E mbaj mend mirë atë ditë vere në vitin 1991, kur unë dhe babai hipëm në një autobus, në orën tre të mëngjesit nga Prishtina për në Beograd, ku do ta prisnim fluturimin e mëngjesit për në aeroportin JFK në New York City. Një përzierje ngazëllimi e ankthi s’më la të flija atë natë. Autobusi me ngjyrë bezhë, që operonte nën kompaninë që dikur njihej si “Kosova Tourist”, u nis përballë hotelit “Grand”, me gjasë për t’ia lehtësuar transportin ndonjë gazetari a vizitori të rrallë të huaj, që mund të ketë qëndruar aty gjatë atyre viteve të trazuara. Vetëm disa javë më parë, isha rrëzuar dhe kisha lënduar keq kyçin e këmbës, kështu që rrugën nga banesa deri në autobus e bëra duke çaluar, së bashku me valixhet e mia. U përshëndeta me nënën dhe tezen e saj, që kishte marrë mundin për të dalë e të na përcjellë atë mëngjes. Hipëm në autobus me babanë dhe u nisëm.
Rruga për në Beograd ishte shumë e gjatë dhe gjumi m’u pre sërish. Pasi zbritëm, dhimbjet nga çalimi u shtuan pasi m’u desh ta tërhiqja edhe valixhen time, e edhe atë të babait, teksa ai nxitimthi kërkonte taksi, për t’u siguruar që të mos e humbnim fluturimin. Beogradi më dukej i huaj, një vend që për të fundit herë e kisha vizituar në fëmijëri, kur Jugosllavia e Josip Broz Titos ekzistonte ende.
Në verën e vitit 1991, Beogradi ishte bërë qendër e trazirave të ashpra politike, që u përcollën me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe mbizotërimin e Slobodan Milošević, duke e bërë atë vend të pasigurt për një djalë të ri nga Kosova. U ndieva i lehtësuar kur babai, më në fund, siguroi një taksi. Nxituam drejt aeroportit.
Fluturimi ynë me aviokompaninë jugosllave “JAT” u shty për shkak të mungesës së karburantit për avionët në aeroportin e Beogradit, si pasojë e kolapsit ekonomik që po përjetonte Jugosllavia atë kohë. Avioni DC-10, që operonte në linjën Beograd-JFK dhe ishte mbi një dekadë i vjetër, u desh të rimbushej diku tjetër. Pas një vonese të gjatë, piloti njoftoi se do ta bënim një ndalesë të paplanifikuar në Amsterdam, për t’u furnizuar me karburant, para se të vazhdonim për në JFK.
Kur avioni u ngrit, shikova poshtë, duke ndier përzierje emocionesh, mes gëzimit dhe drithërimit të ngritjes. Ishte hera ime e parë që po fluturoja që nga fëmijëria dhe kësaj here m’u duk krejt ndryshe. Teksa shihja nga dritarja poshtë gjelbërimin dhe malet, përpiqesha ta gjeja Slloveninë, duke menduar me naivitet nëse ndonjë shenjë e konfliktit mes forcave sllovene dhe ushtrisë jugosllave do të dukej nga lart. Para pak ditësh, Sllovenia kishte shpallur pavarësinë e plotë nga Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë dhe shpërbërja e federatës veç kishte nisur.
Në mbrëmjen përvëluese të 1 korrikut 1991, arritëm në aeroportin JFK. Sapo dola jashtë, më goditi ajri i lagësht dhe radha e taksive të verdha përpara aeroportit. Atë verë, kohën më të madhe e kalova në banesën tonë modeste në Manhattan, ku babai ndante dhomën me kushëririn e tij. Në atë kohë, babai nuk punonte, pasi ishte shkarkuar para një viti për arsye politike nga pozita e drejtorit tregtar në “Eximkos”, kompania e eksport-importit të Kosovës. Në SHBA shkova për ta vazhduar arsimimin, kurse babai po përpiqej ta gjente një mënyrë për ta mbajtur familjen tonë. Nëna dhe motra dhe vëllai erdhën pas një kohe në SHBA.
Edhe para se të largohesha nga Prishtina, e dija se migrimi i familjes për në SHBA s’ishte ngjarje e izoluar. Teksa numri i emigrantëve kosovarë kishte qenë më i vogël që nga viti 1945 dhe gjatë fillimit të viteve të ’80-a, për shkak të përndjekjes politike, vështirësive ekonomike apo mundësive për punësim në Evropën perëndimore dhe vende të tjera të botës, vitet e ’90-a u pasuan me rritje të ndjeshme të migrimit.
Takimet me bashkatdhetarë emigrantë nga Kosova dhe rrëfimet për të tjerë që ishin shpërngulur në Mbretërinë e Bashkuar, Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Australi dhe vende të tjera, ma bënë të qartë se ishim pjesë e një brezi të tërë që kishte përvoja të ngjashme migrimi. Nuk emigruam në kërkim të qejfit apo ambicieve të mëdha; për shumicën prej nesh në atë periudhë, jeta jashtë vendit shihej si zgjidhje e përkohshme, derisa situata në vendlindje të bëhej më mirë. Rrëfimet tona personale ishin pjesë e një ndryshimi më të gjerë historik në modelet e migrimit, realitet që ndoshta nuk e kishim kuptuar apo përvetësuar plotësisht në atë kohë, meqë ishim të zhytur në sfidat e përditshme të mbijetesës si emigrantë.
