Vizita ime e parë në Serbi - Kosovo 2.0

Vizita ime e parë në Serbi

Midis gjurmimit dhe njohjes të së kaluarës dhe përpjekjes për të ardhmen.

Nga Donjeta Rexhbogaj | 6 korrik 2024

Në vitin 2023, vendosa që, për herë të parë, të marr pjesë në një program të shkëmbimit me të rinj dhe të reja nga Serbia. Kjo me qëllim që ta shuaja kureshtjen për pikëpamjet, kuptimet dhe vlerësimet e tyre, qoftë për luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë, qoftë për situatën tash, dy dekada pas. Nuk do tregohesha e sinqertë nëse nuk do të thoja që s’kam pasur dilema — isha konfuze dhe kisha dyshime në shumë aspekte. Edhe unë, si shumë njerëz në Kosovë, jam rritur me tregime dhe me përjetime nga lufta.

Kisha një mal mendimesh para vizitës. Fillimisht e mendoja që po udhëtoj në këtë vend si një person që nuk e ka përjetuar edhe bash-bash luftën. Kujtimi im i vetëm janë disa sekuenca sekondëshe në formë të mjegullës — të traktorit, turmës dhe krismave si refugjate katër-vjeçare bashkë me nënën edhe vëllaun rrugës për në Tiranë, pa e ditur se çka saktësisht po ndodhte rreth meje. Kur dëgjon historitë e njerëzve që kanë kaluar përgjatë periudhës së luftës në Kosovë, e ndien një peshë të veçantë të përgjegjësisë për të kuptuar, nderuar dhe respektuar historinë e tyre.

E dyta, do të përballesha për herë të parë me të rinjtë/rejat në një vend me të cilin ndanim një histori të dhunshme. Nuk do të jetë e lehtë, po pse të trembem apo druaj? Prindërit, specifikisht babai më është drejtuar me fjalët “Po shko, kqyre vendin ku e kam kry ushtrinë” e nana më është drejtuar me “Po shko, ama e din që duhesh me pasë kujdes pavarësisht”.

Fundja, e mendoja se diskutimet tona si brez i ri nuk do të merrnin rrugë pa krye apo vetëm ngjyrë bardhë e zi, siç po ndodh pothuajse gjithnjë mes dy palëve në rrafshin politik. Mendoja se do të ishte mundësi e mirë që ani pse botëkuptimet tona mund të bien ndesh, të flisnim, sepse kështu i afrohemi më mirë të ardhmes.

Shkova në Beograd 

Le t’i kthehemi vizitës. U njoha me kulturën dhe njerëzit në këtë qytet të madh. Rrjeti i rrugëve dhe arkitektura shpërthente në çdo cep të tij, mbështjellur me një histori të gjatë dhe shumështresëshe, e shpërfaqur edhe në bisedat e mia me të rinjtë nga programi.

Si pjesë e programit, u inkurajuam që të ndanim pikëpamjet tona dhe të diskutojmë për sfidat dhe mundësitë përpara të të rinjve e rejave në të dy vendet. Ky program ishte një platformë e jashtëzakonshme për të shkëmbyer ide e për të krijuar një kuptim më të thellë për kompleksitetin e marrëdhënieve ndërmjet nesh. Ishte sfidë — e dija që do të përballesha me biseda të ndjeshme dhe të vështira. 

Të rinjtë dhe të rejat nga Serbia, të cilët/at i takova, shprehnin një gamë të gjerë emocionesh dhe pikëpamjesh në lidhje me Kosovën — pra, nuk kishte vetëm një mendim. Disa shprehnin një nivel deri diku të informuar dhe njohje të kufizuara rreth situatës në Kosovë, një pjesë tjetër tregonin për mungesë gati të plotë të njohurive e disa nga ta shprehnin një dëshirë për të kuptuar më shumë. Disa më treguan se kishin ndjenjën e mungesës së diversitetit të informacionit dhe se pikëpamjet që u ishin ofruar nuk ishin të mjaftueshme për të formuar një opinion të qëndrueshëm dhe të drejtë. Kishte edhe të tjerë që shfaqnin skepticizëm ose mungesë të besimit në versionet zyrtare të ngjarjeve. 

Gjatë zhvillimit të një ushtrimi, me temën se “Çfarë ju kujtohet kur e dëgjoni fjalën shqiptar”, njëri nga pjesëmarrësit nga Serbia e kishte vizatuar simbolin e shqiponjës. Tha se ishte rritur në rrethana që e kishin inkurajuar e mësuar që të provokohej nga ai simbol. Nuk pati ndonjë shpjegim apo kontekst se përse — thjesht, gjërat ishin si ishin. Edhe më shumë nisa të kuptoj se përse gjërat ishin si ishin kur dikush tregoi për një rast se si një fëmijë diku gjashtë-vjeçar në kopsht kishte dëgjuar këngë me tekstin “Kosova është Serbi”. 

