Familjet strehuese ofrojnë shtëpi, jo veç strehë - Kosovo 2.0

Familjet strehuese ofrojnë shtëpi, jo veç strehë

Në Kosovë, fëmijët pa kujdes prindëror rriten me dashuri në familje strehuese.

Nga Arian Hajdaraj — 28/7/2025

Herët në një mëngjes pranveror, Behrije Nrecaj-Gashi, përvjel mëngët për ta larë oborrin e shtruar me kubëza prej betoni, në shtëpinë e saj në periferi të komunës së Shtimes. Me papuçet që vetëm i ka shkelur, ajo ecën drejt qoshes së oborrit ku rritet një lule që kishte mbjellë bashkëshorti i saj tashmë i ndjerë, Safeti. Tubi i verdhë i ujit nuk rrjedh shumë, por gjithsesi ajo kujdeset që lulen ta mbajë të freskët, si përkushtim ndaj bashkëshortit të saj, me të cilin, pikërisht në atë oborr, kishin planifikuar jetën.

Që nga korriku i vitit 2024, kur Safeti vdiq, ndryshoi edhe jeta e Behrijes. Çdo obligim që dikur e ndanin bashkë, tani i bie mbi supe asaj. Përveç përgjegjësive të punëve të shtëpisë, ajo mban edhe barrën e përkujdesjes për Gencin, gjashtëvjeçarin që, së bashku me Safetin e kishin marrë nën përkujdesje në vitin 2019.

“Atë ditë kur na e kanë pru Gencin, ka qenë 11 mars, ditëlindja e djalit të madh. Gjashtë muaj i ka pasë”, kujton Behrija 54-vjeçare. Genci ishte foshnje pa kujdes prindëror, që kishte lindur me probleme shëndetësore. 

Behrija përkujdeset për Gencin që nga viti 2019. Fotografia: Ferdi Limani/K2.0

Rrëfimi i saj ndërpritet kur merr në duar Gencin, i cili është thuajse i palëvizshëm, për ta vendosur në ulësen ku ai ndjehet rehat, përballë televizorit. Vëmendjen ia rrëmben lodra që i rrëshqet Gencit nga dora. Porsa ia vendos sërish në gishtërinjtë ende të njomë, dhe e përqafon ngrohtësisht, ajo vazhdon rrëfimin për të.

Kur Behrija dhe Safeti e morën nën përkujdesje, u ishte thënë se ai kishte sindromën Down, por nuk e dinin se përveç kësaj, ai kishte edhe probleme të tjera serioze shëndetësore, përfshirë çrregullime në zemër e në veshkë. Si pasojë e këtyre problemeve ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale tri vjet më vonë. Ndërkaq sot ai bën një jetë më normale. 

“Genci është fëmijë shumë i qetë. Nuk qan asnjëherë. Zgjohet herët, në orën shtatë zakonisht. Pastaj, e qes jashtë. Ka alergji në polen. E ka terapinë. Por, e don shumë natyrën”, tregon Behrija. Pavarësisht sfidave, ai është kthyer në një mbështetje të madhe për të.

“Genci është bë shoku im. Kur zgjohem e di që do merrem me të: ta veshi, ta ushqej. Për çdo ditë, mërziat që i kam, m’i hek, edhe pse nuk din me folë. Është shumë i lidhur me mua”, tregon ajo.

Genci me lodrën e tij të preferuar në dorë teksa shikon filma të vizatuar. Fotografia: Ferdi Limani/K2.0

Përkujdesja ndaj fëmijëve pa kujdes prindëror, për Behrijen, është bërë tashmë vetë historia e jetës së saj. Genci është fëmija i 26-të që Behrija e ka strehuar përkohësisht. Pas përfundimit të luftës së vitit 1999 në Kosovë, Behrija dhe Safeti, së bashku me tre fëmijët e tyre, u kthyen nga Zvicra, ku kishin qëndruar si refugjatë. Disa vite më vonë, në vitin 2006, një thirrje për t’u bërë familje strehuese ua përcaktoi rrugëtimin, i cili vazhdon edhe pas 19 vjetësh.

“Na dul një storje n’televizor ku thojke ‘Bëhu familje strehuese – shpëto një jetë’”, tregon ajo. Ishin rreth të tridhjetave atëherë, dhe vendosën të bëhen familje strehuese, duke hapur zemrën dhe shtëpinë për një fëmijë që kishte nevojë për dashuri dhe përkujdesje.