Për ata që lanë shtëpitë e tyre në vitet e ’90-a me pritshmërinë se do të ktheheshin sapo të përmirësohej situata, ekzistonte një ndjenjë e fortë identifikimi me sfidat e vendlindjes. Kjo situatë shpesh shoqërohej me një ndjenjë faji për lënien pas të atyre që po përballeshin me kërcënime serioze — një faj që mund të shpaguhej vetëm duke ua mbështetur atyre që kishin mbetur përpjekjen politike për çlirimin nga shtypja politike dhe për pavarësinë e Kosovës.
Vitet e ’90-a luajtën rol kyç në formësimin e diasporës shqiptare të Kosovës, jo vetëm në aspektin demografik, por mënyra se si u shpërngulën, krijoi një identitet të veçantë të diasporës, që mbeti rrënjësisht e lidhur me vendlindjen.
Ngjarjet që çuan në largimin masiv të dhjetëra, e pastaj qindra-mijëra njerëzve nga Kosova gjatë viteve të ‘90-a, lidhen me një sërë ndryshimesh politike dhe ekonomike që kishin nisur të zhvilloheshin dekada më parë.
Jugosllavia në prag të shpartallimit
Vitet e ’80-a në Jugosllavi u karakterizuan nga një kontekst politik i shtypjes, që shënjestëroi veçanërisht Kosovën, si përgjigje ndaj protestave masive të vitit 1981, si dhe nga përkeqësimi i kushteve ekonomike, që goditi më rëndë rajonet e varfra si Kosova. Kjo situatë dallonte me vitet e ’70-a, një periudhë relativisht paqësore dhe më e begatë — fjala “relativisht” është kyçe — kur Kosova gëzonte nivel më të madh autonomie politike, ku investimet masive, të financuara nga federata transformuan ekonominë dhe jeta kulturore e arsimore lulëzoi, teksa prirjet demografike u orientuan qartazi në favor të shumicës etnike shqiptare.
Vitet e ’80-a sollën atmosferë ndryshe në mbarë federatën. Vdekja e Titos në vitin 1980 — i cili kishte shërbyer në pozita të ndryshme udhëheqëse që nga viti 1943, përfshirë postin e presidentit nga viti 1953 — shënoi padyshim fundin e një epoke politike. Ndonëse vitet e fundit ishte më në moshë dhe më pak i përfshirë politikisht, Tito mbetej simbol dhe garantues i unitetit jugosllav deri në periudhën e vonshme të vendit. Vdekja e tij krijoi boshllëk, si në autoritetin politik, ashtu edhe në atë simbolik. Por nëse e analizon më thellë nga këndvështrimi ekonomik, edhe vitet e ’70-a, gjatë të cilave Tito ishte ende në pushtet, jo domosdoshmërisht ishin një periudhë e artë për federatën.
Pas ndarjes së Jugosllavisë nga Bashkimin Sovjetik në vitin 1948, vendi nisi një eksperiment institucional, me një formë të socializmit të “vetëmenaxhimit nga punëtorët”. Ky sistem filloi me reformat e viteve të ‘50-a, të cilat bartën pushtetin ekonomik te ndërmarrjet. Udhëheqësit partiakë jugosllavë e konceptuan këtë model si alternativë ndaj planifikimit të centralizuar sovjetik dhe kapitalizmit të tregut, duke i lejuar punëtorët të vetëmenaxhonin ndërmarrjet, të merrnin vendime për investime, të zgjidhnin udhëheqësinë dhe të zhvillonin plane biznesi. Përveç kësaj, sistemi mundësonte shkëmbimin e mallrave në treg dhe forma të kufizuara të pronës private. Megjithatë, në vitet e ’60-a, ky sistem kishte filluar të përballej me vështirësi të mëdha.
Protestat e vitit 1981 në Kosovë ishin një sërë demonstratash të udhëhequra nga studentët/et, të cilat u përshkallëzuan në një trazirë të gjerë shoqërore. Fillimisht, u nisën nga kërkesat për kushte më të mira jetese dhe studimesh në Universitetin e Prishtinës, por shpejt u shndërruan në thirrje për autonomi më të madhe politike dhe njohjen e Kosovës si republikë. Protestat u përballën me reagim të ashpër nga autoritetet jugosllave, të cilat angazhuan forcat policore dhe ushtarake, duke çuar në arrestime masive, lëndime dhe viktima.
Gjatë viteve të ’60-a, republikat veriore, Sllovenia dhe Kroacia shtynin përpara një hapje më të madhe ekonomike ndaj Perëndimit dhe një zgjerimi të tregjeve të brendshme. Në teori, qëllimi ishte krijimi i një sistemi socialist të tregut, që do të kombinonte kontrollin nga punëtorët me konkurrencën e tregut dhe shkëmbimet. Në praktikë, korniza politike, që po zhvillohej, pengoi formimin e një ekonomie të unifikuar jugosllave dhe ndërfuti elemente të tërthorta të merkantilizmit republikan. Kjo strukturë inkurajoi secilin entitet politik brenda federatës që t’u jepte përparësi investimeve dhe prodhimit të brendshëm, ndërsa konkurronte me të tjerat për të siguruar pjesë më të mëdha si në tregun kombëtar, ashtu edhe në eksport. Si rezultat, socializmi, në rastin më të mirë, mbeti i rezervuar kryesisht për industrinë e secilës republikë, ndërsa tregjet u lanë për konkurrencë mes prodhuesve republikanë dhe për eksportet.
