Jo secila derë është e mbyllur - Kosovo 2.0

Jo secila derë është e mbyllur

Një kuti ankesash si hap i parë drejt krijimit të një shkolle që i dëgjon nxënësit.

Nga Puhiza Shemsedini | 6 korrik 2024

“Mësuesi/esja është prindi dytë”, më tha nana para se të nisem në shkollë në ditën e parë të klasës së parë. “Ky është vend i dijes, i edukimit dhe rritjes”, na tha mësuesja në klasë. Mirëpo, fatkeqësisht ky vend u shndërrua në vendin ku u ndieva e merzitur, e neglizhuar dhe përjetova dhunë. 

Isha në klasën e shtatë kur një organizatë jo-qeveritare erdhi në shkollën tonë për të mbajtur një prezantim rreth të drejtave të fëmijëve. Prezantimi vazhdoi në formë të diskutimit, ku ne nxënësit filluam të diskutojmë se si arsimtarët tanë na drejtohen me fjalë si: “budallë, idiot, i paditur, mjerë baba yt për ty”. 

Diskutonim se si ne nxënësit shkonim rregullisht për t’ua blerë mëngjesin arsimtarëve e ndonjëherë madje edhe te rrobaqepësja për t’ua rregulluar pullat e këmishave. Se si këto i bënim nga frika se nëse refuzojmë, arsimtarët do të na hakmirren me notë. Se si arsimtarët ende e përdorin thuprën e hekurit e edhe shuplakat për ta mbajtur qetësinë në klasë a për ta ndëshkuar këdo që nuk i ka përfunduar detyrat. Se si ishim bërë aq imunë nga këto dukuri sa që nuk shihnim më ndonjë problem. Se si nuk kishe as kujt t’i drejtoheshe sepse funksiononim në një sistem që mbështeste dhunën dhe ku adoleshentët konsideroheshin si të paditur.

Atë ditë në prezantim mësova se secila shkollë duhet ta ketë Këshillin e Nxënësve dhe kutinë e ankesave. Shkolla jonë nuk kishte asnjërën. Ne ishim në një sistem ku menaxhmenti i shkollës bashkë me arsimtarët kanë pushtet absolut kundrejt nxënësve. Për ta kundërshtuar këtë situatë, isha e pasionuar me zemër që të kërkoj krijimin e një këshilli funksional të nxënësve, të cilët janë pjesëmarrës në vendimarrje të shkollës si dhe krijimin e një kutie te ankesave, ku nxënësit mund të shprehin pakënaqësitë. Ku zëri i tyre mund të dëgjohet mirëfilli. 

Me ndihmën e organizatës jo-qeveritare Nevo Koncepti, pas shumë përpjekjeve, shkolla jonë krijoi një Këshill të Nxënësve — u mbajtën mbledhjet me të gjithë kryetarët e klasave dhe më zgjodhën kryetare të Këshillit. Ekzistenca në letër e Këshillit të Nxënësve nuk ishte aq problem i madh për menaxhmentin dhe personelin. Duket sikur ishin mësuar të mjaftoheshin me gjëra që ishin vetëm në letër, por nuk dilnin kurrë në praktikë. 

Mirëpo, ndryshimi duhej të vinte. 

Si kryetare e Këshillit të Nxënësve, së pari, krijova një kuti të ankesave. Filluan menjëherë komentet nga mësimdhënësit, të tilla si: “Je lazdru shumë, po merresh me sende që nuk të takojnë ty e po don me ia qitë zanin e zi ksaj shkolle”. “Pse po don me u bo shpiun”? “Nesër dua ta takoj prindin, se edhe mësimin ke fillu me e lëshu, nuk je më nxënëse si ke qenë”. 

Ndihesha e sulmuar e më së shumti shumë e mjegullt. Në kokë më silleshin pyetjet: Çka kanë të bëjnë mësimet e mia me Këshillin e Nxënësve? Pse kontributi im për ta përmirësuar shkollën tonë po lexohet si shpiunazh? A thua do të më ulet nota tash? A thua a do ta kem mundësinë të recitoj prapë në program?

Megjithatë, vendosa të vazhdoj. Këmbëngula në funksionalizimin e kutisë së ankesave. Brenda një muaji, në kuti filluan të vendoseshin ankesa dhe kishte ardhur koha për ta hapur atë. 

Si ideja për krijimin e saj, ashtu edhe ideja për hapjen e saj nuk u pëlqente menaxhmentit. Më thanë se kutia ishte “pallavër”, “Nuk bën me i futë hundët aty ku s’duhet”, “Kutia e ankesave shfrytëzohet vetëm nga nxënësit që nuk duan të mësojnë”, “Nxënësit e mirë nuk ankohen”.

Përsëri e tronditur u ktheva në shtëpi. Telefonova organizatën Nevo Koncepti dhe ia tregova këtë ngjarje, këtë cikël të përpjekjeve të disa burrave për ta ndalur një fëmijë, një nxënëse 12-vjeçare nga një aktivitet që ishte i duhuri për shkollën. 

Me mbështetjen e kësaj organizate e vazhdova përpjekjen time me ankesa, derisa më në fund kutia u hap. Ankesat në kuti ishin të shumta, ato adresonin problematika prej cilësisë së ulët të mësimit deri te dhuna fizike e psikologjike. Mora premtime që ankesat do të diskutoheshin e trajtoheshin. 

Kutia e ankesave vazhdoi të ekzistonte për vitet, që unë isha pjesë e shkollës, mirëpo sa po merreshin parasysh këto ankesa ishte e vështirë të tregohej — ndryshimi rrënjësor kërkon angazhimin aktiv të të gjithëve, sidomos të menaxhmentit të shkollës dhe strukturave tjera vendimmarrëse në fushën e arsimit.

Unë dhashë më të mirën time, në një proces që la ndikim në shëndetin tim mendor e edhe në marrëdhëniet me shokët e shoqet e klasës. Mirëpo, derisa disa më gjykonin, mbështetja e të tjerëve ishte frymëzuese. Shokë e shoqe, pas kësaj, filluan që edhe vetë të angazhohen në organizata joqeveritare dhe grupe rinore, që më parë nuk dinin për ekzistencën e tyre. 

Duke e parë këtë, ndieva një lloj shprese për ndryshim. Sa më shumë nxënës që i njohin të drejtat e tyre, aq më shumë do të ngrisin zërin kundër padrejtësive. Prandaj, ky angazhim më mësoi se në jetën e një aktivisti/je, nganjëherë gjërat mund të duken të pamundura, por nuk duhet harruar që jo secila derë është e mbyllur. Ne duhet ta kërkojmë derën që na hapet.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Shfletoni zinën e plotë

Hovi ynë rinor – Print

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.