Gjithçka që humbi në luftë - Kosovo 2.0

Gjithçka që humbi në luftë

Na i paçin marrë t’ligat.

Nga Aurela Kadriu | 30 shtator 2024

Unazës së arit me gur të kuq të nënës time më duket se ia njoh mirë të gjitha gravurat edhe pse nuk mbaj mend ta kem parë ndonjëherë. Në bisedat tona të shpeshta për luftën, sidomos në dhjetë-vjetëshin e parë të pasluftës kur brenda shtëpisë ndalej rryma shpesh, e jashtë saj, qytetarët e Kosovës mundoheshin t’i gjenin mënyrat e jetesës në liri, gjithmonë është përvjedhur tregimi rinor i nënës për unazën e arit me gur të kuq. 

Në mes të marsit të vitit 1999, pak ditë para fillimit të bombardimeve të 24 marsit të NATO, nëna ime 34-vjeçare, babai 38-vjeçar, unë një vjeçe me vëllain binjak, motrat e mia, njëra pa i mbushur katër e tjetra pesë vjeç, u larguam nga banesa jonë në katin e fundit të ndërtesës shtatë-katëshe në qendër të Podujevës. Para se ta kaplonte vrulli i ndërtimeve, me gjasë ajo ishte ndërtesa më e lartë e qytetit.  

Për këtë rrugëtim nuk kishte plan. S’ishin paluar me kujdes rrobat e gjësendet. Ishim përngut. Në trastën tonë kishte frikë, terror dhe tek-tuk pak shpresë për të mbetur gjallë. Sepse njeriu i gjallë, megjithatë shpreson edhe kur kërcënimin për jetë e sheh përditë nga dritarja e shtëpisë. Nga dritarja e banesës sonë në kat të shtatë, ndërtesës së postës së qytetit ia shihnim kulmin. Gjatë luftës, në atë kulm, si një prej pikave të larta të qytetit, ishin vendosur ushtarë të Ushtrisë Jugosllave. 

Kur u kthyem në pranverën e vonë, pas çlirimit të Kosovës, shtëpinë e gjetëm tërësisht të shkatërruar. Gjërat me vlerë na i kishin vjedhur. Unazën me gur të kuq e kishin vjedhur. Nga banesa ende shihej posta. Ende ndihej terrori se mos zinte syri ndonjë ushtar, mos ishin ende aty e do shfaqeshin nga çasti në çast.

Këtë tregim, bashkë me shumë të tjerë për luftën, e kam jetuar, por nuk e kam përjetuar. Në luftë më mbrojti fakti se isha bebe, por tek u rrita, pas luftës, s’kish ç’më mbron më prej saj. Lufta ishte gjithkund. Ishte në qytet, ku shumë pika u bënë të ndaluara për ne fëmijët — nuk luanim dot te çerdhja a te ajo që e quanim “bari i madh” sepse kishte mina, thonin. Ishte në shkollë, ku çdo ditë na e kujtonin se jemi borxhlinj që jemi gjallë. Në Ditën e Shkollës, çdo vit na kujtohej se teksa tash e festonim 25 majin si datëlindjen e rilindasit Naim Frashëri — emrin e të cilit mbante shkolla jonë – dikur kjo ditë ishte festuar si Dita e Rinisë dhe si datëlindja e Josip Broz Titos, ish-presidentit të Jugosllavisë. 

Ne u bëmë fëmijët, në tregimet e prindërve tanë për fëmijët që po vdisnin urie në luftë. Ne jemi fëmijët, në tregimet për fëmijët që ishin shumë të rëndë për t’i bartur në krahë maleve përpjetë në shi e në të ftohtë, pa bukë e ujë. Ne jemi fëmijët, në tregimet për dhjetëra fëmijë e nëna që flinin në tokë nëpër klasët e shkollave, deri në ikjen e radhës. Ne jemi fëmijët, në tregimet për fëmijët që s’u ndalej vaji në postblloqe, e vaji ynë mund të çonte në pushkatim. Ne jemi fëmijët, në tregimet e nënave që i kishin mbrojtur me trupat e vet fëmijët nga plumbat. Ne jemi fëmijët në tregimet që nisin me “lufta nuk kurseu as gra, pleq e fëmijë”. Ne u bëmë qendra e plot tregimeve, të cilat nuk i mbanim në mend. Ne jemi fëmijët që nuk i kurseu lufta. Ne ishim veç fëmijë. Prindërit tanë ishin veç njerëz. 

