Shaunak Mahbubani: Kur dikush i huaj tregon një histori, shpesh ka thjeshtëzim të ndërlikueshmërisë - Kosovo 2.0

Shaunak Mahbubani: Kur dikush i huaj tregon një histori, shpesh ka thjeshtëzim të ndërlikueshmërisë

Kuratorja flet për krijimin e ekspozitave, përmbysjen e hegjemonive dhe rishikimin e të kaluarës.

Në çastin që dëgjon këngën magnetike të zhanrit dance-pop duke luajtur nga njërën nga dhomat e përhimta të hotelit “Grand” të Prishtinës, është e pamundur të mos dëshirosh të hysh brenda. Kënga “Intifada on the Dance Floor” nga artisti palestinez, Bashar Murad ndërthur ritmet house me instrumentet arabe dhe, si shumica e veprave të tij, trajton dhunën e jetës së përditshme si palestinez, pushtimin izraelit dhe gëzimet e përditshme për popullin palestinez.

Kënga e Murad, së bashku me veprat e 19 artistëve të tjerë nga Ballkani dhe më gjerë, janë paraqitur në ekspozitën “Me hijen e lirimit mbështjellë”, kuruar nga Shaunak Mahbubani, kuratore dhe shkrimtare nomade, që jeton midis Berlinit, Gjermani dhe Mumbait, Indi.

Për këtë ekspozitë, Mahbubani ka punuar me ndihmës-kuratoren, Anyla Kabashi, historiane e artit dhe shkrimtare nga Kosova. Kjo ekspozitë në shkallë të gjerë, e para e këtij lloji, është organizuar nga OJQ me seli në Kosovë, Instituti Sekhmet dhe shtjellon kompleksitet bashkëkohore të të qenit queer, “duke u munduar t’i drejtojë prioritetet drejt atyre në hije dhe në qoshe të jo-normatives”, siç thuhet në shënimin kuratorial të ekspozitës.

Hapësira e ekspozitës, e përcaktuar zakonisht nga betoni i saj mbytës, është shndërruar në një hapësirë ​​ftuese, të përqendruar rreth një hapësire për t’u ulur. Kjo hapësirë ​​duket se është krijuar për të nxitur miqësi, rrethuar nga vepra që, ndërkohë që përqendrohen te të qenit queer, angazhohen me tema të trashëgimisë, traditës, kolonializmit, dhunës queerfobike, sëmundjes dhe fshirjes, për t’i përmendur disa prej tyre.

Aty, mbështjellesh prej dy poezish të varura në pëlhurë, përballë njëra-tjetrës — njëra e poetes Ledia Dushi nga Shqipëria, e cila frymëzoi titullin e ekspozitës, me titull: “Ndryshue”, shkruar në vitin 1999 dhe tjetra, “Bahem”, nga poetja Uresa Ahmeti nga Kosova, shkruar në vitin 2024. Të dyja, ballë për ballë, sikur duke u kujdesur për njëra-tjetrën, simbolizojnë kujtimin, njohjen dhe nderimin e trashëgimive të paraardhësve queer dhe lëvizjeve të ngjashme si  dhe flasin për lidhjen mes brezave — gjë në të cilën ekspozita vë theks.

Përgjatë dhomave të ndryshme, që kalohen lehtësisht, të papenguara prej dyerve, veprat e artistëve/eve pjesëmarrës/e bashkohen për të treguar histori të rëndësishme. Këto përfshijnë fotografi arkivore të shek. XIX nga Shqipëria, që paraqesin burra shqiptarë në mjedise intime, në poza homo-sociale, copëza të gazetës së drejtuar nga punëtorët/et e seksit “Kraximo” nga Greqia, printime digjitale që ndërthurin simbolet tradicionale bullgare me pikëpamjet queer bashkëkohore dhe një manifest rreth të drejtave të romëve queer dhe jobinarë/e në Sllovaki. Sipas Mahbubani, kjo ekspozitë është vendosur asisoji që “i shmanget estetikës sanitizuese evropiane të bërjes së ekspozitave” dhe sfidon çfarëdo lloj largësie mes shikuesit/es dhe veprës artistike, duke e çelur veten ndaj shqisave dhe interpretimeve të ndryshme. 