Tregu nacional i ndarë, që buroi nga ky sistem, u bë plotësisht i vërejtshëm në vitet e ’70-a. Kriza e shprehur e inflacionit, që e karakterizoi këtë periudhë, ishte pararendëse e masave shtrënguese dhe vështirësive të viteve të ‘80-a. Sot, zyrtarët e bankave qendrore amerikane dhe evropiane shqetësohen kur inflacioni kalon 2%. Për krahasim, inflacioni i konsumit në Jugosllavi, i cili ishte jashtëzakonisht i lartë gjatë gjithë viteve të ‘70-a, arriti kulmin në vitin 1981 me shifër tronditëse prej 46%.
Niveli i lartë i pakënaqësisë popullore përbrenda Jugosllavisë, i shprehur pjesërisht — si në Kosovë atë vit — përmes një idiome nacionaliste, nuk duhet t’i lë në hije rrënjët ekonomike të revoltës. Në Kosovë, protestat masive të vitit 1981 nuk u nxitën fillimisht nga ndonjë togfjalësh nacionalist, por nga ankesat e studentëve/eve në mensën e universitetit lidhur me cilësinë e dobët të ushqimit. Para thirrjes së famshme “Kosova republikë!”, ishin studentët/et që flakën tutje tabakatë e ushqimit dhe brohoritën “duam kushte!” Përfundimisht, kërkesa për një Republikë të Kosovë u formësua edhe si kërkesë për barazi më të madhe ekonomike brenda Jugosllavisë.
Kjo periudhë shënoi rritje të konsiderueshme të pabarazive rajonale dhe klasore, të cilat u bënë karakteristikë e dukshme e jetës shoqërore jugosllave në vitet e ‘80-a. Kriza e inflacionit nuk u përjetua njëlloj në të gjitha republikat. Në Slloveni, rritja e eksporteve në tregjet perëndimore i mundësoi rajonit të siguronte shuma të mëdha të devizave/monedhave të huaja. Ndërmarrjet atje mund t’i përgjigjeshin rritjes së çmimeve duke rritur pagat, gjë që përshpejtoi një spirale pagash dhe çmimesh, që ndikoi në të gjitha rajonet e tjera. Këto reagime të ndryshme rajonale vetëm sa e thelluan më tej hendekun ekonomik mes republikave. Deri në vitet e ‘80-a, Bruto Produkti Vendor (BPV) për kokë banori në Kosovë ra në 27% të mesatares jugosllave, nga 47% sa kishte qenë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1980, BPV për kokë banori në Kosovë ishte vetëm 795 dollarë, shifër e pamjaftueshme krahasuar me 3,190 dollarët e Sllovenisë.
Paraliza politike dhe paaftësia e plotë e qeverisë federale u bënë plotësisht të dukshme gjatë kësaj periudhe. Gjatë viteve të ‘70-a, teksa inflacioni u rrit ndjeshëm, Banka Qendrore e Jugosllavisë këmbënguli në mbajtjen e një norme interesi nominale fikse prej 6%. Duke qenë se vendi përdorte një valutë të përbashkët, kjo çoi në transferim masiv të pasurisë mes rajoneve dhe klasave shoqërore. Normat reale negative të interesit bënë që të përfitonin ndërmarrjet që mund të merrnin kredi me kosto të ulët dhe të grumbullonin të ardhura, që më pas mund t’i rishpërndanin përmes investimeve të reja ose rritjes së pagave. Kjo po ashtu stimuloi ndërmarrjet joefikase, të cilat përdornin kreditë e lira për t’i mbuluar pagat, pa investuar në avancime teknologjike apo zhvillimin e aftësive të punëtorëve/eve, duke krijuar pabarazi të thella strukturore.
Kjo periudhë përjetoi shpërthim të madh të ndërtimit të shtëpive private, i nxitur nga kreditë e nënvlerësuara që jepeshin nga bankat rajonale. Nga këto përfitonin kryesisht klasat menaxheriale dhe profesionale urbane, të cilat kishin qasje në kredi për banesa, kurse ishin më pak të favorshme për punëtorët industrialë dhe fermerët, shumë prej të cilëve jetonin në rajonet rurale më të varfra të vendit dhe në një bazë gjithnjë e më të tkurrur të blloqeve të banesave të përbashkëta. Këto pabarazi në rritje ushqyen ndjenja anti-elitare, veçanërisht në rajonet jugore të Jugosllavisë, si Bosnjë e Hercegovinë, Mali të Zi, Maqedoni dhe Serbi qendrore, ku kriza u ndje më së shumti.
Në përpjekje për t’i adresuar këto pabarazi, në vitin 1966, qeveria jugosllave krijoi një fond federal për të mbështetur rajonet më pak të zhvilluara, ku Kosova përfitoi pjesë të konsiderueshme të ndihmës. Ky investim i shtuar në Kosovë ishte pjesërisht rezultat i manovrave politike, pasi Tito synonte t’i baraspeshonte forcat rajonale dhe t’i parandalonte reagimet nacionaliste serbe. Mbështetja ekonomike ishte po ashtu një kompromis, që ofrohej në vend të dhënies së statusit të veçantë si republikë për Kosovën brenda Jugosllavisë, gjë për të cilën Tito besonte se do ta destabilizonte vendin dhe do të provokonte kundërpërgjigje nga Serbia.
