Shpalosja e mitit rreth Betejës së Kosovës së vitit 1389 - Kosovo 2.0

Shpalosja e mitit rreth Betejës së Kosovës së vitit 1389

Zbulimi i sërishëm i narrativës shqiptare.

Nga Vesa Maxhuni | 30 shtator 2024

Beteja e Kosovës e vitit 1389 është e ngulitur në kujtesën kolektive të Ballkanit, veçanërisht atë të Serbisë. Edhe pse beteja ka ndodhur mbi 600 vjet më parë, është ende relevante. Ose, thënë më mirë, bëhet relevante. Kujtesa kolektive është një konstrukt shoqëror që kërkon mirëmbajtje nga akterët dhe institucionet. S’është diçka që thjesht ndodhet aty, natyrshëm, por vjen si pjesë e një procesi që ndërton një pikëpamje të caktuar për të kaluarën me kalimin e kohës.

Beteja u zhvillua më 28 qershor 1389 në Kosovën e sotme dhe shënoi një përplasje të madhe mes forcave ballkanike dhe osmane. Një ushtri koalicioni — e udhëhequr nga princi serb Lazar dhe e përbërë nga serbë, boshnjakë, shqiptarë dhe vllehë — u përball me forcat pushtuese osmane, nën komandën e Sulltan Muratit I. Kjo betejë ishte pjesë e luftës më të madhe për kontroll në Gadishullit Ballkanik, mes Perandorisë Osmane në zgjerim dhe strukturave të përçara ballkanike. Megjithëse beteja përfundoi pa një fitues të qartë, ajo dobësoi forcat serbe, duke çuar përfundimisht në shndërrimin e Serbisë në një vasal të Perandorisë Osmane.

Ndër historianë/e dhe studiues/e, beteja njihet si pjesë e rëndësishme e kujtesës kolektive serbe dhe si një narrativë shtytëse për nacionalizmin serb, i cili kulmoi me luftën e viteve 1998-99 në Kosovë.

Në vitin 1989, presidenti i atëhershëm i Presidencës së Republikës Socialiste të Serbisë, Slobodan Milošević, instrumentalizoi kujtimin e betejës, për t’i mobilizuar njerëzit për luftë. Në 600-vjetorin e betejës, Milošević mbajti fjalim në Gazimestan në Kosovë, në vendin përkujtimor të betejës. Ai foli për heronjtë serbë të asaj kohe dhe argumentoi se “Serbia kishte kthyer dinjitetin e saj”, duke iu referuar shtypjes së dhunshme të protestuesve/eve shqiptarë/e dhe shtypjes së autonomisë së Kosovës, e cila ishte garantuar me kushtetutën jugosllave të vitit 1974.

Shqiptarët, duke qenë kryesisht të besimit islam, u portretizuan si pasardhës dhe bashkëpunëtorë të osmanëve, armikut të përjetshëm, edhe pse shqiptarët luftuan krah për krah me serbët në vitin 1389. Milošević e portretizoi Serbinë në betejë si mbrojtëse të Evropës dhe krishterimit. Fjalimi është ngjarje e rëndësishme që formësoi në mënyrë të konsiderueshme rrjedhën e ngjarjeve të mëvonshme në Jugosllavi.

Por çfarë dihet më pak është narrativa shqiptare rreth betejës.

Një pikëpamje e re për historinë e Kosovës

E rritur në diasporën shqiptare të Kosovës, gjithmonë kam qenë e interesuar për historinë e Kosovës, veçanërisht për luftën e viteve 1998-99, pasi kjo luftë është arsyeja pse jam rritur dhe kam jetuar në Gjermani. Rreth kësaj teme flisja kryesisht me babanë tim, i cili gjithmonë ka qenë admirues i historisë. Kur e pyeta se pse Kosova është kaq e rëndësishme për Serbinë dhe pse ndodhi lufta, ma shpjegoi se historia e Kosovës është shumë e ndërlikuar dhe Serbia e pretendon territorin e Kosovës si të vetin për shkak të betejave të lashta. Këtë mendim e harrova deri disa vite më vonë, kur nisa t’i bëja kërkimet e mia.

