“Tash nuk më intereson për nanën, veç për bebe” - Kosovo 2.0

“Tash nuk më intereson për nanën, veç për bebe”

Pas lindjes, shëndeti mendor i nënave mbetet në hijen e pritshmërive, shpërfilljes e stigmës.

Nga Donika Gashi — 5/5/2025

E kuptova se isha shtatzënë saktësisht një muaj pasi kisha filluar studimet master në qytetin Aarhus të Danimarkës. Nuk ishte lajmi që prisja, për shumë arsye. Për shkak të Sindromës së Vezoreve Polocistike (PCOS) me vite më ishte thënë nga gjinekologë që për të mbetur shtatzënë do më duhej të mjekohesha, pasi ndryshe ishte pothuajse e pamundur. PCOS është një çrregullim hormonal, që shpesh manifestohet me cikël menstrual të parregullt dhe është një nga shkaqet më të zakonshme të infertilitetit tek gratë. Së dyti, sapo kisha nisur një rrugëtim që parashihej të zgjaste dy vjet dhe nuk e kisha imagjinuar se do të përballesha me një ndryshim kaq të madh në atë moment.

Megjithatë, nuk doja të hiqja dorë nga asnjëra. Mblodha gjithë forcën për ta përballuar këtë periudhë e vetme. Nuk kisha zgjidhje tjetër: duhej të studioja, të bëja pazaret, të ndiqja ligjëratat, të ecja aq sa mundja dhe të kryeja çdo obligim pa partnerin, familjen e shoqërinë afër. Gjithë energjinë e përqendroja te mënyra se si mund ta menaxhoja shtatzëninë pa dëmtuar as veten, as bebin. Në Aarhus ekzistonin kurse për gratë që ishin shtatzëna sa i përket lindjes, menaxhimit të stresit dhe kujdesit ndaj të porsalindurit, por për shkak që nuk flisja gjuhën daneze, nuk mund të ndiqja asnjë prej tyre. 

Kontrollat i kryeja në klinikën ku isha e regjistruar. Aty më njoftuan se në muajin e shtatë, si pjesë e protokollit të tyre mjekësor, duhej të takohesha me një punëtore sociale për të diskutuar më shumë rreth shtatzënisë dhe shëndetit mendor. Mbaj mend që gjatë bisedës kam qarë, pasi në mendjen time mëmësia lidhej domosdoshmërisht me sakrificë deri në vetëflijim e unë nuk doja atë lloj prindërimi. Ajo tentoi të më shpjegonte që nuk ekziston vetëm një lloj forme e prindërimit, që kur bebi të vijë në jetë do e kuptoja vetë me kohë se si do prindëroja. Gjithashtu, gjatë bisedës sonë, ajo më tregoi më gjerësisht për baby blues dhe depresionin pas lindjes. Më tha që në javët e para çkado që do ndieja, t’i pranoja si normale, pasi të tilla janë. Kjo bisedë më qetësoi dhe më bëri të përtypja faktin që unë do bëhesha nënë.

Shumë pak kohë pas kësaj bisede, erdha në Kosovë ku edhe linda. 

***

Ideja që unë do isha personi përgjegjës për kujdesin ndaj një krijese tjetër, më trembi sapo dola nga salla e lindjes. Në atë moment m’u kujtuan fjalët e punëtores sociale. Ndryshe nga ajo më trajtoi një mami në spitalin privat ku linda. Teksa po më udhëzonte se si të ushqeja me gji foshnjën, me një nënqeshje e një lloj krenarie tha: “mu tash nuk më intereson për nanën, veç për beben”. Ndieva se u zhbëra në atë moment. Që ndalova së ekzistuari. Që unë më nuk isha unë, unë më nuk isha e rëndësishme. Pas këtyre mendimeve, filluan ndjenjat e fajit. Ndihesha në faj pse mendoja ashtu. Ndihesha egoiste, nënë e keqe. Sa më shumë përpiqesha që t’i shtypja këto mendime, aq më të forta ktheheshin.

