Dilema më e madhe që kam pasur pas përfundimit të shkollës së mesme ishte të zgjedhja për studime mes drejtimit që unë doja apo atij që ishte “i duhuri”. Faktikisht, për tri vite në gjimnaz, isha duke e menduar se cili do ishte profesioni që do të më përmbushte dhe nuk do e ndieja “barrë” punën që do e bëja.
Zakonisht, shoqëria e shkollës, kur bisedonim, e kishin një shembull të dikujt që e njihnin, zakonisht vëlla a motër, dhe bazoheshin në të arriturat e tyre për të vendosur se çfarë do studionin. Unë isha fëmija i parë në familje dhe isha personi që duhej ta shtroja rrugën për vete dhe të tjerët.
Shkrimi ka qenë çdoherë pjesë e imja, ndonjëherë edhe për ikje nga realiteti, rrugë për shprehje të emocioneve dhe mendimeve që nuk mund t’i shprehja ndryshe e i ndërthurja me ndihmën e lapsit dhe fletës. Madje kisha edhe një libër me poezi dhe ese, ishte vendi im i sigurt. Ishte bota ku isha unë personazhi kryesor dhe aty mendimet e mia dhe çdo gjë që shkruaja kishte vlerë.
Por, vetëm të shkruaja nuk ishte ajo për çfarë isha e destinuar. Doja një profesion ku do takoja çdo ditë njerëz të rinj, do shkruaja tema të reja, do ndihmoja të gjendej zgjidhje për problemet dhe sfidat me të cilat përballemi çdo ditë e nuk i diskutojmë kurrë — ato temat tabu që mundohemi t’i strukim në harresën e diskutimeve. Doja të zbuloja të fshehtat pas çdo zbukurimi të një të pavërtete, por mbi të gjitha, doja të komunikoja, të thoja gjëra që na mundojnë të gjithëve. Kurreshtja e madhe për të ditur më shumë dhe dëshira për të kontribuuar ishin aspekte që mendoja se do t’i kultivoja më së miri nëse studioj për gazetari.
Sugjerimet për profesionin e “duhur”
Në mungesë të një adrese ku do të mund të merrja këshilla të mirinformuara rreth zgjedhjes së karrierës, përfundimi i shkollës së mesme, në vend se të ishte çast krenarie, bëhet çast i përhumbjes e mëdyshjeve.
Kjo mungesë na bën edhe më të ndjeshëm ndaj komenteve nga rrethi, sado të pabazuara mund të jenë ato. Shpesh, vendimin që e kisha marrë e sfidonin njerëzit rreth meje — vërshonin këshillat e brengat rreth sigurisë, rreth orarit të punës, kërcënimeve të mundshme, pagës së ulët. Të gjitha këto më mblidheshin, merrja frymë dhe e pyesja veten a jam gati për të bërë diçka që mua më përmbushte pavarësisht “mangësive” që ky profesion mund të kishte.
Përpos kësaj, normalisht e ndieva atë ndasinë e rreptë të profesioneve që e dëgjojmë shpesh — kushdo që është nxënës/e shembullor/e duhet të studiojë shkenca kryesisht natyrore. Të qenit shembullor e krijon njëfarë besimi te shumë njerëz me të cilët më ka rënë të flas që lëndët shoqërore nuk janë të denja. Këtë e kam vënë re edhe në diskutime me kolegët mbi sfidat që kanë hasur para se të vendosnin se çfarë do studiojnë dhe po ashtu, e di që edhe tani disa e kenë problem zgjedhjen e një dege për studime për shkak të paragjykimeve që rrethi dhe shoqëria kanë krijuar për atë degë. Kjo e dyfishon peshën që kanë mbi supe për të marrë vendimin e duhur.
Edhe prindërit e mi kishin përshtypjen se profesioni që ishte më mirë të studioja ishte mjekësia, shkencat kompjuterike e ndoshta edhe edukimi. Kjo përshtypje ndikohej edhe prej rrethit ku gazetaria shihej edhe si një profesion për të cilin nuk duhej studiuar; sepse për ta “çdokush” bëhet gazetar. Thjesht mendonin se mund ta zgjidhja një profesion më të mirë në sytë e tyre.
Mirëpo unë vendosa ndryshe.
Pranimi në studimet themelore për Gazetari ishte hapi i parë që unë po filloja të hyja në botën e medies, ta shihja më të vërtetë veten pjesë të saj. Ishte krejt ndryshe nga ajo që e kisha menduar. Ishte më reale, më strikte, më e bukur.
Kjo më bënte që në çdo diskutim ku flitej për gazetarë/e me terma përçmues e me gjuhë që përpiqej të zvogëlonte rolin e tyre, t’i mbroja ata gjithnjë. Tanimë jam mësuar se çdoherë do jetë dikush në diskutime, që gazetarinë do e cilësojë si një profesion të dobët dhe që nuk ia vlen, por si do t’i merrnim vesh gjërat që na ndodhin përreth po të mos ishin gazetarët/et? Si do t’i sfidonim padrejtësitë rreth nesh, nëse nuk e dimë se ato ekzistojnë? Si do të dinim se çka ndodh në botë? Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë mjaftueshëm për ta kuptuar rëndësinë e profesionit.
Përgjigjet e këtyre pyetjeve më shtyjnë edhe mua që të bëhem gazetare. Të qenit gazetare për mua do të thotë të jem personi që do sillja informatën, kur të gjithë hamendësojnë çfarë ka ndodhur, të gjeja një zgjidhje për problemet që janë shndërruar në rutinë tonën, të hulumtoja përtej asaj që kemi para syve dhe të jem personi që bën një ndryshim.
Do të thotë të prek tema që na dhembin, të kërkoj shkaktarin për problemet e njerëzve, të shoh gjithçka nga shumë kënde e sidomos nga ato që nuk shihen prej shumicës. Do të thotë të shkruaj edhe për vështirësitë me të cilat të rinjtë/rejat përballen kur duan të zgjedhin degën e studimeve; kur duan të vendosin një drejtim të caktuar, pa përkrahje prej shkollës e me shumë kundërthënie shoqërore, shpesh të rrënjosura në paragjykime për profesione të ndryshme.
Jo çdoherë “e duhura” për të tjerët është edhe për neve. Çdo person kalon nëpër këtë periudhë diskutimesh, përplasjesh dhe dyshimeve me veten, mirëpo edhe secili njeri rreth një nxënësi që përpiqet ta gjejë këtë udhë duhet ta kuptojë se secili sugjerim e secila këshillë ka peshë. Ato luajnë rol e varësisht kush i thotë e si i thotë, mund të shndërrohen në arsye përse dikush heq dorë prej ëndrrave apo zgjedh profesionin për t’u rënë për shtati kërkesave të të tjerëve e jo asaj që i thotë vetja. Përtej kornizave, mundohuni të shikoni atë që fëmijët tuaj veç e kanë parë në veten e tyre. Krijoni vend që ata t’i tregojnë ëndrrat e veta e ndihmojuni t’i gdhendin ato. Mos u përpiqni t’i ndërtoni ëndrrat e tyre për ta.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Shfletoni zinën e plotë
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.