Kështu, fëmijën e parë e morën nën përkujdesje në vitin 2006, vetëm një muaj pasi kishin përfunduar trajnimin për t’u bërë familje strehuese.

“Ka qenë vajzë pesëjavëshe. Ka qenë në gjendje jo të mirë shëndetësore. Ka qenë përgjegjësi e madhe. Atë natë kemi nejtë çutë krejt familja. E kemi rritë për katër muaj”, thotë Behrija. “Pastaj, është dhënë për adoptim, këtu në Shtime. Kemi kontakt me të. 19-vjeçare është”.

Përveç Gencit, për të cilin Behrija kujdeset tash e gati gjashtë vjet, për fëmijët e tjerë është përkujdesur për periudha më të shkurtra, meqë ata që gëzonin shëndet të plotë zakonisht adoptoheshin më shpejt.

Behrija dhe bashkëshorti i saj tashmë i ndjerë, Safeti, kanë strehuar 26 fëmijë që nga viti 2006.
Fotografia: Ferdi Limani/K2.0

“Nuk e kemi ditë që ka me vazhdu për 20 vjet”, rrëfen ajo, ndërsa mban në duar një ditar të vogël, ku përveç fotografive të familjes biologjike, ka shënuar me kujdes të gjitha të dhënat e fëmijeve që kanë qenë nën përkujdesjen e saj. Për secilin prej tyre, ka shkruar datën kur e mori nën përkujdesje, ditën kur u largua nga shtëpia pas adoptimit, si dhe shkurtesat me të cilat e thërrisnin gjatë kohës sa ishte nën përkujdesje.

Behrija mbajti shënime për të gjithë fëmijët të cilët i strehoi ndër vite. Fotografia: Ferdi Limani/K2.0

Vetëm pak kilometra larg shtëpisë së Behrijes, po ashtu në Shtime, pranë rrugës për Koshare, po rritet Blendi, i cili sapo ka mbushur 19 muaj jetë.

Arbenita Nuredini, 28-vjeçare, në familjen e së cilës po rritet Blendi, kujton ditët kur, si nënë e dy fëmijëve të vegjël, bashkë me bashkëshortin, kishin vendosur të bëheshin familje strehuese dhe të ofronin përkujdesje për një fëmijë tjetër. Për këtë vendim ishin frymëzuar nga të afërmit e tyre, që më herët kishin qenë familje strehuese.

“Halla e burrit ka qenë pjesë e një familjeje strehuese. Edhe sa herë kemi shku, fëmijët na dojshin, na rrinin në prehër, na kanë lënë përshtypje shumë të mirë. Edhe një ditë i thashë hallës, ‘A muj me u ba familje strehuese edhe unë?’”.

Por, në atë kohë, djali i saj i dytë ishte ende më i vogël se tri vjeç dhe, sipas saj, i thanë të priste derisa ai të arrinte atë moshë, për të mundur të strehonte një fëmijë tjetër. Ndërkohë, ajo përfundoi edhe trajnimin gjatë të cilit mësoi mënyrat e kujdesit për fëmijët pa përkujdesje prindërore, çka ia hapi rrugën për ta realizuar atë që e quan ëndërr: përkujdesjen për një fëmijë në nevojë.

Në shtator të vitit 2024, Arbenitën e vizituan zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale (QPS) dhe i thanë se kishin një rast urgjent, ku një fëmijë kishte nevojë për strehim të menjëhershëm. Pavarësisht se ishte në pritje të fëmijës së tretë, një vajze, Arbenita vendosi ta merrte Blendin nën përkujdesje, krahas dy djemve të saj tashmë të rritur, njëri 10 dhe tjetri gati gjashtëvjeçar.

“Atë ditë kur e kam marrë Blendin, dy djemtë na kanë pritë te dera. Me gëzim e dashni e kena pritë”, kujton Arbenita, teksa në njërin krah mban Blendin, e në tjetrin vajzën biologjike, të cilën e lindi pak muaj pasi ishte bërë nënë strehuese.

