Gurgullima e rrjedhës së lumit Sitnica mezi dëgjohet tek përshkon shtratin e mbushur me mbeturina. Rreth këtij lumi, i cili gjeografikisht kalon nëpër Kosovë, janë të ngritur qytete, fshatra, rrugë e industri. Dhe secila prej tyre, në një mënyrë apo tjetër, i bëjnë dëm këtij lumi. Era kundërmuese arrin te qytetet përreth që ky lumë i përshkon përgjatë rrjedhës së tij të gjatë 90 kilometërshe.
Në brigjet e Sitnicës, gjallesat e bimësia janë bërë gjithnjë e më të rralla. Uji i kthjellët dikur është zëvendësuar me atë të turbullt, ku në vend të peshqve tashmë notojnë mbeturinat. Prapa pamjes së një korbi të ngordhur, pakove të detergjentit, e mbetjeve të kanalizimit, rri e vendosur një urë gjysmë e rrënuar. Sikur shprehja që thotë “dita e mirë shihet në mëngjes”, nga kjo urë, prej ku nis njëra prej degëve formuese të Sitnicës, lumi Salzia, krijohet pamja e një lumi të shëmtuar.
Kundërmimi që vjen nga lumi ia prish pamjen e qetë e piktoreske fshatit Sazli në Ferizaj, ku mjetet që shpërndajnë produkte në dyqanet lokale apo nga ndonjë traktor që lëviz me plug ngjitur në arat përreth, janë pothuajse zhurmat e vetme që dëgjohen gjatë ditës.
Era e rëndë e lumit i përcjell çdo ditë nxënësit që vijojnë mësimin në shkollën e fshatit “Arsim Rexhepi”, rreth 100 metra larg tij.
Në fshatin Sazli, shtëpitë e familjes Bislimi, si tjerat në fshat, janë të renditura njëra pas tjetrës. Më i prekuri nga kundërmimi i lumit është Muhamet Bislimi, shtëpia e të cilit është shumë afër rrjedhës së lumit Sazli. Për t’i evituar përmbytjet nga lumi që del shpesh nga shtrati, ai ka ndërhyrë duke shtuar një shtresë të trashë zhavorri, për ta ngritur nivelin e oborrit të mbjellë me pemë molle e kumbulla.
“I vogël është ky lumë, por din me ba dam të madh”, thotë Muhameti teksa nxjerr një cigare dhe e ndez. “Unë po e sheh e kam çu ma nalt, por apet ban dam”.
Vite më parë, Muhameti ishte zhvendosur nga Bitia në Bjeshkët e Sharrit, një prej zonave me ajrin më të pastër në vend. Megjithatë, ai thotë se është tërë kohën pishman që ndërtoi shtëpinë në Sazli.
“Prej atje [Bitisë] kam dalë këtu tash e 13 vjet sepse ishte shumë larg për fëmijë që shkojshin në fakultet”, tregon Muhameti. “Erdhëm këtu krejt bashkë familjarisht edhe u vendosëm. Por, po të tregoj që jam pishman se edhe fëmija krejt më kanë dal jashtë vendit”. Muhameti punon si roje pylli dhe sa herë që i jepet mundësia, përpiqet të mos kalojë kohë në Sazli.
“Si të nis mesi i majit e deri kur hyn dimri rri në Biti, këtu s’mundem me nejt. As në oborr s’mundemi me dalë as hiç kurgjo. Njëjtë edhe fëmijët kur vijnë, s’dojnë me nejt këtu”, tregon ai, duke përmendur se ka dëgjuar se po planifikohet të fillojë projekti për ndërtimin e gypave të kanalizimit, por që për të duket ende një realitet i largët.
Lumi Sitnica është lumi më i ndotur në vend. Këtë e thotë secili raport i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, institucion i pavarur brenda Qeverisë së Kosovës.
Besime Kajtazi, inxhiniere e ujërave, që e zhvilloi tezën e doktoratës lidhur me lumin Sitnica, tregon se ky lumë bart të gjitha ujërat urbane të vendbanimeve të mëdha si Prishtina, Lipjani, Fushë Kosova, Obiliqi e Graçanica, pa ndonjë trajtim paraprak.