Shumëçka ka ndërruar në këto 25 vjet. Liria erdhi, por pa unazën me gur të kuq të nënës sime. Duhej nisur nga e para. Edhe një herë. 

Diku nëpër të çarat e tregimeve mbizotëruese rreth luftës, qëndrojnë mijëra tregime për gjësendet e ëndrrat e humbura apo të vjedhura në luftë dhe për lirinë që tkurrë hapësirën për të treguar rrëfime të këtilla. Më poshtë janë disa prej atyre tregimeve — kujtime të njerëzve për gjësendet e humbura apo të vjedhura gjatë luftës në Kosovë. Ky është një dokumentim i vrazhdë i lidhjes së këtyre njerëzve me këto objekte dhe tregimeve prapa këtyre lidhjeve, në një përpjekje për të zhvendosur shikimin nga logjika e dokumentimit të tregimeve të mëdha të mbijetesës kah tregimet e vogla — si kompjuteri i Gencit, leksikoni i Bernardit, filxhani e qenushi prej pellushi i Mirishahes, valixhja me fustanet e kukulla e Norës, çanta e shkollës e Dardanit, biçikleta e Adrianit e drenusha lodër e Lenës.

Një biçikletë e kuqe për vete
Adrian Bytyqi, 32, politolog
Prizren

Biçikleta e kuqe ka qenë fillimisht e vëllaut tim. Unë isha vëllau i vogël edhe natyrisht, ka qenë një biçikletë për të dytë, kuptohet për ato rrethana. Agroni [vëllai] është tri vjet ma i madh se unë, ai e ka përdor e mandej unë kur jam rritë edhe pak, kur jam bo gati për biçikletë me thanë, e kam përdor edhe unë. Me qat’ biçikletë e kam ndoshta kujtimin e parë të “lirisë”, lëvizjes ma të shpejtë se standard, lëvizjes ma të shpejtë veç vetë. Nuk po e di cili vit ka qenë, ka qenë para luftës, ndoshta ‘97 edhe kemi qenë në lagjen “Bazhdarhane” në Prizren te shtëpia e gjyshit kah ana e babit. Nji prej djemve të axhës, Noli, ai është ma i vjetri prej neve, na mësojke me vozitë biçikletën. Unë hypsha në biçikletë, i jepsha pedaleve edhe e drejtojsha biçikletën, e ai më mbajke te pjesa e prapme e shalës, me ma mbajtë mu stabilitetin. Atje është një rrugë shumë e gjatë, ndoshta 800 metra prej pjesës më të naltë të mahallës deri te pjesa e poshtme. 

Jam kanë veç tu vozitë edhe jam kanë krejt i kaplum në faktin që jam tu vozitë edhe për një moment unë këqyri përmas edhe e shoh Nolin krejt në distancë edhe qaty e kuptoj unë që s’është tu më mbajtë kërkush edhe dy sene kanë ndodhë aty. Nën një, jam kthy përpara me këqyrë se panika, impulsi i parë ka qenë holy shit, jam tu e vozitë biçikletën vetë. Impulsi i dytë ka qenë tash ti automatikisht kur e kupton çka është tu ndodhë, ia nisë me hupë balancin. Kështu kam mbërri deri në fund te marketi i lagjes edhe ia kam nisë me u drejtu kah marketi se e disha që bile futna në market, më ndihmon dikush. Më kujtohet që i pata prekë me kry se i kanë pasë topat e plastikës që i shitshin, janë kanë ndoshta dy marka a najsen. Janë kanë të kaltërt, të portokalltë edhe të kuq. Top i nji euro e gjysve i thojshim mas luftës. 

Tash edhe pse unë jam kanë i frikësum, nuk ka qenë as afër qaq sa ka qenë krenaria me momentin që unë qaq gjatë kam vozitë veç vetë. Jemi tu folë për 200-300 metra, unë jam kanë i vogël, atëherë për mu kjo distancë ka qenë shumë e largët. Kjo 200-300 metra që po them është perspektiva e atëhershit se bota ka qenë ma e madhe kur kam qenë ma i vogël. Këtë sen e kam kuptu tash sepse tash kur shkoj në atë mahallë najherë edhe kur e këqyri prej perspektivës 1 metër e 80 e diçka, a din, marketi është qaty. Nuk ki me ecë as 30 sekonda. 