Gjatë trajnimit, Arbenita mësoi mënyrat e kujdesit për fëmijët pa përkujdesje prindërore. Fotografia: Ferdi Limani/K2.0

Krahas energjisë së re dhe dashurisë së madhe që solli Blendi, ai i vuri Arbenitën dhe bashkëshortin e saj përballë një sfide të thellë emocionale.

“Në trajnim na kanë mësu mos me e mësu me na thirrë ‘mam’ e ‘bab’”, tregon Arbenita.

Ky udhëzim, që synon ta shmangë lidhjen emocionale mes fëmijës dhe familjes strehuese, meqë strehimi është i përkohshëm e ndarja eventuale është pjesë e këtij procesi, për Arbenitën mbetet më sfiduesi.

“Kur më thirrë ‘mam’ nuk i përgjigjem, pastaj vjen e më prek”, tregon ajo. “Kur i ka pasë gjashtë muaj, sefte e ka thirrë burrin ‘bab’. Edhe ai iu ka përgjigjë, tha ‘s’po muj me rezistu pa iu përgjigj’”.

Familja e Arbenitës dhe ajo e Behrijes janë vetëm dy nga gjithsej 40 familjet strehuese që aktualisht ekzistojnë në të gjithë Kosovën. Këto familje ofrojnë përkujdesje të përkohshme për rreth 65 fëmijë që nuk kanë kujdes prindëror për arsye të ndryshme, që nga braktisja menjëherë pas lindjes, keqtrajtimi, paaftësia e përkohshme e prindërve për t’u kujdesur, e deri te heqja e të drejtës prindërore me vendim gjykate.

Për Arbenitën, ndarja eventuale me Blendin është pjesa më sfiduese e procesit strehues. Fotografia: Ferdi Limani/K2.0

Pak familje strehuese

Praktika e strehimit familjar është një nga katër format e mbrojtjes për fëmijët pa kujdes prindëror, krahas strehimit rezidencial, kujdestarisë dhe jetesës së pavarur të mbikëqyrur. 

Kjo formë e kujdesit filloi të zhvillohej në Kosovë që nga viti 1999, me fillimin e veprimtarisë së “Amici di Bambini”, një organizatë joqeveritare e përbërë nga familje adoptuese dhe strehuese, e cila që nga viti 1986 punon në mbarë botën për t’i mbështetur fëmijët në institucione dhe për ta luftuar braktisjen e tyre.

Në vitin 2015, përgjegjësitë për këtë shërbim kaluan te Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP), shoqatë kombëtare humanitare, me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve pa përkujdesje prindërore. OFAP është e licencuar në ofrimin e shërbimeve psikosociale për këta fëmijë.

Në këtë drejtim, OFAP përbën një hallkë kyçe në sistemin e kujdesit alternativ për fëmijët në Kosovë. Organizata vazhdimisht angazhohet që t’i identifikojë familjet e gatshme për përkujdesje ndaj fëmijëve të braktisur, apo fëmijëve që janë detyruar të qëndrojnë larg prindërve biologjikë me vendim gjykate. Ky vendim zakonisht merret në raste kur ka prani të dhunës fizike apo psikike ndaj fëmijës, ose dhunës në marrëdhënien ndërprindërore, e cila e bën mjedisin familjar të pasigurt për zhvillimin e fëmijës.

Albana Hoti, menaxhere e projekteve në OFAP, gjatë një vizite në familjen e Arbenitës, shpjegoi procedurën përmes së cilës duhet të kalojë një familje, për të marrë përsipër strehimin e një fëmije pa kujdes prindëror. Sipas saj, së pari familja lajmërohet te QPS në nivel lokal, që janë institucione publike përgjegjëse në çdo komunë për mbrojtjen e fëmijëve në nevojë.

QPS bën vlerësimin e aplikimit duke u bazuar në kriteret e vendosura në Udhëzimin Administrativ për Strehim. Familjet duhet të plotësojnë disa kushte: nuk duhet të jenë të ndjekura penalisht; duhet ta ndjekin procedurën e rekrutimit dhe vlerësimit të gjendjes ekonomike; të kenë hapësirë të mjaftueshme; marrëdhënie të qëndrueshme në çift apo familje; dhe gatishmërinë e pjesëtarëve të tjerë të familjes për të ofruar mbështetje.