Nuk kisha përjetuar asnjëherë atë lloj shkalle të stresit. Stresi e arriti kulmin, 72 orë pas lindjes. Nuk po e njihja vetën e trupin tim. Çdo gjë më dukej e huaj, sikur kisha humbur lidhjen me realitetin. Disi po e vuaja jetën që kisha pasur përpara. Më pas ndihesha më faj nga ky mendim, e qaja me dënesë. Nga leximet që i bëja e dija që po përjetoja baby blues. Baby blues zakonisht shoqërohet me gjendje të ulët humori dhe simptoma të lehta depresive, të cilat mund të shfaqen në ditët e para pas lindjes dhe zgjasin dy deri në katër javë, ndërsa nëse simptomat vazhdojnë edhe pas kësaj kohe, atëherë mund të bëhet fjalë për depresion postnatal. Sipas studimeve, baby blues prek rreth 39% të grave pas lindjes, por ky numër varion nga 13.7% deri në 76% në varësi të kulturës dhe vendit prej nga vijnë ato gra.

Për t’i vënë pikën gjithçkaje në ato ditët e para më ishin mbyllur kanalet e gjirit. Dhimbja sa bëhej më keq e fjalia që dëgjoja gjithë kohën ishte që “duhet t’i durosh dhimbjet sepse s’ka si qumështi i nënës”. Kjo nuk më ndihmonte aspak, përkundrazi, më shtonte presionin. Ky lloj presioni nuk është thjesht ndjesi personale, vështirësitë në gjidhënie rëndojnë mirëqenien mendore të nënave.

Fotografia: Mashal Baloch.

Teksa kërkoja në internet për ndihmë në lidhje me gjidhënien, hasa në emrin e Rina Demiri Spahijës, drejtoren e Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC), organizatë që merret e shëndetin e foshnjave, nënave dhe fëmijëve dhe menjëherë vendosa t’i drejtohem për problemin tim. Sapo ma hapi telefonin ia plasa vajit si me asnjë njeri tjetër deri në atë moment. Ajo më kuptoi shumë mirë dhe më këshilloi se çfarë të bëja derisa të shkoja të kontrollohesha të nesërmen tek mjeku. 

Dhimbjet fizike kaluan pas afro një jave, por çfarë më rëndonte më së shumti ishte aspekti emocional. Mendja dhe trupi im ishin në gjendje alerti. Tërë kohës e shikoja beben nëse po merrte frymë. Trupi më dridhej. Nuk doja që askush tjetër ta mbante në krah. Frikësohesha që do e gjente diçka. Që do më gjente diçka. Zgjohesha me ankth natën pasi frikësohesha mos e kisha ngulfatur. Qaja shumë. 

Në mendje më vinin të gjitha gratë në rrethin tim që e kishin kaluar këtë rrugëtim para meje. E kuptova se pa e ditur, kisha qenë e pamëshirshme ndaj tyre. M’u kujtua Donika, shoqja ime e ngushtë, kur u bë nënë për herë të parë. Me mendjen time besoja se e kisha mbështetur, por tani e dija me siguri se nuk e kisha kuptuar vërtet atë që ajo kishte kaluar.

Vetëm kur e kisha telefonuar Rinën, tri ditë pas lindjes, ndieva që më në fund dikush po i validonte ndjesitë e mia. Mua, aq më duhej në atë moment. 

“Donikë, unë për shkak të vështirësive dhe ankthit të paslindjes, e kam ndërruar komplet profesionin”, më kishte thënë atë ditë maji përmes telefonit. Tani, 10 muaj më vonë, në një bisedë unë si gazetare e ajo drejtore e AMC më tregon për projektet që kjo organizatë ka në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) dhe UNICEF-in. 

Rina Demiri Spahija me Aksioni për Nëna dhe Fëmijë punojnë aktivisht për t’iu gjendur pranë nënave të reja.
Fotografia: Ferdi Limani / K2.0.

Një nga to është programi “Vizitat në Shtëpi për fëmijët 0-3 vjeç”, në të gjitha 38 komunat e Kosovës, që ka për qëllim të përmirësojë shëndetin e nënës dhe fëmijës dhe të sjellë shërbimet kryesore më pranë familjes. 

