Në një familje të duhur kosovare është e rëndësishme që të ruhet imazhi i mirë publik i gjithë familjes. Një imazh i tillë nënkupton moralin e familjes dhe suksesin e prindërve në rritjen e fëmijëve për të qenë të sjellshëm, të dashur dhe të punësuar në puna që familja dhe komuniteti i miraton.
Në thelb, s’ka asgjë të keqe këtu. Familja jote dëshiron që ti ta kesh një jetë më të mirë dhe të mbështet. Por sa të rëndësishëm janë fëmijët në ruajtjen e imazhit që prindërit duan ta paraqesin para rrethit të tyre shoqëror?
Në një mjedis të tillë, pavarësisht nëse krijohet me apo pa vetëdije, prindërit i vendosin fëmijët nën presion të madh dhe pritshmëri të mëdha. Kjo ndodh teksa aftësitë dhe talentet e vërteta të fëmijëve mund të mos kenë kurrë shansin të dalin në pah.
Zakonisht, prindërit ndiejnë se duhet t’i kontrollojnë jetët e fëmijëve të tyre, duke vendosur për ta edhe kur nuk është e nevojshme. Kjo mund të fillojë nga shprehitë, interesat dhe dëshirat. Kur fëmijëve nuk u ofrohet mundësia e zgjedhjes, ata/o nuk do të dinë se ku i kanë pikat e tyre më të forta, sepse kurrë nuk do t’i mësojnë kapacitetet e talenteve të tyre dhe nuk do të jenë në gjendje ta ndjekin atë që u vjen natyrshëm.
Fëmijët janë përpjekur ta shprehin mendimin në situata të tilla, por në shumicën e rasteve, janë refuzuar menjëherë. Iu është thënë që të mos flasin sepse mendimi i tyre nuk ka rëndësi apo se janë tepër të rinj për ta ditur se çka është e mirë për ta. Kur mendimet e tyre shpërfillen, vetëbesimi i tyre ulet. Ata vijnë në një pikë kur nuk do të përpiqen t’i shprehin mendimet sepse rezultati do të jetë i njëjtë pavarësisht situatës. Shtypja e emocioneve të tyre dhe përmbushja e urdhërave të prindërve bëhet normale.
Pastaj, prindërit duke u ndier se gëzojnë të drejtën ta marrin çdo vendim për rrugën që fëmija i tyre duhet ta ndjekë, duke shpërfillur mendimet e fëmijës ose duke mos i dhënë atij/asaj mundësinë e zgjedhjes, çojnë drejt asaj që fëmija të mos jetë në gjendje të rritet si person. Kjo pastaj e bën më të vështirë për ta që t’i ndërtojnë mendimet e tyre dhe të zhvillojnë aftësi të të menduarit kritik.
Në disa forma, mund të duket se prindërit janë të kujdesshëm dhe duan vetëm më të mirën për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Megjithatë, të qenit kërkues, kontrollues dhe mos vendosja e nevojave dhe dëshirave të fëmijës në plan të parë, vetëm do ta dëmtojë shëndetin mendor të fëmijës. Kjo mund të shkaktojë probleme më të mëdha kur fëmija të rritet dhe të jetë i pavarur.
Ky model, nëse nuk ndërpritet, do të vazhdojë në jetën e fëmijëve kur të rriten. Do të ndikojë në vendimet që luajnë rol të madh në jetën dhe karrierën e tyre personale, dy faktorë shumë të rëndësishëm që ndikojnë në shëndetin e tyre mendor dhe lumturinë e tyre në afatgjatë.
Kontrolli zakonisht vjen në mënyrë që fëmijët e tyre të mos shkojnë në të ashtuquajturat rrugë të këqija dhe të bëhen shembuj të këqij tek rrethi shoqëror i prindërve, duke ua dëmtuar reputacionin prindërve dhe duke reflektuar negativisht mënyrën e tyre të prindërimit. Kjo i vendos fëmijët përballë zgjedhjes së pamundur: a t’i japin përparësi lumturisë së tyre apo miratimit të familjes së tyre.
Këta fëmijë lihen të ndihen të gjykuar nga vetë prindërit e tyre dhe komuniteti rreth tyre, lihen duke dyshuar në vetveten në çdo vendim që marrin, duke pasur vetëbesim të ulët, duke krahasuar punën e tyre me arritjet e njerëzve të tjerë dhe kanë nevojë ta dëshmojnë veten edhe kur nuk është e nevojshme. Ata heqin dorë nga ndjekja e lumturisë së tyre për ta përmbushur çdo pritshmëri që prindërit kanë nga ta, vetëm për një shans miratimi, edhe nëse është gjithmonë e pasigurt nëse do të vijë apo jo.
Mundësia që fëmijët në mjedise të tilla ta zgjedhin lumturinë nuk është aq e lartë. Të mbledhësh guximin për t’i dalë kundër familjes dhe për të luftuar për të ardhmen dhe lumturinë tënde, ndërkohë që kërkon miratimin e prindërve, është mendërisht shteruese. Edhe nëse vepron kundër dëshirave të tyre, s’do të kalojë shumë kohë kur do të ndalojnë së mbështeturi, sepse lumturia dhe gjendja jote mendore rrallëherë ishte faktor në vendimmarrjen e tyre. Arsyeja më e madhe për këtë është imazhi që ata kërkojnë ta ruajnë.