Përgjatë gjithë rrjedhës së tij, lumi Sitnica mbledh të gjitha ujërat e zeza, duke u shndërruar në një pusetë të hapur, pa qenë i lidhur në ndonjë impiant për trajtimin e tyre. Në Lipjan, rrjedha e lumit rritet bashkë me ndotjen, sepse në të bashkohet edhe një përroskë nga Shtimja. Një shëtitore me plot restaurante ndodhet pranë lumit, teksa gypat e ujërave të zeza derdhen drejt e në të, ashtu sikur edhe ato të të gjithë qytetit.
Sipas raportit të vitit 2023 të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, vetëm 8.1% e popullsisë në vend është e kyçur në impiantet për trajtimin e ujërave të zeza.
Ky numër ka shënuar rritje të ndjeshme nga viti 2021, kur Kajtazi po studionte ujërat e Sitnicës. Atë kohë, vetëm 3.5% e popullsisë ishte e kyçur në impiantet për trajtimin e ujërave të zeza. Por, sipas saj, shtrirja e impianteve mbetet ende e ulët dhe kryesisht vjen për shkak të kostos së lartë.
“[Impiantet] kanë kosto të lartë të ndërtimit por edhe operimi dhe mirëmbjatja është e kushtueshme dhe e cila kosto pastaj duhet të reflektohet në ngritje të tarifave të shërbimeve të ujit dhe kanalizmit për qytetarët”, thotë ajo. Megjithatë, në prill të vitit 2025 në këtë drejtim erdhi një lajm i mirë nga Ministria e Ekonomisë (ME), që më në fund Vushtrria dhe Mitrovica do të kenë një impiant për trajtim të ujërave të zeza, që do të ndërtohet me përkrahjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Përfshirja e Mitrovicës dhe Vushtrrisë në sistemin për trajtimin e ujërave të zeza, do ta rriste ndjeshëm përqindjen e qytetarëve të kyçur në impiante për trajtim, ndërkaq, një pjesë e madhe e qyteteve të mëdha të Kosovës, si Prishtina, Gjilani, Ferizaj, vazhdojnë të mos kenë impiante. Por, as impiantet ekzistuese nuk kanë kapacitete të mjaftueshme, ta zëmë, kompania rajonale e ujësjellësit “Hidrodrini” nga Peja, që vlerësohet me performancën më të mirë, trajton vetëm 23% të ujërave të zeza.
Në hyrje të Vushtrrisë, lumi Sitnica kalon nëpërmjet dy pankinash të mëdha, që janë vendosur si masa mbrojtëse nga vërshimet. Ndërtimin e tyre nga punëtorët vullnetarë e mban mend mirë Agim Kutllovci, 61-vjeçar.
“Unë kam lindë dhe jam rrit këtu në rrënjë të Sitnicës”, tregon Agimi. “E mbaj mend mirë se si jemi la, se çfarë peshqi ka pasur dhe krejt shtrati ka qenë i mbushur me shelgje, bash sikur tunel”. Ai kujton një kohë të largët, kur njerëzit shfrytëzonin brigjet e Sitnicës sikur të ishin plazhe.
Por, tash era e rëndë e lumit, që bëhet e padurueshme me ardhjen e stinëve të ngrohta, arrin deri tek shtëpia e Agimit.
“A del dielli, na duhet me u mshelë prej erës t’keqe”, thotë ai duke treguar me gisht nga shtëpia e tij. “Katastrofë bre vjen. Përpos erës, krejt mushkonja vijnë në shtëpi dhe s’je që rrin si njeri. Qe bash qetash kam shku edhe e kam ble helmin edhe e kam ly krejt shtëpinë”.
Herë pas here kthen bisedën në vitet e ‘70-a dhe fillimvitet e ‘80-a, për të treguar se dikur në lumë zinin peshq të mëdhenj e të shëndetshëm, që peshonin deri në një kilogram. Por, rrëfimi i tij merr kahje tjetër kah fillimi i viteve ‘80-a, me ardhjen e termocentraleve. Futja në funksion e termocentralit “Kosova B”, fillimisht me një bllok në vitin 1983 dhe me bllokun e dytë në vitin 1984, nisi ta ndotë Sitnicën. Një raport i vitit 2003 e shënon vitin 1983 si vitin kur për herë të parë Sitnica u ndot me fenole, që janë kimikate të dëmshme që dalin nga fabrikat dhe mbetjet industriale, të cilat, edhe në sasi të vogla, mund ta helmojnë ujin. Ato shpesh i shkaktojnë ujit erë të keqe dhe shije plastike, duke e bërë të rrezikshëm për përdorim.
