“Faleminderit” dhe “Gëzuar” janë fjalët e para që i kujtohen në gjuhën shqipe Doroteja Antić, 23-vjeçare, nga Novi Sadi në Serbi. Por, ajo ka mësuar më shumë se kaq për të komunikuar më lehtë me miqtë e saj nga Kosova. Antić, studente e komunikimit dhe medieve, njëherësh edhe aktiviste për të drejtat e njeriut, ende e ruan një fjalorth të gjuhës shqipe, të përgatitur nga shoqja e saj shqiptare nga Kosova, ku janë të shkruara një mori fjalësh në gjuhën shqipe. Ngjashëm edhe Antić është munduar që mikes nga Kosova t’ia mësojë fjalët dhe shprehjet në gjuhën serbe.
“Tani gjithnjë para takimeve me miqtë nga Kosova e shfletoj fjalorthin për t’i përkujtuar fjalët në gjuhën shqipe”, thotë Antić.
Për 23-vjeçaren Antić, njohja e ndërsjellë e gjuhëve ndihmon në uljen e tensioneve në zonat ku jetojnë pjesëtarët e komunitetit shqiptar dhe serb. “Mendoj se kjo ndikon edhe në tejkalimin e paragjykimeve që mund të kemi ndaj njëri-tjetrit, sepse sa më lehtë që të komunikojmë me njerëzit më shumë i shohim si njerëz ashtu si janë dhe lëmë anash përkatësinë e tyre etnike”, thotë ajo.
Pjesa dërrmuese e të rinjve shqiptarë dhe serbë nuk e njohin gjuhën e njëri-tjetrit. Disa dekada më parë, kjo situatë ishte ndryshe, së paku për shqiptarët. Gjuha shqipe nuk mund të flitej lirshëm, andaj shumica e qytetarëve të Kosovës obligoheshin të flisnin ose ta kuptonin gjuhën serbe. Atë e mësonin në shkolla dhe ishte gjuhë e administratës publike.
Pas përfundimit të luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, për shkak të së kaluarës, pati hezitim nga shqiptarët në Kosovë që ta flisnin gjuhën serbe, teksa marrëdhëniet e tendosura politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë vështirësuar edhe më shumë komunikimin ndërmjet qytetarëve në të dyja shtetet dhe brenda vetë Kosovës. Në një situatë të tillë edhe procesi i ballafaqimit me të kaluarën përballet me barriera të shumta, anipse ky proces shihet si i domosdoshëm për paqe të qëndrueshme
Sipas Antić, narrativat nga moshat më të mëdha barten tek të rinjtë, dhe kësisoj këta të fundit nuk kanë pasqyrë të plotë.
“Të rinjtë kanë vetëm një fragment të rrëfimit dhe krijojnë mendimet e tyre në bazë të kësaj, nuk kanë njohuri për tërë çështjen”, thotë ajo. Sipas Antić, teksa komunitetet etnike nëpër vendet tjera të rajonit mund të kuptohen mes vete për shkak të gjuhës së ngjashme, njohja e gjuhës së njëri-tjetrit në Kosovë mund të luajë rol të rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve.
Larg kornizave të politikës, hapa për ndërtimin e besimit mes të dyja komuniteteve megjithatë po ndërmerren. Në Kosovë ekzistojnë disa kurse ku mund të mësohen këto dy gjuhë. Ndërkohë, prej më shumë se gjashtë vitesh funksionon platforma online “VocUp” e krijuar nga organizata joqeveritare, Qendra për Iniciativa Sociale (QIS) e bazuar në Mitrovicë të Veriut, që ofron mësime në formate të ndryshme në gjuhën shqipe dhe serbe. Kjo platformë mundëson që grupmosha të ndryshme, t’i zotërojnë aftësitë themelore të bashkëbisedimit në këto dy gjuhë. Deri tash, rreth 2,500 persona e kanë ndjekur kursin në këtë platformë.