Ndërkohë, familjet që plotësojnë kushtet kalojnë nëpër një trajnim pesëjavor. “Mbajmë trajnime specifike për familjet. Kemi familje të cilat specializohen, për fëmijët specifikë: foshnje, të abuzum, me aftësi të kufizuara”, tregon Hoti.

Praktika e strehimit familjar është një nga katër format e mbrojtjes për fëmijët pa kujdes prindëror.
Fotografia: Ferdi Limani/K2.0

Pas kësaj, sipas Hotit, aplikimi dërgohet në panel në Ministrinë e Drejtësisë, dhe nëse gjithçka është në rregull, Ministria e miraton. “Është procedurë disa mujore”, tha ajo. 

Në strehim familjar vendosen përkohësisht fëmijët pa kujdes prindëror, si: foshnjat e braktisura menjëherë pas lindjes. Foshnjat e braktisura zakonisht merren nga organi i kujdestarisë në QPS, menjëherë pas lindjes në spital dhe më pas vendosen në familje strehuese brenda komunës përkatëse.

Shteti i vendos këta fëmijë përkohësisht nën përkujdesjen e familjeve strehuese, derisa të gjendet një zgjidhje e përhershme, siç është adoptimi. Fillimisht, përpiqet të sigurohet përkujdesja nga rrethi i afërt familjar si gjyshërit, tezet, hallat apo të afërm të tjerë, ku aktualisht janë të vendosur mbi 400 fëmijë. Por kur kjo është e pamundur, kërkohen mundësitë për vendosje në familje strehuese.

Megjithatë, në Kosovë numri i familjeve strehuese mbetet i pamjaftueshëm. Ai është shumë më i ulët krahasuar me standardet ndërkombëtare, që parashohin së paku tri familje strehuese për çdo komunë. Nga 38 komunat e Kosovës, vetëm në 15 prej tyre funksionojnë familje strehuese. Si pasojë, shpeshherë fëmijët vendosen në komuna të tjera, larg vendlindjes së tyre.

“Në Komunën e Fushë Kosovës e kemi vetëm një familje strehuese”, tregon Abaz Xhigoli, ndërsa hap derën e zyrës së tij të rrethuar me gjelbërim. Ai ushtron detyrën e drejtorit të QPS në këtë komunë.

“Por i kemi tre fëmijë në strehim familjar. Njëri prej tyre, me aftësi të kufizuara dhe në moshën 18-vjeçare, është i vendosur këtu në Fushë Kosovë. Dy të tjerët janë të sistemuar në komuna të tjera”, thotë Xhigoli, duke marrë në dorë listën me emrat e 20 fëmijëve që komuna i ka vendosur në strehim familjar që nga paslufta.

Gjatë përvojës së tij në QPS, Xhigoli është ballafaquar me raste të ndryshme, shumë prej të cilave i ka të ngulitura thellë në kujtesë. Me syzet në dorë, thotë se më së pari i kujtohen rastet kur ka marrë në trajtim foshnja të sapobraktisura.

“Disa fëmijë braktisen menjëherë pas lindjes, ende pa ua lënë emrin. Kështu, barra e parë për neve është vendosja e emrit të fëmiut”, tregon ai. “Menaxherët e rasteve me kujdestarët ligjorë konsultohen për emrat. Shpeshherë ndodh që emri të mendohet gjatë rrugës për në spital, apo nga spitali drejt familjes strehuese”.

Ndër shërbimet kryesore që QPS ofron për fëmijët pa kujdes prindëror janë: caktimi i menaxherit të rastit dhe kujdestarit ligjor, hartimi i një plani individual për kujdes dhe zhvillim, vendosja e fëmijës në strehim familjar apo në strehim rezidencial, realizimi i vizitave monitoruese, si dhe ndjekja e procedurave për ribashkimin me familjen biologjike ose për adoptim, kur kjo është e mundur.

Nga 38 komunat e Kosovës, vetëm në 15 prej tyre funksionojnë familje strehuese. Fotografia: Ferdi Limani/K2.0

Por, sipas Koalicionit të OJQ për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), QPS nuk arrijnë të realizojnë vizita të rregullta monitoruese për shkak të numrit të madh të fëmijëve që kanë nevojë për përkujdesje dhe pamundësisë për t’i mbuluar të gjithë fëmijët nën përkujdesje. Sipas tyre, kjo e cenon seriozisht funksionin mbrojtës të QPS dhe ndikon në mungesën e mbikëqyrjes së vazhdueshme, që është qenësore për sigurinë dhe zhvillimin e fëmijës në kujdes alternativ.