Duke qenë se fenolet kategorizohen si ndotës të rëndë, efekti i tyre është i rrezikshëm. Kur përhapen në lumenj, ato janë të rrezikshme sepse toksiciteti i tyre dëmton organizmat ujorë, prish ekuilibrin e ekosistemit dhe mund ta rrezikojë shëndetin e njeriut, veçanërisht nëse uji që përdoret për pije kontaminohet. Ato gjenden natyrshëm në bimë, si dhe prodhohen sintetikisht për përdorime industriale dhe mjekësore.
Këta ndotës duhet të depozitohen dhe të trajtohen, siç edhe trajtohen tash në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Megjithatë, në të kaluarën, ka pasur rrjedhje. Rrjedhjet janë evidentuar në disa punime shkencore, sikur ai i vitit 1991 nga disa shkencëtarë nga Serbia, që është publikuar në revistën shkencore britanike IWA Publishing, që identifikojnë fenolet në Sitnicë, për shkak të termocentralit. Njëjtë edhe në vitin 2002, kimistët nga Fakulteti i Shkencave Natyrore të Departamentit të Kimisë në Universitetin e Prishtinës (UP), gjetën fenole në ujin e Sitnicës. Në vitin 2003, fenolet u bënë moll sherri mes Serbisë dhe UNMIK-ut, autoriteti administrativ i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, pasi që ky i fundit u gjobit për shkak të rrjedhjes së fenoleve në lumin Sitnicë, i cili bashkohet me Ibrin që kalon në Serbi, duke shkaktuar ndotje të ujit të pijshëm në qytetin e Kralevës. Programi i Mjedisit i Kombeve të Bashkuara (UNEP) përgatiti një raport të posaçëm që vërtetoi këtë ngjarje.
Një tjetër dëshmi për prezencën e fenoleve është edhe lumi Graqanka, që derdhet në Sitnicë, e që rrugën e tij e bën nëpër minierën e Kishnicës, ku ka prezencë të metaleve të rënda dhe fenoleve.
Termocentralet në Kosovë, ndonëse gjithmonë janë shënjestruar si ndotësit masivë të ajrit, ato rrallëherë përmenden për ndikimin dhe ndotjen që ia shkaktojnë lumenjve. Lumi Sitnica kalon herë përgjatë deponisë së hirit, e herë mes stabilimenteve të termocentralit “Kosova B”. Vizita në terren është më e lehtë në fshatin Kryshevc të Fushë Kosovës, që ndodhet në kufi me Obiliqin.
Aty, lumi rrjedh pranë deponisë së hirit dhe një “liqeni të kaltër”, të formuar nga ujërat që rrjedhin nga mbetje të hirit të djegies së qymyrit, të cilat deponohen përmes sistemit hidraulik nga termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”. Këto ujëra përmbajnë edhe kimikate të rrezikshme.
Përzierja e ujit me këto kimikate bën që uji të marrë pamje krejt tjetër, që mund të krahasohet lehtësisht me pamjen e një zbardhuesi.
Ky liqen ndodhet rreth 50 metra në vijë ajrore nga lumi Sitnica. Një deponi tjetër uji, e cila rrjedh nga KEK-u dhe lidhet me këtë liqen, ka tre gypa që derdhin drejtpërdrejt ujërat e ndotura në lumin Sitnicë. Që nga gryka e derdhjes, vërehet ndryshimi i ngjyrës së ujit.
Në raportin e ndikimit në mjedis të KEK-ut për vitin 2023 nuk evidentohet kjo rrjedhje në Sitnicë. Ata evidentojnë një rrjedhje të rregullt që ndodhet në anën tjetër të termocentralit, pranë fshatit Caravadica. Sipas këtij raporti, në vitin 2023 në Sitnicë janë derdhur 621.545 metra kub ujë. Cilësia e ujit nuk raportohet në këtë dokument.
