Ngjarje e vërtetë I:
Duke pritur në radhë të gjatë për një vizë afatshkurtër sllovene, në një mesditë idilike plot diell, diku në qendër të Prishtinës, në mesin e atyre fatlumëve, që i kishin të gjitha dokumentet “n’rregull”, gjithsesi kishte edhe prej atyre, të cilëve u mungonte ndonjë letër, a nuk kishin arsye bindëse për të marrë vizë. Njëri prej këtyre të fundit, dukshëm i mllefosur me përgjigjen, duke dalë nga objekti i ambasadës, shfryu dhe shau:
– “Oh bre, po këta janë ma zi se shkijet, bre” [term nënçmues për serbët].
Ngjarje e vërtetë II:
Në një mjedis shumë-gjuhësh e shumë-kombësh në lindje të Spanjës, në qytetin e bukur bregdetar të Valencias, në një institucion të shkollës së lartë, teksa studentët po bisedonin me profesoren për çështje të ndryshme politike e sociale, një vajzë e re spanjolle, u shpreh:
– “Unë nuk jam raciste, por veç këta rumunët hiç s’mund t’i duroj”.
Fjalorthi
Jam i sigurt se ngjarje të këtilla kanë përjetuar plot që do ta lexojnë këtë fjalorth ilustrues, që është vetëm copëz e një projekti në zhvillim e sipër dhe ka për qëllim të hedhë dritë mbi disa nga nocionet dhe konceptet themelore përreth luftës së viteve 1998-99 në Kosovë dhe kohës së pasluftës në gjuhën shqipe.
Po t’ia mësynim të flisnim për nevojën për një fjalor të tillë, do të na duheshin faqe e faqe librash për t’ju bindur për diçka të tillë, por le të përmendim nja dy-tre arsye.
Së pari, shoqëria e Kosovës është shoqëri e (pas)luftës dhe çdo shoqëri e prekur nga lufta përballet me apo përjeton dhe i jeton këto nocione. Dhe duke qenë se këto nocione jo rrallë nuk kuptohen apo nuk shihen si probleme, ato zhvillohen dhe krijojnë konflikte e trauma, keqkuptime e përçarje të vazhdueshme.
Së dyti, shpeshherë këto nocione e terma ngatërrohen me njëri-tjerin dhe pastaj vrasja bëhet çlirim, shovinizmi bëhet patriotizëm, ksenofobia bëhet krenari kombëtare, pretendimet territoriale bëhen e drejtë autoktone.
Arsyeja e tretë, që assesi nuk është më pak e rëndësishme, por që harrohet shumë shpesh — sidomos nga profesorë/e e politikëbërës/e, gazetarë/e e arsimtarë/e — është fakti se ata që kanë lindur në vitet 1998-99 sot i kanë njëzet e kusur vjet. Disa prej tyre kanë krijuar familje, disa prej tyre mbajnë poste të ndryshme administrative e politike dhe krejt luftën dhe narrativën për të e kanë “me t’nime”, dhe me gjasë as që i njohin nocionet, të cilat përmenden këtu e të cilat rëndom lindin si dukuri shoqërish të pasluftës.
Ka edhe shumë arsye tjera, por këto mund të jenë të mjaftueshme për t’iu rrekur një pune të tillë. Duke qenë se ky është fjalorth i veçantë dhe është shkëputje nga tërësia në bërje e sipër, ky shkrim nuk do ta përfillë rendin alfabetik. Duke qenë se një punë e këtillë do të kërkonte qindra fjalë, në këtë tekst radhiten vetëm disa prej tyre, pa pretenduar se janë më shumë a më pak të rëndësishme se të tjerat. Këto fjalë të zgjedhura, mbase i hapin rrugë një fjalori më gjithëpërfshirës fjalësh të tilla.
Teksti është sajuar asisoji që së pari jepet fjala (zëri) dhe domethënia e saj e parë siç figuron në fjalorët e shqipes dhe pastaj jepet përshkrimi autorial, i mbrujtur me satirë, sarkazëm e ironi, rreth fjalës dhe përdorimit e qëndrimeve shoqërore për të.