QPS në Kosovë, të cilat u decentralizuan në vitin 2009 me synimin për të përmirësuar qasjen në shërbimet sociale, vazhdojnë të përballen me sfida strukturore serioze. Kalimi i përgjegjësive nga niveli qendror te komunat i gjeti komunat të papërgatitura për këtë përgjegjësi, duke u përballur me mungesë të theksuar të financimit, stafit të trajnuar dhe pajisjeve bazike, si vetura apo hapësira adekuate. Sipas raportit të Avokatit të Popullit për vitin 2019 dhe të dhënave të KOMF për vitin 2020, stafi ekzistues i QPS është i stërngarkuar, ka mungesë të kushteve për punë dinjitoze dhe infrastruktura shpesh nuk i plotëson kushtet për ofrimin e shërbimeve të ndjeshme, siç janë ato për fëmijët pa përkujdesje, viktimat e dhunës në familje, trafikimit apo personat me aftësi të kufizuara.

Në nivel vendi, funksionojnë 40 QPS, të cilat mbulojnë gjithsej 47 kategori përfituesish, përfshirë fëmijët pa përkujdesje prindërore, viktimat e dhunës në familje, trafikimit, personat me aftësi të kufizuara apo me probleme të shëndetit mendor. Megjithatë, mungesa e theksuar e punëtorëve socialë profesionistë ka bërë që shumë nga punonjësit ekzistues të detyrohen të mbulojnë disa role njëkohësisht –– psikologë, këshilltarë, punonjës socialë e madje edhe administratorë –– shpesh pa përgatitje të mjaftueshme akademike apo praktike. Kalimi i tyre nën administrimin e Ministrisë së Drejtësisë në janar 2023 ka thelluar shqetësimet se shteti e trajton mirëqenien sociale më shumë si mekanizëm kontrolli institucional, sesa si të drejtë dhe përgjegjësi themelore.

Mbështetje e pamjaftueshme financiare

Krahas sfidave strukturore dhe mungesës së mbështetjes institucionale, një aspekt tjetër që ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e strehimit familjar është mbështetja financiare për familjet strehuese dhe ofruesit e tjerë të kujdesit alternativ. Edhe pse ligji parashikon kompensim për familjet që strehojnë fëmijë pa përkujdesje prindërore, mbështetja aktuale shpesh nuk mjafton për t’i përmbushur nevojat e tyre.

Për një fëmijë pa përkujdesje prindërore, Ministria e Drejtësisë ofron mbështetje financiare prej 350 euro në muaj, të cilat dedikohen ekskluzivisht për fëmijën. Ndërsa, për një fëmijë me aftësi të kufizuara, mbështetja financiare arrin në 450 euro.

Së fundmi, kanë filluar që edhe disa komuna t’i mbështesin financiarisht familjet strehuese përmes buxhetit lokal. Pagesat mujore variojnë nga 150 deri në 350 euro, të cilat ndryshe nga ato të Ministrisë së Drejtësisë, u dedikohen familjeve përkatëse dhe jo fëmijëve.

Behrija kujton kohën kur mbështetja financiare ishte shumë më e vogël, megjithatë ajo kishte të njëjtin vullnet si tani. Ajo tregon se në fillim kur kishin filluar të strehonin fëmijë, mbështetja ishte 90 euro, e cila u rrit në 150 euro në vitin 2018. Prej vitit 2023, mbështetja u rrit në 350 euro për fëmijët pa probleme shëndetësore, ndërsa 450 euro për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Por sipas Behrijes, kjo mbështetje nuk mjafton, marrë parasysh shpenzimet e shumta që janë të nevojshme për t’i mbuluar nevojat e një fëmije si Genci, i cili pati probleme të rënda shëndetësore. Edhe për familjet tjera strehuese, ndonëse kjo ndihmë ua lehtëson jetën deri diku, ato nuk janë arsyeja pse vendosin të marrin fëmijë në kujdes. Shpenzimet për kontrollet mjekësore, ilaçet e domosdoshme për fëmijët me probleme shëndetësore apo qumështi për foshnjat, shpesh janë shumë më të larta sesa mbështetja që ofrohet.