Më interesonte diskursi nacionalist serb. Në forumet në internet kam lexuar se si Kosova është “djepi” i Serbisë. Kjo ma tërhoqi vëmendjen. Pas kërkimeve të mëtejme, mësova se si Kosova nuk ka vetëm rëndësi gjeografike dhe historike në narrativat nacionaliste serbe, por ka edhe një kuptim të shenjtë mitologjik, prandaj beteja njihet edhe si “miti i Kosovës”.

Pse s’e kisha dëgjuar këtë ngjarje historike tek tregohej nga shqiptarët?

Për një kohë të gjatë kisha supozuar se në betejë luftuan vetëm serbët. Çfarë nuk dija deri vonë ishte se në betejë luftuan edhe vllehët, boshnjakët — dhe shqiptarët. Fillova të bëhesha kureshtare pse kisha hasur vetëm në narrativën serbe deri në atë kohë, një narrativë që përjashtonte pjesëmarrjen e shqiptarëve në betejë. Pse s’e kisha dëgjuar këtë ngjarje historike tek tregohej nga shqiptarët, sidomos marrë për bazë që e kisha dëgjuar aq shpesh betejën legjendare të Skënderbeut, i cili po ashtu luftoi osmanët në shekullin XV?

Këto pyetje më shtynë të shoh nëse shqiptarët/et e Kosovës e kujtojnë — dhe nëse po, si — betejën e vitit 1389? Çfarë roli luan në kujtesën e tyre kolektive?

Këngët epike dhe tradita e gojëdhënave te shqiptarët/et e Kosovës

Një këngë epike — e njohur gjithashtu si poemë epike ose baladë — është një vepër e gjatë, shpesh në vargje, që rrëfen veprat e jashtëzakonshme të heronjve legjendarë ose historikë. Këto këngë epike janë pjesë thelbësore e trashëgimisë kulturore dhe tradicionalisht transmetohen gojarisht ndër breza.

Në librin e saj “The battle of Kosovo 1389: An Albanian Epic,” [në shq. Beteja e Kosovës 1389: një epikë shqiptare], sociologia Anna di Lellio komenton dhe analizon epikën shqiptare të betejës dhe rëndësinë e saj. Ajo përqendrohet në mënyrë të veçantë në periudhën pas luftës së viteve 1998-99 dhe në atë se si eposi luan rol në identitetin dhe kujtesën kombëtare shqiptare të Kosovës. Libri përmban edhe përkthime të këngëve epike nga beteja.

Gjatë sundimit të Milošević, kur institucionet e kulturës popullore u shkatërruan dhe studentët/et dhe mësuesit/et shqiptarë/e u përjashtuan nga institucionet arsimore, teksa planprogrami mësimor përqendrohej në historinë dhe gjuhën serbe, këndimi i këngëve epike shqiptare u bë akt i rrezikshëm rezistence.

Di Lellio thekson se, ndryshe nga Serbia, ku tradita e gojëdhënave u zbeh në shekullin XX, te shqiptarët e Kosovës kjo traditë ka rëndësi të madhe edhe sot e kësaj dite. Gjatë sundimit të Milošević, kur institucionet e kulturës popullore u shkatërruan dhe studentët/et dhe mësimdhënësit/et shqiptarë/e u përjashtuan nga institucionet arsimore, teksa planprogrami mësimor përqendrohej në historinë dhe gjuhën serbe, këndimi i këngëve epike shqiptare u bë akt i rrezikshëm rezistence.