Sipas një përllogaritjeje të Bankës Botërore, mes viteve 1971 dhe 1975, fondi federal përbënte 70% të investimeve të kapitalit fiks në Kosovë, duke mundësuar ndërtimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, përfshirë rrugët dhe zgjerimin e rrjetit elektrik, si dhe zgjerimin e bazës industriale të Kosovës. Investimet masive që rrodhën në Kosovë përmes këtij mekanizmi rishpërndarës e transformuan ekonominë e rajonit dhe ndoshta janë arsyeja pse, edhe nën kushte të inflacionit të lartë, kjo periudhë shpesh kujtohet si periudhë pozitive. Megjithatë, kjo formë e kujtesës historike fsheh pabarazitë ekonomike në rritje brenda sistemit jugosllav dhe kundërthëniet institucionale, të cilat çuan në shpërthimet prej popujve, në vitet e ‘80-a.
Delja e zezë e Jugosllavisë
Situata në Kosovë gjatë viteve të ‘80-a ishte tashmë e zymtë, veçanërisht pas protestave masive të vitit 1981, për shkak të rënies së papritur të investimeve dhe përkeqësimit të situatës ekonomike, që kontribuoi në papunësi masive, veçanërisht te rinia.
Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vitin 1981, Kosova u mbush me forca ushtarake dhe policore jugosllave. Pasoi një valë shtypjeje, ku dhjetëra-mijëra shqiptarë u arrestuan dhe u burgosën për shkak të “shprehjeve nacionaliste” dhe manifestimeve politike të “separatizmit dhe irredentizmit”. Situata ekonomike po ashtu u përkeqësua, pasi investimet federale u ndalën dhe shumë projekte të mëdha u pezulluan ose u lanë përgjysmë. Deri në fund të viteve të ‘80-a, me infrastrukturë të degraduar dhe ngecje të rritjes industriale, epoka e artë e prosperitetit të dekadës së mëparshme dukej tashmë si kujtim i largët.
Më 2 prill 1981, Presidenca e Jugosllavisë shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Prishtinë dhe në Kosovska Mitrovicën e atëhershme, e cila zgjati për një javë. Presidenca dërgoi forca speciale për t’i ndaluar demonstratat, ndërsa 30,000 trupa u dislokuan me shpejtësi në krahinë.
Atmosfera në Kosovë ishte e vrenjtur. Pas vitit 1981, Kosova u trajtua si delja e zezë e Jugosllavisë — një rajon i banuar nga një grup jo-sllav, që supozohej se synonte shkatërrimin e vendit. Për ironi, rezultoi se as pjesa tjetër e Jugosllavisë nuk jetonte si një familje e lumtur dhe pakënaqësia e gjerë shoqërore me drejtimin e vendit ishte e thellë.
Serbia ishte vendi i parë ku kjo ndjenjë negative u shfaq në mënyrë më të theksuar. Marrë parasysh shprehjen e saj nacionaliste, Kosova u bë shënjestra e saj e pashmangshme. Gjithmonë ekzistonte një fraksion brenda Partisë Komuniste Serbe, që e shihte me dyshim të thellë eksperimentin Titist të federalizmit të decentralizuar. Por në fund, asnjëri nga komunistët tradicionalë serbë nuk e mori përsipër transformimin e Serbisë në vitet e ‘80-a, pos një njeriu nga qyteti i vogël i Požarevacit, me emrin Slobodan Milošević.
Në shumë mënyra, Milošević përfaqësonte një oportunist tipik prej një qyteti të vogël, që u ngjit shpejt në strukturat e eksperimentit ekonomik jugosllav. Ai diplomoi për drejtësi në Beograd dhe ambiciet e tij e shtynë drejt Partisë Komuniste Serbe, e më pas drejt një karriere të shpejtë në sektorin bankar. Në vitin 1978, Milošević u bë kryetar i bankës më të madhe të Beogradit, “Beobanka”, gjë që i siguroi atij lidhje me komunitetin ndërkombëtar bankar. Ky profil i lartë, nën petkun kozmopolit, e bëri Miloševićin të dukej si udhëheqës të ri ambicioz dhe premtues në sytë e udhëheqësit të Partisë Serbe, Ivan Stambolić.
Një moment kyç në ngritjen e Miloševićit drejt pushtetit më të madh politik në Serbi ndodhi në vitin 1986. Atë vit, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë rrodhi dokumente të një Memorandumi famëkeq dhe shumë kundërthënës, ku paraqitej një listë ankesash kombëtare lidhur me shtypjen e supozuar historike dhe të vazhdueshme të serbëve brenda federatës jugosllave. Stambolić e refuzoi retorikën nacionaliste të Memorandumit, teksa avokonte për ndryshimin e Kushtetutës së Jugosllavisë në atë mënyrë që do t’ia mundësonte Serbisë ta rimerrte kontrollin në krahinat e saj, përfshirë Kosovën. Për dallim, Milošević nuk mendoi se etno-nacionalizmi i Akademisë Serbe ishte diçka që duhej frenuar, por përkundrazi, e ktheu atë në një mjet retorik për ta ndryshuar federalizmin jugosllav. Në vitin 1987, Milošević kishte marrë nën kontroll Partinë Serbe, duke u kthyer atë kundër dhe përfundimisht duke rrëzuar nga pushteti mentorin e tij politik, Stambolić.