Sipas Kajtazit, raporti nuk pasqyron realitetin për shkak të vendosjes jo të mirë të pikës së monitorimit të cilësisë së ujit. Duke qenë se vendmostrimi, aty ku merret mostra për të bërë matjet e monitorimit, sipas saj, gjendet pesë kilometra poshtë pikës së derdhjes, që nuk e paraqet më pas gjendjen reale të cilësisë së ujit, pasi gjatë rrjedhës për atë distancë kilometërshe hollohet si masë e ndotur dhe uji vetëpastrohet nëpërmejet proceseve natyrore të fundërrimit dhe okisgjenimit.
Më pas, lumi Sitnica përshkon zonën e brendshme të KEK-ut, ku mbi të kalon edhe një shirit lëvizës që transporton qymyrin për djegie. Sipas analizës së parametrave të krahasuara nga Kajtazi, Sitnica është thjesht një helm që rrjedh, duke shkatërruar çdo formë jete në të. Ekosistemi ujor është praktikisht në kolaps. Të dhënat e vitit 2022 në Raportin e Mjedisit nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, ngrisin alarmin e njëjtë. Gjithçka rreth Sitnicës është jashtë parametrave normalë.
Të gjitha pikat e monitoruara tregojnë ndotje në nivele të larta, me shkelje shqetësuese të standardeve të cilësisë së ujit. Prishtevka dhe Graqanka, si degë të lumit Sitnica, luajnë rol kryesor në rritjen e nivelit të ndotjes, duke sjellë ujëra jashtëzakonisht të ndotura në rrjedhën kryesore.
Në hyrje të Mitrovicës, lumi Sitnica kalon pranë ish-fabrikës së amortizatorëve, e cila tashmë është jashtë funksionit. Sipas Ali Ukës, i cili është rritur buzë Sitnicës, era e rëndë që sillte lumi e bënte të pamundur jetesën aty.
“Unë 48 vjet i bëj këtu dhe e mbaj mend Sitnicën mirë e mirë. Kur ka punu fabrika (e amortizatorëve) ka qenë katastrofë. Era shumë shumë e keqe. Tash në krahasim me atëherë është më mirë”, thotë Uka, që nuk heziton të fjaloset me qytetarët që hedhin mbeturina në shtratin e lumit në lagjen “2 Korriku”. “I kam qit disa kamera prej shtëpisë direkt në lumë, edhe po ia ndez dritën kamerës. Qajo ja ka nisë kapak me i tutë, se bash kërkujt nuk ja nin”, thotë ai.
Të dyja anët e shtratit të lumit janë të mbushura me mbeturina. Herë pas here, përgjatë lumit, shihen mbetje të kafshëve të ngordhura ose të therura nga kasapët, të cilat hidhen aty sikur të ishte vend për hedhjen e mbeturinave të tepërta.
Aliu thotë se, përkundër se ka denoncuar këtë praktikë në polici dhe te autoritetet lokale, asgjë nuk ka ndryshuar.
Ndotja e ajrit
Ndotja e mjedisit nuk është problemi i vetëm që shqetëson banorët përreth Sitnicës. Ata ballafaqohen edhe me një tjetër problem të pashmangshëm, erën e rëndë, e cila kontribuon edhe në ndotjen e ajrit. Gjatë muajve të verës, kur mbrëmjet dhe mëngjeset janë më të freskëta dhe temperatura e ujit rritet, erërat e pakëndshme përhapen kudo. Ndotja e lumenjve mund të ndikojë në cilësinë e ajrit përmes proceseve të ndryshme, veçanërisht përmes dekompozimit të lëndëve organike dhe lirimit të kimikateve e gazrave nga uji në atmosferë.
Ndotja e ujit, sidomos nga substancat kimike industriale si merkuri, arseniku dhe komponime organike të avullueshme, përzihen me avullin e ujit dhe e ndotin ajrin.
“Minierat dhe zonat përreth lumenjve të ndotur shpesh përmbajnë sedimente të ngarkuara me metale të rënda dhe substanca toksike. Gjatë periudhave të thata ose kur uji largohet, këto sedimente thahen dhe kthehen në pluhur, i cili përhapet në ajër. Kjo kontribuon në ndotjen e ajrit me elementë si plumbi, kadmiumi dhe kromi”, thotë Shkumbin Shala.
