Kur ishte gati në moshën që Afërdita është tash, në mes të të njëzetave, babai i Afërditës ndodhej në Stuttgart të Gjermanisë, duke punuar çfarëdo pune që mund të gjente. Me prejardhje nga Bardhi i Madh, fshat afër Prishtinës, u rrit në në fillim të viteve ‘90, në një vend dhe kohë kur të qenit i ri shqiptar nënkuptonte se mundësitë për të pasur një jetë të mirë ishin të pakta.
Elektricist me profesion, nuk pati shumë zgjedhje pos të largohej nga vendlindja për të kërkuar punë jashtë vendit e për ta ndihmuar familjen në Kosovë t’i përmirësonin kushtet të jetesës. Trajektorja e tij e karrierës së hershme i ngjan asaj të qindra mija burrave shqiptarë nga Kosova gjatë asaj dekade, të cilët, të detyruar nga regjimi shtypës i Milošević, iu desh të migrojnë për në vendet e Bashkimit Evropian (BE) apo tjetërkund për të gjetur punë.
Edhe sot, një numër i madh kosovarësh planifikojnë të largohen nga vendi, jo për shkak të shtypjes, por për shkak të mundësive të pakta për punësim. Qofshin mjekë, inxhinierë, punëtorë ndërtimtarie, infermierë, kuzhinierë apo studentë, kushdo që largohet, shpreson për një të ardhme më të begatë diku tjetër.
Mirëpo, rritja e vendeve të punës nga distanca në mbarë botën i bie që ndonëse kosovarët ende nuk mund të udhëtojnë lirshëm jashtë vendit, tani kanë mundësi më shumë se kurrë që të bëhen pjesë e tregjeve dhe vendeve të punës në nivel botëror. Një numër gjithnjë e në rritje i punëtorëve të rinj në Kosovë po shfrytëzojnë rrugët dixhitale që u mundësojnë atyre të bëjnë një jetë të mirë nga shtëpia, të paktën tash për tash.
Biseduam me katër prej tyre — secili/a i/e angazhuar në faza të ndryshme të punës së pavarur online — për zgjedhjet që çuan në karrierën e tyre e tanishme, mendimet e tyre rreth ndërrimit të natyrës së punës në internet dhe se si i gjithë ky ndërrim u përshtatet me vizionet e tyre për të ardhmen.
Zgjidhja e enigmës
Kur po vendoste se çka të studionte pas shkollës së mesme, Afërditën e udhëzonte një parim: zgjedh diçka me “pak më shumë perspektivë”. Tani si inxhiniere e pavarur softuerësh që punon me partnerë në Gjermani, i kujtohet kur si adoleshente kishte dëgjuar për herë të parë për departamentin e shkencave kompjuterike në Universitetin e Prishtinës dhe kishte menduar, “Mirë, përderisa kërkesa është e madhe, duhet të aplikoj këtu sepse mund të gjej punë”.
Si e pavarur punon që nga fillimi i vitit 2022, pas më shumë se gjashtë vitesh përvojë me tri kompani të ndryshme softuerësh, njëra prej tyre zvicerane dhe dy të tjerat me seli në ShBA, e me zyrë në Prishtinë. Hendeku i pasurisë në mes Kosovës dhe vendeve më të pasura i bën profesionistët kosovarë të teknologjisë më tërheqës për kontraktorët e jashtëm, të cilët mund t’i paguajnë këta punëtorë më pak se standardet vendore në vendet e tyre, por dukshëm më shumë se standardet në Kosovë.
Ishte gjatë pandemisë, kur Afërdita po punonte nga shtëpia si inxhiniere softuerësh dhe drejtuese e ekipit për një kompani me seli në Chicago kur fillimisht mendoi të provonte të punonte si e pavarur.
“E kuptova se teksa punoja nga shtëpia, kisha kohë të bëja aktivitete të tjera që nuk mund t’i bëja më parë kur më duhej të shkoja në zyrë”, tha ajo. “Besoj se pikërisht aty më shkoi mendja se puna nga shtëpia dhe fleksibiliteti janë disa nga përparësitë që profesioni im mund t’i ofrojë”. Kësisoj, filloi t’u përgjigjej kompanive që e kontaktonin në LinkedIn dhe Xing, platforma të rrjeteve profesionale në internet.