Veljko Samardžić , 49-vjeçar, drejtor i QIS, thotë se kjo platformë ka bërë atë që nuk e kanë bërë institucionet. “Për më shumë se 30 vite, shqiptarët dhe serbët nuk kanë mësuar gjuhët e njëri-tjetrit. Duke përdorur teknologji të reja, mënyra moderne të të mësuarit të gjuhëve, ne donim t’u jepnim mundësinë njerëzve për të komunikuar”, thotë ai.
Samardžić thotë se në fillim pjesëmarrësit gjithnjë kanë hezitim. “‘Pse duhet ta mësojmë gjuhën e tyre’ është njëra nga pyetjet e tilla. ‘A duhet ta mësojmë gjuhën e tyre pas të gjitha ndodhive?’”, thotë ai, duke shtuar se për të është interesante që pyetjet e njëjta bëhen si nga shqiptarët ashtu edhe nga serbët.
Shkëmbimi gjuhësor, nga kultura te puna e përditshme
Edis Galushi, 35-vjeçar, përkthyes në disa gjuhë, mësimdhënës në kurse në gjuhën shqipe dhe serbe dhe instruktor në platformën VocUp, ka përcjellë disa gjenerata studentësh/esh. Ai thotë se paragjykimet fillestare mundohen t’i rrëzojnë duke nxitur kurreshtjen e studentëve me detaje të fshehura e të panjohura të gjuhëve shqipe dhe serbe.
“Kryesisht shqipfolësit dhe serbishtfolësit i kanë dituritë e cekëta ose kanë njohuri të gabuara për gjuhën që mundohen ta mësojnë, të bazuara në fjalët, përkatësisht paragjykimet e të tjerëve, që nuk kanë përvoja personale. Për më shumë, gjuha dhe kultura [e të dyja palëve] iu është prezantuar në mënyrë të keqe, kryesisht me implikime politike”, thotë ai duke shtuar se fillimisht tentojnë t’i përmirësojnë këto boshllëqe. “[Pastaj] e vërejmë që secili vijues i kursit po ka dëshirë ta thellojë këtë bashkëpunim me kontakt të drejtpërdrejtë, që sjellë deri te bashkëpunimi i kursistëve të të dyja gjuhëve. Këtu e shoh bukurinë e gjithë kësaj në shkëmbimin e gjuhës së njërit-tjetrit”
Për hezitimin e paragjykimet e studentëve/eve, Galushi ia lë fajin historisë politike mes dy vendeve.
“Vetë politika po përgjithësohet edhe nuk po shihet e bukura e bashkëpunimit njerëzor, e bukura e letërsisë, gjuhës, kulturës”, thotë ai. Kur në kurse diskutohen tema të ndërlikuara që lidhen me të kaluarën, qasja e Galushit është të orientohet kah të përbashkëtat dhe jo dallimet apo ndasitë. Ai thotë se që në fillim të kursit e bëjnë të qartë ndarjen e politikës prej secilit aspekt të një kulture të cilën e mësojnë.
“Me politikë merren njerëzit tjerë, ndërsa ne mundohemi që emocionet që janë gjithsesi me i shpalosë, por me i futë në binarë në aspektin e mirëkuptimit. Atë po e bëjmë përmes shpalosjes së kulturës të të dyja gjuhëve”, thotë ai. Sipas tij, kur në tavolinë vihet tema e ballafaqimit me të kaluarën është shumë me rëndësi të dihet se kush në fakt po e promovon apo kush është ndërmjetësuesi dhe platforma përzgjedh me kujdes mësimdhënësit.
“Unë nuk i takoj asnjërës etni [as shqiptare, as serbe], por e di dhe kuptoj kulturën dhe gjuhën e të dy etnive dhe është parë si mes i mirë për me e trajtu çështjen e ballafaqimit me të kaluarën, për me i trajtu çështjet emocionale, që në fakt me ardhë deri te një mes i përbashkët ku promovohet gjuha, si pjesë e kulturës”, thotë Galushi që vjen nga komuniteti rom.