Fillojmë me germën a.
autokton (mbiemër; edhe si emër; i gjinisë mashkullore) pjesëtar i popullsisë fillestare të një vendi; banor i një vendi ku kanë jetuar paraardhësit e tij që në kohët më të lashta; vendës, anas, rrënjës.
Në Kosovë, shqiptarët janë autoktonë, ndërsa për të gjithë popujt tjerë duhet të gjejmë fakte shkencore se ata janë ardhacakë. Serbët, turqit, boshnjakët, romët, ashkalitë, egjiptasit, goranët — ardhacakë. Nëse nuk gjejmë fakte shkencore, ato do t’i shpikim. Historianë kemi boll. Tekembramja, të njëjtën gjë e bëjnë edhe fqinjët serbë (lexo shkije) kundrejt nesh, me teori të ndryshme që ne nuk kemi prejardhje ilire e pellazge, që ne kemi ardhur në fund të shekullit XIX, që ne jemi popull aziatik, e kështu me radhë. Pse ata po e ne jo?!
patriotizëm (emër; gjinia mashkullore) dashuria për atdheun e për popullin e vet dhe gatishmëria për t’u shërbyer atyre me besnikëri, ndjenja e lartë e detyrës për të mbrojtur me vetëmohim interesat e atdheut dhe të popullit të vet; atdhetari.
Këto i dimë, këto i kemi parë, sidomos në luftë, kur këtij përkufizimi i shtohet edhe dhënia e jetës për vendlindjen.
Por në kohë paqeje, a ka patriotizëm?
Në paqe, ne hedhim bërllok ku të na dojë loçka e zemrës sepse jemi çliruar dhe milici nuk na dënon — krejt është e jona. Ia provojmë gomat veturës dhe e shtypim deri në dërrasë gazin në mahallë, se rrugët janë tonat. Policët janë tanët.
Nuk ia lëshojmë vendin me i dalë dhëmbi sa i ujkut kurrkujt në autobus, sepse ne dhe vetëm ne e meritojmë atë vend se na e garanton liria. Nuk ka më pritje në rend për ta marrë ndonjë shërbim, se boll kemi pritë, “për qit ditë kemi luftu”. Mjekut ia japim pak lekë për t’na qitë në krye të listës se tash mjektë janë tanët. Ne e nxjerrim një dokument që na duhet si përngut sepse e kemi dikë tonin aty. Tash, administrata është e jona.
Viktimat e etnive tjera? Ndoshta kanë hjekë, por ato s’janë të denja si ne. Thjesht s’janë.
Rrap flamurin në festa, flamur-fluturaken në lojë futbolli, patriotë pra. U kry lufta, tash në paqe vendit s’i duhet dashuri ndryshe, s’ka më nevojë për besnikëri, vetëmohim, ndjenjë detyre, tash ka veç liri, qysh duam ne. Boll kemi hjekë. Boll e kemi dashtë vendin.
racizëm (emër i gjinisë mashkullore) teori dhe politikë që mbështetet në pikëpamjen antishkencore se racat kanë dallime rrënjësore midis tyre, se ndahen në raca «të larta» e «të ulëta» dhe se raca «më e lartë» ka të drejtë të shtypë e të shfrytëzojë racat e tjera; përbuzja dhe shtypja e racave të tjera.
Meqë ky emërtim ka konotacion negativ, asnjëri prej nesh nuk do ta pranojë se është racist. Natyrisht, si bën të pranojmë se ne karakterizohemi nga ndonjë veçori kaq e poshtër, kur ne jemi fisnikë, kur ne jemi besnikë, kur ne jemi të bukur, plus të bardhë. Po, po, të bardhë. Jo se të zinjtë kanë më pak vlerë. Edhe ata janë njerëz. Nejse më pak njerëz. Nejse.
ksenofobi (emër i gjinisë femërore); të qenët ksenofob; urrejtja e çdo gjëje të huaj, mohimi dhe hedhja poshtë e gjithçkaje të huaj.