Çka ishte sfiduese në fillim për Afërditën ishte të kuptuarit e anëve ligjore dhe administrative të gjërave, të cilën ia doli ta bënte me ndihmën e punonëtorëve të tjerë të pavarur në komunitetin e programimit. “Sa i përket taksave, e regjistrova një biznes individual ku figuroj si punëtorja e vetme pasi kështu më këshilluan të gjithë që merreshin me diçka të ngjashme”, shpjegoi ajo.
Deri më tani, nuk sheh ndonjë dobësi të punës së saj si e pavarur. Fillimisht, thotë se të ardhurat e saj janë shumë më të mëdha se në çdo punë tjetër të mëparshme, ndërsa mendon se është më e lirë të kalojë kohën ashtu siç ajo e sheh të arsyeshme. “Vetë vendosi se kur më duhet t’i kryej detyrat e mia ndaj biznesit dhe mund ta organizoj pak a shumë punën time rreth jetës sime, rreth gjërave të tjera që dua të bëj”, tha ajo.
Një gjë tjetër që dallon nga më herët është ndjenja e kontrollit në kryerjen e punës së përditshme. “Po ashtu, ndihesh nën kontroll kur punon si pjesë e një ekipi në një kompani, nuk të duhet të punosh vetë për ta ndierë atë, por kjo është hera e parë që më ndodh”, tha ajo. “Ndihem më krenare me punën time — është goxha përmbushëse dhe më motivon të punoj edhe më shumë”.
Sipas rregullave që i cakton vetë
Është pikërisht kërkimi i qëllimit që e motivoi Alma Fekën të regjistrohej në faqen e pavarur të Upwork pasi ajo përfundoi studimet Master në menaxhim dhe informatikë disa vite më parë. Tani si drejtuese dixhitale dhe inovative në një kompani botuese dixhitale në Kosovë, historia e punës së 27-vjeçares është një dëshmi e dëshirës së saj për të pasur shumë profesione.
Puna e saj e parë ishte në universitetin privat ku po i kryente studimet Bachelor për sistemet e informacionit. Universiteti e ofronte atë drejtim për herë të parë atë vit, kështu që ajo vendosi ta provonte dhe i eci mbarë.
“Në fakt isha asistente profesore, jo-formalisht. Më quanin mësuese, sepse ende nuk kisha përfunduar ende diplomën, por zëvendësoja profesorët e mi dhe kryeja detyrat që bën një asistent profesor”, tha ajo. “Por puna në vetvete nuk ishte aq mbresëlënëse. Kisha shumë udhëtime dhe i gjithë procesi i punës ishte pak i çorganizuar. Po ashtu, nuk isha e kënaqur me pagesën”.
Pauzoi për një vit pasi mori diplomën Bachelor, kohë gjatë së cilës thotë se u përkushtua plotësisht në shkrimin e një skenari të një video-loje që po e krijonte me vëllain e saj. Më pas, teksa kryente Masterin, punoi si mësuese e gjuhës gjermane për disa muaj, por shpejt e kuptoi se kjo punë nuk i përmbushte interesat e saj që po zgjeroheshin. Gjatë asaj kohe, reklama filluan të shfaqeshin në rrjetet e saj sociale rreth Upwork dhe më pas “një gjë çoi tek tjetra”.
Krijimi i një llogarie ishte i ndërlikuar sepse Kosova nuk është e integruar në shërbimin e pagesave online Paypal. Pasi e kapërceu këtë pengesë, duke përdorur “kartat e kreditit dhe dokumentet dhe çka jo”, vazhdoi të punonte si shkruese e pavarur dhe përkthyese për katër vite.
Klientët e saj nga ShBA, Kanadaja, Gjermania dhe vende tjera dukej se e pëlqenin punën e saj, kështu që ajo vendosi të vazhdojë të punojë si e pavarur “deri në një mundësi më të mirë”.
Kur pas katër vitesh karrierë si e pavarur iu ofruan dy mundësi, ishte midis dy zgjedhjeve të vështira për t’u bërë. Njëra ishte në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI), ku aplikoi për një pozitë të hapur dhe ku e kaloi testin e parë dhe tjetra në një start-up në rritje të teknologjisë, ku shkoi në intervistë si shkruese.
“Isha në dilemë. Ta pranoj AKI, [e cila mund të jetë] një punë e sigurt duke punuar për shtetin, apo të vazhdoj rrugëtim tjetër që mund të jetë më kreativ dhe më përmbushës?”
Vendosi për start-up.
