Një objekt i verdhë pesë-katësh, afër parkut të qytetit në Prishtinë, nuk dallohet fort prej objekteve tjera të banimit kolektiv të kryeqytetit. I ndërtuar dekada më parë, gjurmët e kohës në të kanë filluar të shihen. Disa copa fasade janë pothuajse të shkatërruara e afër të bien në tokë, teksa ngjyra e verdhë ka nisur të zbehet.
Pak metra para hyrjes së ndërtesës, kishte zënë vend një karrige, e cila po shfrytëzohej nga banorët që nën hijen e disa pemëve, të kalojnë pak kohë larg nxehtësisë së ditëve të verës. Aty afër qëndronte edhe Ahmet Grajqevci, i cili me një cigare në dorë, po relaksohej prej punëve të përditshme.
Pas atyre pak shkallëve që i ngjet, ndodhet banesa pak mbi 50 metra katrorë, të cilën e ka kthyer në zyrë të Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës (KKAFZHK), të cilin e drejton. Aty, Grajqevci 70-vjeçar nga Fushë Kosova ruan me mijëra faqe dokumente për persona të zhdukur gjatë luftës 1998-99 në Kosovë dhe dëshmi për krimet e kryera nga forcat serbe gjatë asaj periudhe. Brenda kësaj ndërtese mbahen dokumente të rëndësishme të historisë së re të Kosovës.
Që nga viti 1998, Grajqevci ka mbledhur dëshmi për krimet e luftës, të kryera në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë fotografi, video-incizime dhe të dhëna rreth varrezave masive në Kosovë e Serbi. Të gjitha, ose i ka realizuar vetë, ose i ka grumbulluar apo edhe i ka siguruar nga familjarë të viktimave. Ai mban materiale, të cilat thotë se mund të ishin edhe më të shumta në numër, por që disa nga to u zhdukën. Disa prej tyre u dogjën gjatë luftës, përfshirë edhe shtëpinë e Grajqevcit, ku humbën një numër i madh provash; qindra të tjera u dëmtuan nga vjetërsia pas luftës dhe u bënë të pashfrytëzueshme; disa mbetën në duart e personave privatë dhe nuk patën kujdesin e nevojshëm.
Qe disa muaj tani, Grajqevci i kalon ditët nën shoqërinë e tingujve të pajisjeve për digjitalizimin e këtyre materialeve. Këto pajisje, që i janë dhuruar nga Ambasada e Britanisë së Madhe të Kosovës, thotë se i ka pritur për kohë të gjatë.
“Falë këtij digjitalizimi, të cilin e kam pasur ëndërr, këto materiale tash janë të sigurta”, thotë ai.
KKAFZHK funksionon si organizatë jo-qeveritare në Kosovë qysh nga viti 2000. Brenda Këshillit janë 24 organizata të tjera, të cilat funksionojnë si një e vetme, me qëllimin që të dokumentohen të dhënat për personat e zhdukur dhe evidentohen faktet e tjera të krimeve të luftës.
Pas digjitalizimit, materialet do të mbesin në Këshill. “Po duam t’i ruajmë vetë, pasi po mendojmë që po zhduken sikur është zhdukur ish-Komisioni për Hulumtimin e Personave të Zhdukur dhe Krimeve të Luftës”, thotë ai.
Pas përfundimit të luftës, në vitin 1999, ishte themeluar Komisioni për Hulumtimin e Personave të Zhdukur dhe Krimeve të Luftës (KHPZhKL) nga institucionet e përkohshme të atëhershme nën administrim të UNMIK-ut. Grajqevci kujton dy prioritetet që u caktuan në atë kohë me qëllim që të grumbullohen sa më shumë dëshmi: të shenjëzohen vendet e krimeve e varrezat masive pasi më vonë do të ishte vështirë të bëhej kjo.
