Green Deal, e kemi një problem - Kosovo 2.0

Green Deal, e kemi një problem

Dekarbonizimi i plotë deri në vitin 2050, skenar i vështirë.

Nga Uran Haxha — 27/11/2024

Sa herë që flitet për emetimin e karbonit dhe gazrave tjerë serrë, që lirohen nga djegia e qymyrit, Kosova është nën një llupë kritike. Si një prej vendeve të vogla të Ballkanit, që shpinën e ka të mbështetur ende në stabilimentet e dy termocentraleve që tashmë do të duhej të ishin në pension, Kosova ndodhet në një moment kyç për të ardhmen e saj energjetike. 

Siguria energjetike e Kosovës lidhet kokë e këmbë me gjeneruesin bazë — termocentralet me bazë qymyri që gjenden pak kilometra larg kryeqyetetit, në Obiliq. Termocentrali “Kosova A”, i ndërtuar në vitet e ’60-a dhe “Kosova B”, i ndërtuar në vitet e ’80-a vazhdojnë të prodhojnë energji duke djegur qymyr. Prej ndërtimit të tyre, rezervat e mëdha të qymyrit kanë furnizuar pothuajse çdo aspekt të jetës. Por, dy nga pesë blloqet e “Kosova A”, A1 dhe A2, nuk janë në funksion prej kohësh dhe mbesin veç relikte gjigante hekuri me motor e rotor pa asnjë funksion.

Nga paslufta nga qeveritë e njëpasnjëshme ishte planifikuar e diskutuar zëvendësimi i termocentraleve A dhe B me një termocentral të ri “Kosova e Re”. Në dekadën e parë të pasluftës, me mbështetjen e Bankës Botërore (BB), projekti i termocentralit të ri do të ndërtohej nga investitorët e “Contour Global”, një kompani botërore për prodhimin e energjisë me seli në Londër, Angli. 

Marrëveshja u nënshkrua në vitin 2018 dhe ndërtimi parashihej të niste në periudhën midis viteve 2021-2022. Kapacitetet e termocentralit të ri me 500 MW do të mundësonin mbylljen e tërësishme të “Kosova A” dhe investimin në filtra të “Kosova B”, i cili do të përdorej në fazën tranzicionale deri sa Kosova të kishte mjaftueshëm burime të ripërtëritshme të energjisë. Nga investitorët dhe qeveria e atëhershme e udhëhequr nga koalicioni PAN (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën), thuhej se termocentrali i ri ishte planifikuar që të ndërtohej me teknologji të re, larg prej asaj ekzistuese në Korporatën Energjetike të Kosovës, ndërmarrjen e vetme publike për gjenerim të energjisë në vend. Ata këmbëngulnin se do të kishte emetimin shumë të vogël të gazrave serrë. 

Por, ky projekt ishte kundërshtuar kategorikisht nga shoqëria civile në Kosovë pasi, sipas tyre, ndërtimi i një termocentrali të ri me bazë në qymyr vuloste vazhdimin e karbonizimit në Kosovës dhe do të rriste shumën që qytetarëve do t’u duhej ta paguanin për energji elektrike për ta mbuluar koston e investimit. 

Në vitin 2018, BB u tërhoq nga mbështetja e marrëveshjes, e pas një sage të gjatë diskutimet pro et contra, në vitin 2021, edhe investitorët “Contour Global” u tërhoqën nga projekti dhe paditën shtetin e Kosovës për mos-respektim të kushteve. Kjo bëri që, në emër të energjisë së gjelbër, Kosova të mbes pa termocentral të ri. Por, Kosova mbeti po ashtu e mbështetur në dy termocentrale, që përfaqësojnë një nga emetuesit më të mëdhenj të gazrave serrë për frymë në Evropë. 

Kostoja mjedisore e termocentraleve është shkatërruese për shëndetin e qytetarëve, me ndotjen e ajrit në Prishtinë, Fushë Kosovë e Obiliq, që shpesh tejkalon shumëfish nivelet e rrezikshme. Me ardhjen e stinëve të ftohta, sytë fillojnë të shohin “bardhë e zi” në qiellin e Prishtinës. Emetimit të gazrave serrë nga termocentralet, i shtohen edhe ato të makinave që në masë dërrmuese ushqehen nga lëndët djegëse si nafta e benzina.

Termocentralet lirojnë shumëfish më shumë
pluhur e gazra serrë se sa niveli i lejuar

Burimi: Raporti Bankwatch 2024.

Ndërkohë, kërkesa për energji po rritet prej vitit në vit. Tradicionalisht, në Kosovë dimri ka qenë gjithmonë i vështirë në aspektin energjetik për shkak të rritjes së nevojës së energjisë për ngrohje. Mirëpo, me ndryshimet klimatike, kërkesa për energji po rritet edhe verës. Me vera më të nxehta dhe valët e të nxehtit që zgjasin me javë të tëra, kondicionerët freskues po bëhen përditë e më të domosdoshëm për familje e biznese shërbyese. Kjo e sfidon sistemin energjetik meqë nuk mund ta mbulojë plotësisht konsumin e brendshëm.