Ngritja e Miloševićit shënoi një ndryshim qenësor në orientimin politik të Partisë Serbe sa i përket së ardhmes së Jugosllavisë. Në stil shembullor populist, Milošević, pa humbur kohë, zhvendosi vëmendjen nga problemet e shumta ekonomike të Jugosllavisë, duke i paraqitur ato si çështje të krenarisë nacionaliste. Ai u bazua gjerësisht në diskursin e Akademisë Serbe, duke portretizuar serbët si viktima të Jugosllavisë. Në këtë narrativë të re, përpjekjet politike për ta shpërndarë pushtetin në Jugosllavi që nga vitet e ‘60-a u paraqitën si pjesë e një projekti më të madh — ose, më mirë, një konspiracioni — për ta dobësuar Serbinë dhe për t’u fuqizuar republikat e tjera.
Autonomia e Kosovës u paraqit si një prej dëshmive kryesore të kësaj përpjekjeje të supozuar, pasi jo vetëm që shpërndau pushtetin brenda Jugosllavisë, por gjithashtu e dobësoi Serbinë si një shtet federal të ndarë në tri nën-njësi administrative — Vojvodinën, Kosovën dhe Serbinë qendrore — ku secila prej tyre kishte të drejtën e vetos për t’i kundërshtuar politikat e Serbisë. Detyra kryesore e udhëheqësisë serbe nën Milošević u bë korrigjimi i kësaj padrejtësie të perceptuar historike. Si hap i parë, udhëheqësia serbe kërkoi ristrukturimin e Republikës së Serbisë në një shtet unitar, e më pas rikonfirmimin e dominimit serb brenda federatës.
Sigurisht, përpjekja e parë nënkuptonte zhbërjen me forcë të kompromisit politik që Kosova të vetëqeverisej brenda Jugosllavisë, një marrëveshje që u arrit nga një brez i mëparshëm udhëheqësish. Udhëheqësia e re serbe u shqua për sa e pakompromis ishte në zbatimin e këtij projekti. Duke përdorur një sërë fushatash denigruese, grushte shteti, shtypje dhe dhunë të hapur ndaj kundërshtarëve, shënjestra e parë ishte Kushtetuta e Serbisë e vitit 1974.
Dinamikat që u shkaktuan nga kjo në Kosovë ishin të dëmshme dhe shkatërrimtare. Skena partiake në Kosovë tashmë ishte e dobësuar dhe e përçarë në vitet e ‘80-a. Vdekja apo pensionimi i grupit të parë të udhëheqësve pas Luftës së Dytë Botërore u zhvillua pa një bartje të mirëfilltë të pushtetit te një brez i ri, shumë prej të cilëve e përjetuan shtypjen pas vitit 1981.
Më i njohuri ishte rasti i Mahmut Bakallit, një udhëheqës në ngritje gjatë viteve të ‘70-a, i cili u kritikua nga federata për mënyrën se si i menaxhoi protestat masive të vitit 1981 dhe u detyrua të jepte dorëheqje. Fillimisht, Bakalli u përpoq t’i minimizonte protestat dhe t’i kontrollonte ato përmes autoriteteve lokale. Kur kjo përpjekje dështoi dhe protestat vetëm sa u rritën në përmasa dhe intensitet, qeveria federale mori masa dhe ndërhyri menjëherë, duke kufizuar udhëheqësinë krahinore të Kosovës. Kjo bëri që, deri në fund të viteve të ‘80-a, partia krahinore të mos kishte asnjë hapësirë për t’u ballafaquar me trysninë serbe për ta zhbërë autonominë e Kosovës.
Në vitin 1989, udhëheqësia serbe imponoi me forcë një reformë kushtetuese, e cila në mënyrë të prerë shfuqizoi vetëqeverisjen e Kosovës. Në periudhën që çoi drejt këtij shfuqizimi dhe në muajt vijues, dolën në skenë një sërë lëvizjesh popullore të pavarura, të cilat ndezën shkëndijat e qëndresës masive kundër marrjes me forcë të krahinës nga Serbia. Greva masive e minatorëve të Trepçës, në shkurt 1989, në mbrojtje të autonomisë së Kosovës, çeli rrugën për një valë protestash dhe nismash qytetare. Duke qenë se udhëheqësia partiake u shpërfill ose u burgos, elitat kulturore dhe intelektuale shqiptare jo-partiake dolën në sipërfaqe si avokues të pakënaqësisë në Kosovë, duke shprehur kundërshtinë ndaj pushtetit serb dhe rritur shpresat për një ndryshim demokratik. Në shkurt të vitit 1989, 215 intelektualë shqiptarë nënshkruan atë që njihet si “Apeli i 215”, ku kërkuan ndalimin e sulmeve politike të Beogradit ndaj vetëqeverisjes dhe të shtypjes së Kosovës.
Pakënaqësia arriti kulmin në një revoltë të organizuar në vitin 1990. Atë vit, në një mbledhje klandestine, deputetët e mbetur të Kuvendit të Kosovës — të cilët ishin përjashtuar nga mbledhja e vitit 1989, që votoi për shfuqizimin e autonomisë së Kosovës — u mblodhën në Kaçanik për ta shpallur deklaratën e “Kushtetutës së Republikës së Kosovës”. Kjo kushtetutë bazohej në rezolutën e miratuar nga e njëjta përbërje e kuvendit e vitit 1989, të cilët në mënyrë të menjëhershme shpallën sovranitetin e Kosovës brenda kontekstit ende ekzistues të atëhershëm të federatës jugosllave.