Njëjtë si në rastin e racizmit, asnjëri nuk do të pranojë se është ksenofob. Biles, kur na akuzojnë, ne jemi në gjendje të japim edhe shembuj ilustrues se nuk jemi ksenofobë, duke treguar rastin kur kemi punuar menjëherë pas lufte në ndonjë organizatë ndërkombëtare në Prishtinë, dhe ai shefi ishte i Afrikës, afrikan, i një shteti afrikan, nuk na kujtohet emri — ata krejt të njëjtë janë. Edhe ata janë njerëz. Ose do të japim ndonjë shembull kur gjatë qëndrimit tonë (të përkohshëm) në Gjermani, Austri a Zvicër, jemi shoqëruar me ndonjë shok afgan, a turk, a polak. Dhe natyrisht, krejt janë njerëz, ama ne i kemi zakonet më të mira. Thjesht, jemi më të mirë.
“O sa mirë me qenë shqiptar”, është bërë himn i ri i mijëvjeçarit, megjithëse përtej ngjyrave dhe shqipes dykrenare, nuk na janë dhënë argumente empirike pse qenka aq mirë. Apo pse qenka më mirë se të jesh uzbek, ta zëmë.
pretendim territorial (em.) – kërkimi i pronësisë territoriale nga një grup ose individ. Kjo shprehje zakonisht përdoret vetëm në lidhje me pretendimet e kontestuara ose të pazgjidhura për tokën.
Është e tmerrshme të zgjohesh një mëngjes të bukur me diell, ta porositësh një espresso shtatëdhjetëshe në kafen tënde të preferuar, ta rrufisësh gëllënjkën e parë dhe të kuptosh se pjesa “e Madhe” në emrin e përbërë Shqipëria e Madhe nuk është karakteristikë vetëm e shtetit dhe popullit tënd, por ka edhe shumë vende të tjera që kanë dashur dhe ende kanë projekte të tilla t’i bëjnë shtetet e tyre të mëdha.
Si shembull e kemi shtetin fqinj, Serbinë që don të jetë e madhe. Duke dashur të jetë e madhe, madje edhe deri në Tokio të Japonisë (Srbija do Tokija) ajo bart mbi supe barrën për mizoritë më të mëdha që i kanë ndodhur kësaj pjese të Ballkanit, që nga Lufta e Dytë Botëore, duke qenë përgjegjëse për luftën në Kroaci, gjenocidin në Bosnjë e Hercegovinë e masakrat në Kosovë. Krejt kjo në emër të të qenët e Madhe. Dhe krejt kjo në emër të pretendimeve territoriale, ndër të tjera.
Dhe është e udhës t’i mendojmë e t’i analizojmë të gjitha këto me një sy e vështrim kritik, sa herë që mendojmë se edhe vendi ynë, a një vend tjetër i krijuar me bashkimin e dy a më shumë territoreve meriton të jetë i Madh, se kështu paska qenë përherë. Gjersa mali t’bëhet hi.
fashizëm (m.) sistem autoritar dhe nacionalist qeveritar dhe shoqëror i së djathtës ekstreme.
As fashistë nuk ka, ose ka shumë pak. Ta duash tëndin/tënden, nuk është fashizëm. Ta shtysh pak atë fqinjin që i takon popullit a fesë tjetër nuk është fashizëm. Po ta zhdukësh edhe t’ia djegësh shtëpinë, fundja, si do të jetë fashizëm kur qëllimi është i mirë – kur atij i digjet shtëpia, ai nuk ka pse kthehet, dhe shkon te të vetët, dhe të gjithë jetojmë të lumtur, dhe s’ka më luftë, dhe bota jeton në paqe, apo jo?
