Fillon dita në shtëpi. Përfundojmë në kuzhinë — vendi ku krijohen shumë momente të përbashkëta e shumë ushqime. Vendi ku familja e shoqëritë mblidhen e shoqërohen, përmes një kafeje, duke gatuar ose thjesht duke ndejtë e duke diskutuar në tavolinën e ngrënies.
Kuzhina është po ashtu vendi ku gatuhet. Vend i mbushur me aroma, tenxhere, pjata, gota e produkte ushqimore të llojllojshme — secila shtëpi, unike në krahasim me tjetrën. Njëmend, kuzhinë të njëjtë s’mund të gjesh askund. Secila është ndryshe, si njerëzit në to që janë të ndryshëm.
Mirëpo, një gjë, një atribut, një veçori e ka të përbashkët secila kuzhinë — nevojën për ushqim, ashtu që të gatuhen shujtat që i hamë përditë. Pa ushqim s’ka jetë. Të gjithë hamë diçka dhe derisa prej kuzhinës nis ky proces, kjo vazhdimësi konsumuese do të ekzistojë gjithnjë.
Shkojmë n’pazar apo dyqan, e blejmë ushqimin, e hamë aty për aty ose e gatuajmë e e çojmë deri në sofër ku ulemi e hajmë bashkë. Por, çka lidhen kuzhina e ushqimi me komunitet e shoqëri? Secili mund të arrijë në gjithfarë përfundimi, vetëm duke i menduar këto dy terme, e unë, dua ta ndaj një rrëfim personal, që për bazë e ka kuzhinën e ushqimin.
Rrugëtimi i ushqimit që e hamë
Fillimisht, të flasim pak për udhëtimin që e bën ushqimi pasi të arrijë në kuzhinë, pasi të jetë përgatitur, prerë, zier e gatuar.
Pasi të jetë gatuar, jo i gjithë ushqimi përfundon në barkun tonë. Shumë copë, mbetje e pjesë të tjera i hedhim në bërllok sepse vlerësojmë se nuk na duhen më ose s’na kryejnë punë. Hidhen, ndër të tjera, lëvoret e pemëve apo të perimeve, ushqimet që bëhen bajat, ushqimet që mbesin pasi të kemi gatuar më shumë sesa që kemi konsumuar.
Në shtëpinë time, kështu, mesatarisht, krijohet një masë rreth 40% mbetjesh ushqimore, e cila mund të përfundojë në bërllok dhe të konsiderohet si e pavlerë. Këtu desha të dal sepse këtu ka filluar nisma e familjes sime.
Ajo masë, ai produkt, ai ushqim, nuk është i denjë për bërllok, për disa arsye.
Nën 1: Përfundon në deponi bërlloku dhe kthehet në metan — gaz që kontribuon si gaz serë dhe e nxitë ngrohjen globale. Lirimi i pakontrolluar i këtyre gazërave, nga aktivitetet e shtuara njerëzore, krijon një shtresë mbuluese atmosferike, e cila e bllokon rrezatimin e diellit dhe e bllokon nxehtësinë në tokë, shkak që po rezulton në ngrohje të planetit dhe çrregullime klimatike.
Nën 2: Nëse dërgohet në vendin e duhur, ose përcillet me procesin e duhur, ai ushqim do të kontribuojë në krijimin e bazës jetësore për shumë organizma e mikroorganizma të tjerë dhe për dallim prej gazit serë, përfundon në dhé, si pleh natyror (carbon sink).
Procesi i carbon sink ose absorbimi i karbonit, si proces që tërheq karbon nga atmosfera, ka ndikim në kontrollimin e gazërave serë (dioksidi i karbonit, metani, oksidi i azotit). Ky proces mundëson që, në vend se këto gazëra të lirohen në atmosferë, të sigurohet absorbimi i tyre në materiale organike, përmes, për shembull, fotosintezës dhe të përdoret si ushqim për gjallesa.
Shumica besoj që tani po e kuptoni ku dua të dal — te procesi i kompostimit. N’familjen time kemi bahçe dhe aty e kemi krijuar një kuti me peletë të drurit, diçka shumë bazike. Vetë procesi i të ndërtuarit të kutisë mund të jetë proces shumë stimulues, sidomos për të rinj e të reja nëpër shkolla.
