Në Kuvendin e Kosovës, përfaqësimi i komuniteteve jo-shumicë është rregulluar përmes kuotave të posaçme. Këto kuota janë një mekanizëm për të siguruar përfaqësimin e përgjithshëm të komuniteteve në Kuvend, duke ndihmuar në pjesëmarrjen e tyre të barabartë në proceset politike të vendit.
Megjithatë, komunitetet jo-shumicë vazhdojnë të jenë të papërfaqësuara. Pjesëmarrja e tyre në proceset vendimmarrëse ende nuk është e dukshme dhe e drejtpërdrejtë, ndërkohë që kuotat shpesh përdoren thjesht për të plotësuar numrat, pa u angazhuar vërtet për të përfaqësuar nevojat dhe interesat e njerëzve.
Kjo mungesë e pjesëmarrjes aktive mund të shkaktohet nga mungesa e informacionit, edukimit politik dhe mundësive reale për të ndikuar në proceset politike, duke sjellë ndjenjën e përjashtimit dhe mohimit të rolin e tyre në jetën politike. Aktivizmi politik për romët, specifikisht, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për të siguruar përfaqësimin dhe mbrojtjen e tyre në shoqëri. Duke qenë pjesë e proceseve politike, ata kanë mundësinë të ndikojnë në hartimin e politikave, që u shërbejnë interesave të tyre dhe të luftojnë kundër diskriminimit dhe paragjykimeve shpesh të drejtuara ndaj tyre. Kjo pjesëmarrje përfaqëson një hap drejt diversitetit dhe përfshirjes së të gjitha grupeve në shoqëri, duke kontribuuar në ndërtimin e një mjedisi të drejtë dhe pluralist.
Hyrja e një qytetari rom në politikë
Në Kosovë, shpesh vërehet instrumentalizmi i kuotave politike për përfitime personale. Këto kuota përdoren nga individët si mjet për të siguruar mbështetje elektorale, duke shpërdoruar përfaqësimin e komuniteteve për qëllime personale. Rezultati i kësaj praktike është thellimi i ndarjes dhe ndjenja e diskriminimit për pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptan.
Po ashtu, disa politikanë nga radhët e komuniteteve jo-shumicë politikën e shohin si një garë për të fituar vendet e rezervuara dhe aq. Jo rrallë pjesëtarët, që angazhohen në politikë, nuk kanë përgatitjen apo qëllimin për të kuptuar proceset politike apo për t’i shfrytëzuar ato për të mirën e komuniteteve, që janë të thirrur t’i përfaqësojnë. Duke mos bërë dallimin midis aspiratave personale dhe nevojave komunitare, politika dhe angazhimi në të rrezikon të marrë imazh të keq, duke shkurajuar kështu pjesëmarrjen e brezave të rinj dhe duke ulur besimin në fuqinë politike për ndryshim.
Mungesa e përfaqësuesve të duhur të komuniteteve jo-shumicë në pozitat politike mund të jetë rezultat i disa faktorëve kompleksë. Një prej tyre është përçarja politike dhe rivaliteti mes partive, gjë që mund të pengojnë përfshirjen e njerëzve të rinj në skenën politike. Konkurrenca dhe përqendrimi i pushtetit tek individë të caktuar në partitë më të vogla rome vetëm sa e vështirëson këtë.
Një faktor tjetër që ndikon është mungesa e integrimit të kuadrove të kualifikuara dhe të angazhuara në politikën rome. Duket se disa politikanë romë preferojnë individë që nuk kanë përvojë politike, sepse i perceptojnë si më të lehtë për t’u kontrolluar dhe për t’u përdorur për të përmbushur objektivat e tyre. Kjo tendencë për të zgjedhur individë pa përvojë politike mund të çojë në uljen e standardeve për integritetin dhe objektivitetin në politikën rome. Kjo nxit mungesën e besueshmërisë tek kandidatët dhe shkakton sfida në sigurimin e një përfaqësimi të drejtë dhe të besueshëm për komunitetin tonë në politikën lokale dhe qendrore.
