin përzgjedhur libra nga zhanre të ndryshme, nga letërsia deri te sociologjia dhe psikologjia.

Unë s’jam rrëfyese profesioniste apo aktore, por nëse zëri dhe puna ime mund të ndihmonte që edhe një libër më shumë të jetë i qasshëm për personat me shikim të dëmtuar, mjaftonte. Për qëllimin e këtij projekti, çdo zhanër libri do të ishte zgjedhje e mirë për të rrëfyer me zë dhe shtuar në audio-bibliotekën. Por duke qenë studente e letërsisë, besoj se veprat letrare mund të kenë një ndikim më të madh te njeriu, ndaj zgjodha një vepër të zhanrit trillim. Ndërsa punoja në projekt, u informova edhe më shumë për këtë çështje dhe doja që më shumë njerëz të përfshiheshin.

Fillova ta diskutoja këtë çështje me shoqërinë, familjen dhe kolegët. Shoqja ime më e mirë, me të cilën ndajmë dashurinë dhe vlerësimin e përbashkët për letërsinë dhe arsimimin, m’u bashkua në këtë kauzë. Diskutuam për përzgjedhjen e librit dhe vendosëm se çka do lexonim. Shkuam në dhomën e incizimit dhe lexuam për ditë të tëra. E fshinim dhe e incizonim sërish veten, duke synuar ta arrinim leximin më të mirë me zë për ata/o që do ta dëgjonin.

“Me e lexu një libër është një pasuri e madhe, kur ne nuk e kemi këtë mundësi, atëherë për ne librat me zë janë jashtëzakonisht të vlefshëm dhe e ndiejmë veten paksa më të barabartë me të tjerët”, u shpreh Bajramshahe Jetullahu në mini-dokumentarin e K2.0 për Omcult. Qasja në një burim të përshtatshëm njohurish për këdo është mënyra e vetme për të fituar një shkollim të mirëfilltë. Dhe Ligji për Personat e Verbër përcakton që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të sigurojë materiale për personat me shikim të dëmtuar në alfabetin Braille, shkrim me shkronja të mëdha, tekste digjitale dhe përgjithësisht metoda të qasshme të prodhimit të dijes.

Megjithatë, duhet të ekzistojnë mekanizmat e duhur për të garantuar që edhe personat më të ndjeshëm në shoqërinë tonë të kenë sukses në arritjen e qëllimeve të tyre arsimore. Kjo mund të fillojë me përfshirjen e tyre në planifikimin e ardhshëm, rritjen e numrit të librave në Braille dhe trajnimin e një numri më të madh të stafit për alfabetin Braille, në mënyrë që përvoja universitare e komunitetit me shikim të dëmtuar të jetë më e rehatshme, e drejtpërdrejtë dhe e qasshme.

Në një botë me 2.2 milionë tituj të botuar çdo vit, 100 librat me zë që i kemi incizuar nuk janë as afër të mjaftueshme për komunitetin me shikim të dëmtuar në Kosovë, por janë diçka. Nuk mjafton të miratohen ligje që “garantojnë” arsimim dhe mundësi të barabarta për të gjithë, kur nuk ka mekanizma që nxisin kushtet e duhura që njerëzit të arrijnë një pozitë ku ata ndihen njëmendë të barabartë. Fuqizimi i personave më të cenueshëm dhe të ndjeshëm, duke krijuar hapësira që të gjithë të arrijnë potencialin e tyre të plotë, është jo vetëm një e drejtë, por nevojë për një shoqëri që u shërben të gjithëve.

 

Imazhi i ballinës: K2.0

Shfletoni zinën e plotë

Hovi ynë rinor – Print

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.