Komunat që mbështesin familjet strehuese ofrojnë ndihmë financiare mujore në shuma të ndryshme:

- Komuna e Prishtinës: 300 euro në muaj

- Komuna e Prizrenit: 250 euro në muaj

- Komuna e Obiliqit: 200 euro në muaj

- Komuna e Lipjanit: 350 euro në muaj

- Komuna e Fushë Kosovës: rreth 150 euro në muaj

- Komuna e Istogut: rreth 200 euro në muaj

Ndërkohë, edhe pse Behrija ka qenë familje strehuese për më shumë se dy dekada, angazhimi i saj nuk është njohur asnjëherë si punë formale. Megjithatë, Ligji i ri për Shërbime Sociale dhe Familjare, që u miratua në vitin 2024, për herë të parë i njeh familjet strehuese si ofrues të shërbimeve sociale dhe hap rrugën për përfshirjen e tyre në skemën pensionale. Po ashtu, ky ligj pritet t’ua ofrojë mundësinë fëmijëve mbi moshën 18-vjeçare të marrin mbështetje institucionale deri në moshën 26-vjeçare, megjithatë kjo masë ende nuk ka filluar të zbatohet.

SOS Fshatrat e Fëmijëve dhe organizata të tjera për mbrojtjen e fëmijëve, kanë kërkuar që zgjerimi i mbështetjes financiare për fëmijët pa përkujdesje prindërore të përfshihet në projektligjin për Kodin Civil, i cili ende nuk është miratuar, pasi nuk kaloi në lexim të parë në Kuvend për shkak të mospajtimeve rreth nenit që lidhet me njohjen e bashkësive civile ndërmjet personave të të njëjtit seks.

Por, përkushtimi dhe kujdesi ndaj fëmijëve pa përkujdesje prindërore shkon përtej mbështetjes financiare. Po të ishte vetëm për paratë, që prej kohësh nuk do funksiononte as OFAP, e cila prej muajsh është në krizë financiare. “Në fund të vitit 2024 ka fillu një krizë e cila po vazhdon edhe në muajt e parë të vitit 2025. Sanksionet e BE ndaj qeverisë e kanë pasë ndikimin e vet. Zhvillimet politike në vend ose ndërkombëtare, ndikojnë në shërbimet tona sociale. Kemi qenë në krizë jetike”, tha Hoti.

Në qershor 2023, Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, duke pezulluar rreth 600 milionë euro fonde zhvillimi. Kjo ka krijuar një boshllëk të madh financiar që është ndjerë thellë nga organizatat joqeveritare, përfshirë OFAP, shërbimet e së cilës që varen në masë të madhe nga donatorët dhe ndihmat përmes fondeve të qeverisë, të cilat janë prekur nga këto masa. 

Për pasojë, shumica e stafit në OFAP vazhdojnë të punojnë pa paga, e shpeshherë me shpenzime vetanake dalin në terren për t’i vizituar fëmijët kudo në Kosovë. “Deri tani 80% e stafit, që nga dhjetori e deri tash [maj], është duke punu në mënyrë vullnetare”, tregon Hoti, duke shtuar se angazhimi për këta fëmijë është më shumë sesa vetëm një punë, është një mision nga i cili nuk mund të heqësh dorë lehtë, edhe po t’i shpenzosh eurot e fundit në tentim për ta strehuar një fëmijë.

Së fundmi, vetë Hoti shkroi një libër me përralla, të cilin e titulloi “Përrallat e heronjve të padukshëm”, që i dedikohet pikërisht fëmijëve pa kujdes prindëror, me shitjen e kopjeve të së cilit u siguruan fonde që ndihmuan organizatën të mbijetojë. 

Secila përrallë nxjerr në pah edhe rolin e “heronjve të padukshëm”, familjeve dhe kujdestarëve që çdo ditë mbajnë mbi supe peshën emocionale të një kujdesi të heshtur. Fotografia: Libri: “Përrallat e heronjve të padukshëm”.

Frymëzuar nga ngjarje të vërteta, 10 histori të fëmijëve pa përkujdesje prindërore u shndërruan në 10 përralla, nga të cilat u printuan afro 4.000 kopje.

