Bota sot nuk mund të imagjinohet pa internet, sidomos jo pa platformat sociale dhe mediet online, të cilat janë shndërruar në pjesën përbërëse të jetës, duke ua mundësuar njerëzve lidhjen me njëri-tjetrin, komunikimin dhe ndarjen e përvojave.
Imagjinojeni sikur tërë ky sqarim i mësipërm të ishte shkruar në një frymë krejt negative. Eh po, i tillë ishte “fshati global” siç e quan teoricieni Marshall McLuhan, në kohën kur bota e vogël e secilit prej nesh përballej me lajme të shumta të vdekjeve të panumërta dhe rasteve të reja të të infektuarëve në kohën e pandemisë COVID-19, që goditi botën për një periudhë me efekte me jetëgjatësi të pafundme në jetët dhe kujtimet e pothuajse secilit.
Çdo gjë që lexohej në gazetat e fundit të letrës, që do shtypeshin në Kosovën e pas-valës së parë pandemike dhe në platformat online të medieve për lexuesin ishin veç shifra që duhej besoheshin meqë nuk kishin metoda tjeta për konfirmim, por secili nga ta kishte historinë e vet, pra histori të cilat për ata nuk përbënin numra, por që ishin përjetime në lëkurë.
Këto përjetime dhe rrëfime plot frustrim të të afërmve nga rrethi i ngushtë dhe shoqërisë nga rrethi i gjerë sollën edhe ‘shpërthimin’ psiqik e emocional i cili do merrte emrin “Mitropol”, faqe Facebooku e themeluar në një laptop që ndodhej mbi tavolinën e gjatë nga druri të njërit nga lokalet e Mitrovicës.
Koha për ndryshim
Mitropol, i cili shumë shpejt në muajt pasrendës do bëhej edhe me ueb faqen e vet, erdhi pas një përvoje të akumuluar ndër vite si në të bërit gazetari, ashtu edhe në të bërit aktivizëm shoqëror disa-vjeçar në oranizata të shoqërisë civile në Mitrovicën e vogël. Erdhi nga mendimi se kishte ardhur koha për ndryshim.
Synimi ishte që ky medium i themeluar nga dy të rinj entuziastë në të bërit gazetari profesionale, unë dhe Harisi, i cili punonte po ashtu në një tjetër medium nacional, të mos ishte veç një platformë, por të bëhej adresë e re e ankesave të publikut për padrejtësitë me të cilat përballen kudo — për rrugët e rregulluara keq, për mungesën e ndriçimit në lagjet periferike të regjionit, për punësimet e kurdisura. Donim të krijonim adresë për probleme të heshtura në mungesë të një zëri të besueshëm lokal që do ofronte mundësi për zgjidhje të problemeve pas raportimeve publike.
Puna kishte nisur me një ritëm të shtuar e me shumë entuziazëm. Nisëm të shkruanim për problemet që i preokuponin qytetarët e Mitrovicës, Vushtrrisë e Skënderajt, por edhe më gjerë. Çdo ditë e më shumë filluam të pranonim raportime si nga qytetarët aktivë, ashtu edhe nga rrethi jonë shoqëror që tashmë kishin një alternativë për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre.
E gjithë kjo, normalisht nuk ishte krejt e lehtë. Ne po i dhuronim platformës tonë gjënë më të shenjtë që kishim — kohën. Ishte koha kur unë punoja 12 orë e Harisi shoku im pesë-gjashtë orë, në mënyrë që të ishim aktiv gjatë tërë kohës dhe gjithçka e bënim vullnetarisht, pasi në fillet tona ishte goxha vështirë të ëndërronim për fitime materiale që në fillim.
Por, shtytja ishte e madhe — na udhëhiqte dëshira për t’u bërë faktor që do ndikonte në përmirësimin e jetës së publikut si në nivel lokal e njashtu edhe në atë vendor.
Kjo nuk ishte arsyeja e vetme, normalisht. Ishim aktivistë të shoqërisë civile, por aktivizmi filloi të mos na mjaftonte për t’i shtyrë përpara ndryshimet e domosdoshme, që vijnë përmes presionit publik ndaj institucioneve. Kjo më së miri bëhej duke funksionuar si medie.
Sfidat që na përcollën gjatë rrugës së gjatë që kishim nisur i kishim parashikuar që në fillim, andaj edhe kur sfidoheshim, i tejkalonim me humor. Tendencat për ta ngjyrosur politikisht mediumin që kishim nisur ishin pjesë e fillimit tonë, edhe atë, qysh në dy javët e para. Megjithatë, kjo sfidë e parë u tejkalua me lehtësi gjersa ne vazhdonim të raportonim paanshëm dhe pa ndonjë “padron” pas vetes.