Së bashku, këto vepra tregojnë histori më të gjerë, me pyetjet rreth lirisë në thelbin e vet.  Veprat sjellin në plan të parë “momente më të vogla gëzimi, lidhjet që krijohen, mënyrat në të cilat gjejmë qëndrueshmëri, gjëra që mund të mos jenë edhe aq të dukshme”, siç e thotë Mahbubani.

Gjersa ekspozita qëndron e hapur deri më 29 shtator 2024, K2.0 bisedoi me kuratoren Mahbubbani, për krijimin e ekspozitave, përmbysjen e hegjemonive dhe rishikimin e të kaluarës.

Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

K2.0: Kur pranuat ftesën për ta kuruar këtë ekspozitë në Prishtinë, cilat ishin mendimet e para?

Shaunak Mahbubani: Mendoj se çka ishte, dhe ka qenë, njëmend ngazëlluese për mua, ishte ndërtimi i një bisede, ndërtimi i një dialogu përtej kornizave të Evropës Perëndimore. Kjo është diçka që përpiqem ta bëj në të gjithë veprat e mia, ndonëse jam e vendosur në Berlin; për shkak të mënyrave se si burimet dhe mundësitë qarkullojnë brenda botës së artit në përgjithësi, gjithmonë përpiqem të gjej mënyra për ta përmbysur hegjemoninë e Evropës Perëndimore dhe atë llojin qendërzimin e saj, duke përdorur burimet, duke përdorur mundësitë që janë të pranishme atje, por të krijuar pastaj biseda sipas kushteve tona. Ishte një dëshirë për t’i shtyrë para historitë tona sipas kushteve tona, historitë queer sipas kushteve tona.

Kur thoni t’i tregoj historitë tona “sipas kushteve tona”, çka nënkuptoni?

Për shumë vite, historitë queer janë treguar nga njerëz jo-queer sepse ose ishte shumë e rrezikshme, nuk mund t’i kishim burimet për ta bërë këtë, ose na mendonin sikur nuk kishim aftësitë e nevojshme për ta bërë atë.

Dhe çka ndodh, dhe kjo shkon përtej pyetjes së të qenit queer, çka ndodh kur dikush tjetër, një i huaj tregon një histori, shpesh ka thjeshtëzim të ndërlikueshmërisë.

Ka pjesë të caktuara të asaj historie, të cilave u vihet theksi dhe shumë shpesh janë ato më traumatiket. Por çka s’del në pah janë ato momentet më të vogla të gëzimit, lidhjet që krijohen, mënyrat se si gjejmë qëndrueshmëri, gjërat që mund të mos jenë aq të dukshme.

Punoj shumë me teorinë e teoricienes xhamajkane, Sylvia Wynter. Ajo propozon idenë e autopoezës, ku thotë se duhet ta rimarrim fuqinë për të rrëfyer historitë tona si një mënyrë për ta krijuar veten si qenie njerëzore të plota dhe të ndërlikuara. Mendoj se kjo aftësi për t’u parë si të plotë dhe të ndërlikuar, është shumë e rëndësishme dhe diçka që na është mohuar për shumë shekuj.

Ekspozita mbledh 20 artistë/e nga disiplina, mediume, formate, vende të ndryshme. Si ishte procesi i krijimit të kësaj ekspozite? 

Çka më ka ngazëllyer gjithmonë kur është fjala te krijimi i ekspozitave, te kurimi, është mundësia për ta pasur një bisedë polifonike. Mendoj se të gjitha ekspozitat e mia grupore përpiqen të krijojnë një lloj hapësire, ​​që mundëson takim me formate të shumta, por edhe njëfarë zgjerimi të idesë qenësore të asaj që mendojmë. Pra, s’ka asnjë përkufizim të asaj se çka do të thotë queer në këtë hapësirë. Secili/a vjen me pikëpamjen e vet nga vendndodhjet e veta. Përsëri, duke menduar autopoetikisht, të gjithë/a mendojnë përmes historive të veta dhe komuniteteve të veta.

Procesi gjithashtu ishte po aq i larmishëm sa edhe veprat që sheh. Ndoqëm tri mënyra kryesore për gjetjen e artistëve/eve.

Një prej këtyre mënyrave ishte realizimi i hulumtimit  këtu në Prishtinë. Ne [ekipi kuratorial dhe i ekspozitës] patëm një periudhë intensive kërkimore në fillim të projektit, duke takuar shumë ose pothuajse të gjithë/a artistët/et dhe organizatat queer brenda qytetit, si dhe ata/o në diasporë nga rajoni. Për mua ishte shumë e rëndësishme t’i përgjigjesha asaj që po ndodh në këtë kontekst. Nuk besoj në një proces ku thjesht marr disa ide nga jashtë dhe i bashkoj.