Dritarja kohore po mbyllet
Si një gjarpër helmues, Sitnica rrjedh përmes Kosovës, ndërsa zgjidhjet për ndotjen e tij duken të largëta. Natyra shpesh ka mekanizma vetëmbrojtës, si vetëpastrimi i ujit, që do të mund ta shpëtonin edhe këtë lumë. Por, sipas Shalës, duke qenë se dëmi që i është shkaktuar këtij lumi është shumë i madh, ai ka humbur mekanizmat vetëmbrojtës të dhëna nga natyra. Sitnica nuk mund ta shpëtojë më veten.
Megjithë përmasat e krizës ekologjike që e ka kapluar lumin Sitnica, ekspertët nuk e shohin si rast të humbur. Përkundrazi, rikuperimi është teknikisht i mundur, por kërkon masa konkrete, prioritizim nga institucionet qendrore, përcjellë me alokim buxheti dhe përfshirje të gjerë shoqërore.
Sipas Kajtazit, ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura urbane dhe industriale, është masa më urgjente dhe bazë për çdo rikuperim të qëndrueshëm. E krahas alokimit buxhetor dhe përfshirjes së komunitetit, duhet të paguajnë edhe industritë që ndotin ujërat.
Në anën tjetër, Agron Shala, ekspert për monitorimin e cilësisë së ujërave për më shumë se dy dekada, vlerëson se gjithçka nisi nga një bazë e thjeshtë, por jetike: njohja e ndotësve. “Sa më parë duhet të bëhet një kadasër e plotë e ndotësve të ujërave sipërfaqësore. Pa e ditur saktësisht kush po ndot dhe çka po shkarkon, çdo plan mbetet gjysmak”, thotë Shala, duke treguar se nuk ka një databazë të tillë.
Për Shalën, impiantet janë vetëm një pjesë e zgjidhjes. Ai kërkon gjithashtu ndihmë financiare për sektorin privat, në mënyrë që të instalohen sisteme trajtimi për industritë e vogla dhe të mesme. Ai thekson rëndësinë e ndërtimit të kapaciteteve njerëzore profesionale në të gjitha nivelet e administratës publike, që lidhen me kontrollimin e cilësisë së ujërave dhe punës rreth tyre.
“Gjasa për përmirësim real ekziston”, thotë Shala, por që nënvizon se mungon vullneti politik dhe se asnjë qeveri deri tash nuk e ka trajtuar seriozisht çështjen e ujit.
Sa është serioze e gjithë kjo situatë, tregon vëmendja që i jepet IHMK-së. “Prej kur kam filluar punën në Institutin Hidrometeorologjik, nuk kemi pasur më shumë se tre persona të punësuar në sektorin për monitorimin e cilësisë së ujërave. Tre veta, për ta mbuluar të gjithë vendin”, tregon Shala.
Ai e quan këtë realitet “absurd”, veçanërisht kur përmend faktin që nuk ka pasur asnjëherë zyrtar për monitorimin biologjik të ujit. Pra, asnjë ekspert për ta analizuar ndikimin e ndotjes në gjallesat ujore dhe biodiversitetin. Krejt çka janë angazhuar në aspektin biologjik ka ardhur si mbështetje e BE apo nga organizatat zvicerane, dhe as një hap nga institucionet vendore.
Për vite të tëra, edhe kur punonjësit e IHMK janë pensionuar, nuk janë zëvendësuar. Vetëm së fundmi është hapur një konkurs për dy zyrtarë të rinj, të cilët do të merren me monitorim fizik dhe kimik — por jo me aspektin biologjik. “A është i mjaftueshëm ky numër? Unë jam pa koment”, thotë ai.
Të dy ekspertët kanë bindje se Sitnica mund të shpëtohet, por dritarja e kohës po mbyllet. “Çdo vit që kalon pa veprim, e bën rikuperimin më të vështirë dhe më të kushtueshëm”, thotë Kajtazi.
Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0.
Fotografitë: Ferdi Limani & Uran Haxha.
Ilustrimet: Dina Hajrullahu / K2.0.
Ky artikull u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.