“Çdo përrallë është një pasqyrë e zemrës së tyre, një thirrje e butë për të kuptuar botën e brishtë që ata jetojnë. Është një thesar zemrash të vogla, një pasqyrë e shpresës që ndriçon edhe në errësirën më të thellë”, flet Hoti për librin.

Në fund të njërës prej përrallave, ajo shkruan: “Peshku Val mësoi se pavarësisht nga vijmë, dashuria dhe pranimi janë forcat më të mëdha që mund të na bashkojnë dhe të bëjnë secilin prej nesh të ndihet si pjesë e një familjeje të vërtetë”. Kjo histori synon t’u ndihmojë fëmijëve ta përballojnë më lehtë braktisjen dhe ta përshtaten me familjen e re strehuese. Secila përrallë nxjerr në pah edhe rolin e “heronjve të padukshëm”, familjeve dhe kujdestarëve që çdo ditë mbajnë mbi supe peshën emocionale të një kujdesi të heshtur.

Ndarja e vështirë emocionale

Së fundmi, gjatë vizitës së rregullt mujore, punëtorët e QPS ia dhanë një lajm të vështirë  familjes Nuredini –– statusi i Blendit ishte zgjidhur. Ndonëse tingëllon vetëm si term teknik, në thelb nënkupton që, Blendi tek kjo familje do të mund të qëndrojë vetëm edhe pak muaj, sepse procedurat për adoptimin e tij janë në përfundim e sipër.

“Ka me na marrë malli se shtëpinë ka me lanë thatë”, tha Arbenita. “Boll menojsha që jam e fortë, ama jo. Hiç spo m’heket prej menjes. Jam mësu me flejt me ta, me u çu me ta. Kah të shkoj me ta, me pasë pas vehtes”. Arbenita ia përkëdhelë flokët Blendit, të cilat  ia ka prerë vetë meqë “nuk e lejke berberin as kërkënd me ja pre, veç me mu dojke”.

Për ditën kur do ndahen nga Blendi, e gjithë familja e ka të vështirë të përgatitet emocionalisht. Djali i madh i Arbenitës e kishte pyetur zyrtarin e QPS: “A mujna me adoptu?” Por, familjet strehuese nuk mund t’i birësojnë fëmijët që i kanë nën përkujdesje. Ligji aktual synon ta shmangë konfliktin e interesit dhe ta ruajë karakterin profesional dhe të përkohshëm të familjeve strehuese, të cilat kompensohen financiarisht nga shteti për përkujdesjen që ofrojnë.

Lejimi i adoptimeve nga familjet strehuese, sipas kësaj qasjeje, do të rrezikonte ta shndërronte këtë formë përkujdesjeje në një proces të drejtpërdrejtë të adoptimit, gjë që do t’i cenonte standardet profesionale dhe të drejtat e fëmijëve për një proces të paanshëm në zgjedhjen e familjeve adoptuese.

Në thelb, ligji e bën dallimin e qartë mes strehimit si përkujdesje e përkohshme dhe adoptimit si zgjidhje të përhershme familjare, për të siguruar mbrojtje më të mirë në interesin më të mirë për fëmijën.

Blendi do të mund të qëndrojë vetëm edhe pak muaj te familja Nuredini, sepse procedurat për adoptimin e tij janë në përfundim e sipër. Fotografia: Ferdi Limani/K2.0.

Prindërve biologjikë kanë afat deri në dy vjet për ta përmirësuar gjendjen e tyre socio-ekonomike; nëse kjo nuk ndodh, fëmija fiton statusin e fëmijës potencial për adoptim, duke nisur kështu procedurat për adoptim. Në rastet kur prindërit e një fëmije të vendosur në strehim familjar nuk arrijnë ta përmirësojnë situatën që fëmija të kthehet në shtëpi, atëherë nis procedura për zgjidhjen e statusit juridik të tyre, që përfshin paraqitjen në gjykatë për heqjen e së drejtës prindërore. Në rastet kur nuk dihen prindërit biologjikë, pritet një vit dhe më pas konsiderohet rast i zgjidhur dhe hapen procedurat për birësim.