Është një vështrim i vazhdueshëm kah Evropa dhe të menduarit e Evropës si hapësirë ​​e lirë, një hapësirë ​​ku njeriu ka qasje në liri. Por për ne që jetojmë aty, e kemi kuptuar se nuk është kështu.

Po ashtu dëshiruam të gjenim një mënyrë për të sjellë artistë/e nga rajoni i Ballkanit, me të cilët/at ndoshta nuk kemi qenë të lidhur/a. Përdorëm qasje hibride. Shumë prej artistëve/eve ishin të ftuar/a, por gjithashtu hapëm thirrjen, duke ftuar artistë/e që mund të mos i kemi në rrjetet tona. Për shembull, vepra e Nanda Agić [artiste vizuale dhe e printit nga Sarajeva], këto printe të bukura që kanë udhëtuar nga Bosnja për ekspozitë, erdhën përmes thirrjes së hapur.

Mënyra e tretë ishte t’i ftonim artistë/et ndërkombëtarë/e që zgjerojnë disa nga këto biseda, por edhe zgjojnë pyetje të caktuara brenda kornizave lokale apo rajonale. Për mua ishte shumë e rëndësishme të ftoja artistë/e me ngjyrë. Kuptova se ka vështrim të vazhdueshëm kah Evropa dhe të menduarit e Evropës si hapësirë ​​e lirë, një hapësirë ​​ku njeriu ka qasje në liri. Por për ne që jetojmë aty, e kemi kuptuar se nuk është kështu. Kështu ftuam artistë/e me ngjyrë, të cilët/at më pas do të zhvillojnë biseda me veprat që po zhvilloheshin apo diskutoheshin.

Për shembull, ishte shumë bukur ta kishim këtë bisedë me Robert Gabris, me origjinë nga Sllovakia, që flet përmes përvojës së diskriminimit të romëve dhe multi-margjinalizimit të identiteteve rome dhe të të qenit queer.

Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Dukshmëria shpesh festohet si një nga gjërat më të rëndësishme për të drejtat queer. Megjithatë, ju flisni për një përplasje midis dukshmërisë dhe sigurisë.

Që kur ka ekzistuar epoka e medies, dukshmëria ka qenë një lloj valute. Është bërja e kulturës së të famshmëve/eve në shumë mënyra. Dhe kjo përkthehet në gjithë jetët tona edhe më shumëshumë përmes ardhjes së rrjeteve sociale.

Kjo lloj ideje e mikro-të famshmit/es apo e influencerit/es bazohet në atë se sa i/e dukshëm/me është ai/ajo, sa pëlqime apo çfarë angazhimi merr në internet. Shpesh, në botën e sotme, duket se e vetmja mënyrë për t’ia dalë në çfarëdo fushe, kudo, është përmes këtij lloj gërmimi të vazhdueshëm të algoritmit të dukshmërisë. Por kjo nuk ekziston vetëm në medie. Një hapësirë ​​tjetër ku edhe kjo ekziston dhe për të cilën nuk flitet aq shumë, është brenda sistemit juridik. Sistemi juridik kërkon që të jemi të dukshëm/me, për ta gëzuar çfarëdo lloj të drejte ligjore. Nëse nuk je subjekt që është i dukshëm në sytë e ligjit, s’mund të të jepet asnjë e drejtë.

Kjo është arsyeja pse, për shkak se njerëzit queer nuk u njohën kurrë ligjërisht, nuk na u dha kurrë asnjë e drejtë, pa të gjitha betejat që kanë ndodhur në dekadat e fundit. Por çka ndodh shpesh është se ka përsëri një thjeshtëzim të identiteteve, kur na detyrojnë të përshtatemi në këto korniza ligjore dhe në të dyja këto raste mendoj se çka kalon pa u vënë re është një lloj dhune që vjen me të.

