Unë me ç’kam arritur të gjej është se përpara se të zbriste në Shqipëri, ëmbëlsira që mori emrin trileçe pati bërë një ndalesë në një qytezë bregdetare italiane afër kufirit me Slloveninë, në fund të mijëvjeçarit.
Në Staranzano, nja 30 kilometra në verilindje të Triestes, Renata Casadei kishte një restorant, ndërsa i shoqi punonte taksist. Në qytete të vogla, klientët të bëhen shokë e miq, dhe një pjesë e pasagjerëve të të shoqit ishin shokë e miq, përfshirë ndonjë punonjëse seksi domenikane apo kolombiane. Nga mesi i viteve nëntëdhjetë, kur Casadei ishte me pushime në Republikën Domenikane, e ëma e një shoqes së saj në Itali i nxori një racion të “ëmbëlsirës kombëtare” të vendit, pastel de tres leches. I pëlqeu shumë, kur u kthye në Itali mësoi recetën, biles, nja dy-tre herë e pati bërë dhe në restorant.
Ajo ëmbëlsirë erdhi tek ne diçka më vonë. Në vitin 2000, djali i Casadeit humbi jetën në një aksident me makinë, nga mërzia ajo e mbylli restorantin, dhe një e njohur psikologe e këshilloi të largohej ca kohë nga Staranzano sa për të ndërruar ajër.
Shqipëria e asaj kohe nuk ishte tamam tamam destinacion ideal ndërrimi ajri për një italian të zakonshëm, por ja që në pranverën e vitit 2002, ajo u gjend në Tiranë për t’i gjetur punë vetes. Një të diel paradite, ajo përveshi mëngët dhe gatoi risotto me fruta deti dhe, nga zona e vet, shojzë në lëng peshku alla graisana, me uthull dhe hudhra, për një banket me 15 personalitete dhe njerëz me ndikim, përfshirë Ismail Kadarenë, shkrimtarin e adhuruar të vendit. “Noblesse oblige,” i quajti, duke përdorur shprehjen frënge për “sërën e lartë”, e cila dhe për t’u sjellë, sillet ndryshe. Të hënën, ajo u mor menjëherë në punë si shefe e kuzhinës e “Piazza”-s, restorantit më të mirë të kryeqytetit, me pozicionin e tij qendror mu mbrapa Muzeut Kombëtar.
“Piazza” e kohës së saj njihej për makaronat me brumë të njomë: për tortellinit, tagliatellet apo raviolit. Bënte pizzoccheri lombardë për pasanikët e rinj shqiptarë, që fillimet i kishin pasur si emigrantë në Italinë e Veriut. Kur i pati thënë ambasadori amerikan se filetoja e saj Orlov ishte më e mira që kish ngrënë ndonjë herë, ajo pa se si Ekremi, pronari i restorantit, nga kënaqësia shtati i shkoi dy metra nga një e gjashtëdhjetë që ishte normalisht. Zgjeroi pastaj menunë e detit (“Ekrem, nuk mund t’i mbajmë njerëzit vetëm me qofte!”) Për ëmbëlsirë nxirrte strudelë apo Sachertorte të dekadencës vjeneze.
Dhe një ditë të bukur, Casadei provoi dhe recetën e Linës, shoqes së saj domenikane. Rrahu brumin e pandispanjës për gjysmë ore rresht, pastaj e shtroi në tepsi për ta pjekur. Kur e nxori nga furra, e shpoi vende-vende koren e sipërme me pirun. Pastaj e qulli me një miks prej tre qumështash – të kondensuar, krem pastiçieri dhe pana – i hodhi sipër kajmak, mbi kajmak vuri fruta pylli dhe feta ananasi, dhe ua shërbeu njerëzve të ftohtë nga frigoriferi.
Ëmbëlsira e industrisë së përpunimit të qumështit
Përdorimi i brumërave për të sjellë lëngje a shije në qiellzë duhet ketë nisur që me zanafillën e historisë. Përpara ditëve të sotme, me reklama agresive që shesin ushqime të paketuara, nënat u prisnin gjirin foshnjave me bukë të ngjyer në qumësht. Mendo, pastaj, gjalpin e shkrirë në bukë të thekur, apo atë copë tuli që fshin pjatën në fund. Edhe gjellët, në njëfarë mënyre, prandaj kanë ekzistuar; pastaj, për të mbajtur lëngjet e pjekjes, içeve u shtohet ndonjëherë edhe tul buke, si tek gjeldeti i mbushur i furrës. Për terjaqinjtë e ëmbëlsirave, lëngje ishin mjalti, sherbetet apo ndonjë pije; si tek melomakaroni grek, revanitë e Orientit apo zuppa inglese. Sipër pastaj mund t’i hedhësh çfarëdo: kajmak a mafishe, pluhur kakaoje, arra a fëstëkë, reçelra apo fruta pylli.
Mund të merret me mend disi procesi që solli larjen e pandispanjës, që në shqip quhet edhe bukësheqere, me qumësht. Pandispanjat janë krijuar në vitet 1700, por në perëndim u bënë të njohura në shekullin pasardhës. Në gjysmën e parë të të njëzetit, nga shteti Tabasco në jug të Meksikës, flitej për një ëmbëlsirë që lundronte në qumësht me emrin La isla flotante, ishulli lundrues.
Por përdorimi i tre llojeve të qumështit në pandispanjë ka ardhur më vonë, me industrializimin e qumështit të përpunuar. Megjithëse nuk është hulumtuar siç duhet, hipoteza e përmendur më shpesh nëpër libra kuzhine dhe site interneti është se pastel de tres leches u shfaq pas hapjes të fabrikave të Nestlé-së për kondensimin e qumështit në Amerikën Latine viteve tridhjetë. Sipas asaj hamendjeje, ideja erdhi nga garat që organizonte Nestléja për të promovuar produktet e veta. Pastaj, receta u shtyp nëpër kutitë e qumështit njësoj siç të tregon tani Barilla si të bësh orecchiette me limon dhe fëstëkë.
