A ka gjo n’Kosovë? - Kosovo 2.0

A ka gjo n’Kosovë?

Zhgënjimi duhet të na aktivizojë për ndryshim e jo të na e shtojë apatinë politike.

Nga Rrezart Dema | 6 korrik 2024

Kur dal për kafe me shokët në qytetin tim në Gjakovë, dëgjoj një fjalë duket se është bërë gati si himn për qytetarët e Kosovës e veçanërisht për rininë: “s’ka gjo”. Kjo i bie që Kosova është vend i mbaruar dhe nuk ka shpresë. 

Normalisht, duhet të themi se kjo “s’ka gjo” nuk vjen prej asgjëkundi. Ka shumë faktorë që kanë çuar në këtë apati dhe humbje të shpresës, sidomos tek rinia. Të rinjtë e të rejat në Kosovë përballen me probleme të mëdha në sferat kryesore të jetës. Këto probleme janë të prekshme.

Për shembull, së pari, të rinjtë përballen me mungesë të theksuar të edukimit cilësor, qysh prej fazave të hershme e deri në edukimin e lartë. Kjo më pas ka pasoja reale — prodhohet fuqi punëtore që nuk është e përgatitur për nevojat e tregut të punës. 

Situata përkeqësohet sidomos kur shohim grupe të ndryshme përbrenda të rinjve e të rejave — si gratë dhe komunitetet jo-shumicë që përjetojnë dyfish diskriminim e rrjedhimisht, shpresa për një të ardhme më të mirë mund të jetë edhe më e vogël ndër ta. 

Duke thënë “s’ka gjo” e duke u dorëzuar, rrezikojmë të krijojmë të ashtuquajturin “fenomenin e profecisë vetëpërmbushëse”.

Normalisht, ky kontekst është i vështirë, por më e vështirë është tërheqja e plotë nga veprimi, nga përpjekjet për ta ndërruar këtë kontekst. Në vitin 2018, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) publikoi hulumtimin rreth qëndrimeve dhe sjelleve të votuesve të rinj ku anketoi 1,200 të rinj nga e gjithë Kosova. Prej tyre, 46% kanë deklaruar se nuk diskutojnë pothuajse asnjëherë rreth politikës në familje, kurse 33.1% diskutojnë rrallë.

Duke thënë “s’ka gjo” e duke u dorëzuar, rrezikojmë të krijojmë të ashtuquajturin “fenomenin e profecisë vetëpërmbushëse”, një term i shpikur nga sociologu amerikan Robert Merton, që thotë se individët duke besuar një gjë, ndoshta edhe jo të vërtetë, bëjnë që ajo më pas të ndodhë në të vërtetë. 

Kështu pra, të rinjtë e të rejat e Kosovës duke besuar që në Kosovë “s’ka gjo” çdo ditë e më shumë përmes veprimit e veçanërisht mosveprimit, po kontribuojnë ta mirëmbajnë këtë realitet: një Kosovë në të cilën vërtet nuk ka mundësi dhe të ardhme. 

Largimi nuk është mundësi

Pjesë e profecisë vetëpërmbushëse për qytetarët e Kosovës është edhe apatia politike — një largim i vetëdijshëm nga proceset politike. Apatia politike në Kosovë ka shpjegim — dëshpërim i akumuluar nga dështimet, premtimet e pambajtura dhe korrupsioni i asociuar me politikën në Kosovë. 

Për mua, një shembull i apatisë politike është një situatë ku u gjenda para pak kohësh, kur unë dhe shoku im ishim të vetmit njerëz në një mbledhje në Kuvendin Komunal të Gjakovës, ku do të diskutohej për punën e qeverisë lokale.

