Në Kosovë, burrat e brezit të ri vazhdojnë të rriten në frymën e maskulinitetit të dhunshëm e toksik. Burrëria vazhdon të lidhet ngushtë me dhunën, kontrollin, fshehjen e emocioneve. Sa herë një burrë nuk u bie për shtati këtyre formave të manifestimit të burrërisë, përballet me një shoqëri që e kryqëzon se nuk është mjaftueshëm burrë.
Disa shembuj konkretë na bie t’i shohim shpesh edhe në hapësira me shikueshmëri të madhe. Për shembull, nëpër televizione, filma, seriale, këngë e formate të ndryshme është normalizuar që burrat t’i drejtohen njëri-tjetrit me shprehje si: “Ti nuk je burrë, se po i ndryshon fjalët, je burrë i ulët se ke qajtë e të janë dridhur këmbët; nëse je burrë e pranon”.
Pra, ende mendohet se një burrë duhet të kërcënojë e nuk duhet të tërhiqet mbrapa, të ndryshojë mendim, të qajë — shumë burra kosovarë ende jetojnë me idenë se duhet të tregojnë burrërinë, qoftë edhe dhunshëm.
Përkundër kampanjave të ndryshme për ta sfiduar nocionin e ngushtë të burrërisë, në Kosovë, ndryshimi nuk duket të jetë rrënjësorë. Si një burrë i ri në Kosovë, e shoh shqetësues faktin që burrat gjykojnë dhe tallen me burrat e tjerë, që nuk janë burra alfa tradicionalë. Kur një burrë nuk e ka mënyrën e të ecurit aq burrëror, siç e parasheh shoqëria, apo shfaq emocione, merr etiketa të pafundme si “gay”, “burrë i dobët”, “grua”, që në thelb, përdoren si përpjekje për ofendim dhe si të tilla, flasin edhe për mënyrën përçmuese se si kuptohen njerëzit LGBTQ+ dhe gratë.
Të njëjtat paragjykime e stereotipe i kam përjetuar dhe unë. Si fëmijë, kam qarë kur më ka pikëlluar diçka dhe familjarët talleshin e më kritikonin, më thonin se vetëm vajzat qajnë e unë duhet të mësohesha t’i përmbaj emocionet e mija.
Më vonë, gjatë adoleshencës, përballesha me presionin e moshatarëve të mi që vajzat të mos i shoh si shoqe, por gjithnjë vetëm brenda kornizave të marrëdhënieve seksuale. Gjithashtu nuk duhej të tregohesha burrë i “butë” kur dikush donte të fillonte ndonjë problem, por që të tregoja burrërinë time dhe të mos e toleroja askënd.
Pse kjo është problematike?
Mosheqja dorë nga burrëria e dhunshme po vazhdon të krijojë breza të burrave mendjembyllur dhe vetëm sa fton për vazhdimin e presionit dhe dhunës ndaj të tjerëve, sidomos ndaj gruas.
Mendësia aktuale e burrave të rinj e më në moshë, po i mban peng dhe po i largon ata nga jeta e lirë. Duhet të kuptohet që burrë të bën fakti që ti ndihesh i tillë: burrë je edhe nëse nuk je arrogant apo dhunues; burrë mbetesh kur nuk i ngacmon gratë; kur mbështet kauzën e feminizmit dhe të drejtat LGBTQ+.
Këtë mendësi fillova ta sfidoj duke filluar nga gjërat më bazike e banale siç janë mbajtja e flokëve të gjata apo e vathit në vetull. Këtë e bëra teksa jetoja jashtë Kosovës. Fillova të ndihesha i sigurt me veten dhe të refuzoja paragjykimet e burrave përreth. Fillova të kuptoj se burrë ndihem ashtu siç unë ndihem dhe jo si e sheh shoqëria.
Mendoj se një prej arsyeve kryesore pse përballemi me femicidin është pasiguria e burrave në veten dhe burrërinë e tyre. Duket se për burrat kosovarë, egoja që buron prej maskulinitetit toksik e bënë të vështirë pranimin e faktit se martesa a lidhja nuk është duke funksionuar. Në këto rrethana divorci shihet si i papranueshëm sepse pastaj vijnë paragjykimet e shoqërisë, që thotë shprehje si “një burrë nuk arriti të ushtrojë kontrollë mbi gruan e tij” apo “si e la të ikte nga shtëpia”.
Të njëjtën mendësi e vërej edhe tek djemtë më të rinj, që kur u pëlqen ndonjë vajzë, nuk heqin dorë, me idetë se nuk je burrë nëse e “lë të të ikë një grua”.
Duke kërkuar duartrokitjet e shoqërisë, burrat jo vetëm që bëhen të dhunshëm me të tjerët, por edhe zvogëlojnë cilësinë e jetës së tyre. Rasti në janar 2024, kur një i ri 18-vjeçar vdiq si pasojë e dhunës brutale nga dy moshatarë të tij, tregon qartazi se të rriturit në familje dhe shoqëri që promovon maskulinitetin toksik, krijon breza burrash agresivë.
Shtypja e emocioneve sjell edhe pasoja psikologjike, pritshmëri të paarritshme për burrat dhe rrjedhimisht, presion rëndues për ta. Pritet që një burrë të mbështes financiarisht familjen dhe të mos ankohet asnjëherë për sfidat që i përjeton. Kjo më ka ndikuar edhe mua — kam pasur stres dhe vetbesim të ulët sepse jam ndier si i pamjaftueshëm vetëm pse qëllimet e mia kanë qenë ndryshe prej asaj që është pritur prej meje. Me mbështetjen e psikologes, kam kuptuar se kam përjetuar përplasje midis personalitetit tim si individ dhe personalitetit tim të krijuar nga kultura e shoqëria. Kështu, sa herë që nuk ia kam dalë të kultivoj personalitetin që shoqëria e ka pritur nga unë, më ka nxitur të ndihem i dështuar, të dyshoj në burrërinë time dhe të ndihem në faj.
Duhet të përqendrohemi te brezat e rinj, t’i edukojmë e rrisim djemt ashtu që ta sfidojnë prej rrënjës këtë burrëri të dëmshme. Duhet shtuar psikologët/et nëpër shkolla, që kështu së pari të thyhet stigma rreth seancave psikologjike. Konsultimi me terapistë/e psikologjik/e ndihmon që të identifikojmë traumat tona, të krijojmë mekanizma si të përballemi me to dhe si të përmirësojmë komunikimin, shprehjen e emocioneve — burrërinë tonë.
Burrat që përpiqen të gjejnë një udhë më të shëndoshë për ta e shoqërinë nuk duhet të ndihen në faj e as të ndihen sikur po bëjnë diçka gabim. Ata që burrërinë e masin me dhunë duhet të ndryshojnë dhe në këtë ndryshim, duhet të bashkohemi të gjithë.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.
Shfletoni zinën e plotë
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.