Megjithatë, recetë për tres leches nëpër kuti me qumësht të kondensuar meksikan unë nuk kam parë akoma, dhe as të zonjat e punës, studiuese të kulturës së ushqimit, me të cilat jam konsultuar, nuk kanë gjetur ndonjë referencë të tres leches nga ato kohë. Rachel Laudan, historiania britanike e ushqimit, thotë se krijimi i asaj ëmbëlsire duhet të jetë i lidhur me përhapjen e gjerë të furrave të gatimit në kuzhinat shtëpiake të Amerikës Latine, mjaft kohë pas Luftës së Dytë Botërore. Në fakt, të dhënat flasin se ajo duhet të jetë bërë e kudondodhur në Amerikë Latine vetëm dikur nga vitet tetëdhjetë nëntëdhjetë. Në librin “Oxford Companion to Sugar and Sweets” (shq. Shoqëruesi i Oksfordit për Sheqerin dhe Ëmbëlsirat), Laudani thotë se në vitet 2000, ajo ëmbëlsirë filloi të shfaqej më gjerë në Amerikë të Veriut dhe Evropën perëndimore.
Nga ky material kishte marrë pak a shumë Casadei për pastën e vet me tre qumështa në Tiranë, pranverën e vitit 2002, por tres leches i saj me kajmak nuk pati jehonë – restoranti “Piazza” edhe tani njihet më shumë për strudelin — dhe ajo rrallë e pati risjellë në mend atë ëmbëlsirë latino-amerikane, deri në momentin kur e përmendëm si muhabet në telefon vjet.
Trileçja e Tajvanit
Tres leches u shfaq përsëri në Tiranë, tre vjet pas Casadeit, edhe kësaj here me ndërmjetësim italian, në një restorant as një kilometër në jug të “Piazza”-s, i cili kishte pak kohë që ishte hapur.
“Tajvani” ishte emri popullor për barin e parkut “Rinia” në qendër të qytetit, për shkak se rrinte bri bllokut të apartamenteve sovjetike, në anën tjetër të rrugës siç rri Tajvani bri Kinës një ngushticë larg.
Pas komunizmit, lokali u braktis dhe rrënua, por pastaj u rinovua nga një biznesmen nafte, i cili po investonte tani në sipërmarrje me prestigj: klube futbolli apo fusha sporti dhe tani në këtë vend. Arkitektë nga Austria i vunë asaj kutie harqe të bardha mbështetëse si gjymtyrë merimangash dhe kolona si bila bilardoje me ngjyra klounësh. Kopshtarë, të mësuar në Itali, rregulluan gardhet, ndreqën shtratet e barit dhe të luleve dhe shtuan pemë zbukuruese. “Tajvani” u bë një vend ku luhej në kazino dhe bowling dhe ku hahej mirë. Kishte dhe një bar-tarracë shumë popullore me një shatërvan të madh para.
Shefi i deriatëhershëm i kuzhinës, i marrë nga një restorant butik në Pulia të Italisë, e kishte lënë punën kur, pa e njoftuar, ia përgjysmuan rrogën, sipas personelit të “Tajvanit”, dhe tani administrata kishte ftuar një 63-vjeçar, që thoshte se vinte nga Roma.
Ignazio Piazza la përshtypje të mirë tek personeli. Në punë vinte gjithmonë me uniformë dhe kapelën gjigante të kuzhinierit. Gratë e personelit qeshnin me të madhe kur ua ngatërronte emrat dhe i thërriste Clara apo Lidia, emra italianë. “Eh, Majlinda,” përgjigjej ai. “I ngatërroj tani, sepse Clara është emri i bashkëshortes dhe Lidia i dashnores.”
“Pse, u merrke ti me këto gjëra, Ignazio?” ia priste Majlinda Selimi, ndihmës-kuzhinierja e seksionit të mishit.
Punëtorëve ua lëshonte zyrën për ndonjë orë pushim, çelësin e apartamentit ndihmësve për të shkuar me ndonjë shoqe.
I bënte përshtypje personelit se, ndryshe nga kuzhinieri tipik italian, që zakonisht nuk del nga krahina e vet, Ignazioja ishte kureshtar dhe i shëtitur. E njihte kuzhinën ruse dhe arabe dhe me pronaren e Patisserie française tek blloku diskutonte me shenja për imtësitë e pastiçerisë franceze. Ngado që vente, pyeste se çfarë hanin njerëzit. Në Tiranë, i thanë, si me shaka: “bukë e qumësht dhe karamele ‘Zana’”.
Të habiste me historitë që tregonte: se kishte mbajtur kuzhinën e një kroçiere, ku ishte njohur me turisten, me të cilën pastaj u martua; se ia kishte shitur biznesin e kateringut një kompanie ajrore australiane; se kishte gatuar për presidentin e Kinës, në dasmën e princeshës së Holandës dhe në mortin e themeluesit të dinastisë komuniste të Koresë së Veriut, ku e kishte trembur për vdekje përkthyesen duke sharë regjimin.
Sajonte receta përditë: dardha të veshura me çokollatë të shkrirë, të zbukuruara me xixa, spektaklin e pjekjes së një viçi të tërë në kuzhinë para sallës, copat e të cilit i shërbente në pjata me shtrat kremi kërpudhash me mjaltë. Propozonte dhe një proces ngrirjeje të karbonarës gjysmë të gatshme, i cili kursente kohë dhe i përmirësonte shijen.
“Nga ai kam mësuar shkallët e pjekjes së mishit,” thotë Eno Joxhe, atëherë ndihmës 16-vjeçar në kuzhinë.
“Nuk ka pasur ai një yll Michelin a diçka të tillë?” më pyeti Selimi një herë vjet.