“Programi kryesor është vizitat në shtëpi. Në momentin që vjen një shërbyese shëndetësore publike në shtëpi, ty të sjell një siguri si nënë e re edhe shpesh baby blues munden të kalojnë kur nënat ndihen më të sigurta”, thotë Rina.

Sipas saj, në vitin 2024, u realizuan gjithsej 34,744 vizita në shtëpi për fëmijët 0-3 vjeç, që përbën 76% të të porsalindurve. Një nga ato gra isha edhe unë. Në ditën e gjashtë pas lindjes në banesë më erdhën dy mami të cilat më shpjeguan çdo hollësi në lidhje me gjidhënien, mbajtjen e foshnjës, pastrimin. Pyeta edhe nëse ekzistonte ndonjë shërbim tjetër që mund të më ndihmonte në aspektin emocional, pra, nëse kishte ndihmë për t’u lehtësuar simptomat e baby blues dhe përgjigja ishte se një shërbim i tillë nuk ofrohej.

Në shtatë spitalet rajonale publike ku kryhen lindjet mungojnë shërbimet e dedikuara për mbështetjen psikologjike të grave shtatzëna apo atyre që sapo kanë lindur. Kurse në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), që nga fundi i vitit 2018, është e punësuar psikologia Brikena Krasniqi Hoti, e cila është e vetmja specialiste që ofron mbështetje për gratë gjatë qëndrimit të tyre në klinikë.

Pasi në Klinikën e Gjinekologjisë është e punësuar vetëm një psikologe, ky shërbim nuk ka kapacitetin të mbulojë nevojat e grave që largohen për në shtëpi. Në vitin 2024, Krasniqi Hoti thotë se shërbimet psikologjike i kanë marrë rreth 530 gra, të cilat kanë qenë të shtrira në këtë klinikë. Ndërkohë, numri i grave që lindin është shumë i madh krahasuar me burimet e mangëta. Sipas Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), në QKUK në vitin 2024 ka pasur 7,901 lindje si dhe 9,594 lindje në spitalet e përgjithshme. 

Kryesisht, qëndrimi i grave pasi lindin në këtë klinikë është 24 deri në 48 orë dhe sipas Krasniqi Hotit, simptomat e depresionit pas lindjes shpesh nuk janë të dukshme menjëherë dhe zakonisht kërkojnë të paktën katër javë për t’u vënë re.

Megjithatë, shërbimi psikologjik përfundon sapo gratë largohen nga Klinika e Gjinekologjisë, pavarësisht nëse ato ende kanë nevojë për mbështetje profesionale. Në rast të kësaj nevoje, grave u rekomandohet të kërkojnë ndihmë psikologjike në institucione publike shëndetësore, si Klinika e Psikiatrisë, spitalet rajonale apo qendrat e shëndetit mendor, ku ofrohen shërbime psikologjike. Në Kosovë shërbimet e shëndetit mendor mbeten jashtëzakonisht të kufizuara. Sipas MSH, në të gjitha institucionet publike shtetërore janë të punësuar vetëm 281 infermierë, 49 psikiatër, nëntë psikologë, një punëtor social dhe shtatë këshilltarë psiko-socialë.

Këtë mungesë të theksuar në sektorin publik e vë në pah edhe Krasniqi Hoti, e cila thekson se shumë gra që përjetojnë baby blues apo depresion pas lindjes mbesin pa mbështetje profesionale. 

“Fatkeqësisht, shërbime të tilla nuk janë të qasshme në shumicën e institucioneve dhe për disa prej tyre mbetet që të kërkojnë shërbime në sektorin privat,” thotë ajo. 

Kjo jo vetëm që e rrit barrën financiare për nënat e reja, por i lë pa përkujdesje ato që ndodhen në një prej fazave më të ndjeshme të jetës së tyre.

Në një kulturë ku figura e nënës shpesh përshkruhet si ajo e një gruaje që sakrifikon gjithçka, deri në vetëflijim, rrallë flitet për anën tjetër të përvojës së saj emocionale. Depresioni pas lindjes, lodhja ekstreme dhe ndjenjat e pasigurisë shpesh shpërfillen ose minimizohen, pasi shoqëria ende e sheh amësinë si një rol që duhet të përmbushet me durim dhe pa ankesa. 