Viti 1990 ishte po ashtu i rëndësishëm sepse shënoi formimin e partisë së parë jokomuniste në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Teksa fillimet e saj u karakterizuan nga grup i larmishëm gazetarësh, shkrimtarësh, historianësh dhe akademikësh, të cilët gjithnjë e më haptazi kundërshtonin okupimin serb të Kosovës, në dhjetor të vitit 1990, një grup themelues, i përbërë nga shkrimtarë dhe intelektualë, shpalli krijimin e LDK dhe zgjodhi për kryetar kritikun letrar, Ibrahim Rugova.
Strukturat ekzistuese jopartiake politike, si organizatat e “frontit popullor” të Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës, pothuajse menjëherë u rreshtuan krah LDK. Kjo e shndërroi, brenda natës, grupin e përbërë kryesisht nga intelektualë, të cilët angazhoheshin në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, të cilën e drejtonte Rugova, në një lëvizje të gjerë politike. Duke qenë se Partia Komuniste krahinore ishte kthyer në një strukturë boshe, e mbushur me vasalë të instaluar nga Beogradi, mbështetja masive për LDK, e shndërroi atë dhe Rugovën në përfaqësuesit kryesorë dhe zërin politik të shqiptarëve të Kosovës.
Paradoksi i të ’90-ve
Në fillim të dekadës së re, situata politike në Kosovë u bë, në disa aspekte, paradoksale.
Nga njëra anë, shtypja politike nga Serbia u shndërrua, gjithnjë e më shumë, në dhunë të drejtpërdrejtë dhe një sistem pushteti në stilin e apartheidit, filloi të marrë formë. Policia dhe forcat e sigurisë së Kosovës u shpërbënë dhe u zëvendësuan nga forca të dërguara nga Serbia, gjykatat u mbushën me lojalistë të regjimit serb, ndërsa shqiptarët u pushuan në masë të madhe nga puna në ndërmarrjet që tani menaxhoheshin nga udhëheqës të instaluar nga Beogradi. Krejt kjo krijoi situatë dëshpëruese dhe të tmerrshme të përndjekjes.
Nga ana tjetër, rënia e sundimit një-partiak krijoi mundësi për shprehje më të madhe politike dhe qytetare. U shfaqën kanale të reja, si medie të pavarura, përmes të cilave elitat kundërshtuese shqiptare të Kosovës dhe anëtarë të jetës publike mund ta shprehnin kundërshtinë ndaj sundimit serb, t’i dokumentonin shkeljet e të drejtave të njeriut, si dhe të shtronin kërkesa për demokratizim dhe të kërkonin mbështetje ndërkombëtare për situatën e rëndë në Kosovë.
Me fjalë të tjera, për dallim nga shtypja pas vitit 1981, gjatë së cilës opozita politike fshihej nga regjimi, për ta shmangur përndjekjen dhe burgosjen, vitet e ’90-a filluan me një situatë ku shtypja masive dhe optimizmi i madh për të ardhmen bashkëjetonin.
Shpresa e asaj kohe u mbështet po ashtu nga një sërë veprimesh politike të koordinuara dhe një mobilizimi masiv, i cili kulmoi me atë që u bë i njohur si “shteti paralel” i Kosovës. Kapja e hapur e pushtetit dhe mizoria e metodave që përdori Milošević për ta marrë nën kontroll Kosovën, bënë që regjimi serb të mbetej me pak ose pa aleatë politikë të anës shqiptare. Ata që mbetën shpejt e humbën ndikimin dhe mbetën pa ose me shumë pak autoritet mbi shumicën shqiptare.
Si rezultat, sulmi frontal i Milošević ndaj institucioneve të Kosovës nxiti një mobilizim popullor kombëtar relativisht të homogjenizuar, kundër asaj që elitat shqiptare e përshkruan si okupim të hapur ushtarak. Veprimet e koordinuara nga anëtarët e mbetur të Kuvendit të Kosovës, si dhe nga LDK, u bënë qenësore për kanalizimin e këtij mobilizimi në forma të organizuara të qëndresës popullore.
Sistemi paralel u bë një shprehje simbolike e qëndresës, ndërsa hija e “Republikës së Kosovës” ishte më shumë një konstrukt politik me vlerë mobilizuese, sesa përpjekje aktive për ta mundur sundimin serb. Zgjedhjet e përgjithshme të fshehta, të vitit 1992, prodhuan një parlament të ri shumëpartiak (ndonëse i dominuar nga LDK) dhe zgjodhën Rugovën si president të Republikës në hije të Kosovës. Këto institucione konsoliduan “shtetin paralel”, një rrjet i gjerë gjysmë i fshehur, që shtrihej në mbarë Kosovën, duke përfshirë organizime arsimore, shërbime mjekësore, bamirësie dhe politike, të koordinuara kryesisht nga LDK.
Kushtetuta e Kaçanikut, e vitit 1990, parashikonte një strukturë republikane dhe parlamentare dhe një president të zgjedhur nga populli. Megjithatë, përveç veprimeve simbolike të Rugovës si president, asnjë institucion tjetër nuk u funksionalizua apo thjesht veproi në mënyrë të kufizuar. Parlamenti i ri i Kosovës, i zgjedhur në vitin 1992, nuk vazhdoi të mblidhej.