Dhe vonë, një mëngjes prilli të vitit 2005, i duhej të ndërtonte menunë e ditës. Kishte shumë kriza të tilla që duheshin menaxhuar. Në banak pa një gjysmë tepsie me pandispanjë dhe pyeti se për çfarë e përdornin. “Për krostatat,” i thanë. Tortat e frutave ishin trashëgimi e kryekuzhinierit që ishte larguar. Merreshin feta të holla pandispanje, hidheshin në bazën e tortës, spërkateshin me rum pastiçerie dhe mbuloheshin me reçel.
Ignazioja e nxori pandispanjën nga tepsia, të cilën e shtroi me qumësht të kondensuar para se ta vinte prapë pandispanjën brenda. Pastaj, i hodhi dhe një qumësht tjetër të përpunuar Nestlé, nga ai që përdoret për makiatot, e mbuloi pastaj me një shtresë të kafenjtë xhelatinoze sipër dhe e vuri në frigorifer.
Kur e nxori pastaj pas një gjysmë ore, tha: “Kjo është trelece. Këtë bënim para 45 vjetësh.”
Nga Tajvani në kontinent
Pandispanjën, Ignazioja nuk e kishte shtruar me ndonjë kajmak special, e as me fruta ekzotike, por nga kutia në banak i hodhi një shtresë të hollë karameleje të lëngshme, si ajo që i hidhet ndonjëherë cheesecake-ve. Gjysmën e asaj duzine porcionesh treleçeje që nxori ia dha kujt gjendej në kuzhinë atë moment. Brenda, pandispanja kishte marrë në të bardhë, shtresa e karamelit gati sa nuk pikonte anash. E ftohta e zbuste sulmin e sheqernave në qiellëz.
“Kjo është magjike!” ja bëri Selimi. “Nuk duket si e vërtetë!”
Nuk kaloi shumë dhe Ignazioja e la “Tajvanin”. Megjithëse ishte shumë kreativ, puna ishte e vështirë për një person të moshës së tij, me qindra porosi menuje në ditë. Kuzhina ishte shumë e vogël dhe kishin filluar t’i dukeshin limitet fizike. Kishte diabet dhe tension të lartë. Përveç asaj, tani e kishte mendjen në vend tjetër: se si të rikthehej në Tiranë bashkë me kunatin, Rosarion, dhe të sillnin pajisje për të hapur një pastiçeri me bahçevanin shqiptar të “Tajvanit”.
Recetat që la nuk u përdorën pasi ishin ose shumë të koklavitura ose shumë të shtrenjta, por treleçja ama ngeli dhe tani shqiptohej pak më ndryshe dhe më kollaj në shqip, trileçe.
Si ëmbëlsirë bëhej shpejt dhe kjo linte kohë për gatimet më të komplikuara. Pastaj, u pëlqente shumë grave të kuzhinës. Dikur, iu shtua dhe një qumësht i tretë.
Me largimin e Ignazios, ishte Joxhja që u mor me ëmbëlsirat. Vendndodhja ishte shumë e mirë dhe vendi frekuentohej si nga paria e qytetit, ashtu dhe njerëzit e zakonshëm, por edhe turistët ditorë që kishin filluar të vinin në vend, dhe që shkarkoheshin nga autobusët për drekë tek “Tajvani”. Shumë shpejt, po shiteshin 300 copë trileçe në ditë.
Kryekuzhinieri puliez, të cilin kishte zëvendësuar për periudhë të shkurtër Ignazioja, u rikthye tek “Tajvani” me rrogë të ulur, dhe u kërkonte si nëpër dhëmbë stafit, “Bëni dhe ca nga ato ëmbëlsirat e atij.”
Vitin e parë, pak njerëz nga jashtë interesoheshin si bëhej dhe çfarë ishte. Pastaj, fjala mori dhenë. Për shembull, Armand Kikino, shefi i kuzhinës dhe hulumtuesi i gastronomisë nga Tirana, më tregoi se tek kuzhina e vet, në një qendër të madhe tregtare, e kishte sjellë një punonjëse e “Tajvanit” që punonte pjesërisht aty. Nga 2007-a, nuk mbeti dyqan buke, pastiçeri apo restorant në Tiranë dhe në Shqipëri që nuk e përgatiste. Bëheshin kombinime me qumështin që i hidhej: ndonjëherë i hidheshin dy lloje: të kondensuar dhe të avulluar; apo të kondensuar e të zakonshëm; nganjëherë i hidheshin të treja qumështet ose i bihej shkurt fare duke i hedhur vetëm një. Shpesh, të tre qumështet përziheshin dhe hidheshin bashkë nga sipër, në vend që të shtrohej tava me qumësht të kondensuar si fillim. Ndodhte që Nestléja të zëvendësohej me Panda, versionin e saj kinez, dhe për krem makijatoje përdoreshin tubat e Nou-Nou-së greke. Shumë marifete për një kek qumështi të mbuluar me karamel. Megjithatë, nuk dilte kund trileçja si e “Tajvanit”.
Kështu që nuk do kalonte shumë kohë derisa të kapërcente kufijtë e Shqipërisë.
Pronarit të një restoranti në perëndim të Kosovës iu desh të priste një javë vjeshtën e vitit 2006 derisa gjeti Joxhen dhe ia mori recetën, dhe histori të ngjashme më kanë treguar dhe të tjerë në rajon. Nga 2008-a, ajo kaloi urën e Ibrit për në veri të Kosovës e më pas në Serbi, siç më tregonte një pastiçier nga Kosova në Beograd. Një punonjës i “Tajvanit” më tha se ia kishte shitur recetën 500 euro një pastiçieri nga Maqedonia e Veriut.
Specializimi me trileçen i dha mundësi Joxhes të fillonte punë me një kompani të madhe shpërndarëse të mallrave ushqimore, e cila e nuhati tregun që premtonin përbërësit e saj. Detyra e tij ishte ta popullarizonte duke ua mësuar pastiçierëve nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova. Në fakt, ai konsiderohet si personi kryesor që pati përhapur trileçen në rajon.