Mungesa e investimeve kapitale energjetike që do t’i mundësonin Kosovës t’i diversifikojë burimet e energjisë në mënyrë domëthënëse e ka bërë të brishtë sigurinë energjetike. Gjenerimi i brendshëm i energjisë nuk arrin ta mbulojë kërkesën dhe varësia në import të energjisë po rritet. Vetëm në vitin 2023, kërkesa për import u rrit për 45% në krahasim me 2022. Në baza vjetore, konsumi i energjisë mbulohet më shumë prej importit se sa prej energjisë që vjen nga burimet e ripërtëritshme. 

Për ta mbuluar nevojën e vazhdueshme e në rritje për energji elektrike pa u varur vetëm nga qymyri, qeveria e Kosovës po synon të investojë në burimet e ripërtëritshme të energjisë (BRE), efiçiencën e energjisë në ndërtesat publike e në sektorët rezidencialë dhe komercialë, si dhenë filtra për termocentralet aktuale. 

Cilët sektorë lirojnë më shumti gazra serrë në Kosovë?

Burimi: Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit

Qeveria e Kosovës nuk parasheh asnjë gjenerues të ri të energjisë me bazë në qymyr dhe është zotuar për dekarbonizim të plotë deri në vitin 2050. Por, në bazë të ritmit të ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese nga burimet e ripërtëritshme, zotimi i qeverisë është skenar vështirë i realizueshëm. 

E teksa lufta kundër karbonit është një ndër sfidat më të mëdha globale të këtij shekulli, organizatat ndërkombëtare shpeshherë kërkojnë masa të ngjashme për dekarbonizim si ndaj shteteve të mëdha që janë kontribuesit kryesorë në ndryshimet klimatike, si ndaj vendeve të vogla që pavarësisht pjesëmarrjes së vogël në emetimin e karbonit, vuajnë më së shumti pasojat e ndryshimeve klimatike. Ngjashëm edhe për Kosovën. E ndihma financiare që Kosova merr për të përbirë këto masa të reja dhe nisma globale janë të vogla. Me integrim të kufizuar në organizata ndërkombëtare si Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), që prijnë në luftën drejt dekarbonizimit, Kosova kufizohet financiarisht në përpjekjet globale për dekarbonizim.

Caqe e obligime globale, kapacitete lokale

Në rrugën drejt dekarbonizimit të plotë, sfida kryesore e Kosovës është si ta bëjë tranzicionin nga qymyri në burime të ripërtëritshme. Si ekonomi në zhvillim, kufizimet financiare e kufizojnë kapacitetin për të mbështetur projekte të mëdha të energjisë së ripërtëritshme. Gjithashtu, nevoja për të ruajtur sigurinë për furnizim me energji dhe përballueshmërinë e çmimeve gjatë periudhës së tranzicionit në burime të ripërtëritshme e ndërlikon më tej largimin nga sistemet e bazuara në qymyr.

Pavarësisht këtyre faktorëve, Kosova ka marrë përsipër zotime e obligime për dekarbonizim në nivel ndërkombëtar, disa prej të cilave janë parakushte qenësore në rrugën e saj për integrimin në BE.

Në vitin 2020, Kosova u bë pjesë e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, një kornizë strategjike e miratuar nga BE që synon të përafrojë rajonin me Marrëveshjen e Gjelbër të Bashkimit Evropian. Liderët e Ballkanit formalizuan zotimin për zbatimin e Agjendës së Gjelbër me miratimin e Deklaratës së Sofjes.

Nga kjo agjendë dalin kushte dhe obligime specifike që përkthehen mëtutje si caqe për secilin vend anëtar. Përmes Deklaratës së Sofjes, liderët u zotuan për ulje të konsiderueshme të emetimeve të karbonit, zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme dhe rritjen ekonomike të qëndrueshme.

Këto zotime janë sfidë jo e lehtë për Kosovën pasi qymyri ushqen të gjitha industritë, sfidë të cilën e identifikoi për K2.0 edhe Komuniteti i Energjisë (KE). KE është një organizatë ndërkombëtare që bashkon BE dhe shtetet që synojnë integrimin në BE për të krijuar një treg të integruar pan-evropian të energjisë. Organizata u themelua me Traktatin për Themelimin e Komunitetit të Energjisë, i nënshkruar në tetor të vitit 2005 në Athinë, Greqi, dhe që hyri në fuqi në korrik 2006. Objektivi kryesor i KE është të zgjerojë rregullat dhe parimet e tregut të brendshëm të energjisë të BE në vendet e Evropës Juglindore, rajonin e Detit të Zi dhe më gjerë, bazuar në një kornizë ligjërisht detyruese. 

Kosova, si nënshkruese e këtij traktati, ka marrë përsipër obligime që tashmë duhet t’i zbatojë. Në vitin 2022, Këshilli i ministrave të KE vendosi caqe deri në vitin 2030 që përfshijnë reduktimin e emetimet e gazrave serrë, rritjen e pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme në konsum final, dhe kufizimin e konsumit primar të energjisë.  Të përkthyera për sektorin e energjisë në Kosovë, këto caqe synojnë që deri në vitin 2030, 32% të energjisë konsum të jetë nga BRE-të.