“Prioriteti i dytë ka qenë që të marrim shënime e intervista nga familjarët e të mbijetuarit. U vendosëm nëpër komuna, formuam lista dhe dilnim në terren. Merrnim dëshmi për orë të tëra”, thotë Grajqevci duke treguar një fotografi nga intervistimet që kishte realizuar në Lybeniq të Pejës.
Këshilli Koordinues fillimisht kishte qenë pjesë e KHPZhKL. Megjithatë, Grajqevci dhe të tjerë, krijuan Këshillin Koordinues duke u ndarë nga Komisioni. Kjo pasi në Komisionin të cilin e kishte krijuar qeveria e përkohshme, misioni i UNMIK kishte kompetencat kryesore në trajtimin e rasteve të tilla dhe sipas Grajqevcit, komisioneve lokale nuk u ishte lejuar të punojnë paralelisht në grumbullimin e dëshmive të luftës. Grajqevci pretendon se kjo ndikoi në humbjen e disa materialeve, pasi nuk e kishin pasur kujdesin e nevojshëm.
“Në ditën e fundit e kam mbyllë derën, e kam sistemuar materialin dhe më nuk dihet asgjë për ato të dhëna pasi ne nuk kemi pasur qasje”, sqaron më tutje Grajqevci.
Teksa lëvizte në ambientin e tij të punës, zyra ishte e mbushur plot me fotografi dokumentuese. Kur e hapi dollapin në dhomën tjetër, gjithë hapësira ishte e mbushur me dosje me ngjyrë të kuqe. Në secilën prej dosjeve, gjenden detaje për mbi 1,000 persona të zhdukur në Kosovë. Grajqevci thotë se posedon të dhënat për pothuajse të gjithë të zhdukurit nga komunat si Fushë Kosovë, Obiliq e Lipjan, megjithatë ka informacione edhe për komuna të tjera. “Secili person i zhdukur [i cili ekziston në regjistrat e Këshillit] e ka historinë aty, qoftë ai që është gjetur e ka historinë e vet me data e minuta, me artefakte, fotografi, me fletë-autopsi, me analizë të ADN dhe kështu mbyllet një procesi i digjitalizimit të të dhënave për një të zhdukur”, thotë ai duke fshirë ballin e djersitur nga temperatura e lartë brenda zyrës.
Grajqevci sqaron se këto të dhëna janë siguruar duke plotësuar disa formularë specifikë, të cilët përmbajnë informacione identifikuese për të zhdukurit, vendin ku janë parë për herën e fundit, dëshmitarët e rastit, rrëfime nga familjarët dhe informacione të tjera të rëndësishme të cilat plotësohen për secilin rast. Nëse personi është gjetur pas një kohe dhe përfundojnë analizat e ADN, në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore, Këshilli i merr këto rezultate të ADN — origjinalin ua japin familjarëve, kurse një kopje e ruajnë për secilën dosje në organizatë. Nëse i zhdukuri nuk është gjetur, pjesa e ADN dhe rezultateve të tjera, mbetet e zbrazët.
Informacionet për të zhdukurit nuk janë të vetmet që Grajqevci i posedon.
“I kemi arkivat e ndara, me video janë mbi 1,000 orë incizim, sasia e materialeve dokumente është 86,000 faqe material, pa u llogaritë videot e fotografitë, por ka edhe të tjera. Këto që i kam unë nuk i ka shteti”, thotë Grajqevci, duke bërë me gisht kah njëra prej fotografive ku ishte kryer rivarrimi i anëtarëve të familjes Jashari.
Pos video-incizimeve ku paraqiten pamje nga një numër i madh masakrash në Kosovë, krime të luftës në fshatra të ndryshme që i ka realizuar personalisht, një pjesë i janë dorëzuar nga shumë familjarë. Kjo në mungesë të një institucioni shtetëror, i cili do të merrej me grumbullimin e dëshmive të krimeve të kryera gjatë luftës.