Kam takuar po ashtu njerëz trans në Kosovë, të cilët kanë luftuar për t’i ndryshuar shënuesit e tyre ligjorë të gjinisë dhe përbrenda kësaj lufte, iu është dashur të bëhen të dukshëm, si në sytë e ligjit, por edhe në një sferë më të gjerë publike. Ata kanë marrë kërcënime të shumta për jetën e tyre. E di që në rastin e Lendit [Mustafa, transburrë dhe aktivist i shquar për të drejtat e LGBTQ+ nga Kosova] ka pasur një tentativë për ta shtypur me veturë. Ky është vetëm një shembull i dhunës me të cilën përballet dikush kur e bën veten të dukshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për disidencë gjinore apo edhe shfaqjen publike të dashurisë.

Madje e shohim atë që ndodh me punën e Astritit [Ismaili, artist/e multidisiplinar/e, interpretues/e dhe koreograf/e i/e lindur në Kosovë, me seli në Amsterdam] këtu, e di, që kur transformohet personazhi i Sikit, që është një personazh gjysmë autobiografik i Astritit, në identitetin e saj dhe del në rrugë, sulmohet nga një bandë homofobike, shumë, shumë maço.

Shpesh janë sharje dhe njerëz që e drejtojnë gishtin drejt teje dhe të qeshin, por mund të jetë edhe më e rrezikshme. Është diçka që është disi brenda jetës sonë, brenda të gjithë jetës sonë si njerëz queer, diçka që ende ndodh sot në mbarë botën, madje edhe në Berlin. Pra, kjo anë tjetër e dukshmërisë shpesh humbet tek njerëzit që thonë “oh dua të ta ofroj një platformë” ose “dua ta tregoj historinë tënde dhe pastaj kjo është diçka e mirë për të gjithë komunitetin”. Por çka për atë person që është në të vërtetë në qendër të vëmendjes dhe shumë më tepër në rrezik të përballet me këtë lloj dhune dhe shpesh në fund mbetet i/e vetëm/me të përballet me të.

Në shënimin tënd kuratorial, thoni “mes njerëzve me lëkurë të zbehur, që duken më shumë të kaftë sesa të bardhë, historitë e ndërlikuara të luftës dhe lidhjeve të rënda bëjnë që përvoja ime në Prishtinë të më duket më e afërt me New Delhi sesa me Berlinin”. Çka nënkupton kjo?

Mendoj se është padyshim një fjali për të cilën s’isha krejt e sigurt se si do të pranohej këtu; por është diçka që e ndieva që prej herës së parë që erdha. Ka një lloj të ndjenjës së pushtetit, ka një lloj të caktuar të ndjenjës së superioritetit dhe njëfarë qëndrimi përjashtues, që mendoj se qëndrojnë në bërthamë të bardhësisë. Tek po vija këtu, përbrenda kontinentit evropian, nuk e dija nëse do të hasja në këto cilësi. Por u befasova dhe isha jashtëzakonisht e lumtur kur e kuptova se ishte ndryshe.

E gjeta një lloj mikpritjeje, entuziazmi, dëshire për ndërveprim, që më bëri të mendoj për këtë shumë më thellë. Më ka bërë njëmend ta vë në pikëpyetje këtë idenë e lidhjes së ngushtë midis bardhësisë dhe ngjyrës së lëkurës dhe se si kjo lidhje nuk është aq e dukshme sa mund të duket. 

Mendoj se në njërën nga bisedat tona të hershme, dikush po më tregonte për marrëdhënien e nënës së tij/saj me identitetin e tij/saj dhe nuk do të tregoj gjithë historinë, por mund ta them nga pikëpamja ime, ishte një moment “aha”, kur kuptova se edhe unë kam pasur të njëjtën bisedë me nënën time.

Në ditët e para kur mendoja për identitetin tim gjinor dhe atë të hyrjes në një prezantim më femëror, po vizitoja prindërit dhe kisha një palë vathë dhe thonj të lyer, diçka me të cilën ende po eksperimentoja në atë kohë. Ishim duke shkuar në shtëpinë e një të afërmeje dhe ajo tha “çkado që do ta bësh në shtëpi është në rregull, por kur të shkojmë atje, mos i bëj këto gjëra”. Ishte mjaft një moment i rëndësishëm të kuptosh se ky sistem i lidhjeve farefisnore, ku gjejmë kaq shumë mbështetje, rezulton gjithashtu në një lloj kufizimi, dhe ekziston në një formë shumë të ngjashme këtu.