Si mbulohet prodhimi i energjisë elektrike dhe cilat janë synimet?

Këto caqe në Kosovë janë reflektuar në dokumentin e Planit Kombëtar për Klimë dhe Energji (PKKE), që është ende në nivel drafti, e që vjen si obligim nga Këshilli Ministror i KE. Këta të fundit gjatë konsultimit për draftin e fundit me qeverinë e Kosovës, kanë kërkuar nga Kosova të finalizojë edhe Udhërrëfyesin për Tranzicion të Drejtë, duke nënvizuar se progresi i vendit drejt objektivave klimatike të vitit 2030 do të varet shumë nga mënyra se si planifikohen dhe zbatohen ndryshimet e qëndrueshme në sektorin e energjisë. 

Në një bisedë me K2.0, nga zyra për komunikim e KE kanë thënë se drafti i tanishëm i PKKE parasheh që energjia e bazuar në qymyr të dominojë deri në vitin 2040 dhe nuk jep asnjë datë të përcaktuar për largimin e qymyrit. Kjo e kontradikton vetë zotimin e qeverisë për dekarbonizim të plotë deri në vitin 2050.

“Për më tepër, mungesa e një Udhërrëfyesi për Tranzicion të Drejtë ka krijuar pasiguri në lidhje me aftësinë e Kosovës për të kaluar në mënyrë të barabartë drejt burimeve më të pastra të energjisë”, thanë nga KE për K2.0. Një draft i dytë i PKKE, doli në konsultim në fund të nëntorit dhe pritet t’i dërgohet Sekretariatit të KE.

Për t’i arritur caqet e vendosura nga KE deri në 2030, Kosovës i duhet ta trefishojë pjesëmarrjen e BRE në energjinë e konsumuar nga 12% në 32%. Qeveria e Kosovës beson që këto caqe janë të arritshme, duke i zbatuar dokumentet e tyre sikur Strategjia për Energji dhe Plani Kombëtar për Klimë dhe Energji, vetëm nëse mbështetja do të jetë ndërsektoriale. 

Nga vjen energjia elektrike që e konsumojmë dhe cilat janë synimet?

Por, angazhimi praktik për të arritur caqet e vendosura nuk është në ritmin e nevojshëm, sipas Agron Demit, drejtor i Balkan Green Foundation, organizatë që avokon për energji të gjelbër në Kosovë.

“Në letër janë vendosur synime ambicioze, por zbatimi si gjithnjë mbetet i ngadalshëm, politikat shpesh ndryshojnë për shkak të mungesës së një qasjeje të qëndrueshme dhe të integruar”, thotë Demi. Organizata që ai përfaqëson dhe të tjera ftohen për të marrë pjesë edhe në diskutime, të cilat kanë synim koordinimin me masa dhe veprime për hapa të mëtutjeshëm në këtë tranzicion, por zëri i tyre pak merret parasysh.

E teksa Kosova s’është e integruar në BE, ajo prapë mund të ndikohet nga masat që merren në nivel të BE-së për shtetet anëtare, si në rastin e Mekanizmit për Rregullimin e Karbonit në Kufi (C-BAM). Kjo e fundit është një masë që synon të vendosë një çmim për karbonin e emetuar gjatë prodhimit të mallrave me intensitet të lartë karboni.

Për shembull, një ndër nismat e shteteve që janë pjesë e OKB është që ta zbatojnë taksën e karbonit që shtetet individualisht e vendosin për kompanitë vendore që emetojnë karbon. BE e bën të njëjtën gjë, por shumë nga mallrat që importohen në vendet e BE vijnë nga vendet që nuk kanë taksë karboni, si Kosova. BE synon ta rregullojë këtë me zbatimin e C-BAM. Ky mekanizëm synon të parandalojë “rrjedhjen e karbonit”, pra t’i parandalojë kompanitë ta zhvendosin prodhimin në vende me politika më pak të rrepta klimatike, dhe të inkurajojë prodhimin industrial më të pastër në vendet jashtë BE.

Kjo masë pritet të hyjë në fuqi nga janari 2026 nga BE për të gjitha vendet që eksportojnë në BE dhe sektorët që do të ngarkohen me këtë tarifë janë prodhuesit e hekurit dhe çelikut, çimentos, plehrave kimikë, aluminit, energjisë elektrike dhe hidrogjenit.

Efektet e C-BAM do të ndihen tek eksportuesit e Kosovës në BE, pasi do t’u rritet kostoja e prodhimit dhe çmimi i shitjes. Sipas Bujar Pirajt nga Instituti Riinvest, sektorët kryesorë të eksportit, si metalurgjia dhe prodhimi i çimentos, do të detyrohen të përshtaten për të mbetur konkurrues. 