“Shteti nuk ka mundësi me i pasë këto pasi janë marrë nga dora e parë dhe janë marrë menjëherë pas lufte. Individët ka mundësi që kanë dikush një kasetë, disa fotografi, por kështu si arkiv jo”, thotë ai.
Sipas statistikave të Fondit për të Drejtën Humanitare, organizatë jo-qeveritare për dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në konfliktet në vendet e ish-Jugosllavisë, gjatë viteve 1998-99 kur u zhvillua lufta në Kosovë, janë vrarë më shumë se 13,000 civilë. Mbi 1,500 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, kurse janë dhunuar 20,000 burra e gra. Për të gjitha këto krime të luftës, Qeveria e Kosovës, deri më tash, nuk ka pasur ndonjë institucion për mbledhjen e dëshmive të luftës e as arkiv instituticional për ruajtjen e tyre.
Në vitin 2011, për herë të parë u themelua Instituti për Krime të Luftës me vendim të qeverisë në krye të së cilës ishte Hashim Thaçi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Vendimi ishte marrë me propozim të ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Por në vitin 2018, qeveria në krye me Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që asokohe qeveriste në koalicion me PDK, vendosi ta shuajë këtë Institut, për shkak se siç kishte thënë ministri i atëhershëm i drejtësisë Abelard Tahiri, Instituti nuk ka qenë i mirëfilltë dhe se për të funksionuar si duhet, nevojitet një ligj për të.
Në vitin 2023, Kuvendi i Kosovës e miratoi Ligjin për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Zyrtarisht, Instituti pranoi dosjet e para për krimet e luftës në shkurt të vitit 2024 nga Ahmet Grajqevci në cilësinë e kryetarit të Këshillit Koordinues.
Angazhim familjar në ruajtjen e kujtesës
Me vrap për t’u ikur reshjeve të shiut, Nusret Pllana mezi gjen çelësin për ta hapur derën e garazhit, të cilin e ka kthyer në hapësirë për ruajtjen e dëshmive të ndryshme prej luftës në Kosovë. Pllana tregon se së shpejti do të udhëtonte në Gjermani për ta shpërndarë një libër tijin për krimet e luftës në Kosovë.
Angazhimin e kishte nisur fillimisht si pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Më pas, në periudhën 19998-99, ai punën e vazhdoi si gazetar në Radion “Kosova e Lirë”, dhe kur kishte dokumentuar qindra krime të kryera gjatë luftës. Që nga ajo kohë, angazhimi i Pllanës për mbledhjen e këtyre dëshmive nuk u ndal asnjëherë.
Dëshira e realizuar për Grajqevcin për digjitalizimin e materialeve, ende nuk shihet në horizont për 65-vjeçarin, Pllana. Kjo ia ka shtuar frikën që të gjitha këto dëshmi, mund edhe të zhduken.
“Ka shumë video-incizime, më shumë se 2,000 kaseta janë VHS. Kjo teknikë ka qenë para luftës. Digjitalizimi nuk po bëhet, sepse nuk kemi përkrahje, përkrahje vetëm me gojë, por përkrahje konkrete jo”, thotë Pllana. Në mungesë të hapësirës brenda, një grumbull kasetash të lidhura me ngjitës, kishin zënë vend në kulmin e garazhit. Pa ndonjë siguri të madhe për të gjitha këto materiale, Pllana thotë se nuk është ndihmuar nga askush për institucionalizimin e këtij arkivi.
“Kanë mundësi me u zhdukë, sepse çdo drejtësi e vonuar është padrejtësi. Kanë kaluar 25 vjet, ata dëshmitarë okularë dhe të mbijetuarit e masakrave që janë mbi 600 masakra, ata nuk jetojnë gjithë, shumica prej tyre kanë vdekur”, thotë Pllana, që vazhdon të ligjërojë në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës.
Mbi shumë tavolinat e këtij garazhit, qëndrojnë një mbi një dhjetëra libra të madhësive të ndryshme. Të gjitha këto në pronësi të Pllanës.