Libri i Di Lellios përmban një përzgjedhje këngësh të kënduara ose të regjistruara midis viteve 1923 dhe 1998. Një dallim nga narrativa serbe është se epika shqiptare e portretizon betejën si të zhvilluar nga grupe të ndryshme, jo kryesisht nga serbët apo shqiptarët. Di Lellio thekson se përkujtimi i betejës forcon pohimin rreth pranisë shqiptare në Kosovë për mbi 600 vjet, duke përforcuar kështu pohimin e shqiptarëve të Kosovës rreth të të qenit vendas në rajon dhe rreth rezistencës së vazhdueshme ndaj pushtuesve të huaj.

Kombi dhe miti: ripushtimi i së kaluarës

Me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës në vitin 2008, u krijua një shtet-komb i ri. Një shtet s’është vetëm një institucion politik, por edhe një institucion shoqëror që formëson identitetin e njerëzve që banojnë në të. Kjo është arsyeja pse mitet dhe heronjtë/heroinat legjendarë/e luajnë rol vendimtar në kultivimin e një identiteti kombëtar, duke legjitimuar njëkohësisht ekzistencën e tij, pasi ato mite zakonisht i paraprijnë krijimit të shtetit. Kujtesa kolektive është fluide, dinamike dhe e ndërtuar. Ajo është ngulitur në trupat dhe mendjet tona nga institucionet dhe akterët, si politika, kultura dhe arsimi. Koha e përkujtimit është gjithashtu qenësore për politikën e kujtesës.

Në vitin 1998, pak para fillimit të luftës në Kosovë, Ismail Kadare botoi “Tri këngë zie për Kosovën”. Ky roman rrëfen historinë e betejës së Kosovës, duke përzier zhanrin fiksion me realitetin dhe duke nënvizuar karakterin multi-etnik të ushtrisë që lufton kundër sulltanit. Kadare trajton edhe armiqësinë e kahershme midis serbëve dhe shqiptarëve, të cilët megjithatë luftuan së bashku kundër osmanëve. Në fund, përpjekja për ta ndaluar hyrjen e mëtejme osmane në Evropë u humb — por u humb së bashku. Duke botuar një roman të tillë me këtë rrëfim gjatë shtypjes së vazhdueshme të shqiptarëve në Kosovë, Kadare, në të njëjtën kohë e shembi dhe e rindërtoi kujtesën kolektive të betejës.

Beteja mund të ishte përdorur si përkujtim i unitetit mes grupeve të ndryshme etnike në Ballkan.

Kadare veproi si agjent kujtese, duke rikthyer pjesëmarrjen e shqiptarëve në ndërgjegjen e njerëzve dhe duke u kujtuar të gjithëve një të kaluar të përbashkët. Në të njëjtën kohë, ai kundërshtoi narrativën e mirëmbajtur nga serbët si Milošević, të cilët e portretizuan betejën si të luftuar posaçërisht nga serbët dhe e cila portretizoi shqiptarët si armiq, në të njëjtën mënyrë me osmanët. Ky portretizim selektiv i së kaluarës ishte pjesë e makinës propagandistike, që ishte pjesë përbërëse e regjimit fashist të Milošević. Beteja mund të ishte përdorur si përkujtim i unitetit mes grupeve të ndryshme etnike në Ballkan. Në vend të kësaj, ajo u përdor për ta arsyetuar më tej represionin e dhunshëm ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Kjo tregon se si historia nuk përbëhet nga ngjarje faktike neutrale, por është e krijuar nga njeriu, e ndërtuar në mënyrë selektive, e portretizuar dhe e instrumentalizuar nga fuqitë aktuale hegjemonike. Kjo vlen edhe për narrativën serbe edhe për atë shqiptare. Kadare vuri theksin te uniteti i grupeve të ndryshme etnike, por këtë e bëri duke theksuar identitetin e tyre të krishterë. Në roman, fantazma e Sulltan Muratit reflekton nëse ai mund të jetë shkaku i gjithë gjakderdhjes në rajon: “Nganjëherë, në orët më të rënda më sillet dyshimi se mos gjaku im është zanafillë e këtij tmerri… Bëje o Zot, shkule krejt baltën përreth sepse mjaftojnë vetëm ca pika gjaku për ta ndryrë brenda gjithë kujtesën e botës”.