Për më tepër, rritja e tarifave mund të pengojë investimet e huaja direkte për shkak të varësisë së madhe të Kosovës nga energjia elektrike e gjeneruar nga qymyri. “Kosovës do t’i shtohet edhe një problem për absorbimin e investimeve të huaja direkte,” thotë Piraj, duke këmbëngulur për investim në një ambient të favorshëm për teknologjitë e gjelbërta.

Por, Agim Mazreku, këshilltar i jashtëm në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, minimizon ndikimin e C-BAM mbi ekonominë e Kosovës, duke përmendur prezencën e ulët të kompanive eksportuese të prekura nga kjo masë. “Ndikimi në industrinë e Kosovës nga C-BAM do të jetë më i vogël se 1% e GDP-së,” thotë ai.

Në këtë kontekst, përcaktimi i një takse karboni brenda Kosovës mbetet një masë e rëndësishme, por ende e pazbatuar. Strategjia e Energjisë së Kosovës parashikon krijimin e një fondi për tranzicion të drejtë nga të ardhurat e taksës së karbonit, por progresi ka qenë i ngadaltë. Nga KE rekomandohet që kjo masë të implementohet sa më parë. “Zbatimi i një sistemi të taksës të karbonit do të ndihmonte në uljen e emetimeve dhe sigurimin e burimeve të brendshme financiare për një tranzicion të drejtë dhe të qëndrueshëm,” thanë ata për K2.0.

Përveç obligimeve rajonale e në nivel të BE, Kosova ka ndërmarrë vullnetarisht hapa për harmonizimin e përpjekjeve për dekarbonizim në bazë të Marrëveshjes së Parisit sipas së cilës rritja e temperaturës globale duhet të mbahet deri në 1.5 gradë më shumë se në periudhën para industriale. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është bazë për konferencën më të madhe globale kundër ndryshimeve klimatike COP (Conference of Parties, në shqip, Konferenca e Palëve).

COP29 këtë vit u mbajt në Baku të Azerbajxhanit nga 11 deri më 22 nëntor dhe për temë kryesore pati financimin e luftës ndaj ndryshimeve klimatike. Shtetet anëtare të COP29, mund të përfitojnë deri në 100 miliardë euro në përpjekjet e tyre drejt dekarbonizimit. Mos-anëtarësimi i Kosovës në OKB, e përjashton vendin nga ky fond. 

Konferenca e Kombeve të bashkuara për Ndryshime Klimatike COP29

 

COP29, që u mbajt në Baku ishte e fokusuar në marrëveshjen financiare që do të marrin vendet në zhvillim për të lehtësuar tranzicionin e tyre që të heqin dorë nga burimet fosile të gjenerimit të energjisë dhe përshtatjen me ndryshimet klimatike.

Aty u dakordua që të trefishohet financimi për vendet në zhvillim, nga objektivi i mëparshëm prej 100 miliardë dollarësh në vit, në 300 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2035. Gjithashtu është siguruar përpjekja e të gjithë akterëve për të punuar së bashku në rritjen e financimit për vendet në zhvillim.

COP29 gjithashtu arriti të përfundojë negociatat shumëvjeçare për tregjet e karbonit sipas Neneve 6.2 dhe 6.4 të Marrëveshjes së Parisit, duke krijuar një kuadër të fortë për tregtimin ndërkombëtar të kredive të karbonit. Këto mekanizma do të sigurojnë integritetin mjedisor dhe do të përfitojnë vendet më pak të zhvilluara përmes ndihmës për ndërtimin e kapaciteteve dhe mbështetjes financiare.

COP29 ka kaluar me shumë polemika, përfshirë daljen e një regjistrimi ku shteti nikoqir Azerbexhani kishte përdorur këtë konferencë për të negoicuar me vende tjera për marrëveshje të shitjes së gazit dhe naftës. Gjithshtu, edhe marrëveshjet e arritura janë konsideruara si të “pamjaftueshme dhe të vona” nga vendet kryesisht afrikane. 

Marrëveshja e Parisit, e cila ka vendosur caqet botërore për reduktim të karbonit, në të cilën Kosova nuk ka qenë palë nënshkruese, kërkon që çdo vend të përshkruajë dhe të komunikojë veprimet e tyre klimatike pas vitit 2020, përmes një dokumenti të njohur si NDC (Nationally Determined Contributions, në shqip: kontributet e përcaktuara kombëtare). Këtë dokument, qeveria e Kosovës e ka përpiluar vullnetarisht.

I prezantuar në COP29, nga vetë Mazreku, NDC e Kosovës thotë se deri në vitin 2030 do të reduktojë 42% emetimet e karbonit krahasuar me vitin 2016. Për ta arritur këtë, sipas dokumentit, Kosovës i duhen 4.8 miliardë euro, prej të cilave i mungojnë 3 miliardë. 

Kjo do të thotë se vendit i mbesin edhe pesë vite për të siguruar 3 miliardë euro për t’i arritur caqet e synuara. Teksa është e pamundur që kjo të mbulohet me buxhetin shtetëror, i cili për vitin 2025 është projektuar të jetë 3.6 miliardë euro — Kosova do të kthejë kokën kah kreditë në BB e Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe asistencat financiare nga BE, MCC e organizata tjera. 