Gjatë luftës na kemi qenë në banesë në lagjen “Lakuriq” në Prizren, afër shkollës “Mati Logoreci” ish “17 nëntori”. Unë nuk e mbaj në mend saktë kur ka hupë biçikleta, por e kam kuptu post-factum mbasi më kanë tregu që gjatë luftës kanë hy e kanë vjedhë shpinë në “Bazhdarhane” e biçikleta edhe plot do sene tjera kanë qenë aty. Biçikleta edhe djepi. Unë djepin nuk e mbaj në mend, por kur e kam pytë mamën, ma ka përmendë. Unë mbaj ekstrem pak në mend prej qasaj periudhe. I kam do kujtime krejt si sekuenca, si fotografi. 

Nuk e di saktë kur është zhvillu kjo bisedë për biçikletën e humbun, ka mujtë me ndodh dikur pas luftës. Në atë kohë ti si fëmijë ke qenë në periferi të marrjes së informatave, edhe pse po mendoj prindërit e mi kanë qenë deri në nji masë të caktume transparent në raport me çka është tu ndodh rreth neve, po megjithatë janë mundu me na rujtë. Unë nuk e di kur ka qenë, ama e di që nuk është që më ka lanë shumë përshtypje sepse ka qenë kohë e çuditshme, edhe pse janë mundu me na kursy, na e kemi ditë që nuk bon me dalë jashtë, e kemi ditë që duhet me i qitë plafat nëpër dritare, mos me u pa drita mrena. Me i lanë dritat nalë. Nuk është që kemi qenë të izolum prej faktit që jashtë është një vend shumë i rrezikshëm. Kështu që ndoshta edhe s’ka pasë kushtimisht kohë edhe kapacitet të vëmendjes për me mendu për biçikletën si të tillë. 

Një dhomë për vete
Genc Salihu, 43, artist
Prishtinë

Unë e kam pasë një dhomë… Kam qenë koleksionues, kam pasë gjithçka. Plot CD-ja, plot libra, plot instrumente [muzikore]. Prej kur i kanë marrë krejt senet, unë ma nuk ruj kurrgjë. Nuk koleksionoj kurrgjë, sepse thjesht më për mu nuk ka rëndësi objekti fizik hiç e ka qenë krejt e kundërta. Me gjasë kjo është rezultat i asaj traume. 

Në atë dhomë ka pasë plot sene, por nëse duhem me e nda një sen, është një kompjuter ku kam pasë shumë sene që i kam shkru, senet e para që i kam shkru kur dojsha me u ba shkrimtar [qesh]. Aty ka qenë një roman me 230 e diçka faqe që unë e kam pasë të krym. Në një dimension gëzohna që nuk ekziston më se me siguri kish qenë shumë marre me e lexu tash atë sen çka kam shkru me 16 vjet. Tregimi ka qenë një lloj kopje e “Kështjellës” së Kafkës. 

Ky kompjuter ka qenë në banesën tonë që atëherë ishte në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, te banesat e bardha. Në atë kompjuter kam pasë plot poezi, plot tekste të kangëve. Ka qenë asi kompjuteri me bark, plus nuk ka pasë Word, e ka pasë Northern Commander, a s’di qysh e ka pasë emrin një softuer i shkrimit. 

Dhomën e kam nda bashkë me vëllezërit e mi më të vegjël. Kam qenë i përpiktë në mënyrën qysh i kam arkivu, qysh i kam rujtë senet. Tash as foldera në kompjuter nuk boj ma. Domethanë qaj sen ka ndërru kështu 180 shkallë. Edhe jam i bindun që është si rezultat i asaj traume. E kam vërejtë meniherë si jam kthy që nuk jam tu rujtë ma. Hala kam vazhdu me shkrujtë, kam shkrujtë nëpër copëza letre e sene tjera, s’kam pasë as fletore timen. Nana m’i mbledhke, edhe m’i rujke çka shkrujsha. E kam vërejtë meniherë që nuk është ka ma nin ma as për tesha, as për sene as… 