Sipas udhëzimit, mesatarja që një fëmijë qëndron te familjet strehuese është prej gjashtë muajsh deri në një vit. Por në praktikë ka raste kur kjo periudhë zgjatet. Fëmijët me aftësi të kufizuara dhe me probleme shëndetësore, si në rastin e Gencit, rrinë më gjatë te familjet strehuese meqë ka pak interes për t’i adoptuar. Në fakt, procesi që nga momenti i braktisjes së fëmijës apo marrjes së tyre nga kujdesi i prindërve biologjikë për çfarëdo arsye, e deri te adoptimi, është mjaft i gjatë.

Paneli për adoptim, i ngritur nga Ministria e Drejtësisë, shqyrton listën e pritjes dhe vendos sipas radhës për familjet që plotësojnë kushtet për adoptim. Pasi një familje e caktuar adopton një fëmijë, ajo ka të drejtë t’ia ndryshojë emrin dhe mbiemrin. Pas përfundimit të procesit të adoptimit, QPS është e obliguar ta përcjellë procesin e rritjes së fëmijës për një periudhë deri në një vit. Pastaj, familja adoptuese merr përgjegjësi të plota dhe të drejta të barabarta sikur prindërit biologjikë. Ndërkohë, numri i fëmijëve që braktisen mbetet më i ulët sesa numri i familjeve që kërkojnë të adoptojnë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), braktisja e fëmijëve ka rënë në dekadën e fundit. Në vitin 2023 u braktisën nëntë fëmijë, ndërsa 10 vite më parë braktiseshin rreth 40 fëmijë.

Një nga pengesat më të mëdha në procesin e adoptimit është fakti që shumica e familjeve kërkuese këmbngulin të adoptojnë fëmijë nën moshën trevjeçare, gjë që e vështirëson procesin për fëmijët më të rritur pa kujdes prindëror, ndërkaq, sipas Albanës, ka edhe familje që duan të adoptojnë vetëm djem teksa në listë ka vetëm vajza. 

“Kështu kalojnë vite e vite derisa plotësohen kriteret, e kështu është rritë numri i familjeve në raport me fëmijët për adoptim”, tha Albana.

Periudha më e gjatë që një fëmijë pa përkujdesje prindërore mund të qëndrojë në një familje strehuese është deri në moshën 18-vjeçare. Edhe pse Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës parasheh një formë të re të kujdesit –– Jetesën e Pavarur të Mbikëqyrur që synon të ofrojë shërbime dhe mbështetje për fëmijët pa kujdes prindëror pas moshës 18 deri në 26 vjeç –– kjo ende nuk është zbatuar në praktikë. 

Si pasojë, në rastet kur fëmija nuk mund të qëndrojë më në familjen strehuese pasi ta ketë arritur moshën madhore, Organi i Kujdestarisë detyrohet ta ndërpresë kujdesin dhe shërbimet. Në rastet kur fëmija ka aftësi të kufizuara, zgjidhja shpesh mbetet vendosja në Institutin në Shtime, një formë e strehimit rezidencial që ndikon negativisht në mirëqenien dhe zhvillimin e mëtejshëm të fëmijës.

Për këto ndarje, që vijnë natyrshëm nga sistemi, por jo natyrshëm për ta, po përgatiten edhe vetë familjet strehuese. “Ndarja me Blendin ka me qenë emocionuese, e dhimbshme po edhe krenare, me faktin që kam mujtë me ba diçka për Blendin. Veç i lutem Zotit që familja që e merr, ta kemi një kontakt, të paktën veç një foto me ma dërgu. Edhe pse e di që nashta është gabim, por du me pa tu u rritë”, tha Arbenita.

Emri i Gencit do të jetë i fundit në ditarin e Behrijes. Fotografia: Ferdi Limani/K2.0

Ditën e ndarjes po e mendon edhe Behrija, jo sepse dikush do të adoptojë Gencin, por sepse ai do ta ndiejë mungesën e saj.

“Për Gencin e kam një plan. Me mujtë me dërgu te një familje, për tre muaj, gjatë kohës kur shkoj te fëmijët (në diasporë), sepse nuk dua të ndahem totalisht”. Me këtë, ajo e mbyll edhe kapitullin e saj të gjatë të përkujdesjes: emri i Gencit do të jetë i fundit në ditarin e Behrijes.

 

Imazhi i ballinës dhe fotografitë: Ferdi Limani / K2.0

Shënim i redaksisë: Emrat e fëmijëve nën kujdesin e Behrijes dhe Arbenitës janë ndryshuar për ta ruajtur privatësinë e tyre.

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.