Mua për fat, këto ndjesi nuk më zgjatën më shumë se dy javë. Por shumë gra nuk e kanë fatin tim. Për arsye të ndryshme, qoftë fizike apo psikologjike, ato mund të përjetojnë depresion. Për të kuptuar më në plotni depresionin pas lindjes, kam biseduar me tri gra që kanë kaluar këtë përvojë: dy prej tyre janë nga Kosova, ndërsa njëra nga Shqipëria. 

Edhe ajo vjen nga një kontekst kulturor dhe shoqëror shumë i ngjashëm. Gratë dhe vajzat në Shqipëri janë më të rrezikuara se burrat nga problemet e shëndetit mendor, si depresioni apo ankthi, por shpesh përballen me pengesa në trajtim, sidomos në shërbimet e specializuara. 

Marrë për bazë mungesën e rrëfime të grave, në këtë artikull, ngjashëm me formatin në artikullin e botuar në nëntor 2024 në K2.0, ku gratë flasin për përvojat e heshtura rreth gjidhënies, Aulona, Besarta dhe Klaudia u shtohen zërave të grave, që flasin për një mëmësi me më nuancë sesa ajo që shpesh na prezantohet.

Aulonë Mehmeti, 35-vjeçare, Prishtinë

Fotografia: Ferdi Limani / K2.0.

Më 26 qershor 2024, unë dhe Arianiti u bëmë prindër për herë të parë. Isha e emocionuar, e përgatitur dhe e lumtur. Para se të niseshim për në spital, bëmë disa foto, u rregullova dhe u ndieva gati për të përjetuar momentin më të rëndësishëm të jetës sime.

Kur e pashë për herë të parë Gjergjin, gjithçka rreth meje u ndal. Ishte sikur bota pushoi së ekzistuari dhe mbeti vetëm ai. Kisha ëndërruar këtë moment gjatë gjithë shtatzënisë, e cila, ndonëse jo ndër më të lehtat, kaloi pa ndonjë problem serioz. Besoj që edhe Arianiti qau, ai madje e pa atë para meje. Gjergji ishte aq i vogël, i ngrohtë dhe më dhimbsej që po qante aq shumë.

Dy-tre orët e para ndieva një lumturi të papërshkrueshme, por më pas më kaploi një boshllëk i papritur, një rënie e menjëhershme emocionale. Kulmi i këtyre ndjesive arriti në ditën e tretë, aq sa një infermiere në klinikë më tha se po përjetoja simptomat e baby blues. Në anën tjetër, ndihesha fajtore që nuk po e përjetoja atë ndjenjën që të gjithë e përshkruanin si “gjëja më e bukur në botë”. Për mua, nuk ishte diçka që erdhi natyrshëm.

Gjidhënia ishte një tjetër sfidë. Më thoshin se Gjergji po thithte mirë, por unë ndieja dhimbje të forta dhe nuk po arrija ta bëja siç duhet. Në fund, u detyrova ta kombinoja me formulë.

Kur u kthyem në shtëpi, gjithçka ndryshoi. Nuk kishte një manual, një protokoll, as udhëzime të sakta. E dija teorikisht se bebet zgjohen çdo dy-tre orë për të pirë qumësht, por nuk e kisha imagjinuar sa e vështirë do të ishte në praktikë. Ishte rraskapitëse, nuk e dalloja nëse qante nga uria apo nga dhimbjet e barkut dhe ndihesha e pafuqishme. Stresi më kaplonte sa herë që ai qante, sepse nuk e dija çfarë të bëja më shumë. Provoja gjithçka: i ndërroja pelenën, përdorja çdo pikë për ngërçe, por ai prapë qante e unë ndieja që nuk po mundja ta ndihmoja. Kurrë më parë nuk kisha përjetuar atë lloj stresi. Kam vite që punoj nën presion, me përgjegjësi të mëdha, por kjo është “puna” më e vështirë në jetë.

