Ditët e verës po afroheshin. Korridoret e shkollës së mesme laheshin nga rrezet e diellit që depërtonin përmes dritareve të mëdha, pranë të cilave ishin vendosur bimë të ndryshme. Ky diell i fortë shënonte edhe fundin e shkollës. Jo vetëm të mësimeve edhe të zgjimeve pa dëshirë nga gjumi për të marrë atë rrugë të lodhshme. Ishte edhe fundi i një periudhe sfiduese emocionale dhe shpirtërore.
Ishte edhe një kohë kur reflektova për pyetjen: Me sa shumë përbuzje verbale përballen adoleshentët/et sot?
Dikur edhe në mendjen time rriteshin idetë se jeta e rëndomtë e një shkollari ishte një jetë ku ne jemi “makineri mësimi”, ku gjithçka që duhet të bëjmë është të përqendrohemi në arritjen e notave të larta. Ishte një kohë kur mendja ishte e ndjeshme për t’i dëgjuar shprehjet si: “po i merr gjanat afër zemres” ose edhe nga ato “aih mos e mendo, se me të gjithë bojnë hajgare” ose ajo tjetra “nuk mundesh me kalu shkollën nëse nuk e përjeton një fazë depresive”.
Domethënë, në ndërdijen e një adoleshenti krijohej e forcohej si kështjellë përshtypja se përçmimi dhe ofendimi janë normale, janë diçka që ti si nxënëse duhej pranuar, në heshtje, pa thënë asgjë, pa u ankuar. Me këtë heshtje krijohej tërheqja, gradualisht krijoje zonën e rehatisë nga ku është vështirë të dalësh. Ishte një ndjenjë e keqe — dukej si një luftë dhe ti ishe e vetmja luftëtare në betejë.
Sa lëndues ishte fakti që duhej ngritur më herët nga gjumi në mëngjeset e atyre ditëve, për të shkuar në shkollë para të gjithëve vetëm sa për t’i shmangur turmat bullizuese. Frymonim në një kohë kur sa më shumë që shtypje tjetrin, aq më lart ngriteshe në shoqëri, aq më shumë dukej se kishe gjasa të pranoheshe, sidomos nga ato grupet që në shkollë cilësoheshin si grupe të nxënësve të rëndësishëm, VIP.
Objekti shkollor ku supozohej që mendjet e të rinjëve e të rejave t’i begatojë me njohuri, nuk po shërbente si i tillë. Në vend të kësaj, ky objekt strehonte ndasi midis nxënësve, qoftë për shkak të statusit ekonomik, rrobave që disa mund t’i kishin e disa jo. Krijoheshin edhe ndasi bazuar në nivelin e përçmimit që nxënësit e bënin. Sa më shumë përçmoje, aq më shumë afroheshe me grupet VIP.
Sistemi arsimor në Kosovë, si në shkollën time, e shihte shumë të nevojshme të fliste për myshqet; të na obligonte të mësonim përmendësh çdo presje të lëndëve mësimore, por ama, në 12 vjet të shkollimit, asnjëherë nuk kam hasur në ndonjë frazë motivuese a lehtësuese e lëre më në ndonjë kapitull për shëndetin mendor.
Derisa myshqet janë të rëndësishme, ishte më e rëndësishme të mësojmë t’i kemi mekanizmat e duhur për t’u ballafaquar me sfidat e shëndetit mendor, t’i kemi përgjigjet e duhura për pyetjet se si të përballemi me situata kur ndihemi se bota na shembet mbi kokë. Na duhej dikush që na pyeste se si jemi dhe dikush që e dëgjonte përgjigjen me vëmendje.
Si ia dola?
Siç thonë “pas breshërit rrezon dielli”, kështu që edhe për mua dikur rrezoi dielli. Shkolla përfundoi dhe fillova t’i vendos gjërat në vendin e duhur, sikur të isha një fëmijë që bashkon pjesët e një enigme figurash. Isha e përkushtuar të përmirësoj cilësinë e jetës sime. Normalisht, ky nuk është një proces që funksionon me formulë — nuk është i njëjtë për askënd.
Po ashtu, mënyrat se si e përmirësojmë jetën tonë, jo çdo herë mund t’i mësojmë prej dikuj, si në rastin tim, prandaj unë i kam krijuar vetë ato që më përshtaten mua: meditimi, dëgjimi i muzikës apo biseda me njerëz të zemrës. Fillova të përqendrohesha më shumë te ajo që isha përbrenda.
Një prej mënyrave ishte edhe vendimi që të studioja drejtësinë. Ishte një fjalë me kaq shumë peshë, që e kam dëgjuar shpesh, por që s’ia kam kuptuar thelbin. E dija që, brenda vetes, isha shumë e lidhur me drejtësinë. E mendoja qysh kur isha në klasë të tretë, por normalisht, përballesha me “pse po lodhesh me mendu kaq herët?” Sikur kishte një afat të caktuar kur njeriu duhet të mendojë për ëndrrat e veta.
Fillova studimet për juridik në Universitetin e Prishtinës. Të dalësh nga Mitrovica në një qytet të ri e më të madh ishte sfidë në vete, por ishte një sfidë e dashur, më e dashura që kam përjetuar. Dalëngadalë fillova të kuptoj se çka do të thoshte të ishe studente.
Fillova t’i përjetoj ndryshe zgjimet. Nga hezitimi për t’u zgjuar, mëngjeset u bënë koha e preferuar për mua — merrja rrugën për në ligjërata, shfletoja literaturën që më njoftonte edhe më shumë me drejtësinë, institucionet juridike, me çështje të cilat doja t’i dija, doja t’i mësoja. Secilin rresht e absorboja me shumë dashuri.
Po e jetoja jetën studentore që e kisha ëndërruar gjithnjë. Fillova të mësoja se si ishte të ishe e rritur. Fillova të mësoj të menaxhoj financat e mia, të kem vëmendje më të madhe në mënyrën se si e kaloj kohën e mbi të gjitha, fillova të mbroj më shumë veten prej lajmeve e informatave që nuk doja t’i kisha në jetë. Fillova të marr rol më aktiv në çka më ndikonte për të mirë e çka jo — edhe pse kjo nuk është gjithnjë diçka që mund ta kontrollojmë. Megjithatë, nisa të punoj më shumë edhe në mënyrën se si i absorboja ngjarjet përreth meje, në mënyrën se si më ndikonin e edhe në mënyrën se si i procesoja ato.
Fillova të marr hapa që ta çmoj veten më shumë dhe të kaloj më shumë kohë duke zbuluar se çka është më e mirë për mua. Thjesht, fillova të mos dëgjoj zhurmat që përpiqen të na bindin se shëndeti mendor është i parëndësishëm.
Imazhi i ballinës: K2.0.
Shfletoni zinën e plotë
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.