Kjo s’është fashizëm, kjo është logjikë e shëndoshë. Ne historikisht s’kemi qenë fashistë. Edhe nëse ndonjëherë në histori jemi rreshtuar krah regjimeve autoritare, ne kemi pasur qëllime të tjera, assesi fashiste. E kuptoni? Ne nuk jemi fashistë. NE NUK JEMI FASHISTË. PIKË. TUNG!
fanatizëm (m.) zell i jashtëzakonshëm për të mbrojtur dhe për të zbatuar pa lëshime e pa lëkundje një mendim, një ide etj. Ruaj (mbroj, zbatoj) me fanatizëm.
Këtë fjalë e kemi dëgjuar shpesh, edhe nga mediet, por edhe në diskursin e përditshëm publik. Fanatizmi mund të shpërfaqet në forma të ndryshme.
Me fanatizëm ne i arsyetojmë bindjet tona politike, shoqërore, kombëtare e fetare, dhe pastaj jemi të sigurt dhe të bindur se rruga jonë është E DREJTË, se VETËM mënyra jonë e të menduarit është e drejtë, dhe natyrisht kjo pastaj na jep të drejtën që edhe të tjerët t’i ftojmë në rrugën tonë, nganjëherë apo më shpesh se nganjëherë duke përdorë edhe vegla të dhunshme psikologjike e fizike – por ama qëllimi është i mirë. Këtë e bëjmë për t’i bërë mirë tjetrit, normalisht. Sepse ia duam të mirën tjetrit. Sepse ne jemi më të mirë se tjetri.
tjetri (përemër) i të njëjtit lloj me atë që na është dhënë a që kemi, por jo ky që kam; i po kësaj klase, por që s’është ose s’është ndonjëri nga ne.
Fjalorët janë thesarë të humbur, sepse ata fshehin mënyra të të menduarit të gjuhëve e popujve dhe zbulojnë atë që ne dimë se ç’është apo ç’do të thotë, por duke e marrë si të logjikshëm kuptimin e parë, e harrojmë atë, e kërkojmë të dytin e të tretin, ndërsa kur kthehemi te ai kuptim i parë, e shohim se në fakt kurrë nuk e kemi kuptuar domethënien e vërtetë të asaj fjale.
Filozofi dhe dramaturgu i ndjerë boshnjak, Dževad Karahasan, në ditarin e tij të luftës “Shpërngulja” thotë: “Tjetri i nevojitet si dëshmi e identitetit të tij sepse veçantia e tij dëshmohet dhe artikulohet në raport me veçantinë e Tjetrit, përderisa në sistemin e konstruktuar në mënyrë dialektike Tjetri është vetëm në dukje Tjetri dhe në të vërtetë Unë i maskuar, gjegjësisht Tjetri brenda meje, duke qenë se në sistemin dialektik (dhe në mënyrën dialektike të të menduarit) faktet e ballafaquara janë në të vërtetë Një”.
Kështu pra, thënë me fjalë të tjera, mbase frika dhe urrejtja jonë, dëshira jonë për ta asgjësuar tjetrin, për t’ia “treguar vendin” tjetrit, nuk është asgjë më shumë se frika jonë për t’u ballafaquar me tjetrin (veten) dhe duke parë se sa i njëjtë është ai tjetri me ne, frika jonë se do ta humbim gjithë atë që e kemi ndërtuar me mish e shpirt, ndër shekuj.
gjuhë (em. f.) sistem i veçantë tingujsh, fjalësh, trajtash e rregullash për formimin e fjalëve e për lidhjen e tyre në fjali, i cili është mjeti themelor e më i rëndësishëm që u shërben njerëzve për të mbrujtur e për të shprehur mendimet dhe për t’u marrë vesh njëri me tjetrin në shoqëri.
Gjuha jonë amtare është gjuha më e bukur në botë, është gjuhë e mëvetësuar, jo e mësuar, prandaj edhe flitet me zemër e jo me gojë, e kështu me radhë. Dhe tek i thurim lavde gjuhës amtare i kemi edhe nja dy-tri proverba për rëndësinë e njohjes së gjuhëve të huaja, të tipit: “Sa më shumë që di, aq më shumë vlen”, e kështu me radhë. Por gjuha jonë është gjuha jonë. Aty duhet të përfundojë debati. Pikë.