Dhe krejt kjo dhimbje i ka rrënjët e veta. Prindërit e mi asnjëherë s’ishin mbështetës ndaj aftësive të mia të vërteta. Të qenit një fëmijë me emocione shpërthyese dhe mosdija se si të përballesha me to, më ka bërë individ shumë kreativ. Sa herë që kisha mundësinë më të vogël për t’u shprehur përmes artit, e shfrytëzoja pa u menduar dy herë. Aspekte të personalitetit tim po rriteshin, teksa unë krijoja, anipse në atë kohë nuk e dija këtë.
Por prindërit e mi kurrë nuk e konsideruan të qenit kreative dhe zhvillim tim si fëmijë krijues si një opsion; arti e shihnin si humbje kohe, si diçka nga e cila nuk do ta merrja kurrë atë që më duhej në jetë. Kreativiteti nën errësirë dhe përpjekja për mos ta humbur kreativitetin tim, teksa prindërit e mi nuk e shihnin dot, ishte njëmend e dhimbshme. Fillova ta shihja artin tim si një barrë, diçka që nuk duhej ta kisha ndjekur kurrë.
Teksa rritesha, nuk kishte raste kur mund t’i shprehja lirshëm ndjenjat e mia përmes artit, kështu ngadalë dhe pa vetëdije, harrova pjesën më të rëndësishme timen.
Hoqa dorë nga vetja. Lashë gjithçka të ikte pa e kuptuar se ikën edhe lumturia ime dhe mënyra se si ballafaqohesha me emocionet. Veprimi sipas asaj që donin prindërit e mi dhe asaj që pritej nga unë, më bëri të ndihem e mpirë dhe pa ndjenja dhe sërish nuk isha e mjaftueshme për ta. Si mund të isha?
S’isha e mjaftueshme, as kur isha vetvetja dhe as kur bëja gjithçka që ata donin. E gjithë kjo më bëri të mendoj më të keqen dhe kështu, u rëndua shëndeti im mendor.
Pra, çka supozohej të bëja? Mos t’i ndiqja pasionet e mia, konkretisht artin, nënkuptonte që s’kishte më një unë. Kisha ikur. Dhe për çka?
Disi, aq sa ndieva dhimbje, fillova ta vlerësoja edhe më shumë krijimtarinë time. Teksa fillova të krijoj sërish, të shkruaj dhe të shpreh gjithçka që ndieja, fillova ta gjeja rrugën time për t’u kthyer tek vetja, në plotni.
Nisa duke ia treguar njerëzve se shkruaj. Nuk ua thashë shumë njerëzve në fillim, por atyre që u tregova ishin të interesuar. Më pyesnin se çka dhe pse shkruaj, por e mbaja shumë të fshehur. Nuk tregova aq shumë derisa i premtova njërës prej mësueseve të mia, se do t’i printoja disa nga poezitë e mia. Ajo i lexoi dhe më tregoi për netët e mikrofonit të hapur që mbaheshin çdo muaj në qendrën komunitare. Një i tillë do të mbahej të shtunën që vinte.
S’kisha qenë kurrë në atë qendër komunitare dhe nuk njihja askënd, përveç mësueses, e cila do të vinte me mua. Isha në ankth, e ngazëllyer dhe shumë e frikësuar sepse kisha vendosur të ngjitesha në skenë dhe ta ndaja poezinë time me publikun. S’ia kisha idenë se si do ta prisnin.
E lexova dhe njerëzit e dëgjuan. Ndërkohë, dridhesha, duke mos ngritur kokën dhe duke mos u angazhuar me publikun. Pasi mbaroi ngjarja, kishte persona që erdhën dhe më treguan se cila nga poezitë e mia iu kishte pëlqyer dhe pse.
Para se të largohesha, takova organizatorët, të cilët kishin qenë shumë mbështetës dhe mikpritës. Njëri prej tyre më tha se ishte krenar me mua. Kur dëgjova këtë për herë të parë pasi ndava poezitë e mia, të cilat janë një zgjatim i asaj që jam unë, ndryshoi menjëherë pikëpamja që kam për veten dhe për artin tim. Isha plotësisht vetvetja dhe kaq mjaftoi. U ndieva e pranuar në mënyra që nuk i kisha pasur kurrë më parë. Ajo që dëgjova më çeli kaq shumë rrugë për ta gjetur veten.
Teksa fillova të flisja me shoqërinë dhe të tjerët për përvojën time, kuptova se prindërit e shoqërisë sime kishin po ashtu përgjithësisht pritshmëri të tilla. Nëse pritshmëritë nuk përmbusheshin, prindërit mund të mendojnë se nuk i duam apo respektojmë ata. Por këto janë jetët tona dhe s’mund ta lejojmë që lumturia jonë të varet nga miratimi i njerëzve të tjerë.
E kam kuptuar se zakonisht, njerëzit kanë momente thyerje gjatë të cilave imazhi që e ruajnë fillon të çahet. Në ato momente ata fillojnë të vendosin kufij me prindërit e tyre dhe të dinë se kur duhet ta mbrojnë veten dhe të qëndrojnë të vendosur.
Perceptimi i tyre për jetën dhe veten e tyre fillon e ndryshon në ato momente. Sado e vështirë të jetë krejt kjo, vlerësimi i vetes në të gjitha mënyrat e ndryshme përmes së cilave angazhohemi me botën vjen bashkë me rritjen tonë.
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.
Shfletoni zinën e plotë
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.