"Në hapësirat e përbashkëta, dashuria nuk është thjesht një koncept abstrakt" - Kosovo 2.0

"Në hapësirat e përbashkëta, dashuria nuk është thjesht një koncept abstrakt"

Hapësirat e përbashkëta kultivojnë dashurinë dhe komunitetin.

Nga Vlera Zymeri | 6 korrik 2024

Në librin “All About Love” (Gjithçka rreth dashurisë), bell hooks shtjellon idenë e zbulimit të serishëm të dashurisë nga një vend i plotnisë dhe sypatrembësisë. Kur e sheh nga një pikëpamje urbane, ideja e hooks për dashurinë si forcë transformuese flet drejtpërdrejt për nevojën për të ndërtuar komunitete të forta dhe mbështetëse në zonat urbane.

Në zemër të qytetit, ku ritmi i jetës nuk duket se nuk ngadalësohet kurrë, dashuria gjen rrugën në vendet më të papritura. Nga vendet e treta të gjalla — jo në shtëpitë, e as në vendet e punës, por vendet qenësore për ekzistencën urbane — në qoshet e qeta të parqeve të lagjeve, tapeti i jetës urbane është thurur me fijet e dashurisë dhe lidhjes. Ashtu si vendet publike, vendet e treta janë hapësira ku njerëzit bashkohen për t’u shoqëruar, shtjelluar dhe përballur me versione të reja të vetes.

Rëndësia e vendeve të treta

Rëndësia e vendeve të treta bëhet edhe më e dukshme kur hapësirat publike nuk arrijnë ta strehojnë diversitetin dhe ta promovojnë përfshirjen. Pikërisht në këto çaste, vendet e treta bëhen strehë ku e gjejmë rehatinë dhe ngushëllimin që dëshirojmë. Kur hapësirat publike nuk na bëjnë të ndihemi rehat, hapësirat e treta shfaqen si vendet ku gjejmë qetësi.

Shoqëritë zënë rrënjë, ndahen ide dhe dashuria lulëzon në forma të ndryshme të shprehjes në mjedise si kafene, bare dhe qendra komunitare.

Ray Oldenburg, një sociolog urban, shprehet kështu: vendet e treta janë hapësirat “ku takohen shoqëria, ku fqinjët ndajnë lajme, ku bëhet biznes, ku të panjohurit nisin të flasin”.

Por në mes ngutisë dhe zhurmës së jetës në qytet, disa kërkojnë më shumë sesa thjesht një vend për t’u mbledhur. Kërkojnë një vend të sigurt, një strehë ku mund të jenë vetvetja pa u frikësuar apo gjykuar.

Në Kosovë, nevoja për hapësira të sigurta për komunitetet LGBTQ+ është veçanërisht e shprehur.

Kjo është arsyeja pse vendet si “Bubble Pub” në Prishtinë janë kaq të rëndësishme. Ndodhur në një rrugë anësore, larg zhurmës së bulevardit zhurmues, Bubble Pub është më shumë se një vend për ta pirë një pije — lokali ofron një ndjenjë përkatësie, një komunitet ku individët mund të mblidhen, të shprehen dhe të duan lirshëm.

Për Lend Mustafën, themeluesin e Bubble Pub, “Suksesi ynë më i madh është ndjenja e bashkësisë që kemi krijuar. S’mund të jetë e padukshme. Kur njerëzit vijnë këtu, thjesht ndihen si në shtëpi”. Në Bubble Pub, klientët/et nuk janë veç klientë/e ; ata janë familje, të lidhur nga një dëshirë e përbashkët për një hapësirë ku mund të jenë thjesht vetvetja, pa u gjykuar apo frikësuar.

Në një shtet ku vlerat dhe qëndrimet shoqërore konservatore mund të shkaktojnë sfida për individët LGBTQ+, Bubble Pub tregon se si vendet e treta mund të luajnë rol kyç në përpjekjen për përfshirje dhe pranueshmëri

Në librin “The Vienna That’s Not in the Baedeker” (Vjena që nuk është në fletushkën e udhëtimeve) të Ludwig Hirschfeld, paraqitet një reflektim i thellë mbi idenë e vendeve të treta që na duhen sot. Edhe pse libri u botua në vitin 1929, të menduarit për vendet e treta si “vende për të gjithë, një vend takimi për të dashuruarit, një klub për njerëzit me shije apo interesa të përbashkëta, zyrë për biznesmenët/et e rastit, një vend pushimi për ëndërrimtarin/en dhe një shtëpi për shpirtin e vetmuar”, mbetet i rëndësishëm. Në Kosovë, këto hapësira janë më shumë se vendndodhje fizike; janë vende ngrohtësie dhe përkatësie, ku të gjithë priten krahëhapur.

Potenciali i hapësirës publike

Aktivistët/e dhe qytetarët/et i kanë shtyrë hapësirat publike drejt gjithëpërfshirjes dhe shprehjeve të ndryshme të dashurisë. Paradat e Krenarisë janë shembull i shkëlqyer i kësaj. Kur festohet në hapësira publike, Parada e Krenarisë bëhet më shumë se thjesht një ngjarje; bëhet shpërfaqje e autenticitetit, festim i diversiteti. Zërat dikur të heshtur jehojnë njëzëri, duke kërkuar të drejtën e tyre për të dashur hapur dhe pa drojë.