Muzikën mandej…për shembull e kam pasë shumë me randësi me i pasë CD origjinal edhe bojsha çkado që ish e mundun me m’pru njerëzit prej jashtit CD origjinal. Refuzojsha me ble, s’kam pasë CD-ja fallc, s’kam dashtë me pasë, kam qenë tepër fanatik. Mas asaj [vjedhjes së kompjuterit], s’kam dashtë me pasë ma origjinal. Kurrë ma në jetë s’kam ble kurgjo që munet me qenë e vlefshme që me pasë ti një arsye me e rujtë atë…

Kur jam kthy, nuk e kam mendu me u mërzitë për kompjuterin, sepse krejt ajo ish e vendosun nën hijen e euforisë së kthimit, të çlirimit të Kosovës. Ajo ka qenë një ndjenjë shumë e fuqishme. Ajo ka qenë ndjenja ma e fuqishme që e kam përjetu në jetë. 

Një valixhe me fustane kukullash për vete
Nora Prekazi Hoti, 38, etnologe
Mitrovicë

Na i kena hupë krejt se shpija është djegë. Unë i kam pasë 13 vjet gjatë luftës. Çka kisha me specifiku që është diçka që e shoh që është problematike sot është që na kanë hupë fotografitë komplet. Neve na kanë përzanë prej shpisë në ditën e dytë të bombardimeve, për shkak se e kam pasë shtëpinë në mes të dy kazermave jugosllave, prandaj, si mahallë komplet është pastru për shkak të lëvizjes së tankeve. Mandej është dashtë me shku me një shpi tjetër e me një shpi tjetër. Kah t’shkojshim na njekshin si familje. Kemi përfundu në shpi të gjyshit në veri. Qaty te ura e Ibrit është një prej periudhave ma traumatike të jetës, që hala e shoh në andërr atë banesë. Edhe mandej kena përfundu tu ikë prej Kosovës, tu shku në Mal të Zi, në Ulqin kemi nejtë një pjesë tjetër. Kur jemi kthy krejt lagjja ka qenë e shkatërrume. Në Mitrovicë janë djegë rreth 8,000 shtëpi. Lagjja jonë i ka pasë rreth 400 shtëpi të djegme. 

E kujtoj e kam pasë njëfarë koferi të vogël, ka qenë me shtrumfa, filmi i animum [The Smurfs]. Në atë kohë unë kam maru fustane të kukullave, e ato i mbajsha në atë kofer, e kam pasë fort për qejfi. Qato e mbaj në mend si diçka shumë të lezetshme të fëmijërisë. 

E vërejsha veten kur jam ba nanë që kam pasë qejf shumë me ia ble çikës time një kofer të ngjashëm, nashta që mu m’ka mbetë qajo si një lidhje. Po tash 13 vjet unë s’jam kanë tu lujtë me kukulla, por e di që qajo është diçka si kujtim i shpisë time si fëmijë. Këtë kofer e kam pasë deri në fund, e kam rujtë edhe pse s’kam lujtë me kukulla.

Mandej ma afër luftës kam pasë edhe postera të Leonardo Di Caprios, Backstreet Boys e kësi, se qatëherë veç kam nisë me u bo adoleshente e ka qenë “Titaniku” shumë në modë. Këto janë dy botë, fëmijëria edhe adoleshenca jem e hershme.

Fustanet e kukullave janë tregim shumë i randësishëm për mu, ndër vite kam qepë fustane. Një shoqe e mamit, edhe pse të dyja kanë qenë profesoresha, ajo ka qenë edhe rrobaqepëse sepse në vitet e ‘90-ta secili ka bo edhe naj qësi pune për me mbijetu. Ajo m’i ka siguru krejt materialet. Unë i kam pasë tri barbika asi barbie që iu kanë lëvizë kamtë e durtë… Ka qenë shumë privilegj me pasë asi barbie. E qato barbikat i kanë pasë teshat e veçanta në qat’ kofer. Se koferi ka qenë shumë i veçantë, kërkush asnjë fëmijë s’e ka pasë edhe ka qenë krenaria jem edhe e kam rujtë deri në fund. Po qato vitet e fundit domethanë 12-13 vjeçe unë veç jam marrë me muzikë e me filma, nuk jam kanë bash qajo botë. 