Kishte ditë kur kërcënoheshim virtualisht dhe detyroheshim të diskutonim edhe me ata që s’na donin kur u prekeshin interesat, por para se të zgjidhnim t’u drejtoheshim institucioneve të sigurisë, tentonim të sqaroheshim me personat e përfshirë. Nganjëherë përfundonim duke pirë kafenë e pasdites me ata që një ditë më parë donin të na shihnin duke u mbyllur si medium.
Në vitet e rritjes, pas largimit të mikut tim, Harisit për shkak të angazhimeve tjera profesionale, në ekipin e Mitropol ishte bashkangjitur Besniku, në një kohë kur nuk mungonin sfidat për nga aspekti i sigurisë, pasi ndodheshim në terrene të vështira, si në jug ashtu edhe në veri të Mitrovicës. Ishim edhe në protesta, e edhe në barrikada, por çdo sfidë që po vinte më nuk ishte e re, madje ishte dicka që na ngjallte adrenalinë, pasi ndodheshim në vendngjarje, kur gjithcka po zhvillohej aty-për-aty, me qëllimin e vetëm, t’i informonim publikun tonë në formën më korrekte të mundshme, duke mos ngjallur panik e duke mos i zmadhuar ngjarjet që po ndodhnin.
Kisha edhe ditë të vështira, kur mendoja të hiqja dorë, por më mjaftonte ta ktheja kokën pas e të shihja se prej ku kisha ardhur që të mund të vazhdoja punën pa e ngadalësuar ritmin aspak. Madje sot, kur e mendoj, në platformën ka një sërë prodhimesh me të cilat ndihem fort krenar e këto s’do i arrija po të ndalesha rrugës. Mitropolin, në fillet e veta tentonim ta bënim edhe një platformë kulturore që qytetarët e regjonit të Mitrovicës, por edhe më gjerë, do i merrte me vete në retrospektivë përmes fotografive dhe video-prodhimeve të vjetra, të cilat i publikonim herë pas here. Puna në këtë medium mëtonte të ishte edhe një nismë për frymëzim e ndërgjegjësim, në një periudhë të ngarkuar rëndë nga lajmet negative të imponuara nga zhvillimet me Covid-19.
Kjo qasje, e cila filloi të funksiononte shumë shpejt dhe po tregonte rezultatet e veta, u kurorëzua për një periudhe as rreth një-vjeçare me një seri reportazhesh që Mitropol i solli si prodhim i bashkëpunimit me një kompani produksioni e të cilat u publikuan në platformën e Facebook pa asnjë interes ekonomik, në kohën kur monetizimi ishte një term thuajse i rezervuar vetëm për materialet e publikuara në platformën Youtube. Këto video-materiale preknin pikërisht atë nuancën për të cilën kishte nisur gjithçka, frymëzimin.
Njerëzit që takoja teksa po ecja në qytetin me lokale të hapura pas një kohe të gjatë qëndrimi mbyllur, me maskë mbi hundë më tregonin se sa shumë i shijonin tregimet e zanatlinjëve të vjetër të cilat po i shfaqnim për ta, që t’u tregonim se krahas përjetimeve të vështira që i kaluam së bashku ka ende shumë gjëra të bukura që i kemi për t’i rrëfyer.
M’rrëfe që t’rrëfej për ty
“Ishin tre grupime në parlament, por në galerinë e reporterit atje matanë, ishte ulur një grupim i katërt, më i rëndësishëm se ata të gjithë”, përshkrim kaq bukur i medieve, që i atribuohet Edmund Burke, që kishte jetuar mes viteve 1729-1797.
Nisur nga kjo logjikë, ne po kërkonim rrëfimet e atyre që s’u ndihej zëri. Po kërkonim që në fund të ditës, kjo punë e jona, që nisi si frymëzim për një shoqëri më të mirë, të bëhej shkak për një rend të ri më të drejtë e më të bukur për ta dhe për ne.
Ne besojmë se përveç lajmeve të zakonshme, atyre që lidhen me raportime për ngjarje dhe zhvillime negative, ashtu edhe atyre të zhvillimeve të ndërlikuara politike, publiku duhet të ushqehet edhe me lajme të tjera të sakta dhe pozitive që ndihmojnë në përmirësimin e mirëqenies së tyre mendore dhe emocionale dhe që kontribuojnë në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë.
Ky produkt që lindi pas një kohe të gjatë të angazhimit duhet t’i shërbejë çdo të riu në Kosovë si frymëzim për t’i aplikuar aftësitë e tyre të fushave të ndryshme në të mirë të shoqërisë ku jetojnë, edhe me kushtin që për këtë të përballen me pengesa të vogla a të mëdha, të cilat mund t’i tejkalojnë me vullnet të mirë dhe vendosmëri në punën që bëjnë.
Imazhi i ballinës: Mitropol.
Shfletoni zinën e plotë
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.