Ai tregon se gjatë kurseve u mësohet për botën e muzikës dhe filmit. Për shembull, për Kosovë historia e muzikës u prezantohet përmes muzikës së Muharrem Qenës, Liliana Qavollit e Nexhmije Pagarushës. E duke synuar që t’i nxisin t’i vizitojnë festivalet që mbahen në Kosovë e Serbi, u prezantohen edhe festivalet. Për në Kosovë, u prezantohen ngjarjet kulturore kyçe si festivali i filmit dokumentar Dokufest, shfaqjet në Teatrin Kombëtar, Chopin Piano Fest apo ndonjë ngjarje tjetër kulturore që mbahet gjatë kohës së kurseve.
Përveç shkëmbimit kulturor, njohja e gjuhës po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për gazetetarët/et për shkak të zhvillimeve politike në mes Kosovës dhe Serbisë.
Sa herë ka kriza e tensione në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Adelinë Ahmetit, 28-vjeçare, gazetare në Kallxo.com, i duhet të dalë në terren dhe të raportojë nga aty. Deri vonë, asaj i është dashur ta marrë me vete ndonjë koleg që flet gjuhën serbe që t’i intervistojë qytetarët apo akterët politikë atje. Vitin e kaluar ajo ndoqi kursin e gjuhës serbe.
“Për ta pasur më të lehtë funksionimin dhe bisedën me qytetarët atje apo edhe zyrtarët dhe kjo më ka shtyrë që të vijoj kursin, që sado pak të mësoj fjalë të reja dhe të ambientohem në të folur. Edhe nëse nuk arrij me folë në gjuhën serbe të paktën me ditë se çka po flitet nëpër fprotesta apo nëpër konferenca të ndryshme”, thotë Ahmeti.
Komuniteti shqiptar dhe ai serb në Kosovë, edhe për shkak të mosnjohjes së gjuhës, informohen nga burime krejt tjera. Serbët e Kosovës ndodhen në hapësirë të ndarë informative nga shqiptarët e Kosovës, pasi informohen nga mediet në serbisht, në masë të madhe nga mediet që kanë politika redaktoriale në linjë pro-qeveritare me Serbinë. K2.0 ka hulumtuar në disa artikuj se si kjo ndarje mund të çojë në cenueshmërinë e qytetarëve ndaj dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes.
Ndërkohë, një raport i publikuar në vitin 2023 nga BIRN Serbia dhe Internews Kosova, nënvizoi se shumica e raportimeve të medieve në Kosovë dhe Serbi për marrëdhëniet mes dy vendeve kanë burime të kufizuara. “Mediat kryesore nuk lejojnë të dëgjohen të gjitha palët. Burimet janë të kufizuara, shumica e tyre janë zyrtarë të nivelit të lartë që promovojnë axhendat e tyre. Potencialet për bashkëpunim janë gjithashtu rrallë të dukshme përmes raportimit. Citate të drejtpërdrejta të shqipes në mediat serbe dhe anasjelltas dëgjohen rrallë”, thuhet në raport.
Galushi ka vënë re se gazetarët/et janë veçanërisht të hapur për ta mësuar gjuhën e njëri-tjetrit. Gjatë kurseve, Galushi tregon se e diskutojnë edhe përdorimin e gjuhës nga qeveria serbe dhe mediet serbe që në Kosovë konsiderohet problematik, për shembull kur i referohen Kosovës dhe institucioneve të Kosovës si “e ashtuquajtura Kosovë”. Ai thotë se këto diskutohen me qëllim që gjuha të përdoret pa tendenca politike.
Megjithë fuqinë që mund të ketë shkëmbimi gjuhësor në marrëdhëniet ndërmjet dy komuniteteve, realiteti mbetet vështirë i ndikueshëm për disa. Një grua e re nga Graçanica kishte vendosur që ta ndjek kursin e gjuhës shqipe meqë jeton e punon në Kosovë, ku edhe ka lindur. Por, ajo nuk deshi ta zbulojë identitetin e saj nga frika se mund të paragjykohej nga rrethi i saj në Graçanicë.
“Është dëshpëruese që me miqtë dhe kolegët shqiptarë të komunikoj në gjuhën angleze, dhe jo në gjuhën shqipe apo serbe. Për këtë arsye edhe kolegët e mi janë regjistruar në kursin e gjuhës serbe”, thotë ajo. “Dëshira ime është që edhe fëmijët e mi të mësojnë shqip”.