Kur jam bo 12 vjeçe ka qenë shumë në modë me veshë tregerashka [pantallona kominoshe] edhe meqë e kena hapësinën te lumi është këtu ky keji i Ibrit, ka qenë top story na me dalë me tregerashka, me rollera edhe me BMX bicikëll. Në qat’ periudhë mandej dhoma jem është ndryshu, ka pasë postera, e ka pasë qët’ identitetin tim të ri që e kam kriju unë si ma e madhe. Celine Dion ka qenë në “My Heart Will Go On”. Tash unë nuk muj me e nda çka ka qenë ma e randësishme për mu sepse të dyja janë epoka të randësishme për mu, gjurmët e të cilave m’i ka marrë lufta. 

Neve na ka hupë gjithçka. Ka hupë krejt jeta jonë në dokument.

Një leksikon për vete
Bernard Berisha, 39, ekonomist
Prizren

Na i kena hupë krejt se shpija është djegë. Unë i kam pasë 13 vjet gjatë luftës. Çka kisha me specifiku që është diçka që e shoh që është problematike sot është që na kanë hupë fotografitë komplet. Neve na kanë përzanë prej shpisë në ditën e dytë të bombardimeve, për shkak se e kam pasë shtëpinë në mes të dy kazermave jugosllave, prandaj, si mahallë komplet është pastru për shkak të lëvizjes së tankeve. Mandej është dashtë me shku me një shpi tjetër e me një shpi tjetër. Kah t’shkojshim na njekshin si familje. Kemi përfundu në shpi të gjyshit në veri. Qaty te ura e Ibrit është një prej periudhave ma traumatike të jetës, që hala e shoh në andërr atë banesë. Edhe mandej kena përfundu tu ikë prej Kosovës, tu shku në Mal të Zi, në Ulqin kemi nejtë një pjesë tjetër. Kur jemi kthy krejt lagjja ka qenë e shkatërrume. Në Mitrovicë janë djegë rreth 8,000 shtëpi. Lagjja jonë i ka pasë rreth 400 shtëpi të djegme. 

E kujtoj e kam pasë njëfarë koferi të vogël, ka qenë me shtrumfa, filmi i animum [The Smurfs]. Në atë kohë unë kam maru fustane të kukullave, e ato i mbajsha në atë kofer, e kam pasë fort për qejfi. Qato e mbaj në mend si diçka shumë të lezetshme të fëmijërisë. 

E vërejsha veten kur jam ba nanë që kam pasë qejf shumë me ia ble çikës time një kofer të ngjashëm, nashta që mu m’ka mbetë qajo si një lidhje. Po tash 13 vjet unë s’jam kanë tu lujtë me kukulla, por e di që qajo është diçka si kujtim i shpisë time si fëmijë. Këtë kofer e kam pasë deri në fund, e kam rujtë edhe pse s’kam lujtë me kukulla.

Mandej ma afër luftës kam pasë edhe postera të Leonardo Di Caprios, Backstreet Boys e kësi, se qatëherë veç kam nisë me u bo adoleshente e ka qenë “Titaniku” shumë në modë. Këto janë dy botë, fëmijëria edhe adoleshenca jem e hershme.

Fustanet e kukullave janë tregim shumë i randësishëm për mu, ndër vite kam qepë fustane. Një shoqe e mamit, edhe pse të dyja kanë qenë profesoresha, ajo ka qenë edhe rrobaqepëse sepse në vitet e ‘90-ta secili ka bo edhe naj qësi pune për me mbijetu. Ajo m’i ka siguru krejt materialet. Unë i kam pasë tri barbika asi barbie që iu kanë lëvizë kamtë e durtë… Ka qenë shumë privilegj me pasë asi barbie. E qato barbikat i kanë pasë teshat e veçanta në qat’ kofer. Se koferi ka qenë shumë i veçantë, kërkush asnjë fëmijë s’e ka pasë edhe ka qenë krenaria jem edhe e kam rujtë deri në fund. Po qato vitet e fundit domethanë 12-13 vjeçe unë veç jam marrë me muzikë e me filma, nuk jam kanë bash qajo botë. 