Përshkrimi i këtillë i një të kaluare dhe të tashmeje kaq të dhunshme të Ballkanit përforcon narrativën e rajonit si një rajon të karakterizuar nga konflikte të përjetshme, ku dhuna ndëretnike ka vazhduar me shekuj.

Në libër nënkuptohet se beteja e sulltanit përputhet me ngjarjet që ndodhën mbi 600 vjet më vonë. Duke pasur parasysh retorikën anti-myslimane të Milošević dhe përndjekjen e boshnjakëve dhe shqiptarëve, popuj të cilët janë kryesisht myslimanë, është zgjedhje interesante t’i ndërlidhësh këto ngjarje me sundimin osman në Ballkan. Përshkrimi i këtillë i një të kaluare dhe të tashmeje kaq të dhunshme të Ballkanit përforcon narrativën e rajonit si një rajon të karakterizuar nga konflikte të përjetshme, ku dhuna ndëretnike ka vazhduar me shekuj. Ky perceptim theksohet më tej nga përshkrimi i shpeshtë i Ballkanit si “fuçi baruti” nga mediet dhe historianët/et perëndimorë/e, si përjetësisht në prag të luftës, krahasuar me një Evropë që supozohet të jetë e qytetëruar dhe e përparuar.

Që nga luftërat mes katolikëve dhe protestantëve deri tek sipërmarrjet koloniale dhe perandorake dhe dy luftërat botërore, historia e Evropës karakterizohet nga dhuna. Luftërat ballkanike janë pjesë e këtij modeli më të gjerë, jo një përjashtim që kërkon që pushtuesit e huaj ta nxisin konfliktin. Portretizimi i sulltanit dhe osmanëve nga Kadare luan në diskursin orientalist rreth betejës dhe të kaluarës së shqiptarëve. Me luftën kundër Perandorisë Osmane — që përfaqëson myslimanët — shqiptarët mund të rikthejnë identitetin e krishterë dhe rrjedhimisht evropian, si identitet që daton që nga shekulli XIV.

Në diskursin aktual rreth anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE), ky është një faktor i rëndësishëm. Shumë shqiptarë të Kosovës e shohin anëtarësimin në BE si kërkesë të drejtë të tyre dhe si vërtetim të identitetit të tyre evropian. Në një kontekst të tillë, aspiratat politike ndërthuren thellë me politikat e identitetit. Megjithatë, përmendja e një të kaluare të krishterë si feja e vërtetë dhe identiteti i shqiptarëve, shpërfill identitetin aktual mysliman të shumicës së popullsisë, një besim që ekziston prej dekadash, dhe në disa raste, edhe para Perandorisë Osmane. Kjo është pikërisht çka e karakterizon politikën e kujtesës: ta kujtosh një aspekt të caktuar të së kaluarës dhe ta ndërlidhësh atë me politikën dhe lojërat e pushtetit, në këtë rast, me anëtarësimin në BE.

Beteja e Kosovës nuk u zhvillua në korniza fetare, kombëtare apo etnike — ishte konflikt ndërmjet perandorive dhe mbretërive që shfrytëzonin dallimet fetare. E kaluara është romantizuar, zbukuruar dhe mistifikuar, duke i shtuar asaj konceptet tona moderne të identitetit. Kjo mund të çojë në retorikë të rrezikshme dhe përjashtuese, siç shihet në Austri, ku e djathta ekstreme shfrytëzon Betejën e Vjenës së vitit 1683 kundër osmanëve, për ta nxitur racizmin anti-mysliman. Ata pretendojnë se Vjena edhe një herë është rrethuar nga armiqtë — këtë herë, migrantët myslimanë, duke i barazuar ata me osmanët e shekullit XVII.

