Bota ime në shkollë fillore ishte si një lojë. Shpesh e përjetoja si një sfidë. Në çdo kohë duhet t’u mbijetoja sulmeve të fshehta që kishte loja. Por shpesh kjo lojë që do duhej të sillte gëzim, transformohej në të kundërtën — nga karakteri që përjetonte surprizat e lojës, shndërrohesha në objekt statik, te palëvizshëm. Ndihesha si figura që e pret goditjen në lojën Bowling.
Loja ka konotacion të diçkaje të bukur, por jo nga secila perspektivë.
Korridori i shkollës “Faik Konica” në Prishtinë ishte si shiriti i bowling. Në momente të caktuara, kalimi nëpër atë shirit dikujt mund t’i dukej si një jetë e tërë. T’i kaloja korridoret dhe shkallët e shkollës, ndonjëherë më frikësonte më shumë sesa çdo gjë tjetër, jo vetëm mua por edhe plot të tjerë. Isha dëshmitare e ndonjëherë edhe vetë viktimë.
Vazhdimisht kam hasur në njerëz, të cilët e mbanin kokën në qiell e i përulnin të tjerët me fjalë e me ngacmime. “Çka ke veshë kështu?” “Kqyrja flokët…” “Nuk të don kërkush” “Mos fol palidhje” “S’ki me bë send në jetë” — të gjitha këto ofendime të përcjellura me ndonjë shuplakë pas qafës, që shpërfillnin efektin traumatik që ato fjalë e veprime lënë pak te fëmijët, te vetja, te secili.
Dukej sikur askush nuk çante kokën për efektin që dhuna ka në vendimmarrje, vetëbesim e zhvillim të personalitetit.
Epifania
Duke qëndruar në klasë e duke ecur në korridor, mllefi e acarimi me këtë situatë sa shkonte e shtohej. Fjalët si “parandalim’ dhe “dhunë” shpesh i dëgjoja e ndonjëherë thuajse ishin bërë bajat duke i përmendur pa u dhënë kuptim të njëmendtë fjalëve.
Zakonisht kur ndodhte ndonjë rast i dhunës në shkollë, pasonin tri-katër ditë vetëdijësimi, të cilat nuk sillnin rezultat. Nismat e ndërrmarura nga mësimdhënësit/et në bashkëpunim me drejtorinë ishin kryesisht ligjërata të shkurtra nëpër klasë, që mbaheshin vetëm dy-tre herë në vit.
Për ne, këto ligjërata filluan të mos kishin kuptim e të mos na linin përshtypje. Dikur, nxënësit filluan t’i përjetonin më shumë si imponim sesa si vetëdijësim. Fakti që vazhdimisht thuheshin të njëjtat fjali, si “Silluni mirë me njëri-tjetrin”, “Mos ofendoni e mendoni dy herë para se me folë” i bënin ligjëratat e bajatshme dhe ta humbnin efektin.
Kurrë nuk kishte diçka që e tërhiqte vëmendjen e bashkëmoshatarëve, diçka që do t’i bënin ata/ato të uleshin e ta kuptonin se dhuna nuk është shaka. Të reflektonin shpeshtësinë e dhunës dhe efektet e papërballueshme që ajo prodhon. Sipas një raporti të UNICEF, botërisht, gjysma e nxënësve të grupmoshës 13-15 vjeç përjetojnë dhunë nga bashkëmoshatarët. Po ashtu, raporti shpjegon se kjo dhunë ndikon në vetëbesim, nota të ulëta e për shumë fëmijë edhe në braktisje të shkollës. Në Kosovë po ashtu, dhuna ndaj fëmijëve vazhdon të shihet si mjet disiplinimi.
Dikur u bë boll.
Pasi e kuptova se ky lloj vetëdijësimi zgjaste tri-katër ditë, kishte pak qetësi në shkollë e dhuna përsëritej pas atyre ditëve, vendosa te ndërmerrja diçka. Nuk mund ta lejoja dhunën në shkollë të bëhej një cikël i përsëritshëm. Në përpjekje për ta ndaluar këtë cikël, më erdhi ideja që t’i mbaja unë ato ligjërata.
Bashkë me idenë, më erdhën edhe shumë pyetje ndaj vetes: Si t’i mbledhi nxënësit, a do të kem mbështetje nga të tjerët e deri te pyetja më e rëndësishme e deri te pyetja më e rëndësishme: Si mos ta lejoj ligjëratën të bëhet monotone e rrjedhimisht, si të arrij një ndryshim?