Por në rajon ndodhet edhe zona mes Tetovës dhe Gostivarit, popullsia e së cilës hap ëmbëltore kudo që shkon për kurbet. Ata e çuan trileçen në bregdetin e Sllovenisë, në mëhallën Bashçarshi të Sarajevës, në gjelltoren e xhamisë së Zagrebit. Për pak vjet, nuk ngeli arnë e Ballkanit perëndimor pa u mbuluar me trileçe.
Inkursion latin në viset e turqve
“Nuk do të bëhej trileçja kaq e madhe po të mos kishte ecur në Turqi,” thotë Olsjon Bilani, i cili pati punuar në ato kohë tek “Tajvani” dhe tani ka mensën e tij në Tiranë. “Do të kishte ngelur në Ballkan. Por Turqia është treg i madh.”
Në qendër të Tetovës ndodhet një pastiçeri me emër e quajtur “Amfora”. Familja që e ka atë pastiçeri e mësoi trileçen nga një trajnues nga Shqipëria në vitin 2007. Iu tha se ishte ëmbëlsirë argjentinase shumë e njohur në Itali.
Në tetor të vitit 2008, kushërinjtë e tyre nga Stambolli i bënë një vizitë dhe, nga fundi i atij viti, trileçja debutoi në lagjen punëtore “Fatih” në anën perëndimore të atij qyteti. Brenda pak vitesh ajo mori dhenë.
“Është aroma e karamelit dhe nuancat e ëmbëlsirave të qumështit që përshtaten 100% me shijen e turqve,” më thotë Ada Türkmen, shefi i njohur turk, kur më shpjegon atë sukses. Në një shkrim të atyre kohëve në një të përditshme turke, ai tregonte se si e kishte ndalur policia një veturë BMW për të gjetur bagazhin mbushur me tepsi trileçesh.
Familja me origjinë shqiptare e ëmbëltores në parkun kryesor të qytetit të Bursës i kishte ndarë detyrat: gratë bënin trileçen në shtëpi, burrat e çonin me furgon në lokal. Edhe vende të tjera e bënin, madje si delikatesë restorantesh të shtrenjta, siç kujton Xhevat Ademi, një gazetar në Stamboll. Pastaj, blogerët dhe rrjetet sociale bënë të vetën në rritjen e popullaritetit.
Në vitet 2014 dhe 2015, ishte receta më e kërkuar e turqve në Google. Pastaj, filluan t’i shtonin elemente të vendit. Përdoreshin, për shembull, shtresa të tjera sipër, ndër to reçelëra luleshtrydhesh apo limoni, që patën sukses të diskutueshëm. U riinterpretua edhe domethënia e tre llojeve të qumështit, me qumësht dhie, deleje, buallice apo lope bashkë, por kjo nuk eci. Do i hidhej sipër pluhur fëstëkësh, siç bëhej shpesh me bakllavanë apo kadaifin. Dhe siç bënin me të tjera, mbulesa xhelatinoze ëmbëlsirash, do hiqnin vija paralele kremi mbi to dhe do kalonin një thikë pingul me to për të krijuar valë arabeskash.
Dr. Oetker, konglomerati gjerman i produkteve ushqimore të industrializuara, u përpoq të kapitalizonte mbi këtë treg njësoj siç u pat përpjekur kohë më herët Danone të kapitalizonte në Perëndim me jogurtin e frutave, që vetëm kos nuk është. Nga fabrikat e saj në rrethinat e Izmirit, Dr. Oetker nisi të prodhojë pako me përbërësit për pandispanjë, me karamel dhe qumësht, për të furnizuar supermarketet. Të tilla pako tani sillen edhe në Ballkan, apo në dyqane të specializuara etnike të Evropës perëndimore dhe të Amerikës së Veriut. Të njëjtën gjë e bënin edhe kompani të tjera.
Dhe si produkt ndihmonte në biznes, siç ndihmoi “Sütçüoğulları”-n, punishten familjare të ëmbëlsirave në Stamboll, të zgjerohej me biznes në një lagje më të mirë. Emri u bë markë. Ka një dyqan me emër “Tritat Trileçe” në Bursa dhe një tjetër të quajtur “Miss Trileçe” në Ankara. Një prodhues shumice ka emrin “Trileçe Dunyasi” (Bota e Trileçes). Në televizor, konkursi Master Chef ka pasur episode ku garohej se kush do bënte trileçen më të mirë. Në shtyp kishte intervista me personalitete të obsesionuar me trileçen, trileçe tutkunleri.
Dhe kudondodhja të bënte të mendoje se kishte qenë aty gjithë jetën. Një film i vonë turk flet për një familje emigrantësh nga Maqedonia e kohës së Jugosllavisë, që kishte hapur një dyqan viteve pesëdhjetë në Stamboll, të quajtur “Trileçe”, gjysmë shekulli para se të ekzistonte ky emër.
Pati nga ata që e përjetuan këtë si mëdyshje dhe krizë identiteti: ç’do të thoshte ky sukses i trileçes për shtyllat e krenarisë kombëtare turke, për bakllavanë, për kazan dibinë, për kadaifin? Rifat Sütçüoğulları, pastiçieri, i mori një mendje ustait që i kishte mësuar zanatin. “Mos e vrit mendjen, Rifat,” iu përgjigj ustai. “Trileçja shkon e vjen. Bakllavaja do të mbetet gjithmonë bakllava!” Në fakt, popullariteti i trileçes së karamelit ka rënë disi pas kulmit që pati në mes të viteve 2010. Që në vitin 2016, turqit kishin filluar të binin pre e kekut San Sebastian.
Megjithatë, ajo i ka rezistuar kohës. Unë e gjeta në shumicën e banaqeve të ëmbëltoreve të Stambollit që pashë këtë pranverë, dhe akoma bëhen emisione televizori për të. Në Tiranë, Majlinda Selimi arriti të shiste një numër rekord prej 1,000 porcionesh për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Interneti është i mbushur me receta trileçesh, jo vetëm në të gjitha gjuhët ballkanike, por dhe në një pjesë të madhe të atyre globale (e kam gjetur madje edhe në persisht!).