Historia gojore dhe kujtesa materiale

Kujtesa shfaqet në forma të ndryshme, një prej tyre është historia gojore. Në Kosovë, një organizatë e dedikuar për këtë është Iniciativa e Historisë Gojore (Oral History Kosovo, OHI), një grup studiuesish e studiuesesh që regjistrojnë histori jetësore që ndërthuren me historinë e Kosovës. Nisma përqendrohet në rrëfimtarinë gojore për shkak të rolit të rëndësishëm të kësaj rrëfimtarie në kulturën në Kosovë dhe krijoi një arkiv të përbërë nga intervista, fotografi dhe libra të botuar.

Një histori e tillë e qasshme për një audiencë më të gjerë është ajo e Kamile Türbedar, një turke kosovare dhe floktare, e lindur në Mitrovicë, në vitin 1941. Më vonë u shpërngul me nënën e saj në Gazimestan, afër Prishtinës, ku ndodhet memoriali i betejës, për ta mbikëqyrur varrin e Sulltan Muratit, i vrarë gjatë Betejës së Kosovës. Türbedar vjen nga një prejardhje me parardhës që ishin roje të varresh, siç nënkuptohet nga mbiemri i saj, që do të thotë “roje varri” në turqisht. Para saj, tre xhaxhallarët e saj dhe para tyre, gjyshërit e saj kujdeseshin për varrin. Sot përgjegjësinë e mban kushëriri i saj. Nëpërmjet kujdesit të tyre, kujtimi i lidhur me varrin vazhdon, ruhet dhe mbahet gjallë nga individë si Türbedar dhe të afërmit e saj.

OHI prezantoi gjithashtu një përmbledhje kartolinash që paraqesin memorialet në Prishtinë. Një kartolinë përshëndetëse thotë “20 – 1944-1964: përvjetori i çlirimit të Prishtinës” në serbisht. Kartolina paraqet tri monumente: fotografi të kishës ortodokse serbe në Graçanicë; kullës në Gazimestan; ose tyrbes së Sulltan Muratit I afër Mazgitit. 

Kulla është ndërtuar në vitin 1953 dhe i kushtohet heronjve serbë, që vdiqën gjatë betejës së Kosovës. Türbe (një varr ose tyrbe islame që zakonisht përmban eshtrat e një figure të shquar) mban një pjesë të eshtrave të sulltanit, kurse trupi i tij u varros në Bursa në Turqi. Legjenda thotë se këtu vdiqën bajraktarët turkë dhe serbë.

Këto monumente tregojnë se si materializohet dhe ndërtohet kujtesa kolektive. Si pjesë e peizazhit në Kosovë, ajo bëhet edhe pjesë e peizazhit kujtues. Monumentet na ndihmojnë të kujtojmë, por ato diktojnë gjithashtu se çka të kujtojmë dhe si ta kujtojmë atë. Tyrbeja e Sulltanit na kujton se ai vdiq këtu edhe pse beteja nuk u fitua, vdekja e tij shihet si një lloj fitoreje. Varri u la pas dore për shekuj, derisa u rinovua në shekullin XIX, pak para rënies së Perandorisë Osmane. 

Nëse shpërfillet, përkujtimi mund të harrohet, por sapo të fillojmë të kujdesemi në mënyrë aktive për të, e kujtojmë dhe e bëjmë atë pjesë të ndërgjegjes sonë kolektive.

Kjo është metaforë për mënyrën se si funksionon përkujtimi. Nëse shpërfillet, përkujtimi mund të harrohet, por sapo të fillojmë e të kujdesemi në mënyrë aktive për të, e kujtojmë dhe e bëjmë atë pjesë të ndërgjegjes sonë kolektive. Është po ashtu e rëndësishme të vihet në pah se vendi përkujtimor është vendosur në një zonë që nuk është qendrore, ashtu si beteja nuk është pjesë qendrore e kujtesës kolektive të shqiptarëve të Kosovës.