Mungesa e financimit të nevojshëm shihet si problemi kryesor nga Mazreku, si këshilltar i cili merret direkt me angazhimin e qeverisë në luftën për ndryshime klimatike dhe tranzicion. Mazreku thotë se teksa gjatë viteve të fundit, Kosova ka konsoliduar bazën ligjore si me nxjerrjen e Ligjit për Ndryshime Klimatike dhe së fundmi ligjin për promovim të BRE, e me themelimin e këshillave ndërministrorë që do të merren me zbatimin e kësaj kornize, ngecja kryesore mbetet financimi për zbatim.

“Shumicën e fondeve multiraterale në nivel global, e kemi të pamundur me i marrë ose me pasë qasje. Është keq sepse këto janë fonde që janë si grante, jo si kredi prej institucioneve ku jemi ndërkombëtare, për shembull te FMN apo Banka Botërore”, thotë Mazreku.

Në rast se Kosova do të kishte mundësi të merre grante për financimin e masave kundër ndryshimeve klimatike, nuk do të implikohej financiarisht, në kuptimin që s’do t’i duhej t’i kthente fondet. Por, në rastin e kredive, si për shembull në rastin e BB apo FMN, Kosova ngarkohet financiarisht për periudha të gjata kohore meqë thjesht merr borxh me kushte të caktuara.

Për shembull, BE është një ndër institucionet kryesore që financon nismat në vend përmes granteve, por edhe kjo u komplikua së voni. Në qershor të 2023, për shkak të mosmarrveshjeve në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, BE vendosi masa sanksionuese mbi Kosovën, duke ndërprerë financimin e projekteve kyçe.

Me më shumë se një vit ngecje në ato projekte, rruga për këto caqe do të zgjatet.

Pavarësisht presionit të këtyre dokumenteve të përvetësuara, përparimi në iniciativat për energji të gjelbër ka qenë i ngadalshëm. Investimet në infrastrukturën e ripërtëritshme me kapacitete më të mëdha ende nuk duken në horizont, aq sa për ta bërë dallimin e madh me burimet tradicionale.

Për dallim nga vitet e kaluara, sipas raportit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), agjenci e pavarur publike që rregullon sektorin e energjisë, në vitin 2023 nuk ka pasur asnjë kërkesë për licencim të aktivitetit të prodhimit të energjisë mbi 5MW nga linjiti, era, uji, solare, biomasë, ani pse sipas tyre kërkesa për informacione për këto kapacitete ka pasur në vazhdimësi. Kjo e dhënë nga rregullatori tregon se përzirja e burimeve të energjisë është një sfidë e vërtetë. 

Diversifikimi i burimeve të energjisë e fokusuar në burime të ripërtëritshme varet shumë nga kompozicioni natyror dhe mundësive që janë në terren. Përderisa krejt vonë në Kosovë ka filluar gjenerimi i energjisë nga dielli dhe era, gjenerimi i energjisë nga burimet ujore ka qenë pikënisja e sistemit energjetik në Kosovë.

SOWI Parku i enegjerisë me erë në Bajgorë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Rruga e ngadalshme e BRE

Historia e energjisë në Kosovë ka nisur me energji prej burimeve të pastra. Hidrocentralet e para datojnë në vitet ’30-ta, para termocentraleve. Nevojat e atëhershme për energji elektrike të një popullësie afro gjysmë-milioni ishin të pakta. Pothuajse e gjithë ekonomia ishte e bazuar në bujqësi dhe bagëti, teksa nuk kishte industri të zhvilluar, me përjashtim të kombinatit të Trepçës, që ishte gjigant industrial në Ballkan në nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve të plumbit, zinkut dhe argjendit. 

Burimet e vetme që mund të përdoreshin në rajonin shumë të varfër ishin burimet ujore në lumenjt më të mëdhenj dhe të rrëmbyeshëm. Hidrocentralet në rrafshin e Dukagjinit — si hidrocentrali i Radavcit, Burimit, Dikancit e Lumbardhit — ishin baza e energjisë elektrike në Kosovë. Të gjitha këto hidrocentrale bashkë bëjnë diku 13 MW kapacitete të instaluara, e disave ende u sillet turbina nga fuqia e ujit. Hidrocentrali tjetër i ndërtuar në ato vite është ai në liqenin e Ujmanit, që edhe sot përbën gjysmën e të gjithë energjisë së gjeneruar nga hidrocentralet. Por, me rezervat e mëdha të thëngjillit, ardhja e termocentraleve në vitet ‘60-a në spektrin energjetik të Kosovës, i la jashtë planeve hidrocentralet.

Do të kalonin dekada dhe tek në 2009 hidrocentralet u rikthyen në projektet qeveritare.