Bashkimi i pikave
Arvan Berisha, 29-vjeçar, filloi të punojë në industrinë e marketingut kur ishte 19 vjeç, si student i dizajnit grafik në Universitetin e Prishtinës. Në vitet e ardhshme i ndërroi agjencitë derisa po e mësonte zanatin, kur në moshën 24-vjeçare fitoi një donacion nga Qendra Kinematografike e Kosovës për krijimin e një filmi të animuar dhe vendosi t’i përkushtohej tërësisht krijimit të filmit.
“Ai projekt ishte si të zhytesha në lumë pa ditur të notoj — kështu që më desh të mësoja të notoja dhe projekti zgjati pesë vite”, tha ai. “Buxheti u shpenzua sepse kisha kërkuar më pak se ç’më nevojitej, kështu që fillova të punoja si i pavarur krejt spontanisht”.
Që prej atëherë nuk mendon të kthehej të punonte për dikë tjetër sepse, “Fitoja më shumë se kudo ku kisha punuar më parë, apo edhe më shumë se njerëzit e tjerë që kishin një punë më të mirë se unë, por që punonin në një kompani dhe jo si të pavarur”.
Plani i tij ishte t’i synonte agjencitë vendore të marketingut, me shumë prej të cilave kishte bashkëpunuar më parë si pjesë e ekipeve. Rrjeti i tij tashmë i krijuar bashkë me aftësitë e tij e dërguan në projekte që ishin të dobishme jo vetëm nga ana materiale, por të tilla që i ofronin liri të krijonte dhe dhe i mundësonin kënaqësinë që vjen nga cilësia profesionale. “Klientët më telefononin dhe ma kërkonin t’u sugjeroja zgjidhjen time”, tha ai. “Ishte e përsosur, pikërisht e kundërta e asaj për të cilën zakonisht ankohen dizajnerët”.
Arvani, aspektet e suksesit të tij ia atribuon fatit të mirë; e filloi punën e tij të parë në atë që ai e quan “crème de la crème” të agjencive të marketingut. Po ashtu, e konsideron veten me fat që si profesion ka versionin e rritur të asaj që bënte që në fëmijëri: të vizatonte në çdo sipërfaqe që i dilte përpara.
Në punën e tij si i pavarur, ia arriti të futej në një treg të veçantë që rriti mundësitë e tij. “Mendoj se e nuhata në treg një fushë që deri atëherë, askush nuk e kishte mbuluar. E quajnë ilustrime alegria, komunikimin vizual që kompanitë dixhitale filluan, Facebook në fillim dhe më pas të tjerët”, shpjegoi ai. “E kapa [në kohën e duhur] dhe më pas kërkesa për atë stil komunikimi filloi të rritej, kështu që agjencitë vazhduan të më ofronin projekte në të cilat isha shumë i lumtur të punoja”.
Në moshën 26-vjeçare pranoi një ofertë nga një agjenci në Norvegji për të bashkëpunuar në projekte afatgjata të dizajnit si punëtor i pavarur nga distanca. Shkoi mjaft mirë në fillim, duke punuar me ta, ndërkohë në anën tjetër duke u angazhuar në projekte me klientë të tjerë vendorë, domethënë, derisa jeta i dha mësimin që të vendosë kufij.
“Vetëbesimi im u rrit kur e kuptova se mund të punoja edhe ndërkombëtarisht, por [pastaj kontraktuesi im] vendosi të ndërpres kontratën e gjitha sepse u përfshiva në një situatë të vështirë”, tha ai. “Tregohesha shumë ambicioz dhe nuk dija si ta organizoja punën time, nuk dija t’i thosha jo askujt dhe më pas humba në atë dinamikë”.
Teksa ende ndien keqardhje që humbi një pune që paguhej aq mirë dhe që kishte relativisht pak stres, pavarësisht kësaj, gjërat po ecin mirë. Për disa vite vazhdoi të punonte për agjencitë vendore, deri në vitin 2020 kur platforma kreative e mediave sociale Behance, ku e prezanton punën e tij, krijoi një rubrikë të re përmes së cilës mund të aplikosh drejtpërdrejt për punë. Kështu u lidh me dy klientë, në Suedi dhe Singapor, me të cilët nënshkroi kontrata afatgjata. Biznesi individual që e krijoi në vitin 2018 për të qenë në gjendje ta kryente punën si i pavarur në mënyrë të ligjshme tani është kthyer në një agjenci që punëson dy dizajnerë të tjerë të rinj, të cilët po përfitojnë përvojë pune, si Arvani dikur.