Me plot frikë e shumë pak vetëbesim hyra në zyrën e drejtores dhe ia shpjegova idenë.
Aty edhe përmenda lojën e Bowling, si simbolikë për të ilustruar ndikimin e dhunës. Kur pashë fytyrën e saj e dhe të disa shokëve e shoqeve e kuptova se jam një hap më afër realizimit të qëllimit tim — parandalimit të dhunës dhe krijimit të një ambienti të sigurt në shkollë.
Nuk mund të them se ishte lehtë të organizoja atë aktivitet në secilën klasë. Por isha shumë me fat që pata një sistem mbështetës. Bashkë me drejtoren dhe shoqërinë, vendosëm të përfshijmë klasët e ciklit të ulët, pra prej klasës së parë deri në të pestën.
Me plot entuziazëm iu tregova se ka ardhur koha të mësojmë duke luajtur. E bëra orarin dhe secilën klasë me radhë, i mblodha në sallën e takimeve.
Kur mbushej salla, shpjegoja rrjedhën e lojës.
Çdo figurë e lojës përfaqësonte tiparet e ndërtimit të personalitetit të njeriut. Figurat i emërtova: vetëbesim, shëndet mendor, dashuri, empati, iniciativë. E topi, që lëshohej drejt tyre, quhej “Dhunë”.
E fillova aktivitetin me një ligjëratë të shkurtër, ku i shpjegova llojet e dhunës. E më pas, së bashku me bashkëmoshatarët, filluam ta gjuanim topin, që simbolizonte dhunën, drejt figurave. Me atë top i rrëzuam të gjitha figurat. Bashkë, pamë që me një gjuajtje të vogël, u rrëzuan shumë lehtë vetëbesimi, shëndeti mendor, dashuria. Ishte një demonstrim se si dhuna ndonjëherë shkatërron shumë e ndonjëherë pak, por prapëseprapë, shkakton dëme të mëdha e afatgjatë në personalitetit e njeriut.
Filluam të shihnim se dhuna nuk është shaka.
Këmbëngulja
Dhuna vazhdoi. Nisma u përqesh nga vetë nxënësit, qofshin të tillë që ishin të bullizuar apo që bullizonin. Filluan ofendime të shumta si “çka kishe bë ashtu, tepër palidhje”, “aiii Lizë edhe ti, mos provo me u bo dikushi”, “besom që kërkujt nuk i intereson çka ki me thanë”.
Unë mbaja qëndrim e nuk dorëzohesha para tyre, po kishte raste kur kthehesha në shtëpi me sytë e mbushur me lotë. Kishte plot ditë ku mendoja se e gjithë kjo ishte për asgjë. Mirëpo, familja e shoqëria më shtynin përpara. Vazhdoja, klasë më klasë.
Dikur, kjo këmbëngulje e ky mobilizim u pa e u dëgjua nga shkolla dhe nga nxënësit/et. Kjo dhe aktivitete tjera, nxitën veprim më të qëndrueshëm kundër dhunës, ku u bashkuan e gjithë shkolla, përfshirë nxënësit, drejtorinë e personelin e shkollës. U themeluan mekanizma për raportimin, adresimin dhe parandalimin e dhunës në nivel të shkollës. Pas disa muajsh, drejtoria e shkollës filloi të shndërrohej në një vend ku dhuna nuk izolohej më. Fillova ta ndiej, por edhe ta përjetoj ndryshimin.
Dhuna po diskutohej sistematikisht, po adresohej ky fenomen si përmes kampanjave, ligjëratave dhe aktiviteteve të ndryshme, më gjithëpërfshirëse.
Muajt e fundit në shkollë e ndjeja që korridori, që dikur ishte plot ofendime e ngacmime ishte shndërruar në atë që duhej të ishte — korridor i shoqërimit me njëri-tjetrin. Afër përfundimit të vitit i kalova ditët duke përjetuar shkollën për aq sa kisha kohë — sepse më në fund nisi të bëhej shkolla që secili fëmijë e meriton. Shkolla ku zyra e drejtorisë u bë vend i hapur, ku nxënësit dëgjoheshin, ku sfidat e tyre kishin vlerë.
Shkolla filloi të bëhej vendi ku topi, që ishte simbol i dhunës iu bashkangjit figurave tjera e sot përfaqëson mirësi, kujdes, empati, vetëbesim, iniciativë e dashuri.
Imazhi i ballinës: K2.0.
Shfletoni zinën e plotë
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.