Në këto rrethana, hyrja e një individi rom në skenën politike të Kosovës mund të jetë një sfidë dyfish më e vështirë. Prandaj, para se të vendosësh të futesh në politikë, është e rëndësishme të kuptosh thellësisht sfidat dhe pritjet me të cilat do të përballesh në këtë rrugë të vështirë dhe të përgatitesh për t’i kapërcyer ato. Roli i një politikani/je të komunitetit rom kërkon një ndërgjegje të thellë për përgjegjësitë që vijnë me të. Është e rëndësishme të ruash parimet dhe vlerat në ndërmarrjen e veprimeve, edhe në kushte të vështira. Duke u angazhuar në trajtimin e çështjeve të ndjeshme dhe duke paraqitur një qasje të re dhe të integruar, mund të jesh një ndër protagonistët që sjellin ndryshime pozitive për komunitetin tonë.
Në mënyrë të veçantë, duke ruajtur integritetin dhe duke u përqendruar në thelbin e diskutimeve, mund të jesh një zë i fuqishëm që ndikon në përfaqësimin dhe përmbushjen e nevojave të komunitetit rom në politikë. Në këtë mënyrë, politika e kuotave të rezervuara mund të shërbejë si një mjet për të rritur përfshirjen e komunitetit në shoqëri dhe për të sjellë përmirësime të rëndësishme në jetën e përditshme të romëve në Kosovë. Kjo është sidomos kritike, në një vend ku jeta e përditshme e romëve në shumë sektorë, si arsimi, shëndetësia, punësimi në Kosovë është sfiduese dhe kërkon angazhim të njëmendtë për ndryshim.
Nga dioptria ime politike, politikanët romë që janë pjesë e Kuvendit dhe Qeverisë shërbejnë si administratorë politikë, dhe në gjuhën tonë, i quajmë administratorë, pasi ata nuk kanë qasje të plotë në politikë. Ata shpesh paraqiten më shumë si administratorë sesa si udhëheqës aktivë në politikë. Janë të angazhuar kryesisht në menaxhimin e detyrave administrative dhe në zbatimin e politikave, duke u munguar kohë dhe mundësi për të përfaqësuar dhe ndikuar në politikat më të mëdha që kanë ndikim në jetën e komunitetit rom. Kjo mund të sjellë ndjenjën e përjashtimit nga proceset vendimmarrëse kryesore dhe mungesën e përfaqësimit të plotë të nevojave dhe interesave të komunitetit rom në debatet dhe politikat që kanë rëndësi për të gjithë shoqërinë.
Në këtë situatë, përfaqësimin politik të romëve në Kosovë e ka bërë shoqëria civile. Ka luajtur një rol të rëndësishëm në përfaqësimin të komunitetit rom, si në aspektin politik, edukativ, kulturor dhe të mirëqenies sociale. Përmes realizimit të programeve dhe nismave të ndryshme, shoqëria civile ka punuar krah për krah me komunitetin rom në përmirësimin e gjendjes së tyre në Kosovë gjatë dy dekadave të fundit.
Niveli i punës dhe ndikimit të organizatave të shoqërisë civile flet për nevojën për më shumë koordinim mes shoqërisë civile dhe përfaqësuesve politikë të komunitetit rom, duke përfshirë një përqendrim më të madh në dialog dhe veprime të përbashkëta për të përfaqësuar dhe ndihmuar në përparimin e të drejtave dhe jetës së komunitetit rom.
Në përfundim, për të pasur njerëzit e duhur në pozitat politike të komunitetit rom, është e rëndësishme të kemi një përkushtim të vazhdueshëm në përmirësimin e infrastrukturës politike dhe në ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme për të trajtuar dhe përkrahur kandidatët potencialë. Gjithashtu, duhet të punojmë në forcimin e besimit dhe përkrahjes së brendshme në politikë brenda komunitetit rom, duke i inkurajuar individët me aftësi dhe vullnet për të shërbyer dhe përfaqësuar në mënyrë të ndershme dhe të përgjegjshme interesat e tyre dhe të komunitetit në tërësi.
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.
Shfletoni zinën e plotë
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.