Fillimi i gjithë kësaj qasjeje ishte në Strategjinë e Energjisë të Republikës së Kosovës 2009-2018, ku planifikohej investimi në gjenerimin e energjisë përmes burimeve ujore, me mbështetje nga qeveria nëpërmes Tarifave Nxitëse (Feed-In). Politika e Qeverisë së Kosovës atë kohë ishte nxitja për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla me investime nga sektori privat, duke licencuar të drejtën për shfrytëzim të ujit për prodhim të energjisë. Kush aplikonte i pari, licencohej i pari nga institucionet e vendit. Në fund, investitorët e kualifikuar e kishin çmimin e garantuar të shitjes dhe institucionet e vendit, në këtë rast Operatori i Sistemit dhe Transmisionit (KOSTT), blente energjinë e gjeneruar.

Në shikim të parë, gjithçka dukej shpresëdhënëse. Në bazë të studimeve të parafisibilitetit për burimet ujore për hidrocentrale të vegjël, në Kosovë ishin identifikuar 77 lokacione. Por, ndërtimi i hidrocentraleve shumë shpejt ngriti alarm për dëmet në ekosistem dhe jetën e komuniteteve pranë tyre. Pasojat e këtij projekti në to ishin shpërfillur gjerësisht nga investuesit privatë.

Hidrocentralet që nisën të ndërtoheshin prej vitit 2012 nëpër përrocakt dhe lumenjtë e Kosovës, po mbysnin ekosistemin — punimet e ashpra nëpër bjeshkët e fushat e vendit nuk tregonin asnjë mëshirë ndaj natyrës. Banorët u zemëruan dhe zgjodhën protestën si simbol rezistence.

Rezistenca ndaj ndërtimeve të hidrocentraleve bëri bashkë serbët e shqiptarët në zonën e Shtërpcës. Projekti për energji të gjelbërt nga hidrocentralet nuk u zbatua plotësisht “gjelbërt” dhe kjo epokë përfundoi, duke lënë lumenj të dëmtuar nga hidrocentralet. Rikthimi i ambientit në gjendjen e mëparshme, që përcaktohej me lejen mjedisore, nuk u bë kurrë si duhet. 

Kapacitetet e vogla për gjenerim të energjisë ishin në përpjesëtim të zhdrejtë me dëmin që e shkaktuan. Prej këtyre hidrocentraleve, 18 vazhdojnë të gjenerojnë energji, dhe bashkë me hidrocentralet më të vjetra, ato kontribuojnë vetëm 3% në energjinë e përgjithshme — ku udhëheq hidrocentrali në liqenin e Ujmanit.

Teksa investimi në hidrocentrale nuk vazhdoi tutje, qeveria e tanishme ka kthyer vëmendjen te energjia diellore dhe ajo me erë. 

Me kapacitetet e kufizuara për të ndërtuar kapacitete gjeneruese të burimeve të energjisë së ripërtëritshme, qeveria e Kosovës mban shpresë se tërheqja e investitorëve përmes skemave mbështetëse mund t’i ndihmojë t’i arrijë caqet e vëna.

Në pjesën e parë të këtij viti, u mbajt ankandi i parë i energjisë solare. Ankandet i referohen proceseve ku kompani të ndryshme ofertojnë për ndërtim kapacitetesh për gjenerim të energjisë.

Kosova tashmë ka përfunduar me sukses ankandin e parë të energjisë solare me kapacitet 100MW të instaluara. Qeveria ka siguruar tokën për ndërtim dhe ka garantuar çmimin e blerjes së energjisë. Pasi  kanë aplikuar disa kompani, ankandi i transmetuar në kohë reale dhe i hapur për publikun, gjeti fituesin e vet me një çmim më të ulët sesa çmimi i garantuar. 

Por, anipse ankandi është përmbyllur në pjesën e parë të vitit, ende nuk ka nisur puna në terren. 

Tash qeveria po planifikon të zhvillojë një ankand në fund të vitit 2024 për 150 MW energji të erës që do të zhvillohet në dy llote dhe projekti do të jetë investim i përbashkët mes qeverisë dhe subjekteve private. Viteve paraprake, investimi në energjinë nga era solli dy projekte të mëdha. Në Bajgorë të Mitrovicës, parku i energjisë me erë “SOWI” më 2019 dhe “Air Energy Kitka” në 2018. Sipas ZRrE, energjia që gjenerohet nga projekti “SOWI”, përbën pothuajse gjysmën e të gjithë energjisë të gjeneruar nga BRE në vitin 2023.

Investimet në tranzicionin e gjelbër

 

Së fundi Kosova ka nënshkruar marrëveshje me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI), nga e cila ka marrë 33 milionë euro kredi dhe nga KfWw 29 milionë euro për ndërtimin e një parku solar me kapacitet 100 MW, ndërtimi i së cilës pritet të nis në vitin 2025. Ky park solar do të ndërtohet në hapësirat e mbushura me hi nga KEK. Sipas BE-së, ky projekt do të shmang rreth 174,000 tonë CO2 në vit.