Ky lloj i të mësuarit duke i bërë gjërat duket mjaft dobiprurës për profesionistët e rinj në fushat kreative, ku metodat tradicionale të arsimit të lartë kanë vështirësi të vazhdojnë me risi në këtë sektor.
Sërish në tabelën e vizatimit
Ilustruesi dhe animuesi Edvin Susuri fillimisht vendosi ta provonte të punonte si i pavarur në fillim të të njëzetave pasi punoi për një vit si praktikant me orar të plotë, pa pagesë dhe më pas katër muaj punë me pagesë, në një agjenci dizajni. Gjatë përpjekjes së tij të parë për punë si i pavarur, tha se “dështoi me sukses” për shkak të një sërë arsyesh, kryesisht mungesës së përvojës dhe rrjetit të njerëzve.
“Nuk më njihte askush — isha djali i ri dhe pak njerëz ma besonin punën sepse isha shumë i ri”, tha ai, tash kur e mendon pas disa vitesh. “Vazhdova gati gjysmë viti, sepse fillimisht gjeta disa punë, por duke qenë se nuk e dija se siç shkonin punët me kontrata, nuk e shkrova kurrë dhe mbështetesha vetëm në marrëveshje gojore, diçka shumë e keqe sepse duhet ta kesh të paktën një faturë, por nuk kisha biznes individual apo diçka tjetër”.
Krejt aventurës i referohet si një gabim që erdhi si pasojë e mungesës sëpërvojës, por gjithsesi thotë se më mirë që ndodhi kur ndodhi, sepse i dha mundësinë të shtyente veten ta përmirësonte punën në aspektin teknik, por edhe në aspektet sociale dhe praktike të punës. “Për gjashtë apo shtatë vitet e ardhshme”, tha ai, “iu ktheva punësimit nga të tjerët, gjatë së cilës kohë mësova shumë gjëra dhe [e largova] atë ego që pretendon ta kesh në një moshë të re ku mendon se “Jam më i miri”, sepse u përula përpara njerëzve që ishin shumë më të mirë se unë”.
Gjatë asaj kohe, punoi me një numër njerëzish të industrisë, gjë që e ndihmoi të krijonte lidhje pasi iu kthye në profesionit si i pavarur tek vitin e kaluar. Ky lloj rrjetëzimi profesional përgjatë viteve e ndihmoi Edvinin të gjente punë dhe klientë të rinj, diçka veçanërisht e dobishme marrë parasysh se ai nuk ka një portfolio në internet që klientët e mundshëm ta shfletojnë.
“Është e çuditshme sepse [një portfolio online] është i nevojshëm”, e pranon ai. “Më duhet ta krijoj shumë shpejt, s’mund të vazhdoj vetëm me njerëzit që më njohin sepse do të më duhet të gjej klientë të rinj, punë të reja… Kur punon si i pavarur, të duhet nxitje shtesë”.
Këtë nxitjen shtesë e mori në fund të vitit të kaluar, kur një i njohur e vendosi në kontakt me një kompani teknologjie në Miami që po kërkonte një artist për të krijuar pamjet vizuale për një përmbledhje të tokenave të pazëvendësueshëm(NFT), produkte të artit dixhital që lidhen me teknologjinë blockchain, të cilat mund t’ua dhuronin si dhurata njerëzve që investonin në kompani. Edvini pranoi ofertën e tyre ndonëse nuk kishte punuar më parë në NFT dhe nuk e dinte se si funksiononin.
Me të njëjtën analogji si Arvani, e shpjegon procesin siç shpjegohet të mësuarit e notit vetëm pasi hedhesh në ujëra të thella. “Mësova duke punuar dhe në fund krijova një koleksion NFT”, tha ai. Meqenëse karakteret e koleksionit NFT që i krijoi nuk ishin destinuar për shitje në Miami, u pagua vetëm vetëm një herë, në vend që të merrte pagesë honorare sa herë që shitet një NFT, siç përpiqen t’i kenë kontratat shumë artistë për NFT.
“Kam biseduar me disa njerëz që merren më shumë me gjërat që lidhen me kripto dhe më thanë, ‘në rregull, ta bëjmë një ekip: ti gjeje një artist tjetër për t’i krijuar ato, le të bëjmë më shumë dhe t’i shesim’, tha ai. NFT-të e tyre dolën publikisht dhe filluan të shiten në janar të vitit 2022 dhe është i kënaqur me rezultatet, ndonëse shitjet botërore të NFT-ve kanë rënë ndjeshëm muajve të fundit.