Kur jam bo 12 vjeçe ka qenë shumë në modë me veshë tregerashka [pantallona kominoshe] edhe meqë e kena hapësinën te lumi është këtu ky keji i Ibrit, ka qenë top story na me dalë me tregerashka, me rollera edhe me BMX bicikëll. Në qat’ periudhë mandej dhoma jem është ndryshu, ka pasë postera, e ka pasë qët’ identitetin tim të ri që e kam kriju unë si ma e madhe. Celine Dion ka qenë në “My Heart Will Go On”. Tash unë nuk muj me e nda çka ka qenë ma e randësishme për mu sepse të dyja janë epoka të randësishme për mu, gjurmët e të cilave m’i ka marrë lufta. 

Neve na ka hupë gjithçka. Ka hupë krejt jeta jonë në dokument.

Një filxhan për vete
Mirishahe Syla, 31, punëtore zhvillimore
Lipjan

Pak para se me fillu lufta i patëm ble. Atëherë janë kanë në modë do filxhana të plastikës me ngjyra. Janë kanë si tre copa me tri ngjyra. Na jena kanë tri motra, e madhja, unë edhe e vogla, që atëherë i ka pasë tre vjet. Unë e kam pasë veç nanën atëherë, babi ka qenë në Gjermani. Mixha, që u kujdesë ma shumë për ne, na i ka pru në shpi edhe më kujtohet saktë e kanë pasë filxhanat njëfarë si rrjetë kështu përmi që u mshelshin e po menoj u kanë trend si fëmijë me pasë qasi filxhani në mahallë, me dalë me iu kallxu që edhe ti e ke bo. Më kujtohet saktë qajo ndjenja kur ia patëm hekë atë rrjetën se ish shumë vështirë me i çelë. Mezi pritshim tuj vendos kush cilën ngjyrë p’e merr. Më duket ka qenë një i verdhë, një i gjelbër edhe një i pembe. Veç qaj momenti më kujtohet kur tash na përniherë vendosshim kush cilën ngjyrë po e merr, edhe që u bonëm edhe na pjesë e trendit, me dalë në mahallë me kallxu që i kena edhe na. I patëm nda na ngjyrat, secila e murr ngjyrën e vet. Unë e kam pasë të pembin. Ka qenë taman si me vegë e sene, i pembe i plastikës. 

Kur jena dalë prej shpisë e kena bo traktorin si me shpi mbrapa që e bojshin me llastik prekolicën, si serrë, si shpi. Na qaty i patëm shti krejt senet, çkado që kena pasë me marrë me veti po me idenë tonë që, na kur dalim, kemi me përfundu në mal edhe normal me flejtë qaty, me përdorë si shpi. Mandej kemi përfundu tu hypë në tren me shku në Tetovë. Kur kemi hypë në tren, traktorin na e kemi lanë me dikënd tjetër për me e kthy në shpi, një mixhë ma i largët që nuk ka shku në Tetovë. 

Kur na kanë nalë në kufi është dashtë me zbritë, me hypë në autobusa të tjerë që na çojshin në Tetovë ose kudo që kanë shku, e di që qaty me siguri e kemi harru filxhanin në qat’ farë prekolicën e traktorit se qaty i kena harru shumicën e seneve. Masi kena shku në tren mu m’u ka kujtu që nuk e kam filxhanin me veti. U pata mësu në qat’ kohë tan’ kohën me përdor. Tu folë me nanën edhe ajo ma kujtoi që e lypsha mandej kur kena shku, kur na kanë çu në një kamp refugjatësh në Tetovë, na bijshin qumësht e kësi sene, si refugjatë ma. M’u kujtu po edhe nana ma konfirmoi që e lypsha ku e kam filxhanin për me pi qumësht. 

Mandej kur kena shku atje na kanë çu prej një vendi në vendin tjetër. Patëm shku në Tetovë me i vizitu dajtë se ata i kanë çu në një kamp tjetër diku, e aty iu bishin ndihma me kamiona të mëdhej. Kur shkum na, veç i kishin shpërnda krejt senet, kishin mbetë veç do sene të fundit edhe s’patën me na dhanë ushqim a diçka, na i dhanë mu edhe motrës së madhe nga një lodër. Mu ma kanë dhanë një qenush të kaltër edhe asaj një majmun të kaftë. I kemi pasë ato lodra super për qefi se edhe fytyrat e atyne [punëtorëve të kampit] kur na i dhanë tu na përqafë, taman si fëmija. 