Ndërkohë, një projekt që do të jetë më i madhi në rajon në formën e vet është ndërtimi i kapaciteteve të baterive të energjisë elektrike si pjesë e Programit Compact me MCC, që u nënshkrua në fillim të vitit 2024. Projekti do të themelojë edhe një ndërmarrje të re që do të quhet Korporata e Ruajtjes së Energjisë, e cila do të menaxhojë dy bateri me 125MW me kohëzgjatje 2 orëshe (250MWh), dhe KOSTT do të ketë në pronësi 45MW me kohëzgjatje 2 orëshe (90MWh).

SOWI Parku i enegjerisë me erë në Bajgorë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ndërkohë, Komuniteti i Energjisë thekson nevojën për hapa të tjerë rregullatorë, siç janë vendosja e udhëzimeve të qarta për ankandet dhe një plan tre-vjeçar ankandesh. Sipas tyre, kjo do t’u siguronte investitorëve një parashikueshmëri dhe qartësi më të madhe në peizazhin e ardhshëm të energjisë së ripërtëritshme, duke siguruar një kuadër të qëndrueshëm për investime afatgjata dhe duke ndihmuar për të tërhequr më shumë pjesëmarrje të sektorit privat në treg. Përpos mungesës së planit tre-vjeçar për ankande, puna e qeverisë në hapjen e ankandeve ka qenë e ngadaltë. Nëse procedurat për ankandin me erë përfundojnë deri në janar 2025, atëherë i bie që qeveria ka realizuar vetëm dy ankande në katër vite. 

Aspekti tjetër i promovimit të energjisë së ripërtëritshme përmes vetë-konsumatorëve, si bizneset dhe qytetarët që instalojnë panele diellore si burim të energjisë, po e sheh lulëzimin e tyre. Megjithatë, edhe aty ka ngecje për shkak të procedurave të gjata burokratike që marrin deri në një muaj kohë. 

Si qytetarët, ashtu edhe bizneset duhet të marrin leje nga ZRRE. Qytetarët duhet të sigurojnë dëshmi të konsumit dhe prodhimit vjetor të energjisë, marrëveshje për kyçje me operatorin e sistemit, dhe pëlqimin e komunës për instalimin e pajisjeve për vetë-konsum, nëse kërkohet nga legjislacioni i ndërtimit. Ndërkohë, për biznese, procedura përbëhet nga 13 hapa ku kërkohen dokumente që lidhen me bordin e kompanisë, studime fizibiliteti teknik e financiar kur bëhet fjalë për prodhim energjie mbi 1MW dhe dokumente tjera. 

Në regjistrin e aplikuesve për vetëgjenerim si vetëkonsumatorë, që e ka publikuar ZRRE, figurojnë 718 aplikues që kanë marrë autorizimin. Qeveria në këtë rast ka mbështetur qytetarët dhe bizneset duke i liruar nga pajisja me leje ndërtimore në rastet kur duan të instalojnë deri në 7kW. Procedurat janë edhe më burokratike për investitorë që duan të instalojnë gjenerues me kapacitet më të madh.

Por, ritmi i tanishëm e bën të pamundur arritjen e cakut të dekarbonizimit në vitin 2050. 

Sipas Arven Sylës, studiues i energjisë që tash po vazhdon studimet për doktoratë në Universitetin e Gjenevës, ecja më e shpejtë në këtë drejtim është shumë e nevojshme, sepse vjetërsia e termocentraleve rrezikon qëndrueshmërinë e tanishme.

“Ne nuk mund të varemi totalisht në to. Çdo intervenim në termocentrale ka efekt për qytetarët, sepse duhet importuar energji, ajo më pas reflekton në tarifa dhe preket direkt xhepi i qytetarëve”, thotë ai. “Përpos kësaj edhe procedurat e gjata për ndërtim të kapaciteteve, çfarëdo qofshin ato, duhet të jenë indikator që të ecet më shpejt.”

Teksa projektet për instalim të kapaciteteve të reja gjeneruese të BRE po shkojnë ngadalë, viteve të fundit, qeveria në bashkëpunim me BE dhe donatorë tjerë, po synon ta parandalojë dhe reduktojë nevojën për energji përmes zbatimit të masave efiçiente të energjisë. 

Efiçienca e energjisë

Në përgjithësi, objektet në Kosovë, qofshin ato komerciale apo për banim, nuk janë ndërtuar me izolim të duhur, duke rritur kërkesën për energji elektrike sidomos gjatë muajve të ftohtë. Për këtë arsye, me reduktimin e nevojës për energji, do të uleshin edhe kostot operative për bizneset dhe çmimet e faturave për familjet, duke e bërë më të lehtë kalimin në burime energjetike alternativa me karbon të ulët pa sakrifikuar rritjen ekonomike.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), që mbledh vendet anëtare të OECD, përmirësimet në efiçiencën e energjisë mund të kontribuojnë mbi 40% të reduktimeve të nevojshme për të përmbushur objektivat e Marrëveshjes së Parisit. 