Mendoj se ky lloj afiniteti ndaj familjes, ndaj strukturës shoqërore, dëshira për të negociuar me identitetin, për ta ruajtur strukturën e familjes, është diçka shumë e ngjashme me Indinë dhe vendet e tjera ku kam jetuar dhe punuar, si Mexico City dhe me Lagos. Pra, në këtë kuptim, brenda këtyre dy shembujve, këto dy hapësira më bëjnë të ndihem sikur vendi ku po qëndroj këtu, është shumë më i lidhur me realitetet në Indi dhe gjithashtu e përforcoi këtë nevojë për të punuar me artistë/e me ngjyrë dhe disi për ta nxitur një riorientim të solidariteteve ndaj Jugut Global.

Po çka rreth dikotomisë së New Delhit dhe Berlinit?

Përdorimi i New Delhit dhe Berlinit ka të bëjë thjesht me hapësirat që i njoh mirë. Por nuk bëhet fjalë për krijimin e një dikotomie të thjeshtë, sepse mendoj se brenda çdo hapësire ka edhe nivele të ndryshme privilegji. Edhe brenda Indisë, për shembull, privilegji është shumë i ngulitur përgjatë vijave të kastave. Ata që janë në krye të hierarkisë së kastave, kanë shumë më shumë qasje në hapësirat akademike, sociale dhe të artit. Jam në mes të piramidës së kastës dhe mund të shoh pozicionim në të dy anët. Mendoj se ma jep një lloj pikëpamje për ta kuptuar se kjo dikotomi është shumë më e ndërlikuar. Dikush që është i privilegjuar në Jugun Global mund të ketë në fakt më shumë qasje se dikush që është në fund të strukturës së pushtetit edhe brenda Evropës Perëndimore.

Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Flisni po ashtu për destabilizimin e hegjemonisë së diskursit ShBA-Evropë. Si duket ajo hegjemoni në këtë kontekst?

Një nga shembujt e këtij lloj diskursi Euro-ShBA, është këmbëngulja për të dalë hapur. Ishte një lloj kërkese e madhe brenda lëvizjeve të hershme queer në ShBA. Ekziston edhe një Ditë Kombëtare e Daljes Hapur [11 tetor]. Por për ne, që ekzistojmë brenda këtyre rrjeteve të dendura farefisnore jo-perëndimore dhe që nuk kemi të njëjtin lloj sigurie shoqërore, që nuk kemi mbështetje shtetërore, nuk mund të shihet në të njëjtën mënyrë.

Izolimi është fenomen kaq i shprehur brenda komuniteteve queer në Evropë dhe kjo ndodh sepse nuk ka kush të të mbajë kur je duke rënë.

Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Nuk mund thjesht të kërkojmë të imitojmë mënyrat në të cilat ato rrjete kanë funksionuar, mënyrat në të cilat ato gjeste kanë funksionuar. Mendoj se ka mundësi, për shembull, për të bërë një lloj procesi më të gjatë, më të butë të daljes hapur. Një proces që kërkon pak më shumë mund, që kërkon pak më shumë negocim, kërkon biseda shumë më të vështira me prindërit, me familjet tona. Proces që më pas na lejon ta mbajmë këtë sistem familjar ose më të gjerë të farefisit, që është kaq i rëndësishëm. Kjo do të thotë po ashtu një lloj më i ulët i përhapjes së tëhuajsimit

Izolimi është fenomen kaq i shprehur brenda komuniteteve queer në Evropë dhe kjo ndodh sepse nuk ka kush të të mbajë kur je duke rënë. Sado që kemi rëndësinë e familjeve të zgjedhura, mendoj se duhet ta pranoj se kam qenë shumë me fat që kam gjetur familjen e zgjedhur që e kam tani. Nuk do ta kisha gjetur nëse nuk do të isha në Berlin. Vijnë nga e gjithë bota, asnjëri/a prej tyre nuk është gjerman/e, por ata/o kanë ardhur të gjithë në Berlin sepse ekziston një lloj mundësie për t’u takuar aty.

Por mendoj se ndonjëherë vjen edhe nevoja për t’u mbështetur në familjet tona të lindjes, në disa hapësira ku na njohin më mirë dhe që të mos biem në grackën e tëhuajsimit, të izolimit, të valutave së dukshmërisë. Mënyra se si mediet në Instagram, mënyra se si ekzistojnë influencueset/it e Instagramit në ShBA dhe njëra nga hapësirat kryesore nga ku njerëzit queer trans përfitojnë çdo lloj paraje, hyjnë në këtë fushë të performancës. Mendoj se kemi mundësi t’i prishim dhe t’i sfidojmë këto bindje.