Askush nuk pyeste si isha unë. Të gjithë interesoheshin për bebin, por mua më duhej që dikush të më pyeste edhe për mua.

Ditët e para, Arianiti ishte me ne dhe njerëzit telefononin për të na uruar. Por, sapo kaluan tri javë, sikur të gjithë mendonin se tashmë ia kisha marrë dorën. Në realitet, pikërisht atëherë filloi të bëhej edhe më e vështirë. Arianiti u kthye në punë, ndërsa unë ndihesha e lodhur, e djersitur, me flokë të palarë prej ditësh. E ndieja që vetëm po jepja, pa marrë asgjë mbrapsht, derisa shteresha.

Gjithashtu, askush nuk pyeste si isha unë. Të gjithë interesoheshin për bebin, por mua më duhej që dikush të më pyeste edhe për mua. Në fakt, tani që e mendoj, vetëm prindërit e mi, motra dhe vajza e tezes më kanë pyetur “si je ti?” Dhe kjo kishte shumë rëndësi për mua si nënë e re. Një ditë, vajza e tezës më telefonoi dhe më tha: “Nuk po të pyes për Gjergjin, se e di që për të kujdesesh ti. Po të pyes si je ti?” Në atë moment, fillova të qaja pa ndalur.

Kur u bënë dy muaj nga lindja, e kuptova që këto ndjenja nuk ishin thjesht të përkohshme. Kur flisja me nëna të tjera, përgjigja e tyre ishte gjithmonë e njëjtë: “Hajt, se krejt i kena ba”. Por gratë që ishin bërë nëna para meje nuk kishin presionin që përveç rritjes së fëmijës, të sillnin edhe të ardhura në shtëpi. Mendoja të shkoja te një psikolog, por koha ishte problemi kryesor. Madje, edhe për një kontroll të zakonshëm për Pap-test më është dashur ta shtyj për një muaj e gjysmë. E për psikolog… e vështirë të menaxhohej koha si një nënë e re.

Mendoj që kam kaluar një periudhë shumë depresive. Tani jam më mirë, por ende kam faza të vështira—tre-katër ditë të errëta, pastaj ditë të mira. Ndiej shumë mllef, sidomos ndaj sistemit dhe pabarazisë. E di që askush përveç vetes sime nuk mund të më ndihmojë, e di që këto ndjenja janë të përkohshme. Por mendoj që shoqëria duhet të kuptojë se, po, është një ndjenjë e mrekullueshme të bëhesh nënë, por është po aq e rëndësishme të flitet për atë që ndodh pasi bëhesh nënë.

Besarta Breznica, 28-vjeçare, Prishtinë

Fotografia: Ferdi Limani / K2.0.

Unë e kam pasur një shtatzëni pa shumë probleme përveç shqetësimeve që më shkaktonin mendimet mbi lindjen. Unë jam një person që shqetësohem nga gjërat që janë të panjohura dhe procesi i lindjes ishte një prej tyre. Kam dëgjuar shumë histori nga gratë, histori që kanë qenë traumatike, humbje shtatzënie ose lindje me komplikime të rënda dhe dhimbje të padurueshme. Gjërat e panjohura më shkaktojnë shumë ankth dhe, në të njëjtën kohë, duke i dëgjuar historitë e personave tjerë për sa traumatike mund të jetë lindja, automatikisht për mua, përvoja e lindjes është kthyer në traumë.

Edhe shtatzëninë e kam marrë me njëfarë frike se mos po e humbas fëmijën për shkak se aq shumë kam dëgjuar histori të grave se si i kanë humbur fëmijët, sa që çdo ndryshim në trupin tim më ka shtyrë të mendoj se po e humbas fëmijën. Rrjedhimisht, e kam vizituar gjinekologun çdo dy javë për shkak të panikut. Për këtë arsye, por edhe për shkak që bebja ndodhej në një pozicion delikat, kam kryer lindje cezariane. 