Këto dromca rrëfimesh e situatash më bënë të mendoj për burimet tona të informacionit dhe rëndësinë që ato kanë në atë si i ndërtojmë qëndrimet tona, jetët tona. Mendoja, si rezultat i një përzgjedhje të ngushtë të burimeve informuese, stereotipet vazhdojnë të ekzistojnë. Mendova se si kjo vështirëson nxitjen e pyetjeve. Se si kjo e ndërlikon tutje mundësinë që të çmësohet kjo narrativë dhe e vështirëson rritjen e brezave të rinj ashtu që të shohin përtej.

Në këtë udhëtim pata edhe biseda që më sfiduan shumë emocionalisht. Vija nga rrethana tjera, nga një përjetim i drejtpërdrejtë i luftës dhe nga rrëfime të përditshme të dhimbjes që ajo shkaktoi. Më ra të jem në një bisedë ku figura që për mua dhe në kujtesën tonë kolektive kujtohen si nismëtarë të përpjekjeve për çlirim gjatë luftës së viteve 1998-1999, quheshin terroristë apo u ishin mësuar si terroristë. Përpiqesha të ruaja qetësinë, teksa ndaja argumentet e mia. 

Kurrë nuk e kisha menduar që do të ulesha në tavolinë e do ta bëja një bisedë të tillë kur vetëm gjashtë orë rrugë më ndanin nga një botë dhe e vërtetë tjetër. 

Por, pas kësaj, shpresëdhënës ishte niveli i interesimit nga disa prej pjesëmarrësve/eve që më kanë pyetur me fjalë të thjeshta: A mund të më japësh më shumë informacione? A mund të më japësh shpjegime më të qarta rreth UÇK-së? Si jetojnë serbët në veri? Çka mendon për Tribunalin në Hagë?

Pas një kohe, këta të rinj/reja erdhën në Prishtinë. 

Gjatë vizitës së tyre në Prishtinë, këta të rinj/reja eksploruan të gjithë qytetin. Vlerësuan se arkitektura e Prishtinës është e ngjashme me arkitekturën e qyteteve të tjera të ish-Jugosllavisë, pa dallim dhe shprehën admirimin e tyre për objektin ikonik të ‘New Born’. Megjithëse u njohën me kulturën dhe historinë e Kosovës gjatë ditës, ata nuk mund të mos shijonin jetën e natës në Prishtinë. Atmosfera e gjallë dhe e lirë e qytetit deri në orët e vona i mbajti të tërhequr. 

Përgjatë vizitës së tyre në qytetin e Prishtinës, ata tregonin se Kosova duket të jetë shumë më e zhvilluar sesa e kishin imagjinuar. Sipas tyre, mediet në Serbi shpesh e paraqesin Prishtinën dhe Kosovën në një dritë negative dhe të tensionuar — si një vend të pa zhvilluar dhe terrorist. 

Më tregonin se kishin lexuar raportime për përplasje midis grupeve etnike, duke krijuar një imazh të pasigurisë së vazhdueshme në rajon. Megjithatë, përgjatë bisedave përpiqeshim të vinim në pah se realiteti më të vërtetë është ndryshe. Këto edhe më fort më bindnin se duhet punuar shumë për të sfiduar distancën midis popujve, distancë që shpesh mirëmbahet qoftë prej medieve, qoftë prej politikës ditore, që jo rrallë shpërfillin njerëzit.

Një vit pas, e gjej veten shpesh përballë një udhëkryqi midis shqetësimeve për stabilitetin dhe zhvillimet politike dhe përgjegjësisë shoqërore. Në mes të angazhimit për ndryshimet pozitive që mund të arrihen dhe shpresës për një bashkëpunim dhe paqe të qëndrueshme. Ky udhëtim, edhe pse emocional, i ndjeshëm dhe ndërlikues në të njëjtën kohë ishte si pikëtakim mes shpresës dhe trishtimit. Shpresës për bashkëpunim, paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme, trishtimit, për kujtesën e dhimbshme, të vërtetës dhe pritjes. 

Pavarësisht, kjo përvojë e ka ndryshuar perceptimin tim si person në kuptimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Më kanë bërë të reflektoj më shumë për rëndësinë e dialogut, bashkëpunimit dhe respektit reciprok midis njerëzve. Bashkëpunim që duhet të nisë prej tyre dhe nga ta. Më ka bërë të mendoj për rëndësinë e informacionit të saktë. 

Si dikush që aktivizmin e konsideron si mjet jetësor për ndryshim, vazhdoj të shpreh gatishmërinë për të qenë pjesë e nismave që frymëzojnë bashkëpunimin ndërkulturor sepse duke përjetuar diskutime të hapura, trajnime dhe duke kontribuar në projekte që inkurajojnë shkëmbimin e ideve dhe përvojave, besoj me ngulm se kemi forcën e përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të qetë, për të gjithë. Në fund të fundit, përpjekjet tona për të ndërtuar një kulturë të dialogut dhe të paqes duhet të jenë të përkushtuara dhe të vazhdueshme. Nga to përfitojmë të gjithë. A mundet komunikimi i hapur dhe i sinqertë të ndihmojë në ndërtimin e një kuptimi të përbashkët? Mendoj se po.

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.

Shfletoni zinën e plotë

Hovi ynë rinor – Print

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.