Lundrimi në trashëgiminë e së kaluarës

Beteja mbetet një temë diskutimi e vazhdueshme në mesin e shqiptarëve, siç dëshmohet nga artikuj dhe studime të shumta kërkimore. Kjo mund të konsiderohet si përpjekje për ta rimarrë të kaluarën dhe kujtesën për traumën e shkaktuar ndaj shqiptarëve, ku miti i Kosovës luajti rolin e vet. Duke sfiduar narrativën serbe, shqiptarët mund të rimarrin një lloj fuqie, duke e vendosur veten në historinë e gjatë të Kosovës. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se pikëpamja shqiptare është pikëpamja e saktë në aspektin faktik. Është ende një mit, një fabrikim, një pjesë e imagjinuar e historisë.

Një pikë e veçantë që përmendet mjaft shpesh është identiteti i atentatorit që vrau Sulltan Muratin. Çfarë dimë është se, tashmë është e qartë se kush e vrau sulltanin dhe cilës përkatësi etnike i takonte. Por pavarësisht kësaj, për këtë hero ka pasur shumë legjenda dhe mite, si në narrativën serbe ashtu edhe në atë shqiptare. Në narrativën serbe quhet Miloš Obilić; në shqip ka një emër shumë të ngjashëm: Millosh Kopiliq.

Millosh Kopiliq, shqiptar i krishterë, është pjesë qendrore e këngëve epike shqiptare. Ai përfaqëson personifikimin e fitores së shqiptarëve, të rezistencës ndaj pushtuesve të huaj —  qofshin ata osmanë, apo më vonë serbë, në vitet e ‘90-a. Por ai mbetet një fiksion, një legjendë dhe një mit në të dyja narrativat. Kjo nuk e bën atë më pak të rëndësishëm për kulturën e kujtesës tek shqiptarët e Kosovës. Ai është hero, pavarësisht a ka ekzistuar realisht apo jo dhe shërben si burim për identitetin dhe praninë shqiptare në Kosovë.

Në diskutimet rreth betejës së 1389, ngjarjet që kanë ndodhur me të vërtetë shpesh errësohen nga interpretimi, mënyra se si flitet për to dhe përdorimi i synuar i tyre. Beteja ishte betejë perandorish dhe mbretërish, kurse ne përdorim në mënyrë retrospektive koncepte moderne, si konstruktet kombëtare dhe etno-fetare për t’i theksuar interesat politike dhe kombëtare. Mitet janë pjesë përbërëse e politikave të kujtesës dhe ideologjive kombëtare, prandaj duhet të ketë ndërgjegjësim për mënyrat se si ndërtohen dhe se si rrëfehen këto mite. Ne formësojmë të tashmen tonë, duke i dhënë formë të kaluarës sonë dhe kësisoj formësojmë të ardhmen tonë.

Është e vështirë të gjenden gjurmë se pse kjo betejë, krahasuar me të tjerat që u luftuan nga shqiptarët, luan rol më pak të rëndësishëm në kujtesën kolektive të shqiptarëve të Kosovës. Por pasi iu futa kërkimeve lidhur me kujtimin e betejës, gjeta jo vetëm një rrëfimtar, por shumë të tillë. Këngët epike, romanet, monumentet — të gjitha luajnë rol në mbajtjen gjallë të kujtimit të betejës, edhe nëse ajo nuk është aq e njohur sa pjesët e tjera të historisë shqiptare të Kosovës. Hulumtova dhe e dëgjova të kaluarën, duke u bërë vetë pjesë e praktikës së kujtimit dhe rindërtimit të së shkuarës.

Imazhi i ballinës:  K2.0 via cc.


Ky publikim është prodhuar në bashkëpunim me forumZFD. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e forumZFD.