Madje edhe histori si ajo që i pati treguar një shqiptar në palestër Türkmenit, se recetën e trileçes e patën nxjerrë gratë shqiptare nga telenovelat latinoamerikane nga fillimi i viteve nëntëdhjetë, edhe histori të tilla në fund të fundit dëshmonin popullaritetin e saj të madh. Ky variant meritoi një artikull në revistën amerikane “Atlas Obscura”, e cila merret me kuriozitete nga bota, madje u referua edhe në zërin për Tres leches cake në Wikipedia në anglisht.
Asgjë nga këto nuk dinte Ignazio Piazza, pastiçeria e të cilit në Tiranë, “Dolce Italia”, nuk mbijetoi as edhe një sezon të vetëm para se të mbyllej në vitin 2006, dhe që tani po kërkonte të kthente mbrapsht, ose si mall ose në të holla, pajisjet që pati sjellë nga Italia, të cilave ua kishte vënë vlerën 100,000 euro.
Trileçja e Ignacios
Pandispanja e zhytur në qumësht me karamele sipër nuk ka qenë ndonjë shkathtësi e çuditshme shqiptarësh, më thotë Loran Lami, i cili ato kohë punonte tek “Tajvani”. “Ajo trileçe ishte trileçja e Ignazios.”
Vetë Ignazio i ra në të suksesit shqiptar të ëmbëlsirës së tij herën e katërt apo të pestë në Tiranë. Partneri shqiptar nuk po ia kthente pajisjet, as nuk pranonte të paguante për to, duke i thënë se vlerën e kishin të fryrë, dhe sido që të ishte, do duhej të përdoreshin që të kompensonin për humbjet. Ignazioja e kërcënoi me gjyq dhe përhapi fjalë se do përdorte ndikimin e një dhëndri gjykatës kasacioni në Itali. Por nuk frikësoi njeri. Dhe ndërsa merrej me të tilla halle nëpër baret e Tiranës, dikur i erdhi një racion trileçeje. “Ajo që bëre tek ‘Tajvani’,” iu tha. Vetëm qeshi. Me kohë, u dorëzua nga ideja se do merrte ndonjë gjë mbrapsht nga dyqani i falimentuar dhe nuk u kthye më në Shqipëri.
Një dhjetëvjeçar më herët, kur i biri, Simone, i pat thënë se donte të bëhej edhe ai si i ati dhe do të futej në shkollë hotelerie, Ignazio ia përveshi një pesëshe. “Ti nuk ke për të bërë këtë jetë muti!”
Ignazio u lind gjatë Luftës së Dytë Botërore në një shtëpi dy-dhomëshe në qytezën e Sciacca-s, një port peshkatarësh në bregdetin siçilian përballë Tunizisë. Në një qytet ku gjithkush e kishte nofkën e vet, Piazzat e Shën Katerinës ishin Culutunnut, Bythërrumbullaktët. Ishte fëmija i pestë i furrxheshës së lagjes – Cincuranedda, apo Bukëpesëdhjetëshja – dhe një tregëtari bagëtish.
Kur ishte pesë vjeç, babai e pati nisur me bagëtitë në mal; gjashtë vjeç ngjitej në një kuti dërrase për të ulur levën e makinës së espresos për të bërë kafe në restorantin që fqinji i tyre, Paolo Bentivegna, kishte në qendër të qytezës.
Tek “Da Paolo”, që njihej për një pasta alla mafiosa, makarona me açuge, kaperi dhe ullinj, ai pastronte, lante pjatat dhe bënte tavolinat gati, jolly tuttofare, siç tregon shoku i tij i fëminisë Taddeo Scalici. Edhe kulturën e punës aty e mori. Kur një ditë s’vajti fare, por shkoi me kalamajtë në plazh, i jati e dëndi në dru në darkë, sepse paratë e tij i duheshin shtëpisë. Paoloja, pronari i restorantit, e dëndi në dru të nesërmen sepse kishte mbetur pa punëtor që ta ndihmonte. Nga ajo kohë, “kuzhina iu kthye në obsesion,” thotë Scalici. “Ignazioja ishte autodidakt. Por mësonte shpejt.”
Në vitin 1963, kur në Sciacca xhirohej një komedi e njohur, Ignazio thoshte se i kishte shërbyer ekipit të xhirimit në restorantin e vet, “Il Carretto” apo “Karroca”, të cilin e kishte hapur sapo kishte mbushur 18 vjeç. Paratë që bënte me atë restorant i harxhonte sa me gra e sa me udhëtime në Romë. Dhe, siç ndodh shpesh me udhëtarët, kuzhinierët dhe joshës të tjerë, historitë që tregonte i zbukuronte shpesh. “Babai udhëtonte shumë me mendje,” më thotë e bija, Stefania.
Pak kohë më pas, Ignazio iu bashkua një komuniteti të vogël të formuar rishtas nga bashkëqytetarë të tij në Aprilia, një qytet 40 kilometra në jug të Romës, në skaj të një hapësire të madhe moçalore të bonifikuar nga punëtorë nga Italia e Veriut viteve tridhjetë. Aty u lidh me një parukiere të re, bijë kolonësh siçilianë në Tunizi që ishin përzënë nga ai vend pak kohë më herët. Pas dy-tre vjetësh jete në një apartament në qendër të Aprilia, blenë një copë tokë në rrethinë për të ndërtuar shtëpinë e tyre përdhese.