Në mesin e qindra fotografive në ambientin ku punon Grajqevci, disa prej shkrepjeve janë më të veçanta për të. Teksa bënte me duar tek një prej fotografive, Grajqevci tregon se krah i djathtë në grumbullimin e këtyre materialeve ishte vajza e tij, Sofia. Madje, qysh nga fëmijëria.
“Qe ku është Sofia në fotografi aty, këqyre atje kur i ka fotografuar Jasharët në vitin 2000. Qe vajza ku është”, thotë Grajqevci, duke e treguar fotografinë të cilën e mban edhe në telefonin e tij personal. Menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, ajo ishte 13-vjeçare. “I kam shti çikat e djemtë, sepse nuk kisha mujtë me i bo 120,000 faqe [dëshmi], por më kanë ndihmuar fëmijët. Vetëm kamera janë prishur e dëmtuar nja pesë-gjashtë copa gjatë punës, për aparata mos të flasim”, thotë Grajqevci, duke shtuar se gjatë punës në terren, gjatë gjithë kohës ka lëvizur me veturën private.
Angazhimin e tij në grumbullimin e dëshmive të ndryshme nga lufta, Grajqevci e nisi me të raportuar për masakrën që ishte kryer në fillim të vitit 1998 në Likoshan e Qirez, dy fshatra në rajonin e Drenicës.
“Nisa edhe grumbullova shumë materiale dëshmi. Por, shtëpinë ma dogjën në kohën e luftës, atë ditë nuk e harroj, më shumë më është dhimbsur materiali që kam pasur e që është zhdukur, se shtëpia”, thotë Grajqevci.
Angazhim krejtësisht vullnetar me qëllim të zbardhjes së shumë të vërtetave që nga koha e luftës ka bërë edhe Pllana. Ai kujton me dhjetëra takime me zyrtarë të të gjitha qeverive teksa shpreh zhgënjimin që asnjë veprim konkret nuk u ndërmorr për arkivimin institucional të këtyre dëshmive.
Ai thotë se ruajtja e këtyre materialeve ka qenë edhe më e vështirë se grumbullimi i tyre.
“Ka qenë më vështirë me i rujtë ato materiale se me luftu” thotë Pllana. “Në kushte të jashtëzakonshme duke i futur nëpër dhe, me qese, me lesh të deleve, mos me i dëmtu shiu sepse nuk e kemi ditur sa do të zgjasë lufta. Edhe kasetat edhe ditarët e luftës, edhe materialet e tjera të ndjeshme”, thotë i ulur në mesin e shumë fotografive që kishte realizuar në vitet 1998-1999.
Ajo që i përbashkon historitë e Grajqevcit e Pllanës, është mungesa e përkrahjes nga qeveria e Kosovës për fuqizimin e mekanizmave në grumbullimin e dëshmive të luftës.
“A e di që edhe 136 filma i kam pa u zhvilluar. Ato janë fotografi të këtyre njerëzve, tash pas 25 vjete, me thanë që s’e kemi një databazë të saktë është për keqardhje. Asnjë cent, asnjë qeveri nuk më ka ndihmuar as mua as kolegët”, thotë Grajqevci.
Angazhimit të Grajqevcit për grumbullimin e materialeve të luftës, duket se i ka ardhur fundi. Megjithatë, jo edhe angazhimit të familjes së tij. Ai thotë që barrën e ruajtjes së materialeve do t’ia lë Sofies
Megjithatë, një meraku të tij i është bërë zgjidhje. Një pjesë të madhe të materialeve, ai edhe zyrtarisht ia ka dorëzuar Institutit për Krime të Luftës. Ai është i gatshëm që t’i dorëzojë të gjitha. Pritjen për bashkëpunim dhe dorëzimin e materialeve e pret edhe Pllana.
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.
Ky publikim është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.