“A po ka punë”? të pyesin. Pyetje e zakonshme, fjali e përditshme. Përdoret si përshëndetje a si mënyrë për ta nisë bisedën, si shpërfaqje e interesimit për mirëqenien e tjetrit. Por, siç vlen për çfarëdo shprehje specifike kulturore, me to komunikohen edhe vlera të pathëna e të fshehura.
Prania e “A po ka punë”? gjithkund në jetën tonë të përditshme e tregon rolin qendror që puna e ka në mënyrën se si e kuptojmë jetën dhe mirëqenien. Kjo nuk është thjesht pyetje personale; kjo përshëndetje flet për mundimet e përditshme të njerëzve për ta mbajtur e për ta gjetur një punë e pastaj edhe për të mbijetuar nga ajo punë. Tregon se sa puna e përcakton mënyrën se si e përjetojmë veten dhe shoqërinë përreth.
Prandaj, kemi vendosur që Karnivali ynë i tretë të jetë për punën. Titulli i Karnivalit është Djersë –– një tribut për mundimet e punëtorëve, një njohje e të drejtave të tyre. Të menduarit për djersën na ndihmon të shohim se si idetë tona për punën nuk e kanë themelin në të drejtat e punëtorëve, po në shfrytëzimin e djersës së tyre. “Gjithçka duhet me e fitu me djersë,” e dëgjojmë shpesh. Djersa, siç e e dëshmojnë shumë shprehje për të, është shënjuesi tipik i eksploatimit. “Hajde, djersitu pak, jepi, puno. Për çka po t’paguj?”, mund të thotë një shef.
Kështu, sot e nisim një program katër-ditësh, me folës e folëse dhe diskutime frymëzuese për djersën e punën. Sot, po e botojmë edhe monografinë tonë të radhës online, që shtjellon tema të ngjashme. Në këtë monografi, do të gjeni rrëfime personale të mundimit e këmbënguljes, të ballafaqimit me punë të rënda e edhe rrëfime të kundërshtisë së pandalur ndaj kushteve eksploatuese e të rrezikshme. Monografia jonë zbërthen dallimin midis njëjtësisë dhe barazisë, një dallim i rëndësishëm që na ndihmon t’i kuptojmë pabarazitë strukturore që mirëmbajnë shtypjen e diskriminimin, si dhe ju sjellim përmbajtje shpjeguese për atë se si politikat dhe legjislacioni shtetëror dështojnë t’i mbrojnë e promovojnë mirëfilli të drejtat e punëtorëve e punëtoreve.
Programi i Karnivalit dhe monografia jonë DJERSË prekin aspekte të ndryshme të punës –– atë se si puna është thellësisht e gjinorizuar; atë se si sektorët si ndërtimtaria, gastronomia, mirëmbajtja, kujdestaria ndaj fëmijëve janë strukturuar asisoj që të eksploatojnë të cenueshmit; si bota e artit dhe kulturës mund të jetë një hapësirë ku jo vetëm artikulohet dhe kritikohet padrejtësia, por edhe ku ndihen për së afërmi mundimet që lidhen me punë; si mungesa e kontratave i dëmton punëtorët e punëtoret; dhe si, përfundimisht, planeti, shtëpia jonë e përbashkët po djersitet nën peshën e rëndë të degradimit të ambientit dhe ndryshimit klimatik.
E gjithë kjo lidhet me angazhimin tonë të pareshtur në K2.0. Si revistë, gjithnjë kemi qenë të përkushtuar për t’i vënë në pah këndvështrimet dhe përvojat që tepër shpesh keqinterpretohen, keqprezantohen e keqkuptohen. Ne jemi të përkushtuar që t’i gjejmë bisedat që duhet të ndodhin ashtu që jo vetëm të përgjigjemi ndaj botës përreth nesh, por edhe të provojmë të krijojmë një botë në të cilën njëmend duam të jetojmë.
Përgjatë viteve, gazetaria e K2.0 ka trajtuar kushtet e pasigurta të punës, praktikat e padrejta dhe politikat diskriminuese rreth punës në forma të ndryshme. Por këtë vit, po e vendosim punën –– si koncept, praktikë dhe përvojë –– në qendër të shqyrtimit tonë gazetaresk.
Shprehjet kulturore do të mbesin gjithnjë të rëndësishme për shkak të asaj se si ato e përshkruajnë dhe e krijojnë botën rreth nesh. Por ndoshta “A po ka punë”, shprehje që përfaqëson pamjaftueshmëri dhe varësi, mund të ndërrohet në diçka më të fuqizuar. Shpresojmë që programi i Karnivalit dhe përmbajtja e monografisë të kontribuojnë në këtë, teksa i gjurmojmë disa prej ideve më të dëmshme shoqërore rreth punës; gjithnjë duke e mbajtur Djersën, qoftë në kuptimin e parë të fjalës apo në kuptimin figurativ, në qendër.