Gjatë kësaj kohe, bëri lloj-lloj pune: nëpër restorante të kodrave albane rreth Romës, nëpër restorante dhe hotele në bregdetin e Latinas, provincës ku gjendet Aprilia, në mensa fabrikash. Kujdesej për hollësitë në gatim: një herë, në një restorant plazhi pati bërë të gjithë pjatat e menusë për një grup turistësh francezë në ngjyrat e flamurit të tyre. Gjithashtu, gjente menjëherë zgjidhje, duke ushqyer një herë tjetër një grup gjermanësh, që kishin shkuar vonë në restorant me gjërat që i kishin tepruar në kuzhinë, përfshi lëkura patatesh dhe karrotash. “Ignazio bënte kuzhinë me humbje zero, para se të shpikej koncepti i kuzhinës me humbje zero,” më thotë Ettore Introcaso, një shok i tij, i cili e kishte mësuar zanatin prej Ignazios.
Pastaj u përpoq të ngrinte një biznes kateringu, ku punonte e gjithë familja, ai, e shoqja dhe tre fëmijët dhe ndërtoi më pas dhe një depo 1,500 metra katrorë ngjitur me shtëpinë për këtë qëllim. Për ca kohë, prodhonte kaushë akulloresh për baret e zonës së Latinës, pastaj, për gjashtë muaj, bënte sanduiçe për avionët e “Alitalia”-s, kompanisë ajrore italiane të kohës.
Për njerëzit e shtëpisë, ishte Padre Padrone (“ma shante lazanjën edhe kur e bëja pikë për pikë siç thoshte ai ta bëja,” kujton Sabrina, vajza e madhe. Tregon Simone: “Vija vathin në vesh ditën që ikte jashtë shteti!”) por jashtë shtëpisë ishte i shoqërueshëm dhe bujar. Familja zgurdullonte sytë kur sillte priftin e zonës për dreka të gjata (“Nuk e marr vesh se çfarë muhabeti bën me të, ba, kur ti shan mbarë e prapë gjithë ditën?” “Ç’ne, kaq shumë shakam unë?”) Nganjëherë u dukej dhe naiv. Shpesh ankohej se nuk ia paguanin shërbimet, qoftë nga ndërmjetësit e “Alitalia”-s, apo nga ata, të cilëve u jepte depon me qera. Fëmijët përmendnin shpesh se sa e vështirë ishte jeta në luftën për të mbajtur biznesin gjallë në atë tokë në rrethina të qytetit.
Kishin të tyret ai me të shoqen, Clarën – prej karaktereve që kishin, apo prej lodhjes në punë – por kur një mëngjes nuk i nisej furgoni mbushur me ngarkesë, i thërriste së shoqes gati duke qarë: “Clara! Clara! Kjo s”po ndizet! Si t’ia bëj?”
Por puna dhe kontaktet e bënë të njohur në zonë. Në Aprilia, e vinin në krye jurish për festivale gastronomie multietnike, dhe shkollat profesionale të zonës e thërrisnin për të vlerësuar studentët. Origjina tuniziane e së shoqes, por dhe vetë prejardhja e tij, e ndihmuan të fitonte çmimin e parë në një konkurs ndërkombëtar kus-kusi në Siçili në vitin 2002. Shkrimtarja e njohur gastronomike angleze, Claudia Roden pati folur për cuscùsu-n e ekipit të Ignazios, me peshq dhe gaforre, të shërbyer në kuti të bërë me djathë parmiggiano: “Skuadra italiane fitoi (garën). (Kus-kusi) i tyre ishte sublim!” Jo pak.
E çonin dhe jashtë për të promovuar kuzhinën italiane, në Rusi apo Rumani, dhe kishte vajtur edhe në Riad dhe Seul për të ngritur kuzhina restorantesh.
Dhe nga ato rrugë, endte histori të tëra. Në Moskë, i ishin lutur të rrinte, me të gjitha shpenzimet e hequra, por nuk pati pranuar. Fqinjët u thoshin fëmijëve të tij se do shkonin në pushime në Tenerife dhe kishin qejf të shkonin tek bari i Ignazios atje, bar që nuk ekzistonte. Tregonte se si kishte mësuar se personeli duhej trajtuar mirë kur kishte marrë në dorë kuzhinën e një rezorti luksi në Kosta Rika, pronë e dikujt nga Velletri afër Aprilias, dhe një ditë të bukur personeli i ishte revoltuar dhe i ishte dashur të bënte darkën për dhjetëra, në mos qindra, klientë me shumë pak ndihmë.
Nuk dihet tamam se ku e hasi për herë të parë Ignazio pastel de tres leches. Askush prej miqve apo kolegëve, me të cilët fola, nuk dinte gjë. Sipas Taddeo Scalicit, mund ta ketë marrë kudo, pasi kishte rrjet të gjerë profesional dhe ishte kureshtar. Mund ta kishte marrë në vitin 2000, kur ishte për një javë në jug të Floridës tek Scalici. Ajo ëmbëlsirë ishte shfaqur në Miami tek komuniteti nikaraguajan, i mbledhur atje pas rënies së diktatorit proamerikan Anastasio Somoza. Madje mediet raportonin se ishin nipërit e tij që e kishin futur për herë të parë në menu. Por familja e tij ka bindjen se për tres leces Ignazioja duhet të ketë dëgjuar dhe mësuar për herë të parë ato gjashtë muaj në mes të viteve nëntëdhjetë, ndërsa ndërtonte kuzhinën e atij rezorti në Jaco, një qytet kostarikan brigjeve të Paqësorit.
Pasoja
“Altin, më thuaj një gjë,” më tha një ditë Simone Piazza. “A je i sigurt, i sigurt se erdhi nga im atë e gjithë kjo?”