Kriza energjetike që kishte kapluar gjithë Evropën, pas pushtimit në shkallë të plotë rus në Ukrainë, bëri që në fillim të vitit 2022, qeveria e Kosovës të lansonte masat e para mbështetëse për qytetarët, për të rritur efiçiencën e energjisë duke subvencionuar ngrohjen nëpërmes pajisjeve efiçiente. Pas kësaj, në vitet në vazhdim, qeveria ka mbështetur edhe disa masa përmes thirrjeve të hapura për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset që të pajisen me pajisje efiçiente, por edhe me ndihmë në instalim të ngrohjeve, apo ndryshim të dritareve dhe izolimit të shtëpive.

Para dimrit të vitit 2024, qytetarët kanë mundur të aplikojnë për përkrahje për të izoluar çatitë dhe për të zëvendësuar dyert dhe dritaret te Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE). Ata mund të subvencionoheshin deri në 5,500 euro. Fondi total ishte 5 milionë euro. Thirrja organizohej me sistemin “kush aplikon i pari, shërbehet i pari”. Aplikimi u mbyll pas më pak se një jave sepse ishin mbushur kërkesat, që mund të mbështeteshin me atë fond. Kjo tregon një interes të shtuar të qytetarëve për t’u përshtatur me efiçiencën e energjisë për shkak të mundësisë së kursimit financiar.

Sa energji do të kursehet nga zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë në disa objekte në Ferizaj?

Burimi: Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Ministria e Ekonomisë, gjatë periudhës 2023 – 2024, po ashtu subvencioni blerjen e pompave termike, klimave efiçiente (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë), kaldajës me biomasë (dru, pelet, briket) dhe stufave individuale me biomasë. Kjo solli një kërkesë të lartë për blerje, por edhe ndikoi në rritjen e konsumit të energjisë gjatë verës, për shkak të përdorimit më të madh të pajisjeve që mund të përdoren jo vetëm për ngrohje, por edhe ftohje.

Të gjitha këto masa janë mbështetur nga donatorë të jashtëm si Bashkimi Evropian, Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Banka Botërore përmes Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), i cili u themelua në vitin 2019.

Përpos skemave mbështetëse për qytetarë dhe biznese, FKEE dhe MCC janë marrë më shumë me izolimin dhe përmirësimin e përformancës së ndërtesave publike. Masat e efiçiencës nëpër objekte publike, si objekte që shpenzojnë më shumë energji, janë një parapërgatitje për ngrohjen e tyre me energji më të pakët termike, rrjedhimisht edhe elektrike. 

Ndryshime të thjeshta, si përmirësimi i izolimit të ndërtesave, ose përshtatja e teknologjive me karburant efikas, mund të zvogëlojnë në masë të konsiderueshme emetimet e karbonit pa pasur nevojë për infrastrukturë të re të kushtueshme.

Kosova nuk ka një kod ndërtimi në nivel kombëtar, të cilit do të duhej t’i përmbaheshin ndërtuesit e objekteve rezidenciale apo komerciale. Kodi i ndërtimit do të vendoste kritere e standarde të ngjashme për secilin ndërtim të ri që t’i plotësonte kushtet e nevojshme për efiçiencë të energjisë. Në mungesë të kodit, ndërtuesit dhe investitorëti/pronarëti vendosin vetë se çfarë izolimi t’i vendoset shtëpisë, ndërtesës apo zyrës, çfarëdo qoftë lloji i objektit. Në këtë vijë qëndron ndërtimi pa leje i 300,000 objekteve deri në vitin 2017 në vend, që nuk kanë kaluar as në filterin më të vogël të standardeve të ndërtimit. Kështu, humbja e energjisë në këto ndërtesa është e lartë.

Teksa masat e eficiencës po zbatohen, paralelisht po vazhdon vrulli i hovshëm i ndërtimit në Kosovë, të cilat ndonëse tash posedojnë leje, sërish nuk janë të obliguara t’i përmbahen një kodi ndërtimi. Kështu, qeveria e Kosovës gjendet në moment kyç për të punuar strategjikisht në një kod ndërtimi që do ta shmangte nevojën për investim në masa efiçiente te ndërtimet e reja dhe t’i orientonte ato krejtësisht te ndërtimet e vjetra.

Në aspektin e bizneseve, qeveria ka ndihmuar pak në tranzicionin e tyre në pajisje apo linja prodhimi që janë efiçiente. Nuk ka pasur nisma, të cilat kanë shtyrë përpara ndërrimin e qasjes në prodhim të ndërmarrjeve të mëdha. 

Synimet e qeverisë aktuale për dekarbonizim në gjenerim të energjisë deri në vitin 2050 e për rritjen e gjenerimit të energjisë përmes BRE deri në 32% deri në vitin 2030 po shkon me hapa të ngadaltë. Hapat e ndërmarrë deri tash tregojnë për një storie më të ndërlikuar të dekarbonizimit. Me financim të kufizuar, rritje të kërkesës për energji, burokraci të tepërt për nxitjen e investimeve e hapa të ngadaltë në zbatimin e synimeve, viti 2050 mund ta gjejë Kosovën, në skenarin më të mirë, me ajër më pak të ndotur por ende me qymyrin në vijën e parë të prodhimit të energjisë.

Andaj, Green Deal, kemi një problem.



Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ilustrimet: Dina Hajrullahu / K2.0.

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.