E shoh rishikimin e së kaluarës dhe angazhimin me të në një mënyrë të re, si diçka qendrore në punën tuaj. Si angazhoheni me trashëgiminë?

Brenda lëvizjeve queer ne shpesh kemi një ndjenjë amnezie, gjithçka lëviz kaq shpejt dhe secili/a dëshiron të jetë i/e pari/a që ka bërë diçka të caktuar. Kemi një ndjenjë të humbjes së respektit ndaj atyre që e bënë këtë edhe në mënyra të padukshme, që luftuan para se të kishte arkiva të sigurta ose nuk donin të futeshin në arkiva të dukshme. Kur ua njohim mundin, nderojmë arritjet e tyre dhe qëndrojmë mbi supet e tyre, jemi në gjendje të shkojmë shumë më tutje. Kur veprojmë kështu, ekziston edhe kjo ndjenjë me të vërtetë e rëndësishme që thotë se s’jemi vetëm. Mendoj se është po ashtu shumë e rëndësishme që lëvizjet e afërta që kanë luftuar që identitetet e margjinalizuara të merren seriozisht, të kenë dinjitet.

Vetëm duke parë mënyrën se si e gjeta poezinë e Ledia Dushit shumë herët në procesin e kërkimit dhe thjesht duke ndierë thellësisht mënyrat se si ajo rezonon me betejat që i ndjekim ne sot. Ndieva se nuk ishte e mjaftueshme ose nuk më dukej kuptimplotë thjesht ta përdorja poezinë e saj si titull, por doja të përfshihesha më shumë me veprat e saj, në një mënyrë që mund të kishte një lloj të caktuar të jetës së përtejme.

Kështu që mendoj se duke e kontraktuar Uresën [Ahmeti], dikush që mund të shihet në linjën  e poetëve/eve nga vjen Ledia, mendoj se ekziston kjo dëshirë për të parë se si proceset krijuese, si proceset e krijimit të ekspozitës mund të ndërtojnë lidhje, mund të ndërtojnë reciprocitete, mund po ashtu në njëfarë mënyre të ofrojnë dashuri kreative për ata/o që kanë luftuar para nesh. Mendoj se një lloj zmadhimi na lejon të shohim se vazhdimi i punës do të ketë një ndikim në afatin më të largët kohor.

Gjithashtu, unë vij nga një histori shpërnguljeje. Familja ime u detyrua të shpërngulej nga rajoni që tani është në Pakistan, në Indi kur nënkontinenti u nda. Nuk njoh shumë nga paraardhësit e mi. Pra, brenda krijimit të ekspozitës, duke njohur këto prani, mendoj se ka edhe një lloj homazhi ndaj paraardhësëve/eve me të cilët/at nuk kam lidhje. Njerëzit queer kanë pasur po ashtu jetëgjatësi shumë të ulët përgjatë periudhave. Ky proces i njohjes së paraardhësve gjithashtu e njeh se ne mund të kemi njëmend jetë të plotë dhe të mbajmë atë si diçka që më pas na lejon të ecim përpara po ashtu.

Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Nuk është që ju thjesht e njihni atë që është bërë më parë. Në këtë ekspozitë ka vepra që rimarrin traditën, e rilexojnë, madje e ndryshojnë. A ka tension në këtë?

Gjithmonë ka shtyrje prapa kur është fjala te ndryshimi dhe ata/o që janë në ballë të kësaj shtytje përballen me lloje të caktuara të dhunës. Kjo është kontradikta e dukshmërisë. Ekspozita shpreson të prodhojë këtë ide të traditës si një fushë që nuk është statike. Është gjithmonë subjekt i ndryshimit. Çfarë dimë sot është ajo që ka mbetur në arkiva, në librat tanë të historisë, në kujtesën publike.

Por gjithmonë është nxitur dhe transformuar nga ata që po e jetonin. Mendoj se arti ka atë mundësi të fuqishme për t’i provokuar këto transformime. Kur shohim veprën e Kris [Kristiyan Chalakov, artist pamor nga Bullgaria] i cili i rilexon nga një pikëpamje queer traditat bullgare, lind pyetja: pse jo-konformiteti gjinor nuk mund të jetë një traditë kombëtare?