Në atë fazë të kërkimeve të mia, pyetja e Simones donte të thoshte nëse ishte e vërtetë që ajo zgjidhje e shpejtë që dha Ignazio për ëmbëlsirë atë gjashtëjavësh që punoi tek “Tajvani” në Tiranë – duke i hedhur pandispanjës dy lloje qumështesh dhe karamel të lëngshëm sipër dhe duke ia italianizuar emrin, duke hequr s-në e spanjishtes nga numërorët dhe emrat për ta quajtur trelece – nëse ishte kjo që kishte shkaktuar një fenomen të vërtetë kulinar në rajon. Nëse ishte sajesa e tij së cilës dikush në Kroaci dhe një tjetër në Turqi kishin dashur t’i nxirrnin patentën që të merrnin të ardhura nga prodhimi. Nëse kishte qenë pikërisht ajo që kishte bërë një pastiçeri familjare në lagjen Fatih të Stambollit të kërcënonte me gjyq kushërinjtë në lagjen Alibeyköy nëse nuk i paguanin pjesën e tyre, si të parët që e kishin bërë trileçen (“Të kishte qenë gjallë dhe ta kishte ditur se deri ku paskan vajtur punët, do t’i kishte sjellë dhe Ignazio avokatët,” thotë e bija, Sabrina). Se trileçja frymëzoi këngë tallava, hip-hop dhe elektronike në shqip dhe një tallava turke, me miliona shikime në Youtube. Se këngëtarja e këngës së trileçes tallava pati folur keq për këngëtaren e trileçes elektronike. Se në ato vise, trileçja u bë ëmbëlsira e kudogjendur e iftarit, por edhe termi zhargon për seks mes tre personave.
Se në jetën e saj të shkurtër, trileçja u bë sebeb historish halucinante për origjinat e saj. Ëmbëlsirë e Siçilisë së pasluftës. Recetë e lashtë e gjysheve dhe stërgjysheve të Ballkanit! Krijesë e Spanjës mesjetare myslimane, sjellë në këto anë prej refugjatëve hebrej që u përzunë nga Iberia prej katolikëve pas shekullit të pesëmbëdhjetë! Ç’telenovela?!
Që u bënë sebeb se pse iu vura ta shkruaj këtë artikull.
Artikulli në “Atlas Obscura” më pati bërë përshtypje, por nuk është se pata mbajtur mendjen aty. Por para tre vjetësh, kur me Armand Kikinon, shefin e kuzhinës nga Tirana, po ja bënim uf-buf për derexhenë ku kanë vajtur punët në Shqipëri: vend ku nuk e ka mendjen njeri të rregullojë ndonjë gjë, por vetëm të prishë; dhe nuk e merrnim vesh a vinte kjo nga budallallëku, nga shpirtligësia, apo nga të dyja bashkë.
“Pastaj, e beson dot?” e ngriti piacën Kikinoja. “Këta na e quajnë trileçen kuzhinë shqiptare tani!” Në fakt, në kulmin e suksesit të trileçes, në mes të viteve 2010, autoritetet turistike të Tiranës e patën prezantuar trileçen në një panair gastronomik në Milano, duke i tërbuar mbrojtësit e autoktonisë së kuzhinës sonë.
“Jo ore!” kërcej nga vendi. Domethënë nuk vika trileçja nga Çelestja, ai seriali argjentinas që i pati mbajtur shtëpiaket shqiptare mbërthyer para televizorit viteve nëntëdhjetë!?
“Jo, jo. Ka qenë një kuzhinier italian tek ‘Tajvani’ që e bëri,” u përgjigj Kikinoja.
Ballafaqimi i fantazive psikedelike mbi origjinën – në një rajon që gëlon nga të tilla – me një a dy fakte kokëforta, nga ana gazetareske është mjaft interesant, kështu që nisa të shihja nëse kishte të tjerë që të konfirmonin pohimin e Kikinos. “Nuk e ke idenë çfarë gallatash na dëgjonin veshët,” më thoshte Altin Gjini, që atë periudhë kishte qenë furnitor i “Tajvanit” dhe që e kishte parë me sytë e veta Ignazion të fuste atë gjysëm tepsie me ur-trileçe në frigorifer.
Muhabete pazari kam dëgjuar dhe unë gjatë kërkimeve të mia. Në lagjen Galata të Stambollit, një pastiçier në të njëzetat më tha se një rrjet ëmbëltoresh atje, “Mado”, e kishte bërë trileçen që para pesëdhjetë vjetësh, por tek “Mado” banakieri m’u përgjigj se trileçja atje nuk bëhej dhe vinte e gatshme. “Hëngra tre racione trileçeje turko-boshnjake,” shkruante një gazetë. “Shije e mrekullueshme, si bukuritë e Turqisë dhe Bosnjës.” Është sugjeruar edhe ndonjë lidhje me kohun, një ëmbëlsirë me qumësht nga Vojvodina, por mes trileçes dhe kohut qëndron një mug kohor i padepërtueshëm. Disa tetovarë më kanë thënë se trileçja vjen nga furulldaku, që është një fjalë turke me të cilën njihet revania në Tetovë. Por revania është pandispanjë në sherbet. Pa qumësht!
Pastaj, referencat më të hershme që arrija të gjeja për trileçen në internet ishin të dhjetorit të 2009-ës në Shqipëri dhe 2012-i në Turqi, e cila përputhej me kohën me të cilën po merresha nga “Tajvani” e këtej. Kishte edhe ndonjë që fliste turbull për një origjinë shqiptaro-italiano-latinoamerikane. Vetëm tek-tuk përmendej historia e “Tajvanit”.
“Si të ta them,” i përgjigjem Simones, djalit të Ignazios. “99 përqind i sigurt, në mos 100 përqind.”
“Aha,” thotë. “Qenka e vërtetë atëhere.”
Një ditë të shtunë në qershor, Simoneja na çoi me makinë të shihnim vendin ku kishte jetuar dhe punuar dikur familja e tij. Ashtu si qytetet e tjera të ndërtuara viteve tridhjetë në kënetat e dikurshme pontine në jugperëndim të Romës, Aprilia është planifikim urban i kohës së fashizmit nën diellin e Mesdheut: pallate apartamentesh me ballkone të gjera dhe fasada tulle, rrugë me shtëpi të suvatuara dhe kanate persianesh përgjatë palmash, qiparisësh, nespollash, apo pemëve të tjera për hije.