Më 12 prill 2024, solla në jetë Gegën dhe pikërisht kur mendova se ankthi dhe stresi kishin mbaruar, fillova një sfidë tjetër. Për shkak të formës së gjinjve të mi, djali nuk mund të ushqehej me gji. Kjo ishte thyerja ime e parë. Rrethuar nga shumë gra gjidhënëse, që e përjetonin këtë proces, dëshiroja shumë të kaloja këtë përvojë. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mia të vazhdueshme dhe pompimeve me orë të gjata, rezultatet ishin të njëjta. Të gjithë më thoshin një fjalë, që më ishin bërë vath në vesh: “Nuk ka si gjiri i nënës”. Aty ka nisur mërzia ndaj vetes dhe më është dukur që trupi im po dështon për një proces që është shumë biologjik. Të gjitha gratë që vinin dhe shihnin sa shumë po heq me gjidhënien, askush nuk thoshte “e ki edhe formulën opsion”, krejt thoshin “tento deri në fund”. Kjo gjë më ka bërë të ndihem keq konstant.

Ndieja që nuk kuptohesha nga gratë e familjes pasi kishte momente që më thonin “je çu peshë, fëmija është mirë, nëse kish pas probleme shëndetësore, s’të kish ra ndërmend me qajtë”.

Gjendja ime emocionale po përkeqësohej ndërsa Gega qante pa ndalur. Ka pasur momente që qaja bashkë me të. Ajo periudhë ishte shumë e vështirë për mua dhe ka pasur raste që qante aq shumë sa nuk dija se si ta qetësoja. Kjo ka zgjatur diku katër muaj e gjysmë–pesë dhe, normalisht, kur e dëgjon një bebe tërë kohës duke qajtë, ka qenë shumë sfiduese dhe më bënte të ndihem edhe më keq. 

Ka pasur momente që kam qarë bashkë me të sepse s’dija çfarë t’i bëja, nuk kisha opsione të tjera. Kam qarë shumë, kohë pas kohë vazhdoj të qaj dhe ndieja që nuk kuptohesha nga gratë e familjes pasi kishte momente që më thonin “je çu peshë, fëmija është mirë, nëse kish pas probleme shëndetësore, s’të kish ra ndërmend me qajtë”, e këto fjalë më bënin të ndihesha edhe më keq sepse çështja nuk ishte tek beba. Unë natyrisht që isha e lumtur që isha bërë nënë dhe gjendja emocionale nuk lidhej aspak me fëmijën. Çështja është që askush nuk më pyeste më se si jam, si gjatë shtatzënisë, edhe pas lindjes i gjithë fokusi ka qenë tek fëmija. Edhe kujdesi që gratë mendojnë që po e marrin gjatë shtatzënisë, nuk po e marrin ato, por fetusi brenda tyre dhe kështu vazhdon situata njëjtë edhe pas lindjes. Kujdesi vjen konstant tek tjetri.

Lexoja shumë për simptomat që i kisha, por psikoterapinë e kam filluar vonë për shkak se nuk e kam pasur kurajon të shkoj te psikologu, pavarësisht që kam bërë psikoterapi edhe më herët. Pas lindjes, e kam pasur të vështirë ta marr hapin të flas me psikologun se si jam duke u ndier. 

Përveç kësaj, e kam pasur të vështirë të gjej kohën kur të shkoj te psikologu, se s’ka pasë kush të kujdeset për fëmijën përveç meje dhe partnerit tim dhe ai shumicën e kohës ka qenë në punë dhe ka qenë e vështirë të menaxhohet. Por psikoterapinë e nisa tetë muaj pas lindjes për të cilën gjykoj që ka qenë shumë vonë sepse mendoj që është më mirë të flasësh në momentet kur ndihesh keq, se pavarësisht që ti nuk i flet, ato janë duke u mbledhur brenda teje dhe kur shkon te psikologu, çka po rehaton më së pari?!

Tani një vit nga lindja e Gegës mendoj që jam më mirë, por në të njëjtën kohë më ka ndihmuar edhe rikthimi në punë, se për mua ka qenë një rikthim në normalitet, një rikthim në diçka që e kam bërë gjithë jetën.