Parlamenti mbajti një mbledhje të vetme të fshehur në vitin 1992, ku zgjodhi mjekun, Bujar Bukoshi për kryeministër, së bashku me një kabinet qeveritar, të cilët u detyruan drejt ekzilit për në Gjermani. Për më tepër, pati shumë polemika, veçanërisht rreth krijimit të ministrive të brendshme dhe të mbrojtjes të Republikës në hije të Kosovës. Çështja e formimit të trupave të armatosura të Republikës klandestine të Kosovës u bë temë që nxiti debat, veçanërisht gjatë mosmarrëveshjes politike mes Bukoshit dhe Rugovës në fund të viteve të ‘90-a, si dhe mes Bukoshit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila e konsideronte veten si e vetmja forcë legjitime luftarake në Kosovë, në kundërshtim me Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).
Ndonëse e gatshme t’i toleronte mospajtimet politike dhe deklaratat publike të Rugovës për një Kosovë të pavarur, Serbia nuk do të toleronte organizimin e forcave të mundshme të armatosura shqiptare, të cilat mund ta sfidonin drejtpërdrejt pushtetin e saj në Kosovë. Kjo çështje u bë veçanërisht e ndjeshme gjatë periudhës 1993-1995, kur luftërat shkatërruan Kroacinë dhe Bosnjë e Hercegovinën dhe, meqë forcat serbe u përqendruan në këto konflikte, u duk se kjo krijoi kushte për një “front të tretë” në Kosovë.
Nga mesi i viteve të ’90-a, shteti paralel u kthye në një kornizë mosmarrëveshjesh të brendshme politike mes shqiptarëve të Kosovës, sidomos pasi u bë e qartë se këmbëngulja e Rugovës për rezistencë paqësore dhe pritja për ndërhyrje nga jashtë, e cila do t’i jepte fund regjimit okupues serb dhe do të zgjidhte statusin e Kosovës, dukej se nuk po prodhonte rezultate. Pas Marrëveshjes së Dejtonit, të vitit 1995, e cila prodhoi një marrëveshje paqeje për Bosnjë e Hercegovinën, por e shpërfilli çështjen e Kosovës, zërat kundërshtues ndaj qasjes së Rugovës vetëm sa u shtuan, si në numër, ashtu edhe në intensitet.
Lindja e UÇK pati zanafillën nga ky mospajtim politik. Edhe UÇK lëvizte mes profilizimit të vetes si grup i pavarur për çlirim kombëtar dhe si një komponent i armatosur i shtetit paralel të Kosovës.
Pavarësisht këtyre tensioneve të brendshme politike, shteti paralel mishëroi një varg manifestimesh të solidaritetit të thellë dhe rrjeteve mbështetëse, të cilat mundësuan që të krijohej përshtypja e njëfarë normaliteti për një popullatë që, gjithnjë e më shumë, po bëhej viktimë e asaj që me të drejtë u cilësua si sistem i ngjashëm me aparteidin, të cilin Serbia e instaloi në Kosovë gjatë asaj periudhe.
Ruajtja e sistemit arsimor në gjuhën shqipe është një nga arritjet më të rëndësishme të shtetit paralel, pasi mësimdhënësit/et dhe nxënësit/et shqiptarë/e u përjashtuan nga shkollat dhe kampusi i Universitetit të Prishtinës. Shumica e këtij sistemi u mbajt gjallë duke u organizuar në shtëpitë-shkolla, ku zhvillohej mësimi në kushte të vështira. Kultura u zhvillua në fshehtësi, ku kafenetë dhe restorantet u shndërruan në galeri dhe ekspozita, si dhe zëvendësuan hapësirat intelektuale për diskutime politike. Kjo ishte përpjekje që përbënte rrezik të madh dhe kërkonte sakrificë.
Krijimi i një sistemi të mbështetjes financiare, që do të përfshinte pagat për mësimdhënësit/set, ishte jetik për ekzistencën e shtetit paralel dhe për mbajtjen gjallë të rezistencës kundër sundimit serb. Ky sistem u menaxhua nga LDK dhe mbështetej në një taksë vullnetare prej 3%, të cilën e paguanin shqiptarët në Kosovë dhe në diasporë. Fondi mbeti nën kontrollin e Bujar Bukoshit, i cili ndodhej në Gjermani dhe u përdor fillimisht për mbështetjen e arsimit, ndërsa më vonë edhe për veprimet luftarake në fund të viteve të ‘90-a. Ndërkohë, shoqata “Nëna Terezë” udhëhoqi një rrjet të gjerë të nismave të bamirësisë dhe klinikave, të cilat ofronin ndihmë bazike për një popullatë nën kërcënim.
Diaspora luajti rol kyç financiar me remitencat e saj të devizave/monedhave të huaja, duke mundësuar që Kosova të mbijetonte përballë kushteve të zymta ekonomike të viteve të ‘90-a. Solidariteti brenda në Kosovë dhe në diasporë u shfaq përmes mbledhjeve, fushatave mbështetëse dhe aktivizmit lokal të anëtarëve të diasporës, për të siguruar përkrahje ndërkombëtare për situatën e Kosovës.