E edhe ata na u dokshin shumë interesant se janë kanë të veshun me siguri me naj uniformë apo diçka, po kanë qenë shumë interesant për ne me i pa. Rrugës, unë të paktën e kam humbë qenin, më kujtohet që kur na kanë lajmëru që mundemi me u kthy e di që thojshin, “Kanë bombardu, po është mirë për neve!” Tash na nuk e dishim çka i bjen. Jemi kthy mandej me një kombi të vogël, e patëm kalu kufinin me u kthy në Kosovë, me gjasë ka hupë qaty dikun rrugës tu u kthy në shpi, se kur jemi kthy në shpi ma veç s’u kanë qeni. 

Një çantë shkollore për vete
Dardan Hoti, 35, gazetar
Krushë e Madhe, Rahovec

Gjatë luftës seni i vetëm që e kam pasë me vete ka qenë çanta e shkollës të cilën sa ma pat’ ble mami, se gjithmonë ajo na i ka ble senet për shkollë. Brenda çantës i kam pasë edhe do sene që shpesh më kujtohen. Axhi jem ka qenë i vetmi person prej familjes tonë që ka shku jashtë [vendit] edhe ka studiu. Kur pat’ ardhë, ma ka pru një komplet me kompasa, krejt të aluminit janë kanë. Kur shkojsha në shkollë edhe e nxjerrsha atë, krejt janë kanë xhelozë. Kërkush tjetër s’ka pasë qasi, jam kanë i vetmi që e kam pasë. Më kujtohet që kur jemi ikë prej shpisë në luftë, çanta ka qenë i vetmi sen që e kam marrë edhe brenda saj ka qenë ky kompleti i kompasave. 

Po ashtu, para se me ikë me një pjesë të familjes — duke qenë se në shpinë tonë në Krushë gjatë natës kanë ardhë ushtarët e UÇK-së edhe mami jem e gratë tjera kanë gatu, ata janë la, janë ndërru edhe kanë vazhdu masnej në vene të tjera. E mbaj në mend se njani prej ushtarëve që ka qenë aty, e di që ka qenë prej zonës së Drenicës, ma ka dhanë një plumb. Djali i axhës e ka marrë, e ka zbrazë plumbin edhe ia ka bo një vrimë, ma ka shti në një tojë të zezë edhe atë e mbajsha në qafë unë. Kur u bo lufta më thanë: “Qëto duhesh me hekë, sepse është provokative!” Edhe e pata shti në çantë. 

Gjysa e familjes kemi dalë prej shtëpisë edhe kemi shku në Mamushë [Prizren], e gjysa e familjes mbetën në shtëpi. Në shtëpi mbetën motra jem, mami jem, se u dashtë me gatu e me bo përgatitje për krejt këta ushtarë që vishin po edhe për njerëz të tjerë që vishin. Na u patëm nisë në traktor nja 10-15 vetë, unë çantën me veti. Kemi nejtë një javë në Mamushë edhe masnej na kanë nxjerrë e na kanë nisë për në Shqipëri. Ka qenë shumë tollovi sepse në vendin ku kemi qenë në Mamushë, kanë qenë edhe nja 40-50 refugjatë të tjerë edhe nuk mujsha me e gjetë çantën. E kam lypë, e kam lypë. 

E kanë lypë gruja e axhës, babi, krejt njerëzit tu i vetë. Plumbin e kam pasë po ashtu me vete, po prapë më thanë largoje edhe e pata shti në një vend, qysh është muri, bllokat që i kanë disa vrima, e kam lanë në një qasi vrime. Jemi nisë, çantën s’mujsha me e gjetë, kajsha për çantën, kajsha edhe për familjen time, për nanën edhe motrën që nuk e dishim ku janë sepse s’kemi pasë informacione për 10 ditë se a janë gjallë edhe çka ka ndodh. Kajsha edhe për çantën.

