Kur isha gjashtë-vjeçare, nëna vendosi të më dërgojë në kurs të gjuhës angleze. Ky vendim, që në shikim të parë mund të duket si krejt i zakonshëm, në jetën time mori kuptim të veçantë sepse aty e takova një grua, Nadine Hennesey, drejtoren e kësaj qendre edukative, e cila duke qenë kush është, më mësoi shumë.
Atëbotë, si fëmijë, sapo kisha filluar të krijoja idetë e mia rreth asaj se si funksionon bota. Derisa shumë kohë ka kaluar, ende si sot më kujtohet dita kur fillova kursin. Tek dera ishte Nadine, që na priste një nga një, me buzëqeshjen e saj të ngrohtë.
Këtë ngrohtësi, ajo e përçonte edhe në orët mësimore, të cilat ishin mjaft interesante dhe kreative — përmes lojës dhe aktiviteteve tjera që na ndihmonin të kuptonim konceptet themelore të të mësuarit ndërveprues dhe të zhvillonim shkathtësitë në gjuhën angleze. Përvoja e të të mësuarit bazohej sidomos në inkurajim dhe përgëzim të nxënësve. Ajo na inkurajonte me këmbëngulje që të arrijmë atë që duam.
Megjithatë, kjo përvojë që kishte nisur ndaloi kur, gjatë pushimeve verore të vitit 2009, e morëm lajmin se qendra edukative ku zhvillonim kursin e gjuhës angleze ishte mbyllur. Isha shumë e vogël për të pyetur se përse ishte mbyllur kursi, por e dija që ky lajm s’ishte i mirë. Isha përshtatur aty dhe mësimet më shkonin mirë.
Vitet tani kishin fluturuar. Ishte viti 2016 dhe unë veç isha në përfundimin e klasës së pestë. Në këtë kohë, mora lajmin se një shkollë e re po hapej në Mitrovicë, por s’ia kisha idenë se nga kush dhe si. Vendosa të shprehja interesimin tim dhe të hyja në provim pranues për t’u bërë pjesë e shkollës.
Kur hyra në oborrin e objektit shkollor, te dera e shkollës pashë një fytyrë të njohur. Ishte Nadine. Ende e kujtoj buzëqeshjen e madhe që kisha në fytyrë. Ashtu siç e kujtoj ende rolin që kjo grua luajti duke më ndihmuar t’i tejkaloj vështirësitë me të cilat përballesha asokohe. Ajo kishte vendosur që misionin e saj edukativ ta vazhdonte përmes shkollës “Kosovo Leadership Academy”, e cila fillimisht ishte shkollë e arsimit të mesëm të ulët, pra për klasët e gjashta deri në të nëntat dhe pastaj, në vitin 2019 u licensua si shkollë e mesme.
Ai fillim i vështirë, shpejt u bë fillimi i një udhe të re për mua — një me më shumë vetëbesim dhe kurajo.
Një shkollë e re, një qasje e re
Kështu, fillova klasën e gjashtë në shkollën e re, në të cilën e kisha të vështirë të përshtatesha fillimisht. Shumëçka dallonte nga shkolla ku i kisha kryer pesë klasët e para. Objekti ishte shumë më i madh, profesorët/et, shumica ishin amerikanë/e dhe metodat e shpjegimit ishin ndryshe.
Ndonëse në parim isha fëmijë i gjallë, në klasën e shtatë kisha vështirësi të përshtatesha me klasorët/et — kisha një personalitet më ndryshe dhe ndihesha e vetmuar. Më mungonte vetëbesimi dhe nuk shoqërohesha shumë dhe zakonisht shumicën e kohës e kaloja e vetme në bibliotekën e shkollës. Nadine e kishte hetuar këtë dhe thjesht më thoshte që unë mund të bëja gjithçka nëse kisha mendjen e vendosur për atë çështje dhe kështu, gjatë viteve, fillova dalëngadalë të ndërtoj vetëbesimin tim.
Kjo ndihmohej edhe prej vetë praktikave të shkollës — inkurajohej respekti, vlerësimi e komunikimi i shëndoshë midis nesh. Çdo mëngjes, në shkollën tonë ishte zakon që, kur nxënësit arrinin në objektin shkollor, mblidheshim në sallën e edukatës fizike dhe flisnim për tema që lidheshin me udhëheqësinë e suksesshme, ndërtimin e karakterit tonë, ashtu që t’ia dalim në jetë. Për mua si vajzë e re, sidomos si dikush që zgjedhja të rrija vetëm dhe nuk komunikoja shumë me të tjerët, këto takime kishin domethënie të rëndësishme. Më ndihmuan në të folurit publik, punën ekipore e përgjithësisht, që t’i kapërceja vështirësitë me të cilat përballesha.
Në veçanti një prej këtyre mbledhjeve mbeti si një kulmim i frymëzimit që Nadine na e ofronte të gjithëve, sidomos mua në një kohë kur ishte kritike që si vajzë e re të ndërtoja çka më duhej, ashtu që të prekja ëndrrat e mia, pa frikë dhe pa u zmbrapsur.
Kështu, një mëngjes që dukej i zakonshëm, u shndërrua në një burim të ri fuqie për mua. Nadine filloi të ndante me ne një rrëfim më ndryshe sesa ato që i ndante zakonisht. Ishte rrëfim personal dhe zakonisht, ajo nuk ndante rrëfime personale. Ajo tregoi se si pas asaj që pa prej larg në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë, vendosi që bashkë me vajzën e saj, të vinte në Mitrovicë dhe të bëhej pjesë e përpjekjeve për të ndërtuar prej fillimit gjithçka që kishim humbur — sidomos buzëqeshjet tona.
Kështu, vetëm dy vjet pas përfundimit të luftës, në vitin 2001, Nadine kishte hapur “House of Laughter” apo “Shtëpia e Buzëqeshjes”, e cila ishte një qendër edukative, si dhe njëkohësisht edhe kurs për gjuhën angleze, i përqendruar kryesisht te fëmijët që kanë humbur prindërit gjatë luftës. Ajo tregoi se si familjarët e saj ishin të shqetësuar, pra jo domosdo në pajtim me vendimin e saj për t’u shpërngulur në një vend të sapodalur nga lufta. Por Nadine nuk ishte një njeri që zmbrapsej, prandaj erdhi. Dhe këmbënguljen e saj për t’i ndjekur ëndrrat, pavarësisht pengesave që na dalin udhës, e përçoi edhe te unë e me siguri edhe te shumë të tjerë/a.
Kur dëgjova rrëfimin e saj, kishte kuptim gjithçka që na thoshte përherë. Kështu, ajo u bë si figurë frymëzuese për mua, për të cilën dua të shkruaj, ashtu që të dihet dhe njihet ndikimi që gratë kanë tek gratë tjera, që të çmohet, qoftë edhe vetëm këtu, një grua që më ka ndihmuar të qëndroj afër ëndrrave të mia, përkundër që në kontekstin patriarkal të Kosovës, kjo është e vështirë.
Ndoshta rrëfimi i saj do të ngjallë një fije shprese te vajzat e reja që përditë shtyhen në qoshe të shoqërisë e inkurajohen të heqin dorë prej aspiratave të tyre. Rrëfimi për të, është mbi të gjitha, rrëfim për fuqinë që marrim prej njëra-tjetrës — fuqi që kur ndahet me të tjerët, veç rritet.
Imazhi i ballinës: K2.0.
Shfletoni zinën e plotë
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.