Klaudia Kastrati, 29-vjeçare, Tiranë

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Ishte viti 2020, kohë pandemie dhe izolimi kur mora lajmin se isha shtatzënë për herë të dytë. Ndryshe nga shtatzënia e parë, këtë herë ndieva një bllokim në frymëmarrje që në momentin kur pashë dy vija në testin e shtatzënisë. Isha bërë nënë vetëm një vit më parë dhe po e shijoja këtë përvojë në çdo detaj. Atashimi me djalin tim të madh ishte i fortë dhe ideja se do të bëhesha sërish nënë më tronditi. Si do të kujdesesha për dy foshnja njëkohësisht? A do të isha në gjendje t’i jepja dashurinë dhe vëmendjen që meritonin?

Gjendja ime u rëndua edhe më shumë kur e ndava lajmin me njerëz. Ata më thoshin: “E ke mbyllur jetën me këtë shtatzëni të dytë. Nuk do kesh më mundësi të funksionosh si njeri, përveçse për të kryer detyrën si nënë”. Fatkeqësisht këta njerëz ishin të rrethit të ngushtë që zakonisht i cilësojmë si të “shenjtë” dhe unë e di që njerëzit kanë tendencë thjesht të thonë fjalë, por nuk e mendojnë edhe aspektin emocional që ti ndodhesh.

Lindja e djalit të dytë ishte një tjetër përvojë traumatike. Ai erdhi në jetë pa shenja jete dhe për pak sa nuk e humba edhe unë jetën gjatë lindjes. Vetëm disa orë më vonë, e transferuan në një spital shtetëror, ku qëndroi për dy javë nën kujdesin intensiv të mjekëve. Gjatë gjithë kësaj kohe, nuk pushova për asnjë moment. Nuk pata kohë të ndieja frikë, as të lotoja. Ishte sikur të isha kthyer në një robot. Kujdesesha për djalin e madh në shtëpi dhe më pas nxitoja për tek i vogli në spital. Nuk përjetoja asgjë, vetëm ekzistova duke u shërbyer dy fëmijëve të mi.

Më pushtuan mendimet negative. Më mbërtheu ndjenja e pamjaftueshmërisë.

Gjithçka e përjetuar shpërtheu pikërisht kur e solla djalin e vogël në shtëpi. Ishte si të më zinte një dallgë që nuk e kisha vënë re më parë. Papritur, gjithçka u errësua. Realiteti m’u duk i largët, i paqartë. Nuk mund të ndihesha e gëzuar për këtë lumturi që supozohej të më mbushte shpirtin. Nuk munda t’i shikoja fëmijët e mi dhe të thosha: “Ia dolëm, jemi bashkë.” Nëse do ta përshkruaja atë ndjesi, do të ishte errësirë, një shkëputje e plotë nga realiteti që po jetoja.

Më pushtuan mendimet negative. Më mbërtheu ndjenja e pamjaftueshmërisë. Kryeja të gjitha detyrat e një nëne në mënyrë mekanike ushqyerjen, ndërrimin e pelenave, kujdesin ndaj të dyve por pa e ndjerë asgjë. Edhe marrëdhënia ime me djalin e madh nisi të ftohej. Nuk kishte më përkëdhelje, nuk kishte më puthje. Edhe ai e ndjeu distancën time. Ndonjëherë nuk më afrohej fare.

Një natë, ai refuzoi edhe përkëdheljen më të vogël. Nuk më lejoi t’ia përkëdhelja kokën. M’u thye zemra. Po qaja, duke u lutur që fëmija im të më lejonte ta përqafoja. Aty e kuptova se kisha arritur një pikë ku duhej të ndryshoja diçka. Atë natë nuk fjeta. Mendova gjatë për mënyrën se si mund të ndihmoja veten, për si të dilja nga ai gjendje.

Për mua, shërimi ishte një betejë. Një proces i brendshëm, një luftë personale. Nuk kërkova ndihmë profesionale, por çdo ditë, me hapa të vegjël, tentova të rigjeja veten. Besoj se, për aq kohë sa mund ta ndihmojmë veten, askush tjetër nuk mund ta bëjë për ne.

 

Imazhi i ballinës: Mashal Baloch / K2.0

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.