Në shënimin tuaj kuratorial, i përmendni edhe paraardhësit/et queer që “janë bërë të padukshëm/me përmes dhunës epistemologjike koloniale”. A mund ta elaboroni këtë?

Është një propozim tjetër që kam zhvilluar, që mendon për mënyrat e shërimit të arkivave të plagosura, siç preferoj t’i quaj. Shpesh jemi të vetëdijshëm/me për humbjen e jetës ose pronës ose tokës — prona si hapësirë ​​shumë e zgjeruar — që vjen si pjesë e kolonializmit.

Por është po ashtu një dhunë epistemologjike shumë e rëndësishme që është në thelb të kolonializmit, që na bën të harrojmë se kush jemi dhe nga vijmë, në mënyrë që narrativat koloniale të na imponohen dhe që asimilimi të bëhet më i lehtë, që rezistenca të heshtet.

Vepra e Piros [Rexhepi, studiues i përqendruar në ndërthurjet e fesë, seksualitetit dhe kolonialitetit] e bën disi të dukshme ekzistencën e llojeve të shumta të identiteteve gjinore dhe seksuale në Ballkan në shek. XVIII dhe më herët. E kemi këtë fotografi ku shihet një ushtar evropian, ushtar italian, që dënon një person me identitet gjinor jo-konformues si simbolikë të importimit të homofobisë.

Pra, kjo lloj hipokrizie e perandorisë vazhdon të ekzistojë edhe sot dhe kjo është diçka që shpresoj që njerëzit ta marrin nga ekspozita.

Në Indi, në Azinë Jugore për shembull, kur erdhën britanikët, ata klasifikuan njerëzit trans nën një akt kriminal të fiseve. 

Va-bene [Elikem Fiatsi] nga Gana flet për mënyrën se si krishterimi ende zbaton një lloj politike të queerfobisë që po çon në ligje anti-queer, me të vërtetë të rrezikshme anti-queer ,që prezentohen në të gjithë Afrikën. Është një kundër të cilit ajo po lufton fuqishëm në Ganë, por e dimë se këto ligje ekzistojnë në Nigeri dhe Ugandë.

Ambasadori amerikan do të jetë në krye të paradës së krenarisë këtu në Prishtinë, por në të njëjtën kohë lobet amerikane mbështesin ligje anti-queer në Ganë, si dhe miratojnë ligje anti-trans në vendin e tyre. Pra, kjo lloj hipokrizie e Perandorisë vazhdon të ekzistojë edhe sot dhe kjo është diçka që shpresoj që njerëzit ta marrin nga ekspozita.

Zgjodhët të angazhoheni me Palestinën në një kohë kur po zhvillohet një debat i vazhdueshëm rreth censurës së artit të lidhur me Palestinën ose artistëve/ëve palestinezë/e. Si e morët atë vendim?

S’e kam vendosur në dyshim asnjëherë. Ka shumë motivime që çuan në të. Njëra është njohja e së kaluarës së Kosovës si shtet i pushtuar dhe shtrirja e solidaritetit dhe shtrirja e solidaritetit dhe e asaj njohjeje edhe në rajonet e tjera që për momentin janë të pushtuara. Kemi artistë/e si nga Palestina, ashtu edhe nga Kashmiri, që e zgjatojnë idenë se askush nuk është i lirë, derisa të gjithë të jemi të lirë. Çështja e Palestinës është vënë nën një censurë të madhe. Sidomos në Gjermani, ku jetoj, është shumë e rrezikshme të flasësh hapur për Palestinën.

Ekziston një margjinalizim shumë shtresor i njerëzve queer brenda rajoneve nën prezencën e militarizimit dhe okupimit.

Por mendoj se është një pyetje që qëndron në thelbin e sfidimit të hegjemonive evropiane dhe amerikane. Një shok/shoqe artist/e, i/e cili/a është nga Kashmiri, në fakt tha se çlirimi i Palestinës do të kërkojë që t’i rimendojmë të gjitha strukturat tona shoqërore. Dhe marrë parasysh pozicionin e saj, marrë parasysh mbështetjen nga perandoria, marrë parasysh mos-ndëshkueshmërinë që e shohim për Izraelin, bëhet me të vërtetë një pyetje me të cilën duhet të përfshihemi në çdo kërkim, në çdo shtjellim të lirisë. Ekziston një margjinalizim shumë shtresor i njerëzve queer brenda rajoneve nën prezencën e militarizimit dhe okupimit. Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të vihet në plan të parë edhe brenda debateve më të mëdha.