E duket se rilindasit shqiptarë, në përpjekje për ta përbashkuar popullin, i cili jetonte në këtë pjesë të Perandorisë Osmane, në vorbullën e apetiteve nacionaliste të vendeve si Greqia e Serbia për përvetësim territoresh, duke parë rrezikun e madh që po i kanosej kësaj pjese të Ballkanit, duke parë nevojën e madhe për t’u zgjuar si popull, si një njësi e vetme, me gjasë nganjëherë e kanë tepruar si me shpalosjen e fakteve historike ashtu edhe me romantizimin e gjithçkaje.
Natyrisht, kjo megalomani (u kërkoj falje lexuesve për këtë shprehje, qëllimin nuk e kam të keq) mund të kuptohet nëse projektohet në atë hapësirë dhe kohë — në atë kontekst. Pra, nëse kontekstualizohet, edhe arsyetohet. Leni kisha e xhamia, e kështu me radhë…
Por ama, kur ky vrull i zgjimit kombëtar vazhdon edhe sot e kësaj dite, në një kontekst KREJT TJETËR, në një kohë dhe vend KREJT TJETËR, në rrethana politike e shoqërore KREJT TJERA, atëherë ai paraqet problem të madh. Sepse është jashtë kontekstit, sepse është anakronik, sepse është qesharak. Mund të vazhdojmë deri nesër.
Dhe kështu, me këtë stil, na lindin ca historianë e gjuhëtarë (në thonjëza) që na tregojnë se ne jemi zanafilla e gjithçkaje dhe gjuha jonë është gjuhë hyjnore, zanafillë e çdo gjuhe. Derisa për rilindasit tanë jam gati i sigurt se nuk kanë qenë të çmendur e halabakë, për këta të tjerë kam ca dyshime. Nuk dua të besoj se janë qëllimkëqinj, dua të besoj se janë të marrë e halabakë. Gati jam i bindur se janë të tillë.
Pellazg, ilir, shqiptar* (em. m.)
pellazg (m.) Popullsi që banonte kryesisht në pellgun e Egjeut dhe në krahinat jugore të Ballkanit para helenëve e ilirëve.
ilir (m.) Pjesëtar i popullsisë së vjetër të Ilirisë, që njihet si paraardhës i popullit shqiptar, banor i Ilirisë. Ilirët e Jugut.
shqiptar (m.) Banor vendës i Shqipërisë ose ai që e ka prejardhjen nga Shqipëria; pjesëtar i popullsisë shqiptare. Shqiptar i vërtetë. Shqiptarët e mërguar. Besa (fjala) e shqiptarit. Nderi (karakteri) i shqiptarit. Trimëria (bujaria, mikpritja) e shqiptarëve. Luftërat e shqiptarëve për liri e pavarësi. Malli i shqiptarit për mëmëdheun.
*Shënim: Këto fjalë meritojnë të zënë vend në këtë fjalorth, mbase edhe të jenë zërat e parë të tij, por autori ndihet i pafuqishëm të japë ilustrime për to, duke qenë se do të ishte tejet i kufizuar në përshkrim. Këto ishin vetëm disa nga ilustrimet e fjalorthit në zhvillim. Dhe tash ndaluni, lexojeni sërish tekstin nga fillimi deri në fund, ndaluni te secili zë, jini të sinqertë me veten dhe gjeni se në sa situata në jetë i keni përjetuar ndjenjat e përshkruara më lart dhe në sa raste ato ia keni arsyetuar vetes dhe të tjerëve duke i quajtur me eufemizma, me emra më të bukur. Gjithçka për ta arsyetuar veten, para vetes dhe para tjetrit.
Imazhi i ballinës: K2.0.
Ky publikim është prodhuar në bashkëpunim me forumZFD. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e forumZFD.