Pikëpamja e Jane Jacobs lidhur me hapësirat publike, ku qytetet trajtohen si qenie të gjalla dhe ekosisteme, thekson rolin jetik të diversitetit dhe përfshirjes në jetën urbane. Paradat e Krenarisë, për shembull, u japin jetë lagjeve urbane, duke nxitur pranimin dhe mirëkuptimin në tapetin e gjallë të jetës së qytetit. Siç e thotë Jacobs, “Qytetet kanë aftësinë të ofrojnë diçka për të gjithë, vetëm sepse, si dhe vetëm kur ato krijohen nga të gjithë”.

Në këndvështrimin e Jacobs, një qytet plot jetë është i aftë t’i mbështesë komunitetet më qenësore, duke kontribuuar në idenë se vendet me densitet të lartë janë vendimtare për ta ushqyer rritjen shoqërore. Dhe teksa lagjet e ndryshme bashkojnë njerëz me prejardhje të ndryshme kulturore, tradita dhe pikëpamje, hapësirat publike brenda lagjeve të tilla bëhen vende për shkëmbim kulturor dhe mirëkuptim të ndërsjellë.

Dhe dashuria, në format e saj më të brishta, manifestohet përmes veprimeve të vogla të mirësisë, mirësjelljes dhe konsideratës ndaj të tjerëve.

Nëpërmjet ngjarjeve dhe festimeve të përbashkëta, banorët/et kanë mundësinë të mësojnë dhe vlerësojnë pasurinë e kulturave të njëri-tjetrit. Në lagje të ndryshme, hapësirat publike janë nyje ku ndërveprojnë individë nga fusha të ndryshme të jetës. Dhe dashuria, në format e saj më të brishta, manifestohet përmes veprimeve të vogla të mirësisë, mirësjelljes dhe konsideratës ndaj të tjerëve.

Në hapësirat e përbashkëta, dashuria nuk është thjesht koncept abstrakt. Përkundrazi, ajo manifestohet përmes shumë gjesteve simbolike — një shikim i gjatë mes partnerësh/esh, një përqafim nga shoqëria ose të qeshura të përbashkëta.

Aktualisht, hapësirat publike në Kosovë shpesh shërbejnë për qëllime funksionale, duke plotësuar nevojat themelore siç janë transporti, tregtia dhe çlodhja. Derisa këto hapësira plotësojnë kërkesat praktike, atyre mund t’u mungojë thellësia e lidhjes emocionale dhe përfshirja e komunitetit.

Një shembull që e kam shumë për zemër janë parqet. Përderisa parqet kryesore anembanë Kosovës plotësojnë nevoja praktike siç janë çlodhja dhe relaksimi, ato shpesh nuk mund t’i nxisin lidhjet më të thella emocionale dhe ndjenjën e komunitetit që janë kaq qenësore për përvojën njerëzore. Pavarësisht peizazheve të tyre të bukura, shumicës u mungon dizajni i qëllimtë, që është i nevojshëm për t’i bashkuar njëmend njerëzit. A janë krijuar me të vërtetë duke e pasur komunitetin në mendje? A ofrojnë hapësira që nxisin në mënyrë aktive ndërveprimin shoqëror dhe krijimin e lidhjeve? Fatkeqësisht, shumë shpesh, përgjigja është jo. 

Në vend të kësaj, kemi ngelur me një sërë komoditetesh që plotësojnë preferencat individuale, por që bëjnë pak për të na bashkuar si komunitet. Teksa ato mund të plotësojnë nevojat e menjëhershme, kjo ndikon pak për t’i bashkuar vizitorët/et e parkut për një përvojë të përbashkët. Dhe pavarësisht dëshirës sonë për lidhje, kemi mbetur me hapësira që bëjnë pak për ta nxitur ndjenjën e përkatësisë dhe bashkimit.

Dashuria nuk kufizohet në sferat private, por zë vend kudo, duke formësuar ndërveprimet, marrëdhëniet dhe përvojën tonë shoqërore. Gjersa individët angazhohen në këto hapësira si parqet, ata/o ndërtojnë lidhje, ndajnë burimet dhe kontribuojnë kolektivisht në mirëqenien e komunitetit.

Kjo ndjenjë kolektive e mirëqenies pasqyron dashurinë që shtrihet përtej marrëdhënieve individuale.

hooks shkruan në “All About Love” se “për të jetuar me vetëdije, ne duhet të përfshihemi në reflektim kritik për botën në të cilën jetojmë dhe ta njohim atë më nga afër”. Ne duhet ta mendojmë dashurinë si ndjenjë që prek komunitetin në tërësi dhe t’i përdorim hapësirat publike për ta kultivuar atë. Ku ka dashuri, ka një ndjenjë të thellë përkatësie, ndaj përqafoje dashurinë me zemër plot kudo që të gjen.

 

Imazhi i ballinës: K2.0. 

Shfletoni zinën e plotë

Hovi ynë rinor – Print

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.