Por ai shpreson se puna e tij artistike do të vazhdojë të korrë suksese. Ndërkohë, po e shijon procesin e ecurisë kreative dhe aftësive të reja që po mëson së bashku me artistë të tjerë në rrethin e tij.
Duke pritur mundësinë e duhur
Të katër këta profesionistë përdorin të njëjtën gjuhë teksa përshkruajnë aspektet e punës së pavarur në sferën dixhitale që i tërheqë më shumë. Pavarësia, pagesa e mirë, fleksibiliteti, liria kreative, një ndjenjë e fortë e kontrollit dhe potenciali i madh për rritje janë vetëm njëra anë e medaljes — mungesa e stabilitetit dhe potenciali për izolim dhe dështim është ana tjetër.
Prapëseprapë, pavarësisht nëse janë relativisht të ri në këtë fushë si Afërdita dhe Edvini apo zotërues të mirë si Alma dhe Arvani, të gjithë e kanë përdorur punën dixhitale si trampolinë për realizimin e qëllimeve të tyre.
Almës, puna j si e pavarur i ka siguruar të ardhura të qëndrueshme dhe një mundësi për të zhvilluar një gamë të gjerë aftësish profesionale, të cilat ajo i përdori për ta zbuluar se për çka i pëlqen të bëjë dhe për t’i përmirësuar aftësitë e nevojshme në gjetjen e një pune të përshtatshme.
Por të punosh nga ora 10:00 deri në 18:00 çdo ditë me një orar fiks ka anët negative; ka ditë kur ajo ndihet tepër e lodhur pas punës për t’i ndjekur interesat personale, si blogu që ka filluar së fundmi. Por në ato ditë thjesht ia kujton vetes se puna e saj është veç një hap drejt qëllimit kryesor.
“Punën e shoh si një mjet që më ndihmon t’i arrij gjërat më të mëdha në jetë”, thotë ajo. “Ia kujtoj gjithmonë vetes se e kam mundësinë të mos punoj përherë për këtë kompani, ndaj mundohem të përfitoj sa më shumë njohuri dhe t’i zbatoj ato në projektet e mia private dhe në jetë, në përgjithësi”.
Edvinit, aventura e parë si profesionist i pavarur vite më parë i dha mësime rreth modestisë dhe vlerës së përvojës. Kësaj here po e ndihmon atë t’i eksplorojë me mendje të hapur teknologjitë e reja, ndërkohë që po e shtyn veten të dalë nga zona e tij e rehatshme si krijues.
“S’jam marrë me kripto ndonjë herë më parë, kështu që [përvoja e fundit] ishte diçka e re dhe gjëja më e mirë ishte se njoftova shumë artistë të mirë, të cilët në situata normale nuk do t’i kisha njoftuar dhe gjeta frymëzim tek ata”, tha ai. “Nuk mendoj se ka diçka negative në krejt këtë përvojë”.
Arvani tash po përpiqet ta shfrytëzojë sa më shumë rolin e tij të ri si drejtues i një ekipi kreativ që konkurron në tregun botëror. “Mendoj se kjo është rruga e duhur ta vazhdoj tani e tutje, jo si profesionist i pavarur, por si agjenci që ofron shërbime për kompanitë digjitale sepse ato kanë potencialin të rriten, kështu që ju mund të lulëzosh bashkë me to”.
E sa i përket Afërditës, ajo po e merr kohën që i duhet për t’u ambientuar në punë me një grup të ri njerëzish përpara se të marrë projekte të reja për ta sfiduar veten dhe për t’u rritur profesionalisht. Si një person që e përshkruan veten si të shoqërueshme, njëra nga gjërat që e pëlqen më shumë në punën e saj si e pavarur është se mund të bashkëpunojë me njerëz nga kultura të ndryshme, gjë që e sheh si mundësi për rritjen personale gjithashtu.
Në fakt, kjo është njëra nga arsyet kryesore pse ajo ka vendosur ta vazhdojë udhëtimin e saj në Gjermani, në një qytet më në veri se sa ai nga ku u kthye babai i saj gati 30 vite më parë. Ndryshe nga ai, nuk po shkon për shkak të nevojës për mirëqenie dhe siguri, por për vetëpërmbushje.