Megjithatë, është edhe problemi tjetër. Të rinjve e të rejave, që kanë vullnet e që përfshihen drejtpërdrejt në parti politike, jo domosdo u dëgjohet zëri. Anipse të rinjtë/rejat votojnë, sfida vazhdon të mbetet te përfshirja e tyre e njëmendtë në pozita vendimmarrëse e jo vetëm në role që jo domosdo përkthehen në vendime. Sipas një raporti të Demokracisë për Zhvillim (D4D), të botuar në vitin 2020, të rinjtë e të rejat, anipse bëhen pjesë e partive politike, e konsiderojnë të vështirë të bëhen pjesë e listave zgjedhore. Të rinjtë/rejat e kyçur/a në parti politike kanë qenë dhe mbesin zgjatime të mendësive të vjetra politike dhe në një formë edhe të ruajtes të tyre. 

Mosdëgjimi i zërave të rinisë i bie përjashtim i një pjese kritike të shoqërisë, që veç e ndihmon apatinë te ta.

Dhe marrë për bazë numrin e madh të të rinjve e rejave në Kosovë, vendi me popullatën më të re në Evropë — mosdëgjimi i zërave të tyre i bie përjashtim i një pjese kritike të shoqërisë, që veç e ndihmon apatinë te ta. 

Largimi nga proceset politike i të rinjve e rejave, në afatgjatë ka një kosto reale. Kur qytetarët nuk dëshmojnë pjesëmarrje në proceset politike, ekziston rreziku i pamohueshëm që politikanët të kenë në fakt mundësi që më lehtësisht të abuzojnë me pushtetin e tyre duke vazhduar në fakt ciklin e pakënaqësive te populli. 

Më tej, duhet pasur parasysh që mungesa e angazhimit të qytetarëve dhe veçanërisht e të rinjve/rejave dëmton krijimin e asaj që quhet traditë demokratike, në një vend që edhe ashtu nuk është që ka një demokraci të konsoliduar. 

Duke u distancuar nga procese politike si zgjidhje afatshkurtër për t’u larguar nga pakënaqësitë ndaj gabimeve të politikës sonë, ne në fakt kontribuojmë që në afatgjatë të kemi pasoja të njëmendëta nga veprime të tilla. Profecia jonë vetëpërmbushëse është krijuar edhe nga pesimizmi i përgjithshëm për të ardhmen ose nga besimi që gjërat mund të ndryshojnë vetë. Por në fakt, duhet të jemi vetë ndryshimi, ne përbëjmë motorin më jetik për ndryshimin e gjendjes sonë. 

Duke menduar që “s’ka gjo” vërtetë dikur s’do të ketë. Rinia vazhdon të mbetet një pjesë e rëndësishme e çdo shteti dhe në këtë drejtim duhen gjetur mekanizmat për të ndikuar që kjo pjesë e popullsisë së Kosovës të jetë në fakt pjesë produktive e shoqërisë. Praktikisht, aktori themelor në këtë drejtim mbetet Qeveria e Kosovës, e cila do të duhej që të ndërtonte strategji zhvillimore të atilla (disa vetëm ekzistojnë) të cilat do të të kishin në qendër angazhimin e rinisë në procese dhe përfshirjen e tyre në dizajnimin e politikave që janë veçanërisht të rëndësishme për ta. 

Qeveria, po ashtu, duhet të përkushtohet që t’ua bëjë jetën më cilësore të rinjve e rejave — e këtu mbase mund të fillojë me reformimin e edukimit dhe politikave komunale në ndërtimin e mundësive që rinia, së pari të kuptojë rolin e vet të rëndësishëm, së dyti, të ketë hapësirë ta luajë atë rol e së treti, të mund të shohë teksa ai rol respektohet e çmohet. 

Përfundimisht, nuk do ishte e drejtë, e zgjuar apo e ndershme të mendonim që ne si qytetarë do të duhej t’i perceptonim situatat nga një kënd i largët, me idenë që ne jemi vetëm vështrues të situatave në vendin tonë. Ne duhet të kemi parasysh që ne jemi gjithmonë duke marrë pjesë në realitetin tonë dhe pa dyshim po e formësojmë atë.

 

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Shfletoni zinën e plotë

Hovi ynë rinor – Print

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.