Ajo mendon se duhet mësuar gjuha e njëri-tjetrit si mënyrë për komunikim më të mirë mes komuniteteve, pasi, sipas saj, shoqëria është shumë e ndarë, ku ka shumë armiqësi mes komuniteteve, veçanërisht mes shqiptarëve dhe serbëve. Sipas saj, mendësia e qytetarëve në Kosovë është e ngjashme, pavarësisht komunitetit. “Me njohjen e gjuhëve do të mund të depërtojmë tek njëri-tjetri dhe atëherë do ta shihnim që shqiptari nga Klina nuk është i ndryshëm nga serbi në Graçanicë”, thotë ajo.
Gjuha serbe pjesë e gjuhëve që studiohen në Universitetin e Prishtinës
Në Kosovë, ekziston një zyrë e veçantë që merret me të drejtat gjuhësore të të gjithë qytetarëve. Zyra e Komisionerit për gjuhët (ZKGj), në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, është e obliguar që të ndërtojë një mjedis institucional që respekton detyrimet kushtetuese dhe ligjore, mbron, promovon, ruan dhe zbaton të drejtat gjuhësore të të gjith ë qytetarëve. Përtej këtyre obligimeve ligjore, ZKGj mbështet nismat për të ofruar kurse të gjuhës shqipe dhe serbe për këto dy komunitete.
Safete Graiçevci, koordinatore në ZKGj thotë se, disa vite më parë, kur kishte filluar të diskutohej rreth mënyrës së zhvillimit të kurseve për mësimin e gjuhës shqipe dhe atë serbe, kishin qenë skeptikë se sa do të jenë të rinjtë të interesuar. Por, pavarësisht hezitimeve fillestare, interesimi për mësimin e gjuhëve ka ardhur duke u rritur tek të dyja komunitetet, dhe për këtë arsye ZKGJ ka bashkëpunuar me donatorët dhe shoqërinë civile për mundësimin e kurseve përkatëse, përfshirë VocUp-in.
Graiçevci thotë se njohja e gjuhës serbe i ka mundësuar t’iu tregojë kolegëve të komunitetit serb se çka ka përjetuar komuniteti shqiptar gjatë luftës në Kosovë. Ajo tregon edhe për mundësitë që kanë të rinjtë që të studiojnë edhe në degën e Ballkanistikës në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, i cili u themelua në vitin 2021.
Programi i Ballkanistikës, sipas përshkrimit të dhënë në ueb faqen zyrtare, është themeluar me qëllim të përmirësimit të komunikimit ndërgjuhësor dhe ndërkulturor në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke trajnuar studentë dhe profesionistë kompetentë në gjuhësi dhe përkthim në gjuhët zyrtare në Kosovë ose gjuhë të tjera ballkanike, duke përfshirë kroatishten, boshnjakishten, dhe maqedonishten, si dhe duke përgatitur profesionistë/e në mësimdhënien ndërkulturore të gjuhëve lokale në karrierën e tyre të ardhshme.
Programi i Ballkanistikës ndjek edhe Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që mbahet tradicionalisht në Prishtinë çdo verë, mbledh rreth 100 studentë nga anembanë botës për të mësuar shqip për dy javë. Për çdo vit, në këto kurse marrin pjesë edhe studentë nga Serbia.
Doroteja Antić kujton se, përgjatë viteve, shoqëria civile në Kosovë dhe në Serbi kanë krijuar programe të ndryshme shkëmbimi që kanë mundësuar që të rinjtë të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe jo të dëgjojnë prej tjerëve se si duhet të mendojnë për palën tjetër.
“Këto paragjykime në saje të kontaktit të drejtpërdrejtë janë eliminuar pas disa ditësh dhe janë krijuar miqësi që vazhdojnë ende. Unë kam qenë në Kosovë, miqtë e mi vijnë në Beograd”, thotë ajo. “Vetëm kontakti i drejtpërdrejtë i të rinjve nga të dyja anët mund të sjellë përmirësim të situatës brenda disa vitesh ose dekadash”.
Ky publikim është prodhuar në bashkëpunim me forumZFD. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e forumZFD.