Këtë kuti e kemi ndërtuar që të shërbejë si vend ku i mbledhim mbetjet ushqimore, të krijuara nga familja jonë katër-anëtarëshe.Nuk na është dashtë shumë për ta nisur. Ushqimin e krijuar në kuzhinë e mbledhim në një mbajtëse plastike — një plastikë që ka qëndrueshmëri të gjatë. E në kutinë e krijuar, me madhësi diku 1m3 e hedhim ushqimin.
Normalisht, kërkohet kujdes sepse kompostimi nuk bëhet thjesht duke e hedhur ushqimin në një vend të caktuar, sepse mund të kalbet e të kundërmojë. Gjatë mbledhjes, atij duhet shtuar një material shtesë, që është i pasur në karbon — gjethe, kashtë, bari, kartona pa ngjyrë.
Mikroorganizmat ushqehen në karbon dhe nitrogjen, që vjen prej ushqimit, mbetjeve të pemeve, perimeve, kafes dhe në to riprodhohen. Oksigjeni iu duhet për me marrë frymë, pasi është proces aerob, domethënë që ka nevojë për ajër, ndërsa ujin, këto entiete e përdorin për tretje.
Pra, mësuam ta hedhim mbetjen ushqimore, t’i shtojmë karbon, t’i japim lagështi — preferueshëm ujë të shiut ose të mbledhur — dhe duke e përzier shpesh, që t’ia mundësojmë frymimin, arritëm procesin e kompostimit dhe krijimin e plehut natyror. Plehu natyror pastaj shërben si vlerë ushqyese për bimë tjera, duke reduktuar nevojën për blerjen e plehut industrial — nxjerrja e të cilit dëmton ambientin dhe shterrë burimet natyrore me të madhe.
Plehu industrial përdoret që të plotësojë bimët me komponentet ushqyese të nevojshme për rritje të shëndetshme, siç janë azoti, fosfori dhe kaliumi (NPK). Për të përmbushur kërkesat e mëdha të konsumimit njerëzor dhe bujqësor me ushqim, këto elemente nxirren nga toka dhe atmosfera në formë të mineraleve. Mirëpo, këto zakone te eksploatimit të tyre kanë ndikim të dëmshëm në habitatet, të cilat ato ndodhen. Ato shkatërrojnë biodiversiteti ekzistues, kërkojnë tejet shumë energji në nxjerrjen dhe përpunimin e tyre, degradojnë dheun duke krijuar një çekuilibër të materies, si dhe ndotin ajrin.
Në të njëjtën mënyrë, në vend të plehut industrial, bimët mund të furnizohen me elementet NPK, përmes materialit ushqimor të kompostuar. Pra, krijohet cikli qarkor kur bëhet fertilizimi prej mbetjeve ushqimore që ne vetë i krijojmë, e jo nga diçka industriale të nxjerrur me masë. E mira e kompostit është që gjithashtu është edhe i pasur me mikrobiome të tjera, si fungi (kërpurdhat), mikrobe e mikroorganizma, e insekte, të cilat e shtojnë gjallërinë e dheut dhe kontribuojnë në qarkullimin e lëndëve ushqyese. Përmes këtij procesi, materiali i cili zakonisht përfundon në deponi mbeturinash, kthehet në pasuri për bimët dhe entitetet tjera tokësore.
Me këtë stimulim të proceseve biologjik, ne po arrijmë ta ripërdorim një material dhe po e kthejmë në vlerë ushqyese të pasur me entitete dhe elemente të nevojshme për rritje të bimëve dhe krijimin e hapësirave të mbushura me bioentitete. Paralelisht, po e zvogëlojmë varshmërinë nga nxjerrja në masë e elementeve nga toka, gjë që zvogëlon ndikimin negativ të këtyre proceseve në tokë.
Pasi e testuam dhe arritëm ta nxjerrim kompostin, i cili në fund duket si dhé i zakonshëm, ne si familje tash kënaqemi kur e shohim rezultatin. Mbas gjashtë muajve ose një viti, ky proces është gati. I mbushim thastë — ndoshta deri në 500 kilogramë material i pasur me vlera ushqyese krijohet. Dhe tani kemi mbetje organike që mund ta përdorim si fertilizues natyror për bahçen tonë.
Me të ne sigurohemi që lulet, drunjtë, pemët e perimet që duam t’i mbjellim i kanë të gjitha vlerat ushqyese në mënyrë që të rriten të shëndetshme. Çka tepron, mund ta shtojmë në lulet brenda shtëpisë, të cilat e zbukurojnë estetikën dhe atmosferën ku jetojmë. Ndërsa nëse krijohet material edhe më i tepërt, atëherë gjithmonë është mundësia ta ndajmë me komshinj dhe kështu të inkurajojmë edhe te ta me zakone pozitive ekologjike.