Mendoj se zgjedhja e kësaj kënge specifike [në ekspozitë] ka domethënie. Bashar Murad thotë ” Intifada on the dance floor”, duke na lutur të mos i ndajmë hapësirat tona queer nga kjo politikë, t’i mbajmë këto politika kur jemi duke argëtuar, kur krijojmë shoqëri, kur bëjmë dashuri. Përkufizimi i queerness, siç e shoh unë personalisht, nuk është në luftën për të drejtën për t’u martuar dhe për të pasur trashëgimi, por në luftën për të drejtën që të gjithë të jemi të lirë.

Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Në këtë ekspozitë, angazhoheni edhe me sëmundjen, aftësitë e kufizuara dhe gjithashtu HIV, një temë që shpesh mendohet si diçka e së shkuarës. Cili është logjika pas kësaj?

Një nga motivimet për ta bashkuar përzgjedhjen e artistëve/eve, është të mendosh gjithashtu se kush ekziston në margjinat dhe hijet e vetë queerness. Mendoj se ne që jemi me sëmundje kronike ose me aftësi të kufizuara, dhe them ne, sepse unë vetë jetoj me HIV dhe kjo është diçka për të cilën nuk është gjithmonë e lehtë të flasësh. Mendoj se këto biseda shpesh lihen jashtë platformave queer sepse nuk janë argëtuese, nuk kanë shkëlqim, s’janë zbavitëse në të njëjtën mënyrë.

Kur e dëgjova historinë e Likit [Arlinda Morinës, regjisore e filmit dhe teatrit nga Prishtina, e cila u shtri në spital me leukemi], herët gjatë procesit hulumtues, e dija se kjo është një bisedë që doja ta sillja në ekspozitë. Sepse nuk flet vetëm për sëmundjen, por flet për lidhjen e saj me trupin, me izolimin, me zbulimin e serishëm ose përcaktimin e serishëm të identitetit të dikujt.

Mendoj se ta njohësh nevojën për të krijuar më shumë hapësira për personat me aftësi të kufizuara, për personat me imunitet të kompromentuar, me sëmundje kronike brenda lëvizjeve tona, brenda hapësirave tona, brenda hapësirave tona të vallëzimit, është diçka që organizatorët/et duhet ta marrin më seriozisht.

Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Për fund, kur thoni, në shënimin tuaj kuratorial, se mënyra se si i vendosni veprat në hapësirë, ​​kërkon ta shmangni vendosjen e sanitizuar të krijimit të ekspozitës evropiane, çka nënkuptoni?

Mendoj se diskursi evropian shpesh kërkon të trajtojë veprën e artit dhe veçanërisht kjo vjen edhe nga forcat e tregut, si objekt të shenjtë, që kërkon shumë hapësirë ​përreth për t’u parë vetëm, për t’u parë vetëm përbrenda kuptimin të vet, për t’u mos u shqetësuar nga faktorë tjerë rreth tij.

Thuajse e bën atë pjesë të altarit, si një mënyrë për të përshkruar njëfarë vlere mbi të. Ajo që më interesonte të bëja këtu është të krijoja biseda në afërsi të veprave, në krijimin e intimiteteve mes disa llojeve të veprave, që më pas lejojnë gjithashtu shfaqjen e kuptimeve të shumëfishta.

Shpesh në këtë gjendje, në turmën e çrregullt — qoftë protestë apo nëse është një pistë vallëzimi apo edhe pazar — ka një lloj energjie që krijohet në kaosin intim. Kjo është diçka që jam përpjekur ta sjell në hapësirën këtu — për të parë vepra në intimitet, për të vendosur vepra të shumta në hapësira, për t’u përpjekur t’i përdorim këto hapësira fikse në mënyra që nuk janë përdorur në të kaluarën, për të sugjeruar që mund ta respektojmë shikuesin/en, ta dimë që ai/ajo është në gjendje të bëjë dallim midis veprave, duke i parë ato së bashku dhe më pas duke krijuar mundësinë e shpërfaqjes së shumë më shumë kuptimeve tjera. 

 

Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Biseda u zhvillua në gjuhën angleze.

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha /  K2.0

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.