Kur u kthym prej Shqipërisë në Kosovë pas bombardimeve, normal derisa jemi rahatu… Por e mbaj në mend që pas disa muajve kemi shku në Mamushë edhe kam nisë me e lypë çantën edhe plumbin prapë, thojsha mos ka mbetë najkun. Mami jem tu i pytë krejt edhe ato familjet që na kishin pritë gjatë luftës, prapë s’mbrriva me e gjetë. Shkova edhe te muri, as plumbin nuk e gjeta. Tash shpesh kur më kujtohet lufta, seni i parë që më kujtohet është që kurrë s’i kam gjetë senet që m’kanë hupë. Çanta e ka pasë të varun në zinxhir një lodër të vogël, një majmun të vogël. E tani edhe kur pata shku në Shqipni edhe mas nja dy-tri jave patëm nisë me shku në shkollë atje, prapë m’u kujtojke… 

Një drenushë lodër për vete
Albulena Kryeziu Bokshi, 37, aktore
Gjakovë

Drenusha ka qenë e motrës sime fillimisht. Këtë na e ka sjellë një e afërme prej Holandës. Drenushë e kauçukut. Kauçuku është si plastikë e fortë edhe ka qenë ngjyrë kafe, si lajthi. Kafe e ngrohtë me një fjalë. Ajo drenushë ka qenë bukur e madhe, edhe unë e edhe motra kemi vazhdu me lujtë me të derisa jemi rritë deri në ‘95-’96 qanej pari.

Ka qenë asi drenushe që ka qenë si rekuizitë shumëfunksionale. Herë e kemi përdor si karrikë, herë e përdorshim si piano, mujshe edhe m’u ulë n’to. Ka qenë shumë interesant puna e saj. Ka qenë lodra ma e dashun që e ka pasë motra jeme edhe unë edhe hala sot e asaj dite ia nij mungesën se ka qenë pjesë e pandashme edhe e kemi përcjellë… Motra jem ma ka përcjellë mu, unë ia kam përcjellë çikës së dajës e qaty është ndalë cikli.

Ka qenë lodër shumë e fortë, ka qenë shumë e veçantë edhe shumë e bukur. Herë e bojshim si kali, se si fëmijë ki lloj-lloj imagjinate. E di që shpesh e merrsha e u ulsha me nji karrikë tjetër edhe tash në shpinë të drenushës u bojsha kishe i ka tastierat e pianos. Edhe mandej kur lujshim demek tu ikë me kuaj, i imitojshim filmat me cowboy, drenusha u shndërrojke në kali. E vnojshim një sheshir edhe u shndërrojke në kali. Ka qenë lodra ma e dashuna e jemja edhe e motrës sime.

Mandej ia kemi dhanë çikës së dajës për me përdor edhe drenusha ka qenë në shtëpi te daja deri në të ‘99-tën. Ndërkohë, na kemi banu në zonën e Çabratit në Gjakovë, që ka qenë zonë e luftimeve. 

Kur ka bombardu NATO më 24 mars, na meniherë të nesërmen na kanë qitë milicia e atëhershme prej shtëpisë edhe kemi shku në shtëpi të gjyshit, te daja. Prej aty mandej prapë na kanë qitë milicia e paramilitarët. Na kemi rezistu, nuk kemi dashtë me shku në Shqipëri, me lëshu Kosovën, mirëpo krejt kolona ka qenë e dirigjume prej forcave paramilitare, sepse qëllimi ka qenë me na qitë jashtë Kosovës. Edhe pse mu si fëmijë m’u dokke ma mirë ideja me ikë prej qasaj lufte, unë nuk e kisha atëherë atë brengën me nejtë me mbrojtë atdheun, thjesht Shqipërinë e kisha pa prej televizionit edhe e disha që atje s’ka luftë. Sepse u mësum na, unë i kisha 12 vjet, nuk isha krejt fëmijë mos me kuptu çka është lufta. 

Sidoqoftë, kur kemi ikë prej luftës, nuk e kemi marrë atë drenushë me vete edhe gjatë luftës shtëpia e dajës është bastisë prej ushtrisë serbe. Kur jemi kthy, nuk e kemi gjetë. 

Ky artikull është readaktuar për gjatësi dhe qartësi. Bisedat u zhvilluan në shqip.



Imazhi i ballin
ës and ilustrations: Altin Ibrahimi / K2.0.

 

Ky publikim është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.