Kapanoni ndodhet nja pesë kilometra nga qendra e qytetit. Në hyrje, tabela me emrin e biznesit, “Pontina Catering”, është zverdhur aq sa duket me vështirësi. Për Krishtlindje u kishin vjedhur frigoriferët nga dhomat e ngrirjes — sipas Simones duhet të ishin persona që e dinin se nuk jetonte më kush aty, persona nga zona.
Por kishin mbetur dy furra picash, presa e makaronave, dhe në mes të kapanonit, një konvejer ku dikur familja duhet të kishte paketuar sanduiçët e Alitalias.
“Dridhem e tëra,” më thotë e veja e Ignazios, Clara. “Kemi kaluar një jetë këtu.” Vjen rrallë që kur Ignazio ndërroi jetë mbas një infarkti të trefishtë në nëntor të 2021-it. Kapanoni dhe shtëpia ngjitur janë nxjerrë në shitje.
Simone hapi qepenat e shtëpisë dhe në sallon u shfaqën dy rafte në qoshe të murit, ku mbështeteshin një rradhë pikturash a fotografish. Një fletë lutjesh varej në dorezë. Mbi derë, Zoja e Këshillit të Mirë, të cilën Sciacca e feston më 15 gusht, ditën e ngritjes së Shën Mërisë në qiell.
Në muret, që tani i ka zënë myku, emblema e Piazzave nga Sciacca. Deklarata mirënjohjeje nga Federata Italiane e Kuzhinierëve, ajo që e kishte sjellë në Tiranë në vitin 2005, si dhe një foto nga lart e masës së dervishëve të kuzhinës që e kishin marrë atë deklaratë atë sesion. Receta e një tonarelli alla apriliana, që e pati krijuar Ignaziona me fruta deti, lëng frutash deti, dhe rukola, e zyrtarizuar nga bashkia. Një artikull gazete i 2004-ës për një udhëtim në Danemarkë: aq i eksituar kishte qenë për atë udhëtim, që do të promovonte turizmin në Latina dhe linjën e re të Alitalias mes Romës dhe Kopenhagës, saqë nga xhepi i vet kishte qerasur me shampanjë të gjithë ekipin e gatimit. Kur po përgatisnin darkën për 400 veta tek Hani Mbretëror i Gjuetisë, i dha urdhër ekipit që kripën, përveç tij, askush nuk do e hidhte në pjata. Atje, në fakt, keku i madh që kishin bërë kishte pasur mbi kajmak një shtresë karameleje të lëngët, kujton Introcaso.
Vitet e fundit, shihte vazhdimisht emisione kuzhine në televizor. Në faqen e vet të Facebook, vuri një foto me kapuç të madh kuzhinieri dhe prezantoi veten “Lo scef Ignazio Piazza.” Do merrte shpesh shokun e tij Scalici në Florida për muhabete moshe dhe për shqetësimet e shëndetit. Tani që thuajse nuk lëvizte më pa bastun dhe fryma i merrej shpesh, përpiqej të hapej më shumë me familjen.
Ekziston njëfarë paraleleje mes fatit të atij restoranti kostarikan ku familja mendon se Ignazio Piazza pati mësuar treleçen, që u gjend nën hetim për një tregëti kokaine me të dyshuar shqiptarë, kalabrezë dhe latinoamerikanë, dhe përhapjes së vetë trileçes. Për të marrë të tilla përmasa, atij keku amerikano-latin iu desh të modifikohej nga një shef kuzhine siçilian dhe të shpërndahej më pas nga rrjete pastiçierësh shqiptarë. Të tilla rrjete ballkanike emigracioni i kanë dhënë shtrirje globale: tani e sheh nëpër restorante italiane pronësi shqiptarësh në qyteza franceze me emra si La Chapelle-aux-Pots; në kafene kosovarësh në Southsea a Londër, nëpër piceri serbësh qendrave tregëtare të rrethinave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me emra të nxjerrë nga filmi Kumbari; në donerë turqish, dhe prej tyre, në punishte siriane kunefesh nëpër Kanada; e gjen në Doha dhe Dubai.
Nga ajo masë gjërash në sallon — dokumente të zverdhura, vegla të dala jashtë përdorimi, albume fotografish — fëmijët e Simones nxjerrin kamerën e Ignazios, një Canon, dhe luajnë me të në dysheme. Në atë masë gjërash, familja pati gjetur tani vonë një afishe promovuese për specialitetin e “Pontina Catering” për ëmbëlsira, trelecen. Atë afishe Ignazioja e porositi vite pas suksesit që pati në Tiranë, por sipas familjes, në Aprilia ai nuk para e pati nxjerrë.
Por për atë ëmbëlsirë që e kishte bërë në një vend që quhej Shqipëri, Ignazioja i pati folur dikur mbesës së madhe. Aq e kërkuar ishte, i tregonte ai Alices këtu, në këtë sallon, saqë ia patën nxjerrë edhe papa Françeskut në Tiranë në 2014-ën.
“Po, gjysh, po,” i ishte përgjigjur Aliceja.
Kushdo mund të kishte qenë në vend të Ignazios në atë moment. Ajo që jemi nuk është e njëjta gjë me atë mendojmë për veten tonë. Dhe as njëra, as tjetra nuk para përputhen me atë që do flasin të tjerët për ne. Ignazio do mbetet gjithmonë gjyshi i Alices, dhe tani ajo po përpiqet të sjellë të gjithë familjen tek “Tajvani” për të provuar trileçen. Por aty për aty, me gjithë ato histori ekzotike që thurte, për të ishte njësoj sikur gjyshi t’i ishte mburrur se kishte goditur hënën me anije kozmike mu në kokërdhok.
Informacionet për qytetin e Sciaccas dhe Siçilinë e pasluftës dhe për jetën e Ignazio Piazzas atje u mundësuan nga Dr. Antonino Sandullo.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.