Atëherë çka është ndikimi i kompostimit?
Çka adreson ky proces kaq i thjeshtë? Çka nevojitet për të pasur zbatim më të madh të këtij procesi dhe çfarë ndryshimesh mund të sjellë në shoqëri?
Si fillim, ndikimi i kompostimit është i menjëhershëm. Masa ushqimore nuk po përfundon më në mbeturina, por po i vazhdohet jeta dhe kështu, po përdoret si medium për të shtuar biodiversitet, gjë që është e nevojshme për vazhdimin e jetës në tokë.
Teoria e Gaiës (Gaia Theory), e zhvilluar nga shkencëtari James Lovelock dhe biologia Lynn Margulis, e shpjegon bukur se si gjallesat janë përgjegjëse për zhvillimin e jetës në tokë. Në shkrimet e tyre ata/o thonë se evolucioni i jetës në tokë është i mundësuar nga vetë gjallesat dhe raportet e tyre me botën materiale. Për shembull algat, drunjtë, planktonet e përdorin energjinë e diellit për të kryer fotosintezën, ku karboni konsumohet për rritje ose energji nga gjallesat. Fotosinteza është një shembull i mirë që e mësojmë edhe në shkolla se si gjallesat janë duke reaguar me materiale fizike dhe sipas Teorisë së Gaiës, këto raporte krijojnë kushte të përshtatshme për vazhdimësinë e jetës në tokë.
Për më tepër, ky proces po krijon një raport përgjegjës të banorëve me ekologjinë, natyrën dhe vetëdijësimin klimatik. Po e sjellë individin drejtpërdrejt në marrëdhënie me diçka që është e gjallë dhe që mund të mbijetojë nëse vetë ata njerëz e ndërrojnë qasjen dhe vizionin ndaj mbetjeve ushqimore.
Secili mund t’ia fillojë me një kompostim të thjeshtë në hapësirat ku jeton. Ka produkte të ndryshme që mund të bëhen vetë dhe ta kemi kompost-kutinë edhe në shtëpitë tona. Mirëpo, lagjet dhe hapësirat rezidenciale të qyteteve i bashkon komuniteti, kshtu që pse jo të mos ketë një qendër kompostimi të komunitetit të lagjes, me llogaritje të duhur të kapaciteteve, dhe me mbështetjen nga vendimmarrja e lartë, që është komuna në shumë raste. Pse mos të krijohen hapësirat për kompostim, ku banorët e lagjeve mund të ndërmarin këtë përgjegjësi së bashku. Të mësojnë së bashku dhe kujdesen për ambient së bashku. Ky do të ishte një aktivitet i shëndetshëm për të gjithë, sidomos në ditët e sotme, kur kalojmë më shumë kohë brenda sesa jashtë në natyrë. Është proces me të vërtetë ndërveprues, secila moshë mund ta bëjë. Mund të fillojë sot, nesër, masnesër. Krejt çka duhet është një nismë dhe një planifikim i thjeshtë, i nxitur prej dikuj, qoftë një person, qofshin 1,000, qofshin më shumë.
Për t’u realizuar në nivel më të madh, duhet mbështetje komunale, por kjo është temë tjetër. Tash për tash, mund të them që për ne si familje ka qenë nismë e suksesshme dhe kemi arritur ta zvogëlojmë markën e mbeturinave deri në 40%. Pse mos të jetë e praktiktuar në shkolla e restorane? S’është vështirë, është mjaft lehtë e arritshme. Procesin e kryen natyra, krejt çka duhet të bëjmë ne është t’i dedikojmë mbetjet ushqimore dhe karbonin në një vend të caktuar dhe t’i kushtojmë pak kujdes e vëmendje.
Pra, kuzhinës po i shtohet në këtë mënyrë edhe një gjësend, edhe një moment i ri. Një moment kur pjesëmarrësit/et në kuzhinë e ndajnë mbetjen ushqimore përmes masave të përshtatshme për ta dërguar në kompostim. Kështu, kuzhina dhe aktivitetet tona aty, bëhen pikënisje e raportit tonë ekologjik me botën. Rrugëtim që mund të na dërgojë drejt një jetese më në harmoni me natyrën, të cilën shumë e duam dhe e cila na do shumë.
Imazhi i ballinës: Engjëll Rodiqi.
Shfletoni zinën e plotë
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.