Një përfundimi personal
Si anëtar i diasporës gjatë viteve të ‘90-a, edhe unë ndihmova fushatat që avokonin për pavarësinë e Kosovës. Këto përpjekje fituan momentum me kalimin e kohës. Shumë nga ata që u larguan nga Kosova në vitet e ‘90-a morën pjesë në protesta para selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York, si dhe para Shtëpisë së Bardhë dhe Kapitolit në Washington, D.C.. Disa anëtarë të shquar të diasporës krijuan grupe lobimi, si Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, nën drejtimin e ish-kongresmenit, Joe DioGuardi dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Të dyja këto organizata luajtën rol kyç në lobimin për mbështetjen amerikane për Kosovën gjatë gjithë viteve të ‘90-a.
Rreth mesit të viteve të ‘90-a, si student i ri, u njoftova me teknologjinë e re të internetit, e cila po merrte hov në atë periudhë. Përhapja e shpejtë e internetit, e bëri atë njërën nga platformat kryesore përmes së cilës një grup prej nesh, të lidhur përmes rrjeteve të diasporës në New York, u mobilizuam për të avokuar për mbështetjen e SHBA për pavarësinë e Kosovës. Përmes internetit si kanal i ri i përhapjes informacionit, shpërndanim raporte mujore dhe javore të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), një nga organizatat e pavarura, të krijuara gjatë vitit 1989. Me një rrjet të gjerë aktivistësh/esh, KMDLNJ regjistronte me përpikëri rastet e dhunës shtetërore serbe në Kosovë dhe u bë akter kyç në dokumentimin dhe denoncimin në nivel ndërkombëtar të terrorit të udhëhequr nga shteti serb gjatë asaj periudhe.
Rrugëtimi im më çoi nga aktivizmi drejt akademisë, në një kohë shumë kritike për Kosovën, duke formësuar interesat e mia intelektuale në fazat e hershme. Në vitin 1999, isha student i nivelit master në programin për Studime Euroaziatike, Ruse dhe të Evropës Lindore në Universitetin Georgetown, në Washington, D.C.. Marrë parasysh prejardhjen time modeste si emigrant dhe faktin që kisha ndjekur një universitet publik në New York, pranimi në Georgetown më dukej si një arritje e rëndësishme. Në vitin e dytë të programit, vendosa ta shkruaja temën e masterit për shtetin paralel të Kosovës.
E mbaj mend mirë momentin kur isha ulur në Sallën Evropiane të Leximit në Bibliotekën e Kongresit, duke kërkuar burime arkivore për Jugosllavinë dhe Kosovën gjatë viteve të ‘80-a dhe ’90-a. Ishte koha kur bombardimet e NATO ndaj asaj që kishte mbetur prej Jugosllavisë (Serbia, Kosova dhe Mali i Zi) kishin filluar dhe qindra-mijëra shqiptarë, përfshirë anëtarët e familjes sime, ishin shpërngulur me forcë nga ushtria dhe forcat paramilitare serbe. Ndjenja e thellë e ankthit dhe dhimbjes teksa lexoja për historinë e një vendi për të cilin kisha frikë nga çasti në çast se s’do të ekzistonte, ende rri e ngulitur thellë në kujtesën time. Kjo përvojë ka rrënjosur te unë një ndjeshmëri të thellë për emigrantët politikë, refugjatët dhe migrantët, vendet e të cilëve janë zhytur në konflikte.
Në kulmin e bombardimeve në pranverën e vitit 1999, situata në Kosovë dukej dëshpëruese. Qindra-mijëra njerëz ishin zhvendosur me forcë dhe shumë të tjerë po masakroheshin. Teksa SHBA refuzonte të dërgonte trupa tokësore, ishte e pasigurt nëse bombardimet do të përfundonin në favor të shqiptarëve të Kosovës. Shkrimi i temës sime më dukej si përpjekje e dështuar, duke dokumentuar një epokë që mund të bëhej jorelevante, për një vend që rrezikonte të zhdukej.
Fatmirësisht, ajo që më frikësonte më shumë u realizua vetëm pjesërisht. Arritja e trupave të NATO në Kosovë, në qershor 1999, bëri të mundur që shumë njerëz të ktheheshin në vendlindje. Kosova filloi rindërtimin e saj dhe hyri në shekullin e ri me një paqe relative, ndonëse nën një konfigurim politik rrënjësisht të ndryshuar, të dominuar nga NATO dhe OKB. Një dekadë e mbushur me dëshpërim, shpresë, frikë dhe guxim kishte marrë fund, duke hapur një epokë të re dhe një mijëvjeçar të ri, të mbushur me energji dhe ngazëllim për të ardhmen. Shteti paralel, që ishte fokus i temës sime, u shpërbë shpejt, duke u zëvendësuar nga institucione të tjera, siç mora vesh kur u ktheva në korrik të vitit 1999, saktësisht tetë vjet pas largimit tim të parë. Si dikush që kishte lënë pas vitet e adoleshencës dhe ishte amerikanizuar në masë të madhe, fillova të ndihesha gjithnjë e më shumë si i huaj në vendin, që supozohej të ishte “shtëpia” ime.
Kur shikoj pas, ndjenja ime se po dokumentoja një të kaluar, si personale, ashtu edhe kolektive, që nuk do të përsëritej dhe së shpejti do të harrohej, nuk doli të ishte krejtësisht e pasaktë.
Imazhi i ballinës: Creative Commons.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.