Kam mbushur plot 22 vjet dhe përgjatë tërë kësaj kohe, sukseset e mia përcillen vetëm me një fjali: “djali jem i mirë”. Nëse e shikon në parim, është fjali krenarie dhe falënderimi, por nëse ndalesh në themel të saj si dhe në llojin e problemit që përfaqëson, e sheh që ke të bësh me diçka që jo domosdoshmërisht do të doje të mbizotëronte në ambientin tënd të ngushtë.
Gjithmonë e kam menduar që ta shpreh kundërshtinë, por konteksti në të cilin thuhej dhe motivet që e shtynin atë fjali, më bënin të hesht dhe thjesht ta vlerësoj.
Ka vite e vite përgjatë së cilave kam korrur suksese — suksese të natyrës që për moshën time kanë qenë disi ambicioze. Ndjesë paraprakisht për mungesën e modestisë.
Në ndërkohë do ta shihni që ndjesa që kërkova është e pavend, por thjeshtësia dhe modestia duhet t’i përcjellin gratë, thonë normat shoqërore në këtë shoqëri patriarkale. Na thuhet të mos flasim shumë apo të mos reagojmë dhe kur kërkojmë të dimë “pse-në” prapa kësaj kërkese të shpeshtë, përgjigja është shpesh e thjeshtë, gati krejt e natyrshme: “sepse jemi vajza”.
Na kërkohet vazhdimisht të jemi fjalëpak edhe kur arrijmë diçka, edhe teksa bëjmë punët e shtëpisë dhe kujdesemi për të tjerët — fjalëpak sidomos kur është puna që zëshëm themi që prioritet e kemi veten apo kur themi që mund të vetëmbrohemi atëherë kur cenohemi për shkak të gjinisë sonë.
A thua pse?
Çdo sukses timin, gjithmonë e kam cilësuar si arsye krenarie për babin dhe në thelb, ashtu ka ndodhur — ai është treguar krenar. Dhe këtë krenari, ai e ka shprehur sidomos përmes fjalisë: “Bravo, djali jem”.
Si për dreq, atëherë, kur e mendoj nga këndvështrimi i sotëm, me ndërtimin e tanishëm që kam, këtë e kam pranuar me një përqafim dhe buzëqeshje të lehtë.
Kur përmend ndërtimin e tanishëm, nuk po flas për ndërtimin akademik, që secili/a mund ta ketë sepse është kërkesë që kemi ndaj vetes, por edhe nga rrethi. Gjithmonë i referohem ndërtimit shoqëror, që vjen si rrjedhojë e të qenit në një situatë të tillë, dëgjimit të përvojave të tjetrit, nganjëherë pranimit të gjërave ashtu siç janë edhe pse ndoshta nuk përkojnë me mënyrën si unë mendoj. Ndërtim që vjen ndoshta edhe nga mungesa e guximit për të thënë diçka më ndryshe nga ajo që na e kanë mësuar.
Ju do të thonit nëse kam arritur diçka që vetëm djemtë do të mund ta bënin, por jo kjo nuk ka qenë situata. Pas secilit sukses ka qenë kjo fjali, dhe me sa duket shpeshtësia e fjalisë ka nisur të përforcojë ndjesinë time të pranimit ndaj saj.
Nganjëherë kur mendon ndryshe nga rrethi të duket vetja e paparanuar aty, andaj synon, ose edhe më e keqja, bën çmos për të qëndruar aty. Rehatia që ta jep ideja e të qenit me grupin, nganjëherë e mposht guximin që të duhet për të qenë vetëm e ndryshe me mendim. Kjo, sidomos në moshë të re.
Unë jam në periudhën e pyetjeve pa përgjigje në kokën time, në mungesë të guximit dhe nga droja e të qenit e paragjykuar në rast se bëj pyetje me zë të lartë. E kjo lidhet pikërisht me atë përulësinë që na mësohet herët, gjë që sjell edhe këto ndjenja të frikës për të thënë fjalë, që shpesh mbesin vetëm brenda kokës sonë.
Refuzimi a mosnisja e bisedave të tilla vjen edhe për shkak të inferioritetit që shoqëria përpiqet të na e ngulitë në kokë — duke u përpjekur të na bëjë të ndihemi sikur heshtja është më e përshtatshme.
Por ja, disa pyetje, që mbase në vetvete bartin përgjigjet:
Ka pyetje e pyetje që të hedhin në rrafshe të ndryshme, që dinë të bëjnë përgjigjen e secilës pyetje më të ndërlikuar. Mirëpo, ato rrafshe duhet eksploruar, sepse nganjëherë ndërrimi që na duhet në shtëpi, shkollë, shoqëri e kudo, fillon me pyetje.
Ndoshta koha për të nisur është sot
Unë mendoj se e rëndësishme është të shihet mendimi në raport me këtë çështje në kontekstin historik, sepse ndoshta kjo e fundit është edhe fajtore se pse kjo ndodh. Një dëshirë e pakuptueshme për një numër më të madh trashëguesish burra e një mendim i moçëm se vetëm ata mund t’i zëvendësojnë këta aktualët, janë vetëm disa nga arsyet.
Në pyetjen se pse ndodh kjo, opinioni i përgjithshëm duket të jetë se kjo nuk vlen tek të gjitha grupmoshat dhe se janë vetëm ajo e vjetra tek e cila mbizotëron ende. Nëse kjo pyetje do të bëhej ndoshta për një shoqen time, lehtësisht mund të merrje një përgjigje të tipit “ky është thjesht mentalitet i prapambetur e provincial”. Kurse për mua përgjigjja do të ishte e thjeshtë “do të na duhet shumë, po shumë kohë”.
Por nëse këtë pyetje do t’ia bëje mbase gjyshes time, e cila ka mbushur plot 86 vjet, shumë shpejt do të mund ta humbje edhe vendin tënd në tryezën në të cilën do të realizohej ky diskutim, sepse një përgjigje e tipit “po pse a çika me pasë a?”.
Kurse te babi mendoj se pak kamuflohet besimi në raport me këtë çështje, sepse do thoshte se është vetëm një nofkë për të shprehur dashurinë.
Tash në këtë situatë, kërkohet një trajtë tjetër guximi.
Mbase nuk është problem, mbase është bindje e pjesshme e e përkohshme, por unë ende do të jem “djali i mirë” i babit. Do të doja të mos vazhdonte si mendim, dhe në të njëjtën kohë tek të tjerat vajza si unë të mos gjente mbështetje, por kemi hedhur vetëm hapa të ngadalshëm të cilët fatkeqësisht i sigurojnë edhe pak jetëgjatësi këtij qëndrimi.
Nuk është se kjo mënyrë e të shprehurit ndaj meje ka një ndikim të caktuar, sepse jam përballur dhe kam dëgjuar edhe situata të tjera të ngjashme, por ka gërricje me përgatitjen, bindjen e egon time feministe. Ndoshta të adresuarit vazhdimisht do të mund ta ndryshonte, por do të kërkohej kohë e gjatë. Ndoshta, kjo është koha për të nisur.
Imazhi i ballinës: K2.0.
Shfletoni zinën e plotë
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.