“Hajt se e re je”, “Hajt se të duhet eksperienca”, “Hajt se mësohesh”, “Veç shnosh, se puna bohet”. Nuk e kam më të voglin dyshim që të gjithë i kemi dëgjuar këto fraza në punën tonë të parë.
Puna ime e parë nisi në shtator të vitit 2014, kur isha 20-vjeçare dhe po i vazhdoja studimet e dizajnit. Punova si asistente në një studio të dizajnit grafik. S’paguhesha aq, por ishte vetëm hapi i parë drejt profesionit tim.
Alarmin e lija shumë herët. Sigurohesha që ta respektoja orarin dhe të lija përshtypje të mira si punëtore e re. Përditshmëria ime ndërroi komplet. Ndryshoi orari i gjumit, s’kishte më dalje të momentit me shoqëri, tash gjithçka duhej të planifikohej paraprakisht. Çdo gjë sillej rreth ”kam punë nesër”. Më duhet ta pranoj, nganjëherë bëhej arsyetim që më nxirrte nga situata.
Detyrat e mia te para ishin asistimi në kërkesat e dizajnit që vinin kohë pas kohe, dizajne të tjera më të vogla ditore si dhe editimi i fotografive. Mendova se entuziazmi im do të vazhdonte, por isha gabim. Entuaziazmi që e pata ditëve të para sa vinte e zbehej. Volumi i punëve, presioni, puna që nuk ishte kompetencë e imja, ambienti toksik, kolegë që tentojnë të tregohen superiorë, e deri tek shikimet si objekt seksual ndaj punëtorëve të reja gra, filluan të ma rrënonin imazhin e bukur që kisha ndërtuar gjatë viteve të studimeve për konceptin punë.
Kjo situatë vazhdoi për 3-4 muaj. Mbërrita tek momenti kur e pyeta veten ”A është kjo çfarë vërtet kërkoj apo thjesht kompania nuk po i plotëson kërkesat e mia?”. Pyetje të tilla sa vinin e shtoheshin, kur mësova se paralel me konceptin e punës vijnë edhe konceptet e kontratës, sigurimeve, pushimeve vjetore.
E në punën time të parë “serioze”, këto mungonin. Sigurimet nuk më paguheshin, kontratë pune nuk kisha dhe pushime vjetore nuk më dhanë veçse disa ditë sa për të thënë. Mund të kem pasur mungesë të njohurive rreth ligjit të punës, por kur e mendoj, s’ka qenë asgjë më shumë se shfrytëzim i brishtësisë së të punësuarit nga ana e punëdhënësit, i cili i njihte mirë ligjet. Ashtu i konvenonte.
Ka patur edhe momente të çuditshme e të sikletshme. Mbaj mend punimet e mia të para të shfaqura në rrugë si billboard apo reklamë dhe emocionet për t’ua treguar njerëzve. Nuk e dija nëse ajo që po ndieja ishte frikë për t’u përballur me mendimet e tyre apo mos rastësisht do të vinin re ndonjë gabim. Në mend më vjen një shprehje që një profesor na thoshte thuajse çdo javë: “Gabimin e dizajnerit e shef bota”. Situata të sikletshme ishin edhe kur vinte puna me klientë, ku përshtypja e tyre e parë ishte që unë isha “e vogla”, e nuk më merrnin për seriozisht, pa e ditur që “e vogla” kishte kryer punë për ta.
Nga ana tjetër, fillova të mendoj e të pyes veten rreth punës sime të realizuar në marrëdhënie sime me mua si autore dhe studion. “Si qëndron puna e të drejtave të autorit?”, “Kush i merr këto të drejta, dhe a kam të drejtë publikimi për t’i bërë pjesë të portfolios?”. Në një situatë ideale, këto përgjigje do të gjindeshin në kontratën time të punës. Por unë s’kisha kontratë.
Punën e lash pas 10 muajsh. Por presioni dhe shija e keqe që përvoja e punës së parë ma dha, duket se më përcolli edhe më pas, sidomos mendimi se të njejtin mjedis dhe trajtim do të mund ta gjej edhe në aplikimin e ardhshëm.
Mund të ankohem sa të dua për përvojën e punës së parë, mirëpo nuk mund t’i mohoj ato që kjo periudhë m’i mësoi. Më mësoi që duhet të përballem dhe të përfitoj më të mirën nga çdo situatë.