Ndjekja e ligjëratave në fakultet shpesh shndërrohet në një monotoni të zymtë, ku koha shpërbëhet, fjalët e profesorit kalojnë nëpër ajër me një rrjedhshmëri e krejt kufijtë midis të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes mjegullohen. Edhe studentët/et e gjejnë veten të humbur në rrjedhë.
Kësaj radhe dukej se na interesonte ligjërata që kishim. Flitej për lëndët narkotike dhe pasojat e tyre në trupin e njeriut — temë e zakonshme në Departametin e Sociologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Gjithçka shkonte mbarë. Profesori me një vullnet të paparë shpjegonte formalisht ato që kishte nxënë nga librat, pa lënë hapësirë për ndonjë vëzhgim nga realiteti apo mundësinë për të inkuadruar diçka nga ai. Fatkeqësisht, tingëllonte si rob i mësimeve formale, që nuk ka vizion të eksplorojë pikëpamje a metoda tjera.
Në të njëjtën kohë, nga një kafiteri jashtë fakultetit, jehonte muzika “se shpirtin e ki t’bardhë si kokaina”. Pra, merrej në një raport krahasimtar bardhësia e shpirtit me lëndën narkotike, kokainën, që duke e vendosur bardhësinë e kokainës si masë matëse të mirësisë, e përçonte atë si vlerë. Kishte shumë gjëra të tjera të bardha, më të bukura se kokaina, që mund të vendoseshin në atë raport krahasimi. Por jo. Këngëtarët zgjodhën kokainën.
E gjithë kjo ndodhte teksa profesori vazhdonte ligjërimin me strategjitë e tij kundër lëndëve narkotike, me ç’rast në mendjen time u prodhua një situatë komike. Njëkohësisht ndihesha keq për realitetin social në të cilin ishim zhytur si shoqëri. Të qeshje apo të qaje, kjo u bë çështja.
A ende nuk kishte ardhur koha që dikush të reflektonte mbi këtë muzikë kaq të ndjekur, që po bëhet faktor në glorifikimin e krimit, dhunës, ofendimeve, objektifikimit të grave, sjelljeve të pashëndetshme.
Të njëjtën kohë, mendoja se si aq shumë ishin pjekur ato këngë në nënvetëdijen tonë, sa që dëgjimi i tyre edhe në ato situata përbënte diçka të rëndomtë, që as të mos vërehej nga ligjëruesi a nga studentët. Përkundrazi shumë prej nesh jemi edhe dëshmitarë të pëlqyeshmërisë së tyre nga publiku. Nuk janë të rralla rastet kur i shohim të rinjtë tanë duke përjetuar kënaqësi gjersa këndojnë me zë e argëtohen me muzika të këtilla.
Vendosa të veproja
Kjo indiferencë nga të tjerët e ndikoi negativisht edhe vetëbesimin tim në këtë çështje duke më futur për një moment në dilemën hamletiane, në mes të asaj a të veproja në kuadër të idesë që kisha për të realizuar diçka në këtë drejtim dhe asaj që ta lija në heshtje dhe ideja të tretej në pafundësi e fenomeni të vazhdonte jetesën e tij i papenguar, siç kishte ngjarë deri më tani.
Nismën për ndryshim në drejtim të kësaj, për “t’i nxjerrë nga gjumi” që kishin rënë e fillova në muajin prill të vitit 2023. Këtë fillim të kësaj nisme duhej të llogarisnim që do të ishte pa mbështetje.
Përkundër kësaj, duhej të shtoheshin në llogaritje sfidat potenciale që mund të na prisnin kur realizojmë aktivitete të këtilla ndaj një shoqërie që i ka përqafuar këto këngë. Duhej të llogarisnim që do të mund të hasnim në kundërpërgjigje, ndoshta edhe agresive. Hulumtimet në fakt tregojnë se ekspozimi i përsëritur ndaj teksteve të dhunshme mund të kontribuojë në zhvillimin e personalitetit agresiv dhe tërthorazi mund të krijojë ambient më armiqësor shoqëror.
Por, teksa llogarisnim kundërpërgjigjen, mendoja ndoshta identifikimi i të tjerëve që janë zgjuar në këtë aspekt sikur unë dhe bashkëpunimi me ta do të ishte diçka e suksesshme.
Duke e ditur se shumica e këtyre këngëve lëshohen nëpër kafiteri, fillova të shkruaj dhe të shpërndaj letra, ku bashkë me tekstet e këngëve vendosja një mesazh.
Disa nga tekstet të konvertuara, me tematikën e të cilave merreshim më shumë dhe të cilat kryesisht përpiqeshin të denigronin gratë ishin: “Thirri krejt shoqet, biri nëse don”; “Hajde ma shpejt se ika te tjetra”; “Unë jam i flliqtë, unë jam i prisht, e shes ni bitch boj biznis, e shes 5,000 e ia jap 1,000”’ “E kom q* profesoreshën qata n’vit t’dytë jam ka dalë”. Këto tekste i përcillja me mbishkrime që pyesnin dëgjuesin nëse me të vërtetë pajtohen me këto fjalë që tekstualisht flisnin për shtypjen, zhvlerësimin dhe përçmimin e grave prej burrave, bashkë me mesazhinin: “STOP mbështjetjen e këtyre këngëve!”
Këtë qasje vendosa ta kem me shpresën se gjersa lexojnë tekstin e muzikës pa shoqërim muzikor mund të lindë një shkëndijë, e cila e nxitë vetëdijësimin për pasojat e muzikës në fjalë, me të cilën realisht jemi duke e ushqyer trurin. E kam lexuar diku se “atë muzikë që dëgjon ai je”. Më tutje, është zgjeruar aktiviteti duke filluar shpërndarjet edhe në parqe, kampuse të fakulteteve e në hapësira tjera të frekuentuara. I gjithë ky aktivitet është realizuar me dy shokë të mi të afërt, me të cilët ndanim pikëpamje të njëjta rreth çështjes.
Në kuadër të aktivizmit, kam bërë përpjekje që kjo tematikë të shtohet në diskutime edhe të trajnimeve e forumeve. Pra, si objektivë kyçe kisha fillimin e kuptimit të rolit që ka konsumimi i muzikës së këtillë sidomos te të rinjtë/rejat, të cilët po zhvillohen me njëfarë legjitimimi kulturor të dhunës fizike e seksuale, shtypjes së grave, drogave.
Aktivizmi im është shoqëruar me reagime kundërthënëse nga shoqëria e familja. Fillimisht kam hasur në reagime të tilla si “krejt muzika shqiptare është e këtillë”; “nuk mundesh me i qitë poshtë këngëtarët e mëdhenj”, pastaj reagime si: “Arti nuk duhet të shihet si rrugë edukuese” e të tjera të ngjashme.
Përkundër këtyre ka pasur edhe reagime ku në njëfarë forme gjeta mbështetjen. Ata që bënin këto reagime shprehën çudinë se si asnjëherë nuk e kanë vënë re që janë konsumues të një muzike të tillë dhe e shijojnë kur janë vetëm, por thellë në vetvete janë kundër dukurive që promovohen në to. Ndoshta, nganjëherë, njerëzit kanë nevojë t’ua hapësh sytë e kjo është e domosdoshme, sidomos kur këto dukuri normalizohen aq shumë, sa kalojnë midis nesh pa u vërejtur.
Imazhi i ballinës: K2.0.
Shfletoni zinën e plotë
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.